Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e gjashtëdhjetë
S P A Ç I
Varri i të gjallëve
Tiranë, 2018
(Kujtime të miat dhe të të tjerëve)
Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.
“Vetëm godina e Komandës së Repartit 303, gëzon të drejtën e flamurit, kurse juve, u kanë sjellë me vendim gjykate, për riedukim” – u rrek të dilte nga qorrsokaku, zëvendësministri.
“Kujt më tepër se ne, trashëgimtarëve gjenetikë të atyre burrave që e vaditën me gjak dhe e valëvitën të lirë pas pesëqind vjetësh robëri, u takon ta mbrojnë Flamurin”? – vijoi të tijën Hajrua. Pas topitjes së fillimit, zëvendësministri duket e zotëroi disi veten dhe hyri në temë:
“Takimin e pranuam me idenë që të diferencojmë ata pak rebelë nga të pafajshmit dhe t’i izolojmë, përkundrazi çdo kundërshtim do shpaguhet me kokë”!
“Lëri kërcënimet zotni, sepse me veprimet tuaja të papërgjegjshme, e çuat gjendjen në zgrip”! – ia ktheu Paulini. –
“Erdhëm këtu në emër te bashkëvuajtësve dhe me vullnetin e mirë të gjejmë një zgjidhje për problemet që na shqetësojnë, t’ua parashtrojmë njëherësh, edhe një paketë kërkesash, që…”!
“Kërkesat paraqitni me shkrim! Unë dua të njihem me shkaqet qe i nxiten ata pak të dënuar të ndërmerrnin veprime në shkelje të ligjit dhe të rregullores” – e dru njëzoi gjuhën zëvendësministri.
“Të sqarohemi zotëri, s’janë disa, por të gjithë reaguan si trup i vetëm, ndaj papërgjegjshmërisë dhe dhunës së përsëritur që ushtroni prej vitesh” – u hodh Nuri Stepa.
“Pikërisht për këto, lipset të flasim! Sepse ka edhe ndër ne, oficerë apo policë të papërgjegjshëm, që shkelin udhëzimet e partisë dhe të shokut Enver, me dashje apo jo, si dhe rregulloret për trajtimin e të dënuarve. Ne jemi gati nëse lind nevoja, të ndërmarrim masat përkatëse, për të vënë në shinat e ligjit, secilin shkelës, nga ju dhe mes nesh”, – dredhoi zëvendësministri.
“Zotni, fajtori fshihet pas pushtetit, ky është edhe rasti ynë”! – e kundërshtoi Paulini dhe shtoi: – “Prej kohësh janë bërë vazhdë ndëshkimet arbitrare, na izoloni në biruca, na lidhni me tela, na mbani dy turne në minierë, edhe kur jemi të sëmurë, edhe kur s’realizohet norma për fajin tuaj, na pretë korrespondencën dhe takimet me familjarët, na sekuestruat librat dhe shënimet, na…”!
S’dua ta përsëris, ankesat i paraqitni me shkrim! Ju premtoj se do t’i shqyrtojmë një për një dhe do t’ju përgjigjemi në kohë optimale. Njëherësh do marrim masa ndaj çdo shkelësi, qoftë komandanti apo komisari i kampit”, – ia preu fjalën zëvendësministri. – “Por së pari ju këshilloj të distancoheni nga rebelët, që nxisin destabilizim dhe orvaten të implikojnë edhe hallexhinjtë”.
Edhe bufi e lexonte nëntekstin e këtij pasazhi. Përfaqësuesi qeveritar synonte përçarjen, bash siç u shpreh xha Rustemi: “Të na ndajnë fije-fije, që të na nënshtrojnë më lehtë”! Termi “rebelët” në gojën e tij, i ngjiste pilulës së helmatisur. Mbase mëtonte të diferenconte “rebelët” e piketuar nga masa tjetër, që të vriste zogun e dytë, me dëshmitë e “hallexhinjve”. Përfaqësuesit tanë e nuhatën kurthin dhe iu përgjigjën insinuatës së ofiqarit, flakë për flakë:
“Zotëri, ju s’keni të drejtë t’i konsideroni rebelë, këta burra të nderuar, ne s’jemi hajdutë ordinerë, por të dënuar politikë, patriotë të ndershëm dhe shqiptarë të mirë”! – ia preu Hajriu. – “Me këtë gjuhë s’mund të vazhdohet gjatë…”!
Ndërhyrja e kapi gafil zëvendësministrin, që e ndërpreu duke tundur gishtin: “Lëre politikën i dënuar dhe përqendrohu te problemi! Ligjet e trajtojnë rebelimin, njëlloj si për ordinerët, edhe për politikanët”! – dhe u skuq sa gati i plasën venat.
“Zotëri, para takimit shpresonim se do na trajtonin me respektin qe meritojnë emisarët e burrave që po protestojnë prej më se njëzet e katër orësh dhe na dërguan t’i përfaqësojmë, por kërcënimet dhe kushtet që po vini, nuk premtojnë shpresë për ndonjë marrëveshje të hairit. Ju lutem, ose ndryshoni gjuhën dhe eja merremi vesh, ose ndërpresim bisedimet dhe iu rikthehemi pozitave të mëparshme”! – Nuri Stepa u bë gati t’i kthente krahët.
Kjo sjellje diplomati, e tërboi zëvendësministrin, që iu drodh shtati, si t’i kish rënë epilepsia. Mirëpo Paulini, s’i la kohë ta mblidhte veten:
“S’duhet ta përmendni rebelimin zotni, ky fenomen s’ka lidhje me rastin! Protesta e detyruar, është kundërvënie ndaj dhunës dhe shkeljes së atyre pak të drejtave që na njeh ligji. Si do vepronim ndryshe, kur na trajtoni si kriminelë?! Jo zotni, ne s’jemi të tillë, ndaj këmbëngulim të mos ndëshkoni asnjërin prej nesh dhe të zbatoni ligjin e rregulloret…”!
“Cilët qenkeni ju, që na tregoni ligjin dhe na mësoni si të zbatojmë rregulloret”? – e ndërpreu ofiqari arrogant. – “Gjykatat popullore, u kanë dënuar me punë të detyruar, kurse neve na kanë ngarkuar t’u ruajmë dhe të kërkojmë zbatimin e ligjshmërisë, deri në një. S’do tolerojmë kënd të shkelë normat ligjore, e morët vesh apo jo? Mund t’iu sqaronim edhe me metoda alternative, por…”! – ngriti tonet, në shenjë kërcënimi.
Me “metodën alternative”, titullari mëtoi të thyente negociatorët, për rrjedhojë edhe shtatëqind “rebelët” në kamp.
“Zotëri, ne jemi të përgjegjshëm në drejtësinë e kërkesave tona. Të kesh ide të kundërta, është më se normale, por t’i trajtosh kundërshtarët si armiq, është anomali! Nga një anë na keni dënuar për bindje, nga tjetra na detyroni të punojnë në miniera! Vetëm ju mund ta bëni këtë kiamet, sepse gjithkund në botë, e respektojnë këtë kategori dhe aplikojnë amnisti, kurse ju i keni vënë drynin, qysh se jeni prishur me Rusin. Pra siç tha parafolësi, insistojmë të lëmë minierat dhe të rikthehemi në ndërtim, njëherësh kërkojmë të shihen dënimet e padrejta, përndryshe, gjendja do përshkallëzohet më tej”, – shpërtheu Hajrua.
“Cili qenka zotëria juaj, që meritoka kaq respekt”!? – Feçori u skuq nga pezmi.
“Një bashkëfshatari yt nga Hekali”! – ia ktheu zjarr për zjarr Hajriu.
“Ore, do ta qepësh buçen, apo ta shkurtojmë llapën, që ma paske një pash”! – sërish me ton të lartë.
“Të bërtiturat s’janë argument zotëri, as arroganca që po aplikoni! Ju mund të na impononi etjen, urinë, dhunën, por s’mund të na nënshtroni kësisoj! Meqë na keni dënuar për bindje, jemi në të drejtën tonë, t’ju bëjmë apel, të na trajtoni si çdo politikan në botë, të respektoni të drejtat dhe liritë që njihen nga konventat ndërkombëtare”.
“Të shkërdhefsha konventat imperialisto-revizioniste”! – zëvendës- ministri nxori gishtin e mesit, por iu drodhën duart
Në dallim nga Nuriu dhe Paulini, dy politikanë gjakftohtë dhe diplomatë të sprovuar, artisti Hajri, mori zjarr dhe shpërtheu:
“Fute në prapanicë atë gishtin që nxore! Edhe pse keni forcën, s’keni të drejtë të nëpërkëmbni dinjitetin e shtatëqind të dënuarve, që po protestojnë prej dy ditësh dhe as tonin si zëdhënës të tyre. Po ua përsëris: përgjegjës për ç’po ndodh, jeni ju, ndaj ngulmojmë në kërkesat tona të ligjshme:
– Të mos ndëshkohet asnjëri prej nesh.
– Të mos punojmë në miniera.
– Të na transferoni në ndërtim.
– Të krijoni lehtësi komunikimi me ambasadat dhe organizatat ndërkombëtare, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, me qendër në Helsinki. Njëherësh ftojmë një ekip ekspertësh të O.K.B.-së, për t’u njohur në terren, me kërkesat dhe ankesat tona”.
Kjo ligjëratë e derdhi kupën, shtetari u përdrodh majtas-djathtas, zgjati veshin nga komisari, që diç i kumtoi dhe u trus:
“Këndoke si bilbil ti karafil, pa na thuaj ç’kërkon tjetër”!? – ironia i shpërtheu nga poret. – “Ore bandill, mos je këlyshi i banditit Zenel Pashaj nga Hekali ti”? – kjo retorikë fshihte sadizmin, fyerjen dhe kërcënimin primitiv.
“Si urdhëron o çapaçul i Shehajve, jam biri i atij që i ke mbajtur pe-ngjitë, kur hipte e zbriste nga kali dhe i fshije këpucët me fundin e xhaketës”! – ia ktheu me të njëjtën monedhë Hajrua.
Zot sa të madhëron liria, të qep flatra dhe të ngre në qiellin e shtatë! Habia kapërceu kufijtë e reales dhe hyri në sinorët e irealitetit, tipi i mirë që njihja prej pesë vjetësh, mori përmasa gjigante! Çudi si se paskësha pikasur dragoin, nën lëkurën delikate të artistit që harbohej pas këngëve lirike dhe pas tambureve të xhazit! Gjatë tërë kohës, ai fliste për letërsinë, për artet e bukura dhe natyrisht për muzikën, hobin e tij po asnjëherë për politikë, ndonëse gjendej në burg, bash për shkak të saj?!
Kataklizmat shoqërore i japin të tjera përmasa njeriut të rëndomtë dhe e kthekan në hero! Replikat provokuan një gjendje makthi tej e tej kampit, sa thua gjithësia ndali frymëmarrjen, bimët humbën gjelbërimin, zogjtë u stepën mes gjetheve, bletët ngrinë mbi lule, lulet u vyshkën, fluturat shtangën në ajër, shqiponjat mbetën pezull mbi kreshta, madje edhe dielli u var si saç i skuqur pas kupës qiellore dhe na shigjetoi me rreze djegëse.
“Yt atë i la eshtrat në burgun e Gjirokastrës, ti do t’i lësh në Spaç”! – Feçorri dridhej i gjithi.
“Horrat dhe burracakët veprojnë nën hyqmin e shtetit! Po avash o zagar, se po ju ngushtohet rrethi dhe shpejt do ndryshojmë vendet”!
Shpirti i artistit i ngjet qelqit, i reziston afshit të furrnaltave, por e kris një kub akulli!
Paskëtaj dy bashkëfshatarët kaluan në fyerje reciproke. Zëvendës- ministri nxori nga goja gjithë të pëgërat e fjalorit shqip, por edhe artisti, s’i la gjë mangët. Kësisoj takimi përfundoi në kacafytje gjelash.
“Je i vdekur! Je i vdekur! Je i vdekur”! – klithi histerik zëvendësministri.
“Të falënderoj për fundin e lavdishëm, që po më rezervon, po mos harro, ky të pret edhe ty! Unë po vdes si martir dhe do kujtohem si hero, ty do të shtrydhin pikën e fundit dhe do të të flakin si zhele”!
Ballafaqim i pabarabartë paravendosi fatin e orakullit Hajri, që s’u thye bash si lisi gjigant, me rrënjët thellë në tokë, teksa bashkëfshatari fërfëllinte si fleta e hallakatur nga era.
Takimi mori fund. Shtetarët iu drejtuan komandës, kurse misionarët e lirisë u kthyen krenarë dhe dinjitozë, mes duartrokitjeve të gjindjes që iu preknin gjymtyrët, si të ishin totem fatsjellës.
Turma u sul, kush t’i përqafonte më parë, mes tyre edhe unë. Takova Nuren, që e njihja më pak, pas tij Paulinin, mikun e qelive të Shkodrës, por u bllokova kur iu qasa Hajros, ndoshta heroizmi i papritur veshur me tis misteri dhe i dha të tjera përmasa, iluzion që më ndjek edhe sot e kësaj dite. Por kriq-friqet e megafonit e fashitën melankolinë:
“Vini re! Vini re! Ju paralajmërojmë se, afati i dorëzimit, mbetet ora pesë, përndryshe do përballeni me pasojat”, na çorën veshët kërcënimet e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Kasëm Kaçi.
“Poshtë komunizmi”, “Rroftë Liria”, “Vdekje kriminelëve të popullit shqiptar”, “Rroftë Shqipëria e lire”, “Duam Shqipërinë në Helsinki”, “Liri për të dënuarit politikë”! “Nuk punojmë në miniera, as sot, as mot”!, “Ju jeni katilë, i keni lyer duart me gjakun tonë”, etj”, iu përgjigj liria, që sfidoi kësisoj ultimatumin qeveritar dhe kriq-friqet gërryese të megafonit. Pas kësaj u shumëfishua stresi, dhunës iu shtua edhe një kërcënim më shumë.
Dita po zvarritej me tempin e kërmillit. Mungesës së ujit dhe ushqimit, iu shtua i nxehti përvëlues si rrallëherë në lugun e Spaçit, plus dhuna psikike dhe represioni i paparë policor. Mungesa e elementëve jetikë, i dha efektet e para te të moshuarit dhe të sëmurët, më pas te të tjerët, por falë sakrificës së më të fuqishmëve, që iu gjendën të dobëtëve, më të rinjve që ndihën të moshuarit dhe të sëmurët, me ndonjë enë ujë apo, ndonjë porcion ushqim, pasojat u zbutën disi. Gjithkush që diç pat ruajtur nëpër thasë, i boshatisi dhe i ndau me miqtë, duke hequr dorë vullnetarisht, nga pjesa e vet.
Sakrificat proverbiale të atyre tri ditëve, toleranca dhe solidariteti që i kaptuan caqet e kufijve njerëzorë, sheshuan kontradiktat fetare, politike dhe krahinore, kurse vetëmohimi do dëshmonte traditën e lashtë shqiptare; “Vëllai për vëllanë, bëhet kurban!”. Kur kundërshtarët u gjendën papritmas në arenën e luftës, i harruan konfliktet, ndanë mes tyre pagurin e ujit dhe krodhën e fundit të bukës.
Për të prekur madhështinë dhe vlerat sublime të atij realiteti të mrekullueshëm, që zor s’e hasej kund në mjedisin ku farkëtohej Lej-feni shqiptar, apo sot kur ka bjerrur humanizmi dhe mileti, rendin pas parasë, lipsej të ishe brenda qerthullit me tela gjembaçë, ndryrë në arenën e qarkuar nga mijëra ushtarë të armatosur, në pellgaçen ku kishin kllaposur burrat kreshnikë të krejt Shqipërisë politike dhe etnike, nga Jugu, nga Veriu, nga Lindja, nga Perëndimi, atje ku po luhej akti i tragjedisë kombëtare, me aktorët më të shquar të të gjitha trevave, nga; Presheva, Bujanovski dhe Novi Pazavi, nga Kërçova, Shkupi dhe Gostivari, nga Janina, Preveza, Parga dhe Filati, nga Ulqini, Tivari, Plava dhe Gucia, nga Mitrovica, Prishtina, Prizreni, Gjakova dhe Peja etj., pa shtënë në hesap qytetet dhe fshatrat e këtushëm.
Në momente e para, u kapën pothuaj të gjithë në befasi dhe kur u gjendën mes vorbullës së revoltës, e humbëm toruan, por me rrjedhën orëve, u ndërgjegjësuan dhe u përshtatën me situatën. Dita e parë qe shumë e ngarkuar, nisi me dhunë dhe u mbyll nën dhunë, por përmes saj çliruam kampin. Ditën e pasoi një natë me zhvillime dramatike, që rrëmbzen edhe më apatikët.
Flladi i lirisë polli oratorët e panjohur, që ngritën peshë shpirtrat e revoltuar me fjalimet patetike, demaskuan perversionet marksiste-leniniste dhe enveriste, me gojëtarinë brilante, teksa trashëgimia komuniste do përzhëlitej në zjarr, mbi pallat do valëvitej flamurit kombëtar, pa yllin e kuq.
Ditën e dytë, u shtua mobilizimi, por sikur ra paksa entuziazmi, pas ballafaqimit dhe mosdakortësisë me shtetarët. Fillimisht tuta fshiku edhe më trimat, por ndjenja e përgjegjësisë dhe konsekuencat e pashmangshme, dhanë efekt të kundërt, rritën rezistencën dhe solidaritetin, për shokun në nevojë.
Kur na mposhti lodhja, iu drejtuam shtretërve të mblidhnim forcat që të përballnim edhe një natë ankthi. Ndërsa të rinjtë të kapitur nga vapa, të shterur nga pagjumësia, të drobitur nga mungesa e ujit, ushqimit dhe me shpresa të vakëta, vijuan detyrën e ngarkuar nga Komiteti Ndërkrahinor, shtuan vigjilencën dhe shmangën kësisoj manovrat dhelparake, që mund të na zinin në befasi. Sapo më mundi gjumi, dy të panjohur diç folën me Fiqon dhe më tundën për supesh:
“Ti je Shkëlqim Abazi”?
“Si urdhëron”! – u gjegja mekanikisht, pa e vrarë të kuptoja në isha zgjuar apo në ëndërr.
“Na lipset pak ujë për këtë plakun”! – një plak i rrënxuar si fantazme e zbehtë dhe një mesoburrë që e mbante për krahësh, më zunë dritën dhe bënin shenja koti.
“Deshët ujë”?- shtriva dorën dhe zhvata një pagur mbi sergjen, por me ç’dukej ishte në fund, sepse plaku kapërdiu një gllënjkë dhe e plasi mbi jatak.
“Estrafkurullah, s’më njomi as fytin”! – seç shtoi tjetër dhe u ul përfund jatakut të Fiqos.
I hoqa tapën të dytit, por ishte bosh, edhe i treti s’kishte pikë. Sa nxora nga nën-shtrati bucelën e Ram Tahirit, ma rrëmbeu mesoburri dhe e ktheu në pagur.
“Pi ilaçet dhe merreni tepricën me gjithë bidon”! – dhe u përmbysa sërish.
“Ejvallah or bir, ta bëftë Zoti dritë”! – dihati plaku astmatik, gëlltiti hapet me disa gllënjka dhe mallkoi: – “Na dënuan me etje, që mos mbettë këmbë komunisti, jahrabi”! – i vuri tapën pagurit dhe çapiti pas krahut të tjetrit.
Te pragu m’u kthye edhe njëherë:
“Të fala nga Tomori, ai na dërgoi”! – dhe u larguan.
“Me ç’pashë s’i njohe fare”! – u hodh Fiqiriu, sapo çifti bizar humbi sysh.
“Jo, cilët ishin”? – u rrotullova në shpinë’
“Një dervish nga ana ime, që ka shërbyer në Teqenë e Rabies. Në të ri ka qenë i fuqishëm si ujk, por burgu e katandisi astmatik. Kurse tjetri, një profesor historie nga Libohova”, – shtoi pa e pyetur.
Më ishin mbufatur sytë nga pagjumësia dhe të ndenjurit përmbys, shkova një grusht ujë në fytyrë e në qafë për t’u freskuar disi.
“Or mik, ruaje ujin, se s’dihet sa do zgjatë kjo mesele”! – më qortoi Fiqua.
“Si thua, mos t’u jepja? Uji është jetë, i dashur”! – filozofova unë.
“Bëre mirë që u dhe, por mos e shpërdoro”!
Tashmë gjumi m’u çart. Ktheva bucelën në një pagur, mblodha një krodhë e një thërrmijë djathë me letër dhe u nisa për në seksionin lindor të kapanonin “L”, ku flinte Tomori. Isha i bindur që do ta gjeja ujshëm, tipi i tij pranonte më parë agjërimin, se t’iu hynte të tjerëve në hise.
Përfund shkallëve ndesha Tomorin tjetër; Balliun, me një tas mbuluar me beze.
“Për ku qenke nisur me këtë darovë”? – pyeti, sa pa pakon e mbledhur.
“Te Allajbeu, t’i çoj diçka për të ngrënë”.
“Vetë a ke ngrënë”?
“S’po më hahej, jam ende përgjumësh”.
“Tomorit i çova kaçamak, ti merr këtë tas dhe kthehu në dhomë” – hoqi bezen dhe ma zgjati.
“Mbase do ketë nevojë për ujë, sepse më dërgoi një plak të etur para do minutash”.
“Kë ore, Dervish Bejon? E çova unë, se duhej të pinte ilaçet! Ika”! – por u kthye sërish pas dy hapash: – “Byrazer, mos u sill nëpër kamp, se edhe pak të ka mbetur”!
“Mirë pra, merre këtë pagur, pi vetë dhe çoja Allajbeut”! – i zgjata ushkurin dhe bëra për nga shkallët.
“S’është nevoja, sapo mbusha për vete dhe për Tomorin”.
“Shyqyr që paskan çuar ujin”! – ky lajm tregonte se diç po lëvizte, nga ana e komandës.
“Jo ore jo, hapi depozitën e dusheve, Ylber Merdani! Ujë i ndenjur është, ama do regjim fytin”! – u fut në dhomën e tij pa përshëndetur.
Ndërsa flija, Ylberi kish njoftuar shokët që kishin rendur me enët bosh dhe kish çartur depozitën e dusheve. Po lajmi në burg, qarkullon me shpejtësinë e dritës, të parët ua komunikuan të dytëve, këta të tjerëve dhe pas pesë minutash depozita u boshatis. Sidoqoftë ai ujë vlejti për të shuar etjen edhe disa orë. Ushtarët i zëvendësuan me policë të forcave speciale qysh mbrëmjen e së dielës dhe veprimet e truprojave, ishin tepër kaotike.
Në pritje të perëndimit të diellit, pas qafës së Spaçit-fshat, na ngelën sytë ngulur në sheshin e komandës, sipër portës qendrore, ku parakalonin me hap rreshtor disa toga ushtarësh, që këndonin himne për partinë dhe Enverin, si dhe ditirambe për triumfin e socializmit.
Makinat, tanket dhe autoblindat, eshpëronin tej hinkës së Gurth-Spaçit, ku rruga humbte sysh, tymi ngrihej duman, duke i dhënë panoramës ngjyrë okër. Ndërkaq dy “Mig-ë” luftarakë, bënë disa rrathë eliptikë mbi pusin tonë dhe ca pikiata teposhtë e terma, lanë pezull dy pizga tymi e ikën nga erdhën.
Edhe mbas perëndimit, i nxehti vijoi më të njëjtën aptitudë, madje vapa nuk ra, as kur konturet e gurëve u tretën me përroin kuqal dhe grija pllakosi kodrat, duke i shkrirë njësh me horizontin. Ultimatumi rezultoi fals sepse, ora kish kaluar nga pesa me vakt, por ende druheshim nga ndonjë mësymje apo paralizimit me lënde kimike, ngaqë pabesia e natës dhe e komunistëve, puqen mes veti.
Pas mesnatës, perdja e zezë pllakosi kodrat rreth e qark, në kontrast me territorin e kampit, që ndriste sa të gjeje edhe gjilpërën. Mijëra llamba e dhjetëra projektorë, ndihur nga fenerët e tankeve e diagaçëve, hidhnin dritën mbi zgëqet e fshehta, teksa motorët uturinin si djaj skëterre.
Kur u ktheva në dhomë, gjeta nja dhjetë pleq të tulatur nën mbulesa. Të ujshëm e të etur nga mbi dyzet orë mundim, dikush rënkonte, një tjetër gërhiste, ndërsa dërrasat e shtretërve kuisnin vajtueshëm, teksa rrotulloheshin nga një krah në tjetrin. U përmbysa bash si ata dhe përfytyrova dhunën që do pasonte katrahurën.
“Sa orë na ndajnë nga lidhjet pas shtyllave, nga torturat në qeli, nga punën pa orar nën tokë”?! O Zot, luajta mendsh. Mendimi gërmoi zgëqet e errëta të trurit dhe zgjoi kujtimet e fëmijërisë: Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016