Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të gazetarit Aleks Mavraqi, një prej penave të njohura të periudhës së Monarkisë së Zogut, i cili në vitin 1935, i sugjeroi shoqërisë së njohur “SITA”, që ajo të merrte përsipër ndriçimin e Bulevardit kryesor të Tiranës, me emrin Zogu i I-rë, si dhe 7500 shtëpitë e kryeqytetit që asokohe përdorin vajgurin. Cili ishte projekti që gazetari Mavraqi i kërkonte shoqërisë SITA, gjë të cilën e kishte kërkuar më përpara ish-kryetari i Bashkisë, Abedin Nepravishta tek kompania I.S.E.H. dhe presionet e Mavraqit, ndaj asaj kompanie që kishte në pronësi Stacionin Elektrik të kryeqytetit dhe akuzohej për korrupsion!?
Akuzat e Mavraqit për SITA-n në gazetën “Arbnia”
Shoqëritë Anonime SITA. Interpretimi i kontratës dhe garancia…pa kamatë. Ç’mund të bëjë SITA për kryeqytetin?
Një mik më tha dje, se nuk kemi të drejtë të atakojmë vetëm Sitën, pse kemi disa shoqëri të tjera. -Gjeneralja e Korçës-fjala vjen, të cilat janë më tiranike dhe më të pangopura se Sita. Pastaj nga sa kemi shkruar gjer më sot, nuk provohet veçse Sita fiton shumë, po këto fitime Sita ka të drejtë të pretendojë se i ka hak dhe të ligjshme me që ajo bazohet në kontratat që i ka lidhur me Shtetin dhe Bashkinë e Kryeqytetit. Këtë mendim ndofta e ka formuar edhe ndonjë tjetër nga këndonjësit t’onë, dhe prandaj e gjejmë të udhës të përgjigjemi në këtë pyetje botërisht, ndonëse populli nuk ka provuar në mënyrë më solemne se është në një mëndje për si i përket Sitës, dhe ndonëse kemi ankime pse s’i kemi shkruar që të tëra padrejtësitë e asaj Shoqërie, pse ato që kemi shkruar ne janë fare të pakta.
Të tëra do të hetohen
E para e punës ne nuk atakojmë Sitën, por studiojmë gjendjen, aktivitetin dhe administrimin e saj. Kjo nuk do me thënë se Shoqëritë e tjera i kemi pranuar si ideale dhe se sikur veprojnë siç duhet në mënyrën e tyre dhe të vendit. Një çertifikatë të tillë s’ja kemi dhënë asnjë shoqërie deri më sot dhe nuk kemi ndërmend t’ja japim para se t’i studiojmë. Pra do t’ju vij radha edhe shoqërive të tjera, si: Stamles, Sasa e Shkodrës, Gjenerale e Korçës etj. Për sa i përket fitimeve në ka apo jo hak Sita, këtë gjë e kemi zhvilluar mjaft. Kemi prova sa të duash, se Sita fiton edhe jashtë kontratës padrejtësisht. Nuk besojmë të parashihet prej kontratës që të mungojë kripa e zezë dhe të detyrohet populli të hajë kripë të bardhë! Pastaj kontraktoja nuk parasheh…se mund të laget kripa! Asnjë kontratë nuk e ka përjashtuar Sitën nga taksat e pullave të monopolit dhe nuk kemi parë gjëkundi të shkruar se konsumatorët duhet të paguajnë qira për sahatet e automatikut q’i shërbejnë vetëm Sitas. Asnjë kontratë dhe asnjë logjikë nuk mund të thotë se mund të quhet një gjë e ligjshme që të 500 frangat që u depozituan më 1927 të bëhen më 1935 franga ari njëmijë e pesëqind e nëntëdhjetepesë! Por për mirë-zbatimin e kontratave, as njeri nuk është interesuar. Kështu, Sita i interpreton kontratat dhe i zbaton si ia do qejfi ose interesi i saj?
Garancia që kërkohet prej klientëve
Një provë e gjallë e këtij pretendimi t’onë është edhe çështja e garancisë që Sita ia merr klientëve të saj të elektrikut. Kontratoja, mund të parashikojë se Sita ka të drejtë të kërkojë nga klientët e saj një garanci të paktën për konsumin e një muaji. Kur thuhet garanci, nuk kuptohet domosdo depozitim pranë shoqërisë një shumë të hollash. Kjo garanci mund të jetë një letër garancie e Bankës, një kambial me një firmë të sigurt, ose me dy forma, një çertifikatë kredie nga ana e Odës së Tregtisë, një hipotekë fundi i fundit. Sita, siç na janë ankuar, në zbatim të kësaj dispozite, kërkon një depozitë në të holla sa parashihet të jetë konsumacjoni një muaj, duke përjashtuar mënyrat e tjera garancie. Kështu bëhet hesap se Sita ka një kapital prej nja 25000 fr. ar që formojnë këto garancina – llogariten nga 15 fr. ar për çdo klient sa minimum kërkon Sita – të cilën e ç’frytëzon pa u paguar asnjë kamat depozituesve. Tashti një gjë të këtillë nuk besojmë që ta parashikojë ndonjë kontratë! Po e kemi thënë: Sita dhe logjika, janë dy gjëra që nuk puqen kurrë!
Ç’mund të bëja Sita në kryeqytet
Tashti le të vijmë në muhabetin t’onë që kishim me aksionistët. Kemi thënë se Sita mund të zhvillojë një aktivitet të dobishëm në kryeqytet, duke u bërë një faktor zhvillimi për të. Mundet Sita ta ç’porë vajgurin edhe nga kasollja më e fundit e jevgut. Ja se si: Tirana llogaritet se ka 7500 godina që kanë nevojë për ndriçim. Nga këto ndriçohen me elektrik vetëm 1800 dhe kusuri prej 7500 ndriçohen, sot në vitin 1935 pas Krishtit vetëm më vajguri. Sikur Sita me shpenzimet e saj të bënte gratis instalimet në të gjitha këto shtëpi, jo vetëm lidhjen me telin e distribucionit, por edhe instalimet e brendshme të shtëpive, kishte për të fituar mjaftë dhe veç fitimit do të rivendikonte me çdo të drejtë titullin “Shoqëri Kombëtare”, me që do të bëhesh një faktor zhvillimi me një rëndësi të madhe. Ç’uditemi…Po urdhëroni hesapet!
Si mund të ndriçohet Tirana?
Nga të 7500 shtëpitë që sot janë pa elektrik, natyrisht shumë që nuk justifikohen të marrin korrent, nga fakti se janë shumë të vjetra, si janë fjala vjen disa kasolla në Tabakët etj. Pra ato që kanë nevojë për dritë. Do t’i llogarisim në 4000. Këtë shumë e kemi gjetur pas një hetim i dhe jo kuturu! Siç thanë teknikët një instalim me 3 llamba, me sahatin, me të gjithë koston mesatarisht 80 fr. ar duke përdorur material të mirë. Ne do të llogarisim për të patur numra të rrumbullakosura, nga 100 franga. Pra kemi 4000 shtëpi me nga 100 franga ar 400.000. veç këtyre Sita do të harxhojë edhe për zgjerim të rrjetit të saj të distribucionit. Nuk jam kompetent por një që di nga këto gjëra më tha se Sita duhet të harxhojë 30.000 franga. Unë them 50.000 franga ar. Kështu kemi gjithsej 450.000 franga ar që do t’i kostojnë Sitës për instalimet e elektrikut në të gjithë Tiranën. Centrali i sotshëm i Sitës, pa asnjë shtesë personeli dhe makineri, mund të produktojë edhe 1.000.000 kilovat akoma. Natyrisht edhe do të harxhojë diçka Sita për naftë dhe të tjera që nevojiten për prodhimin e elektrikut, por për të mos e zgjatur, ne, le të pranojmë se prodhimi i ri do të kostojë sa edhe prodhimi i vjetër, domethënë 13 cantim ar. për kilovat në muaj mesatarisht, Kështu do të kemi abonentë të rinj 4000 për 10 kilovatë, baras me 40.000 në vit. Tashti le të bëjmë provën verifikuese duke shtuar në koston prej 62.400 fr. ar siç thamë më lart, duke llogaritur në këtë kamatë për 12 % në vit. Pra kemi: kosto 480.000 kilovat për 0.13 fr. ari 62.400 interes kapitali. 450.000 për 12 % 54.000 shuma 116.400. kemi inkasime për korrent, siç u tha më nalt fr. ar 264.000 dhe pra na mbetet fitim i thjeshtë 147.000 fr. ar në vit. Domethënë brenda dy vjetësh e gjysëm kryejmë kapitalin që disponojmë për instalimet që do të bëjmë gratis në 4000 shtëpira të Tiranës dhe për nëntë vjet e gjysëm që ka jetë shoqëria e jonë do të shtohen në fitimet t’onë edhe me 201.000 fr. për vit. Nga kjo shumë të dashur aksionistë, ne duam të efektojmë vetëm fr. ari 189.040 në mënyrë që juve të mirni 170 fr. ar për çdo aksion dhe jo 85 që marrin sot dhe kusurin prej 12.560 fr. ari në vit do t’ia falim… administratës së soçme të Sitas për gabimet që eventualisht kemi bërë, për faj të tyre, pse s’na dhanë hollësira që i’u kërkuam për ta bazuar studimin t’onë në fakt të pakontestueshëm. Por, mos kini gajle, se dhe këto baza që kemi marrë, janë krejtësisht të sigurta dhe të vërteta. Po të jetë ndryshe le të na e përgënjeshtrojë Këshilli Administrativ i Shoqërisë, pse e dimë që Drejtori i Përgjithshëm nuk ka kompetencën e iniciativës. Nejse, ne thamë se shoqëria këto instalime t’i bëjë gratis, por nuk është nevojë. Nuk duam një bujari aq të madhe nga ana e saj.
SITA – Si mund të ndriçohet Bulevardi Zog i I-rë – Propozimet t’ona
Në numrin e djeshëm te gazetës provuam se Sita-s ia do interesi që ta ç’porë vajgurin nga Kryeqyteti dhe akoma se i del hesapi sikur të gjitha instalimet t’i bëjë komplet gatis me shpenzimet e saj. Por, një bujari aq të madhe nuk e duam nga shoqëritë në fjalë. Ne sot do të bëjmë disa propozime të tjera, natyrisht pa asnjë shpresë se këto propozime do të merren në studim prej Shoqërisë dhe gjithashtu pa asnjë shpresë se Shteti mund të zgjohet dhe ta kapë atë shoqëri dhe ta sjellë në vete, duke i thënë se për hatrin tonë, unë, shteti, nuk mund të mbetem indiferent përpara fitimesh kolosale – tamam skandaloze – që zotërote nxjerr nga populli, sikundër nuk mund të rri me duar kryq para faktit që populli kripën e han… të lagur dhe Kryeqyteti noton në errësirë! Ne kemi vetëm një shpresë se, kush e di, ndofta dreqi thyen këmbën e vet dhe aksionistët e shoqërisë, shumica e madhe e të cilëve janë njerëz të ndërgjegjshëm, përparimdashës dhe nuk e durojnë titullin e ç’frytëzonjësit, ia imponojnë ndonjë ditë administratës së shoqërisë së tyre që ta drejtojnë Sita-n nga udha e zhvillimit të vendit, i cili është Atdheu, shtëpia e tyre. Vetëm këtë shpresë kemi dhe me këtë shpresë po i bëjmë këto propozime.
Për ndriçimin privat
Por njëkohësisht duhet të ç’porret edhe vajguri nga shtypit e kryeqytetit dhe për këtë gjë duhet dhe ka çdo posibilitet (mundësi, shënim ynë), që të ndihmojë dhe ta imponojë Sita. Provuam mënyrën fare të qartë se Sita-s i del hesapi sikur ta bëj gratis të tëra instalimet komplet. Sot themi se kryeqytetasit s’e kanë këtë pretendim. Kryeqytetasit janë të kënaqur të veprojnë edhe Sita, siç vepron edhe Stamles. Instalimet e brendshme të shtëpive, secili pronar i bën vetë pse nuk kostojnë shumë, ka hesap dhe mundësi t’i bëjnë vetë. Por Sita të detyrohet ta lidhë këtë instalim me telin e distribucionit dhe të japë edhe sahatet kundrejt një shpërblimi 1 fr. ar për lidhjen dhe 0.50 santim ar në muaj për qera sahati me të drejtë që klienti kur të paguajë Sita-s vleftën e sahatit, të mos i japë qera. Në këtë mënyrë Sita s’ka nevojë të disponojë 450.000 fr. ari qe thamë dje për instalimet, por të disponojë vetëm 50.000 fr. ar për zgjatjen e telit të distribucionit dhe nja 300.000 fr. ar për lidhjet dhe sahatet, dhe këto hesape të bëra bollë-boll. Fitimet do të jenë njësoj, pse të gjitha shtëpitë do të venë elektrik, pse do të kenë interes.
Rezultatet
Dhe tashti që thuajse mori fund studimi ynë, mbi gjendjen e shoqërisë Sita, le të bëjmë një përmbledhje. Kemi provuar se Sita mund t’u rezervojë aksionistëve të saj po ato fitime që gjer më sot u ka ndarë, duke zbritur çmimet e produktorëve të saj dhe duke bërë vepra që emrin e saj do t’ja bëjnë të pavdekshëm. Për të bërë të gjitha këto, duhet që pikë së pari të ndryshojë taktikë administrata dhe në vend të sarafllëkut të ushtrojë një tregti të dobishme për popullin. Pra, propozimet t’ona janë këto:
a) Çmimet e kripës do mbeten sa janë, por Sita do të detyrohet të organizojë agjensira edhe në qendrat e komunave më të vogla. Duke ua paguar hakun agjentëve dhe transportuesve dhe duke organizuar një kontroll të mirë, do të fitojë që populli kripën ta hajë pa lagur.
b) Çmimet e elektrikut t’i zbresë: për ndriçim publik në samtim ar 40 % për ndriçim privat samtim ar 55 dhe korrent industrial në samtim ar 35.
c) Të ndriçojë me shpenzimet e saj Bulevardin Zog i I-rë.
ç) Të heqë dorë nga të drejta lidhje dhe qeraje e sahateve automatikë.
d) Të bëjë lidhjet me telin e distribucionit kundrejt një shpërblimi fiks prej 1 fr. ar dhe të instalojë gratis sahatet duke marrë për këtë të fundit, në rast se pronari nuk do ta blejë, 50 santim ar në muaj si qera. Por veç këtyre, natyrisht s’do të heqë dorë shoqëria nga fitimet ilegale që ka nga…pullat e monopolit, nga garancitë e tjera…
Mavraqi: Ja si mund të ndriçohet Bulevardit Zog i I-rë ME 1000 franga
Në shkrimin e tij të botuar në gazetën “Arbnia”, ku gazetari dhe publicisti i njohur, Aleks Mavraqi atakonte shoqërinë SITA- (e cila kishte në pronësi edhe Centralin Elektrik të Tiranës), duke e akuzuar atë për fitime të paligjshme, i sugjeronte asaj që të merrte përsipër edhe ndriçimin e Bulevardit kryesor të Tiranës (Zogu i I-rë), pasi sipas tim, për atë gjë ajo shoqëri nuk do të kishte ndonjë shpenzim të madh. Lidhur me këtë gjë, ndërmjet të gazetari Mavraqi shkruante: “Kemi harxhuar aq të holla për të bërë Bulevardin madhështor, të cilit i kemi dhënë edhe emërimin e Mbretit të Shqiptarëve. Çdo pllakëz na ka kostuar thuajse një napolon. Nuk i qajmë të hollat. Hallall qofshin, pse puna që u bë është madhështore dhe aq koston, e kemi pa dritë! Bashkia e Kryeqytetit jo sot, po as pas 50 vjetësh nuk do të jetë më në pozitë ta ndriçojë atë Bulevard, pse Sita i kërkon paratë e dynjasë, në bazë të kontratës…Sita, me gjithë ato, ka fituar shuma kolosale, nga populli i Kryeqytetit, aq sa sot ky popull e urren pa masë. Sikur sot të bëhesh një plebishit – gjë që na u propozua – midis kryeqytetasve nuk do të gjendeshin as 10 vetë të votonin në favor të shoqërisë në fjalë! Urrejtja e popullit kundër Sita-s është plotësisht e justifikuar, pse ajo gjer më sot ka vepruar si një saraf dhe jo si një organizatë ekonomike për të mirën e vendit. Ja tashti, i jepet rasti që këtë urrejtje ta transformojë në një admirim. Nuk kërkojnë kryeqytetasit që të bëjë Sita gratis instalimet e shtëpive. Por kërkon që Sita me harxhet e saj të kompletojë madhështinë e Bulevardit që sjell emrin e Mbretit të Shqiptarëve. Mos kujtoni së është ndonjë harxh i madh ky për Sita-n? Aspak! Këtu flas me autoritet të plotë, pse çështjen e zotëroj mirë. Para dy vjetësh, drejtoja shoqërinë I.S.E.H. dhe kryetari i Bashkisë zoti Nepravishta më kishte kërkuar një ofertë për shtylla të hekurta madhështore për ndriçimin e Bulevardit. Për Bulevardin duhen 110 shtylla. Këto shtylla me instalimin në vend, shoqëria I.S.E.H. i mirte sipër 180 fr. ar njërën, që bëjnë 19800 fr. ar. Një mijë napolona për Sita-n nuk janë hiç gjë. Sita gjer më sot provohet nga bilanci i saj ka fituar gjithsej 3.547.280 fr. ar, domethënë duke hequr kapitalin prej 1.112.000 fr. ar plus 17 % për shtatë vjet që pranojmë si fitim të logjikshëm – Shoqëritë industrialo-tregtare në botën tjetër fitojnë vetëm 4-7 % – na ngel se ka fituar më tepër se sa duhet 1.112.000 fr. ar, që na bëjnë 55.600 napolona. A është ndonjë punë e madhe tashti sikur të harxhojë një mijë napolona për të kompletuar Bulevardin që sjell Emrin e Mbretit t’onë dhe që është një nder për kryeqytetin? Nga administrata e Shoqërisë një nisjativë të këtillë nuk e presim, për arsye se ata kujtojnë se qëllimi i shoqërisë është që të fitojë sa më shumë, por nga aksjonistat e presim këtë gjë, të cilën e kanë për detyrë kundrejt vendit dhe vetes së tyre”!/Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016