Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e gjashtëdhjetetre
S P A Ç I
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
Sjellja e postblloqeve policore që i kthenin pas pa i dhënë shpjegim, plus muhabetet e shoferëve që rrihnin udhët e Mirditës dhe i tirrnin llafet sipas midesë, shto edhe karvanët e makinave që transportonin ushtarë dhe armatime drejt veri-lindjes, nxitën misterin dhe shtuan kuriozitetin. Represioni policor nga njëra anë, lidhja e gjakut nga tjetra, i shtynë familjarët të dyndeshin në hotelet e pakët të Laç-Milotit, t’iu binin në derë miqve apo të panjohurve, madje të flinin edhe në qiell të hapur në pritje të lirimit të rrugës. Me kalimin e orëve, prezenca e tyre dyfishoi numrin e banorëve të qyteteve minore dhe i ra në sy policisë, që i degdiste dhunshëm jashtë perimetrit të zonës, me makina apo me tren.
Njëherësh rriti edhe interesin e përfaqësive diplomatike, që informuan qendrat dhe nëpërmjet tyre, përndanë lajmin tej e ndanë globit. Pasdite vonë na rreshtuan sërish, për të na komunikuar ndarjen në brigada dhe frontet e punës. Kësaj here, kartelisti erdhi me një përfaqësues të zyrës teknike sepse, mungonte kryetar Mediu, që s’na i kish zënë syri, qysh mëngjesin e datës 21, kur hëngri në shpinë levën e Palit. Me ç’dukej e kishin çuar për kurim, në ndonjë klinikë sekrete, t’i shpërblenin shërbimet e ofruar ndër vite, sidomos t’i shpëtonin kokën nga armiqtë e shumtë, që kish bërë mes nesh.
“Të dënuar, ballë zyrës teknike, do afishojmë listat me emrat e atyre që preken nga lëvizjet e reja”, – kumtoi kartelisti, priti sa e përsëriti tellalli dhe u largua. Në një tabak kompensate, rreshtuan disa dhjetëra, mes një fletoreje me shkrim dore, ku binin në sy viza me laps të kuq. Siç dukej, mbi listat e hartuara qysh nga organizimi i fundit, kishin shtuar emra me bojë, ndryshe nga origjinalja. Mungesa e kryetarit, i kish frenuar vartësit servile, që me siguri, listat definitive i kishin lënë pasi të kthehej Mediu, nga “Kavalishenca”.
U avita, po më penguan kokat e të tjerëve; u ngrita mbi majat e gishtave dhe lexova: Lista emërore sipas zonave dhe brigadave respektive:
– Zona e parë,
– Zona e dytë,
– Zona e tretë, brigada e dytë:
Grupi i parë: 1 -…., 2 -…., 3 -….
Grupi i dytë: 1 -…., 2 -…., 3 -….
Grupi i tretë, në galerinë e epërme: 1 – Ymer Kadria, 2 – Anastas Lapi, 3 – Shkëlqim Abazi.
Ja grupi im! Vërtet s’më kishin lëvizur nga galeria dhe fronti, po kishin ndërruar “qetë e parmendës”. Minator ishte dibrano-suedezi Ymer, kurse “penda”, përbëhej prej meje dhe Cacit, nga Kolonja. Me Cacin u njoha në shtatorin e vitit 1970, ditën që fillova punë në miniera, kur Arshin Laraku, i kërkoi peliçen, ta vishja unë. Më pas qemë sërish në të njëjtën zonë dhe tani e solli rasti, të punonim në një front. Kurse Ymerin, si i burgosur i ri, pothuaj s’e njihja, ai kishte afër një vit që qe kthyer nga Suedia dhe tash po na lidhte puna, për herë të parë.
“Ku të kanë çue, or cull”? Mexhiti Capa, foli nga kreu i shkallëve, por unë isha shushatur.
“E paske humbur or voc, të pyeta ku të kanë çue”? – përsëriti Mexhiti.
“S’më kanë luajtur nga brigade”, – ia ktheva nëpër tym.
“Kurse mu më kanë transferue në zonën e dytë”, – heshti disa sekonda dhe shtoi: -“Kë të kanë pru në grup, bre”? – pyetja përmblidhte merakun e mikut.
“Ymer Kadrinë dhe Anastas Labin”, – iu gjegja shkurt.
“Imer ‘suedezin’ nga Maqellara, bre”?
“S’e di nga është, sepse s’e njoh fare. – ia ktheva, por cilësori “suedezi”, më shtoi kureshtjen: – “Pse e cilësojnë suedez dhe çfarë burri është”?
“Dëgjo, or voc, sa për përcaktorin, tash po ta tregon ai, kurse për karakterin, mund të flas, se e kam nga ana jeme. Pra asht burrë zotni dhe familje e mirë, por u tregua budalla, që u kthye nga jashtë. Ele-ele, tash je i burgosur i vjetër or mec dhe ke me e njoh vet”! – mbylli prezantimin Mexhiti, por sa hodhi dy çapa, m’u soll: – “Cullo, ç’ka po të duhen njohjet e reja, hap sytë, se edhe pak burg të ka mbetur, kët baj ti, xhan i Xhitit”! – përshëndeti dhe u largua.
Fshehtësia dhe misteri, s’kishin vend në burg. Sitës së tij, s’i shpëtoi kush, në mos njëri, tjetri do të njihte, sepse do gjeje o një bashkëfshatar o një mik, o një shok dhe në fund, personaliteti dilte lakuriq. “Fri-fiu-friuu”, fishkëllyen bilbilat, “Të gjithë në shesh”, – ulëriu Malua. Një grup ushtarakësh, thyen heshtjen me praninë e tyre. Pa u rehatuar ende, u rikthyem mbi tarracë, teksa një tufë zbritën nga platforma e epërme, kurse Haxhi Gora, theu heshtjen me ndihmën e altoparlantit:
“Mbrëmë, mes të tjerave, ju fola edhe për kërkesat për falje jete të katër të dënuarve me vdekje, drejtuar Kryesisë së Kuvendit Popullor. Përgjigja sapo mbërriti”, – fjalët i shoqëroi me pauza, për t’i theksuar më tepër, po te e fundit, ndali gjatë dhe na hetoi nga lartë-poshtë, me sytë e shpërlarë. Na u pre fryma, sikur na injektuan helm. Bëhej fjalë për jetën e miqve tanë, me moshë, nga 21, në 30 vjeç, që s’e meritonin vdekjen. Fundja, as vranë, as prenë, po kërkuan liri dhe të drejta si gjithë bota! Por komunistët katilë e xhahilë, ishin kailë të mbysnin edhe pjellat e tyre, për të zgjatur sundimin…!
Gjithsesi ne shpresonin dhe besonim te jeta, sepse shpresa vdes e fundit! Kryesia e Kuvendit Popullor, vendosi në unanimitet të plotë zbatimin pikë për pikë të vendimit të gjykatës, domethënë hodhi poshtë katër kërkesat për falje jete. “Sot në mesnatë, toga e pushkatarëve, do ekzekutojë vendimin dhe nesër do ua paraqesim dëshmitë e fotografuara”.
Haxhi Gora vijoi fjalën, ndërsa neve u topitëm. Pas ca sekondash vajet dhe ahtet pllakosën sheshin, kurse do pleq humbën ndjenjat dhe u shembën mbi çimento. Ndërkohë një i moshuar nga Mati apo nga Dibra, me mbiemër Doda dhe emrin Beqir, (nëse s’më ka lënë kujtesa), hoqi qeleshen në shenjë respekti dhe klithi me zë koke: “I morët më qafë djemtë e rinj; ej u marroftë Allahi dhe mos iu ngeltë gur mbi gur’. Perëndia ua shoftë farën, jahrabi”! Ende pa mbyllur gojën, policët iu sulën dhe e rrëmbyen plakun e gjorë, e hoqën zhang gjer rrëzë shtyllës së altoparlantit, ku e varën si mish kasapi.
“Njitu kanë me përfundu tanë armiqtë e partëjs e të shokut Enver”, ulërinte dhe masakra vijoi mbi të tjerët, shkopinjtë dhe zorrët me rërë u shukën në dhjetëra shpina, gjersa fishkëllyen bilbilat: “fri-fiu-friuu” dhe ulëriu Malua: “shpërndahuni, ‘re”. Pezmatimi i kësaj race tru shpëlarësh, që e kishin lidhur të ardhmen me partinë dhe Enverin, do kapte pikun, teksa dhuna ekstreme, do ishte mesazhi që do të na rezervonte këtej e prapa. Nata kaloi mes ëndrrave llahtarë. Lotonim fatin e miqve që i priste toga e ekzekutimit dhe tmerrin që do na shoqëronte paskëtaj.
Sa herë jam gjendur në pozita të tilla në burg apo, në jetën e lirë, më rishfaqen torturat e birucave te Shkodrës. Atë mbrëmje zie, kur prisnim ekzekutimin e miqve, m’u fanit krye-hetuesi Llambi Gegeni, prokurori Thoma Tutulani dhe hetuesi veteran, Shyqyri Çoku, që silleshin si hiena dhëmbë-çatallë dhe unë që fërfëllija mbi karrigen e betonuar, teksa më fyenin dhe më kërcënonin, gjersa në të djathtë të ballit, m’u plas një hu që më shuku pa frymë.
Ç’dhimbje llahtarë! Më pas harresë dhe harresë! Dhe më pas ende dhimbje therëse dhe gjak! Shumë-shumë gjak, një lumë, një det, një qiell! Në çaste vetëdije lusja: “Merrmë o Zot, ç’më duhet jeta çyryk”, por sa humbja në abis, më joshte dhe më grishte një botë tjetër, gjithë larushi! Sakaq i kthehesha realitetit dhe dhimbja shumëfishohej, kurajo bjerrje dhe sërish lusja: “Merrmë o Zot, s’më intereson më kjo jetë”!
Po Ai më ruajti nga kthetrat e treshes sadiste të regjimit vampir sepse, e kish projektuar ndryshe të ardhmen time! Pse të mos kish projektuar një të ardhme të tillë edhe për miqtë e mi? “Ruaji o Zot, ata janë pa faj”, lusja dhe shpresoja në mrekullinë hyjnore.
“Fri-fiu-friuu, fri-fiu-friuu”, – “turni parë çohu”! ulëriu Malua, pasuar nga fishkëllimat e bilbilave të dhjetëra policëve, që mësynë dhomat duke tundur shkopinjtë. Vringëllima e tyre më davariti ëndrrën. Mëngjesi na priti me lot, duket edhe natyra iu bashkua vajit tonë! Iu rikthyem ritualit të përmotshëm; nevojtore, çezma, kazani i supës, këtë herë nën shkopinjtë që shukeshin mbi shpinat që iu dilnin skiç dhe nën shiun që rigonte nga retë e puthitura pas tokës. Gjerbëm këllirën, pothuaj në këmbë dhe rendëm në fillesën e kalvarit, ku nuk s’shkelnim prej pesë ditësh.
Shiu u shpeshtua. Hodhëm peliçet mbi krye, për t’u mbrojtur një farë soj dhe morëm teposhtën e portës dalëse.
“Kujt po i fshihesh njashtu, or tëj”? – më ndoqi pas një klithmë.
“Shiut”! – kur bëra të kthehem, një hu m’u plas mes qafës dhe supit e, më terri shikimin, sa humba ekuilibrin e rrëshqita mbi lerë.
“Çohu or tëj, se ta po t’mbys krejt”! – polici i punës, Pjetër Koka, m’u sul, por iu ngatërruan kindat e mushamasë nëpër këmbë dhe u laturis për ibret. – “Hidhi njato kambë se, asha Z… idealin, ta po u qesim krejt”! – tashmë isha larg trajektores së shkopit.
“katërdhet e gjashtë, katërdhet e shtatë, katërdhet e te… na bane helaq or tëj! Kenke zhyt, ma zi se thiu n’thark”! – polici te porta më numëroi dhe më shtyu me majën e çizmes. Te shkallët e shtufit erdhën nga përtej përroit “përshëndetjet”: “Ua bëmë varrin, armiq! Vdekshi në miniera”! që s’i dëgjonim prej pesë ditësh, po këtë herë nga një kor minor. S’iu kthyem xhevap, por shqepitëm njëri pas tjetrit, për të mos shkarë në llucë. Krye kalvarit një togë policësh strukur nën kapuçë, kurse rojet te trau pengues i kishin katërfishuar.
Te depoja e karbitit, na dhanë racionin ditor, te tjetra na pajisën me mjetet e domosdoshme dhe e mbajtëm frymën në derën e galerisë, nga gufonte avull duhmë-rëndë. Hodhëm aletet në kazanin e ndryshkur dhe i dhamë të shtymën vagonit, po ngecën në pjatinën e parë. Jep e merr ta rrotullonim, s’luajti vendit. E tërhoqëm dhe ngritëm pjatën e hekurt, në bazament ish ngurtësuar llurba e kuqërremtë. E pastruam me dorë dhe vijuam më tej, por na doli shpirti, pjatinë pas pjatine, gjersa mbërritëm frontin.
Atje flakët e kandilave u zvogëluan si bubureze, ambienti i shëmbëllente një anijeje të braktisur mes detit: ujë, ndryshk dhe gaz. Nga baromina që kish ngecur në shkëmb, njashtu siç e la Mexhiti, rridhte një krua curril, teksa vetë ajo, marteli, lopatat dhe shinat, skuqnin nga korrozioni. Na bllokoi frymëmarrjen gazi toksik me aromë myku, që notonte në ajër.
“Kenka ibret, burra”! – Ymeri iu sul volantit, por e kishte bllokuar ndryshku. – “Eja dalim, se kanë me na qit kufoma”! – tundi kandilin, si ftesë për ta ndjekur.
“Suedez”, kthehu në ndonjë orti, se po u re në dorë atyre t’i zbërthyen brinjët fije-fije”, – e këshilloi Caci dhe goditi ventilin me levë. – “Ej dreq, qenka prishur kompresori”! – edhe ai mori për nga dalja.
Në kryqëzimin e afërt, rrymat alternonin njëra-tjetrën, më mundi marramenthi dhe gazrat toksike, që kishin invaduar galerinë duke me dhënë dhimbje koke. Pas pak feksën dritat e kandilave, nga të katër drejtimet njëherësh. U bashkuam me kolegët që nisën ankesat për dhimbje koke, e të përziera. Një çast trarët e tavanit m’u sollën vërdallë, futa kokën mes duarve dhe u ula mbi ca trungje, por një gulfë të vjellash më shpërtheu nga fyti. U telekosa sa gati më ra zali.
“Shpejt ta qesim jashtë”! – tha dikush dhe më ngritën havadan krahë e kofshë.
“Shtriheni këtu t’i bëjmë masazh”! – ua preu vrullin Caci. “Jashtë do përfundojmë pas shtyllave dhe s’i dihet fundi, me vrullin që kanë marrë këta”! – dhe më zbërtheu komçat e këmishës. Anastasi flegmatik dhe tepër i kujdesshëm në marrëdhënie me kolegët, sidomos me policët, veti që e kishin shpëtuar kushedi nga sa ndëshkime të kota, e nuhaste rrezikun që tej.
“Ne kristianëve, na ka pajisur Zoti me instinktin e frikës, po na ka dhënë urtësinë, ju myslimanëve, njëherësh me trimërinë u ka shtuar allçakërinë. Ama, ne vdesim në krevat në pjesën më të madhe, kurse juve, s’ju zë darka ku u lë dreka”, justifikonte ai kujdesin e tepruar dhe intrasigjencën diskrete ndaj ushtarakëve. Dhe për ta çuar ironinë në skaj, shtonte: “Byrazer, është më e udhës të ngordhësh në pupla, se të ngelesh kotof pas ferrës”! Natyrisht, kolonjari i zgjuar, s’ishte aq frikacak sa ç’hiqej, përkundrazi, kur e desh puna, ishte njësh si të tjerët, por e shmangte zararin me takt.
Teksa po më luhatnin krahët, dy drita të zbehta feksën në kryqëzimin nja njëqind metër larg. Nga mënyra si tundeshin, e kuptuan se ishin udhëtarë, sepse eksperienca na kish mësuar të dallonim kandilat e varur në ballë të kazanit, nga ata që luhateshin në dorë. Dikush dha sinjalin: – “Ujqërit”! – dhe të gjithë i përpiu terri sa hap e mbyll sytë, kush u fsheh në ortitë e afërme, të tjerët fikën kandilat dhe përgjonin hijet që po aviteshin. Mua m’u prenë gjunjët, fika kandilin dhe u struka pas do trupave gjysmë të shembur. Pas pak dy persona, stopuan mbi pjatinë.
“Ore, si u bënë firar brenda sekondës, bre”? – zëri i brigadierit tonë, gërdallës pe Korçe.
“Ishalla s’kan pësue gja, se zor me dal gjallë nga ky pus i qelbun”! – Frroku, brigadieri i lire, që s’po zgjidhte dot drejtimin nga do mermin.
“Këtu ishin, bre! A s’i pamë dritat”? – Mensuri ynë.
“Po or tëj, i pamë, por s’dihet ç’u ka ngja”! – u merakos i liri dhe shtoi: – “Lipset me i njoftu, se asha Zo… idealin, kanë me dek mbrend si kandje”!
I shqetësuar nga ç’dëgjova, dola nga skuta ku isha strukur dhe u dhashë ballë tyre.
“Ku janë të tjerët, bre”? – brigadieri i burgosur.
“Nuk e di”, – iu gjegja thatë.
“Po ti këtu”? – i liri.
“U nisa për jashtë, m’u fik kandili dhe ngeca në kryqëzim”.
“Mirë, ndize or tëj dhe kthehu, lajmëro shokët! Lypet me dal se ka me i mbyt gazi”! – theksi i fortë nënkuptonte, se duhej të veproja shpejt.
“Si urdhëron”! – iu ktheva krahët.
Teksa ata u kthyen nga erdhën, të strukurit dolën nga xhepat prej nga ndoqën dialogun, pritëm nja pesë minuta dhe iu drejtuam grykës së minierës. Para barakës, ish mbledhur pothuaj gjithë brigada, teksa një polic kish hipur mbi një shtrat të përmbysur vagoni dhe ulërinte me sa i nxirrte fyti: (shkurtabiqin e shihja së pari me rrobë ushtarake, mesa m’u kujtua, kish qenë zjarrmëtar në zonën e dytë).
“Partëja dhe qeveria janë zemër-gjanë, se po të ishte për na, ju kishim shue t’tanëve! Me mue s’ka tërci- vërci, as miqësi, as shoqni, edhe në paçim këmbye ndonjë llaf ma parë, harrojeni, njitash vet jam polic dhe mjerë kush ka me m’ra në dur! Kam me ja qit t’amblin e nanës për hundësh, çdo anmiku t’partëjs e t’shokut Enver! Deshtët me rr’zue pushtetin e popllit ju, qelbacët pa brekë në bith dhe tash u dashka me ju fal? Jo, asha idealin, kena me ju shku n’hell e, n’plumb qe besa, bash si shokët tuj, që i mbytën mbramë, te ura e Shpalit”.
Ai vazhdoi dërdëllitjet, por askush s’ia vuri më veshin. Lajmi për ekzekutimin e miqve; “mbramë te ura e Shpalit…”, na ra bombë, na eklipsoi trurin dhe na preu gojën. “O Zot”, rënkoi dikush nga kreu dhe u plandos mbi shina. Dy-tre e ngritën dhe i zbërthyen jakën, për t’i lehtësuar frymëmarrjen, kurse një xhumbë policësh, rendën nga brendësia e barakës dhe ua zhvatën duarsh, e hoqën hosh gjer te arganella e planit të pjerrët, ku e lidhën paq, teksa shkurtabiqi i shtinte dhe i shtinte të zalisurit, pa pikë mëshire.
Dhuna e shfrenuar e rriti tensionin. Të parët ndihën viktimën, të tjerët vijuan pas tyre, gjersa plasi zallahia. Të trembur për vdekje, policët u gremisën teposhtë trimozhës, planit të pjerrët, duke iu fryrë bilbilave: “friu- fiu-friu”, për të dhënë sinjal. Kumti i hidhur dhe vdekja e paralajmëruar e miqve tanë, si dhe torturat e mbi tetëdhjetë të tjerëve, në qelitë e burgut të Kocit, zgjuan nga gjumi virusin e 21 majit, që u aktivizua në rastin adekuat, ndonëse ende s’e kishim mbledhur veten dhe ishim të dërrmuar nga masakra e datës njëzet e tre.
Një pjesë çliruan shokun nga telat dhe po e mjekonin me mjete rrethanore, të tjerët zunë pikën dominuese dhe vrojtonin terrenin, që të organizonin një farë mbrojtjeje, në rast sulmi të beftë. Bash kur policët po iu frynin bilbilave, dy kamionë dhe një “BÇ”, kaptuan portën kryesore, mbi ngarkesë shiheshin njerëz, që për shkak të largësisë, s’i ndaje dot në ishin policë apo civilë.
Dyndja në kohë rekord, riktheu gjendjen e ankthin, po kur makinat shmangën maloren e zonës së tretë dhe vijuan nën trimozha e, ndalën para barakës së kompresorëve, ku shkarkuan ngarkesën, sikur u qetësuam një farë soji. Tash dalloheshin qartë kominoshet e punëtorëve, siç dukej specialistë që do vinin në funksion kompresorët, ngaqë Fiqiri Muhën dhe kolegun e vet, një minoritar grek, i morën në birucat e Kocit në Tiranë. Sidoqoftë rreziku ishte prezent, sepse një togë policësh morën të përpjetën e zonës së parë, për te ne.
“Shmangiu përplasjes, or mik”! – më foli ultas Caci dhe më tërhoqi për mënge.
“Kudo të futemi, në dorën e tyre jemi”! – isha i bindur se këtë here, s’do ti shpëtoja ndëshkimit.
“Hyr në galeri, se edhe dy muaj të kanë ngelur, pa neve kemi nga një dekadë e përpjetë”, – dhe udhëhoqi për nga gryka e minierës.
E ndoqa instinktivisht, ndonëse ende i trembesha shpagimit. Te udhëkryqi më i afërm u ndamë.
“Bëj si të bësh, po mos hidh këmbë, pa të njoftuar unë”! – këshilloi ai dhe u kthye nga erdhi. U ula mbi një trung mes territ pa skaj. Errësira më ngjalli ndjesi ekstreme, mendime ogurzeza pushtuan celulat e trurit. Në atë moment dobësie, pyeta veten: “Ç’vlejnë sakrificat e miqve, për të më shpëtuar nga ri-dënimi apo, dëshira për të më parë një sahat e më parë jashtë dyerve të burgut, kur s’e imagjinoj dot, se ç’më rezervon jeta tej gardheve gjembaçë, pas robërisë pesë vjeçare? A do përshtatem dot vallë me lirinë, në ekzistoftë vërtet”?
U rreka të sillja ndërmend momentet e fundit nga jeta e lirë dhe të lidhja fillin e këputur, por rezultoi nul. “Mos vallë e kam humbur aftësinë e përshtatjes, apo hallka që lidh të shkuarën me të ardhmen, u këput përgjithnjë”? Kujtova miqtë e liruar nga burgu, që i sollën sërish pas disa muajsh, apo pak vitesh, pa bërë gjë prej gjëje. “Ç’dëm mund t’i shkaktonte shtetit apo shoqërisë, Feta Malasi, që u mbyll për një vit rresht brenda katër mureve, sa doli nga burgu dhe bash për këtë e ri-dënuan, demek se i dhembnin sytë, të shihte lulëzimin dhe prosperimin e Shqipërisë Socialiste?!
Po Xhelal beun, që e dënojnë për së treti, me të njëjtën akuzë, agjitacion dhe propagandë, gjoja s’pranon t’iu përgjigjet të rinjve, kur e thërresin shoku Xhelal, po dashkërka me patjetër cilësorin; “zoti”?! Po dhjetëra të tjerë, që i rikthejnë në burg, vetëm pse i supozojnë armiq të betuar të sistemit komunist”?! “E kotë, këtë fat më kanë taksur edhe mua! Fundja s’m’i përmblodhën kot gjithë datat në një: 11.08.1968, më rri mbi krye si shpata e Demokleut dhe më kërcënon në ëndrra e në zhgjëndrra”! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016