Nga At Zef Pllumi
-Libri i At Zef Pllumit: “Rrno vetëm për me tregue”, torturat në Burgun e Kishës, Shkodër-
Memorie.al / At Zef Pllumi në librin e tij “Rrno vetëm për me tregue”, botim i Shtëpisë Botuese “55”, në kapitullin “Frateli Gjon Pantalia” përveç të tjerave tregon dhe një episod se si e ka njohur gjatë jetës në burg Drita Kosturin, ish-të fejuarën e “Heroit të Popullit” Qemal Stafa. Ngjarjet zhvillohen në vitin 1947, në ambientet e Kolegjit Françeskan në Shkodër, i kthyer në një burg të stërmadh nga ana e komunistëve, pasi morën pushtetin në vitin 1944. Në këtë paragraf, përshkruhen me mjeshtëri torturat e xhahilëve komunistë ndaj të burgosurve politikë, të cilët në atë kohë ishin kryesisht inteligjencia, klerikët, nacionalistët, etj.
FRATEL GJON PANTALIA
Me hekurat e mija na lidhen të dyve bashkë. Ai pruni dyshek leshit e mbulesat, kishte edhe pak enë të vogla për ushqime. U sistemuem, u gëzuam e u përqafem. Fratel Gjoni, kje i vetmi jezuit, që, kur u shpërnda gadi nji vit para shpija e tyne, erdh e banoi në Kuvendin tonë Françeskan. Me origjine ishte prej Prizreni, djalë i vetëm, në moshën 20-vjeçare, kishte lanë punën si nëpunës i hekurudhës dhe nanën e vet, me ndigjue thirrjen e Zotit, për me hi anëtar i Shoqnisë “Jezu”. Tash ishte në moshën 64-vjeçare, nji trup mesatar i lidhun: mendjen e vullnetin, i kishte edhe ma të fortë.
Mjeshtër i të gjitha zanateve, me nji bagazh të mirë kulturor ndër shkencat humanitare. Njeri shumë i gjallë, me cilsi të nalta organizative dhe me aftësi të rralla për jetën praktike. Kishte shetitë shumë vende të Europës dhe zotnonte latinishten, gjermanishten, frëngjishten, italishten, turqishten e, sllavishten. Aso kohe Fratel Gjoni, konsiderohej prej popullit; kyçi kryesor i jezuiteve në Shqipni, pamvarsisht se ai si fratel, prej superjorave, emnohej vetëm këpucar o, rrobaqepës: punën e bante ai, nderimet i merrshin tjerët. Para se me fjetë, erdhën e na lidhën bashkë, edhe kambët e kështu ishim të lidhun kambë, për kambë e, dorë për dore.
Kemi vuejtë ashtu së bashku, pak a shumë, katër muej, deri ne ditët e para të majit. Në nesre u kuptue se burgu i Kishës (alias Kuvendi Françeskan) ishte plot e permaje, mbushë me të burgosun: nalt kishte 68 dhoma të mdha, e të vogla. Poshtë kishte salla të gjana, në secilën sistemojshin së paku 200-300, të burgosun. Për çdo mëngjes na bijshin te dera nji tas ujë, nji racion buke misri 400 g. dhe jepshin ndezjen e duhanit (vetëm nji herë në 24 orë).
Në banjo na nxirrshin n’orën 5 dhe n’orën 17, gjithmonë me duer të lidhuna. Atyne që familjet u sillshin ushqime dhe ndrresa, ua jepshin n’orën 12-13. Detyrohej heshtim i plotë, pamvarsisht se në ditët e para, u tolerue zani i ambël i Gac Çunit, por u ndryll ai dhe çdo za tjetër, deri edhe kollitjet e të teshtimet, të cilat shpesh interpretoheshin si sinjale. Dy oda nalt, dhe dy tjera poshtë, afër bibliotekës, ku dikur ishte redaksia e “Hyllit të Dritës”, u vunë në dispozicion të hetuesisë.
Ndër to, hetuesat me hu, korrent elektrik e, lloj-lloj torture që u vinte ndër mend, mbyllnin proceset ose, jetën e njerëzve të pafaj. Kuvendi Françeskan, gjatë vjetit 1947, kje qendra dhe kulmi i terrorit komunist: ai u transferue aty nga selia e parë, që ishte shtëpia e Pjetër Çurçisë (afër Sahatit të Inglizit) dhe mandej, ma vonë, kaloi në Kolegjin Françeskan, ku Dega e Punve të Mbrendshme, vazhdon me kenë edhe sot.
Në burgun e Kishës, kam jetue deri me 18 janar 1948, pra ma shumë se nji vit. Kje nji vit tepër i vështirë. Sot nuk mund i përshkruej ditët e atij viti, se do të shkojshem tepër gjatë, por shkurtimisht, do të tregoj disa episode. Në nji mëngjes, n’orarin e shërbimeve për tualet, aty mbrenda burgut, u ndie krisma e automatikut. U grumbulluen shumë ushtarakë. Flisnin me za të naltë, pamvarsisht se dikush prej tyne, jepte urdhna: “Mos fol”!
“Mos e ço zanin”! Me shka u kuptue në spjegimet e para, dukej se kishte ike nji i burgosun, dhe hekurat e kambëve e të duerve, i kishte lanë aty, në odë. Qysh nat çast, na të burgosunt e tjerë, filluem me hjekë shumë keq. Atë ditë mbetem pa dalë në banjë: nji torturë e vërtetë. Pa kalue nji orë, erdhën e na kontrolluen prangat që kishim nder duer e, ndër kambë. Na i shtërnguen, me nji mizori shtazore. Mbas pak minutash, dueret filluen me u ajë. Prej çdo ode, filluen me u ndie gjamë, ofshame e vaj i të burgosunve. Roja, me nji terror të pamshirë, kërcnonte me ulurima, çdo psherëtimë. Vetëm në mbasdite vonë, filluen me na qitë në shërbime personale.
As tash nuk e dij, se si u muer vesh, se kishte ike prej burgut, Hilë Shllaku. Por ikjen e tij, e paguem shtrejt, të gjithë të burgosunit. Duert tona, u bane plagë prej prangave. Të gjithë ata që ishin të lidhun çift, nuk mund të lëvizshin sadopak, përse tjetrit i hyjshin prangat deri në kocka, tue shkaktue dhimbje të tmerrshme. Kjo gjendje, u ba metode e përhershme, pothuej rregullore e Burgut të Kishës. Në gjysmën e dyteë të shkurtit 1947, shokun tim të vuejtjeve Fr. Gjon Pantalinë, filluen me e marrë në pyetje. Kur thuhet pvetje, don me thanë, fillojshin edhe torturat.
Natyrisht, na nuk e pvetnim njani-tjetrin, se shka kërkojshin në hetuesi, jo për mosbesim, por se ata ishin aq mizorë, sa mujshin me e marrë edhe atë tjetrin dhe me e pvetë, se shka të ka thanë shoqi yt e, me e torturue deri në vdekje. Mbas nja katër seanca pvetjesh, nji ditë po vjen në dhomë, me nji plagë në krah, nën brryl. Ai hetuesi, i kishte ngule nji shufër hekuri në mish. Mbas dy-tri ditësh, e kapen ethet me të dridhuna. Plaga ishte ajte, ai gjimonte prej dhimbash: nuk e merrte gjumi, as ditën, as natën. Gardiani lajmoi dhe pruni nji infermier ushtarak, i cili i hapi plagën dhe i shtini nji fitil.
Na ishim të lidhun dore për dore, në mënyrë që ai praktikisht, ishte pa duer e, me duhej mue me dhanë ndihmë, o me i durue edhe dhimbjet e tija. Ai infermieri ushtarak, vinte krye dy ditësh. Infeksioni kje aq i rande, sa mbeta pa mend: qelbi filloi me dalë nga plaga, si uji. Ndërkaq hetuesi, shtonte seancat e pvetjes së tij. Nji dite, nuk na prune as bukën, as ujin. Kur i thame gardjanit, se na kishte harrue, ai na u përgjegj se kishte urdhën prej hetuesit. Mbas 48 orësh, që ndenjëm pa buke e, pa ujë, Frareli filloi me pas shumë shqetsime, përveç dhimbjeve të krahit. Un ishem i qetë.
Zoti më kishte fale shumë durim, ai plak me dhimbej, sikur ta kishem babë. Lutshim Zotin bashke, që të na jepte forcë. Mbasi kaluen tri ditë pa hangër, pa pi, me tha: – “Shikjo Fra Zef, më vjen keq shumë, që po vuen edhe ti, për shkak tem. Tash e kam të kjartë, se do të na lane kështu, edhe nji ditë, ose dy, se jo ma shumë, mbasi njeni vdes. Shif kur të na bien me hanger, kanë me pru ullij, ose djathë, që janë të krypuna, por nuk do të na biejn ujë. Prandej më ndigjo, mas prano me i hangër, se do të kemi etje. Dhimbjet e etjes, janë ma të mdha se të urisë”.
Kur u bane pesë ditë pa hangër, pa pi, mue më kishte fillue nji gjumë i rande, ndërsa ai, ishte shumë i shqetsuem. Më thonte shpesh: – “Falju nderës Zotit, për këtë gjumë, por un kam dhimbje”. Mbas pesë ditësh, na prune nga nji copë bukë misri, me ullij dhe djathë bashkë. Frateli u çue e tha: – “Un nuk i marr, pa më pru ujë”. – “Do tjua biem ma vone”. – “Jo. Nuk i marrim”. – “Ti fol për vete, ky tjetri i merr”. – “As un nuk i marr, pa pru ujin”. “Paçi vehten në qafë. Un po ua lë këtu ushqimin, në daçi hajeni, në daçi mos”.
Mbas nja 2-3 orësh, gardjani erdhi persi. Na menduem se do të na binte ujin, por ai, veç ndali sa më pa. Gjella ishte aty ku e kishte lanë: e paprekun. – “Pse nuk hani”?! – “Bjer ujin përpara”. Mbylli derën e u largue. Mbas nji ore, u ndigjuen përsri ecje të zhurmshme, nëpër korridor: u ndalen te dera jonë. Hyne mbrenda tre vetë. Kishin nji sahan me krypë. Na hypën sipër dhe përdhuni, na mbushen gojën me ka nji grusht krype, mandej u kthyen në punë të vet. Të shkretat gojë tona, që s’patën me shka me u shpërla. Ne nesre, lkura e gojës u rrjep. Në të shtatën ditë, nuk mujtem me u çue.
Mue më kishte kape nji si gjumë, nuk kishem kurrfare dhimbje, ndërsa Frateli kishte dhimbje, jo vetëm prej krahit të pezmatuem, por edhe prej urie. Në ditën e nantë, na prune bukë dhe ujë: plot broken me ujë. Frateli e muer i pari, aq me turr, sa gadi kje tue i ra dishka, mue më dhimbej shumë, megjithktë e kqyrshem me nji fare inati, se me hini friga, se nuk po më len asnji pikë. Më teproi dishka dhe e shova etjen. Kur fillova me hangër, mu duk se më luejshin dhambët. Hangra kadale dhe kur mbarova kafshatën e parë me gishta provova: luejshin me të vërtetë.
I thashë Fratelit: – “Shif si më losin dhambët, jo nji, por të gjithë, hiqen kollaj prej fulqinit”! – “Të paska ra smundja e marinarve”. –“Pse marinarve, u bien dhambët”?! – “Nuk u biejn, por u losin, ose u prishet mishi, kur bajnë udhtime të gjata në dete. – Un nuk besoj se do ta ketë ndokush tjetër, përveç të burgosunve”. Sa më zgjati kjo smundje, nuk mund e thom me siguri, por ma vone dhambet, jo vetëm që nuk më kanë lëvize, por më janë shtërngue aq fort, sa kur ka ardhe koha me i hjeke, nuk delshin, pa thye pak edhe nofullën. Mbasi kaloi kjo valë torture urije, Fratelin filluen me e mjekue përsri në krah, se kishte shumë dhimbje.
Nji nate, më duel gjumi i trembun. Frateli ishte zgjuet prej dhimbash të krahit. Më pveti: “Pse u trembe”?! Un i kallxova se kishem pa n’anderr Stalinin. Por nuk ishte ai Stalini i fotografive, por nji tjetër, burrë i ri, mjaft i pashëm e i mbajtun, që më thirri në zyrën e tij dhe me muer në pvetje. Në fillim, më muer me të mirë, mandej m’u kërcnue, se mbrami muer nji shkop të trashë, që ishte në qoshe të zyrës dhe u tremba e me duel gjumi. Ndërsa Frateli, mendonte me ma shpjegue, se a do të delte mirë a jo, që se po ndiejme zhurmën e kambve të gardjanit, që avitej në korridorin e gjate.
Ishte kund ora 1 mbas mesnatet. Ajo zhurmë po avitej përhere e ma afër e, u ndal te dera jonë. Ndërsa po hapej dryni, na bame sikur ishim në gjumë. Gardiani hini mbrenda, demek më zgjoi, mi zgidhi prangat e lidhi Fratelin, e mue më vuni pranga tjera. Më vuni para e ecëm nëpër korridorin e gjatë. Më dërgoi në zyrën e hetuesit. Shka me pa! Po ajo ftyrë e atij Stalinit, që kishem pa n’andërr: Fadil Kapisyzi. – “Un, – më tha, – jam hetuesi i Fratel Gjonit, dhe mbasi jeni bashke në nji odë, mendova të zhvilloj njikohësisht edhe me ty procesin”.
– “Procesin e kam firmose njiherë”! “Ajo ishte nji tallje e, jo nji proces serioz. Ai oficeri që të pat marre, ishte ndër ditët e transferimit dhe e ka ba shkel e shko. Bile edhe ai ka lanë shënim aty, se procesi nuk asht përfundue, se do të dalin dokumenta të reja. Edhe kanë dale. Un e zhvilloj procesin, siç duhet; e ke pa ku e kam çue Fratel Gjonin: ka pasë peshue 90 kg. e tash peshon 60. Do ta baj. me ardhë 20 kg. Un nuk dij lojna, prandej fol”.
– “Zotni, po as ai procesi që kam ba un, nuk ishte lojna. Un kam hjekë edhe ma zi se Frateli, atje te pjeshka”. – “E dij, e dij mirë, ishin lojna fmijsh ato të Nestit. Do më njofish mue, se ndër këto duer, u ka dalë shpirti atyne burrave të fortë. Ke ndie ti? Fol”! – “Un skam shka flas, mbasi edhe ato që kam firmosë, ishin tepër. – Tepër eee? Nuk din ti ee? Të kallxoj un tash ty. Por ma parë, due me dijtë, shka të ka thanë Fratel Gjoni”. – “Si shka më ka thanë”?! – “Po, po, shka të ka thanë, ai ty”? – “Për shka? Un kur ishim jashtë, nuk kam folë kurr me të, nuk na lidhte mosha: ai plak, e un i ri”.
– “Jo more jashtë, po aty në ode shka të thotë ai”? – Ai më thotë se e ke rrahë dhe e ke mundue. Shka më ka thanë tjetër”?! – “More leni ato ti, po më kallxo ato sekretet e jezuitve që ti ka lanë ty amanet”. – “Mue sekretet e amanetet e Jezuitve”?! Un nuk jam Jezuit, por fransçeskan”. – “I dij mirë un ato: të gjithë njilloj jeni. Por fol ose ta mora shpirtin këtu, si zogut. Fol”! – “Nuk më ka thanë kurrgja kurr”. – “Fol o ta mora shpirtin”! -mandej kapi nji shkop të trashë aty në qoshe të dhomës e, të më hini mbare e mbrapshtë.
– “Aman o Zot, -u luta, – po kur do të marri fund ky mallkim”? Ndërsa ai po më rrahte, mue mu kujtue nji fjalë. – “Ndigjo i thashë”. – Ai e ndali shkopin. – “A mendon ti, se Fratel Gjoni asht budalla”?! – “Fratel Gjoni budalla?! Po kush e tha këtë?! Frateli ishte, bash ai dreqi i dreqënve të Jezuitve. Vetëm ai i din të gjitha punët e Jezuitve. Për këtë e kemi na këtu. Fol shka të ka thanë”? – “Po a mendon ti, se nuk e ka mendue ai këtë punë, që ju mund më thirrni edhe të më pvetni? Ai ma ka thane këtë”.
– “Ta ka thane e”?! – “Po ma ka thane”. – “Atëhere kallzo të gjitha, shka të ka tregue, se kur të ka thanë, ç’të ka thanë edhe tjerat”. Mandej vazhdoi me at shkop edhe nja nji çerek ore e, më lshoi. – “Për sonte, -tha, -kaq ke boll. Shko në odë, mendo mirë, do të thrrasim përsri me fillue procesin tand. Fratelit mos i thuej gja”. Më lshoi. Kur u ktheva n’odë Frateli e pa shka më kishte gjetë. Fjeta se ishëm i lodhun. Ne nesre i tregova, se shka me kishte gjetë. Ai nuk u çudit aspak. – “Un me të vërtetë e kam mendue, se do të të thrrasin, por po më vjen keq, se po të takon me hjekë për mue, e për Jezuitet. Hajde ta bajmë bashkë Udhën e Krygjes: Gjithmonë ndër përndjekjet kundra Kishës, kanë dekë për Krishtin, së bashku fretën e Jezuite”.
Mue nuk më thirri kurrkush ma për me më pvetë për Jezuitet, dersa, mbas pak kohe, Fratel Gjonin e, shpeshherë edhe mue, na merrshin e na lidhshin kambësh e dueresh, në nji korridor ku sillej roja; e na lejshin në kambë, ditën e natën, pa hangër, pa pi; shënjojshin nji pikë në murë, ku do të avitej hunda, dhe ashtu pa asnji lëvizje të trupit, mbas disa kohe, u ndiente nji lodhje kaq e madhe sa me u çmendë.
Mbas nja 5-6 ditësh ose nji jave, na kthejshin e dhomë. Fratel Gjoni me dhimbej në shpirt: kishem fitue për të jo vetëm respekt, por nji dashuni si ta kishem babë. Edhe ai me respektote mue, se un ishëm djakon. Shpesh herë më thonte: – “Fra Zef, mos mendo se kjo murtaje kalon shpejt. Ti je i ri Kleri Katolik do të shkoje “usque ad unum” (deri në fund), vetëm atëhere, do të vije liria. Ti do t’ia mbrrijsh asaj dite dhe ti do të tregojsh të vetveten, për të kaluemen e të sotmen. Kështu jam i bindun un”.
Më la disa testamente, pothuej sekrete, për Shtëpinë e Jezuitve, por koha e gjatë, i bani të gjitha të pavlefshme: shkatrrimin total që pruni komunizmi, ai nuk e kishte parapa. Kur e kthejshin në dhomë, mbas gjithë atyne torturave, ai kishte humbë edhe pamjen e njeriut. Më dhimbej në shpirtë. Nuk na bijshin kurrgja tjetër, përveç 400 gr. bukë misri, në 24 orë dhe nji sapllak uji. Un, gjysën e 400 gramshit, ia jepshëm atij, se e shifshem se ishte ba asht e lkurë. Trupi i tij i shëndoshe, ishte shëndrrue në nji skelet. Më thonte: – “Fra Zef, plaku han shumë, po nuk hangri, vdes. Por edhe i riu ka nevojë me hangër, shumë, prandej, mos ia hiq vedit”!
– “Un nuk ia hjek vedit, por nuk kam oreks, – i thojshëm, – buka e misrit thatë e mykun, nuk më shkon poshtë”. Në të vërtetë, un ishem i unte gjithmonë, por e shifshem se ai, kishte ma nevoje se un. Në dhomën përbri, rrinte Gac Çuni, nji mësues. Ishte artist, kangëtar i lindun, me nji za tambel si të bylbylit. Dhoma e tij i shte aq e vogël, sa nuk i nxente dy dyshekë, prandej ishte vetëm. Kishim ba në perden prej tullash, që na ndante nji vrimë, me bisht të lugëve të drujta. Bira mund nxente nji kokërr ulli. Kam harrue se kush i binte Gacit, dishka vorfnisht. Me siguri nana. Ashtu edhe Fratelit, i binte familja e shkrimtarit Zef Harapi.
Mue nuk më binte kurrkush. Kur ishëm vetëm, rrijshim gojë me gojë natë birë, tue fole gjatë shumë orve, me Gacin. Para se të hinte në burg, ishte kenë mësues në Bajze të Kastratit, përtej Koplikut. Më tregonte idilet gjyse-baritore të tija, dashurishkat, idealet dhe kjajshim vuejtjet. Liria, ajo ishte larg. Kishte nji za aq tambel e, të përvajshem, kompozitor e poet i lindun. Gjithë ketë gjendje të tmerrshme që jetojshim e, të gjitha andrrat tona të shpresës e lirisë, ai i kishte kompozue si muzikë edhe fjalë. Un sot, nuk i mbaj mend ato, por gjatë gjithë jetës, më kanë ushtue në veshë dhe në zemër. Këndonte lehtë me buzë te biruca e murit, kur roja qëndronte në ballin tjetër të korridorit.
Un n’ato momente’ nuk ishem ma në burg. Kishte t’arratisun nji vlla. Ky akuzohej sikur e kishte takue, dhe kjo përmbante nji krim të madh, për komunistat. Ai e njifte Fratel Gjonin dhe u interesonte me i ndjekë me veshë lëvizjet e tija, kur e merrshin në pvetje. Ma vonë Fratelin e kthyen në dhomë, gadi sikur e qiten në harresë. Edhe krahi filloi me iu përmirsue. Nji ditë i thashë: – “Më fal se po të pves, se në këtë vend, asht ma mirë mas me dijtë, se me dijtë: Shka kërkojnë prej teje”?!
– “Kërkojnë ata, shka nuk asht: sekretet e Jezuitve. Kta nuk dijn shka don me thanë Shpi Jezuitesh e, Province Jezuite. Së fundi kërkojnë, që un t’u lshoj nji deklaratë’ se Jezuitet, si italian ma e shumta, ishin edhe fashista, se At Cordignano e’ At G. Valentini, ishin anmiq të shqiptarve. E gjitha kjo. Un, -tha, -nuk pranoj me u lshue këtyne asnji deklaratë, mbasi po u lshove majën e gishtit, të presin krahin”.
Edhe mue filluen përsi, me më nxjerrë me fshi korridorin dhe banjot. Sado punë e randë dhe e papërshtatshme që ishte, e bajshem me andje dhe më dukej privilegj. Më takonte me pastrue edhe shumë dhoma, ku ishin të burgosunit. Në nji birucë pa dritare, në terr kishin shti Dr. Kol Prelën deputet, që i kishte dalë në nbrojtje At Gjon Shllakut. E njifshem e çmojshem. E pveta tinze: – “Si të duket puna”? – “Mua, -tha, – do të më pushkatojnë. Nuk parashof ndonji ndryshjm deri sot pesë vjet, mandej ndoshta po”
Kur u ktheva n’odë e ia tregova Fratelit, ai më tha: – “Kola si edhe Paulin Pali, janë dy njerzit ma të pregatitun ndër ne, për politikë perëndimore, se ajo orientalja, asht e bazueme vetëm në rrene e pabesi. Sa për at pesë vjetshin që të ka thane, duhet kuptue, se në politikë, pesë vjet, janë njizet e pesë vjet, prandej më beso mue: para 25 vjetve, nuk kemi liri”.
Gjatë ksaj kohe, shifshem shumë njerz që nuk i njifshëm; kur kallzoshëm Fratelit, ai mi shpjegonte se kush ishin, se i njifte të gjithë. Më ndeshi rasa me shumë kend, të fitoj edhe besimin e tyne e, më rastisi me ba edhe ndonji lidhje e shkuesi ose, me bajte fjalë: mos prano, se nuk kam pranue” ose; “kam pranue nën torture, por ti qindro”, etj. etj., “se në gjygje, nuk do të pranoj”. Ky ishte nji veprim shumë i rrezikshëm për mue, se në rasen ma të vogël, un do të hiqshëm tortura të pabesueshme.
Falemnderës Zotit e, nuk më ndodhi kurrgja. Nji rast i tillë, më solli te dhoma e Patër Palit. Kur gardiani hapi drynin, te dera doli nji vajzë e re dhe më mori fshesën. U bana shumë kurioz.
Mfshehtas e pveta: – “Kush je ti”?! – “Drita Kosturi”. Për mue, ishte nji emën krejt i panjohun. A thue mund të ishte ajo, ndonji spiune provokatore, për t’i nxjerrë sekretet të shkretit Patër Pal?! Kur u ktheva në qelinë time, ku isha i lidhun dorë për dore e, kambë për kambë, me Fratel Gjon Pantaline, u vuna menjiherë në takim, me dhomën përbri, ku ishte i vetëm Gac Çuni.
Ajo vrima e murit, ishte edhe telefoni ynë sekret. Ai më pveste për të gjitha të rejat, ose mjerimet që më kishte rastise me pa, gjatë orëve të pastrimit.
E pveta me ngut: – “A din gja, kush asht Drita Kosturi”?! Ai e përsëriti pvetjen time, por me çudi të madhe, shtoi: – “Pse, edhe atë e paskan shti në burg”?! – “E njef ti”?! – “Jo, jo, nuk e njof, por me të ndëgjueme. Ka kenë e fejuemja e Qemal Stafës. Si mund të jetë ajo në burg”?! “Ndoshta mund të jetë ndonji tjetër, që ka të njajtin emën; këtu s’merret vesh kurrgja”! E me të vërtetë, kurrgja nuk merrej vesht, as nuk kuptohej, pse kësaj burije, i frynte edhe shoku im i prangave, Fratel Gjoni, i cili mund të konsiderohej, njeriu ma i përplasun me jetën, njoftësi ma i mirë i karaktereve dhe i punëve të kësaj toke të ngaterrueme.
Mbas disa muejsh ndodhi, që un të isha kojshi, me dhomën ku ishte Patër Pali. Në këtë rast, ai ishte vetëm. Ato vrimat sekrete, ndërmjet dyshemese dhe murit, të çiluna me bishtat e lugëve të drunjta, për ne të burgosunit, nuk ishin ma sekrete se i dinim të gjithë. Sinjali se folësi i anës tjetër, nuk ishte polici, o provokatori, ishte përplasja e prangave të duerve, për dërrasa. – “Patër Pal, je vetëm”? “Tash po”. – “Kush ishte ajo Drita Kosturi”? – “Nji engjëll i dërguem prej Zotit, për me më ngushllue”. – “A nuk ke dyshime në te”?! – “Dyshime? Çfarë dyshimesh?! Ajo asht nji vajze e ditun, idealiste e vërtetë”!
– “Ajo ka kenë e fejuemja e Qemal Stafës, komuniste”! –“Komuniste ndoshta po, por me atë ideal të sinqertë, që e karakterizon rininë. Mos i gjyko njerëzit ashtu. Asht nji Amazonë, që lufton kundra çdo tiranie, prandej edhe kundër tiranisë komuniste”. – “Atëhere, përse e kanë pru te ti”?! Dhe më tregoi se si, gjatë torturave të hetuesisë, ai nuk kishte mujte me durue ma. Nuk ishte puna vetëm për te, kërkojshin ma tepër që ai të merrte në qafe të tjerët. Në nji çast dishprimi, kishte humbë gjykimin, kishte kalue në krize çmendunië dhe u hodh prej dritare e poshtë.
Kishte humbe ndjenjat dhe, mbasi kishte ardhë në vete, nuk mundej me lëvize: dishka kishte thye. Atëhere ia kishin pru atë vajzë, që kishte studiue në Itali, për Mjeksi. I kishte shërbye, jo sikur Patër Pali, t’ishte babai i saj, por sikur t’ishte nji fëmijë i saj. – “Sakrificat e saj për mue, kurrë nuk do t’i harroj dhe po të porosis që; ne kjoftë se vjen ndonjiherë dita e lirisë, ajo duhet konsiderue, si mike e Urdhnit Françeskan”.
Aty kah mesi i prillit, me larguen prej odës se Fratelit e, me çuen në nji korridor të vetmuem. Te Fratel Gjoni, dërguen nji tjetër. Kush ishte ai?! Nji Zot e din! Por si flitej ma vonë, ishte vllai i nji prej udhëheqsave lokalë të pushtetit komunist, ndoshta spiun i prokurorit. Kush e din?! Fakti asht që mbas nji mueji, Fratel Gjoni mujti me hi në nji prej atyne odave, që ishin të lidhuna me Kishën dhe u hodh poshtë. Naltsia kje e madhe dhe Frateli theu kambët. E zunë në Kishë dhe e prune në nji batanije, përsri në odë, ku ishte. Çfarë të rrahunash i banë, megjithse me kambë të thyeme. Çfarë ulurimash ndigjuem?!
Na veç luteshim, që Zoti ti jepte ndihmë atij edhe ne, se na kapi frigë e madhe. Për disa muej nuk ia ndjeva ma zanin, as nuk ia njofta të ecunën nëpër korridor kur ishte orari i banjës. Nuk mund e kuptova kurr. Por kah fillimi i Shtatorit, përsri u ndje zani i tij në nji korridor ku me hundë të mbeshtetun në nji rreth që vizatojshin në mur e lanë disa dit ashtu në kambë, të lidhun, pa guxue me ba asnji lëvizje. Mbas disa ditësh se çfarë torturash i banë nuk e kam të kjartë as sot, por ulurimat e tija tmerruen të gjithë të burgosunit. Aty në tortura vdiq. Memorie.al