Hysen Selmani
Pjesa e dytë
Memorie.al / Shpesh herë, shtypi evropian dhe ai amerikan, ka trajtuar temën e kujtimeve të Mbretit Shqiptar, Zogu i I-rë, të cilat, ai i shkruante dhe i diktonte, gjatë periudhës së mërgimit të tij nga Shqipëria. Duke pasur parasysh, shënimet dhe sintezat që ndihmësi i tij, kolonel Hysen Selmani, përpiloi gjatë viteve në shërbim të tij, – gjithmonë, pranë Mbretit të Shqiptarëve, si në atdhe, ashtu edhe në mërgim, këto shënime, pak a shumë me pjesë të shkëputura, pa ndjekur rreptësisht kriteret e zakonshme të kujtimeve, dhe pa pasur formën e prerë, e përfundimtare të një redaktimi, janë të përgatitura nga vetë Hysen Selmani, i cili i ka kushtuar pjesën më të madhe të jetës së tij, si në Shqipëri, ashtu dhe gjatë mërgimit, shërbimit ndaj Zogut të I-rë, Mbretit të Shqiptarëve.
TIRANË, 25 MARS 1939
Njëkohësisht, Britania e Madhe e kishte kuptuar fare mirë gjendjen dhe për këtë arsye dërgoi në Tiranë, Sir Thomas Hohler-in, e bashkë me Ministrin Fuqiplotë të akredituar pranë Oborrit Mbretëror Shqiptar, Sir Andre Ryan-i, ishin ngarkuar të shkonin për një audiencë tek Mbreti Zog. I pari fliste mire gjermanisht dhe i dyti fliste turqisht, e kështu nuk ishte nevoja për përkthyes.
Të ngarkuarit britanik, e pyetën pikë së pari Mbretin Zog, se; a ishte e vërtetë puna e atentatit kundër Madhërisë së tij dhe e zbulimit të kryengritjes, bërë më 12 shkurt 1939. Mbreti Zog u përgjigj se: si njëra, ashtu edhe tjetra, ishin të vërteta, sado që Mbreti dhe Qeveria, kishin respektuar klauzolat e aleancës italo-shqiptare.
Pas kësaj, Hohler e pyeti Mbretin Zog, se; a ishte në dijeni se Italia po përqendronte forca ushtarake në Bari e Brindisi. Zogu ju përgjigj se: ishte i informuar për këto gjëra, por shtoi se: “një gjë e tillë, do të tërhiqet deri vërejtjen e shteteve të tjera, e në mënyrë të veçantë, atë të Britanisë së Madhe”.
Ministri britanik, më në fund i bëri këtë pyetje: “Kërkesave që u bëjnë italianët, a nuk mundeni t’u gjeni një kompromis, në mes të dy shteteve, që mos t’i jepej rast ndonjë ashpërsimi më serioz”?
Mbreti Zog, i vuri në dijeni të gjitha tentativat, e tha se; nuk ka më asnjë mundësi: “Sado që jemi përpjekur me çdo mënyrë, por ata nuk kanë qëllim tjetër por okupimin e Shqipërisë, gjë që do të jetë si kryeurë për më vonë, për okupimin e Greqisë e pastaj dhe të Jugosllavisë. Ne, – tha Mbreti Zog, – nuk kemi qenë kurrë nxitës, por as që të pranojmë asnjë kusht që të jetë e papajtueshme me indipendencën e tërësinë e tokës shqiptare”.
Bisedimet në mes të Mbretit Zog e, përfaqësuesve britanik, më në fund prekën çështjen e zjarrtë, kur, Sir Thoma Hohler e pyeti: “Në rast se Italia ngul këmbë për këto kërkesa, me fjalë të tjera, në rast se ajo përdor forcën, ju çdo të bëni”?
Mbreti Zog I-rë, e evitoi përgjigjen direkte dhe ju soll përfaqësuesit britanik duke i thënë: “Më parë se t’u them unë vetë një përgjigje, e në rast se Italia sulmon ushtarakisht, shteti shqiptar, që është anëtar i Lidhjes së Kombeve edhe i vogël, Britania e Madhe, çfarë qëndrimi do të ketë në këtë rast”?
Ministri britanik i akredituar në Tiranë, Sir Andre Ryan dhe përfaqësuesi i Foreign Office, Sir Thommas Hohler, i thanë se; Franca dhe Britania e Madhe, do të shqyrtonin sjelljen e Beogradit, të Athinës, se ç’qëndrim do merrnin këto dy shtete dhe ashtu do të vepronin.
Bisedimet po preknin argumente të zjarrta dhe parashikonin tragjedinë e afërt të Shqipërisë së vogël, prandaj Mbreti Zog, i pyeti përfaqësuesit e Britanisë së Madhe se, si do të ishte qëndrimi sipas këtyre, që do të merrnin Beogradin dhe Athinën, në rast atakimi me forca ushtarake nga Italia kundër Shqipërisë?!
Përfaqësuesit e Britanisë së Madhe, ju përgjigjën Mbretit Zog I-rë, qartazi se: “Jugosllavia dhe Greqia, do të shikonin sjelljet e Gjermanisë, në rast se Hitleri u kërcënohej këtyre të dy shteteve, do të mbeteshin neutral dhe nuk do të lëviznin as pro e as kundër”.
“Kjo do të thotë, – u tha Mbreti Zog – se Italisë, i është lënë dorë e lirë në Shqipëri – e shtoi se – shqiptarët do të bënin detyrën e tyre dhe forcës do t’i dalin përpara me forcë, sepse ne, – u tha Mbreti Zog – nuk do të pranojmë në asnjë mënyrë cënimin e tokës sonë, që ta marrë vesh e gjithë bota e qytetëruar me atë fuqi që kemi”.
Përfaqësuesit e Britanisë së Madhe ngulën këmbë rishtas, përreth një kompromisi eventual, duke evituar dhe një herë, si të tjerat, këtë krizë. Por, Mbreti Zog, ju përgjigj rishtazi se: “nuk pranonte cënimin më të vogël të tokës shqiptare, se kërkesave italiane, do t’i përgjigjej negativisht, pse cënonin nderin e Atdheut”.
Misioni Britanisë së Madhe, me këto kuvendime, u çuan e dolën, Sir Thomas Hohlet, i cili do të nisej po në atë ditë për Angli, i shtrëngoi dorën Mbreti Zog dhe i uroi të mira.
Mbreti Zog, priti në audiencë Ministrin Fuqiplotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Hugh G. Grant, të cilit i bëri të ditur po si atyre britanikëve, mbi të gjitha sa kishin biseduar, si edhe për të gjithë gjendjen, që ndodhej kohë të fundit.
Ministri Hugh G.Grant, i cili ishte një diplomat i pjekur e largpamës, e kishte kuptuar fare mirë situatën e Shqipërisë. Ky më tepër, ishte mik i Shqipërisë dhe i Mbretit Zog, e me sjelljet miqësore, kishte fituar simpatinë kundrejt popullit dhe autoriteteve shqiptare.
Mbreti i tha ministrit Hug G. Grant, që, ta vinte në dijeni Roosveltin, Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mbi situatën tragjike, në të cilën ndodhej Shqipëria. Edhe këtij si mik i Shqipërisë, i tha të vinte në dijeni Presidentin dhe mbi bisedimet që pati me përfaqësuesin e Britanisë së Madhe, e mbi qëndrimin ballkanik.
Mbreti i shtoi se: “Shqiptarët nuk do ta pranojnë cënimin e tokës e të independencës kombëtare, sot ndodhemi të izoluar prej të gjithë Evropës, lypim përkrahjen e popullit të madh e mbrojtës të Shteteve të vegjël, Amerikës, mbi tragjedinë që po i kërcënohej Shqipërisë së vogël, prej fashizmit” dhe bëri çmos që Shtetet e Bashkuara, të ndërhynin për ta shpëtuar këtë komb të vogël e bujar, nga thonjtë e fashizmit.
Ministri Grant, për çështjen shqiptare, nuk është kursyer, në sakrificat e përpjekjet e pareshtura për të mirën e Shqipërisë e shqiptarëve, kudo ku nevoja e ka lypur, si pranë Dhomës së Senatorëve, pranë Departamentit të Shtetit, pranë çdo institucioni, vetëm e vetëm për t’i shërbyer interesave të Shqipërisë. Ky mik, me vepra të shkëlqyera e përpjekje të palodhshme, të gjitha historitë shqiptare, do ta vendosin në radhët e para të miqve shqiptarë më të mëdhenj.
Misioni i përfaqësuesve të Britanisë së Madhe, si dhe ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, natyrisht që nuk u kufizua në një reportazh që do të bënin qeveritë e tyre respektive, por tashmë, tani shikohej qartë se, konflikti italo-shqiptar, do të përfundonte në sulmin e forcave fashiste, kundër Shqipërisë së vogël e aleate, duke gjetur shkaqe të kota. Musolini ishte i vendosur që, të bënte këtë hap, që ishte një nga më të pamaturit e i pandjenjë i popullit Italian. Ky akt, i konsideruar si gjest pa paburrëri dhe pa besnikëri, kundër një shteti të vogël i armatosur dhe mik e aleat, saqë, në atë ushtri të vogël, ishin organizatorët italianë, me 8 batalione të pa armë.
TIRANË, MË 27 MARS 1939
Tashmë u mor vesh në popull se, Italia do të zbarkonte në Shqipëri. Filluan demonstratat haptazi, kundër Italisë. Tamam në këtë kohë, nën emrin e djelmërisë, vijnë në Pallat, një delegacion i përbërë prej: z. Ali Bakiu, Rakip Frashëri, Kol Berisha e Selman Stërmasi, të cilët vinin në emër të rinisë dhe dëshironin të paraqiteshin tek Mbreti Zog, “sepse kemi shumë sende dhe lajme për të paraqitur”,- thoshin ata. “Por duke e ditur se Mbreti është shumë i zënë, po jua themi juve që t’ja parashtroni”, në këtë kohë, e mori fjalën Ali Bakiu e tha:
“Zoti kolonel Selmani, kemi ardhur në emër të djelmërisë, të kërkojmë armë, se edhe ne duam të organizohemi, e gjithë rinia për luftë; të na lejohet të vdesim për atdhe, kundër italianëve, që kanë qëllime të këqija, kundër Shqipërisë, edhe neve zoti kolonel, sepse përveç letrave që marrim nga shokët që ndodhen në Itali, por po shohim edhe në incident që vërtetohet, në Sukth, Kuçovë, Vlorë, etj. Si edhe ata të Rrugës “Abdi Toptani”, ku kemi qenë prezent, e u bënë të padurueshëm, sa që shihen me sy të vështirë, prej të gjithëve”, thanë ata.
Kolonel Hysen Selmani, kur i shikonte duke biseduar, me plot entuziazëm dhe zjarr, kundër Italisë dhe me këmbëngulje që kërkonin armë për të vdekur për Atdhe, dhe këtë e quanin si dhuratën më të madhe për t’u armatosur e për t’i lejuar të vdisnin kundër armikut, që cënon pavarësinë shqiptare, priti pak, e paskëtaj, ju drejtua për t’i qetësuar:
“Keni të drejtë vëllezërit e mi, qeveria jonë tani për tani, është duke u munduar që t’i zhdukë këto re të zeza, që po na thuren, me anë të rrugës diplomatike, ju e dini fare mirë se ne, nuk kemi një fuqi të madhe sa t’i japim shkak vetë një agresioni. Vetë Italia, le ta prishë miqësinë dhe aleancën që kemi. Vetëm po ju them, e të jeni fare të sigurt se në kohën e volitshme, jo vetëm ju, por edhe unë ju rekomandoj, të jeni të urtë dhe të mos bëni gjëra, që na nxjerrin ne fajtorë, kundër opinionit botëror. Për sa dëshironi e kuvenduam, sonte do t’ja parashtroj Mbretit dhe ju për çdo gjë që të dëshironi, mund të vini tek unë lirisht, qoftë natën dhe qoftë ditën, kohë e pakohë, në zyrë ose në shtëpi dhe të flisni, pa as më të voglën rezervë”.
Me këto fjalë, shkuan djelmoshat, plot kurajo dhe të kënaqur, por sa dolën këta, erdhën të tjerë, Ibrahim Bega me shokë. Edhe këtyre, po si të parëve, ato fjalë u thashë. Edhe këta me plot patriotizëm dhe zjarr, dolën e shkuan.
Gjendja po vjen dhe po bëhet gjithnjë e më kritike, ne jemi detyruar të rrimë duarkryq, për të mos shkaktuar ndonjë gafë që të na quajnë fajtor. Për ditë, ngjasin aksidente në mes shqiptarëve dhe italianëve, megjithëqë shqiptarët, janë të porositur, që të mos u përgjigjen, pasi shtetet fqinjë, “Metaksai dhe Zvetkovici”, po i mbyllin sytë nga kërcënimi nazi-fahsit, sipas kësaj gjendje të errët.
Sa doli Këshilli Ministror, i parashtrova Mbretit të gjitha kërkesat e djemve që kishin ardhur ne emrin e rinisë. Mbreti Zog i I-rë, kur ia parashtrova dëshirat e tyre, u mallëngjye prej fjalëve të tyre dhe urdhëroi t’i them Ministrit të Brendshëm, që të mos merret asnjë masë kundër rinisë, edhe në qoftë se ata mund të bëjnë demonstrata, njëkohësisht më tha, t’ju them këto fjalë, nga ana e Mbretit:
“Jemi në një periudhë shumë kritike për ekzistencën e atdheut; i kuptoj ndjenjat e tuaja patriotike dhe jam më tepër se i sigurt se ardhmëria e kombit, nga ju varet. Mos humbi kurajon dhe në çdo rast, të keni parasysh, luftën për atdhe, duke mos kursyer asgjë. Unë kam për të bërë ç’është e mundur, për të plotësuar dëshirat tuaj dhe ju siguroj që, edhe për mbrojtjen e atdheut, shqiptarëve, nuk do t’u vihet njollë nga askush”.
Të nesërmen, kur erdhën në zyrë, kolonel Hysen Selmani, jua komunikoi fjalët e Mbretit. E kur u tha fjalët e tij, ata u ngritën në këmbë dhe u kënaqën së tepërmi, duke ju shkuar lot në sy për dashurinë që ushqenin për Mbretin e tyre dhe besim plotë. Dhe filluan aty të thërrisnin: “Rroftë prijësi ynë, gjenial dhe Hero i Kombit”, etj. Kështu dolën të prekur thellësisht nga dashuria dhe fjalët patriotike të Mbretit të tyre dhe thanë se: jemi kryelartë, për çdo sakrificë, që na urdhëron Mbreti”.
TIRANË, MË 28 MARS 1939
Pallati, natë e dite qëndron me dyert hapur, lloj-lloj bisedimesh bëhen mes tij. Mbreti Zog, duke i mbledhur si Këshillin Ministror dhe Komandantët e Ushtrisë e të Xhandarmërisë, ju tha: “Siç po e shihni, punët me Italinë janë mjaft të kritikueshme dhe unë nuk shoh asnjë përmirësim. Telegramet e letrat e Musolinit, janë pluhur syve, e për të fituar kohë, për të parë mirë qëndrimin e Europës, e të ballkanasve.
Musolini, këtë herë është i vendosur të përdore forcën kundër Shqipërisë. Pra, siç ju kam urdhëruar me kohë: Duhet të jemi të gatshëm në çdo çast, megjithëse Shtetet e Mëdhaja si, Britania e Madhe e Franca, na këshillojnë që të rrimë urtë. E mos t’i japim ne shkak konfliktit. Gjithsesi, Italia, duke përfituar nga kjo, që as Britania, as Franca, nuk janë të gatshme, do të luajë kartën e fundit.
Edhe po ju them se, Jugosllavia është kryekëput nga fashizmi dhe Greqia trembet nga kërcënimet e Musolinit. Ajo ka mundësi të jetë këshilluar nga Britania e Madhe, kujtoj, se kjo ka ardhur nga mos mbajtja e premtimeve që na pat dhënë Kryeministri Grek Metaksai, edhe pse, sa kohë më parë, ajo trembet”.
“Pra, -tha Mbreti Zog, – e gjithë veprimtaria e sakrificat e vendimet e marrura janë për mospranimin në asnjë mënyrë të sendeve, që cënojnë pavarësinë e ndershmërinë e Kombit Shqiptar”.
“Kjo,- tha Mbreti,- tani varet në ushtrinë e vogël që kemi, së bashku me Xhandarmërinë për të cilën kam bindjen se ajo: Ka për t’i zbatue me trimëri, urdhrat e dhëna me kohë. Se me trimërinë e saj, me vullnetin, me gjakun e patriotizmin e saj, se gjaku i atij ushtari ka për të ndriçuar e siguruar independencën e pavarësinë e Shqipërisë.
E pra, ky është mjeti kryesor, që duhet me çdo sakrificë e mundim ta kemi të gatshme ushtrinë e vogël e trime. Që të jetë në çdo çast gati, që të vdesë për Atdhe dhe të na nxjerrë faqebardhë para botës së qytetëruar. Ne e dimë se, nuk ka mundësi që ushtria jonë trime, të ndalojë forcat fashiste të armatosura me mjetet më moderne, por le ta shohë bota se, shqiptari vdes për Atdheun e tij, e kjo duhet pra”.
Mbreti u kthye nga Komandanti, si ai i Mbrojtjes Kombëtare dhe ai i Xhandarmërisë, e ju tha: “Zotni Komandantë, jeni dakord me sa shpjegova më lart! Duhet ta dini, qysh sot, se ka një muaj e gjysëm që, ju kam urdhëruar në përgatitjet e forcave. Po ashtu, edhe më keni paraqitur një plan, që e kam studiuar mire, e jam i kënaqur me fjalën tuaj, që më keni premtuar se të gjitha janë të gatshëm.
Pra, qysh sot, mungesat që janë të paplotësuara, tani lirisht i plotësoni. E qysh në këtë minutë ta dini veten se, jeni në luftë. Të merren të gjitha masat e urdhëruara dhe në bazë të planit të paraqitur me kohë, po prej jush. Moszbatimi i këtij plani, pikë për pikë në kohën e duhur, bën që e gjithë përgjegjësia varet nga ju, një përgjegjësi, e cila është e pafalshme.
Jua përsëris edhe një herë! Sot lipset të deklaroni se jeni të gatshëm në çdo orë e minut, ose jo. Koha nuk pret më, për të bërë ndryshime. Jeni kryelartë për të kryer detyrën kombëtare që ju përket në mbrojtjen e çdo kërcënimi, që mund t’i vijë cënimit të Atdheut tonë të pavarur e të dashur. Ma thoni burrërisht, po ose jo, dhe në rast se keni mungesa, i shfaqni tani”, ju tha Mbreti, para Këshillit Ministror, komandantëve të tij.
Të dy komandantët, i deklaruan Mbretit Zog, para Këshillit Ministror, se, sipas planit të paraqitur dhe urdhrat e Madhërisë së Tij, ishin të gatshëm. Dhe, ato mungesa, që kishin penguar nga situata, për të mos u dukur, tani brenda javës, do të jenë krejtësisht të plotësuara dhe urdhrat e Madhërisë se Tij, do të zbatohen pikë për pikë. Këto ishin përgjigjet e Komandanteve.
Pas kësaj, Mbreti Zog, i urdhëroi Kryeministrit Koço Kotta, që gjithë mjetet e punimit të Botores, si xhelatina, fitila, lopata, kazmë e të tjera, t’i dorëzohen një herë e mirë Komandës së Mbrojtjes Kombëtare dhe Xhandarmërisë. Gjithashtu, ju kthye Ministrit të Punëve të Brendshme, Musa Jukës, duke e porositur që, të urdhërojë Prefektët, që çdo përkrahje t’i japin Ushtrisë e Xhandarmërisë, edhe çdo mjet që atyre ju nevojitet.
Ndërkaq, ngjarjet shkaktohen dita ditës prej italianëve si në Sukth, Kuçovë, Rrushkull, e vende të tjera, ku janë punëtorët. Saqë, edhe populli, u mërzit tepër e është i alarmuar. Gjithandej thuhej se, Italia do të na mësyje ushtarakisht e, do të na zaptojë pas kësaj. Këto janë edhe bisedimet që bëhen gjithandej në popull dhe kjo është e padurueshme.
Nga ana tjetër, Musolini dhe Konti Çiano, dhe i dërguari i jashtëzakonshëm, gjeneral Zef Seregji, na japin të kuptojmë se, nuk ka ndonjë gjë të tillë frikësimi, që po qarkullon në popull dhe këto janë të gjitha gënjeshtra”.
Mbreti Zog, ju vë në dijeni se: “Italia, me provat që kemi, ka vendosur të sulmojë Shqipërinë, se telegramet e letrat që na dërgojnë Musolini, janë demonstrative, vetëm për të na hedhur pluhur syve. Ndodhemi të izoluar, pothuajse nga bota mbarë, sepse në ditët e sotme, të gjithë shtetet i tremben nazi-fashizmit. Megjithëkëtë, jam duke u munduar të bëj ç’është e mundur, që këtë rrezik, ta kalojmë edhe këtë herë, si herët e tjera.
Shteteve Fqinje, si Jugosllavisë dhe Greqisë, jam munduar t’ua mbush mendjen se, një okupim i Italisë fashiste, nuk është vetëm për Shqipërinë. Por, qëllimet janë kundër mbarë Ballkanit. Se pas Shqipërisë, do të jenë tek portat e tyre, të Jugosllavisë e Greqisë. E pra fashizmi sot, nuk është armiku vetëm i Shqipërisë, por i Ballkanit mbarë, siç i patëm vënë në dijeni më parë. Por, pa asnjë frikë se tremben, e kjo daulle pa mbushur vitin, do të jetë tek portat e tyre.
Pra, ne kemi vendosur, sido që të jetë, mos të pranojmë asnjë kusht që rrezikon e cënon pavarësinë e Shqipërisë. Qoftë edhe nëse Italia fashiste, do ose mendon të na mësyje ushtarakisht. Prandaj, po ua përsëris edhe një herë se: Këto kanë qenë arsyet që ju kam urdhëruar qysh para një muaji e gjysëm më parë, për t’u përgatitur e, për të qenë sa më parë të gatshëm në çdo kohë, për të kryer detyrën e shenjtë që u përket. E tani, dëshiroj të më siguroni se, deri ku keni arritur në përgatitjen, sipas instruksioneve dhe të planit të paraqitur? Më thoni: A keni mungesa që eventualisht, situata nuk ju ka lejuar t’i plotësoni”,- ju tha Mbreti, Komandantëve.
Pas kësaj, Komandanti i Mbrojtjes Kombëtare, gjeneral Xhemal Aranitasi, si edhe Komandanti Përgjithshëm i Xhandarmërisë, Kolonel Shefki Shatku, u ngritën në këmbë dhe parashtruan: “Madhni, në bazë të urdhrave të Madhërisë Suaj, e sipas planit të paraqitur me datë 5 mars 1939, kemi plotësuar të gjitha ato përgatitje dhe rëndimin e nevojshëm ushtarak, si edhe pjesëtimin e Sektorëve të veprimit, sipas urdhrit që na u komunikua me anën e kolonel Huasin Selmanit. E sot, do t’ju parashtrojmë planin e përgatitjes, me të gjitha detajet e rendimit të përfunduar”.
Mbreti Zog, pasi dëgjoi të dy komandantët mbi plotësimin e fuqive të porositura u kënaq, dhe u kthye nga ata e u tha: “Kënaqem kur Ushtria së bashku me Xhandarmërinë, keni plotësuar kuadrot e urdhëruar, e gjenden të gatshëm për të kryer detyrën e shenjtë që ju përket për Atdheun. Tani, ju Zotëri komandantë, keni pranuar gjithë responsabilitetin e mbrojtjes së Atdheut, brenda planit të paraqitur, kundër çdo sulmi, që mund të ndodhë ju”, tha Mbreti.
Komandanti i Mbrojtjes Kombëtare, gjeneral Xhemal Aranitasi, dhe Komandanti i Xhandarmërisë, kolonel Shefki Shatku, të dy u ngritën në këmbë dhe deklaruan: “Si urdhëroni Madhëri, pranojmë duke marrë të gjithë përgjegjësinë mbi zbatimin e planit, nën urdhrat e Madhërisë Suaj”, i parashtruan ata qartë Mbretit.
Pas kësaj, Mbreti Zog ju tha: “Kam besimin se, keni për të kryer detyrën e rëndë që merrni përsipër. E duhet ta dini se, i gjithë fati i Atdheut e ndershmëria e Kombit, varen në ushtrinë e vogël trime dhe urdhëroj që, Komanda e Gardës të ketë dy batalionet e saj në dispozicion të Komandës së Mbrojtjes Kombëtare”. Dhe kështu, ju shtrëngoj dorën e dolën, dhe Mbreti mbeti vetëm me kryeministrin Kota, duke biseduar mbi Kryeministrin Grek, Metaksain.
Komandanti i Mbrojtjes Kombëtare, gjeneral Xhemal Aranitasi dhe Kryetari i Shtatmadhorisë, gjeneral Gustav Myrdash, e Komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë, kolonel Shefki Shatku, u paraqitën para Mbretit, bashkë me planin e plotësuar mbi rëndimin e forcave ndër sektorët, me të gjitha hollësitë. Ata ishin të gatshëm, ndërsa të gjithë komandantëve, u ishte komunikuar urdhri, që të jenë të gatshëm. “Por, akoma nuk ju kemi dërguar planin e veprimtarisë, në pritjen e urdhrit të Madhërisë Suaj, që ta pëlqeni atëhere, e pastaj të vihet në zbatim menjëherë”, thanë ata.
Mbreti e pëlqeu dhe u shpreh: “Ju urdhëroj, dhe jeni plot kompetencë, të veproni sipas planit të përgatitur. Por, siç ju kam këshilluar, pa alarm, e pa rënë në sy të organizatorëve italianë, se ata i hetojnë të gjitha këto veprime e, në urtësi e fshehtësi. E tani e konsideroj se jeni të gatshëm. E ju jam faleminderit dhe jam tepër i kënaqur, nga punët e shpejta e krejt në rregull mbi sa parashtruat, që keni arritur në plotësimin e kuadrit të urdhëruar. Pra, po ju them, kam besimin e plotë, mbi punimet dhe me sa më siguroni për këto plotësime, nën përgjegjësinë tuaj”.
Mbreti mbeti shumë i kënaqur, përsa këto i parashtruan nën përgjegjësinë e tyre. Gjithashtu, i pëlqeu edhe pjestimi i zonave dhe ju tha në prezencën e kryeministrit e të ministrave të Qeverisë, këto fjalë: “Vetëm një gjë ta dini, lufta nuk ka për të kaluar vitin, se nuk prêt Gjermania. Ajo do një orë e më pare, të shfrytëzojë armët, para se të përgatiten të tjerët. Por këta luftën, qind për qind e kanë të humbur.
Ja, kjo është edhe qëndrimi i fqinjëve tanë, se edhe ata e shohin fare mirë, por nuk bëjnë zë. E ne sot, jemi në fazën kritike. Po sikur, të na kishte ndihmuar pak Turqia miqësisht, që të ndërhynte pranë Gjermanisë, kishte për të bërë një efekt. Por, edhe ajo ka zor se, ka posibilitetin që t’i kërkojë të mbetet neutral, kurse kjo, është aleate me Britaninë e Madhe e nuk ndërhyn.
Nëse Jugosllavia dhe Greqia, të paktën të mbeten neutrale e mos të propagandojnë në favor të fashizmit, ne do mundemi që, 6 muaj, ta mbajmë luftën kundër Italisë, ndër rretat e maleve. Kështu, do të na zinte lufta europiane, brenda në Shqipëri. Por, e gjithë kjo, varet nga këta. Sepse, nuk do të munden të qëndrojnë asnjanëse dhe indirekt, do të na ndihmojnë me armë e municion.
Kjo varet nga Britania e Madhe dhe Franca, se po t’i sigurojnë ata, na ndihmojnë, e sidomos Greqia. Por është mjaft e pabesueshme, sepse edhe ne na këshillojnë për kompromis, që mos t’i japim shkak një lufte, kurse një kompromis, siç thonë ata po, ajo është e pamundur se, cënon të gjitha rrymat e sovranitetit dhe bëhemi tradhtar, duke i vënë një njollë të zezë e të pafalshme popullit shqiptar, para gjithë botës.
Sidoqoftë, ne, në asnjë mënyrë, nuk kemi tjetër rrugë, përveç kësaj që po ndjekim, e mundësisht me këtë ushtri të vogël, të bëjmë çdo sakrificë, që lufta e madhe europiane, të na gjejë në malet e Shqipërisë brenda. Ku, në atë kohë, do të kemi aleatë gjithë botën demokratike, e siç ju thashë, se nazi-fashizmi, luftën, qind për qind e kanë të humbur. Në këtë të jeni të sigurt, se rezervat e tyre, do të shteren shpejtë, kurse të Britanisë, Francës e Amerikës, vijnë duke ju shtuar”, përfundoi Mbreti./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016