Nga Armand Plaka
Memorie.al / Detajet për atë që ka ndodhur si në aspektin sportiv, ashtu dhe në atë dokumentar historik, në fakt i plotëson më së miri një artikull i të mirënjohurit Uvil Zajmi (shih: Bekenbauer, me shokë lagnin këpucët në Tiranë prej urdhrit të Mehmet Shehut, Uvil Zajmi, Panorama Sport, 18 shkurt 2016). Sidoqoftë, mjaftoi vetëm një foto që ma nisi dy ditë më parë një mik im(R.Ç.), shkëputur nga një album fotografik i ikonës së futbollit gjerman, Franz Beckenbauer, që të më ngacmonte të shkruaja këto radhë, e ta risjell edhe një herë në vëmendje atë ngjarje, nisur nga rezultatet e Kombëtares tonë me Sylvinho në krye, në këto eliminatore për Kampionatin Evropian të Futbollit, Gjermani 2024.
Ishte viti 1971, kur Kombëtarja Gjermane e Futbollit, do të shkelte për herë të dytë në tokën shqiptare, si pasojë e shortit që e vendoste atë brenda një harku të shkurtër kohor, sërish përballë të njëjtës skuadër, e që do duhej konsumuar sërish brenda eliminatoreve të së njëjtit kompeticion, si tani, Kampionatit Europian, “BELGJIKE – 1972”.
E sërish sikurse në takimin e parë, jo vetëm interesi, por çuditë nuk do të mungonin në këtë përballje, e cila duhet thënë se në aspektin historik sportiv, ishte pikërisht porta që iu çel Kombëtares së Republikës Federale të Gjermanisë, për të nisur rrugën e saj drejt sukseseve më madhore (mjafton të kujtojmë këtu faktin se Gjermania Perëndimore brenda asaj dekade, u shpall një herë Kampion Europe, një herë Kampion Bote, ndërsa “Bayern” i Mynihut tri herë radhazi, fitues i Kupës së Kampioneve të Europës) që e katapultuan atë, ekipet gjermane dhe vetë futbollin gjerman në vitet ’70-të të shekullit të kaluar, si ndër më të mirët në botë.
E këtë radhë, ndryshe nga 1967-ta, asgjë nuk do të neglizhohej e VIP-at e futbollit gjermano-perëndimor, si; Franz Beckenbauer dhe Gerd Müller, të cilët kishin refuzuar në atë kohë të luanin ndaj Shqipërisë, këtë radhë ishin vënë në rresht për një, përkrah legjendave si; Patzke, Veber, Overat dhe Netzer, për të arritur objektivin, pasi vinin edhe nga një barazim me Turqinë në Gjermani, i cili në ato momente, ua rrezikonte jo pak objektivat, nëse s’do të kishin fituar në Tiranë.
Madje këtë radhë, do të dilnin në pah edhe emra të tjerë që do ktheheshin në legjenda të vërteta të futbollit gjermano-perëndimor e atij botëror, si; portieri Majer, Berti Vogts e, një ekip më i rinovuar në përgjithësi, drejtuar me mjeshtëri nga legjenda Helmut Schoen, trajneri më jetëgjatë në stolin e Kombëtares Gjermane.
Një situatë relativisht e ngjashme, megjithëse jo në kufijtë e një pandemie aq vrastare sa ajo qw u kalua me “Covid-19“, diktuar nga një valë epidemie malarie, qëlloi të prekte lehtësisht edhe vendin tonë pikërisht në kohën që “Nationalmanschaft“ – i do shkelte në Rinas për të nisur “aventurën“ shqiptare.
E në këtë atmosferë, yjet e Gjermanisë Perëndimore, zbritën në Rinas më 15 shkurt, dy ditë para ndeshjes zyrtare, që do të kurorëzohej me një fitore minimale 0:1 për ta, në “Qemal Stafa”, më 17 shkurt 1971. Dhe pikërisht aty i pret edhe “surpriza e parë“, që vinte si pasojë e një urdhri të dhënë nga ish-kryeministri Mehmet Shehu, sipas të cilit, të gjithë të huajt që do të zbrisnin në Rinas, do të duhej që këpucët dhe duart, t’i pastronin në një përmbajtje dezinfektuese, për t’u siguruar, se nuk do përcillnin asgjë nga mikrobet që mund të sillnin nga vendet e tyre.
E pikërisht këtë moment, që për publikun shqiptar na shfaqet për herë të parë dhe mungon i dokumentuar edhe në artikullin e Yvil Zajmit, na e rezervon vetë Franz Beckenbauer, në një album personal fotografik me titull: “Schau’n mer mal” – Franz Beckenbauer – Geschichten und Bilder einer aussergeëöhnlichen Karriere”, me autor Tom Bender dhe Michael Pfad, botim i vitit 1995.
Ajo i referohet një shprehje të famshme të përdorur në dialektin bavarez nga legjenda Beckenbauer “Schau’n mer mal” që në shqip do të thotë pak a shumë “të shohim një here”, e që përmban momente nga jeta e tij futbollistike, e ajo familjare. Titulli vijon në fakt me: “Franz Beckenbauer-Histori dhe imazhe të një karriere të jashtëzakonshme”. Albumi çelet me një parathënie të ish-Kancelarit të ndjerë të Republikës Federale Gjermane, Helmut Kohl.
Sigurisht se, shumë fansa të tij në Gjermani e në Shqipëri, padyshim se e posedojnë atë, dikush si dhuratë e dikush, si të blerë në vitet ’90-të, por askujt nuk i kishte rënë në sy një detaj shumë i veçantë në lidhje me Shqipërinë, në përmbajtje të këtij albumi.
Është pikërisht një foto që edhe pa diçiturë, flet shumë, por gjithsesi në diçiturën e saj shkruhet: “Aeroporti i Tiranës / Beckenbauer duhet të lajë duart në një solucion desinfektues. Në këtë mënyrë eliminohen të gjitha viruset kapitaliste. Vetëm pas kësaj, mund të vijonte udhëtimi për më tej. Në ekstremin majtas në foto, shihet edhe Berti Vogts”.
Është sigurisht një detaj që lidhet shumë me situatën aktuale, pavarësisht se s‘ka dyshim se autorët e albumit e kanë përfshirë në atë kohë këtë detaj në album, pikërisht për të sjellë edhe më fort efektin e habisë në kufijtë e një humori thuajse të zi, që e ilustron edhe më shumë izolimin e vendit tonë në ato kohë. Mund të ketë qenë sigurisht edhe një përzgjedhje e vetë Beckenbauerit, por kjo pak rëndësi ka.
Nisur nga situate që u kalua me pandeminë prej virusit Covid 19, tashmë e shohim se s‘paskësh qenë aspak një masë e tepruar, e as e qesharake, duke pasuar parasysh protokollin e orientimet e sjella nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, në të tilla raste, ku kontakti i parë me të huajt, shpesh të dikton edhe futjen në karantinë, në raste ekstreme si ai i pandemisë.
Franz Beckenbauer do të vinte edhe disa herë të tjera në Shqipëri e, do të takohej edhe me miq, e tashmë ai e dinte se jo vetëm në 1971-in, kur stadiumi do të mbushej plot e përplot, për të parë qoftë edhe seancat stërvitore të “Nationalmannschaft”-it, shqiptarët përtej “solucionit desinfektues” do të rezervonin për të e mbarë kombëtaren gjermane, gjithë admirimin e tyre.
Ajo VKM dhe ai vendim i ish-kryeministrit Mehmet Shehu, do të vijonte të kishte fuqi madje edhe pas viteve ’90-të, në kohë fare të zakonshme (edhe pse jo në Rinas), ku dëshmitarë janë shpesh udhëtarët që kalojnë në pikat e Kalim-Kontrollit Kufitar tokësor, ku u duhet të njomin me solucion gomat e makinave të tyre, një procedurë që veç kohës e kostos, u duket sidoqoftë shumë e habitshme dhe qesharake.
Përtej fotos që na përcillet nga albumi në fjalë, po sjell në këtë prurje edhe disa foto të shkëputura nga shtypi gjermano-perëndimor i kohës (të cilat për të mos kaluar në përsëritje vulgare, po ashtu nuk gjenden në artikullin e Uvil Zajmit), që shoqëruan atë ngjarje që sikurse e theksuam, shtroi padyshim rrugën e sukseseve më madhorë në historinë e futbollit gjermano-perëndimor dhe ka lënë gjurmë të mëdha në historinë e futbollit botëror, përsa i përket skemave taktike dhe shpirtit të garës në ekip, që nuk gjendet askund tjetër në botë në atë masë, sa në atë gjerman. Memorie.al