Nga Marçel Hila
Memorie.al / Dom Nikollë Gazulli, prift katolik françeskan, i shquar mes më të diturve mes tyre. Ka mbledhur pasurinë popullore dhe e ka publikuar në revistat e kohës. Me vlerë shumë të madhe është botimi prej tij i “Fjalor i Gegnishtes” në vitin 1941, në revistën Visaret e Kombit – vepër, që jo vetëm përmbledh dhe inventarizon fjalë të gjuhës shqipe, nga zonat e thella të Malësisë së Veriut, por edhe dëshmon formën e saj të zhvilluar vetvetishëm e natyrshëm, në atë stad të caktuar historik, pa ndërhyrjet formalizuese që u imponuan më pas si rezultat i procesit të standardizimit.
Qysh gjatë periudhës së mbretërimit të Mbretit Zog, dom Nikollë Gazulli, ishte dënuar me burgim të përjetshëm në burgun e Gjirokastrës, kurse vëllai i tij, dom Gjoni, u dënua me vdekje dhe u ekzekutua me varje. Në saje të ndërhyrjes së priftit dhe poetit të madh kombëtar Gjergj Fishta, dom Nikollit iu fal jeta.
Me ardhjen në pushtet të komunistëve, ai u bë shënjestër e ndjekjes së tyre dhe nuk dihet fati i tij e as ku ka përfunduar trupi i tij pas vdekjes. Prifti që ka mbledhur në fjalor pasurinë e gjuhës shqipe të Shqipnisë Verit, siç e quante ai…por ai ende është pa varr!
Dëshmon Enkelejda Shamku, studiuese, albanologe
Mirëdita, zonja Enkelejda. Keni shprehur gatishmërinë tuaj për të vënë në dispozicionin tonë, gjithçka që ju dini dhe keni mundur të verifikoni lidhur me priftin dom Nikollë Gazulli.
Me profesion jam studiuese e gjuhës, albanologe. Duke punuar për një varg fjalorësh të periudhës prej vitit 1954, gjeta një fjalor me fjalë të rralla, botuar më ’41 në Visaret e Kombit, nga dom Nikollë Gazulli: Fjalori i Gegnishtes, i Shqipërisë Verit, siç e quante ai.
Nuk e njihja fare se kush ishte Dom Nikollë Gazulli. Fjalori u bë gati në Kshnellat e 2005, por më duhej edhe një foto e Dom Gazullit. U drejtova te Patër Zefi, i cili më lidhi me një fis të largët, të Dom Nikollit në Shkodër, Edmond Gazulli, mësues. Ishte ky që gjeti e më solli disa foto të Dom Gazullit.
Kur e pyeta se ku prehej Dom Gazulli, më tha se diku te varret e Rrëmajit, mirëpo kur pyetëm për ta saktësuar, doli se atje ishte varri i të vëllait të Dom Gazullit, Dom Gjonit, të cilin e kishte varur Ahmet Zogu. Vura re se edhe në botime, Dom Nikolli zhdukej nja 4-5 vjet. Në kohën kur i kanë varur vëllain, atë e kanë marrë dhe e kanë çuar në burg të Gjirokastrës, dënuar me burgim të përjetshëm. Kishte ndërhyrë Fishta, për t’i siguruar faljen e jetës.
Pyeta këdo që munda, a kishin dijeni ku mund të ishte varrosur Dom Gazulli, por pa dobi. Atëherë shkova te Patër Zefi dhe i thashë se duhet të shkoja në mal, në Shkrel, për të pyetur. Kur shkuam në Shkrel, një nga banorët që kujdesej për kishën, na tregoi se thuhej që Dom Nikollë Gazullin, e kish vrarë në Vrith, një person që i çonte bukë përditë – Nikollë Prekusha, prej Vrithe.
Po, kanë qarkulluar fjalë të tilla, por, gjithashtu, thuhet edhe se ky variant, nuk është i vërtetë! Bëhet fjalë për kohën pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, kur komunistët erdhën në pushtet dhe Dom Nikolli u detyrua të fshihej, sepse ata donin ta kapnin dhe ta ekzekutonin.
Po! Thuhet se ka ndenjur dy-tri ditë në një vend, kur del në Fushë Lugje, se kishin ardhur Forcat e Ndjekjes për ta kapur. Atij vendi, i kam bërë edhe një foto: është si një e çarë sa për të fshehur një dhelpër. Ivanaj, ka vënë një kryq dëllinje aty, siç e do tradita. Pasi ka dalë prej aty, ka pas shkuar në Vrith dhe aty i kanë dhënë bukë. Ka zëra që thonë se e ka vrarë Preng Nikollë Prekusha.
Thonë se i kanë gjetur shumë plumba në mish, pa gjak, vetëm një plumb me gjak në ballë. Disa thonë se ka vrarë veten, por një prifti, nuk i lejohet kjo gjë, kështu që ky version nuk është i besueshëm.
Pasi e kishin gjetur, e kishin tërhequr rrëshqanë me një qerre dhe e kishin çuar në kishë të Stërkujës. Kishin urdhëruar ta groposnin atje, pa lënë shenjë. Mirëpo, djemtë që e varrosën, e kishin pasë famullinë e vet dhe lanë gurë rreth e rrotull, që ta dallonin.
Pastaj, Dom Pjetër Gruda, famullitari i fundit i kishës, mori katër burra dhe me besë të tyre, donin ta hiqnin fshehurazi prej aty, për ta çuar në Shkrel. Bëhej fjalë për në kishë, tek altari i Shna Ndout, ku thuhet se hapën dërrasat dhe e futën.
Nga të dhënat që ne kemi mbledhur, dihet se Dom Nikolli, ka strehuar më datën 28 për 29 nëntor, Dom Lazër Shantojën, i cili, si mik i Mustafa Krujës, ishte në shënjestër të komunistëve që po përpiqeshin ta kapnin. Ata i njihnin mirë metodat që përdornin komunistët dhe druheshin se po ta kapnin komunistët, do ta torturonin. Dhe vërtet ashtu ngjau e më keq.
Kur Dom Lazër Shantoja, ra në duart e komunistëve, njëfarë Isuf Mersini bashkë me Vaskë Kolecin ia prenë këmbët dhe i thyen krahët. I dënuari ishte ende gjallë i shtrirë përdhe me shpinë për tokë. Në këto kushte, kolonel Esat Ndreu – kryetar i Gjykatës Ushtarake të Qarkut të Shkodrës, vëlla i Dali Ndreut – jep dënimin me vdekje: I dënuari këmbëprerë, i shtrirë përdhe e shihte dhe koloneli e shihte dhe e ka dënuar me vdekje.
Kisha dëgjuar që e kishin torturuar, në sy të së ëmës!
Sipas rregullit të atëhershëm, familja kishte të drejtë ta shikonte të afërmin e vet të dënuar, pasi jepej dënimi me vdekje. E ëma, Luçia, ka shkuar dhe e ka gjetur me krimba në trup e të mbuluar nga jashtëqitjet, se nuk e lëviznin as për nevoja vetjake.
Kur ndjeu erë të qelbur kalbësire, kuptoi se trupi i tij po kalbej…! Ai vetë i kërkoi së ëmës, t’u thoshte që ta vrisnin, se nuk mundej më. Shkoi e ëma te Zoi Themeli – kryetar i parë i seksionit të Mbrojtjes së Popullit – dhe iu lut: “Të lutem, ma vritni, se nuk duron djali!”
Por nuk e vranë, se kishin porosi nga Enver Hoxha, se mbase ai mund të kishte dijeni për Mustafa Krujën e Maliq Bushatin. E kanë çuar në Tiranë bashkë me Sulço beg Bushatin.
Pasi i kishin torturuar sa mishrat u ishin bërë gjak, i kishin mbështjellë të dy me të njëjtën batanije dhe mishrat e qullur u ishin ngjitur me njëri-tjetrin. Në librin “Nga shkaba me kurorë te drapri me çekan”, Beqir Ajazi, thotë se në ’45-ën, i kanë prurë te burgu i Tiranës, që sot njihet si “Shtëpia me Gjethe”.
Plagët u ishin ngjitur. Dhimbje më të madhe s’kish: Nga një plak 80 vjeç, të shqisje Dom Lazrin 52 vjeç! Bërtisnin – një dhimbje që s’kishte zë! Pasi e panë që s’nxirrnin dot gjë prej Dom Lazrit, i kanë vrarë më 19 shkurt 1945. Sot, Dom Lazri është shpallur martir. Kanë qenë 67 dosje plot me dëshmi, por kanë humbur…!
Për Dom Nikollë Gazullin, unë kam folur me Dom Vlashin dhe ai më ka thënë se është i sigurt që Dom Gazulli, nuk prehet në Shkrel, por në Dedaj. Është te kisha në Dedaj, jo në Shkrel. Sidoqoftë, duhen verifikuar mirë të gjitha vendet që janë përmendur si vende të mundshme ku mund ta kenë varrosur.
Kam që në vitin 2006 që e kërkoj. Kam çdo letër që ka shkruar ai njeri, nga ato që janë botuar sigurisht, se të tjerat s’kam ku t’i gjej. Ai ka lënë një fjalor të mrekullueshëm, që unë do t’ia ribotoj tani, deri te germa K, se ia kam mbledhur te revista “Hylli i Dritës”.
Ai ka mbledhur këngë të malësisë, këngë kishtare të malësisë para pushtimit otoman. Shumë të bukura të gjitha. O, sa të bukura, të gjitha do t’ia ribotoj, asnjë letër e tij nuk do të mbetet e paribotuar. Letrat e tij janë të jashtëzakonshme! Dom Gazulli ka qenë më i dituri ndër françeskanët.
Kam përshtypjen që Çabej e ka takuar, sepse në një agjendë të vogël të Çabejt, mes numrave të telefonave, kur ka qenë në Romë, është edhe numri i Gazullit. Në atë kohë, Gazulli ka qenë në Romë me studime, pasi gjysmën e studimeve, e ka kryer në Insbruk dhe gjysmën në Romë. Ai njihet për kërkimet shumë të rëndësishme për periudhën ilirike. Dom Nikolli, kur flet për “Mesharin”, e quan atë; “bërgu më i moçëm i gjuhës shqipe”.
Për ne është detyrë të gjejmë vendin ku gjenden eshtrat e këtyre martirëve dhe t’u ndërtojmë një vendprehje të denjë për veprën e tyre në shërbim të kombit tonë dhe t’u lëmë brezave të rinj trashëgim, respektin për këta njerëz të ditur, si dhe për të gjithë ata që kontribuojnë në çështjen kombëtare, pavarësisht veshjes apo përkatësisë.
Ju faleminderit, zonjë, për ndihmesën tuaj në kërkimin e eshtrave të dom Nikollë Gazullit!
Ju faleminderit ju. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016