Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e tridhjetedy
S P A Ç I
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
Kështu vepronin të gjithë. Kur i gjenin policët stepeshin dhe mbanin dorën nën impresionin e mjekrave dhe mustaqeve mahnitëse të teoricienëve të shquar proletarë. Ndonëse këto rrengje i kish nuhatur komanda, që merrnin përfaqësues të zyrës teknike dhe spiunë të njohur, për t’i udhëzuar gjatë kontrolleve, nuk rezultoi efektive, sepse edhe shoqëruesit ishin nevojtarë, për pasojë i gënjenin apo, mëtonin të rifitonin simpatinë e humbur, me gjeste gjoja “dashamirëse”.
“Pse lun ti, aqje”?
“U mpiva, zotni”!
“Mbylle, bre”! – komandanti vente e vinte fodull si Napoleoni, para divizioneve glorioze. Policët ndiqnin hijen, ndërsa ne sfidonim vapën me stoicizëm.
“Si ndihesh Tomor”? – pyeta mikun që gërhiste mbështetur pas supit.
“Për bukuri”! – ma ktheu përgjumësh.
“Bravo Tomi. E bëre natën ditë dhe ditën natë, për triumfin e socializmit”- shpotiti Xhelal beu nga e majta: – “Kështu zbaton edhe porositë e Partisë dhe të shokut Enver”! – shtoi duke qeshur.
“Shembull ekzemplar kemi shokun Xhelal, që po vjen në islla ditë pas dite”! – ia preu vrullin patetik Esat Kala.
“Xhelali i sat ëm…po lëre-lëre fare”! – dhe beu hipotetik i vuri fre gjuhës.
“Fjete ndopak”? – iu ktheva sërish Tomorit.
“Mërzeva”!
“Njerëzit i paguajnë rrezet me para, ne i marrim qelepir”!
“Falem nderit Partisë dhe Qeverisë, që s’po gjen derman, për të mirën tonë”! – e cyti Esati.
“Pushoni”!
Ndaluan llafet, u shtuan kruajtjet.
“Pse lun ti, aqje”?
“Më dogji urina, zotëri”! – u ankua Xhelal beu.
“Baje n’brekë”! – urdhëroi oficeri.
“A do më napësh të tuat zotërote, kur të më qullen”? – ia ktheu hazër xhevap Xhelali.
“E din me kë je tuj fol, or tëj”? – e kërcënoi një polic.
“Ohu-ah, e kam marrë vesh, tash tre sahat”!
“E pra, asht komandant aj”!
“Të të rrojë dhe e paç me ymër”!
“Të rrnoj Partëja”!
“Të rroftë dhe i ngrënçim hallvën”! – e shtyu Xhelali.
“Më kambë t’tanë”! – urdhëroi kapua. U çuam të kalamendur.
“Shyqyr, shpëtuam”! – më pëshpëriti Fetahu.
“Ulu”! – komandoi kapua.
U ulëm mbi pluhur dhe mbi qimet e prera.
“Pse s’ulesh ti, aqje”?
“U mpiva, zotëri”! – Xhelal beu mbeti qiri, me brekushe e këmishë të bardhë.
“S’të janë tha kambët ala”? – bëri komandanti.
“Pas të tujave, jarabi”!
“Ç’ka the, ç’ka the”?! – por tashmë Xhelali, qe sheshuar me të tjerët.
“Çohu! Ulu! Çohu! Ulu! Çohu! Ulu…”, – dha komandë me solemnitet.
Shtatëqind burra ngriheshin dhe uleshin me tempin e rekrutëve në tranazh. Ca ngelën ulur, se vuanin nga përtheci, po s’para binin në sy mes turmës, kush mbeti në këmbë, e pati keq, kur të tjerët sheshoheshin, ata dallonin si dordolecë kopshti.
“Ti dhe ti qetri, bani para”! – personat e shënuar ishin Xhelal beu dhe Hilë Pashku (Keqi), njëri kolonjar, tjetri malësor. –
“Ju t’dy, pse rrini m’kam”?!
“Ç’të ulesha bre, kur e dija ce do ngrihesha gjene”! – ia pati Xhelali.
“Me kë don m’u tall, or tëj”?
“Me veten”!
“Po ti, qetri”?
“M’ka ka zan përtheci zotni, s’mujta m’u ul e kaq”! – u gjegj Hila.
“Ulu! Çohu! Ulu! Çohu! Ulu! Çohu”! – dy të ndëshkuarit dihatnin.
“Çohu bre”! – ulëriu komandanti.
“S’kam më takat, vramë po deshe”! – ia ktheu Xhelal beu, i zhgërryer për ibret.
“Sun luj ma, zotni”! – ia pati Hila.
“Si quhesh, or tëj”?
“Hilë, zotni”!
“Hilë kush”?
“Keçi”!
“Aq i keç kënke, sa edhe njikët, e ke fsheh pas bythet? Ç’a kjo bre”? – i hoqi nga rripi një sqepar.
“Qeser, zotni”!
“S’u lejm na me hangër qesim, or tëj”!
“Si urdhno, zotni”! – nuk shtoi komandant.
“E din që vet jam komandant, or tëj”?
“Jo, se dij pasha Zotin”!
“E pra, ta dijsh mirë, more vesht apo jo”?
“Mora, zotni komandant”!
“At qesimin, tash po e shohim! Qesim ha uku, Partia jonë, ha me pllan, e kuptove or tëj”?
“Si urdhno, zotni komandant, e kam kuptu me vakt”! – Hila u mblodh grusht.
“Ç’ka ke kuptu, bre”? – u hakërrye ushtaraku.
“Nji kët pra”!
Qyqari Hil, heshti, por ndërhyri një polic:
“Asht qeser marangozi, shoqi komandant”!
“Ç’ban tëj me at qeser”?!
“Nalla”.
“Palla? S’kena nevojë për pallat tuja t’coftuna. Palla e jonë a rrit e t’asht ba nji kaq, nën kujdesin e paprem t’Partëjs”! – shtriu krahun, vuri gishtin afër bërrylit, e tundi dhe e shkundi disa herë.
“Nalla or shoq, për m’i mbath n’kamb”! – sqaroi polici.
“S’kena nevojë as për nalla! Partëja ka ngrit fambrika p’kucësh n’Tiranë e n’Korçë, e n’Shkodër, e n’Gjinokastër, e n’…, kena me vesh e me ngjesh, tanë shqiptarët, e tanë dynjanë, or tëj”!
“Si urdhno, zotni komandant”!
“Po kët qeser, pra”?
“Hila ban nalla t’bukra fort”! – ndërhyri sërish polici.
Vërtet ai ishte mjeshtër. Me një sqepar, një limë, një turjelë, një palë darë, një daltë, ca copëza xhami, pak letër zumpara dhe me lëndë drusore, Hila bënte atë që do t’ia lakmonin artistët më të shquar. Ndoshta ai s’e dinte domethënien e termit skulpturë, po çdo copëz druri, sado të shformuar, e shndërronte në art.
S’kish mbetur oficer, polic apo i burgosur, pa porositur qoftë dhe një taketuke duhani, të mos them mobilie, me forma antike, fusha shahu, që do t’i lakmonte Fisheri dhe Gasparovi, kuti tualeti, tavolina artistike, medaljone, korniza, nalla për nuse, deri edhe sabo druri, të denja për Luvrin.
Në “atelienë” e Hilës, gjeje punët më të lira në botë, me çmime që nisnin nga një paket “Partizani”, gjer në disa kile sheqer. Po kishte edhe vepra, me çmimin e mikut!
Unë ruaj sot, mbas mbi dyzet vjetësh, dy korniza dhe një valixhe, të punuara nga duart e mjeshtrit Hilë. Ndaj me Hilën, komanda bënte qorrin, demek s’i “shihnin” aletet, sqeparët, turjelat, limat, daltat, copëzat e xhamit, etj. Gjatë kontrolleve, linin t’u “shkiste” ndonjë trung, dërrasë, ristelë, menteshë, kompensatë, ndonjë… dhe ai ua kompensonte me antikuare.
Në burgje kam njohur mjeshtër për të gjitha zejet. Mirëpo çudia e çudive, mbase s’kishte lidhje me zejet si profesione, por me individët që i ushtronin këto.
Kam njohur hoxhallarë hidraulikë, priftërinj marangozë, filozofë argjendarë, profesorë muratorë, historianë motoristë, muzikantë gurgdhendës, këngëtarë mekanikë, shkrimtarë hamenj, poetë kovaçë, piktorë saldatorë, etj., etj., etj., siç kam njohur inversin: bari poliglot, murator filozof, bujk piktor, poet, etj., etj., etj.
Pra e veçanta atje përgjithësohej, mbase efekti robëri stimulonte intelektin dhe nga ana tjetër, rrëmonte djerrinat e parrahura, që si kontra peshë e mungesës së lirisë, nxirrte në pah talente të fshehta ,që s’mund të zbuloheshin gjetiu.
Kur shihja ata burra serioz, t’i përkushtoheshin me aq pasion një zeje, që në kushte të tjera, s’do t’iu kish shkuar ndërmend se mund ta zotëronin, vetiu më vinin në kujtesë, fjalët e Esheref Zajmit:
“Këtu ka profesorë me tepri or ta marsha, për t’tana landët e t’tana zejet…! Për në parajsë e për në ferr, për në dritë e për në terr…! Bile, do thoja, janë t’tanë profesorë…”!
Dhe kur dyshoja, e pyesja:
“Pse, s’paskan mbetur mësues jashtë”?! Ai do ma kthente:
“Po, allahile…! S’i me ta shpjegue, or cull, këtu futesh kaqol, e del me shkollë! Hyn pa bereqet, e del me universitet, profesor e shkue profesorit…! Varet nga robi, ç’ka don me xan, të mirën apo të ligën, se këtu del, o dreq, o meleq, njëzeje do ta nxash, se s’ban, or mëjk”!
Dhe kur e njoha më mirë e shtangesha para copëzave të drurit, që i shndërronte në art, do më gjegjej: “Lëne bre, shtyj kohën e xamë kah nji pare, or cull…! E-hu-u, ma, sun lexoj e, merrem me njito”!
Po kur me sinqeritet fëmijëror, e pyeta për shkollën, ma plasi: “Ç’shkollë or mec? E pse u dashka shkolla, me qit do shkarravina drunit…?! Hajt he burrë, ene ti ba me dasht, mund ta mësojsh, s’ashtë filozofi”!
Në fakt e thjeshtëzonte, për mos t’i dhënë rëndësi vetes, sepse ishte artist, në tërë kuptimin e fjalës, siç do njihja edhe dhjetëra të tjerë më pas.
“Or tëj, ç’a ky qeser, po t’thom”? – komandanti e ktheu sqeparin, herë nga bishti, herë nga presa.
“Qeser, pra”!
“Tamam, po asht armë i d’nuem”!
“Jo, asht alet”!
“Armë po t’thom”!
“Për vedi e kam alet pune, zotni komandant”! – u mbrojt Hila.
Komandanti hoqi këllëfin e meshintë dhe provoi tehun në mollëzën e gishtit:
“O bo-bo, ky kënka i mprehtë, si brisk berberit, or tëj”!
“Po qe besa, s’i kish me punue ndryshe”! – u gjegj Hila.
“Hekrat! Nji muj izolim”!
“Gadalë, o zotni koman…”!
“Pjetër, Llesh, hekrat, a po ndini”?
“Si urdhno, shoqi komandant”!
Me gjithë kundërshtinë e Hilës, e kllaposën, nën altoparlant pas dy minutash, mbi krye i gjëmoi zëri i Partisë:
“Armiqtë i kemi në grykën e pushkës…”!
Poshtë klithma e komandantit: “Nj’aty, n’pik të dillit, ka m’u dal shpirti anmiqve të Partëjs, kriminelve, qi dun me rrëzue me dhunë dhe me armë pushtetin e popullit! Partëja syshqiponjë, na ka msue me qëmtue anmikun, ene njitu mes anmiqve”! – turfulloi, si ta kishin zaptuar shtatëqind punëtor, dreqër.
“Qetri! Si të qujnë, or tëj”?
“Xhelal Canko”!
“Beu, beu”! – gjëmuan turma.
“Ç’a ky bej me brekushe?! Ç’ka ke fsheh njitu, or tëj”? – shënjoi rrethin e brekëve.
“Hallatet e gruas, i nderuar komandant”.
“Ç’ka qjetër mrend”!
“Ushkurët”!
“Kush të lejon ty, me majt ushkur”?
“Partia e Punës së Shqipërisë”! – u përgjigj serbes Xhelal beu.
“Partia i ka ba brekët me komça, i d’nuem”!
“Janë pe llamarine, u ndryshkën dhe u këputën”!
“Ka qjera”!
“S’varesh dot me komça, o komandant”!
“Pse ke nijetm, m’u var, a”?
“Jo para jush, bre”!
Bëri shurdhin dhe na hodhi një shikim të vëngër.
“Prej kah vjen, or tëj”? – iu kthye sërish Xhelal beut.
“Nga Repsi”!
“S’dukesh”! – oficeri kroi kokën mendueshëm.
Xhelal beu, në kemishe e benevrekë, i shëmbëllcnte fantazmës, veçse ndryshe nga e njëmendta që shfaqet natën, ai zbardhëllente ditën për diell.
“Ku rrin, po t’thom”!
“Në Spaç”!
“Desha me than, ku ke le, bre”!
“Ha-ah, në Kolonjë”!
“Nji’ashtu pra, nga Korça thuj”!
“Nga do Partia e Punës Shqipërisë”!
“I d’nuem, ç’pun ke tëj me Partëjn”?!
“S’kam unë, po ka ajo me mua”!
“Kënke një anmik ti”?!
“Nuku e di”!
“Sa t’kan d’nue, bre”?
“Sa deshi Partia”!
“Njitu ke m’i lan ashtat”!
“Së bashku, ishallah”!
“Hekrat shpejt”!
“Bujrum, bëni zanatin”!
“Jak, Ndoj, hekrat, bre”!
“Si urdhno, shoqi komandant”! – kriq-friq, flutura vajti në mish.
E kllaposën edhe Xhelalin, përkarshi Hilës, teksa nga altoparlanti, gjëmonte fjalimi bombastik i shokut Enver ,kundër armiqve imperialistë- revizionistë:
“Mbi brigjet tona arbnore, do thyejnë turinjtë armiqtë ndërkombët..! Shqipëria shkëmb graniti, ku armiqtë e social… do gjejnë vdekjen e sigurt”!
“Urra-a-a, rroftë Socializmi! Rroftë shoku Enver Hoxha! Urra-a-a”!
“Plaç, të preftë lanet, se më çave daullen”! – nëmi Xhelali.
“Hy-y gabel, t’hangshin shtatëçind dreqën”! – ja priti Hila.
“Armiqtë na anatemojnë dhe na akuzojnë ateistë. Ju falënderoj nga zemra të dashur armiq, të tillë jemi! E theksoj me mburrje, jemi vendi i vetëm, që zbritëm nga piedestali dhe i flakëm jashtë kishave e xhamive, Krishtin dhe Muhametin.
I qitëm fare priftërinj dhe hoxhallarë, ua zhveshëm xhybet dhe rasat, ua qethëm leshtë dhe ua rrojtëm mjekrat! Bota na zileps, se pastruam dheun shqiptar, nga dogma dhe opiumi trallitës, kryqëzuam në shtyllën e turpit, Krisht e Muhamet dhe hipëm në podin e tyre, Partinë e lavdishme të…”!
“Urra-a-a, Shqipëria socialiste! Rroftë shoku Enver! Parti Enver, jemi gati kurdoherë”!
“U hëngre m..tin rezil, që të vraftë larashi, me një breshkë në kokë”! – nëmi Xhelali dhe pështyu altoparlantin.
“O Shë-Mri, nana e Krishtit, na qite mendsh o t’marroftë shën Gjergji”!
Hila ngriti kryet dhe lëshoi një këlbazë drejt zhurmuesit.
“Nji aty pra, keni me qit shpirt t’dy”! – mallkoi edhe komandanti. Mbaroi kontrolli.
Policë dhe spiunë teshtinin, frynin bulçitë, shfrynin hundët dhe hidhnin tej shtrepa këlbaze të nxira. “Pë-sh-tiu, psh-iu, pshë-u, pja-u”.
“Qelbësina, as vendin ku flini, s’dini me e mbajt”! – shfreu një polic, “p-shi-uu-uu”.
“U bani hakun Partëja, njitu meritojnë pocaqinjtë”! – ja priti tjetri, “p-shi-u”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016