Nga Vepror Hasani
Memorie.al / “Më mbetën sytë te ai djalë”, nis të na tregojë fillin e bisedës së saj, mësuesja e letërsisë, Zhaneta Tuxhari, historinë e njohjes me bashkëshortin e saj, futbollistin e mirënjohur korçar, qendërsulmuesin e famshëm, Maksim Tuxhari. “M’u duk sikur trupi im mori flakë dhe po digjesha e tëra”, vijon më tej Zhaneta. “Maksin, (kështu e thërras që nga ajo ditë), nuk e kisha parë asnjëherë nga aq afër. Isha në Voskopojë, kur u ndodha kaq pranë tij. Në atë kohë isha në vitin e tretë të gjimnazit. Ishte gusht i vitit 1961. Komiteti i Rinisë më kishte dërguar në Kampin e Pushimit të Pionierëve, si udhëheqëse për kompaninë e vajzave. Maksim Tuxhari ishte caktuar nga ekipi i “Skënderbeut” udhëheqës për kompaninë e djemve.
Që në çastin e parë që i hodha sytë, sa nuk më ra pika. Ai ishte i gjatë, i pashëm dhe shumë i qeshur. Sa herë që qeshte, (dhe kjo gjë mua më pëlqente shumë), i vija re dhëmbët e bardhë dhe të rregullt, që nuk e di pse ia hijeshonin fytyrën aq shumë. Ishte shumë i çiltër dhe komunikues. Po më pëlqente shoqëria e tij. Diçka po na nxiste për të qëndruar sa më afër njeri-tjetrit.
Bashkë shkonim te ‘Sheshi i Komandantit’, bashkë te ‘Çezma e ushtarit’, bashkë në mëngjes dhe në mbrëmje. Një muaj më parë, më 2 korrik të atij viti, në ndeshjen mes ekipit ‘Vashash’ të Budapestit dhe ‘Skënderbeut’ që përfundoi 3-1, i vetmi gol i shënuar nga korçarët’ ishte ai i Maksit. Për ditë të tëra me radhë u fol për atë gol. Maksi ishte me kompaninë e djemve dhe unë me të vajzave, por aktivitet i zhvillonim bashkë.
Ishin ditë shumë të bukura që unë nuk kam për t’i harruar kurrë. Kur përfunduan pushimet (sa shpejt që ikën ato ditë!), u kthyem në Korçë. Atë çfarë më kishte ndodhur me Maksin, ia tregova motrës time Loretës dhe shoqeve të mia, Ditkës dhe Vilmës”, kujton Zhaneta, njohjen e parë me bashkëshortin e ardhshëm të saj.
Sekreti
“Deri atë ditë nuk i kishim thënë asgjë njeri-tjetrit, (kush guxonte në atë kohë!), por unë isha e sigurt, që ai ishte dashuruar pas meje dhe unë pas tij. Kisha një ndjesi të tillë, që më bënte të besoja se që nga çast i njohjes, ne nuk do të ndaheshim më kurrë. Doja t’ia tregoja këtë gjë mamasë, po ku ta gjeja kurajën.
Mamaja ime, Krisanthi, ishte një grua me trup mesatar, kishte pamje të hijshme dhe rrezatonte mirësi, por ajo kishte rregullat e saj dhe përpiqej t’i respektonte me fanatizëm. Më donte shumë. Kur unë u sëmura dhe doktori e këshilloi që unë të shtrohesha në spital, nëna ime shiti një pjesë të pajës së saj, sepse medikamentet në atë kohë, ishin shumë të shtrenjta.
Megjithatë, sekretin tim që nuk e mbaja dot brenda qenies time, nuk ia tregoja dot. Babai im Thanasi, vdiq kur unë isha vetëm 13 muajshe, ndërsa motra ime, Loreta, 6 vjeçe. Mamaja ime mbeti e ve. Pas kësaj, ne u kthyem te shtëpia e gjysh Nikollaqit. Mamaja u martua me z. Petraq Ballço, kur unë isha në klasë të katërt.
Ballço ishte një burrë shumë i mirë, na trajtoi sikur të na kishte vajzat e tij. Në vitin 1957, lindi vëllai ynë, Tomi, që ne e duam fort. Nuk e di nëse këtë sekret, do t’ia kisha treguar dot babait. Gjithnjë kisha dëgjuar se ai kishte qenë një burrë i gjatë dhe mjaft i pashëm, kishte qenë i këngës dhe i valles. Sa do të doja që ai, të ishte në dasmën time!
Me siguri që atë ditë, do të këndonte këngët më të bukura të tij. E gjeta një zgjidhje. Nga babai na kishte mbetur një mbajtëse radioje, pjesa e poshtme e së cilës, shërbente për vendosur libra; kishim dhe një bllok shënimesh, në të cilin babai shënonte hyrje-daljet e mallit, të një dyqani të vogël që e kishim patur te Pazari i Korçës dhe disa sende të tjera.
Nisa t’u rrëfeja historinë time të dashurisë, relikeve të mbetura nga im at, ndërsa sytë po më njomeshin nga lotët. Një çast nuk e di pse ndjeva frikë. M’u duk sikur babai do të më pyeste: ‘Pa më trego tani moj çupë, kush është ky djalë që ke rënë në dashuri”?
“Porosia e mamasë”
“Të them të drejtën, – vijon të na tregojë Zhaneta, – unë në atë kohë nuk dija asgjë për Maksi Tuxharin. Në të vërtetë nuk doja të dija asgjë më shumë, më mjaftonte ajo që ndjeja për të. Megjithatë dija që ai ishte futbollist i zoti dhe që punonte si agronom në kooperativën e qytetit. Vetëm kaq.
Pas kthimit nga Voskopoja, nuk jam e sigurt nëse kisha qenë unë ajo që po kërkoja Maksin apo, kishte qenë Maksi ai që po më kërkonte mua! U takuam gati si rastësisht. Po binte mbrëmja dhe nuk po ndaheshim dot. Po aq i lumtur sa unë, ndihej edhe Maksi. Që nga ajo ditë e në vijim, do të takoheshim kur ai dilte nga stërvitja. Takoheshim gjithnjë fshehurazi.
Përpiqesha që lidhjen time të mos e merrte vesh mamaja. Gjithnjë respektoja porosinë e saj: ‘Në shtëpi duhet të kthehesh pa u ndezur dritat e rrugëve’! Më vështirë e pata në stinën e vjeshtës dhe të dimrit, se ato të shkreta drita i ndiznin pa vajtur ora 17.00. Edhe pse respektoja çdo porosi të mamasë, përsëri lajmi vajti në vesh të saj. Në shtëpinë tonë u prish qetësia.
Mamaja nuk donte që unë të lidhesha me Maksi Tuxharin, sepse ai nuk kishte përfunduar shkollën e lartë dhe mbi të gjitha, i përkiste besimit mysliman. Pas kësaj, çdo mbrëmje do të fillonte kërkesa e llogarisë. I tregoja gjithçka me imtësi, si kisha dalë në shkollë, ku e kisha kaluar pasditen e gjithçka tjetër, por mamaja befas e kalonte bisedën te Maksi.
E ke takuar’? më pyeste. ‘Jo’, i përgjigjesha gjithë frikë. Po mamaja përsëri e ngrinte zërin: ‘Me Maksin nuk do të takohesh më’. Ajo nuk ishte e bindur që unë kisha hequr dorë nga lidhja ime dhe kjo gjë e shqetësonte. Në atë kohë do të mësoja edhe diçka tjetër për Maksin: ai vinte nga një familje e pasur, ndaj në vitin 1948, i kishin nxjerrë nga shtëpia dhe i kishin strehuar në një ahur bagëtish.
Në vitin 1957, i kishin kthyer sërish në shtëpinë e tyre, por njolla biografike ‘borgjezë’, nuk po u hiqej, madje të tillë do t’i konsideronin deri në vitet ’90-të. U ndjeva e trishtuar, kur e mora vesh këtë gjë, por nuk e di pse ndjeva edhe më shumë dashuri për Maksin”.
Dritat e rrugës
“Qetësia e prishur në shtëpinë tonë, vijonte të ishte njëlloj si më parë. Mamaja vazhdonte të më pyeste: ‘E ke takuar Maksin’? ‘Jo’, i përgjigjesha. Por ky dialog më vonë, do të acarohej edhe më tepër. Dritat e rrugëve ishin ndezur dhe unë ende nuk isha kthyer në shtëpi. Porosia e mamasë ishte thyer.
Kur mamaja ime vuri re se dritat ishin ndezur, hodhi krahëve një xhaketë ‘lustre’, ngjyrë kafe dhe mori rrugën, duke menduar se unë do të isha nga shtëpia e shoqes time, Ditka, por rrugës ajo mori vesh, se mua më kishin parë te ‘Çezmat e reja’, bashkë me Maksi Tuxharin. Ky informim e solli mamanë duke turfulluar, më tepër nga inati, se sa nga nxitimi.
Pa më thënë asnjë fjalë tjetër, më kapi për gërsheti dhe ma rrotulloi kokën, sa fjongoja e bardhë më ra në tokë. Pastaj më tha: ‘Kështu e zbaton urdhrin që të kam dhënë’?! E kishte fjalën, jo vetëm për dritat e rrugëve që ishin ndezur, por edhe për urdhrin që më kishte dhënë, për të mos u takuar më me Maksi Tuxharin. Një grimë më pas, mamaja iu drejtua Maksit: ‘Po ti, mos je ai sportisti mysliman’?!
‘Jo’, iu përgjigj Maksi, duke menduar se me këtë përgjigje, do të më vinte në ndihmë, por mamaja as që e besonte që ai, nuk ishte Maksi. Më mori me vetë gjithë nerva e, duke më qortuar. Që nga ajo mbrëmje, mamaja më kufizoi daljet pasditeve, qoftë edhe me shoqet. Na u desh të gjenim një zgjidhje tjetër.
Nisëm të shkëmbenim letra me njëri-tjetrin.
Rolin e postierit, e bënte djali i dajës së Maksit, Saryhani. I shkruanim njëri-tjetrit gjithçka që kishte ndodhur, gjatë ditëve që nuk ishim takuar. Daljet në mbrëmje për mua, u bënë shumë të rralla. Dilja vetëm ndonjëherë kur mamaja më lejonte, që të flija nga shoqja ime e ngushtë, Vilma, e cila jetonte me dy të moshuar, që e kishin birësuar.
Ky çast ishte i shumëpritur për mua. Gjeja mundësinë për të lajmëruar Maksin dhe takoheshim te rrugica e shoqes time. Uleshim te sofati prej guri i portës dhe po atë çast, kur isha pranë tij, më dukej sikur kënga; “Ke dalë e më rrije te sofati i portës”, ishte krijuar enkas për ne të dy”.
Maksi
“Maksi Tuxhari, kishte filluar të bënte shumë emër. Që i vogël, ai kishte qenë i pasionuar pas futbollit. Kur ishte 8-9 vjeç, bënte pjesë te shoqëria e futbollit të lagjes, që i kishin vënë emrin ‘Shpata’. Luanin aty ku sot është lulishtja ‘Vangjush Mio’. Në këtë shoqëri’ bënin pjesë edhe; Sherif Merdani, Hektor Bregasi, Bujar Shkullaku, Gaqo Kane, Neim Tuxhari, (vëllai i Maksit), etj.
Neim Tuxhari dhe Maksi Tuxhari do të luanin të dy me ekipin e ‘Skënderbeut’. Maksi kishte filluar të stërvitej pranë Shtëpisë së Pionierit, me trajner Xhuvi Mborjen, që nga viti 1954, ndërsa dy vjet më pas, do të të bëhej pjesë e ekipit të para të rinjve të ‘Skënderbeut’ dhe më vonë me të rinjtë e këtij ekipi. Në vitin 1958, skuadra e të rinjve u shpall kampion kombëtar.
Kur ishte 18 vjeç, në vjeshtën e vitit 1958, Maksi kaloi me ekipin e të rriturve. Në kohën kur isha dashuruar pas tij, nisa të dëgjoja gjithnjë e më shumë, se Maksi Tuxhari ishte një nga lojtarët më të mirë. Tregonin shumë për dy luftimet e tij me kundërshtarin, për golat që shënonte me kokë, etj. Për shkak të shpejtësisë dhe elegancës që kishte në lojë, sportdashësit e Korçës, nisën ta quanin; “Balerini i futbollit Korçar”. Që të gjitha këto më entuziazmonin.
Komentatorët e lojës, si Anton Mazreku dhe Ismet Bellova, e konsideronin ‘sulmues të rrezikshëm’ dhe ‘mjeshtër të goditjeve me kokë’, por mamasë time, asgjë nuk i bënte përshtypje nga ato që thuheshin për Maksin tim. Për të ai nuk kishte shkollë të lart dhe i përkiste besimit mysliman. Veç kësaj mamaja, përsëri e mori vesh që unë dhe Maksi, takoheshim të rrugica e shtëpisë së shoqes time, Vilma. Shqetësimi në shtëpinë tonë kishte shpërthyer sërish”.
Fejesa
“Atë çka po ndodhte mes meje dhe Maksit, më në fund, mamaja ia tregoi gjyshit. Me zemër të ngrirë, prita çfarë do të thoshte gjyshi im, por kur ai mori vesh që Maksi vinte nga familja e Tuxharëve dhe Merdanëve, jo vetëm që nuk refuzoi dashurinë time, por përkundrazi, mbeti i kënaqur, sepse unë kisha përzgjedhur një djalë që rridhte nga familjet më të mëdha të Korçës. U vendos që unë të fejohesha.
Isha në vitin e fundit të gjimnazit dhe në muajin tetor, shpallëm fejesën, kurse më 28 nëntor, sipas zakonit, bëmë ceremoninë që quhen; ‘shkelkat’. Nga ana e Maksit, erdhën shumë njerëz, u mbushën të dy dhomat. Nuk e di pse isha shumë e ndrojtur dhe e hutuar. Kisha veshur një fustan bojë-qielli të qepur enkas dhe një palë këpucë të kuqe sheshka, dhuratë nga Loreta, ime motër dhe i fejuari i saj, Iloja dhe çorape të bardha të shkurtra, ashtu si mbanin në ato vite. (Motra ime, përfundoi studimet në Tiranë për Mësuesi).
Dita e dasmës u caktua më 25 korrik të vitit tjetër. Më në fund dita e ëndërruar, kishte mbërritur. Ishte një ditë e nxehtë. Darkën (në shtëpinë time), e shtruam në oborrin e shtëpisë. Ishte një darkë me rrethin e ngushtë familjar. Të nesërmen u vesha nuse, me një fustan shumë të bukur, që ma sollën nga ana e Maksit. Më kujtohet momenti kur hyra në oborrin e shtëpisë. Hyra e ndrojtur, por e mallëngjyer, kur pashë të afërmit e Maksit dhe gjithë të ftuarit që më shihnin me dashamirësi.
Nuk harroj momentin kur babai i Maksit, më doli përpara dhe gjithë dashuri më puthi në ballë. Edhe darka e martesës te Maksi, u shtrua në oborr. E ndjenim veten shumë të lumtur, të rrethuar nga njerëzit e dashur. Maksi, po vazhdonte të bënte gjithnjë e më shumë emër, si futbollist. Në kampionatin e vitit 1964-’65, u rendit i dyti si golashënues me 19 gola, pas Robert Jasharit të “Partizanit”. Megjithatë që nga viti 1963 e, deri në vitin 1971, ai do të mbetej golashënuesi i dalluar i ‘Skënderbeut”.
Në shtëpinë e Maksit
“Shtëpia e Maksit ndodhej në anën e majtë të lumit që përshkonte qytetin pranë Komitetit Ekzekutiv në atë kohë, sot bashkia Korçë. Nga trotuari zbrisje me disa shkallë për të hyrë nëpërmjet derës së madhe me dy kanata prej druri. Sa hyje brenda të binte në sy oborri i madh në formë L-je, i shtruar me plloça guri, të prera në një madhësi në formë katërkëndëshi. Në të majtë ishte kopshti i rrethuar me kangjella hekuri dhe me një derë të vogël me dy kanata të punuara bukur.
Oborri zbukurohej me shumë vazo lulesh prej qeramike, të cilat u ripërtërinë dhe u shtuan nga vëllai i vogël i Maksimit, Abidini që ishte shumë i pasionuar. Babai, Aliqemali, kujdesej për disa rrënjë hardhie e, për ftoin që prodhonte ftonj pa push dhe që ishin të ëmbël si mollë, si dhe për qershinë. Për të hyrë në ndërtesë, kaloje xhamllëkun, ku në anën e majtë mbaheshin lulet në dimër, ndërsa për të kaluar në korridor, ishte një derë e punuar bukur, prej druri të fortë, me zemra ngjyrë gri të çelët dhe anët gri, të errët.
Në anën e djathtë, ishte dhoma e ndenjjes e familjes së Maksit, ose si i thoshin; ‘soba’, me tre dritare që binin në oborr, të pajisur me kanata druri të punuara si dyert, me shumë mjeshtëri. Nëpërmjet një dere, zbrisje me disa shkallë druri në një pjesë të shtëpisë, që mamaja e përdorte si kuzhinë gatimi. Kjo pjesë e shtëpisë, quhej pjesa e portës së vogël, sepse nëpërmjet një dere, dilje direkt në rrugën prapa shtëpisë, ku jetonin fqinjët tanë”.
Mamaja
“Mamaja dhe njerëzit e mi, ndjenin kënaqësi kur vinin për vizitë. Sa here që binte fjala, për lidhjen time me Maksin, mamaja do të thoshte: ‘Nuk e ndërroj Maksin, as me 100 ortodoksë’. Dy krushkat, mamaja ime dhe mamaja e Maksit, shkonin shumë mirë. Të dyja me trup mestar, të afruara me njëra tjetrën. Mamaja e Maksit, ndizte ndonjë cigare, dhe kur pinin kafenë, ia afronte dhe mamasë time, e cila kënaqej sa herë që vinte për vizitë. Në vitin 1966, na lindi vajza e parë Mirela. Studioi në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike ‘Vojo Kushi’ në Tiranë.
Që nga viti 1997, jeton me familjen në në SHBA-ës në Dallas, Teksas. Në vitin 1969, lindi Vjola, vajza jonë e dytë. Edhe Vjola studioi në ILKF, aktualisht punon si mësuese e kulturës fizike. Megjithatë, në atë kohë, njerëzit e Partisë, nuk harronin t’u kujtonin vajzave, që ishin bijat e borgjezëve të Korçës. Maksim Tuxhari, u largua nga futbolli në vitin 1971, por gjatë viteve 1972-’78, ai punoi si trajner me ekipin e të rinjve të ‘Skënderbeut’, së bashku me trajnerin K. Koça dhe më vonë me T. Vason.
Brenda gjashtë viteve, ata arritën të fitonin 4 vende të dyta dhe 2 të treta. Nga viti 1978, deri në vitin 1981, punoi si zëvendës trajner i ekipit të parë të ‘Skënderbeut’, ku trajneri i parë, ishte Todo Vaso. Kur i kujtoj të gjitha këto, them me bindje se në shtëpinë e Maksit, u ndjeva si një mbretëreshë e vërtetë”, përfundon jo pa nostalgji rrëfimin e saj, mësuesja e letërsisë, Zhaneta Tuxhari. Memorie.al