Nga SAMI REPISHTI
Pjesa e tridhjetë
Sami Repishti: – Në Shqipni, nuk ashtë dokumentue e ndëshkue krimi komunist i së kaluemues, nuk ashtë ba “spastrimi shpirtnor”, rrëfimi i ndërgjegjshëm e denoncimi i kriminelëve ordinerë komunistë! –
‘Nën hijen e Rozafës’
Memorie.al / Gjatë viteve ’30 dhe ’40 të shekullit të kaluem, me zbritjen e rrebeshit të pandalshëm fashist e komunist mbi Europë, ma parë e ma vonë mbi të gjithë botën, “fati” zuni për gryke edhe kombin shqiptar. Si të gjithë të rinjt, edhe unë u gjenda në nji udhëkryq ku duhej marrë nji qëndrim, qoftë edhe me rrezikun e jetës. Atëherë i thashë “jo” diktaturës, e mora rrugën që nuk kishte fund, nji lundërtar në detin e gjanë, pa brigje. Akti rebel që pothuajse më vrau, më çliroi njëkohësisht. Jam dëshmitar okular i jetës në ferrin fashist dhe komunist në Shqipni, jo si “politikan”, “personalitet” i makro-politikës shqiptare, por si student, si i ri që u ndërgjegjësova për rolin tim, në atë kohë dhe në atë vend, nga dashunia për atdhe dhe dëshira për liri; thjesht, si nji i ri me sensibilitet të theksuem, besnik i vetvetes, i jetës me dinjitet.
Nji ditë pune, kantieri u vizatue nga përfaqësuesi i Bashkimeve Profesionale të ndërtimit. Ishte nji “shoqe”, me të cilën kisha punue para burgimit në Seksionin e Rindërtimit. Me kujtohet habitja e saj, kur më pau mbas dhjetë vjetë ndamje. Në fillim më shikoi me vëmendje, sikur dëshironte me u sigurue, se nuk ishte gabim. Unë e njoha menjiherë, e buzëqesha. M’u kujtuen të gjitha bisedimet që kisha pasë me të ma parë, e sidomos natyra e saj e ambël, e buzëqeshja e përhershme. Ato kohë, ishte thellësisht e ndërgjegjshme, për mungesën e arsimit e aftësinë e kufizueme me punue në zyrë. Por kishte besimin e “Partisë”, nji privilegj që nuk e keqpërdori asnji here, me mue.
Zemërmirë për natyrë, ajo e tregoi me nji shprehje mëshirimi për gjendjen ku kishte ra. U drejtue kah unë, e për çudinë e të tjerëve, më dha dorën, më pyeti për shëndetin, për punën, gjithherë buzagaz, e pa heqë sytë nga unë. Përgjigja me nji ton shoqënuer, pa u ankue, e pa dhanë përshtypjen e pakënaqësisë. U interesue për konditat e punës në kantier, e u largue. Sa “komuniste” ishte “shoqja”? “Ashtë fanatike” më thanë, që në gjuhën e përditshme donte të thotë “e rrezikshme”, sepse raporton çdo gja, që sheh e ndigjon. Atëherë, pse u tregue kaq e njerëzishme me mue?! Ishte natyra e saj e mbrendshme?! Komunizmi, dukej se nuk kishte asgjësue natyrën e saj. Kur ajo takonte nji të njohun me kujtime të mira, natyra e saj e njimendte, dilte në sipërfaqe, si “dobsi borgjeze”. Shoqja e Bashkimeve Profesionale, nuk ishte çnjerëzore, ajo nuk ishte “komuniste”.
Gjatë kthimit në shtëpi, mu kujtue fytyra e kushërinit të pushkatuem nga nazistët. Me nji ndjeshmëni të theksueme për padrejtësinë e nji inteligjencë të rrallë, i pajisun me nji kurajo të qetë e të qëndrueshme, ai do të kishte shfaqë mos kënaqësinë e vet, sidomos me krimet publike, dhe ndërhymjen jugosllave. Ka mundësi që kundërshtimi i tij, do të kishte irritue “udhëheqjen” shkodrane. Si rrjedhim, do të ishte eliminue. Sot, ai ishte i rreshtuem në listat e “Dëshmorëve të Atdheut”, prindët, janë “prind dëshmorësh”, e virtytet e tij ngrihen deri në qiell, sa herë që propaganda komuniste e shikon të arsyeshme, me i kujtue nji popullsie të lodhun nga sloganët, “sakrificat e popullit e të Partisë”! Edhe kjo viktimë fisnike, kjo rini e shueme pa mëshirë në kampet naziste, ishte pjesë e “gënjeshtrës” se madhe që helmonte vendin tonë të izoluem. Kushërini im po pushkatohej përsëri, kësaj radhe nga ish “shokët” e tij, që në konditat e krijueme, do të kishin aprovue vrasjen e tij…!
XXIX
Viti i Ri 1958! Në familjen time festohej së bashku fillimi i vitit të ri, me gëzimin e madh të pranisë sime, e me shpresën për ditë ma të mira. Përpara të gjithëve, ndiehesha i gëzuem. Shikojsha për rreth nanën, vëllaun, motrat, nipat e mbesat që flitshin, këndojshin e shijojshin ushqimet e frutat mbi tryezë…nji herë në vit. Radioja e vogël, transmetonte muzikën e rastit. Ishte ngrohtë në dhomë, e të gjithë ishin të çlodhun. Por ma shumë se të tjerët, nana tregonte nji kënaqësi të veçantë. Ajo jetonte si në andërr familjen e plotë, e së bashku. Para saj, ishte ushqimi e të gjithë festojshin. Sikur nuk u besonte dyve! Ora 12 e mesnatës! Radioja dha sinjalin e momentit të pritun.
Të gjithë u ngritëm në kambë e filluem urimet e përqafimet. Edhe unë nuk e besojsha, se isha pjesë e kësaj mbramje plot gëzim. Përqafova nanën me gjithë shpirt, ndërsa ajo derdhte lot gëzimi. Të gjithë më urojshin “nji punë ma të mirë”, për vjetin që vinte. Unë buzëqeshja. Asnji nuk pati guxim me më thanë “vitin që vjen, në liri”, megjithëse të gjithë e dëshirojshin. Frika kishte hy në palc të kurrizit, e paralizue nji popullsi të tanë. Atë mbramje u kënaqa, fola me të gjithë, e u dëfreva me ma të vegjëlit. Prishja e nji atmosferë të këtillë, do të kishte qenë nji krim.
Të nesërmen, mbas nji nate të gëzueshme, pushova në shtëpi. Lexova, por kuptova pak. Mendja e zemra ishin në lëvizje pa pushim. Ndiehesha i mbyllun, e dëshirojsha me dalë jashtë kësaj dhome, që më merrte frymën. Kisha nevojë për ajër të pastër, me mbijetue! Në atmosferën e vështirë, të krijueme nga gjendja politike, ekonomike e shoqënore e vendit, në pragun e nji krize paralajmëruese e katastrofës, fryma e kompromisit, kishte rrethue vendin. Ndoshta edhe ma keq. Ishte nji atmosferë që njihte dhe përshëndeste krimin e kriminelin, shtypjen e shtypsin, të çmendunin e çmendurinë. Ishte nji atmosferë ku duartrokitej dhuna, padrejtësia, gënjeshtra e hipokrizia.
Pushkatimet masive të të pafajshmve, dhjetra mija të burgosun, e familje të panumërta në kampet e dëbimit, nuk kishin mjaftue me zgjue nga gjumi i randë, ndërgjegjen e nji turme të mpime nga droga e pashërim e moskokëçarjes dhe e individualizmit egoist e të turpshëm. O turmë e pandjenja! Ku do të ishte drita e ardhmënisë sonë, po të mos kishim me vete kujtimet e shekujve të kaluem, e pishtarët e dritës jetëdhanëse, që shkyen pa frikë pëlhurën e zezë të errësinës që mbështjelli, shpesh për shekuj me radhë, njerëzimin e pafat?! Vetëm kryenaltësia që ndiejmë me qenë vëllaznit e motrat e tyne njerëzore, mjafton me i dhanë jetës sonë, shije e kuptim. Na, duhet të mbijetojmë! Edhe kur mbulojmë fytyrën nga frika sa herë që duem me qa, prap se prap duhet të mbijetojmë, në mos tjetër të paktën me këndue lavdinë e përhershme të Prometheut në pranga…!
Rreth e rrotull meje, dukej njerëzia jetonte pa u shqetësue për atë që ngjiste në vendin tonë. Të dërrmueme nga puna skllavnuese e përditshme, të hutueme nga frika e përhershme e arrestimit, e torturës e persekutimit që kishin copëtue pëlhurën e shoqënisë shqiptare ashtu si e njihsha unë, “qytetarët” ishin dobësue, i kishte lëshue zemra, u kishte vdek ora, e nuk gjejshin rruge tjetër, veçse me dorëzue pa kushte fatin e përbashkët, në duer të “udhëheqësve”, nji gjendje e pakonceptueshme, disa vjet ma parë. Nga kjo “kontratë sociale” e detyrueshme, “udhëheqsit” nxjerrshin përfundimin, se interesi i përgjithshëm, shërbehej ma së miri, dhe punët e “Shtetit”, këtij monstri modern, kryheshin si duhet, sa herë që ndiqeshin çapkënllëqet e tyne, zbatoheshin urdhënat e tyne, që përfundojshin në thellimin e matejshëm të kësaj gjendje të sëmurë.
Tue vue “Partinë” mbi ligjin, e politikën e ditës mbi të dyja, “udhëheqsit” komunistë, kishin pas sukses me vendosë sundimin e tyne absolut, e me ngritë institucionin e tiranisë. Frika e qenies “i ndryshëm” nga të tjerët, frika e kritikës, e ndëshkimit, frika e shkatërrimit të plotë, ishin aleatët ma të mirë për lulëzimin e tiranisë. Hendeku në mes të atyne që dorëzoheshin e, atyne që detyrojshin të tjerët me u dorëzue, rritej çdo ditë e ma shumë, aq sa humnera rrezikonte me përpij të dy palët. Vetëm vdekja, do të përjetësonte kujtimet e dhimbshme të njenit, e për tjetrin, do të kishte vetëm mallkim…!
Ka mjaft kohë që më ashtë dobësue pamja. Mjeku i syve, gjindej në Tiranë. Kisha të ndalueme qarkullimin, jashtë qytetit të Shkodrës, dhe u detyrova me marrë leje nga Policia. Me letrën shoqënuese e “pasaportën” e mbrendshme, që mbante gërmën “D” (i dyshimtë) të shtypun me bojë të zezë, në faqen e parë, u nisa për kryeqytet. Udhëtimi zgjati kater orë. Policia e kontrollit të dokumenteve, na detyroi të ndalohemi pesë herë. Sa herë që shikojshin “pasaportën” time, me shenjimin “D”, qëndrimi i policëve ndryshonte, sikur të kishin zbulue nji kafshë ekzotike. Fillonte nji “hetuesi” e vogël: “Nga vjen?! Ku shkon? Ç’punë bën? Pse shkon në Tiranë? Ku do të qëndrosh? Sa ditë? Do të takosh njeri atje? E ke lejen nga vendi i punë”…e tjera, e tjera, u përgjigja me gjakftohtësi, të gjitha pyetjeve.
Të tjerët më shikojshin. Kuriozitet i çuditshëm! Asnji nuk më fliste, e udhëtimi deri në kryeqytet, vazhdoi pa shkëmbye asnji fjalë. Mjeku më kontrolloi sytë, mendoi pak, e m’u drejtue pa të keq: – Duhet të kisha ardhë ma herët”, më tha. “Pse ke pritur kaq shumë”?! – “Kam qenë në burg”, përgjigja. “Dhjetë vjet”! Ai u kthye menjiherë nga unë, vuni dorën mbi supin tim e, shtoi me nji za që tregonte se ishte prekë: “Ke nevojë për syza…! Besoj se sytë, nuk kanë ndonjë sëmundje. Miopi”, e buzëqeshi. E falenderova për shërbimin, ofrova të paguej, por ai refuzoi. E falenderova përsëri, i dhashë dorën e i urova ditën e mirë. Në pamundësi me u kthye në Shkodër atë natë, u detyrova me kërkue strehim në nji hotel.
Çdo nëpunës kërkonte “pasaportën”. Gërma “D”, ishte sinjali i refuzimit. “Nuk ka vend”! ishte përgjigja. Me afrimin e natës, u drejtova pa vullnet, drejt shtëpisë së nji të afërmi. Ai u trondit, kur më pau te praku i derës. I shpjegova se hotelet ishin plot, e kështu kisha nevojë për strehim. Më pranoi! Gjatë darkës, bisedimi ishte shumë formal. Asnji ngjarje e ditës, nuk u zu me gojë. Shëndeti i të gjithëve, u ba qendra e bisedës. Kuptova menjiherë atmosferën e frikës, që mbretnonte në atë shtëpi. Nuk u ndigjue transmetimi i Radio-Tiranës. Zonja e shtëpisë, më lajmoi se “krevati është gati”! “Duhet të jeshë i lodhur”, më tha me nji buzëqeshje ngjitëse. E falenderova, urova “natën e mirë”! e hyna në krevat.
Isha i dërrmuem nga çdo gja që dëshmojsha për rreth, e sidomos nga nji mur izolimi që më rrethonte, i padukshëm, në çdo kand që shkojsha. Me gjithë zemrimin e përmbajtun, nji ndjenjë mëshirimi për këto krijesa të trembuna, më mbuloi. Si kalohet jeta në këtë gjendje? Ku ishte shpirti i rezistencës së këtyne individëve, që jetojshin me frikë? Ku mbetej shpresa e nji lëvizje të fuqishme, spontane, që do të tundte nga rranjët, nji rregjim kaq shtypës? Frika, arma ma e fortë e nji diktaturë të ndërgjegjshme për aktet e veta, po tregohej si mjeti ma i mire, për krijimin e nji gjendje që pak mendje të hapuna, e kishin parapa: gjumin e përgjithshëm! Të nesërmen në mëngjes, u ngrita herët. Të tjerët shkojshin në punë. Përjashta, dielli ndriste për bukuri.
Vendosa me marrë autobusin e mbasdrekes, e të ec pak nëpër rrugët e Tiranës, që nuk kisha pa për vite të gjata. Vizitova stadiumin e “Qytetin e Studentëve”. Nga tribunat shihej e bukur mirëmbajtja e fushës së futbollit. Pamja më solli në mendje ndeshjet sportive. Zhurma e tifozëve që shkonte deri në qiell dikur, më tingëllonte në vesh, tue sjellë kujtimet e bukura të ditëve të nji rinie pak të shkujdesun. Nga larg, shihej “Blloku i udhëheqësve”. E dijsha se ekzistonte “Kremlini i vogël”, si e quejshim na atëherë, e se qarkullimi i popullsisë në atë zone, ishte rreptësisht i ndaluem. Udhëheqja e populli, ishin të ndamë me nji gardh policësh e civilësh informatorë, detyra e të cilëve ishte, me sigurue rehatinë absolute të nji diktatori, që nuk flinte nga bremja e ndërgjegjes, për krimet e kryeme…! Rreth e rrotull meje, kalimtarët sikur vrapojshin, secili në punën e vet. Nuk pashë grupe të grumbullueme, as qytetarë në shëtitje, në ato orë të pasdrekes.
Ishte nji lëvizje e vazhdueshme, që më kujtonte qendrat e mëdha urbane. Tirana ishte rritë në popullsi, e kjo turmë i jepte gjallëni qytetit. Por ishte nji gjallëni pa gëzim. Fytyrat e shumicës, ishin të vrenjtura, ose të paktën serioze, e shenjat e gëzimit e kënaqësisë, nuk dukeshin fare në atë turmë qartësisht të preokupueme, me hallet e ditës. Pak ma larg, grupe studentësh drejtoheshin me hapa të shpejtë drejt ndërtesës së universitetit. Në mes të kësaj popullsie që shpejtonte, unë isha i vetmi kalimtar, që ecte ngadalë, e vëzhgonte me kujdes, pothuejse çdo lëvizje të tjerëve. Kisha dëshirën e madhe, me kuptue këtë shoqni që, në vendin tim, ishte e huej për mue.
Korrieri i ndërmarrjes, lajmoi drejtorinë e kantierit të punës, për mbledhjen në qendër dhe pjesmarrja ishte e detyrueshme, për të gjithë. Në sallën e zhurmshme dhe plot tym duhani, drejtori doli në tribunë. Pa asnji parathanje, ai filloi me tregue randësinë e mbledhjes. Si zakonisht, me nji fjalor rrugaçësh bërtiste: – “More të poshtër”! (Ishim të gjithë “reaksionarë”!) E dini ju, kush do të vizitojë vendin tonë?! Udhëheqësi ma i naltë i Bashkimit Sovjetik, njeriu ma i fuqishëm në botë…e kuptoni”?! E tue ju drejtue nji punëtori, që nuk tregonte vëmendje, i tha: – “Ej ti, zotqen, pse nuk ndigjon?! E din ti se kush do të vijë?! Ashtë zëvendësi i Stalinit të Madh. Ai nderon vendin tonë, sikur të ishte Stalini vetë…! A e kupton”?!
E tue ngritë zanin përsëriti: “A e kupton”?! Askush nuk foli! Në atë atmosferë surreale, nuk dijsha nëse duhej të qeshja për sjelljen e drejtorit, apo të vajtoja, për gjendjen tonë prej skllavi. Drejtori vazhdoi: – “Nesër, do të vini këtu përsëri. Do të ju tregojmë mbi organizimin, kohën, vendin e të tjera. Mos harroni të visheni me rrobat me të mira…t’i tregojmë mysafirit të shtrenjtë se jemi të lumtun në socializëm…”! Drejtori fliste. Të gjithë ndigjojshin pa asnji pyetje. Ma në fund u shpërndamë. Edhe unë u drejtova kah shtëpia, por nji frikë e madhe më pushtoi, se Sigurimi mund të arrestonte “të dyshimtët”, me shpjegimin e “masave të sigurisë”. Ideja se mund të kalojsha disa dite në burg më mundonte, por nuk kisha asnji rrugëdalje! Ky incident ngriti sensin e pasigurisë e, nevojën urgjente me planifikue arratisjen, sa ma shpejt. Ideja më entuziazmonte, e më friksonte njikohësisht.
Atë mbramje, mbas darkës, u kredha në mendime. Isha i heshtun, e nana e mjerë, shqetësohej shumë nga tërheqja e ime. Kishte frikë, se do t’a shkelmojsha nji ditë, e rrezikojsha internimin e saj të dytë. Por nuk e kishte thanë kurrë, e përpiqej me qëndrue e qetë. Çdo ditë, më tregonte vuejtjet e tjerëve, të fqinjëve, të shoqeve të saja, me hollësi. Mandej përfundonte me nji shprehje; “si të tjerët” ose, “bota ka halle”, “disa ma shumë, disa ma pak” ose; “nuk jemi vetëm, çka të bajmë tashti, na zuni…e ban Zoti mirë…”! E mjera nanë! Atë natë u tremb shumë, kur unë nuk përgjigja, e në heshtjen time kuptoi si duhet, frikën time. Fjala ishte lidhë në grykë. Atëherë pashë se lotët filluen të rrokullisen, poshtë faqeve të saja të rrudhuna nga mosha.
U përpoqa, e përqafova, e u përpoqa ta bindë se isha shumë i lodhun nga puna. Por ajo nuk e besonte. Zemër nane, më kuptonte shumë mirë! Ditën e vizitës së Hrushovit në Shkodër, u mblodhëm në oborrin e ndërmarrjes. Simbas urdhënit, të gjithë ishim veshë ma së miri. Por drejtori që kontrolloi ma shumë se treqind punëtorë të rreshtuem, nuk dukej i kënaqun. Shumica kishin rrobe të pastra, por të vjetra. Drejtori u mendue pak, mandej urdhënoi; të tërhiqen treqind pardesy të rij, nga magazina. Brenda nji ore, të gjithë kishim marrë nga nji. Por ishte ditë e nxehtë maji, e rroba e gjatë, na bani të djersitemi pa masë. Kërkuem leje ta heqim, me porosi që, kur të afrohet kolona e udhëheqësve, ne do të vishnim pardesytë e reja.
Të rreshtueme në të dy anët e rrugës, treqind punëtorë ndërtimi, mbajshim mbi supe pardesy me shtesë gome, të bame për ditë shiu. E gjithë kjo pamje absurd, ishte e pabesueshme! Krah për krah me ne, ishte popullsia në këmisha me mangë të shkrutra, për konfort, e pranë tyne, na, treqindë kufoma vertikale, të mbulueme me pardesy të gjatë. Nuk e di se çfarë duhet të ketë mendue, “vizitori i shtrenjtë”, për ne, por na qëndruem pa lëvizë për të gjithë kohën, tue duertrokitë, e brohoritë: “Rroftë Bashkimi Sovjetik”! Atë ditë, pashë për herën e parë, të vetme, diktatorin e vendit tim. I veshun me elegancë, me nji kapelë “borsalino”, qëndronte i ulur pranë Hrushovit e shoferit, në nji limuzinë të madhe. Nuk fliste, as buzëqeshte. Me nji krah të ngritun, jepte urdhëna për shoqënuesit. Ftohtësia e plogështia e tij, më lanë nji përshtypje të keqe, ndoshta sepse e shikojsha, me synin e urrejtjes së pafund, e përbuzjes që nuk njihte kufij…!
Kolona përfundoi në Prefekturën e qytetit…! Mbas nji pushimi të shkurtë, udhëheqja sovjetike e, ajo shqiptare, ecën deri në sheshin kryesor. Me qindra malësorë e katundarë, burra e gra, të veshun me kostume karakteristike të vendit, bajshin nji dekor sa tërheqës, aq edhe të mjerueshëm. Me urdhën të shoqnuesve, marionetat e theatrit zyrtar, duertrokitshin, thërrisnin parulla të caktueme, qëndrojshin si statujë në rresht, e pritshin momentin solemn, të kalimit të udhëheqësve, që as i vunë re fare…! Në sheshin qendror, udhëheqsi sovjetik foli për bukurinë e vendit tonë, klimën e përshtatshme, dhe mundësitë e zhvillimit bujqësor, e sidomos pemtarisë. Ai foli edhe kundër “imperializmit amerikan”.
Duartrokitje, përsëri duartrokitje! Në sallat e mëdha të Prefekturës, u shtrue nji “drekë” madhështore, për pesëqind pjesëmarrës të zgjedhun, me ushqime jashtë masës. Nji pjesëmarrës tregonte se Hrushovi, tue pa mishrat e pjekun mbi tryezë, kishte komentue: “Këtu paskeni bollëk! Shqipëria qenka vend i pasur…”! Të gjithë e kishin aprovue! Menjiherë pas ceremonisë, punëtorët u kthyen në kantjer e, dorëzuen pardesytë e reja…! Kjo eksperiencë, do të kishte kalue pa ndonji mbresë të veçantë, sikur të mos kishin qenë transmetimet e agjensive të hueja, e interpretimet e tyne, mbi qëllimin e vizitës së Hrushovit në Shqipëni, sidomos vizitës tij në Vlorë, ku gjindej nji bazë navale.
Shqipënia pa dyshim, po tregohej si pjesmarrëse e plotë në nji skemë strategjike, që tejkalonte shumë kufijt e saj. Shqipënia, ashtu si në kohën e pushtimit italian të vendit, e “bashkimit” me Jugosllavinë ma vonë, kishte lidhe fatin e vet, me atë të fuqive të jashtme, e kësaj radhe, me nji superfuqi shumë larg nga kufini i saj. Fati saj vendosej në kryeqytetin e nji vendi të huej, që nuk frymëzonte mirëbesim. Flitej se kufijtë e saj, ishin tashti ma të mbrojtun. Pjesëtare e nji blloku të madh ushtarak, vendi kishte sakrifikue sovranitetin e, lirinë e veprimit, për hir të “ndërtimit të socializmit”, nën ombrellën e nji superfuqie atomike, agresive, që synonte dominimin e mbarë botës…!
Të dielën, përsëri vetëm, vendosa të vizitoj kështjellin Rozafat. Nga pirgjet e nalta prej ku admirohet bukuria e rrallë e natyrës, liqeni paqsor, Buna e Drini, që rrjedhin ndamas, derisa bashkohen, urat tërheqse, rrugët gjarpnuese, udhëtarët që shkojnë e vijnë pa pushim, e pamja e qytetit të Teutës, që shtrihet mbi fushën e gjanë, deri në kodrat që e rrethojnë, e sidomos hija e randë e Taraboshit plak, që ngrihet sikur dëshiron me mbrojtë qytetin nga çdo armik, të gjithë së bashku, krijojnë përshtypje, që nuk harrohen shpejt. Brenda kështjellit, pothuejse gjithçka ishte shkatërrue! Pamja e mjerueshme reflektonte, kohët që kaloi kjo fortesë legjendare. Rrënojët, sikur vajtojshin nji të kalueme ma të mirë, që nuk kthehej përsëri. Rozafa e harrueme, më këputi shpirtin.
Kujtimi i ngjarjeve historike, që kështjelli dëshmoi për ma shumë se tridhjetë shekuj, ledhet e kësaj fortese, që u qëndroi kohëve dhe ushtrive pushtuese, më mbushën me krenari. Megjithatë, mjerimi që jetojsha në Shqipni, ishte ngulë thellë në mendjen e zemrën time, saqë kujtimet e lavdishme, kalojshin para meje si nji fllad pranveror e i përkohshëm, që nuk largonte vapën djegëse të gushtit përvëlues…! Brenda Rozafës, më dukej sikur zani i banorëve të lashtë, që lanë gjurmët e tyne në këtë seli mbretnore e shekullore, pyeste pa ndërpremje, çdo vizitues që thyente heshtjen mbytëse, të shekujve të njimbasnjishëm: “Kalimtar! Cili je ti? Nga vjen e ku shkon? Cilin kërkon? Fol, o krijesë rebele”!
Ç’kërkon nga këta shkambij të pajetë, e megjithatë, të përhershëm”?! Në qetësinë e madhe që më rrethonte e, i ndërgjegjshëm për vogëlsinë time, para madhështisë së vendit ku gjindesha, e kohës shumë shekullore, përgjigja: “Jam biri yt, i humbun, o Rozafa legjendare, kalimtar i përkohshëm, por i gjallë, plot vullnet, e i djegun nga dëshira me farkëtue të ardhmen time, me duert e mia…! Unë njeriu i brishtë, të ndërtova. Ti, më shërbeve! E jam unë ai që i jep kuptim ndërtesës sate të përhershme, megjithëse i ndërgjegjshëm për fundin që më pret,…dhe ndoshta edhe harresa! Jam unë ai që të këndon me lahutë, o rrënojë legjendare, jam unë ai që shkruen elegji për ty e, shkambijt tuej të lyem me gjak njeriu kokëfortë, që refuzon nënshtrimin me çmimin e jetës, jam unë ai, që kalon brez mbas brezi emnin tand, e ndërton lavdinë tande, mbi kujtesën e breznive, që nuk kanë fund…edhe pse jeta ime, shuhet si vesa prej diellit, para permanencës tande, o landë e vdekun, monument që ruen heshtjen e përjetshme…”!
Sa shumë ka ndryshue vendi im! Sa iluzione të ushqyeme me kujdes, kanë ra për tokë! E çfarë randësie kishin të gjitha këto kujtime për mue e, marshet, e fitoret, e herozimat e së kaluemes, para gjakderdhjes së përgjithshme, vuejtjeve konkrete të mia, të familjes, e të nanës plakë, që shkonte në krevat pa ngranë, sepse dy djelmt e saj, nuk kishin mundësi me sigurue për vete e për atë, bukën e përditshme?! Çfarë randësie kishte sot kështjelli legjendar, para nji të tashmeje, që ndrydhte e asgjasonte? Poshtë, në qytet, jetonte nji popullsi që nuk gëzonte tjetër, veç vlerave të trashëgueme, e rrezikonte me u zvetënue, nga frika e vorfnia e padurueshme.
Ajo, ishte aq afër degjenerimit moral, që kërcënonte vendin, sa rrezikonte ramjen në humnerën e pakthim! Dukej sikur bukuria e qytetit dhe e banorëve, ishte venitë nën zjarrin përvlues të diktaturës që digjte e digjte, pa mend e pa shpirt. Shkodra, nuk ka qenë Venediku i bukur e përrallor. Por qyteti im ka qenë foleja e nji historie shumëshekullore, vend-banimi i nji popullsie fisnike, brez mbas brezi, e qendra e veprimtarive, kushtue se mirës e së bukurës, që mbajtën nalt fisnikërinë e banorëve të saj.
E sot, shoh shokët në brigadat e muratorëve në vendin e punës, këto proletarë “reaksionarë”, të himnizuem me hipokrizi nga kalemxhinjt e diktatorit, që bajshin çdo përpjekje me i ikë punës me krahë, ndigjoj tregimet e tyne rrëqethëse, kuptoj frikën e tyne të përhershme, e lexoj në sytë e tyne, që në çast dëshprimi të thellë ngrihen drejt qiellit, e me nji fshamje që më këput zemrën, përsërisin thaniet ma karakteristike të banorëve të qytetit, në ditët e vështira: “Ndihmo, o Zot”! e “Mos ma keq, o Zot”! Atje poshtë, në qytetin tim, nji histori e nji popull që e shkroi atë me gjak, djersë e pendë, duket sikur jeton orët e agonisë përfundimtare…! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm