• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Friday, May 23, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Dossier

“Kur Hilmi Kamatën e dënuan me birucë, shumë vonë ai pa se aty, ishte dhe një person tjetër, por i vdekur, me zgavrat e syve bosh, pasi ato ia kishin ngrënë…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

“Shumë të burgosun, tuj mos durue torturën që i bante hetuesi i tij mizor, Ali Xhunga, t’iu luste atij me nji za të shuem: Aman bre burrë, për hatër t’Zotit, mos ma…”! Kujtimet e Ahmet Bushatit
“Ndërsa ai po i shikonte me trishtim partizanet me barkun e fryrë, njëra prej tyre i tha: xhaxha, ne s’kemi shkuar në mal vetëm për luftë, por…”/ Dëshmia e studiuesit të krimeve të komunizmit
“Ish-aspiranti i Sigurimit, Pjerin Kçira, i’u drejtua kryetarit të gjyqit; Për të mbuluar poshtërsitë tuaja e, të Enver Hoxhës, ju po na dënoni, për armët në kishë…”/ Historia tragjike e pesë shkodranëve, në 1948-ën
At Mark Harapi
“Kur Hilmi Kamatën e dënuan me birucë, shumë vonë ai pa se aty, ishte dhe një person tjetër, por i vdekur, me zgavrat e syve bosh, pasi ato ia kishin ngrënë…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit
“Kur unë po hyjsha në burg, Shkodrën po e lejsha të krrusun nën peshën ma të randë të nji terrorri të egër, që s’mundet me u përfytyrue, me burgjet plot dhe populli…”/ Dëshmia e Ahmet Bushatit
“Pas pushkatimeve për bombën në ambasadën sovjetike, kur Voroshillovi, në prani të Stalinit, i tha; ç’bën kështu, more Enver, i sose shqiptarët, 1 milion janë’, ai u përgjigj…”/ Dëshmia e Liri Belishovës
“Kur Hilmi Kamatën e dënuan me birucë, shumë vonë ai pa se aty, ishte dhe një person tjetër, por i vdekur, me zgavrat e syve bosh, pasi ato ia kishin ngrënë…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

Nga Ahmet Bushati

Pjesa e dyzetekatër

Memorie.al / Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postrribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.  

Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindërit që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.

Gjithashtu mund të lexoni

“Në ’76-ën, Presidenti i Republikës Haxhi Lleshi, internoi në Mollas edhe gruan e tij Haxhire (Jegenin), e të birin Rushitin, si edhe vëllezërit e kushërinjtë e gruas…”! / Refleksionet e studiuesit dhe historianit të njohur

“T’i konfiskohet pasuria Jorgji Filip Ziut, banues në Durrës, pasi duke qenë me shërbim në Trieste të Italisë, arratiset nga Moto-Varka “Sazani” dhe…”/ Vendimet e Komisionit të Internim-dëbimeve, viti 1967

                                                  Vijon nga numri kaluar

                                                  Në Gjurmët e një ditari

Kolë Ndoun gjithë kohën do ta shifshe ndenjur këmbëkryq, me trup të mbajtun drejt e me llullë të ndezun. Po t’i shkojshe për vizitë, aq shumë iu bante qefi dhe aq shumë të nderonte në atë rast, sa kur t’u largojshe prej tij, do të ndjejshe se ke marrë me vete kënaqësi për nji bisedë të ngrohtë që ai të kishte ba, ndrysh nga sa mund të t’u dukte në distancë. Nue Lala prej Mirdite, kishte pasë shkue nji jetë të tanë me vuajtje e peripeci. Ishte burrë i squet e njerëzor e, që kishte edhe nji mënyrë të kandëshme e të rrjedhshme në të treguem aq sa ngjarjet në gojën e tij merrshin bukuri të veçantë e, mue më ngjallshin aq kureshtje e interes, sa ndeja me të do të me jepte vazhdimisht kënaqësi.

Ndoj në atë kohë duhet të ishte rreth pesëdhjetë vjeç burrë. Kishte nji fytyrë si në rozë të zbardhukët e, me do njolla ngjyrë kafe të stamposuna nëpër të. Me rastin e vrasjes së Bardhok Bibës, e kishin arrestue e dënue me vdekje dhe për tre muaj kishte qëndrue nën peshën e randë të atij dënimi. Tue më folë për këtë periudhë, ai – siç kemi tregue edhe ma sipër – do t’u shprehte me superlativa për Bajram Bajraktarin, me të cilin kishte qenë në nji dhomë. Nji vorfni e skajshme e nji koncept i rrjedhun prej saj, e kishin çue atë e shokët e tij, dikur deri edhe ne viset e largëta të Kosovës e Çamërisë, që të grabitshin bagëti me forcën e pushkëve, me qëllim që të mundësojshin mbijetesën e fëmijëve, të grave e pleqve që kishin lanë ndër shpija.

Me nji motiv të tillë ata do të justifikojshin çdo grabitje, pra, që vjedhjen jo vetëm që s’do ta konsiderojshin si në anomali, po edhe të ndjeheshin krenarë për guximin e treguem në këso rastesh, e sa ma i largët që të kishte qenë vendi i aksionit të tyne, aq ma shumë ndere do të besojshin se kishin sjellë ndër vendet e tyne, kurse të ramtë në përpjekje e sipër me armë ndër ato raste, t’u kujtojshin si ata që bijnë ndër lufta për atdhe.

Në dhomën nr. 1 ku unë isha futë fshehtas nja dy-tri herë, figura ma interesante dhe ma e nderueme, përfshi edhe dy dhomat tjera, do t’ishte pa asnji dyshim ajo e Sheh Ali Bogdanit prej Bicajve të Lumës. Unë personalisht, nuk pata pasë rast e mundësi të takohesha asnjiherë me të. E shikojsha me atë trupin e tij modest, – po tepër të proporcionuem – të mbështjellë brenda nji xhybeje të gjatë ngjyrë kafe, që mbante mbi krye nji prej atyne fesave të ultë që zakonisht përdorshin besimtarët myslimanë, në kohë lutjesh. Kishte nji mjekër të butë si mëndafsh e të bardhë si bora, që i zbriste hijshëm deri poshtë mbi gjoks, e mbi të gjitha, nji hir që ia ndriste si me mister atë fytyrë të tij të bukur e, me tipare tepër fisnike, që së bashku do të të bajshin me thanë që ai t’ishte vetë “Muhameti” i zbritun në tokë.

Siç do të na tregojshin të burgosunit që ishin në nji dhomë me të, ai gjithë kohën e shkonte i humbun në meditacione të thella e lutje drejtue Zotit. Kultura fetare, e sidomos përkushtimi ndaj Zotit, që bashkë me mençurinë e prestigjin e tij njerëzor, kishin ba që ai t’ishte, si e thamë edhe ma nalt, njeriu ma i respektuem. “Il suo prediletto” (ma i zgjedhuni, ose i dashtuni) i tij pa asnji rival, do t’ishte Elez Troshani, për vokacionin fetar që kishte, si edhe për adhurimin si për nji shenjt, që ai ushqente për Sheh Alinë. Elezi, i shoqnuem prej nji polici, gjithë ditën do të punonte si farmacist përjashta burgut dhe me t’u kthyem mbas dreke në burg e, deri pak para se të binte me fjet, ai do të kalonte gjithë atë kohë i ulun në gjunjë e, vetëm në gjunjë, para Sheh Alisë, si para Zotit.

Studimet fetare Sheh Aliu i kishte krye në Stamboll. Dy djem prej Shistavecit me mbiemrin Ndërgjuti, njeni prej të cilëve me emnin Ragip, do t’i qëndrojshin vazhdimisht pranë Sheh Aliut e, do t’i shërbejshin me të gjitha. Në dhomën nr. 1 ne kishim shokët, Ruzhdi Çoba, si dhe studentët Thabit Rusi, Rrok Pali, Refik Bushati, Gjon Ljarja, Lec Bruçaj etj. Në atë dhomë, ishte edhe plaku prestigjioz Ramadan aga, Dan Hasani, si gjithnji krenar e me autoritet, që gëzonte shëndet të mirë, pavarësisht tetëdhjetave qẽ po iu afronte.

Aty edhe zotnija Zef Haxhia, si dhe Riza Hoti, baba i shokut tim Burhan Hoti, në buzëqeshjen dashamirëse të të cilit mue vazhdimisht, do të m’u dukte se i lexojsha jo vetëm lidhjen time me të birin, po edhe mirënjohjen e tij si prind, për që s’ia kisha nxjerrë të birin në Sigurim. Aty ishte edhe hoxha trim e i respektuem, Hafiz Musa Dërguti, kushrini i im Ruzhdi Baja, si dhe Rasim Hebovija, Qemal Dibra, dentisti Xhabir Dibra, ish- partizani Gani Ymeri, Paulin Kel Pali, sikurse edhe ma i vorfni, tuberkulozi, trimi e besniku, shoku i jonë atëhere e mbrapa, Mark Lleshi. Po aty edhe spiuni Mark Fishta, etj.

Priftënt ishin në vete. I shifshim fare pak vetëm kur shkojshin për në W.C. Prej tyne kishin mbet pa shkue në kamp ata që ishin të sëmurë ose, krejt të paaftë për punë fizike, si dhe ndonji që për me justifikue qëndrimin brenda grupit të vogël të punëtorisë, mund të bante nji punë të specializueme në dobi të drejtorisë. Ndër priftën, nji i tillë mund t’ishte Patër Leon Kabashi, me të cilin arrinte të komunikonte në mënyrë të pakuptueshme prej të tjerëve, vetëm Ramadan Sokoli, sigurisht i interesuem për punimet në pikturë që ai kishte në dorë. Me sa mbaj mend, aty patën qenë edhe Monsinjor Koliqi, Patër Frano Kiri, Patër Mark Harapi e Patër Gegë Lumaj, si edhe Patër Rrok Gurashi, prifti me të cilin qeveria komuniste, përmes Tuk Jakovës, vazhdonte – siç thojshin – pa rezistencë, tratativat për shkëputjen e Kishës Katolike prej Vatikanit.

Ashtu si e priftënve, diku në anë të asaj ndërtese, ishte edhe dhoma e grave, ku u ndodhshin zoja Adile Boletini, si dhe ma të rejat, Drita Kosturi, Agime Pipa, Terezina Pali, Vitore Kuka, Ana Daja, Bedrije Ashiku, nji mirditore me emnin Prendë, që na të burgosunit qytetarë, shokëve tonë mirditorë, ua quejshim “Prenda e bukur”, sepse me të vërtetë ishte shumë e bukur, që me njerëzit e malit ishte pasë tregue shumë trime e besnike. Do të na u dhimbte shumë, kur mbas nja nji vjeti të ndigjojshim se ajo kishte vdekë në burg, prej sëmundjes së tuberkulozit. Me to, edhe gra e vajza të tjera.

Si e kemi thanë edhe herë tjera ma sipër, me rastin e vrasjes së Bardhok Bibës, qenë arrestue shumë mirditas, të cilët, mbas nji gjykimi të shkurtë, i sillshin grupe-grupe në burgun tonë. Elez Troshani, që brenda burgut kryente punën e mjekut e, që si i tillë kishte për detyrë që edhe atyne mirditorëve t’ua bante dezinfektimin e menjihershëm, njeni ndër ta nji mbramje, si u nënshtrue rregullit për t’u dizinfektue, do ta pyeste Elezin: “Po shkaf asht kjo mor zotni”?! “Na mbytën morrat”! – do t’iu përgjigjte Elezi me za të naltë, dhe ai mirditori, si me qenë tue folë me vete, do të vazhdonte: “Po na kaj morr, e kem pasë edhe në vakt të Zogjit”! (për Zogun)

“Burgu i Madh” dhe disa prej të burgosurve të tij

Në nji ndër netët e fundit të nandorit 1949, ne të burgosnit politikë të Burgut të Ri, të lidhun dorë për dore e ndër rreshta të gjatë, gjasht-shtatë vetëshe, si dhe të shoqnuem nga shumë policë anash, u nisëm për në Burgun e Madh, ku qysh nji natë ma parë, ishin kthye të burgosunit e tjerë prej kampit të Orman Pojanit, Korçë. Bashkimin me ta, ne e pritshim me shumë interes q’prej disa ditësh, sepse përveç shokëve tonë studentë, si; Gjon Kovaçi, Injac Serreqi, Vitor Kujxhia e Çesk Hilgega, që ishin arrestue disa muaj para nesh, kishim edhe të tjerë, mes tyne edhe të njohun, si; Ahmet Kopliku, Gac Çuni etj., si edhe asish me të cilët sapo do të njiheshim si Gjovalin Zezajn, Çesk Gjelucin, e tjerë, mes të cilëve edhe prej atyne për të cilët na ishte folë qysh në Burgun e Ri, tue na pasë ngjallë qysh atëherë interesin për t’u takue e njohë me ta, mes të cilëve edhe Luigj Kçira, që unë do të dishrojsha me e veçue si nji ndër të rinjtë ma të shquem të burgut.

Pat raste që qysh natën e parë në atë burg të madh, të na takojshin disa të burgosun, por sidomos të nesërmen, kur do të na takojshin shumë prej të burgosurve të tjerë të atij burgu. Përshtypje do të më bajshin sidomos takimet e para me Zef Stakun e Sami Repishtin, që të realizuem disa netë me radhë në kohë darke e fshehtas rojeve, do të na flitshin për sigurinë e përmbysjes së komunizmit nji ditë jo të largët, si dhe për nevojën e bashkimit tonë. Fjalët e tyne të ngrohta e të sinqerta, si dhe fryma idealiste që ata përçojshin me atë rast te unë e shokët e mi, do të bajshin që ato takime të kishin veprue ndër ne, si mesazhe të papërsëritshme atdhetarie.

Kontakti me ta mandej, sikur po përvijonte nji rrugë e se po u konkretizonte nji qëllim. Për mbas tyne, ne do t’u takojshim disa herë edhe me Abdyl Rusin – që e kishim pasë profesor të edukatës fizike, deri para dy vitesh – Brahim Sokolin, Zef Zorbën, Kolë Kurtin, Shaqir, Ragip e Xhevat Metën, Gac Çunin, Injac Tonin, Qamil Nikshiqin, Maliq Bushatin e shumë e shumë të tjerë. Ne, të porsa të ardhunit prej Burgut të Ri, na shpërndanë nëpër dhoma të ndryshme. Kështu mue me disa shokë të tjerë, na caktuen në dhomën nr. 9.

Gjanësia e vendit që në këtë burg do të zinte nji i burgosun me jatak, do të varionte si mbas rastit, nga 06-08 e metrit. Në këtë dhomë kishte rreth njiqindeshtatëdhetë të burgosun, që me dyshek do t’i shkojshin asaj për faqe të të katër mureve, kurse dy rreshta të tjerë të burgosunish, do t’i shkojshin dhomës mes për mes e, paralel me dy të parët anësorë. Të burgosunit e dy rreshtave të mesit të dhomës, do të flejshin krye m’krye me njeni-tjetrin e, me kambë drejtue përkatësisht secili rresht, kah njeni prej dy rreshtave anësorë.

Mes kambëve të të burgosunve të nji rreshti anësor e atij të mesmit, do t’u krijonte nji korridor shtrema-shtrema dhe vazhdimisht i ndërpremë prej kambësh, që u zgjatshin pa rregull prej dy drejtimesh të kundërta. Për ne ma të rinjtë, ndoshta për vetë bukurinë e shpirtit tonë rinor, po edhe se aty po kultivojshim edhe ma shumë jetën tonë të brendshme, përmes vuajtjes e idealit të lirisë, të gjithë të burgosunit rreth e rrotull, do të na u dukshin të mirë dhe të njiqind e shtatëdhjetë të burgosurit e dhomës, të na ishin si njiqind e shtatëdhjetë botë të ndryshme dhe interesante, e kjo për ndryshimet gë ata kishin në karakter, kulturë, eksperiencë jete, po edhe si vende nga vijshin, për të mbet përgjithnjë si nji libër i hapun, për t’u shfrytëzue prej nesh.

Asht gja e pamundunun që të portretizosh karakteret e të burgosurve të nji dhome burgu, për ndryshimet e shumta dhe ata kanë mes tyne, por që prap, fakti ma i rëndësishëm i atij ansambli heterogjen njerëzish të shumtë, do të ishte se si ata prej fatit të njëjtë, do të kishin të përbashkët mirëkuptimin, respektin reciprok e nji solidaritet, që s’mund të gjendet në asnji rast tjetër.

Nuk ka pende që mund të përshkruaj harmoninë e mrekullueshme të qinda e qinda të burgosurve të kohës tonë, që të lidhun fort mes tyne prej vuejtjes, do të qëndrojshin së bashku si nën komandën e nji truni dhe si nën grishjen e nji shpirti. Komunizmi që ata i kishte nda me dhunë nga familja e liria, kishte ba që burgu t’i bashkonte e t’i shkrinte në nji bashkësi të atillë, që si shokë e si vllazën, do të kishin të përbashkët gjithçka: nderin, mendimin, qendresen, urrejtjen, mallin e shpresën, edhe pse secili prej tyne, do të vazhdonte me ruejtë karakterin e tij individual, si dhe atë të vendit nga kishte ardhë.

Librat mandej – të penetruam aty me shumicë përmes kopertinave false, po edhe drejtpërsëdrejti – do të ishin ushqim i përhershëm për shpirtin e mendjen tonë, e njiherit edhe faktor zhvillimi për ne të rinjtë. Për mungesë jete të lirë, ngjarjet e ndryshme të romaneve, aty ma shumë se jashtë, do të na jepshin iluzionin e realitetit e të bajshin që personazhet e tyne, ne t’i mershim si t’ishin njerëz të gjallë, aq sa dramat apo gëzimet e tyne, si pa u ndie, të baheshin pjesë e jetës tonë atje. E kështu, jo vetëm librat. Unë edhe sot kujtoj p.sh., mbresat që vazhdimisht do të më shkaktonte portreti i trishtueshëm e enigmatik i Dostojevskit, i përfshimë në nji antologji italiane, figurë që unë për të njëqindtën here, do ta shqyrtojsha mendueshëm, me trishtim e respekt, si t’ishte i gjallë.

Po gjithashtu dhimbjen që do më shkaktonte në atë kohë fatkeqi Raskalnikof, si edhe e mira Sonie, në romanin “Krim e ndëshkim”, që unë e lexojsha në italisht, me ç’fjalë do të mund t’i përshkruejsha atëherë?! Po nji foto tjetër në atë antologji, nji foto me skllevër rusë, që të lidhun trup për trup me litarë, tërhiqshin me shumë mundim nji anije prej dy brigjeve të nji lumi, sa përshtypje që do të më bante mue atëherë njizet vjeçar! E po ashtu edhe nji kangë kushtue atyne, me tekst e melodi si vetë fati i mundimshëm që ata e vuejshin e, që na e këndojshim me trishtimin që ajo meritonte.

Ishim mbrujtë në atë mënyrë e kishim atë moshë, që në rrethana burgu, deri edhe titujt e poezive apo prozave të Migjenit, – siç mund të kemi thanë edhe ndonjiherë tjetër – t’i merrshim si mesazhe e impenjime, për nji botë me liri e të drejta. I burgosuni, i strukun disa herë në vetminë e tij, përjeton momente meditacioni të thellë, e kur asht i ri, ai shpeshherë, si të thuesh, lundron i lumtun mbi valët e do ëndrrave, që ia frymëzojnë idealet e tij patriotike e shoqërore. Për nji forcë të tillë të brendshme, i burgosuni vuejtjet i kthen në moral e aspiratë, tue mos mbet kështu rob i molisjes, pikëllimit e pesimizmit, që atë do ta mbytshin parakohe.

Po kështu edhe liria e jeta në familje e shoqni, nuk mund të çmohen sa kur ato të mungojnë plotësisht, pra atëherë kur ndodhesh në dhomat e mbylluna të nji burgu, e besimi se nji ditë do t’i gëzosh ato, asht gjithashtu edhe nji shkak ma tepër i ngritjes së moralit te nji i burgosun. Të burgosunit i duhet të shpresojë, për ka ai kërkon e gjen të ngjashmit e tij, të cilëve u beson jo vetëm kredon e optimizmin e tij, – sido që të jetë ai, i bazuem ose jo – po edhe detaje nga ma të ndryshmet prej jetës së tij intime. Nëpër këto rrugë, burgu përmes simpatish e preferencash, kthehet rregullisht në nji vend lidhjesh të pa fund, lidhje që të fisnikueme prej vuajtjes së përbashkët e nji intimiteti reciprok, bahen burim altruizmi e sakrifice, e përfund lindin ato miqësi të forta burgu, që të burgosurit i marrin me vete, edhe mbasi të dalin prej andej.

Në nji dhomë burgu nuk mund të kishte rrëmujë, sepse, veç disiplinës së imponueme nga ana e drejtorisë, edhe vetë të burgosurit ishin të interesuem për rregull. Hapsina prej disa dhjeta centimetrash gjanësi, ka qenë vazhdimisht “shtëpia e të burgosurit”, e cila nuk mund t’u cënonte nga askush e, do t’u respektonte prej të gjithëve. Çdo i burgosun pa përjashtim, do të ishte “sovran” në vendin e tij dhe pa lejen e të zot, askush nuk mund t’u ulte në të.

Do të shikojsha se edhe brenda nji kolektivi, aq të shumtë e të ngjeshun të nji dhome burgu, secili kërkonte të realizonte jetën e tij të pavarur, ndonëse në kushte burgu. Kështu do të vërejsha se ndërsa nji i burgosun lexonte nji libër në vendin e tij, tjetri ngjitë me të, arnonte nji plaçkë, nji i tretë mund të kishte humbë në mendime e mbas tij, përsëri nji tjetër, mund të kishte për vizitë nji mik të tij; shifte të tjerë të luejshin shah, tavull etj. E kështu me radhë, gjithsecili si mbas të vetes.

Si rregull nga drejtoria, ka qenë që i burgosuni t’mos lëvizte prej vendit të tij, po shkalla e zbatimit të tij u varte gjithmonë nga “situata” që kalojshim, si edhe nga polici që kishte shërbimin. Edhe kur ka kenë e mundun që i burgosuni të kishte lëvizë pa pengesë, ai prapëseprapë, pjesën ma të madhe të kohës, do ta kalonte në cakun e tij, ku i ulun mbi nji si shtroje dhe i mbështetun me shpinë në jastëkun e mbështjellë qysh herët në mëngjes, ai do të kalonte orët e tij ma të shumta, tue pasë për bashkëbisedues ndoshta njenin, ose të dy të burgosunit, që kishte ndër krahë.

Ajo copë e vogël vendi caktue për të, do t’ishte, siç thamë, shtëpia ku atij do t’i shkojshin njerëz për me ndenjtë e ku, për raste festash, priste e përcillte shokë e miq, ashtu si kishte ba në shtëpi të tij, kur kishte qenë i lirë. Në këso ditësh, i burgosuni u ruante e u pastronte qysh kur të ishte ba zgjimi e, kur të kishte pasë mundësi, kishte ndrrue nji këmishë apo edhe nji palë pantoll, e do të qeraste vizitorët me duhan e, si mbas rastit, edhe me nji karamel, ose me fiq të thatë, arra, a çfarë të kishte rezervue për atë ditë, ose çfarë t’i kishte sjellë familja në prag festës.

Gjatë nji vizite të tillë, të burgosurit do të pyetshin njeni-tjetrin ma seriozisht se herët e tjera, për familjet e tyne dhe, kur të dojshin me u nda, do të urojshin me fjalët: “Shyqyr që festa t’ka gjetë mirë me shëndet e, ishalla festën tjetër e pret si të don zemra e, me t’tuejt në shtëpi”! Në nji ditë feste i burgosuni, pastë kenë edhe në kamp, do të planifikonte që për atë drekë, të mbante nji dashamirësin e tij, ma shpesh nga të besimit tjetër, tue u pasë konsiderue kjo gja nga ana e të ftuemit, si nji nderë i vërtetë, që iu bante me atë rast.

Si në Burgun e Ri, ashtu edhe në këtë të “Madhin”, do të sundojshin po ato rregulla. Kështu: takimi me familje, futje ushqimesh e nxjerrje ndërresash, nji herë në dy javë. Edhe xhiroja në oborr të burgut, do t’u bante ma sẽ shumti dy herë në ditë, me nga nji orë, me kët rast na të rinjtë, në kundërshtim me rregulloren, do të kërkojshim me e kalue atë orë me shokë të dhomave tjera e, ku natyrisht, do të mungojshin të sëmurët tuberkulozë e sifilitikë, si edhe puntoritë e dhomave 6 e 10.

Ndër ditët e para të ardhjes në këtë burg, mbaj mend se pata lexue në italisht “Grazziella-n” e LaMartinit. Për kënaqësi e lexova edhe dy herë tjera romanin prej plot njiqind faqesh e, me format ma pak se mesatar. Due të tregoj se atë roman, dorë më dorë, njeri që të dinte italisht, nuk mbet pa e lexue e pëlqye, aq sa me atë rast, do t’u thonte tue qeshë: “Deri edhe pleqtë na luejtën mendsh”!

Në burg ndodhin ngjarje të cilat, për humorin që shkaktojnë, nuk harrohen mbrapa asnjiherë. Kështu ndër ato ditë, polici i shërbimit, thuajse më kot, dënoi Hilmi Kamatën me “birucë” dhe e zbriti në njenën nga dy birucat e errëta, që respektivisht kishte burgu nën dy shkallët e tij. Në fillim Hilmia nuk kishte dallue asgja brenda birucës së errët ku e kishin futë, por mbas pak, si t’i kishin “ardhë sytë”, kishte vërejt se aty, jo larg tij, po kishte edhe nji njeri tjetër, që në fillim i ishte dukë se po flinte. Ma vonë do t’u siguronte se ai ishte nji i vdekun, nji ish-mirditas mbi nandëdhetë-vjeçar, ndoshta me mbiemnin Tuna, me zgavra pa sy, që ia kishin ngrënë mijtë.

Në shoqni të kësaj kufome, Hilmia do të kalonte nji natë të gjatë janari e, do t’u bante shkak që na të qeshshim sa herë që t’ia kujtojshim, e ai të vazhdonte: “Nuk dojshe me e shique atë t’deknin në fytyrë, por sytë prap m’shkojshin te ai e, m’u dukte se sytë e tij si gropa, më shiqojshin vazhdimisht”! Ishin ba disa raste, që mijtë kishin ngrënë sytë e të burgosurve të vdekun ndër biruca. Për këtë gja, duket se drejtoria kishte porositë policët, që sa herë të dërgojshin të vdekun ndër to, nën çdo pretekst, të futshin edhe te burgosun të gjallë bashkë me ta, me qëllim që t’i shpëtojshin ata të vdekun, prej ngranëjes së syve nga mijtë! Memorie.al

                                                      Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Në vitin 1943, Enver Hoxha shkruante me entuziazëm në buletinet e luftës; Bazi i Canes, lufton si luan dhe askush s’mund të nënshtrojë Shqipërinë, me heronj të tillë...”/ Dëshmia e rrallë e Fatbardh Kupit

Next Post

“Komiteti Ekzekutiv i Korçës, u ka bërë thirrje familjes Koçibelli, të shkojnë në vëndlindje, banorët e lagjes nr. 3 të Durrësit, i kërkuan familjes Manushi...”/ Vendimet e Komisionit të Internim-dëbimeve, viti 1967

Artikuj të ngjashëm

“Trakti fliste kundër vendimit të gjyqit, ku ishte dënuar vëllai im, me shokë të tjerë, të cilët kishin sharë Partinë Komuniste dhe…”/ Dëshmitë e 15 vjeçares, para hetuesit Maqo Pecani, në ’47-ën
Dossier

“Në ’76-ën, Presidenti i Republikës Haxhi Lleshi, internoi në Mollas edhe gruan e tij Haxhire (Jegenin), e të birin Rushitin, si edhe vëllezërit e kushërinjtë e gruas…”! / Refleksionet e studiuesit dhe historianit të njohur

May 23, 2025
“Mehdiu i arrestuar me akuza absurde të Sigurimit, vdes në hetuesi; e shoqja, nënë e 6 fëmijëve, nga metodat djallëzore të hetuesisë, detyrohet të….”/ Historia rrëqethëse e familjes së internuar në Grabjan
Dossier

“T’i konfiskohet pasuria Jorgji Filip Ziut, banues në Durrës, pasi duke qenë me shërbim në Trieste të Italisë, arratiset nga Moto-Varka “Sazani” dhe…”/ Vendimet e Komisionit të Internim-dëbimeve, viti 1967

May 23, 2025
“Tragjedia e trimëria e Kazazëve dhe familjeve shkodrane nën terrorin komunist, hakmarrja e heshtur mbi Dedjakupejt, Bushatllijt dhe Çobajt…”/ Historia e rrallë e fisnikëve të humbur të Shkodrës
Dossier

“Zefi, i rritun jetim, se i ishte djeg shpia bashk me prindit, del partizan te batalioni ‘Perlat Rexhepi’, por ra në burg, ku rrahu një polic dhe kur i dhanë 25 vjet, kërkoi me vdekje, pasi…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 22, 2025
“Si i lirova nga salla e gjyqit, katër shokët e mi të fëmijërisë, që kishin rrahur e plagosur përgjegjësin e tyre në burgun e Torovicës…”?! / Kujtimet e ish-prokurorit, miku i “vagabondëve” të Shkodrës
Dossier

“Komiteti Ekzekutiv i Korçës, u ka bërë thirrje familjes Koçibelli, të shkojnë në vëndlindje, banorët e lagjes nr. 3 të Durrësit, i kërkuan familjes Manushi…”/ Vendimet e Komisionit të Internim-dëbimeve, viti 1967

May 21, 2025
“Inskenimet e kryepolicit, Veli Kondi, në kampin e internimit në Lushnje, ku ai i detyronte kosovarët që të…”/ Dëshmitë e rralla të Nazmi Berishës, që vuajti 20 vite burg
Dossier

“Pasi iu arratisën 6 pjestarë të familjes, dhe se paraqesin rrezikshmëri të theksuar për t’u arratisur edhe vetë, komisioni vendosi të internojë Nikollë Dakaj, me të gjithë…”/ Dokumenti sekret, janar 1967

May 21, 2025
“Pas pushkatimeve për bombën në ambasadën sovjetike, kur Voroshillovi, në prani të Stalinit, i tha; ç’bën kështu, more Enver, i sose shqiptarët, 1 milion janë’, ai u përgjigj…”/ Dëshmia e Liri Belishovës
Dossier

“Preng Biba prej Mirdite, u arratis nga burgu e doli në Jugosllavi e, më pas në SHBA-ës, ku u rekrutu prej forcave ushtarake dhe do të gjente vdekjen në luftimet e Vietnamit…”! / Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 20, 2025
Next Post
“Si i lirova nga salla e gjyqit, katër shokët e mi të fëmijërisë, që kishin rrahur e plagosur përgjegjësin e tyre në burgun e Torovicës…”?! / Kujtimet e ish-prokurorit, miku i “vagabondëve” të Shkodrës

“Komiteti Ekzekutiv i Korçës, u ka bërë thirrje familjes Koçibelli, të shkojnë në vëndlindje, banorët e lagjes nr. 3 të Durrësit, i kërkuan familjes Manushi...”/ Vendimet e Komisionit të Internim-dëbimeve, viti 1967

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
error: Content is protected !!