Nga Rajmonda Moisiu
Pjesa e dytë
Memorie.al / E kush nuk do të dëshironte sot të kthehej ndër ato vite të shekullit të kaluar, të sillte panoramën- kujtesë, mbresëlënëse dhe historike, elitën e shquar të sportit shqiptar, ata që bënë historinë e futbollit shqiptar, futbollistët legjendë dhe heronj të kohës që jetonin, të cilët me inteligjencë, pasion, talent e profesionalizëm, arritën të shkruanin historinë në nivel kombëtar, europian e botëror. Disa prej tyre prehen në paqen e amëshuar, disa prej tyre janë aty edhe sot –fisnikë e krenarë, idhuj e legjenda, ata janë e do të mbeten figura madhore, jo vetëm për gjeneratën që i përkisnin dhe të ardhmes, por edhe për ata ëndërrimtarët, sportistët e rinj, që dëshirojnë t’iu ngjajnë atyre; që bënë epokën! Ndër ta është edhe legjenda, ikona e futbollit korçar dhe atij shqiptar – i pakalueshme, – Teodor Vaso – një figurë sportive dominuese në ndeshjet kombëtare e ndërkombëtare, që i dhanë famën dhe historinë e një futbolli më profesional, spektakolar, historik e mitik, të shekullit të kaluar!
-Zoti Vaso, ku qëndronte forca e suksesit në fazat kulminante të skuadrës së “Skënderbeut” me skuadrat e tjera, që na dhuruan futbollin spektakolar të viteve ’70-të?
Nëpërmjet koncepteve të trajnerit Ilia Shuke, që kishte lënë detyrën e Pedagogut në Institutin e Lartë të Fizkulturës në Tiranë, grupi i lojtarëve përbërës të “Skënderbeut”, tashmë si asnjëherë tjetër në historinë e tij, kishte në përbërje pesë lojtarë të përfaqësueses shqiptare të futbollit; Todo Vaso, Koço Dinella, Aleko Pilika, Dhimitraq Dembo dhe Dhimitraq Xhambazi. Publiku jetonte me “Skënderbeun” e tij, që kishte gjetur vetveten dhe pikën kulminante e arriti, që në një periudhë pa ndërprerjeje, të bëjë 29 ndeshje pa asnjë humbje (fitore dhe barazime) dhe me ndeshjet përgatitore miqësore. Befas doli në pah një dukuri e pa parë ndonjëherë në Korçë dhe në qytetet e tjera shqiptare, me parullat: “Skënderbeu kampion”, duam “Kupën Ballkanike”.
Këtë epokë, që u quajt; “epoka e brezit të ri”, u paraqitëm me vlerat e konfirmuara në rezultate. Në vitin 1960-të, skuadra korçare u klasifikua në vendin e katërt, mes 10 ekipeve të kampionatit. Më 1962-in u barazua në Tiranë, 1-1, me ekipin kampion “Partizani” dhe 0-0 me “Dinamon”, ndërsa me “17 Nëntorin” fitoi 3-1. Në vitin 1963-e, fitoi në Tiranë 1-0, me “Dinamon” e Tiranës dhe fiton në Korçë 1- 0 me “Partizanin”. Në vitin 1965, kap finalen e Kupës së Republikës në ndeshje me “Vllazninë” e Shkodrës dhe klasifikohet e dyta, në ndeshjet me 32 ekipe e Shqipërisë për Kupën. Një vit më vonë filloni “epoka e Ilia Shukes”, me dy barazime 0-0, me dy ekipet më të forta të Tiranës! “17 Nëntorin” dhe “Partizanin”, sepse tashmë “Dinamon” e madhe e kishte “spostuar” “17 Nëntori”. Korça fiton 2-0 në Vlorë, barazon në Kavajë 0-0, barazon në Tirane me “Partizanin” 0-0, që të treja në nëntor të vitit 1966-të.
“Skënderbeu” fitoi në Elbasan (1967), 4-0 në Berat 2-0 (1968), në 1969-ën fitoi në Tiranë, 1-0 me “Partizanin” dhe 1-0 me “17 Nëntorin”, kurse në Korçë me Tiranën 0-0. Vazhdojnë fitore dhe barazime në Kavajë, Fier me Vlorën 4-0, në Korçë dhe përsëriten rezultatet me tre ekipet e Tiranës. Dhe vjen një kulm. Më 17 shtator 1970, zbret që nga veriu i Evropës në Tiranë, “Ajaksi” i frikshëm, i madhërishëm, fantastik dhe finalistët e kampionatit botëror të 1974, me Republikën Federale Gjermane. “17 Nëntori” barazon 2 – 2 me ta. Një rezultat impresionist dhe dinjitoz.
Pikërisht, ballafaquar me këtë produkt, të një ekipi të madh, dy javë më vonë duken vlerat befasuese dhe bindëse, të një ekipi tjetër shqiptar, “Skënderbeut” të Korçës, ku reflektoheshin të gjitha dukuritë e futbollit modern. Ai fiton bindshëm në Tiranë 1–0 kundër “17 Nëntorit”, që sapo kishte bërë një shkëlqim historik në futbollin shqiptar. “17 nëntori”, jo vetëm barazoi me “Ajaksin” e madh, por ai ishte dhe kampion kombëtar në vitin 1970-të. Këtë periudhë, që vinte pas shkëlqimit të viteve 1930-të të “Skënderbeut” kampion, publicisti model sportive, Besnik Dizdari, e konfirmon në shkrimet e tij historike: “Pas luftës ‘Skënderbeu’ është personifikim i Koços, G. Larës, P. Qirinxhiut, M. Ndinit, S. Lubonjës, Çelës, Miles, M. Tuxharit, Prodanit, Dvoranit, Pilikës, Raqi Piskut, të cilët vetëm luftuan të mbanin një traditë.
‘Skënderbeu’ është i Todo Vasos, legjendës së Kombëtares së Shqipërisë, stoikut të paharrueshëm të gjermanëve; është i A. Pilikës, qendërsulmuesit, ndër më modernët e Shqipërisë, njeriu që e bëri Korçën sfiduese të ‘77-ës. ‘Skënderbeu’ është i Koço Dinellës, portierit gjigant të Shqipërisë, por edhe i papërkulshmëve Dembo e Shule. ‘Skënderbeu’ është i Jani Kacit, portierit më elegant të futbollit shqiptar. ‘Skënderbeu’ është i Dhimitraq Xhambazi e Milutin Kërçiç, modernët e fundit të Korçës. ‘Skënderbeu’ është i Shqipërisë, pjesa e ndritur e futbollit kombëtar”.
-Prof. Vaso, ju kini qenë një nga mbrojtësit më të mirë të futbollit shqiptar, që ju jepte shansin të ishit titullar i formacionit të 11-tëshes të kombëtares sonë. Cila ka qenë ndeshja më cilësore për ju jashtë Shqipërisë, kur, në çfarë viti dhe ku?
Vlerat sportive të klasifikuara, i matin shifrat me metra, kilogram dhe sekonda (pas minutave, apo të qindtat e sekondës). Këto kanë bango-provë për kampionatet botërore, Olimpiadat apo garat kontinentale etj. Në lojërat sportive ato maten në garat e formateve të lart përmendura. Janë dy ndeshje ndërmjet shumë të tjerave. E para në lojën në Beograd më 12.11.1967, kundër kapitenit të kombëtares Jugosllave, sulmuesit të majtë më të mirë të Evropës të kohës, Dragan Xhaiç, i cili për bllokimin gjatë ’90-të minutave që ju bë nga unë, u befasua dhe në prani të shumë sportdashësve kosovarë në stadium dhe në banketin pas ndeshjes, më uroi për lojën e shkëlqyer dhe u shpreh: “Më befasuat me lojën tuaj të cilën nuk e prisja kurrsesi”.
Loja tjetër, që ka një kurorëzim të veçantë është kundër formacionit të kombëtares turke në Stamboll, më 13.12.1970. Disa gazeta turke vlerësonin lojën e futbollistëve, jo me nota, por me yje, njëra prej tyre e ka cilësuar nga ekipi turk lojtarin e tyre Metin, dhe nga kombëtarja shqiptare me vlerësimin maksimal me 4 YJE- Teodor Vaso. Gazetën dhe një foto kundër futbollistit turk, ma dhuruan në banketin mbas ndeshjes. Por vlerësimin më të madh e ka dhënë trajneri legjendar i Republikës Federale Gjermane – Helmut Shen, i cili në dy ndeshjet; në Tiranë kundër RFGJ-së me 1967-ën, dhe 1971-in, ka vlerësuar midis lojtarëve shqiptarë, dy here, vetëm –Panajot Panon dhe Todo Vason. Këto vlerësime janë të botuara në gazetën “Sporti Popullor”, mbas dy ndeshjeve.
– Në vitin 1972, në prani të 50 mijë spektatorëve, kombëtarja shqiptare ka luajtur në stadiumin “Mitat Pasha” të Stambollit. Në formacionin e kombëtares kanë qenë edhe dy futbollistë korçarë, Teodor Vaso dhe Koço Dinella. Si arritët ju djemtë korçarë, të jeni pjesë e këtij formacioni, kur dihej që në 11-shen e Kombëtares, atë kohë luanin djemtë e “Bllokut”?
Prej vitit 1945-së deri në vitin 1990–të, fanellën e Kombëtares Shqiptare, e kanë veshur tre futbollistë korçarë;- i pari- Teodor Vaso, i dyti Koço Dinella, dhe i treti Jani Kaçi, por u aktivizuan në formacionin e saj; – A. Pilika, Dh. Dembo, G. Ibro, dhe me kombëtaren shpresa, Milutin Kërçiç, Dh. Xhambazi, G. Lici, P. Tole, G. Rrapo. Të gjithë nga familje punëtore. Dy djemtë korçarë që luajtën në Stamboll, ishin Todo Vaso dhe Koço Dinella. Dinella, më i madhi i ndeshjes me “Ajaksin” në Hollandë në fund të shtatorit 1970-të dhe Todo Vaso, më i miri me 4 yje në fundin e vitit 1970-të [13.12.1970], me kombëtaren turke. Shtypi hollandez shkroi për ndeshjen e “Ajaks-17 Nëntori”, veçanërisht për Koço Dinellën, ekzaktësisht: “Një skuadër e vogël (‘17 Nëntori’) me një portier të madh”. Shtypi turk vlerësoi lojtarët më të mirë të ndeshjes Turqi-Shqipëri: Metin [Turk] dhe Vaso [Shqipëri] me 4 yje, si lojtarët më të mirë të ndeshjes, me vlerësimin maksimal.
Nuk ekzistonte asnjë lloj problemi futbollistik, që fanellën e kombëtares ta uzurponin fëmijët e “Bllokut”, po aq sa e vërtetë ishte çështja e ndikimit të futjes në përfaqësuese të lojtarëve të super-klubeve shqiptare, me qendër në Tiranë. Duhet të kujtojmë të vërtetat. Në atë kohë lufta e klasave përziente biografitë, kurse tani në kohën e sotme, në sport përzihen të vërtetat. Fëmijët e asaj kohë mund të futeshin në çdo ekip sportiv, pa asnjë detyrim, tashmë, shumë fëmijë të talentuar, nuk mund të veshin kurrë këpucë futbolli dhe as t’i afrohen një ekipi, sepse nuk përmbushin dot detyrimet financiare të kërkesave të stërvitjeve dhe ndeshjeve. Është mëkat i madh!
– Cilat kanë qenë ndeshjet, dhe takimet me personalitete të rangut të lartë, që të kanë lënë më shumë mbresa? Ka rastisur që të kanë kritikuar gjatë karrierës tuaj?
Ata i shërbyen një sistemi tjetër të kaluar. Të vegjlit, që sillen si të jenë të mëdhenj, të mëdhenjtë, që bëhen njësh me të vegjlit në sjellje. Ai zbriti nga makina i vetëm pa roje, pa salltanete, ma bëri me dorë. Këta janë në tërë kohërat. Ishim afër buzë detit në Durrës. Sikur të ishim të njohur me kohë u fut në bisedë. Pa lajmëruar më parë, ai priti aty kohën për të ardhur trajneri ynë i kombëtares, Loro Borici. Stërviteshim në fushën e futbollit të Shtëpisë së Pushimit të Ushtarakëve. Do të shkonim, për ndeshje në Zvicër dhe në Irlandën e Veriut. Dy vite më parë futbolli ynë kombëtar pësoi një humbje në Danimarke 4–0, jo larg një vit më pas humbi në Hollandë 2–0 dhe po atë vit, kur do të luanim në dy ndeshjet e cilësuara, humbëm në Tiranë me Hollandën dhe Zvicrën, 2-0. Ky bilanc përbënte shqetësim për udhëheqjen e lartë.
Zyrtari i lartë, natyrshëm e solli bisedën në mundësitë tona të situatës futbollistike, që ndodheshim. Kështu që unë, ashtu sikurse e përfytyroja gjendjen disi me një angazhim moral patriotik, i bëra një ekspoze të mundësive tona. Përfitova nga rastësia dhe e pyeta: – “A mund të priste një nga shokët e mi”? Sipër tij ishin vetëm Mehmet Shehu dhe Enver Hoxha, mundësia më e madhe për të zgjidhur problemin. “E njoh problemin tënd. Jashtë shtetit do të shkosh vetëm në vendet e Lindjes”. Dhe aty shkuam, ishim të dy me ekipin “Partizani”, një vit më vonë. Kaloi një vit tjetër dhe lufta e klasave, që u rindez përsëri ja preu rrugën. Pa lejen e tij nuk mund ta përmend emrin. Ai është miku im, është më i miri, miku im. Ndjesitë e mija nuk kanë të bëjnë, në e dua apo e urrej atë burrë që quhej; Ramiz Alia. Ai foli me mikun tim ngrohtë, miqësor, me respekt.
Atë shumë kush mund ta urrejë, por e vërteta e atij takimi, është kjo që rrëfej, pa asnjë ekzagjerim. Na përshëndeti përzemërsisht dhe hipi në “Benz”-in e tij, sikur të udhëtonte me një taksi. Korrieri i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, la te prindërit në shtëpinë time, porosinë e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Petrit Dume, që: – “Rezervisti Todo Vaso, nuk do të shkojë në lojën e Bodesë” [1968]. Ditën tjetër prapa portës, që trokiti pashë një oficer të ri: – “Shoku Vaso, të pret në Shtëpinë e Oficerëve, gjeneral Petrit Dume”!.
Kur ai po zbriste shkallët e katit të dytë me një grup ushtarakësh, që i vinin nga pas, adjutanti i tij më lajmëroi në Bar-bufe, të dilja në holl. “Shkoni në detyrë, – u tha ai gjithë oficerëve prezent. Mbasi më takoi, dolëm përpara ndërtesës, në trotuar.“Kaloi trauma e ndeshjes me gjermanët”? – më pyeti. “Po, shoku gjeneral”! “Nuk do të shkosh në lojën e ‘Bodesë’, që ka filluar, edhe sikur të të lajmërojnë përsëri. Je bërë anëtar Partie”? “Jo”! “Duhet të të kishim bërë, që kur ishe në Klubin tonë Sportiv”. Pas disa hapave u gjendëm ballë për ballë me monumentin e Themistokli Gërmenjit. Ai hodhi shikimin nga luftëtari. “Kjo trevë ka nxjerrë shumë luftëtarë trima”.
Atë çast meditova; Nuk di ku e fut veten me trimëritë e treguara për të”. “Ne luftuam kundër gjermanëve me armë, Ju të dy me Dinellën, dy djem korçarë në atë ndeshje treguat, që dhe në fushën e futbollit, Korça ka luftëtarë të mëdhenj. Mirupafshim”. Teksa unë civil, nuk di pse atë çast e nderova ushtarakisht. Tregonin që bëmat e tij ishin ngritur lart në emrin e një legjende, prandaj shumë kush e nderonte instinktivisht ushtarakisht. Në fund të shtatorit të atij viti, mbas fitores së bujshme me “Torinon” e madhe të Italisë në Tiranë, më thirri përsëri dhe më kërkoi mendim; “A mund të bëjmë ndryshime në formacion për ndeshjen në Itali”?
“Më falni, por ju kini një staf shumë të specializuar të ekipit, gjeneral”? “Po, por unë dua të tërheq mendimin dhe të teknikëve jashtë stafit, sepse mund të ketë dhe familjarizim me lojtarët vendas. Aty do të luajë dhe futbollisti i përfaqësueses franceze, Kombin, i cili nuk luajti në Tiranë. Atij lojtari shtatlartë dhe solid, i përshtatet stoperi Gjergo Shule. Këtë ma kanë sugjeruar dhe disa specialistë futbolli. Të bëhet gati ai djalë, të përgatitet dhe moralisht” – tha gjeneral Petrit Dume. Gjergo u befasua kur i thashë. Loja e tij shumë e mirë, tregoi që varianti i menduar, ishte një zgjidhje e drejtë.
Gjatë karrierës shumë vjeçare, jam takuar dhe kam biseduar me shumë personalitete të asaj kohe; Ramiz Alia, Beqir Balluku, Petrit Dume, me kryeministrin Mehmet Shehu, Adil Çarçani, Mihallaq Ziçishtin Zv/Ministër i Punëve të Brendshme, Pirro Kondi e Peti Shamblli, anëtarë të Komitetit Qendror të PPSH-së, Ramadan Xhangolli, Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë, Korçë, me gjeneralët: Rahman Parllaku, Thoma Xhixho, Qazim Kapizyzi, Todi Naçi, Vaskë Gjino, Sejdi Avdija, Halim Xhelo, etj., dhe me personalitete të tjerë të Partisë dhe pushtetit të kohës.
Me duhet të hedh pak dritë mbi një bisedë me zv/Kryeministrin Beqir Balluku, sepse ngjarja ka një sinonim me ngjarjen e mikut tim, legjendë e futbollit, Skënder Halili, qendërmbrojtësin e përmasave evropiane (tani i ndarë nga jeta], që ju masakrua karriera, në kohën e lulëzimit të saj. Ja dhe ngjashmëria, por fundi krejt fatal, për njërin nga ne të dy. Do të luanim një ndeshje shtesë për titullin kampion të vitit 1965-‘66, – “17 Nëntori” – “Partizani”, në 12 qershor. Të dy ekipet e mbyllën kampionatin me 38 pikë secila. Disi çuditshëm, aty në lulishten e shtëpisë së pushimit të ushtarakëve në Durrës. Në orët e pushimit, u afrua një oficer të cilit i njihja vetëm fytyrën: “-Vaso, eja se do të takohesh me një shok Partie”.
Në katin e dytë të ndërtesës së parë dykatëshe, pas asaj qendrores, kur hyra brenda, në krye të dhomës, pashë Beqir Ballukun, veshur civil me këmishë të bardhë. Mbas dy muaj sipas ligjit të ri, që kishte 2-3 vjet në funksion, duhet të kthehesha në Korçë, të luaja me “Skënderbeun”. Ai u interesua për gjendjen time familjare dhe kushtet e jetës të njerëzve të mi. Mbas një bisede futbolli dhe për ndeshjet ndërkombëtare, Balluku prerë më pyeti: “Vaso, dëshiron të kthehesh në Korçë, apo dëshiron të luash me ‘Partizanin’”? – “Të dyja skuadrat më pëlqejnë shumë, por dëshira ime, lidhet me vazhdimin e studimeve, të cilat mund të bëhen vetëm në Tiranë, për një karrierë normale. Kam qenë nxënës me mesatare të lartë”.
– “Me ‘Partizanin’ mund të qëndrosh, nëse do të lejohesh nga Korça, prandaj, duhet të bisedosh me shokun Mihallaq Ziçishti”. Dërgata të ndryshme nga Klubi Sportiv “Partizani”, gjatë verës të vitit 1966-të, në takim me Ziçishtin u kthyen bosh. Mihallaq Ziçishti, duke përdorur metaforën; “Sa të më punojë patllakja, që më ka dhënë Enver Hoxha, ti Vaso, do të kthehesh në Korçë”! Kështu m’u përgjigj ai kur i thashë që më ka dërguar Beqir Balluku. Dhe ashtu u bë! Në shtator të vitit 1966, u ktheva në vendlindje dhe vesha fanellën e “Skënderbeut”.
Po sinonimi i ngjarjes të Skënder Halilit?!
Ja shkurtimisht ngjarja: Biseda e Skënderit u bë një vit më parë se ajo e imja. Mbeti një ngjarje e mjegulluar. Para fillimit të kampionatit 1964-‘65-ës, Skënderi që u lirua nga shërbimi ushtarak, kohë që luante me “Dinamon” e Tiranës, iu kërkua, që të mos kthehej tek skuadra e “17 Nëntorit”, të qëndronte te “Dinamo”, duke deklaruar, që ai ishte vullneti i tij. E çuar në nivelet e larta të shtetit, këtë të ashtuquajtur marrëveshje, problemi mori karakter skandali, sepse atëhere kur pritej që ai të dilte në ndeshjen e parë me fanellën e “Dinamos”, u pa i veshur me fanellën e “17 Nëntorit”.
“Dinamo” nuk ja “fali” këtë “prerje” në besë dhe u gjet një gabim ordiner, që e çuan Skënder Halilin në burg, duke i burgosur përfundimisht dhe futbollin e tij. Më pyetët se a ka rastisur të më kritikojnë gjatë karrierës sportive?! Në cilësinë e kësaj pyetjeje, po iu rrëfej të vetmen kritikë në formën hipotetike: ”Pardje ne nuk e pamë Vason e zakonshëm, aq energjik dhe të sigurtë”, – shkruhej në gazetën “Sporti Popullor” [16.05.1967], për ndeshjen Shqipëri – Jugosllavi në Tiranë, të cilën e humbëm 0-2.
Karriera ime ka dy ngjarje të rënda dhe të çuditshme, që shumëkush i ka quajtur absurde. Në kampionatin e vitit 1973 – 74-ës, pas një ndeshjeje futbolli, një grup i madh sportdashësish, protestuan përpara tribunës qendrore, për një arbitrim të keq të ndeshjes. Me përjashtim të thirrjeve dhe fjalëve bombastike, nuk pati veprime prishëse. Befas në mbrëmje vonë, më thërresin në hetuesi, në një dhome më katër – pesë agjentë, ku më kërcënuan: “….Ju po prishni rendin dhe frymëzoni masat e tifozëve për veprime huliganësh. Ne ja u presim k… që t’u tregojmë, se kush jeni ju.! Ik tani dhe kjo bisedë mbetet këtu midis nesh sakën se…”!
Në të vërtetë, nuk kishte kuptim përse duhej bërë fjalë, aty ku aludonin ata. Por, Sekretari i Komitetit të Partisë, Enver Halili, i cili në atë kohë në Korçë, krijoi opinionin, që problemet i zgjidhte, i prirur nga toleranca dhe ndihmesa, më tha: “Vaso, unë kam mbaruar dhe fakultetin Juridik, hetuesia thërret njerëz, për të marrë të dhëna, për çështje anti ligjore. Unë jam anëtar Partie dhe sipas ligjeve duhet të më përjashtojnë nga partia, për të më thirrur në hetuesi. Do ta zgjidh unë këtë problem”, dhe e mbylli ai bisedën. Dhe u mbyll, por unë e njihja burimin nga kishte dalë orientimi, hetuesia vetëm sa kryente porosinë.
Për të mos u marrë për karshillëk, jo shpejt, por pas disa muajsh kërkova dorëheqjen, të cilën po Enver Halili e pranoi dhe në opinion u duk sikur trajneri Teodor Vaso, u shkarkua nga detyra. Kjo ngjarje u bë e njohur, kur unë pas ndryshimit të sistemit me 1990-ën, e tregoja në biseda me miqtë e mi. Për këtë ngjarje kam shkruar në gazetën “Koha Jonë” në vitin 1994-ër, me autor gazetarin Pandi Konçi. Ngjarja e dytë u bë e njohur publikisht në vitin arsimor 1996-‘97, përpara kolektivit të mësueseve të shkollës “Stavri Themeli”. Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së në vitet 1990-1997, tani Drejtor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Federatën Spanjolle të Futbollit, z. Eduard Dervishi, në një seminar futbolli në Tiranë, më tha: “Eprorët e mi pyetën se çfarë ka bërë Todo Vaso, që e kanë pushuar nga puna, mos ka vrarë njeri”?!
Volejbollisti i shquar Pirro Demiri, i dorëzoi triskën e anëtarësisë të Sindikatës, sepse asnjë mësues tjetër nuk protestoi apo kërkoi motivet e pushimit nga puna. Së bashku me gruan kaluam një vit shumë të vështirë, sepse edhe atë e pushuan nga puna ngaqë fabrika ku ajo punonte, u privatizua. Tashmë marr një pension të cunguar. U desh ndërhyrja e organeve qendrore të arsimit, që të rikthehem në punë në gjimnazin “Themistokli Gërmenji”. Edhe kjo ngjarje absurde nuk ishte angazhimi i shtetit të asaj kohe, apo i Partisë Demokratike, por i personave të veçante që vepronin duke thurur intriga dhe dënime militantizmi absurd. Shumëkush, as nuk e beson, por te e fundit, ngjarja dhe pasojat janë konsumuar dhe mbeten si ngjarje historike./ Memorie.al
Vijon në numrin e ardhshëm















