Pjesa e dhjetë
Pjesë nga libri: ‘ALIZOT EMIRI – Njeriu, librári e gázet fisnike’
DY FJALË SI HYRJE
Memorie.al / Kur ne, fëmijët e Alizotit, tregonim në ambiente të gëzueshme shoqërore “historitë” e Zotes (Alizotit), na ka qëlluar të na pyesin shpeshherë: – “A i keni shkruar? Jo! Sa keq, do të humbasin…! Kush duhet ta bëjë”? Dhe jemi ndjerë gjithnjë e me shumë fajtorë. Në qoftë se duhej bërë, ne duhej ta bënim. Po a mund t’i shkruanim ne?! “Jo çdo njeri, që di shkrim e këndim, mund të shkruajë libra”, – thoshte Zotia, sa herë kalonte nëpër duar libra të dobët. Kur po bisedonim me njëri – tjetrin, ne fëmijët e Zotes, për këtë “detyrim”- për Librin, natyrshëm e ndjenim veten përballë paaftësisë për ta kryer. Nuk ishte punë për ne! Me “metrin” e Zotes, ne ishim të paaftë ta shkruanim këtë libër.
– MBRESA E KUJTIME PËR ALIZOT EMIRIN –
ANDON LULA
SHTËPIA E LIBRIT
Në kujtim të librarit gjirokastrit Alizot Emiri
Ne, banorë të lagjes “Pazar i Vjetër”, mesin e Pazarit e kemi si shtëpinë tonë. Dhe sot, shkojmë e kthehemi për një minutë, si dikur, në moshë të fëmijërisë, “zabërhanë”, siç na quanin të vjetrit e lagjes. Kjo nofkë më shkonte dhe mua se nuk përtoja të veja dhe 100 herë, më shumë kot dhe rrallë me ndonjë detyrë shtëpie.
Më pëlqente veçanërisht të qëndroja në “zemër” dhe pezulet e dyqaneve të Pazarit, që tradicionalisht mbeten vende qëndrimi e takimi. Në to bisedohej si në një kafene të hapur, pa pyetur për shiun apo diellin përvëlues. Ndodhte kështu 50 vjet më parë, kur dëgjoja lajme, emisione e muzikë që përcillte Radio-Gjirokastra, nga goja e një altoparlanti të madh, i vetmi në qytet. Edhe vizitat nëpër dyqane më tërhiqnin, sidomos ato tek Mapua e Madhe, ku djem e vajza shkonin gjoja për të blerë, po në fakt shikonin njëri-tjetrin e linin fjalë e takime, tek Pallati i Kulturës dhe Biblioteka e Shtetit gjithashtu, ku pas takimeve të “rastit” nga biblioteka dilnin të menduar, me ndonjë libër në dorë, apo në ambientet e Poliklinikës, në Hazmurat, ku nuk shkohej vetëm për vizita mjekësore.
Këto vend-takime të moshës i kam dashur dhe ruaj plot kujtime, po më shumë më pëlqente të qëndroja tek libraria e Alizot Emirit, e cila, për kohën që tregoj, nga viti ‘60-të e lartë, ishte librari model, me sistem dhe pamje çlodhëse, tërheqëse.
Ashtu si librat me kopertinat dhe titujt rrezatonte dhe fjala dhe humori i mençur i Zotes; i komunikueshëm dhe i mirëkuptuar me të gjithë, i padruajtur dhe tepër i lirshëm me njerëzit e kulturës, me të lexuarit, i drejtpërdrejtë me të “pafajshmit”, që vinin shpesh e blinin rrallë libra, serioz e këmbëngulës me ata që librin e “shijonin” në raft, në bibliotekën e shtëpisë, kategori që interesohej e zinte radhë vetëm për librin politik, se atë artistike e merrnin për sy të botës, për dukje.
Dhe Zotia dinte t’ua maste kokën dhe xhepin me spango. U zgjidhte libra të rëndë e të trashë me të cilët ata, me l apo 2 në duar, përpara se të shkonin në shtëpi, bënin xhiron e mbrëmjes në Sheshin e Çerçizit.
Atmosfera në Shtëpinë e Librit, tek Zotia, ishte ndryshe nga ajo që lëvizte jashtë, në rrugë, në dyqanet, kafenetë dhe berberanën përballë, ku mik të parë për humor kishte berberin Gaqe Kekezi. Aty çdo klient ndihej ngrohtë, miqësor, hynte i qetë e dilte i menduar, gati i tunduar se Zotia u prishte mendjen dhe u lëvizte lekët nga xhepi, për librat e rinj që duhet të blinin. Fjalë e shpirt lidhur me librat, me autorë e personazhe që i ruante nën banakë për miqtë e vërtetë të librave. Shumica e klientëve, që i kategorizonte të lexuar, ishin miqtë e tij të parë.
Këta lekun e mblidhnin për librat që u ofronte. Kësaj kategorie i përkisja dhe unë, që mblidhja një grusht lekë për librat dhe gazetat letrare të kohës. Si lexues i rregullt i tyre, shpesh më thoshte: “Merr një ‘Rinia’ (‘Zëri i Rinisë’) se faqja letrare ka tregime nga autorë që të pëlqejnë”. E vërteta është se pas viteve `70- të, veç disa autorëve të huaj, lexoja me endje librat e parë dhe tregimet e ngrohta të Nasho Jorgaqit Vath Koreshit, Koço Kostës, Bedri Myftarit, Alfred Kaninit etj.
Për frymën e kursimit dhe dëshirën për librat i jam mirënjohës, ndërkohë çdo libër të ri, nëse e doja, e kisha në xhep, se Zotia të preferuarit e librarisë i vlerësonte, jo vetëm si blerës dhe lexues të rregullt, por dhe i dallonte nga të tjerët si dashamirës të librit dhe kulturës. I njihte me emër dhe i respektonte një për një miqtë e librit, ashtu siç njihte personazhet dhe karakteret e tyre në librat që publikonte, të cilat binin “shpejt” në duart e lexuesve.
Dhe kjo për aftësitë profesionale dhe kulturën në trajtimin e tyre, për atmosferën që krijonte në vendin e punës, humorin karakteristik me kolor gjirokastrit, ku nuk ndihej ironia e tallja, por thjesht dashamirësia dhe mirëkuptimi miqësor, ndjenja e këndshme e humorit popullor.
Më kujtohen shumë intelektualë që librarinë e kishin, siç shpreheshin, pikë takimi për shkëmbim mendimesh për librat, shfaqjet, apo koncertet. Të lidhur ngushtë me librin artistik, mbaj mend çiftin simpatik Skënder dhe Ardita Bulku, intelektualët e ardhur nga Tirana me punë në Gjirokastër, Feti Gjilani, Trim Gjata, Pjerin Radovani, Vaso Bezhani etj. Të tjerë, gjirokastritë, Isak Babaramo, Shehap Braja, porositnin libra në gjuhë të huaj dhe u vinin me postë.
Kujdes dhe seriozitet tregonte me çdo klient. Nëse të thoshte: “Merre, se është libër për ty”! – vështirë ta kundërshtoje. Librat i lexonte më parë vetë, pastaj i rekomandonte. Mua më mbante afër e më bënte qejfin kur hyja me ndonjë shok të palidhur me librin. Në raste të tilla, për ta bërë edhe atë mik të librave, më pyeste nëse më kishte pëlqyer x apo y libër.
Në sajë të Zotes, Gjirokastrës së atyre viteve, deri diku një qytet i mbyllur, i shtohej etja për të lexuar. Të mëdhenj e të vegjël ishin frekuentues të librarisë. Gjirokastritët donin më shumë librin artistik për të rritur dhe fëmijë. Atë politik e merrnin nga halli, me detyrim. Donin dhe lexonin shumë Kadarenë, po interes tregonin dhe për çdo libër të autorëve vendas, të cilat Zotia i vendoste në ballë të rafteve, të Bekim Harxhit, Agim Shehut, Pano Çukës, Tasim Gjokutës, Koço Kostës, Dhimo Dhimës, etj.
Me Dhimon dhe aktorët e estradës bënte shumë shaka, siç më ka treguar Qimo Papadhopulli, nga miqtë e tij më të mirë: “Ne, të rinj të asaj kohe, Sokrat Kalivopulli, Aleko Pano, Rusto Asqeri, Izet Mato etj., kur jepnim ndonjë shfaqje, nxitonim të merrnim përshtypjet, që na i priste me fjalët e prera e plot humor. Edhe në një rast, sa i kërkuam përshtypjet, na tha: “Dëgjoni: për hatrin tuaj mbrëmë i paguam 25 lekë, po për hatrin tuaj i humbëm nja 2-3 orë gjumë, tani për hatrin tonë, mos dilni më në skenë”.
Kur botova librin e parë me tregime për fëmijë, “Bileta e Cirkut”, Zotia u gëzua, më uroi sinqerisht dhe librin e vendosi në një vend të dukshëm, që të dallohej, po nuk guxova ndonjëherë ta pyesja nëse shitej apo jo. Ndruhesha se mund të ma merrte për mburrje, pastaj kisha dëgjuar për humorin e tij, se ç`kish ndodhur me dy shkrimtarë të dëgjuar, Fatmir Gjatën dhe Llazar Siliqin kur këta, ardhur nga Tirana, e kishin pyetur, i pari për romanin “Këneta” nëse kish shitje dhe Zotia i ishte përgjigjur pozitivisht, ndërsa i dyti për poemën “Mësuesi”, të cilit i ishte shprehur me humor: “E jap në vend të restos”!
Ja kështu, tek “Shtëpia e Librit”, mes librave, fjalëve dhe humorit të Zotes ndihesha i rritur, në raport me moshatarë për fatin e mirë se isha i preferuar dhe i pranuar në librarinë e madhe ku mund të rrija edhe pa “punë”, ashtu kot, duke parë librat në raftet radhë, pa ndjerë vështrimin e të zotit, siç mund ta kalonte trishtueshëm tek ndonjë që hynte për të kaluar kohën, apo kur e zinte shiu. Ndaj këtyre gjente fjalë për t`i “goditur” hollë e ëmbël, me humorin e tij.
Unë e doja dhe e respektoja njeriun e mirë të librave dhe në një farë mënyre prisja rastin t‘ia shpërbleja kujdesin dhe vlerësimin. Forcë për të guxuar mora kur fillova punë në Radio Gjirokastra, për një kohë redaktor i buletinit të lajmeve e, më pas, hartues emisionesh e rubrikash për rininë, kulturën dhe, traditat e Gjirokastrës në vite. Sa më kujtohet, nga vitet ‘70-të, nga Ndërmarrja e Propagandimit të Librit dhe Filmit, raportohej 1 apo 2 herë në muaj për plotësimin e detyrave të muajit.
Edhe pse librari e dalluar, me detyra të tejkaluara për çdo muaj e vit, emri i Zotes në lajme nuk përmendej, po vetëm thuhej: “Dallohet libraria e qytetit…”! Problemi fillonte nga e shkuara e tij, nga ceni në biografi. Ndodhte kjo edhe pse i vlerësuar, brenda e jashtë Gjirokastrës, nga intelektuale dhe shkrimtarë të shquar të vendit, pa një vërejtje nga kontrollet financiare, regjistruar librat titull për titull, me hyrje e dalje të rregullta, siç me thoshin Ylli Shehu e Pano Tana, në ato vite me punë në Kontrollin e Shtetit.
“Në rubrikën e librave të reja, i thashë një ditë, do të bisedojmë së bashku për disa nga librat në qarkullim. Më duhet edhe opinioni tënd për to…”. Zotia më pa me habi. U mendua një copë herë dhe pastaj, duke më rënë krahëve më tha: “Jo mo djalë i Kanes, jo, ne të vjetërve nuk na del mirë zëri në radio”! Unë ngula këmbë po ai nuk vazhdoi gjatë. “Dil nesër nga libraria se kam një libër të mirë, do të të pëlqejë” – më tha dhe më shtyu lehtë mikrofonin.
Në buletinin e lajmeve të ditës së nesërme, spikerja, Violeta Muço, në kronikën për rezultatet e ndërmarrjes së librit, veç të tjerave lexoi me emocion edhe vlerësimin për punën shembullore të librarit të dalluar Alizot Emiri. Kur e dëgjoi kronikën operatori i radios Ali Shehu, më tha: “Kujdes djalë, avash, se do të të bjerë ndonjë tullë kokës”! Për ca ditë nuk shkova nga libraria e Zotës. Po nga të tjerë mësova se lajmin e kishte pritur mirë dhe njerëzit i thoshnin: “Të dëgjuam emrin në Radio”.
Më pas e forcova dhe më shumë miqësinë me të, rrija më gjatë në librari, dëgjoja plot kureshtje bisedat me lexues e miq të tij të vjetër, Doktor Vasilin e Madh, Doktor Zhustin, Thoma Papapanon, Lefter Dilon e Vaso Cicon, gazetarët Spiro Kufo, Kristo Ndrico e Foti Dode etj. Po aq mirë ndihesha nga atmosfera që krijohej kur aty vinin personalitete të larta të letërsisë dhe artit, miq të Zotes. Nga prania e tyre “Shtëpia e Librit” merrte një dritë tjetër, mbulohej nga entuziazmi, anekdotat e shakatë.
“Librat dinë të flasin kur bien në duart e lexuesve të vërtetë, – thoshte. Sa hap fletën e parë, të dytë e kështu me radhë, fillon dhe mëson gjuhën e tyre…”! Në moshë që jam sot, këshilla të tilla më ndodh t’i kujtoj sa herë kaloj pranë “libraries” së dikurshme, poshtë Mesit të Pazarit, dikur “Shtëpia e Librit” e Zotes dhe trishtohem për mikun e madh të librave që mungon, por dhe mbushem me mirënjohje për kujtimin e mirë që la në librin e madh të qytetit tonë. / Memorie.al
Gjirokastër, dhjetor 2010













