• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
  • English
Sunday, June 1, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Personazh

“Kur e pyeta Dashnor Mamaqin në burgun e Zejmenit, për Enver Hoxhën dhe pse ata të Byrosë Politike e kishin aq frikë, ai më tha…”?! / Dëshmitë e rralla nga Italia, të ish-të burgosurit politik

“Lista e zezë” e Enver Hoxhës…(pjesa e tretë)
“Fatmiri, polici zemërmirë që më shoqëroi nga burgu i Tiranës pa më lidhur me pranga, kur mbërritëm në Spaç, më tha…”/ Dëshmia e ish-oficerit të Marinës, i dënuar politik
“Ka nga ata si Dashnor Mamaqi, i cili çirrej në Plenumin e Komitetit Qendror kundër Paçramit dhe Ballukut, por ishte….”/ Plenumi i 7-të, maj ’75, kur Hoxha “zbuloi grupet armiqësore”!
“Zoti Rakipaj, ju përgëzoj për kurajën tënde të palëkundur, për të denoncuar e demaskuar, krimet e përbindëshme të Enver Hoxhës dhe…”/ Letra e shkrimtarit të njohur, për ish-të dënuarin politik

Nga Maksim Rakipaj

Pjesa e parë

 -Pjesë nga libri “Gjallë pas mbytjes së anijes”, i publicistit, përkthyesit dhe shkrimtarit Maksim Rakipaj, ish-oficer i Marinës Tregtare, që vuajti burgjeve të regjimit komunist, si i dënuar politik-

Memorie.al / Shtator-tetor ’79. Kam mbi tre muaj që jam në Spaç. Vazhdoj me shumë mundim punën e rëndë të minatorit. Puna rëndohet edhe më shumë sepse nga 7-8 atmosferë që duhet të jetë presioni i ajrit që, duhet të vijë në martel, nuk arrin kurrë më shumë se 4 atmosferë dhe baromina, bën vetëm zhurmë e pluhur dhe nuk hap birat në shkëmb. Mua më qëllon, për çudi, të punoj në fronte ku fortësia e shkëmbit është shumë e lartë. Më duhet të rri 4 orë mes pluhurit të martelit që, me zor të arrij të mbyll ciklin e punës. E pres me kënaqësi të madhe përfundimin e turnit, lahem me ujë të ftohtë brenda në galeri, vishem dhe zbres me brigadën për të hyrë në kamp. Kam zënë shumë shokë të rinj këtu, nga e gjithë Shqipëria. Vijnë nga profesione të ndryshme; mësues, si: Ron Çobani dhe Visar Zhiti, shkrimtarë si Halil Laze, piktorë etj. Me bindje politike nga më të ndryshmet: ka eurokomunistë(!), ballistë, zogistë, pro rusë, pro amerikanë e ku ta di unë. Nga të gjitha shtresat. Ka prej tyre që kanë lindur internimeve, që vazhdojnë traditën familjare në burgjet komuniste, gjyshi-baba-biri…!

Gjithashtu mund të lexoni

“Musolini, Hitleri dhe Stalini, ua kaluan edhe sulltanëve, për gratë me të cilat shkuan; apo me bashkëshortet e shokëve të tyre, si…”/ Refleksione për librin e Spiro Mëhillit, “diktatorë dhe aventurierë”!

Nikoll Preng Tuci nga Oroshi i Mirditës dhe me banim në Bruksel, që vuajti 25 vite në burgjet komuniste, nderohet në 90-vjetorin e lindjes, nga Bashkia e Rrëshenit dhe Shoqata e ish-të Dënuarve Antikomunistë

Kush është Maksim Rakipaj, nga biografia familjare, te arrestimi?

Maksim Xhafer Rakipaj, i martuar, me dy fëmijë, ka lindur në Vlorë, më 15 korrik 1951. Mbaroi Shkollën e Marinës në Vlorë në vitin 1972. Punoi si oficer kuverte në anijet e Flotës Tregtare Detare, deri në vitin 1977, kur e arrestuan dhe dënuan me 15 vjet heqje lirie për agjitacion e propagandë dhe kontrabandë. E liruan në muajin shtator të vitit 1984.

Kundërshtoi bashkëpunimin me Sigurimin e Shtetit, e lanë 9 muaj pa punë. Filloi punë si minator në muajin qershor 1985, në minierën e e qymyrit në Manzë, sektori Gërdec. Pas vitit 1991, rifilloi punë në anijet e Flotës Tregtare Detare. Në vitin 1996, filloi punë si shef i Marrëdhënieve me Jashtë, shef Protokolli dhe zëdhënës shtypi në Bashkinë e Durrësit.

Në vitin 1999, rifilloi punë në det si kapiten në anije të ndryshme tregtare. Pas vitit 2002, mërgoi në Itali dhe jeton në Lucca (Luka, Toskana). Ka botuar këto libra: ‟20 poezi dashurie dhe një këngë trishtimi” nga Pablo Neruda, përkthim nga spanjishtja, shtëpia botuese TOENA 2003; ‟Profeti” Kahlil Xhibran, përkthim nga anglishtja, shtëpia botuese TOENA 2003; ‟Gjallë pas mbytjes së anijes”,  kujtime burgu, botuar nga ISKPK (Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit), 2014; ‟Antologji e poezisë arabo-persiane” përkthime të ndryshme, UEGEN 2015; ‟Trilusa m’Tironë” përkthim, UEGEN 2015; ‟Bukowski poezi”, përkthime nga anglishtja, 2015; ‟Sonetet e plota të Shekspirit”, përkthim nga anglishtja, shtëpia botuese ADA, 2016; ‟Profeti dhe Kopshti i Profetit” nga Kahlil Gibra, përkthim nga anglishtja, shtëpia botuese Toena 2016; ‟Kali Valltar”, nga Jo Jo Moyes roman, përkthim nga anglishtja, shtëpia botuese UEGEN, 2018; ‟I Mbijetuar”,  botim i ripunuar i librit ‟Gjallë pas mbytjes së anijes”, Shtëpia Botuese “Dy lindje dy perëndime”, 2018; ‟Antologji e Poetëve Nobelistë”, Shtëpia Botuese ‘UEGEN’, 2019; “Antologji e Poetëve disidentë”, Shtëpia Botuese “Jozef”, 2019; “Poezi nga Maram Al Masri”, përkthime, Shtëpia Botuese “Jozef”, 2020; “E Sigurt (Safe)”, roman nga S.K Barnett, përkthim, Shtëpia Botuese “Jozef” 2021; “Ngjyra e Lëkurës”, “Komunizmi dhe Logjika e Shëndoshë”, publicistikë nga Manning Johnson, përkthim, Shtëpia Botuese “Jozef”, 2021; rreth 20 tituj.

Kujtimet e Maksim Rakipaj

-Me Dashnor Mamaqin, në burgun e Zejmenit-

Dikush me një pallto të rrjepur bojë kafe nuk po m’i shqiste sytë… U bëra kureshtar, sepse më ngjante si fytyrë e njohur dhe me kujdes, pyeta dikë që kisha afër:

-Kush është ai tipi atje?

-Dashnor Mamaqi është, pse nuk e njeh…?!

-Kaq sa është dobësuar nuk do ta njihja kurrë. Vetëm hunda i paska mbetur të shkretit…!

Ndërkohë, Dashnori m’u afrua me shumë etiketë dhe me atë zërin e butë e melodioz (vetëm përmetarët e kanë këtë lloj zëri), m’u drejtua:

-Më falni…! Fytyra juaj më kujton një mikun tim, kur kishte pak a shumë këtë moshën tuaj…! Po i bie shkurt: Mos e keni gjë Xhafer Rakipajn?

-Po, është im atë, zoti Dashnor.

-Ah, edhe ju më njihni…? shprehu ai habi -Nuk e di në të ka thënë, por Xhaferrin e kam dashur shumë. E gjeta në shtëpi, në Mokricë më ’43. Asokohe Xhakua, (miqtë e tim eti kështu e thërrisnin shkurt), ishte ballist. Eh, kështu ishte Përmeti ato vite…! Shkonte Ali bej Këlcyra – i merrte me Ballin…! Shkoja unë, i merrja me Partinë, po vetëm të luftonin armikun, donin djemuria…!

Pastaj, kur u plagos Shpresa ime, në Operacionin e Dimrit e, unë s’dinja gjë…! Ishte Xhakua, që e ka mbajtur me orë të tëra në kurriz. Nuk ia harroj kurrë…! Kujtoja një ditë me Shpresën: A mban mend Shpresë, i thashë, kur na erdhi në shtëpi komandanti ynë i dashuri, i madhi Enver…!

Nuk u përmbajta dot, ia hoqa krahun që më kish futur në krahun miqësisht dhe i thashë duke i ndarë fjalët me rrokje: -Kjo është e fundit here, që rrimë bashkë. Me gjithë këto që ke hequr e po heq, me Shpresën dhe fëmijët në internim, ti vetë në burg… ende e do kriminelin Enver Hoxha?! Apo mos ke frikë prej meje, dhe kështu më fyen edhe më rëndë akoma! Kur do të vijnë mentë ty more…?! Apo kur të kesh përpara vetes skuadrën e pushkatimit, si shokët e tu?

Edhe atëhere prap do ulërish: Rroftë ai kriminel?!

-Po prit more djalë, ule zërin, merre me avash, se ty vetëm 10 vjet të japin, po mua më pret plumbi! Pa kam edhe hallin e familjes, edhe fëmijët… dhe hapi sytë rreth e rrotull, dhe vetëm pasi u sigurua që nuk dëgjonte njeri dhe tha gati duke pëshpëritur: “Ah, sikur ta njohësh mor bir, atë qen ashtu si e njoh unë… duhet ta kesh vërtet frikë! Po ti s’e ke idenë se, ç’kriminel përbindësh është ai!”

-Mirë mo Dashnor, por nuk ka njeri tjetër që mendon si ty, atje në Byro… fjala vjen, po pse nuk e heqin qafe xhanëm…?!

-Sepse nuk ua mban asnjërit të bëhen bashkë, se vigjilon e i përgjon të gjithë…është i tmerruar…dhe si gjithë diktatorët dhe ai i tmerruari të vret kot së koti…! Dhe ky nuk ka të ngopur me gjak…! Besomë, kështu është mor bir.

Rrofsh që më bëre të them ç’mendoj prej kaq e kaq vitesh…! Ikim tani, se filloi apeli…!

Vite më pas, mora vesh se i shkreti Dashnor Mamaqi, vdiq në burgun e Shën-Kollit, në Lezhë, pa arritur t’i përqafonte i lirë të dashurit e tij…! Dhe nuk qe vetëm ai që pati një fat të tillë.

Baba Mehmeti, që i bëri karshillëk Mustafa Qemalit

Në kampin e Ballshit, midis të shumtëve, kam njohur edhe mjaft persona të veçantë…! Do të mundohem t’i kujtoj e, t’i sjell të gjallë për ju, jo sipas rëndësisë së tyre, as sipas ndonjë kronologjie, por thjeshtë, ashtu si të më vijnë…dhe njëri prej tyre ishte një dervish: Baba Mehmeti i quanin, i Teqesë së Frashërit…! E kishin arrestuar në vitin 1968, dhe dënuar me sa më kujtohet 15 vjet. Kur e njoha unë, më 1978, ishte rreth 85 vjeçar, por shumë i mbajtur.

Në kamp ishte të shumtë ata që me respekt e thërrisnin me titullin e bektashinjve “Baba”, por ai, i sikletosur u përgjigjej “E ç’Baba ziu…?! Baba pa mjekër…”! Vetëm mua ma pranonte me kënaqsi, kur e thërrisja me titullin “Baba”.

Që kur ishim prezantuar në fillim, u habita, sepse i njihte shumë mirë të parët e mi, duke filluar nga gjyshi im, Sabriu, te xhaxhallarët e mi, dhe prindit e mi dhe i dinte mirë historitë e tyre. Kishte zë melodioz dhe ruante të folurën karakteristike përmetare, të kohës së Naimi Frashërit, dhe kur fliste Baba Mehmeti, të dukej sikur këndonte.

-Mirëmëngjes Baba! – i thoja

-Mirëmëngjes evlat! – ma kthente dhe i qeshnin sytë.

-Do vish të të jap kafen e takimit, se më erdhën dje të mijtë?

-Çapë përpara, sa të mbaroj një punë, nja dy minuta dhe ardhçë…!

…Ishte i muhabetit, Baba Mehmeti…!

-Ku ke studiuar Baba? – e pyesja gjithë kureshtje?!

-Stamboll, evlat, Stamboll. Dhe kam takuar edhe Mustafa Qemalin atje.

-Vërtet? – habitesha unë – Po si, qysh?!

-Ja ta rrëfej unë evlat. Ishnja djalë i ri unë ato kohë, edhe pak dhe mbaroja studimet, kur një pasdite behari më ’24-ën, shkon në një çajhane në Stamboll për një çaj, se thashë helbete, mos shoh edhe shoqërinë, se atje piqeshim me njëri-jatrin, nëpër çajhane.

Kur do ti, nja 20 asqerë me pushkë, na futen brenda në lokal, duke thirrur: “Në këmbë! Shpejt, në këmbë! Dhe nderoni të madhin Kemal Ataturk! Unë kur ata bërtisnin, s’lojta nga vendi që thua ti…! Po ke parë ti…Mustafa Qemali, i vendosur e drejt e te tavolina ku jeshe unë. U ngrita në këmbë, s’kisha ç’bënja dhe e nderova…!

-Qysh të quajnë? – m’u drejtua mua…!

-Mehmet, i them unë…!

-Nga je?

-Shqiptar! – i them…! Dhe me përshëndeti shqip, dhe… foli gati nja 10 minuta në këmbë me mua vetëm shqip…!

-Të njoha sa hyra që je shqiptar, – më tha – Pse s’u ngrite në këmbë kur të thanë ushtarët?

-U ngrita, efendi, – ia ktheva – por jo nga frika e tyre, por nga respekti që kam për ju…! Mustafa Qemali, qeshi me të madhe me këto llafet e mija…!

Ishte vërtet burrë trim, Baba Mehmeti.

Kur u sulën t’i shkatërronin teqenë e tij, në vitin 1967, viti kur u prishën të gjitha institucionet fetare tek ne, Babai, mori pushkën dhe qëlloi fillimisht në ajër, duke thirrur si Ali Pashë Tepelena në Janinë:

-Prapsuni! Prapsuni jezitër…! U afrua një sekretar partie, po hiç Babaj, s’lejonte njeri t’i afrohej teqesë. Vetëm kryetarin e Degës, e lejoi të hynte në teqe. Kishin qenë bashkë partizanë në luftë. Se Babai, kish qenë partizan, dhe kishte marrë bile edhe gradën major…! -Po pse lëftuam? Pa më thuaj njëherë? Që të na shtrohet Jeziti këmbëkryq në vatanin tonë?!

S’i patëm kështu llafet më dyzetetrenë…! Pas ca ditësh, e thirrën Babanë në Degën e Punëve të Brendshme, në Përmet: “Sa për një sqarim”! Ka qejf kryetari ta pijë një kafe me ty Baba! – i tha polici. Dhe e piu kafen me kryetarin…! Prej asaj dite, s’e lanë më të dilte që aty Baba Mehmetin. E dënuan si “armik të Pushtetit Popullor”, dhe fatura qe 15 vjet burg…!

Personazhe kampi

Jam në kampin e Ballshit, viti 1978. Këtu ka shumë të moshuar, të sëmurë, ka njerëz që janë në burg qysh se ka hyrë “Pushteti Popullor”. Këtu mund të takosh Zef Malën, kryetarin e ‘Grupit Komunist të Shkodrës’. Të gjithë e thërrasin profesor… është pothuaj krejtësisht i verbër, por mbetet një person që të imponon respekt me dinjitetin, urtësinë dhe kulturën e gjerë që zotëron. Një tjetër profesor mjaft i respektuar, është edhe Nikollë Daka.

Dikur profesor i latinishtes dhe greqishtes së vjetër, e një nga nxënësit e tij, ka qenë edhe Ramiz Alia. Mbas “çlirimit” si shumica intelektuale, ka qenë o në burg, ose punëtor në fabrikë tullash.

Njeri i shkëlqyer, si shumica e shkodranëve. Ruaj, shumë kujtime të dashura prej prej tij. Përkthente Petrarkën për mua, por kur më transferuan, nuk mundi të ma jepte dot përkthimin, pasi nuk e lejuan t’i afrohej grupit tonë, që po largohesh për në Spaç.

Ishte edhe kampioni i burgjeve, një i moshuar gjirokastrit, i arrestuar dhe i dënuar pa gjyq qysh më tetor ’44. Deri më ’78-ën, kishte qenë vetëm 10 ditë jashtë burgut. Pse e kishin futur në burg? Cili kish qenë krimi i tij?! Kishte shoqëruar trupat gjermane, si përkthyes, pasi qe marrë me forcë prej gjermanëve si përkthyes më ’43-in.

Dihej që kishte studiuar për farmacist në Vjenë, dhe se kishte shpëtuar shumë vetë nga vdekja, me shërbimet e tij si përkthyes, por nuk i vlejti asnjë nga dëshmitë e tyre!! Aty gjeta edhe një vlonjat, Kastriotin ose shkurt Kaçin, një marinar i anijes “Dajti”.

Kaçi kishte rreth një vit aty dhe i njihte gjithë të burgosurit dhe historitë e tyre. Ditët e para Kaçi, qe ciceroni i burgut për mua. Më tregonte me kënaqësi histori të burgosurve të ndryshëm dhe s’kishe nevojë ta lusje shumë, mjaft të të shihte që ja kishe hedhur sytë dikujt me kërshëri dhe Kaçi kurdisej menjëherë…: “Uëë, nuk e njeh këtë ti?! ça thua or? Dëgjo, dëgjo vëllain tënd ti…!” Kështu më qëlloj të mësoja edhe historinë e F., një histori e denjë për film thriller…

Më kish rënë në sy, qysh në ditët e para ky F., i ri dukej, por mosha nuk i kuptohej mirë, mund t’i jepje 25-30 po edhe 40 vjeç. Fytyrën e kishte të shtrembëruar nga një paralizë faciale, një dorë thuajse të paralizuar që e mbante para gjoksit me pëllëmbën e hapur dhe gishtat që i dridheshin e njërën këmbë që e tërhiqte pakëz zvarrë…!

Nuk shoqërohej me askënd, veçse me një djalë nga Laçi, që e ndihmonte (Kaçi më tha se, janë nga i njëjti qytet të dy dhe njihen qysh në jetën e lirë). Kaçi, i kënaqur që po ma zbulonte i pari historinë e këtij personazhi, më ftoi të dëgjoja me hollësi… dhe ma tregonte, sikur ta kishte jetuar vetë atë…!

“Aty nga viti ’75, kapet nga kufitarët, pasi e kishin plagosur rëndë, një djalë rreth 20-25 vjeç duke tentuar të arratiset për në Greqi. Lajmërohet Ministria dhe vijnë urgjent nga Tirana dhe e marrin…! Gjatë torturave, i shkreti djalë, u tregon se kishte pasur ndërmend të shkonte tek xhaxhai i tij, në Gjermaninë Perëndimore.

Me vete kishte të gjitha dokumentet dhe fotografitë, që do t’i provonin se ishte djali i të vëllait, të atij që jetonte në Gjermani, një ballist dhe eksponent i emigracionit antikomunist, në Gjermani. Kaq dhe nuk dihet më ç’u bë me të kapurin në kufi.

Do thuash ti, po ç’punë ka ky F., në këtë histori…?! Ka, ka… sepse ai, kishte një ngjashmëri aq të madhe me atë që u kap në kufi, dhe ishin bile nga një krahinë…! Një ditë e thirrën këtë djalë, në mënyrë sekrete, ata të Sigurimit, e bindin, e stërvisin, ia mësojnë gjithë historinë e fisit të atij fatziut që u kap në kufi, i mësuan edhe kodet dhe mënyrat se si do të lidhej me drejtuesit e operacionit dhe e nisën të kalojë kufirin, e gjitha kjo nja dy-tre javë, pasi nipin e vërtetë, e kishin kapur dhe e qëruar ata kasapët.

Tashti, detyra e tij, ishte të takonte “xhaxhanë” në Gjermani, t’i fitonte besimin dhe të priste urdhrat nga Tirana, për të vepruar më tej. Pasi ndejti pak kohë në Greqi, këtë na e tërheq “xhaxhai” në Gjermani, i informuar prej autoriteteve greke. Xhaxhai, tashmë i moshuar, dhe nuk kishte krijuar familje, ardhjen e djalit të vëllait (që kalbej burgjeve në Shqipëri), iu duk si dhuratë nga perëndia.

Shikonte fotografitë e të afërmve, që i kish sjellë nipi dhe lahej në lot…! E adaptoi si djalin e tij, e regjistroi edhe në shkollë dhe, e donte si sytë e ballit. Kur nipi nisi të interesohej për aktivitetet e xhaxhait, ky nuk i tregoi asgjë…! “Ti gëzo jetën djali im, studio, mbaro universitetin dhe jeto si njeri, s’ke pse vret mendjen për gjë, pasuria ime, do të jetë jotja një ditë…!

Mëso, bëhu njeri dhe martohu, ishalla shoh edhe unë një nip prej teje…! Dhe jetoi kështu disa muaj F., duke bërë një jetë që as në ëndërr s’e kish parë… dhe e harroi porositë… dhe pse e kishin sjellë në Gjermani…! Sigurimi që e kishte gjithnjë nën vëzhgim, një ditë, vendos t’i japë fund lojës, duke e sjellë xhaxhanë “pako postale” në Shqipëri…!

Shfrytëzuan një shëtitje, pranë Berlinit lindor – sipas informacionit të nipit – pasi e droguan, e paketuan dhe e sollën në Shqipëri, së bashkë me “nipin” dhe F., u kthye në qytetin e tij të vogël…! Për të dhe psiqikën e tij, qe një goditje e rëndë…! Jeta jashtë shtetit, nuk ishte ajo që ai kish mësuar në shkollë…!!

E porositën të mos hapte gojë me njeri për asgjë, të mos i tregonte kurrkujt, se përndryshe…!

Si duket, F., foli me dikë, dhe shpejt një ditë të bukur e pa veten në birucë, i torturuar dhe i larë i gjithi në gjak…! I dhanë “kostumin” e 10 viteve dhe e porositën përsëri të mos e hapë gojë me njeri…!

Por tani, si ishte katandisur, edhe të donte, mezi fliste, madje edhe kur fliste, nuk i kuptohet se çfarë thoshte, për shkak të asaj paralize faciale, edhe pse ishte pak më shumë se 30 vjeç…! Memorie.al

                                                       Vijon numrin e ardhshëm

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Musine Kokalarin e kisha shoqe qelie, ajo më tregonte se Enveri e adhuronte, kishte ndjenja për të dhe njëherë ai...”/ Dëshmia tronditëse e vajzës që u lind në Korfuz dhe vuajti 12 vite burg

Next Post

“Kapidan Preng Bib Doda, i derës së Gjonmarkajve, mori përsipër shkrirjen e autonomisë mirditore, në kuadër të shtetit të ri shqiptar, një fakt me rëndësi...”/ Libri i studiuesit të njohur, Dr. Nikoll Loka

Artikuj të ngjashëm

“Musolini, Hitleri dhe Stalini, ua kaluan edhe sulltanëve, për gratë me të cilat shkuan; apo me bashkëshortet e shokëve të tyre, si…”/ Refleksione për librin e Spiro Mëhillit, “diktatorë dhe aventurierë”!
Personazh

“Musolini, Hitleri dhe Stalini, ua kaluan edhe sulltanëve, për gratë me të cilat shkuan; apo me bashkëshortet e shokëve të tyre, si…”/ Refleksione për librin e Spiro Mëhillit, “diktatorë dhe aventurierë”!

May 27, 2025
“Sapo merrnin vesh që kishim njerëz në burg, banorët e Burrelit, mbyllnin portat e as një pikë ujë nuk të jepnin për fëmijët, kurse në të vetmin hotel që ishte aty…”/ Kujtimet e Sofika Prifti Cara   
Personazh

Nikoll Preng Tuci nga Oroshi i Mirditës dhe me banim në Bruksel, që vuajti 25 vite në burgjet komuniste, nderohet në 90-vjetorin e lindjes, nga Bashkia e Rrëshenit dhe Shoqata e ish-të Dënuarve Antikomunistë

May 27, 2025
“Kur Mehmet Shehu i tha; ti Prekë, po të ishe me ne komunistët, do ta kishe mbyll jeten me ‘kapak ari’, Prekë Cali, ju përgjigj…”/ Historia e panjohur e “piramidës së gjallë” të kufijve të Shqipërisë
Personazh

“Kur Mehmet Shehu i tha; ti Prekë, po të ishe me ne komunistët, do ta kishe mbyll jeten me ‘kapak ari’, Prekë Cali, ju përgjigj…”/ Historia e panjohur e “piramidës së gjallë” të kufijve të Shqipërisë

May 21, 2025
“Në vitin 1943, Enver Hoxha shkruante me entuziazëm në buletinet e luftës; Bazi i Canes, lufton si luan dhe askush s’mund të nënshtrojë Shqipërinë, me heronj të tillë…”/ Dëshmia e rrallë e Fatbardh Kupit
Personazh

“Në vitin 1943, Enver Hoxha shkruante me entuziazëm në buletinet e luftës; Bazi i Canes, lufton si luan dhe askush s’mund të nënshtrojë Shqipërinë, me heronj të tillë…”/ Dëshmia e rrallë e Fatbardh Kupit

May 20, 2025
“Njerëz pa asnjë kontribut gjatë Luftës, thurën intriga që të dënohej Ali Shtëpani dhe familjes së tij t’ia ulnin kokën, pasi…”/ Historia e patriotit që u dënua me “Grupin e Deputetëve” dhe raporti i CIA-s për të në ’47-ën
Personazh

“Njerëz pa asnjë kontribut gjatë Luftës, thurën intriga që të dënohej Ali Shtëpani dhe familjes së tij t’ia ulnin kokën, pasi…”/ Historia e patriotit që u dënua me “Grupin e Deputetëve” dhe raporti i CIA-s për të në ’47-ën

May 19, 2025
“Kur unë po hyjsha në burg, Shkodrën po e lejsha të krrusun nën peshën ma të randë të nji terrorri të egër, që s’mundet me u përfytyrue, me burgjet plot dhe populli…”/ Dëshmia e Ahmet Bushatit
Personazh

“Bedrije Ashiku tregoi, se gjatë torturave me korrent elektrik, F. Kapisyzit dhe D. Rrjollit, u mbet i vdekun në dorë At Bernardin Palaj, dhe ashtu me tela nder veshë…”/ Rrëfimi i Frtiz Radovanit nga Australia

May 14, 2025
Next Post
“Kapidan Preng Bib Doda, i derës së Gjonmarkajve, mori përsipër shkrirjen e autonomisë mirditore, në kuadër të shtetit të ri shqiptar, një fakt me rëndësi…”/ Libri i studiuesit të njohur, Dr. Nikoll Loka

“Kapidan Preng Bib Doda, i derës së Gjonmarkajve, mori përsipër shkrirjen e autonomisë mirditore, në kuadër të shtetit të ri shqiptar, një fakt me rëndësi...”/ Libri i studiuesit të njohur, Dr. Nikoll Loka

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • English
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
error: Content is protected !!