Nga Veli Haklaj
Pjesa e katër
PERSEKUTIMI I KLERIT KATOLIK – PYETJET NGA SIGURIMI I SHTETIT, NË VITIN 1946
Memorie.al / Në historinë e kombit shqiptar, Kisha Katolike ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe shpeshherë shumë të çmuar. Fatkeqësisht, raporti që ndërtoi pushteti komunist në Shqipëri, me besimin në tërësi, solli si pasojë një valë represioni të paparë ndaj klerikëve të të gjitha besimeve në vendin tonë, veçanërisht ndaj udhëheqësve shpirtërorë të besimtarëve katolikë. Sipas përcaktimit që bën Imzot Rrok Mirdita: “Pavarësisht nga forca vigane, me të cilën kisha ka bartur peshën e kulturës kombëtare, pavarësisht nga drita e papërballueshme që ajo ka hedhur mbi hijet e historisë sonë të vjetër e të re, pavarësisht nga shpirti i flijimit që e ka shoqëruar orë e çast jetën e saj në vendin tonë, madje pikërisht për këto arsye, kundër Kishës Katolike në Shqipëri, janë lëshuar shumë rrebeshe, e njëri ndër më të tmerrshmit, ka qenë ai komunist, që bashkë me procesin e zhdukjes fizike të katolikëve më në zë, vuri në skenë edhe procesin e shtrembërimit të historisë, mbi marrëdhëniet e Kishës Katolike me Shqipërinë”.
Proces-verbali i pyetjes së Padër Filip Mazrrekut
Më 11 nëntor 1946, në Seksionin e Sigurimit të Shtetit, në Shkodër, nga kapiten i parë Nesti Kopali u muar në pyetje Padër Filip Mazreku, 33 vjeç, i biri i Pjetrit dhe i Maries, lindur në Selanik e banues në Shkodër, me profesion prift, që kishte mbaruar universitet për muzikë, i pamartuar, i padënuar ndonjëherë, i cili deklaroi:
Jam arrestuar më 28 shtator 1946, nga organet e Mbrojtjes së Popullit, me akuzë se kam treguar aktivitet reaksionar. Kjo i avitet deri diku të vërtetës, mbasi unë kam qenë i pakënaqur nga pushteti, jo vetëm pse një vëlla më është ekzekutuar nga partizanët, por edhe pse të gjithë priftërinjtë katolikë, mbanin qëndrim armiqësor karshi këtij pushteti.
Kam ardhur në Shkodër nga Greqia qysh më 1915, me gjithë familje. Me origjinë jam kosovar, por në Selanik im atë ishte nëpunës. Në Shkodër kemi pasë dajën. Katër vëllezër, morën Degën Ushtarake, ndër të cilët dy kanë qenë kapitena në ushtri dhe dy të tjerë, oficerë kuesture. Këta të fundit ndodhen në burg të dënuar me nga 20 vjet burg, ndërsa njëri nga të parët, është ekzekutuar nga partizanët, me rastin e çlirimit të Tiranës.
Unë kam qëndruar gjithmonë në Shkodër, përveç 4 vite që kam dalë jashtë me studime. Edukata ime në shkollë, ka qenë filo-gjermane, mbasi edhe shumë prej profesorëve, i kam pasë me të tillë simpathi të madhe për Gjermaninë. Në vitin 1937, kam kryer studimet dhe kam ardhë në Kuvend, si drejtor i “Scola Contrusa” (grupi i muzikës).
Ardhjen e Italisë e kan ditë disa fretën, si Padër Gjon Shllaku e të tjerë, 6 muaj para, ndërsa disa prej nesh, e morën vesh ditën e premte, kur pamë duke qarkullue aeroplanat italianë. Këtë ditë kishim dalë në oborr. Me këtë rast, Padër Anton Harapi, Padër Pal Dodaj, vetë Arqipeshkvi Thaçi, me veturën e tij kanë dalë te Ura e Bunës, me i pritë e bekue italianët. Veç këtyre, i kanë pritë me nderime italianët edhe prefekti me disa autoritete të tjerë, ndërsa populli, ka ndejtë larg.
Pastaj arqipeshkvi Monsinjor Prenushi, Frati i Mirditës, Frano Gjini, Ipeshkvi i Zadrimës, Volaj, Padër Çiprian Nika – Rektor i Jezuitëve, Padër Pal Dodaj, Padër Mati Prenushi, etj., kanë shkuar njëherë në prefekturë dhe pastaj në Luogotenencë (Tiranë) për t’i mirëseardhur autoritetet italiane.
Padër Pal Dodaj, Padër Anton Harapi dhe Padër Çiprian Nika, kanë pasë marrëdhënie të ngushta me Melonin, qysh para ardhjes s’Italisë. Ata e kishin sjellë Melonin shumë herë në Kuvend e, bile ai, ka pasë dalë edhe në fotografi me fretër. Jakomoni ka qënë vetëm ndër Jezuitë, dhe besoj të ketë pasë marrëdhënie politike me ta.
Qysh prej ardhjes s’Italisë e këndej kan qenë në Sekretari të Provinçies, Padër Ivshi Rroli, Padër Antonin Fishta, Padër Doord Pici, Padër Viktor Volaj dhe tash së fundi, Padër Pal Dodaj. Këta kanë pasë gjithë sekretarinë dhe ç’do letër që hynte e dilte, kontrollohej prej tyre.
Shifrat mbi subvencionimet që kemi marrë nga Italia nuk i di, di vetëm se këto i janë dhënë Klerit Katolik të Shkodrës, për qëllime propagandistike. Në bazë të kësaj marrëveshje, midis krerëve tonë me Romën, e gjithë politika dhe puna jonë, prirej nga ajo e Italisë.
Kështu që jo vetëm ndër shkollat t’ona flitej italisht, mësohej kjo gjuhë, lavdërohej sistemi i regjimit fashist, veprat njerëzit etj., por ishin krijuar kondita, që tërhiqej edhe populli (shoqëritë fetare) dhe me anë të propagandës së vogël, etj., bëhej që simpathija për Italinë, të mbizotëronte në krejt zonën t’onë.
Librat para ardhjes s’Italisë, i kemi marrë në konsullatë këtu. Me ardhjen e Italisë, s’kemi marrë më libra, por pare. Këto i merrte Padër Agostin Ashiku, Lec Harapi (nëpunës i konsullatës). Tesha meshe kemi marrë gjithashtu n’Itali, pastaj ndihma për xhakonjtë, për famullitarë, për gjimnaz, etj. Këto i ka tërheqë vazhdimisht Padër Pal Dodaj, Padër Mati Prenushi e, Padër Çiprian Nika.
Shoqëritë fetare janë themeluar këtu në Shkodër, qysh më 1933. Këto u themeluan për të mbledhë rinin afër vetit, mbasi n’atë kohë, Mirash Ivanaj (ministër i Arsimit), na i mbylli shkollat. Iniciativën e krijimit të tyre, e mori Padër Frano Kiri (përsa i përket fretënve – “Antoniane”), mandej u krijuan edhe të tjera ndër Jezuitë, si ajo e “Don Bosko”, etj. Me politikë këto shoqëri, janë marë qysh më 1942.
Për të marrë pjesë në politikë, anëtarët e kishës kanë qenë të ndaluar nga feja, mirëpo më vonë u hoq ky urdhër dhe të gjithë anëtarët, u lanë të lirë të veprojnë, simbas dëshirës së tyre. Njëkohësisht shumë krerë të Kuvendit, si Padër Gjon Shllaku, Padër Anton Harapi, etj., jo vetëm që bashkëpunuan hapur me okupatorët, por u hodhën në sulm kundër Luftës Nacional-Çlirimtare.
Mbaj mend se një vit para çlirimit, Padër Gjerai, i urdhëruar nga Padër Antoni, shkoi në Prekal e në Koplik, për të ngritë popullin kundër Lëvizjes. Ka bërë mbledhje krerësh e parish dhe u ka folë. Ka qenë me të, edhe një farë Pjetër Gjoka. Pastaj e pasuan këtë, edhe klerikë të tjerë. Shumë të tillë, si Padër Lek Luli, Dom Lazer Shantoja, e të tjerë që përmenda, ishin hedhë n’aktivitet edhe më përpara.
Ishte çështja se interesat t’ona, lidheshin ngushtë me të gjithë krerë të tjerë, si edhe me ato t’okupatorit, prandaj na duhej patjetër t’i mbronim. Për këtë, ne bashkohemi me “Ballin” dhe në rrethin e “Sh’Profetit”, ngrihet nji degë e kësaj organizate, nën drejtimin e Dom Zef Shestanit. Kjo ka shpërndarë trakte dhe ka ndihmuar shumë që rinia katolike, të shkëputet nga Lëvizja.
Ndërsa ne të tjerët, kemi bërë që nga populli i sektorit katolik, të marrin pjesë fare pak, për të mos thënë hiç në Lëvizje. Për qëndrimin t’onë karshi partive të ndryshme, famullitarët një herë kanë pasë pyetë Padër Antonin në Kuvend, por ai u ishte përgjigjë; “si t’ua marrin mendja”.
Po për këtë gjë, u mblodhën një herë para çlirimit, gjithë krenët e Klerit n’Arqipeshkvi (Rektori i Jezuitëve, Provinçiali, etj.), por edhe këta n’atë përfundim arritën dhe ia lanë seicilit klerikal, të punojë simbas mundësive që t’u paraqiten.
Në kohën që erdhi Mark Gjonmarkaj këtu, Padër Dioniz Maka e Padër Dod Pepa, janë ulë nga Dukagjini me 300 – 400 malësorë në Shkodër, për të luftuar kundër Lëvizjes Nacional-Çlirimatre mirëpo, meqë puna ishte e shkatërruar, malësorët ikën dhe i lanë.
Eprorët e këtyne dy famullitarëve, nuk ju thanë asgjë, si duket u ka pëlqye. Po në këtë kohë, Padër Antoni me krerët e tjerë të Shkodrës, bëjnë mbledhje në Kino – “Rozafat” e gjetkë dhe mundohen të krijojnë ushtri; gjithë tregtarët dhe të pasurit u këshilluan të japin para për mbajtjen e vullnetarëve, por nuk zgjati puna dhe s’u bë gjë edhe në këtë drejtim.
Me çlirimin, ne kemi vazhduar të qëndrojmë të izoluar për një kohë, por pastaj jemi hapë përsëri, duke e konsideruar këtë pushtet si komunist e, jemi deklaruar për çdo rast që pati, me elementë të pakënaqur e organizata antipushtet. Unë vetë kam qenë pak i idhnuem me persekutimin e vëllezërve, prandaj shpesh kam hapë parulla. Një herë dëgjova nga Padër Gjon Shllaku që kishte ardhë prej Tirane, se englezët po japin pare, për të bërë popullin për veti dhe këto parulla i hapa edhe jashtë. Me Padër Gjonin kam kërkuar shpesh të bashkëpunoj, por meqë unë kisha të bëja me fëmijë, ai frikësohej se mos më shpëtonte ndonjë fjalë dhe nuk më hapesh fort.
Rreth datës 28 nëntor 1945, ka qenë një herë në Liceun tim, Zef Mirdita. Ai më la të kuptoja se atë natë do të shpërndanin trakte. Nuk më tha direkt, mbasi kishte edhe fëmijë të tjerë aty. Po në këtë kohë, më ka ardhë dy herë me radhë, kapiten Riza Kuçi dhe kërkonte ta vija në lidhje me ilegalët e, sidomos me Llesh Marashin, mirëpo unë i thashë se me Lleshin s’mundem e, me Pashuk Bibën po.
Me Pashukun mund ta vija në lidhje sepse, mua më vinte nga Puka një farë Pjetër Preçi, me të cilin kam rënë në lidhje përherë, por në gusht të 1945, ky më erdhi një ditë tek kisha e Berishës (mbasi isha famullitar aty) dhe më propozoj të shkoja me të. Donte të më prezantonte me Pashuk Bibën dhe t’ilegalizohesha edhe unë. Mirëpo unë s’munda të arratisesha. Një ditë Pjetër Preçi, më kërkoi një palë pantollona ushtarake, unë ia premtova dhe ai iku.
Mbas katër – pesë ditësh, erdhi përsëri me një letër të Pashuk Bibës dhe me katër napolona flori. Këto i dërgonte Pashuku që t’i gjeja një palë rroba ushtarake dhe një ma falte mua. Unë u tremba dhe nuk ja mbajta. Po këtë datë, erdhi në qelë një vëlla i Pjetër Preçit, që ishte ushtar në Shkodër dhe më tha se ushtarët janë demoralizuar. Këtë parullë e kam përhapë. Po ashtu kam hapë parulla se; Çun Jonuzi do të dezertojë me katër oficera të tjerë.
Në Berishë kam ndejtë dy muaj dhe pastaj zbrita në qytet përsëri. Kur erdha në Shkodër, ishin arrestuar dhe ekzekutuar Fausti, Dajani, etj. Një ditë, një fëmijë (Gjon Kapedani), i cili banon në shtëpi të Papavramit, më bie një letër. Letra ishte me germa dhe ma përshkruante Dajani, se si jetonin në burg. Letra gjindet akoma tek At Donat Kurti, të cilit ia dhashë me e ruajtë, kur u transferova për në Hot.
Padër Donat Kurtit ia kam kallzuar të gjitha çështjet që më kanë ndodhë mua, si atë të Riza Kuçit, etj. Kishte qejf që të bashkëpunoja unë kundër pushtetit, por duke me konsideruar si më të vogël, nuk ka bashkëpunuar me mua. Mund të ketë bashkëpunuar me shokë të tij më të mëdhenj.
Kur u ktheva prej Puke, qëndrova këtu në Shkodër, për gati gjashtë muaj, pastaj u hodha në Lezhë në famullin katolike t’atij qyteti. Prej aty kam dalë disa herë edhe nëpër katunde për pretk, si p.sh. n’Ishull të Lezhës, në mal të Rrencit e, Berdicë.
Për predikimet që bëra n’Ishull të Lezhës, jam thirrë në Lezhë nga autoritetet e pushtetit dhe më është tërheqë vërejtja. Në këtë pretk ,unë fola mbi ndihmën e të krishterëve, për fenë, etj., mbas meje foli një i Frontit dhe ai qëlloj pretkun tem. Si duket e keqkuptoj, sikur unë nxita ndamjen midis kristianëve e myslimanëve. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm