Nga Alma Mile
Memorie.al / “Natën jam në burg, ditën jam në Itali, në jetën time të zakonshme”. Kështu thotë Valer Tarasov Dyrzi, pas 30 vjetësh që i ka shpëtuar kalvarit të burgimit. Ndonëse është munduar të ecë përpara e të ndërtojë jetën e vet, hija e atyre viteve vazhdon ta ndjekë edhe sot, kur ende vazhdon të flejë në të njëjtin pozicion, si në krevatet e ngushtë të burgut të Ballshit. Valer Dyrzi, sot është një piktor i njohur në Itali, por 45 vjet më parë, nuk ishte veçse një i ri, i cili u dënua me 13 vjet heqje lirie, për “agjitacion e propagandë dhe tentativë arratisjeje”. Ai ishte i biri i një ruseje të bukur dhe një inxhinieri të njohur. Ajo u dënua me 8 vjet burg, ndërsa i ati, u transferua në një vend malor.
Valeri u arrestua në vitin 1978, bashkë me Sokol Ngjelën (vëllanë e Spartak Ngjelës), për ca materiale “komprometuese” kundër udhëheqjes, por edhe për sjellje “dekadente”, që nuk ishin gjë tjetër, veçse ca koncerte të organizuara në kampet e rinisë. U dënua sepse ëndrrat e tij, i kalonin kufijtë e Shqipërisë. Pasi doli nga burgu, largohet drejt Italisë, me “të ikurit” e ambasadave, ku nisi një jetë të re, pa parë më mbrapa.
Pas 19 vjetësh kthehet për herë të parë në Tiranë, ku i shtyrë edhe nga ish-shoqja e klasës, Loreta Mokini, e cila po punonte bashkë me Ismail Kadarenë, për një film mbi gratë ruse, tregon për jetën e tij, që nga arrestimi, vitet në qeli, largimi në Itali dhe jeta përtej detit. Kjo, sipas tij, është hera e parë që ai hap “vazon e Pandorës”, për t’iu rikthyer së kaluarës.
Z. Dyrzi, keni kryer 10 vjet burg, ishit shumë i ri atëherë, përse u vutë në shënjestër të regjimit?
Ndjekjet kishin filluar qysh në vitin 1974, kur unë isha 18 vjeç. Aso kohe në Lurë, në kampet e rinisë kërkonim ’68-ën tonë, me ato niciativat tona të thjeshta. Duke kënduar, duke dhënë koncerte, duke pikturuar, duke recituar, duke deklamuar ato që kishim shkruar. Dhe këto gjëra, nuk imagjinoheshin atëherë. Kishte ndodhur plenumi i famshëm, prej të cilit u dënuan shumë njerëz dhe pasi ndodhi kjo, për ne u mbyll gjithçka.
Ndërsa në botë në vitet ’70-të, kultura kishte marrë një tjetër hov, kishin dalë grupe të reja, kantautorë, ne vazhdonim të kishim lidhje me radio Rai-n, BBC-në dhe Luksemburgun. Kishte shumë pak magnetofona dhe mundoheshim të mbijetonim, vetëm me muzikë e art, dhe leximet që bënim fshehurazi. Mendoni, nëse dikush të gjente një libër të ndaluar, dënoheshe. Të gjitha këto ishin marrë vesh. Aktivitetet që ne kishim bërë në Lurë, nuk ishin pëlqyer dhe unë qysh në moshën 18 vjeç, e kisha dosjen e hapur. E kuptova që më ndiqnin, ku një ditë, kur shkoj për të blerë bukë, has disa burra me biçikleta 26-she e me pallto të firmës “Gub”.
Kur u bënë kërcënuese për familjen tuaj këto ndjekje?
Në vitin 1974, goditjet politike bëhen të forta. Time më, e heqin nga universiteti, ndërsa tim atë (Seit Dyrzi), i cili ishte kryeinxhinier, gjeodezist, laureat i “Çmimit të Republikës”, ndërtues i disa hidrocentraleve, e hoqën nga ministria dhe e degdisën në një zonë malore.
Brenda mureve të shtëpisë, ne flisnim dhe lexonim vetëm rusisht, nuk blinim asnjë gazetë, dëgjonim radio të huaja dhe kur dilnim nga porta, për ne ishte si të shkonim jashtë shtetit. Bota e vogël që kishim krijuar brenda shtëpisë, duhet të përballej me botën e madhe. Dhe këtë e dinin shumë të tjerë. Tirana ishte e vogël aso kohe.
E para që u arrestua ishte nëna juaj…?
Me arrestimin e sime mëme në ’76-ën, për ne filloi një kapitull tjetër. E akuzuan për spiunazh. Ajo u mbajt shumë fort dhe nuk pranoi asgjë. I bënë presion dhe i thanë që nëse nuk pranonte, do të më fusnin mua në burg dhe ajo tha: “Në rregull, arrestojeni”. E dënuan 8 vjet. Mua nuk m’u dha mundësia të vazhdoja shkollën. Kam punuar si hamall, te stacioni i trenit. Shoqet nuk e besonin, u dukej snobizmi i radhës, por që unë të punoja atje, duhet që njerëz të viheshin garant për mua.
Kur ju erdhi radha, e mbani mend ditën e arrestimit?
S’kaloi shumë kohë nga arrestimi i nënës dhe arrestohem dhe unë. Isha 22 vjeç dhe në atë kohë, kur përpara të rinjve duhet të hapej një perspektivë, mua më mbyllej gjithçka. Mbaj mend kur më arrestuan në Vlorë, ku isha ushtar, më sollën në policinë ushtarake, në garnizon, që ndodhej në “Rrugën e Elbasanit” e ndërsa isha në automjetin “Gaz”, nën hekura, shoh shokët e klasës, që dilnin nga fakulteti.
Më tej kaloi nga gjimnazi “Sami Frashëri”, ku kisha vajzën që doja, e shoh të mbështetur tek një nga pemët para shkollës…! Mua më çuan në burgun e Tiranës dhe sapo ndiej erën e magazinës ushtarake, thashë: “Mori fund”! Por në të njëjtën kohë edhe u lirova. “Më në fund erdhi, nuk ka më ankth, nuk ka më tension”. Arrestimi pritej. Ne mbanim vesh zhurmën e çdo makine, që kalonte para shtëpisë. Nëse ishte natën vonë, do të kishte patjetër arrestim.
Përse ju akuzuan?
Për “agjitacion propagandë dhe tentativë arratisjeje”. Deri atëherë, unë nuk kisha tentuar të arratisesha, por do ta kisha bërë, nëse nuk do ta kisha time më në burg dhe më duhej të kujdesesha për të. Sajuan grupe të paqena armiqësore. Mora vesh, që ishim spiunuar nga sa e sa djem, që ne i kishim konsideruar shokët tanë.
Por nuk mund të mos e them se, asnjë nga shoqet e shkollës, nuk pranoi të fliste apo të tregonte diçka. Nuk ishte e vështirë të gjeje arsye, për t’u arrestuar aso kohe. Ne flisnim për tema që të tjerët nuk guxonin, si për të drejtat e njeriut, Solzhenicinin, për Bob Dilanin, ’68-ën, Bukovskin. Në shtëpi më gjetën një fotografi të Joe Cocker, të cilën e përdorën edhe si provë gjatë seancave gjyqësore. As emrin nuk dinin t’ia lexonin…!
Ku e vuajtët dënimin dhe si ishin kushtet atje?
Në burgun e Ballshit ku shkova fillimisht, kushtet ishin të tmerrshme. Rrinim në kapanone të mëdha, me 200-300 vetë, të mbuluara me eternit, me krevate të ngushtë druri, nga një metër. Madje kur burgu u popullua edhe më, na i ngushtuan edhe ca më tej. Më besoni, edhe sot fle vetëm në brinjë.
Atje çdo ditë vdisnin njerëz. Kur binte gripi, sëmureshin të gjithë…! Të sëmurët rëndë apo të moshuarit, i çonin në një kapanon më vete, që ne i thoshim “kapanoni i vdekjes”. Nëse hyje atje, do të thoshe se do vdisje. Veshjet i kishim si të kampeve të përqendrimit të Hitlerit, beze me vija gri.
Të gjithë dënimin e kryet në Ballsh?
Jo, jo vetëm në Ballsh. I kam vizituar të gjitha burgjet, ku na kanë dënuar, na kanë torturuar. Pas Ballshit, shkova në Zejmen, Gërmenj, pastaj në Qafë-Bari, Spaç, e sërish në Qafë-Bari, nga u lirova. Vetëm në Burrel nuk kam qenë.
Si ishte “jeta” brenda qelisë?
Kur më dënuan 13 vjet, bëra një plan se çfarë do bëja. Në të vërtetë, nuk kam qenë asnjëherë i burgosur në mendje. Çohesha natën dhe vizatoja. Vizatimi ishte i ndaluar dhe çdo dy javë na bënin kontroll. Për të thyer monotoninë, e shprehja artin me qëndisma. Merrja pece dhe vizatoja e qëndisja dhe burra nga 50-60 vjeç, porosisnin familjet për moline dhe qëndisnin. Në atë kohë, nëna ishte në Kosovë të Elbasanit dhe kishim një lidhje të mrekullueshme. Një herë i bëj një kartolinë, për ditëlindje. Kishim të drejtë të çonim tri kartolina dhe 2 faqe, në 15 ditë dhe të gjitha kontrolloheshin nga operativi i kampit.
Ju nuk kishit studiuar më parë pikturë, apo jo?
Në burg kisha një pedagog të sëmurë me Parkinson, Vangjel Tushi quhej, të cilin e kishin dënuar për shpërndarje traktesh. Absurde ta mendosh, me sëmundjen tij…! Një njeri i mrekullueshëm. Çohesha natën, hapja revistën “Nëntori”, e cila ishte e vetmja që nuk e kontrollonin dhe vizatoja me stilograf, njerëzit që flinin, portrete dhe në mëngjes shkoja tek profesori, i cili më komentonte punët, që kisha bërë. Ai më jepte leksione mbi historinë e artit dhe e njëjta gjë ndodhte edhe mbi letërsinë, filozofinë…!
Të burgosurit bënin edhe punë të rënda, kur e gjenit kohën për të studiuar e pikturuar?
Është e vërtetë, të burgosurit punonin rëndë. Mbaj mend Visar Zhiti, mbushte e shtynte vagonë që ishin jashtëzakonisht të rëndë…! Unë nuk kam punuar asnjë ditë atje. U thashë: “Më vrisni, sepse unë nuk punoj”! Kështu që pata kohë të merresha me veten. Me një daltë që e kisha sajuar vetë, bëja skulptura të vogla me kocka dhe i nxirrja jashtë qelisë. Kështu jetoja, me ëndrra, duke u shkëputur nga realiteti, duke shkruar…! Që fëmijë, kam pasur një ëndërr, të krijoj një botë që nuk është.
Ç’ndodhi pas daljes nga burgu?
Ditën kur dola, më thanë që do hap kanal. Mbeta pa punë. Në atë kohë hymë në ambasadë, u organizuam dhe me mbërritjen në Itali fillova në mënyrë aktive, të demaskoja pushtetin e asaj kohe. Një emision i famshëm “TG2 dossier”, u hap me fytyrën time, të maskuar pak, (por Tirana më njohu), me shprehjen: “Liria nuk është një hapësirë e lirë, liria është pjesëmarrje”.
Si u përshtatët në Itali, ishte vërtet ajo “Toka e premtuar”?
Edhe në Itali nuk ishte e thjeshtë. Në fillim na u hapën rrugët, por edhe ata kishin interesat e tyre. Pata probleme të mëdha, por arrita të filloj jetën time. Fillova me gjuhët e huaja, por kam larë edhe pjata dhe kam bërë punë të tjera të rëndomta. Natën pikturoja dhe me paratë që mblidhja, vizitoja muzetë, që të rritesha e të mos kopjoja, të bëja rrugën time. Sapo vij në Itali, marr pjesë në një konkurs ndërkombëtar, në vitin ’90-të dhe fitoj çmimin e dytë.
Gëzim Sinemati, boton shkrimin e parë me kopjen e çmimit në gazetën “Bashkimi”. Gazeta si “Independent”, “Corriere della sera”, “La Reppublica”, “El pais”, shkruan për shqiptarin e ambasadave, që fitoi një çmim. Ndërkohë në Tiranë nënës dhe motrës sime, u bënin presion, i thoshin që të kthehesha, sepse në të kundërt, nuk do t’i linin të shkonin në Moskë, pasi ato kishin bërë kërkesë, për të shkuar në Rusi. Nëna, im atë dhe motra, mbetën këtu dhe me vështirësi shkuan në Rusi.
Më ’96-ën fitova një konkurs italian për veprat publike dhe kjo ishte shumë e rëndësishme për mua, pastaj një tjetër në ’98-ën. Vazhdova të punoj intensivisht. Më ndodhi një fatkeqësi personale dhe më duhej të çohesha sërish në këmbë, të rinisja jetën. Edhe piktura është një faqe e bardhë, që duhet mbushur dhe nëse mendja nuk është në gjendje të krijojë, atëherë mund të vdesësh si njeri. Megjithatë jeta vazhdon, ngrihem në këmbë përsëri.
Që nga koha e largimit nuk erdhët asnjëherë në Shqipëri, përse?
Këtu kam njerëz që dua shumë, kam farefisin, miqtë, që më ndenjën pranë. Kur isha këtu, isha gjithnjë djali i ruses, nuk kam qenë asnjëherë shqiptar-shqiptar, edhe pse unë isha shumë i integruar. Në Itali, kur shqiptarët dhanë “më të mirën e tyre”, shumë shpejt, nisi një lloj racizmi ndaj shqiptarëve dhe unë duhet të vuaja gjysmën tjetër. Kështu që m’u desh të mbyllesha, të vija një perde hekuri, u izolova, krijova jetën time me miqtë e mi të rinj, që janë kudo, gjithnjë duke respektuar këtë vend, për atë që meriton dhe duke e kritikuar për atë që duhet.
Fisnikja që la Rusinë, për dashurinë
Ajo rridhte nga një familje fisnikësh. Paraardhësit e saj, ishin themelues universitetesh. Në qytetin e Katerinburgut, të gjithë ata që kanë mbiemrin Tarasov, janë njerëz të nderuar, brez pas brezi. Stërgjyshërit, kishin qenë 3 herë Kavalierë të Shën Gjergjit. Dhe i la të gjitha, për dashurinë e një shqiptari. Inga Tarasova, është një nga të shumtat gra ruse që lanë vendin e tyre për të ndjekur të dashurit shqiptarë. Por ajo vuajti edhe plot 6 vjet burg, për “spiunazh”. Ishte e bukur, me flokë të kuqe e sy bojë qielli dhe në Tiranën e vogël të viteve ’70-të, nuk kishte se si të mos binte në sy…! “U njohën në Moskë. Ime më e ndoqi, pasi im atë kishte ardhur këtu. Mori tragetin dhe erdhi në një familje të thjeshtë tiranase, të ndershëm, me ijen, gjyshin, që kishte një shoqëri pajtonësh, që i jepte me qira. Ishin dy botë plot kontraste dhe ajo u përshtat me një përulësinë të madhe, u adaptua me këto kushte. Sigurisht jetonim në qendër të Tiranës dhe ishim familje e respektuar. Nëna ka dy diploma, një e ka në ekonomi dhe tjetrën në filologji”, tregon i biri, Valeri. Në Tiranë ajo dha mësime në gjuhën ruse dhe nga duart e saj kaluan shumë breza, mes të cilëve edhe shumë artistë dhe e kujtojnë vazhdimisht, jo sepse ajo u mësonte rusisht, por edhe të kishin respekt për veten.
Karafilat e At Zef Pllumit
Në burgun e Zejmenit, ai ka njohur edhe At Zef Pllumin, një personalitet të shquar, për të cilin ai ruan kujtimet më të mira. “Ishte njeri i mrekullueshëm, plot humor”, – thotë Valer Tarasov Dyrzi. Ka mësuar shumë prej tij, por çka nuk do të harrojë kurrë, ishte një dhuratë që ai i bëri së ëmës. “Ai merrej me mirëmbajtjen e lulishtes së burgut dhe mbaj mend, kur një ditë ime më, pasi kishte lënë qelinë, vjen të më takojë, ai i dhuron një tufë të madhe me karafila të kuq-gjak, që vinin një aromë të jashtëzakonshme. Ime më u mrekullua nga ky gjest”, – tregon ai.
Dyrzi: Tani jam një artist vëzhgues
Kur kapërceu në bregun matanë, kur ende në hundë kishte erën e rëndë të qelive, Valer Tarasov Dyrzi, pati vetëm një synim, të demaskonte regjimin e kalbur komunist në Shqipëri. Tanimë kanë kaluar vite nga koha e ambasadave dhe Valer Dyrzi, i është kushtuar tërësisht artit të tij dhe nuk ka asnjë lloj shtyse për t’u marrë me politikë. “Tanimë jam në rolin e vëzhguesit, jam si gjirafa, që sheh gjithçka nga lart. Mendoj se me artin tim, mund të kontribuoj edhe më shumë”, thotë artisti, i cili ka arritur të krijojë një stil tërësisht të vetin.
Një nga ciklet e punëve të tij, është ai me titull “Pasaporta”, që ka tërhequr vëmendjen e publikut Italian, mbi konceptin e tij për identitetin dhe këtë mjet identifikimi, që të lejon të kapërcesh kufijtë, por që nuk është gjë tjetër, veçse një ikonë e vendosur nga disa njerëz, për të kufizuar ca të tjerë, e që në fund të fundit, është mjeti më tepër i falsifikueshëm. Memorie.al