Nga Dom Zef Simoni
Pjesa e tetë
Memorie.al publikon një studim të panjohur të Dom Zef Simonit, me titull “Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni nga 1944 në 1990-ën”, ku kleriku katolik me origjinë nga qyteti i Shkodrës që vuajti për vite me radhë në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe më 25 prill 1993 u shugurua Ipeshkv nga kreu i Selisë së Shenjtë, Papa Gjon Pali i II-të , pasi ka përshkruar një histori të shkurtër të Klerit Katolik në Shqipëri, është ndalur gjatë në persekutimin që pësoi Kisha Katolike në regjimin komunist, nga viti 1944 deri në vitin 1990. Studimi i plotë i Dom Zef Simonit, duke filluar nga tentativat e qeverisë komuniste të Tiranës menjëherë pas mbarimit të Luftës për ta shkëputur Kishën Katolike nga Vatikani, fillimisht duke i ndaluar kthimin në Shqipëri Delegatit Apostolik, Imzot Leone G.B. Nigris, pas vizitës që ai kishte bërë te Papa në Vatikan në vitin 1945 dhe më pas me presionet e kërcënimet ndaj Monsinjor Frano Gjinit, Gaspër Thaçit e Vinçens Prenushti, të cilët e kundërshtuan prerë “ofertën” e Enver Hoxhës dhe si rezultat u pushkatuan prej tij, si dhe fatin tragjik të shumë klerikëve të tjerë që arrestuan, u torturuan dhe u dënuan me burgime, si: Dom Ndoc Nikaj, Dom Mikel Koliqi, Atë Mark Harapi, Atë Agustin Ashiku, Atë Marjan Prela, Atë Rrok Gurashi, Dom Jak Zekaj, Dom Nikollë Lasku, Dom Rrok Frisku, Dom Ndue Soku, Dom Vlash Muçaj, Dom Pal Gjini, Fra Zef Pllumi, Dom Zef Shtufi, Dom Prenkë Qefalija, Dom Nikoll Shelqeti, Dom Ndré Lufi, Dom Mark Bicaj, Dom Ndoc Sahatçija, Dom Ejëll Deda, Atë Karlo Serreqi, Dom Tomë Laca, Dom Loro Nodaj, Dom Pashko Muzhani, etj.
Rrëzimi i Kishës së Laçit
Kisha e Laçit kje rrëxue e krejt e, zona u ba kamp ushtarak, për të mos lejue popullin, për të shkue për devocion. Qyteti i Durrësit, pat për famullitar, Dom Pal Gjinin. Dom Ndoc Ndoja, zelltar feje e, njeri i uratës, mbasi kishte shërbye shumë vjet në Selitë të Lurës, kje caktue në famullinë e Bilajt, të rrethit të Krujës, në kufi me Durrsin. E larguen patjetër, por do të shërbente fshehtas, në shtëpinë e vet e në popull, tue e trazue sa here, në Këshillin Popullor të lagjes.
Ai do të arrestohej e dënohej dhetë vjetë, tue kalue mundimin në burgun e Burrelit, tue mbetë përherë shembull i lartë meshtari e, njeriut. Para se të vinte liria e besimit, do të ishte Dom Ndoci, që para hapjes së kishave, të rrëfente e kungonte publikisht, te sheshi i Kishës së Zojës së Këshillit të Mirë, te Kalaja.
Patër Viktor Volaj
Në famullinë e Bizës, gjindej meshtari aktiv françeskan e intelektual, Pater Viktor Volaj. Një natyrë e përmbledhun e në këto rrethana, njeri në veti e, si i shmangun, kthehej në Shkodër, për ta kalue jetën në një dhomë, me nanën e vet, që vdiq shpejt, ajo që kishte jetue vdekjen e të birit Mons. Gjergj Volajt. E vetmja kishë që kishte mbetë pa u mbyllë për do kohë, ishte ajo e Famullisë në Tiranë. Këtu celebrohej një meshë ditën e dielë, deri kah fundi i Qershorit 1967.
U bante shërbim njerëzve që vijshin nga dioqezat e tjera, sidomos fshatarëve, Dom Ndoc Sahatçia, Ordinar i Dioqezit të Durrësit e të Tiranës. U arrit në këtë gjendje, tue detyrue meshtarët të bajnë punë të randa e, shumë tue i arrestue, rradhë mbas rradhe, për të dytën e të tretën herë, tue i burgosë e pushkatue. E kështu arrestohen meshtarët; Dom Mark Hasi, Pater Pjetër Mëshkalla, Dom Frano Illia. Dom Zef Bicin e, Dom Mark Dushin, i pushkatuen.
Vijnë me radhë; Pater Gegë Luma, Dom Nikollë Mazreku, Pater Zef Pllumi, Dom Martin Trushi, Mons. Nikollë Troshani, Ipeshkëv, Mons. Ndoc Sahatçia, Pater Aleks Baqli, Dom Nikollë Gjini, Dom Ndrekë Krroqi, Pader Anton Luli, Dom Pjetër Gruda, Pater Gjergj Vata, Pater Leon Kabashi, Dom Ndoc Ndoja, Dom Anton Doçi, Dom Marin Shkurti e Dom Mikel Beltoja, u pushkatuen. U arrestuen rregulltari shembulluer, fratel Gaspër Jubani. Të gjithë i shpërndanë në burgun e Burrelit, në Repartin e Spaçit, Nr. 303 e, atë të Ballshit.
Me një kontigjencë që pat Shqipnia, në pragun e hymjes së komunizmit, afër 200 meshtarësh, gati të gjithë kaluen në tortura dhe provuen jetën e burgut, me 30 meshtarë të pushkatuem, dy prej të cilëve, ishin Ipeshkvij. Një atdhe i vuejtun në disa shekuj, që kishte forca negative e, për të sulmue edhe Zot e fe. Një tërbim i shfrenuem ra, sidomos mbi besimtarin katolik e klerin e tij, që kishte derdhë djersë të madhe për fe, atdhe dhe kulturë kombëtare e perendimore. Ngjarje në tokë: Në një robni të thellë shqiptare, grigja mbeti pa bari.
Arrestime
Mos vallë, kjo që ngjau, pa pasë kundërshtim, të kuptohemi mirë, pa u ba asnjë përpjekje e kundërt, pa çue zanin, pa guxim civil, as fetar, vëtëm një person në qytet, i quejtun Dedë, të cilin nuk vonuen e i gjetën rrethanën, për ta arrestue e burgosë e, një klerik, që në një plan të gjanë, shkaktoi vetiu arrestimin e burgosjen: kje jezuiti Atë Pjetër Meshkalla, vërtetuen parullën e formulueme me dinakëri, se; “populli i ka mbyllë kishat”, e se shteti nuk i len ato në kambë, për ndonjë plak a plakë dhe për ndonjë njeri të deklasuem?
E me atë të vërtetën pa kundërshtim, pa u çue zani, por jo pa lot e kupa të mbushuna me ata, arrihej deri aty, sa të sigurohej ana juridike e një ndalimi të tillë, që të sillte realitetin e një jete të kobshme, me shkatërrim trush e zemrash, ba për të jetue përherë? E se liria qenka e shumicës mbi pakicën e, edhe po të jetë kjo e vërtetë, e njëmendtë, se fitoi shumica? Liria e fjalës, e ndërgjegjes, e besimit, ma së parit ka sigurinë juridike në vetvete, edhe për një personë të vetme.
Por po të shtojmë provën historike të religjionit, do të gjejmë se njerëzimi, nuk ka mbetë kurr pa shumicën fort të madhe në fe e, nuk do të mbesë. Liria e besimit, asht liri aksiome, asht ligj, asht cilësia ma e natyrshme e çdo individi. Në qoftë se njeriu asht qenie e arsyeshme, religjioni asht në këte qenie, evolucional, këto lëvizje të çmenduna, bahen për disa arsye. Arsyet e tij, për t’u zhdukë disa të këqija, janë një e mirë, por mënyra e zhdukjes, tue përhapë edhe këto mendime të këqia, me dhunë gjaksore, janë egjra e hjedhun në tokën e grunit.
Herët o vonë, kësi fajesh, historia i zbulon dhe u ban vërtetimin. Qanë edhe ma shumë njerëzimi, mbas revolucioneve. Kush do ta besojë se një tokë e papunueme, një vend i mbrapambetjes, që kemi nevojë me ndie e mësue prej të tjerëve, po dalim na me të vërtetën komuniste, që t’i japim mësim, dije e drejtim botës? Radiot jepnin kangë revolucionare e, lajmojshin lëvizje të rijsh, të shpërndamë nëpër aksione. Ajo internacionalja, me strofa të zemrueme kundra Zotit e, tue shpallë botën e re të dhunës, nuk dinte me thanë tjetër, veç fjalë të mëdha, horizonte e të ardhme.
Toka jonë e vuejtun, vajin e mjerimin e pat gjithëherë e, kur vuejtja nuk të hiqet, asht përherë e re. Na, që kishim trashigue nga e kaluemja shumë të zeza, me ngjarjet tona, vërtetojshim vetveten. Enver Hoxha, nuk i ka ba të gjitha të zezat për një ditë, por e ka shtrue gradualisht, deri që e ka çarmatosë deri në një pikë të fundit, për të mos lanë me ba asnjë rezistencë. E, atëherë, na me siguri vuejshim, edhe prej një frike që kishim, të mos e mbrojshim krejtësisht të mirën.
A ka ndonjë të vërtetë që, tue mos u ba kundërshtim ngjarjeve, zbulohej dhe faji ynë, dhe mungesat tona? Me siguri, kur nuk e mbron të mirën, ke edhe mungesë dashunie për atë. Populli e do të mirën, i qanë zemra dhe i loton syni, kur kjo i mungon, por ky popull i rritun me pasë frikë shtetin që e mundon, e torturon, ky sistem i diktaturës pat edhe një kulm se e la pa forcë, pa bukë, me një kafshatë të fitueme të një punëdhanësi të keq e tue i vu njerëzi në pozita denoncimi, anmiqësie e frike njeni me tjetrin.
Njerëzit të lodhun në këte mënyrë përdorin urti edhe për aty ku nuk duhet. Na u desh të pranojmë shtypjen, tue lanë që problemet tona të na i zgjidhë Zoti, rrethanat e konjukturat. Populli kurr nuk i mbylli kishat, por i lejoi vetes akuzën, se ky i mbylli, tue zgjidhë rrugen e heshtjes e, të bisedave nën za, njeni me tjetrin, për fatkeqsitë e gjetuna e të grumbullueme.
Ky problem, i mbylljes së kishave e, i të gjitha institucioneve fetare e, asht fetar e sociologjik, kërkon një studim të hollësishëm e, kjo mund të arrihet, kur shoqnia shqiptare të ketë edhe një përparim e një nivel e panësi, për t’u vu gishti në plagë. Pashkët e para mbas mbylljes së kishave që erdhen në këte vjet mbas tetë ditësh, nuk kishin për ne guximin e fuqinë e të ngjallunit. Na kishim vdekje historike.
Ne na u duk se Krishti ishte në vorr. Bekime të bukëve e të perpeqave në kishë, që lajmoheshin me aq gëzim, se do të baheshin prej orës 3 të mbasditës, deri në orën 10, nuk ka. Voe të kuqe, nuk ka. Në shumë shtëpi, baheshin përpeqa dhe ambëlsina, fort fshehtas e me lot ndër sy, thohej: “Për shumë mot Pashkët”! Kurr kësi Pashkësh. Njerëzit hoqën nëpër shtëpitë fuguret, që i kishin të varuna nëpër mure, tue i ndrye në arka, baula të nanave e të nuseve, ose edhe tue i shkye e djege, që mos me u gjetë prej kontrolleve të frikshme, që mund të vijshin. Uratët do t’i thojshin me za të ulët.
Pashkët ranë në fillim të pranverës. Në këte kohë, banë dhe një kontroll pasurie të organizuem, se shteti do të fusë hundët në punët e çdo familjeje e, individi. Këte do ta bajshin të fortë në këte vjet, në lagjet me popullsi katolike, me anë të fëmijëve të shkollave e, pikërisht natën e Pashkëve.
Dy qëllime pënjëherë: aksion pastrie e aksion kundër fesë. Ky i dyti ishte kryesori. I mësojshin disa fëmijë, tue i porositë të vejshin oroe, se mos gjejshin voe të kuqe e, mos ndiejshin erën e ambëlsinave ndër shporeta. Kaq ultësi e kaq tmerr! Gjithnjë zhvilloheshin mbledhje mbas mbledhjesh, në presidiume.
Fillonte mbledhja me një qetësi, me një shtruemje problemi e, vazhdonte me diskutime, me kritika të ashpra, me ndonjë autokritikë formale, e mbaronte me një konkluzion plot gënjeshtra, e njoftime realizimesh, se duhet të dinë rezultatet organet e larta, për të pa ato një dehje suksesesh e, për të fjetë të qetë, në një gjumë të ambël prijësat, drejtuesit entuziaztë e fanatikët, që gëzoheshin për ditët revolucionare të Shqipërisë së re.
Çdo ditë kalonte me tension, zhurmë të keqe, punë e revolucionit kultural, që kishte shamje, fyemje, kontrolle, aksione vullnetare të detyrueshme, sulme me fletë-rrufe. Çka asht kjo kulturë e egër që nuk ka ekzistue asnjëherë?! Në javët e fundit të marsit të këtij vjeti përbindësh, kleriket detyrohen të shkojnë në punë. Do të punojnë ndër tulla, në ferma, në ndërtim.
Përgatiten punët për t’i çue ndër burgje, se një prift nuk duhet të shihet me sy, duhet të zhduket nga qyteti, nga fshati, se një prift asht një kishë e çilun. Mbledhjet e arratisjet e mëdha nuk i ba ende. Revolucioni kultural donte qendra kulture. Instituti i Pedagogjik i qytetit do të kishte një shesh përpara. Kjo ndërtesë e mbledhjeve dhe e dijeve me mangësi, e shtrembënime do të grumbullonte pranë saj me mija vetë, në një mbasdite të ditëve të para të prillit.
Një 7 prill, ditë akuze kundër klerit, për okupacionin fashist. Kleri u desh t’i përgjigjej edhe për 7 Prillin! Ditë me mot të keq, kur do të arrestohet Dom Mark Hasi. Sheshi i madh, edhe në drejtim të lulishtes, ku mblidheshin njerëzit nga të gjitha anët, të jepte përshtypjen se po vinte krejt qyteti. Qytet me ngjarje. Këto ngjarje zgjojshin të gjitha kujtimet dhe hapshin njëkohësisht të gjitha plagët e një vendi, përherë në mjerime e në vuejtje e, nuk delte në dritë.
U fol me aq tërbim në këte mbledhje fanatikësh dhe të paditunish e, asish që mbaheshin të ditun kundër fesë e, sidomos kundër besimit katolik. Flitshin me egërsi për inkuizicionin, kryqëzatat, për Vatikanin, tue e quejtë qendrën e obskurantizmit botnuer. Flitshin të shfrenuem. Dom Marku, që kishte fuqi fjale, përpiqej të jepte përgjigje. Ata nuk e lejshin të fliste, se në sallë ku gjindej, e kishin rrethue oficerë e police, të ulun në banka.
Kjo mbledhje konfuze mbaroi me zhurmë xhahilësh, që nxorën nga salla Dom Markun, të cilin e priste jashtë gati makina e Sigurimit të Shtetit, me derë të hapun. Kjo kalonte mes radhësh të njerëzve, që ishin në të dyja anët. Njerëzit çojshin krenat për ta pa, nësa ishte tue u afrue mbramja e thellë e zisë, me re të mëdha, të randueme që përshkojshin qiellin me tërbim.
U err natë e nata, dëshmi e dhimbjes. Populli ishte i lodhun dhe i ligshtë me kundërshtue, por i fortë me urrejtë të keqen dhe bakëqijtë. Zemrimi populluer kalonte ligjin e fesë e, merrte udhet namëve, që në formimin e tij ishin si një lutje oficesh, kah shihte egërsinë e pushtimit. Populli katolik, ishte ndër ezgjete. Feja e krishtenë, në atë mënyrëne saj, kishte kontingjentet e përzemërta.
Ky qe fillimi i prillit 1967! Po fundi?!
Për meshtarët që kanë marrë dijet, atje ku punohen ato, që kanë ndejë pranë këtij populli të rrokullisun edhe mbas ramies së kalave, në dorë të perandorisë së keqe turke, që kanë ba përpjekjet për të shpëtue kufijt e kombin e, të formojnë e të naltohen lterë e shkolla, rrënuesit kryejshin vepra për t’i qitë fare. Përsëri në Institut në orën 5. Altoparlanta. Oficerë. Policë. Makina, Sigurimi. Popull. Popull i madh fort. Qyteti randohej. Ishte kah fundi prilli e, dielli i bukur e bante të dritshme këte mbasdite. “Me Padër Meshkallën e kanë”, – flitshin zane. Të gjithë e njihshin.
Kishin shkue me e marrë në shtëpi, një kolibë në lagjen “Ballabane” dhe e kishin rrethue para e mbas, njerëz të caktuem, plakun e thijun, burrin e shkurtë, Jezuitin energjik, si një Padër Pro i Meksikut. Në kohë pak të ndryshme, njeni prej tjetrit, por të lidhun doradorës, në të njajtën forcë, në të njajtën dëshmi.
Ishte Padreja 67 vjetësh, që për 43 vjet, kishte predikue Krishtin, me fjalë e me shembuj. Asnjëherë si sot nuk asht ky Padër, në krye të detyrës. Do ta grisë botnisht, fjalimin e 6 shkurtit. Tue mbrojtë besimin, e, në të njajtën kohë, tue mos e shkëputë këte mbrojtje, nga ideali i atdheut, ky Padër, kishte parasysh binomin; “Fe e Atdhe”.
Fjalimi i At Meshkallës
Foli Padreja e, nuk ishte e lehtë të ndalohej. Fjalët e tij tingëllojshin, e përtrijshin, e gjallnojshin zemrat e njerëzve, por hyjshin porsi zgjeta, ndër zemrat e atyne që e kishin prue aty. Për shumicën u ba ditë e re, ditë lirie. Shumë ishin fjalët e tij, por dalloheshin: “Mos të mendoni se rininë e keni tuejen. Populli kurr nuk ju do.
Këte e keni lidhë për kafshatën e gojës”. Populli nuk mund të çonte zanin, por fytyrat e njerëzve të shumtë, ndritshin nga gëzimi i të gjithëve, të krishtenë e myslimanë. Dukej se edhe këta, kishin folë nëpër gojën e tij. Një lidhje shejte ishte realizue. Padër Meshkalla, u jepte zemër të gjithëve.
Mehmetit dhe Enverit, u shkoi lajmi si bombë. Këta nuk parashikojshin një humbje të tillë, një thyemje morale, një disfatë publike. “Asht thye Enveri. Asht diskretitue Mehmeti”!
Mehmeti pat marrë një letër, në të cilën Padër Meshkalla, i kujtonte takimin që kishin pasë në Shtëpinë e Jezuitëve në Tiranë, në vjetin 1945.
Mehmeti i kishte thanë Padrës, se nuk i mbyllim kurr kishat. Padër Meshkalla, lëshoi dëshminë e gënjeshtrës së tyne. Forcat e Sigurimit, e kapën mbas mbledhjes me egërsi dhe e hodhën në makinë, si një deng, tue e godite me grushta, me shtjelma, edhe me qytat e pushkëve. Populli, edhe pse sa herë nuk i merr mbrapa herojt, i do shumë.
Në këte muzg, bukuri prilli, u ngjallën zemrat prej këtij Padre, u elektrizuen e shihej edhe një reaksion i madh, fort i madh shqiptar. Sunduesit kishin dhunën. Sunduesit e nisën këte njeri të madh, mbas një gjyqi gjysmë të fshehtë, në zhegun e një dite korriku, të kalojë vjetët e mundimeve, në burgjet e regjimit totalitar, tue mbetë gjithëherë figura tërheqëse, në një qiell që mund të kthiellohet vonë, në një të ardhme që e përgatisin shumë faktorë e, ndër këto edhe qendrësat heroike të shpërblyeme nga Zoti.
Vuejtje
Kur i provojmë ngjarjet e mëdha, të rrezikshme të këqia e tronditëse, në ditët e para mund t’i përballojmë, por tue kalue ditët në një luftë të gjatë, mund edhe të na pakësohen energjitë e vuejtja, atëherë dyfishohet, shumëfishohet dhe e mundon krejt qenien tonë, edhe kemi atëherë randimin e vërtetë të jetës. Ishin ditë të bukura maji, kah fundi e për pak çaste m’u duk se një natyrë të tillë, rrallë e kisha pa, sa që më bani, pa u kujtue, i shkëputesha nga realiteti i tmerrshëm ku gjindeshim.
Kishte në këto ditë ndonjë re krejt të hollë e të bardhë, e domosdoshme për e dhanë bukuri qiellit, në pranverë. Diell, freski, aromë lulesh. Sa shpejt kalova në realitetin e idhtë kah lagja e “Sarreqit” e në qendër të tij, shihsha Katedralen e heshtun, këte tempull të vajit e kumbanaren madhështore, që ruente fuqi e prezencë ende. Kur ktheva në shtëpi, gjeta gjithçka të ngatërrueme: arka nanës e pështjellueme, kapakut të së cilës ia kishin hjekë me egërsi, një fugure të Zojës së Dhimbshme, që ia kishin dhanë prindja nanës me vete në martesë, po ashtu edhe baula, thasë të mbushun me libra, fugure.
Angjelin Nallbani, i Frontit!
Kishin ardhë nga Komiteti Ekzekutiv, nga “Fronti Demokratik”, me kryetarin e Këshillit Popullor të lagjes, Angjelin Nallbanin, i një familjeje me traditë komuniste, për të marre librat. Vëllai, Gjergji, u kishte thanë se pa ardhë vëllai, nuk duhet të merrni asgja. E ashtu qe ba, mbasi sollën edhe një polic, për t’i marrë.
U ngarkuen 9 thasë me libra e, me një makinë ikën nga zhegu i ditës, vjedhësit e grabitësit e stileve të tyne. Morën librat, botue para 1944 dhe libra të besimit. Disa libra të besimit, i kishte pasë fshehë Gjergji mes dërrasave të dyshemes. Këto do të merreshin ma vonë. Gjatë jetës, kisha kalue edhe disa prova, por sa herë i thojsha vetes se, në qoftë se jeta më kalon kështu, nuk qenka edhe aq e vështirë. Vuejtjet e forta nuk kishin hy ende në shpirtin tim. Nuk isha pa botë shpirtnore, por këte e kisha ma tepër në sipërfaqe.
Tash kalojsha nëpër rrugët e qytetit e, më dukeshin si të mos ishin ato. M’u dukte se vuente edhe një gur, sikur kishte ndërrue pamjen, edhe një ndërtese. Drejtohesha kah të gjitha kishat e mbylluna, tue u dhanë vetëm një shikim në largësi e në mbrendinë time, lidhesha vetëm me kujtime. U ndeshësha me njerëzit, pa muejtë me folë me ata, tue pasë prej tyne kalimthi, përshëndetje të dhimbshme e të dashuna. Por shpirti im drejtohej mirë.
Nisa të isha i vemendshëm ndër prita. Nëse dikur kalojsha pa njohjen e jetës në substancë, e nalta teologji, më kishte dhanë qartësi. E kisha të ditun tashma se origjina e së keqes dhe e vuejtjeve, qendronte te mëkati. E mëkati i njerëzve të parë, asht fillesa. Le të jenë mundimet, arrita të thosha, por të mos mungojnë ndihmat e nalta. Asht terri, por të jenë edhe dritat. Edhe kam pa e provue, se ka njohje të jetës pa religjion. Le ta kuptojmë sa të mundemi realitetin e natyrshëm, por ta çmojmë e ta vlerësojmë të mbinatyrshmin. Zoti i ka krijue njerëzit e parë, tue pasë ata lidhje miqësie me atë. E kjo do të thotë se jemi me hirin e mbinatyrshëm shejtnues. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm