Nga Mehmet Beqir Shehu (Tepelena)
Memorie.al / Mehmet Beqir Shehu, apo siç njihet ndryshme edhe me mbiemrin Tepelena, lindi në Tepelenë në vitin 1931, në një familje me tradita atdhetare dhe të njohur si klerikë shehlerë, ku babai i tij, Beqiri, për shumë vite shërbehu si babai i Teqesë së Krahësit të Tepelenës, i cili e ktheu teqenë e tij, si bazë kryesore të partizanëve të asaj krahine. Mehmeti, fillimisht ishte përkrahës dhe pjesëmarrës në Lëvizjen Antifashiste, që udhëhiqej prej komunistëve, ku vëllai i tij, Zenel Beqir Shehu, ishte fillimisht komandant i çetës partizane të ‘Velikollit’ të Tepelenës dhe më pas me krijimin e Batalionit “Baba Abaz”, u emërua komisar i tij. Po kështu, Zeneli ishte edhe pjesëmarrës në Kongresin e Përmetit, ku gjatë seancave të tij, ai kundërshtoi yllin e kuq me pesë cepa, në flamurin partizan, gjë e cila u kundërshtua nga Enver Hoxha, që e quajti Zenelin, ‘kapadai’. Përveç Zenelit, në radhët partizane ishte edhe Mehmeti, në atë kohë vetëm 14 vjeçar, bashkë me tre vëllezërit e tjerë, duke u bërë kështu pesë vëllezër në rreshtat partizane. Por pak kohë pas mbarimit të Luftës, pasi nuk u zgjodh në listat e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e dhjetorit, 1945, Zeneli dha dorëheqjen si nënprefekt i Tepelenës dhe u kthye në fshat, duke u marrë me punët e bujqësisë. Kjo gjë u bë shkas që ai u arrestua nga Sigurimi i Shtetit dhe pasi e mbajtën disa kohë nën tortura, në Kalanë e Gjirokastrës, e dënuan me vdekje dhe e ekzekutuan më 14 janar të vitit 1948. Po kështu pak kohë pas arrestimit të Zenelit, më 1946-ën u arrestua edhe Mehmeti, i cili u dënua tre herë, duke vuajtur plot 19 në burgjet komuniste, pa shkuar asnjëherë familja në takim dhe pa asnjë lloj korrespodence me letra me ta. Mehmet Beqir Shehu, arriti të shohë edhe shembjen e regjimit komunist e pas viteve ’90-të, ai filloi të shkruaj kujtimet për jetën e tij tragjike, në burgjet e regjimit komunist diktatorial të Enver Hoxhës, duke lënë në dorëshkrim disa materiale me mjaft interes, pjesë nga të cilat kemi përzgjedhur për botim në këtë shkrim.
XHEMIL MUSTAFARAI: NJERIU ME ZEMËR LUANI
Ishte nëntori i vitit 1946. Porsa kisha bërë hetuesinë në Tepelenë, nga ish-krye-spiuni Xhezo Makashi, (ish-kryetar i Degës së Punëve të Brendshme të Tepelenës. Më nisën për në Kalanë e Gjirokastrës, ku do të vazhdoja përsëri hetuesinë.
Nga Tepelena më nisën në këmbë, të shoqëruar me tre policë. Koha ishte shumë e keqe (dimri i 1946-s). Të gjitha urat, rrugët dhe çdo gjë i kishte prishur dhe rrëmbyer shiu.
Isha 15 vjeç. Nata na zuri te Hani i Subashit. Policët këtu më hipën në një makinë ushtarake dhe më zbritën te Sheshi i Çerçizit në Gjirokastër.
Isha bërë qull nga shiu dhe kisha shumë ftohtë. Policët më çuan në një rajon policie, që ishte afër Kalasë, në veri-lindje të saj. Më mbyllën në një birucë-hale, që ishte dhe pa dritë.
Nuk dija ku të ulesha. Trupi i lagur dhe të ftohtit po më merrnin shpirtin. Si nuk vdiqa atë natë, ajo ishte një mrekulli e Zotit.
Në mëngjes erdhën policët, më morën e më çuan në Gjykatën Ushtarake. Atje na priste prokurori ushtarak, doraci Ago Çela. Agua u dha policëve një shkresë dhe i urdhëroi të më çonin në burgun e tmerrshëm të Kalasë.
Më çuan në Kala. Hyrja e saj qe një tunel i gjatë dhe i errët. Çdo gjë atje ulërinte nga akustika e atyre korridoreve, sadopak të flisje. Më ngjitën në katin e dytë, ku ishte burgu si dhe drejtoria e tij.
Mbasi më ri kontrolluan, më futën ndërmjet dy portave të hekurta, të mëdha. Mbas një thirrjeje të llahtarshme, erdhi gardiani nga brenda dhe më mori. Ai më çoi në sallën e madhe të 7 penxhereve. Ajo ishte plot e përplot me të burgosur, të ulur përtokë në çimento. Kush kishte vetë ndonjë rrobe-shtresë, rrinte mbi të. Sa tmerr!
Gjithë ato fytyra të vrara dhe të brengosura aty brenda, kishin një shpirt engjëllor, bujar dhe burrëror. M’u afruan dhe më pyetën si quhesha dhe nga vija. Mbasi mësuan kush isha, lajmëruan tim vëlla, që ishte në një dhomë tjetër, Zenel Beqir Shehun, që ishte i arrestuar qysh në qershorin e vitit 1946. Zeneli kishte dalë në gjyq dhe kishte marrë pafajësinë.
Lirimin nga salla e gjyqit as më vonë nuk i’a bënë, duke shkelur çdo arsye dhe dispozitë ligjore. Siç dukej, pritej nga gjakatarët enveristë, me në krye Bedri Spahiun, që të vinte data 14.01.1948, që ta ekzekutonin.
Në fillim në burg njoha Maliq Shehun, me të cilin kisha një moshë dhe rrinim në një sallë me të. U njoha dhe me Haziz Qamilin, që ishte rreth 35 vjeç, me trup dhe hije burrërore të labit kollos. Shikoja nga dhomat e izolimit, kur dilte në ajrim edhe heroinën, Hava Golemin.
Ajo ishte një grua e pashme, e shëndoshë dhe e veshur me të zeza; grua serioze, me krenarinë dhe pamjen burrërore të Labërisë. Asnjëherë s’e pashë të trishtuar atë grua, por ballëlartë dhe sypatrembur.
Feridenë nuk e njihja. Në dhomën Nr.51 ishte i izoluar djaloshi me zemër luani, Xhemil Mustafaraj. Ky ishte rreth të 27 vjetëve, i pashëm dhe krenar. Kur dilte për në banjë, të jepte përshtypjen e një djaloshi, që priste martesën dhe jo vdekjen e tij në birucën kobzezë, nr.51.
Havaja dhe gjithë të tjerët ishin arrestuar me akuzën se në Gjirokastër “do të bënin atentat kundër Shefqet Peçit, për gjakmarrje të Ismail Golemit”. E gjithë kjo akuzë, fillim dhe mbarim, ishte e sajuar.
Gjyqi kryesohej nga Bexhet Mema dhe prokuror Ago Çela. Të pesë viktimat e enverizmit i kishin grupuar. Havaja si “kryetare” dhe të gjithë të tjerët ishin torturuar egërsisht për gjashtë muaj rresht, nga egërsirat e tërbuara (hetuesit) të Degës së Punëve të Brendshme, Gjirokastër, me në krye xhelatin Jashar Menzelxhiu.
Këta ujqër të tërbuar, me që nuk i’a arritën dot qëllimit që t’i mposhtnin të pesë viktimat e tyre, i nxorën në gjyqin e montuar dhe i dënuan me akuza fallco:
Xhemil Mustafarain me vdekje (pushkatim), konfiskim pasurie dhe humbjen e të drejtave; Hava Golemin me 20 vjet burg; Haziz Qamilin me 30 vjet burg; Feride Kamanin me 5 vjet burg; Maliq Shehun me 5 vjet burg.
Djaloshi zemër-petrit, Xhemil Mustafaraj, kur i’u dha vendimi me vdekje, me krenari i’u përgjigj kriminelit Bexhet Mema: “Poshtë komunizmi! Unë kurrë nuk vdes nga plumbat tuaj mizorë”.
Menjëherë nxori nga xhepi një brisk dhe preu damarët e duarve. Gjithë pjesëmarrësit në gjyq u pezmatuan nga guximi heroik i këtij djaloshi 27-vjeçar të Labërisë. Gjyqi u pezullua, djaloshin vetëvrasës e çuan menjëherë në spital dhe e shëruan për momentin.
Në seancën tjetër të gjyqit, ai mbeti prapë i dënuar me vdekje. E izoluan në dhomën vdekje pritëse, nr. 51. Aty Xhemil Mustafaraj priste vdekjen, së bashku me një plak të urtë dhe të ndershëm nga Tatzati, (emri i të cilit nuk më kujtohet), por nëse nuk gaboj, quhej Ismail Haki Tatzati.
Nga fundi i muajit dhjetor të 1946-ës, vjen vendimi i formës së prerë nga Gjykata e Lartë. Këtë vendim erdhën ta zbatojnë kriminelët komuniste të Degës së Punëve të Brendshme të Gjirokastrës. Ekzekutimin, zakonisht, e bënin pas orës 24.00.
Sa u hap porta e madhe dhe, sidomos, ajo e dhomës Nr. 51, të gjithë të burgosurit e dëgjuan zhurmën e dyerve. Të shqetësuar prisnin mynxyrën që do të ndodhte në dhomën nr. 51.
Xhemil Mustafaraj, u ngrit dhe sa pa në derë vrasësit, mori në dorë një presëse prej teneqeje që e kishte përgatitur më parë dhe u thotë katilëve: “Jo! Unë nuk do të vdes nga plumbat tuaj”. Me shpejtësi ngre këmishën dhe çan barkun e tij.
Nxjerr zorrët, i këput ato dhe vdes. Sadistët nuk patën kurajon ta kapin, por ngelën të ngrirë në këmbë. Trupin e vdekur të heroit Xhemil Mustafaraj, së bashku me plakun e urtë dhe të ndershëm nga Tatzati, i morën, i ekzekutuan dhe i varrosën në të njëjtin varr!
Ja pra, ky ishte gjenocidi që ujqërit e tërbuar enveristo-komunistë: edhe trupat e vdekur i riekzekutonin!
Haziz Qamilin e zuri dheu dhe vdiq në vend në 1947-ën, duke punuar i detyruar për ngritjen e Degës së Punëve të Brendshme të Gjirokastrës.
Këto janë plagë të pashëruara në zemrat e çdo të dënuari dhe të persekutuari politik, që i ka përjetuar.
…Kurrë të mos harrojmë shokët tanë të vuajtjeve, këto plagë të bëra mbi ne dhe shokët tanë nga persekutorët komunistë. Ata na ndanë edhe nga njerëzit tanë më të afërt, të cilët sot e ndjejnë veten fajtorë për qëndrimin e mbajtur ndaj nesh.
Ja si shkruan nipi im, Eqrem Shehu, për atë kohë që mos ardhtë kurrë më në vendin tonë:
“Lexova intervistën e xhaxhait tim Mehmet Beqir Shehu dhe ndjeva dhimbje për atë njeri kaq fisnik. Është më i vogli mes pesë djemve të Sheh Beqirit, gjyshit tim. Kur doli partizan së bashku me katër vëllezërit e tij, sa kishte mbushur 14 vjeç.
Isha 8 vjeç kur e takova në burgun e Gjirokastrës më 1948-ën, kurse ai vetëm 17. Them e takova sepse, biseduam midis hekurave. Ai donte të na puthte, por nuk e linte polici të kalonte gardhin e hekurt.
Na dha në fund disa monedha metalike, që i’u ndodhën në xhep, të blinim kaposhka. Kur doli nga burgu erdhi në Tepelenë dhe së bashku me gjyshen, na mbante me bukë.
Babanë nuk e kishim. Kishte muaj që e kishin vrarë. Më 1954-ën, Mehmeti shkoi ushtar. Ne tre fëmijët e Zenelit mbetëm keq. Na morën dajot në Tiranë, të cilët ishin me funksione shtetërore.
Tek xhaxhai i vogël nuk shkonim dot më. Ai kreu ushtrinë në repartet e punës pa parë me sy njeri nga ne. Pas një viti, si të deklasuar, u rikthyem në Tepelenë. Shtëpinë na e kishte zënë prokurori i rrethit dhe ne u sistemuam në një kasolle pranë shtëpisë.
Xhaxha Mehmeti, kishte ndrojtje të vinte te ne në Tepelenë; krahu ynë nga nëna ishte në pozicion tjetër, por më tepër se ai, kishim ne tani ndrojtje, kishim edhe frikë të shkonim tek ai.
Sidoqoftë, ai sa kishte mbaruar ushtrinë, ishte sistemuar diku në Tiranë me punë dhe kjo na gëzonte shumë. Shumë rrallë në rast vdekjesh tek fisi, shihnim njëri-tjetrin, e shihnim me mall dhe me një brengë të thellë në zemër.
Më 1967-ën, xhaxhai dënohet përsëri. Na shkruante nga burgu letra, por ne heshtnim. Lufta e klasave ishte në kulmin e vet. As gruaja që e kishte divorcuar për të ruajtur fëmijët, as fëmijët nuk i shkelnin në burg dhe as ne.
Ishte atje krejt pa njeri, pa asnjë ndihmë, vetëm me ato 400 gr. bukë misri. Nga të burgosurit e tjerë mësonim sa burrërisht përballonte ai jetën dhe ndjenim një dhimbje në shpirt dhe heshtnim për atë xhaxhanë e vogël, që na kishte mbajtur me bukë.
19 vjet i izoluar në burg, 19 vjet i izoluar nga të gjithë të dashurit e tij. Dhe kur doli nga burgu, nuk patëm guxim t’i shkonim për vizitë. U takuam pas 21 vjetësh në një dasmë brenda fisit. Ishte viti 1990.
Diktatura kishte filluar të merte të tatëpjetën. Iu afruam në tavolinë ku rrinte me gotën e rakisë në dorë. Na dridhej dora. Na u bë diçka si lëmsh në grykë e, nuk flisnim dot.
Si do të na priste ai njeri që na donte kaq shumë, por që i qëndruam larg atëherë, kur ai kishte kaq nevojë për ne…? Por ai na përqafoi plot mall…”! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016