Nga Ahmet Xhavit Delvina
Pjesa e dytë
Memorie.al / Po e shkruaj këtë ngjarje që e kam trajtuar unë si “dirigjent” dhe më ka lënë mbresa të paharruara sepse, është një pjesëz e jetës së njerëzve tanë, në atë periudhë të keqe të sundimit komunist. Ishte viti 1954, u nisa për në Tiranë nga Burreli në orën 4 të mëngjesit, isha ushtar në Repartin 7620, me detyrë në ofiçinë si automekanik, në këtë rast po çoja një makinë – kamion ushtarak tip GMC (“Xhems”) Made in USA, për remont – kapital, në Ofiçinën Qendrore të Ushtrisë. Kjo lloj makine luftarake, mund të them se ishte krejtësisht e papërshtatshme për transport civil sepse, si konstruksion kabinën e shoferit e kishte krejtësisht të hapur me tendë, por faktikisht tek kjo mungonte tenda dhe xhami përpara, nuk ekzistonte se kishte kaluar një përplasje dikur, karrocerinë e kishte totalisht metalike, me sponde të ulëta 25 cm. lartësi dhe kjo e zbuluar pa tendë, apo dhe pa ndonjë mbajtëse anësore. Ishte muaji shkurt, kulmi i atij dimri të egër.
Natyrisht unë nga jeta e Esatit dija shumë gjëra, helbete si motra për vëllanë dhe kjo i lejoi atij të bisedonim shtruar për Mustafa Gjinishin, Mustafa Kaçaçin, Qemal Stafën, Kajo Karafilin, Nako Spiron, Vojo Kushin, Gogo Nushin, Kozma Nushin etj., dhe kur flisja unë, ai më dëgjonte me shumë vëmendje të veçantë dhe herë pas here më bënte ca pyetje të çuditshme si: “Ç’mendim kishin Meli me Esatin, për këtë apo atë problem të atëhershëm apo dhe ç’kisha dëgjuar ndonjë bisedë ndërmjet shokëve që vizitonin Esatin në shtëpi, qoftë edhe ndonjë bisedë nga Gjystina apo Ymeri (Dishnica), Spiro Moisiu, Sejfulla Maleshova, Kadri Hoxha, etj., e kam fjalën, – thoshte Beqiri, si i lidhnin ata bisedat e vjetra me mendimet e sotme”?
Unë pa të keq i bëja biseda në lidhje me ato që kërkonte, por vura re se disa nga bisedat e mia i bënin shumë përshtypje dhe nganjëherë më dukej se shqetësohej dhe ndoshta i dëgjonte për herë të parë, se s’kish si shpjegohej ndryshe interesimi aq i madh për bisedat që i bëja unë. Pasi u ktheva nga “shërbimi”, unë gjithë qejf i shpjegoj Esatit (vëllait) suksesin që pata me Beqirin dhe çdo bisedë që patëm bërë me të dhe thashë; “u çudita që ju paskeni patur aq lidhje të ngushta me të, ai ju njihte mirë të gjithëve”!
Mirpo çuditërisht Esatit nuk i erdhi hiç mirë për ato biseda që unë kisha bërë me të dhe në një moment më ndërpret dhe më thotë: “Lëre moj lëre atë budalla, me ç’duket qenka plakur dhe matufepsur, paska rrjedhur fare, ç’i duhet atij të ‘kruaj’ sot bisedat e vjetra të asaj kohe. Në këto punë që kërkon të rrëmojë e të hyjë ai, e ka krejt gabim, se këto historira të shkuara i ka sqaruar Partia me kohë dhe ai e di mirë që nuk lejohet të diskutohen këto gjëra jashtë kuadrit që Partia ka fiksuar! Çudi, unë atë ‘qen të zgjebosur’ e kam ditur njeri me mend, por mesa duket i paska ardhur koha për të ngordhur”!
Tundi kokën dhe më pyeti rishtaz; “pa m’i thuaj edhe njëherë bisedat e tij pikë për pikë për Qemal Stafën më qafsh, nëse nuk të mërzis, por kujtohu mirë ama”. Unë filloj të përsëris pikë për pikë bisedat, por vura re se ai sikur nuk u dha më rëndësi si më parë, por vetëm tundi kokën dhe më tha: “Ai gomar paska për ta gjetur belanë, do ta gjej si Qemal budallai”.
Kaluan vite nga ajo kohë dhe unë e pyes një ditë që; pse u revoltua atëherë për bisedën që kishte bërë Asimeja me Beqir Minxhozin?! Ai m’u përgjigj: “Të kam folur edhe njëherë tjetër më duket për këtë çështje dhe posaçërisht ai gomar nuk duhet të flas, madje vetëm ai nuk duhet ta zërë kurrë me gojë Qemalin, pa psenë e di ai vetë dhe mbylle të lutem këtë muhabet, sepse nuku është për ty, në qoftë se dhe ti nuk do të të gjej belaja dhe bela e madhe biles. Ndëgjon? Ndëgjova thuaj”?!
Kështu që bisedën e Esatit e lidha me atë të Flora Dishnicës, ku dallova që të dy palët kanë për protagonist Beqir Minxhozin. Dreqi i merr vesh sot misteret kriminale të komunizmit. Por të gjithë shqiptarët e dinë në fakt dhe nuk dyshojnë aspak, sidomos veteranët dallkaukë të asaj kohe, sepse denoncimin për vendndodhjen e Qemalit në ato momente, e urdhëroi Enver Hoxha. Po në këtë mënyrë u asgjësuan edhe “heronjë” të tjerë: Vojo Kushi, Vasil Shanto dhe shumë “luftëtarë” komunistë të tjerë të këtij kalibri.
Metodologjia auto-vrasëse e importuar si eksperiencë me shumë vlera nga Rusia Sovjetike, e prishte ritmin e kësaj ecurie konstante ekzekutimesh brenda kuadrove të veta sa herë që acarohej situata ndërkombëtare, e cila sigurisht reflektonte për keq edhe në jetën e Partisë sonë. Në këto momente krize, “hanxhari i Diktaturës” nuk shihte asgjë për kandidatët që do të përfshiheshin në programet e asgjësimeve apo ekzekutimeve, nuk vlerësohej as vjetërsia në Parti, as pozita që kishin në udhëheqjen e saj, as popullaritetin që mund të kishin në popull, etj., por një gjë ishte shumë interesante të shihje, kur ata shkonin me një urtësi sigurisht të shtirur drejt vdekjes ose, me e shpjegu më thjeshtë, ishin kamikazë prej zori.
Ata menjëherë sipas zakonit, për të spjeguar në popull arsyet e asgjësimit të tyre, inkuadroheshin në grupe që kishin tradhëtuar kauzën apo sabotatorë, agjentë e poliagjentë, në shërbim të shteteve të huaja dhe mbyllej ky kapitull për ta, për të filluar sipas rastit më vonë me grupe të tjera. Jo pak e çuditshme ishte se ata edhe në këto momente të fundit të jetës, si servilë klasikë që ishin, jepnin kontributet e tyre për jetëgjatësinë e Partisë, duke pranuar çdo faj apo përgjegjësi të paqenë apo të pamenduar ndonjëherë prej tyre, ata ishin të bindur se shumë shpejt do t’i rehabilitonte Partia e tyre.
Shembull që ia vlen ta kujtojmë e që është shumë interesant, është ai i “Shules” – Koçi Xoxes, ish numri dy pas Enver Hoxhës. Ky “maqedonas” ishte një kryekriminel sadist, ordiner si njeri, ai s’ishte veçse një teneqexhi i kualifikimit të ulët, shumë injorant, bishë me vartësit e me popullin dhe qengj i urtë me Enver Hoxhën. Ai ishte Sekretar i Dytë i Komitetit Qendror të Partisë, Zv. Kryeministër, Ministër i Punëve të Brendshme dhe i Sigurimit të Shtetit dhe mbi të gjitha, kryeshok armësh me komandantin e tij, Enver Hoxhën.
Enveri pikërisht këtë përdori për t’i shkarë përgjegjësive pa lagur, për fajet që kishte vetë Enver Hoxha ndaj popullit të tij, në marrëdhëniet me Jugosllavinë, të cilat mbërrinin nga çdo gjykim në nivelin e tradhëtisë kombëtare. Pasi biseduan të dy së bashku, si dy vëllezër komunistë, për Koçin, u bë e qartë që në momentet e para, që ai do të ngarkohej me përgjegjësira të rënda tradhëtie dhe se ai duhet t’i pranonte pa asnjë rezervë ato.
Ndërmjet shumë fajeve, ai duhet të pranonte se i ishte rritur shumë mendja, ngaqë kishte marrë përgjegjësi dhe detyra shumë të larta si në Parti edhe në shtet dhe me këto detyra ai mund të bënte ç’të donte, sepse i konsideronte pjesë të punëve të nomenklaturës. Faji i tij më i madh ishte se ai asnjëherë nuk e vuri në “dijeni” për këto punë që kryente sipas mënyrës së tij, as Komitetin Qëndror dhe as Enver Hoxhën. Kur u “zbulua” puna e dobët e Koçit, fillimisht ai u urdhërua që të shkonte në të gjitha rrethet kryesore të vendit, ku do të organizoheshin aktive Partie, për të bërë autokritikë bolshevike dhe të vinte në dijeni bazën e Partisë për ç’ka kishte ngjarë dhe përgjegjësinë që ai ndjente në prizmin personal, për këto faje të rënda dhe rrezikun që mund të rridhte prej tyre.
Enveri në mënyrë private dhe konfidenciale i tha Koçit se; “pasi t’i do të kryesh këtë detyrë të lartë Partie, Komiteti Qëndror do ta ketë parasysh ‘pendesën tënde të sinqertë’ dhe do të tregohemi zemërgjerë me ty duke të falur dhe biles në një të ardhme shumë të shpejtë, do të të ngrej në përgjegjësi. Ky rast me ty do të vërtetoj katërcipërisht demokracinë e brendshme në Parti dhe zemrën e madhe të saj’. Por Koçi e dinte se ç’donte të thoshte të kundërshtoje “kërkesën miqësore” të Enver Hoxhës, në ato momente të rënda që po kalonte Partia.
Ai ishte i atij zanati me profesion, kryeterrorist, ministri i Burgjeve, torturave, internimeve, ku thyenin këmbët me sopat viktimës, për ta futur në një arkë më të vogël, etj. Prandaj ai e pranoi kërkesën e “Komandantit” me gëzim, biles duke i thënë Enverit se, “kur ti na ke futur në Parti, ne të jemi përgjigjur, se për nevojat e Partisë, japim edhe jetën”. –“Ashtu të lumtë” – i tha komandanti dhe për ironi të jetës, ata që nga ai moment, nuk u panë më në këtë botë, dhe për fatin e keq të Koçit “edhe këtë herë si përherë”, fjala e dhënë nga Enveri-Koçit, nuk u mbajt.
Partia ndaj tij jo vetëm që nuk tregoi mëshirë dhe mirënjohjen e premtuar për “autokritikën” e porositur dhe të imponuar prej saj, por u prononcua duke u shprehur në të kundërt, duke thënë, se; “ishte pikërisht vigjilenca revolucionare e Partisë e udhëhequr me largpamësi nga shoku Enver Hoxha, që zbuloi brenda rradhëve të saj, shokë që kishin mbërritur deri në udhëheqjen e lartë dhe që nuk ishin veçse armiq shumë të rrezikshëm, si Koçi Xoxe me shokë”, dhe pas një fjalimi “historik” të tij në Komitetin Qendror, “ky grup armiqsh e tradhtarësh”, iu kalua për gjykim ‘Gjyqit të popullit’”.
Cinizmi dhe sadizmi i Enver Hoxhës, nuk kishte të sosur, ishte i paimagjinueshëm. Caktoi për ta gjykuar Bedri Spahiun, i cili në “Gjyqin Special” për “kriminelët e luftës”, në vitin 1945, ishte prokuror dhe kishte për kryetar të gjyqit të pandehurin Koçi Xoxe dhe për çudi “stil Rus”. Gjatë zhvillimit të gjyqit, Koçi me shokë “pranuan” pa asnjë kundërshtim akt-akuzën, edhe i tërë grupi me Pandi Kriston, Vangjo Mitrojorgjin dhe Vaskë Kolecin, iu përmbajtën skenarit të parapërgatitur me përpikmëri komunistësh.
Të pandehurit gjatë gjithë zhvillimit të gjyqit mbajtën qëndrim të patundur besnikërie, sipas skenarit. Në përfundim të gjyqit, Koçi Xoxe u dënua me vdekje dhe u ekzekutua në mënyrë rrufe, ndërsa shokët e grupit me afate të ndryshme burgimi. Kështu Partia kaloi pa u lagur fare nga çështja e mardhënieve me Jugosllavin dhe la prapa të gjitha fajet dhe gabimet, në saj të sakrifikimit të bijve të saj “më të mirë” për interesat e atdheut. Pak më vonë edhe Bedri Spahiun e arrestuan dhe e dënuan me burgime e internime, i shkatërruan edhe familjen, derisa edhe ai vuajti si qen i braktisur ashtu si të gjithë shokët e sërës së tij.
Ky avaz vazhdoi fatkeqësisht për sa kohë rrojti Partia dhe “Enveri ynë”. Më interesante ishte se si ky mekanizëm auto-vrasës në Parti, që funksionoi pa ndërprerje, nuk u kuptua kurrë nga rradhët e kandidatëve kuadër, për t’u viktimizuar. Ishte me të vërtetë e pabesueshme se të gjithë të zgjedhurit e rinjë që merreshin nga baza apo klasa punëtore, apo edhe nga fshatarësia kooperativiste, për t’i futur në rrugën e karrierës, ishin të paraedukuar me bindjen se paraardhësit e tyre kishin tradhëtuar Partinë dhe Atdheun për shkaqe banale, ose iu ishte rritur mendja dhe iu kishte marrë koka erë, prandaj edhe i gjithë “opinioni popullor”, i miratonte njëzëri dënimet, biles organizoheshin edhe mbledhje solidariteti për këto vendime dënimesh.
Jo pak e çuditshme ishte me kuadrot e reja kur fillonin punë për herë të parë, ata as që e mendonin kurrë se do të vinte një ditë, që edhe ata do të hynin apo do t’i fusnin në rrugën e “tradhtisë”, si paraardhësit e tyre. Ata fillonin detyrat e reja me entuziazëm dhe zbatonin me përpikmëri “urdhërat kriminale” nga lart, pa i diskutuar apo analizuar ato në asnjë plan.
Rrjedhimisht që edhe këta si paraardhësit e tyre me kalimin e kohës dhe pak e nga pak, zhyteshin në rrugën e krimit të organizuar nga Partia Shtet, si rrjedhim edhe këta bëheshin po dëshmitarë të rinjë që dinin shumë gjëra, që nuk duhet të diheshin në të ardhmen, ishin fakte shumë kompromentuese për shoqërinë e çdo kohe, prandaj ky rrezik dekonspirimi, qëndronte përsëri në kokat e këtyre të rinjve në këto detyra “delikate”, prandaj edhe këta “fakir” duhet të sakrifikoheshin me metodën e “auto-vrasjes”!
Kështu që rruga e Partisë për në Komunizëm mbetej gjithmonë e pastër dhe e ripërtërirë gjithmonë me element të freskët dhe të etur për karrierë. Metodika e këtij auto-krimi bazohej në dosjen e gjithësecilit, e cila kishte një fillim, si ç’do gjë mbushej gjatë periudhës së punës me fajet dhe “aktakuzën” e ardhshme, e cila pastaj lejonte organet e “Drejtësisë”, për të asgjësuar mikun, bashkëpunëtorin apo, shokun e tyre në mënyrë të ligjshme! Detyrat që kryenin “viktimat e perspektivës”, në sektorët e ndryshëm të organeve të diktaturës, instiktivisht atyre u kultivonte njëfarë krenarie dhe besimi në vetvete, sepse ata ishin njerëz të fortë dhe vetë karriera në kësi punësh, u krijonte domosdoshmërisht dhe lidhje të reja shoqërore apo kredi, kudo. Këta preferoheshin kudo dhe në shumë raste kjo preferencë ishte edhe nga halli, nuk ishte keq për këdo, të kishte mik një njeri të tillë.
Puna dhe detyra e tyre i favorizonte për t’u alkolizuar, për të ndërhyr kudo dhe për të krijuar favore të padrejta, etj. sepse ky element “militonte” kudo, si në qeveri apo, organet e larta të Partis – Shtet. Prandaj e gjithë jeta e tyre evidentohej dhe kur ju duhej për të vepruar kundër tyre, këto probleme shumoheshin artificialisht dhe bëheshin shkaqet ose motivet për goditjen e tyre nëpër proçeset gjyqsore “fars” e, deri në format nga më banalet, si aksidente rruge, vetvrasje etj. Duke patur për bazë këto realitete dhe fakte, mund të themi pa frikë se këtij fati apo metodologjie ju nënshtruan të gjitha nivelet e kuadrove të atij sistemi, që nga komandantët e të ashtuquajturës Ushtri “Nacional-Çlirimtare, burrat e shtetit komunist, udhëheqësit e ndryshëm të Partisë e, deri tek punonjësit e Sigurimit të Shtetit, relativisht të thjeshtë.
Mund të jetë e pabesueshme për logjikën njerëzore apo atë perëndimore, por është fakt i dokumentuar dhe e kemi jetuar edhe vetë, po t’i rreshtosh emrat e genocidit komunist ndaj nacionalistëve apo të këtij “rigjenerim freskimi” kriminal ndërmjet tyre, duhen volume të tëra. Nuk po përmend nacionalistët që vranë këta, por “auto-vrasjet” ndërmjet llojit të tyre, si komandant e komisar të “Brigadës I-rë partizane “heroike”, nga Mehmet Shehu e Tuk Jakova dhe deri te një nga brigadat e fundit, ajo e XXIV-të, – me komandant Abedin Shehun.
Për një ilustrim të lehtë të këtij realiteti, po përmend disa nga komandantët historik të luftës “Nacional-Çlirimtare”, apo udhëheqës të Partisë së tyre, pa harruar dhe “burrat e shtetit”, si p.sh. Beqir Balluku, Hito Çako, Petrit Dume, Gjin Marku, Teme Sejko, Hulus Spahiu, Rrahman Uruçi, Tahir Kadare, Mestan Ujaniku, Sadik Bekteshi, Rrahman Përllaku, Dali Ndreu, Pëllumb Dishnica, Islam Radovicka, Nexhip Vinçani, Kadri Hazbiu, Halim Xhelo, Kadri Hoxha, kryekriminelja, Liri Gega, (të cilën për “mirënjohje” e ekzekutuan shtatzënë), Liri Belishova, Naxhie Dume, Fiqirete Shehu, Bedri Spahiu, Nako Spiro, Abdyl Këllezi, Koço Tashko, dhe shumë e shumë të tjerë.
Po të bazohemi tek “auto–viktimat” e mësipërmë, që janë vetëm një pjesëz mikroskopike e të asgjësuarve që u etiketuan zyrtarisht në bazë të gjyqeve të tyre, si “tradhëtarë, agjentë”, etj. Atëherë ne nxjerrim konkluzionin se: “Lëvizja Komuniste në Shqipëri, që në themelimin historik të saj, ka qenë një grumbullim njerëzish pa asnjë cilësi morale pozitive, agjent në shërbim të zbulimeve të huaja, të cilët punuan për interesat e shteteve të huaja në dëm të Atdheut të tyre”. Pra përfundimisht këta agjent politikanësh, pa asnjë llojë atdhedashurie, mbetën si përfaqësuesit e pjesës më të zezë të historisë së kombit tonë./ Memorie.al













