Nga Femi Sufaj
-Niveli arsimor i të gjithë prokurorëve dhe hetuesve në vitet 1953-1958, ishte i tillë: Me arsim fillorë; 52.13 %, me shkollë Unike; 56.65 %, me të mesme; 18.21 % dhe me të lartë; 23.45 %.-
Memorie.al/ Dobësimi i pozitave të shtetit shqiptar si rezultat i prerjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, e detyruan udhëheqjen politike të vendit tonë, të ndërmerrte disa hapa të domosdoshëm për të mbijetuar. Në politikën e jashtme siç dihet, kursi i ndërmarrë konsistonte në zgjedhjen e një padroni të ri. Në politikën e brendshme, masat e marra janë njohur me emërtimin për revolucionarizimin e jetës së brendshme. Këto masa ishin për forcimin e rolit udhëheqës të partisë, luftën kundër burokratizmit, reduktimin e aparatit administrative, lidhjen me prodhimin e zbatimin e vijës së masave, etj. Në thelbin e tyre të gjitha këto masa, kishin vetëm një qëllim; rritjen e kontrollit të partisë dhe të diktatorit komunist, mbi të gjitha pushtetet dhe mbi individin.
Në këtë fushatë që e udhëhiqte partia dhe personalisht udhëheqësi i saj, Enver Hoxha, më 06.09.1966 në mbledhjen e Byrosë Politike, i vjen radha për t’u suprimuar Ministrisë së Drejtësisë dhe institucionit të avokatisë. Kjo mbledhje nuk kishte qëllim për të bërë shkurtime në një kabinet ministror, apo reformim siç ndodh zakonisht, por të godiste drejtësinë nëpërmjet futjes së saj, nën kontrollin absolut të partisë. Për ta kuptuar më qartë po japim pjesë nga fjalimi i Enver Hoxhës në këtë mbledhje.
Fjala e Enver Hoxhës në mbledhjen e Byrosë Politike, më 6 shtator 1966, për suprimimin e ministrisë së Drejtësisë dhe Avokatisë
“Ne po diskutojmë çështjen sot, se duhet të ekzistojë Ministria e Drejtësisë, apo jo? Në se duhet të ekzistojë, vihet pyetja, të mbahet me kompetencat që ka, apo t’i rriten, d.m.th., t’i jepen të tjera. Apo ndoshta nuk na nevojitet fare dhe duhet ta suprimojmë? Kjo çështje na vihet për diskutim sot. Si një vend socialist në dinamizëm, në bazë të parimeve të Marksiste-Leniniste, të eksperiencës që kemi fituar, për Ministrinë e Drejtësisë, ne sot kemi arritur në disa konkluzione, që i quajmë të drejta, në bazë të të cilave do të duhet të marrim masat përkatëse. Po të kaluarën, anën pozitive të këtij institucioni nuk e hedhim poshtë, pse edhe kjo përbën pjesë të së tërës.
…Kushtetutën dhe dhënien e drejtësisë i kemi drejt. Në rast se ngrihet problem, se nuk e kemi drejt bazën, d.m.th., parimin duke pranuar shkarazi që; Gjykata e Lartë ka të drejtë të marrë vendime, po mbi to nuk mund të ndërhyjë askush, as qeveria që udhëheq gjithë jetën politike ekonomike, kulturore të vendit, kurse kjo sipas kësaj pikëpamje, duhet të udhëheqë edhe drejtësinë, atëherë sipas kësaj pikëpamje, del që edhe Ministria e Drejtësisë, që është një pjesë e qeverisë, duhet të ketë kompetenca në këtë drejtim. Sipas një gjykimi të tillë, qeveria duhet të drejtojë edhe gjykatat. Një shtrirje e tillë e problemit, atakon legjislacionin tonë, atakon ligjet dhe Kushtetutën.
Ministria e Drejtësisë gjatë kohës së vet, ka luajtur rol pozitiv, kjo, jo se në krye të saj, ka qenë njëri apo tjetri person, por se drejtësia jonë popullore shpreh vijën e drejtë të partisë dhe aspiratat e popullit, pse si çdo sektor edhe drejtësinë kurdoherë e ka udhëheq partia…! Në qoftë se mendojmë se po u prish Ministria e Drejtësisë, na u dobësoka diktatura e proletariatit, do të thotë se nuk kuptohen, cilat janë funksionet e njërit apo të tjetrit organ të diktaturës së proletariatit.
Ministria e Drejtësisë, nuk është shtabi i diktaturës së proletariatit. Ky shtab përbëhet nga Kongresi, dhe Komiteti Qendror. Partia dhe Komiteti Qendror, u kanë dhënë kompetenca Byrosë Politike, Qeverisë, Presidiumit te Kuvendit Popullor, Gjykatës së Lartë dhe Ministrisë së Drejtësisë, që të veprojnë në bazë të direktivave të tyre. Pra, koka e diktaturës së proletariatit, është Kongresi i Partisë dhe Komiteti Qendror jo Ministria e Drejtësisë.
Të mendosh gjithashtu se gjykatat dhe Gjykata e Lartë janë të pavarura nga kërkush dhe të thuash nga ana tjetër se, duhet të jenë të varura nga qeveria, kjo do të thotë të mohosh drejtimin e Presidiumit të Kuvendit Popullor mbi Gjykatën e Lartë dhe aq më keq të mohosh rolin e partisë për të ndërhyrë për korrigjimin e vendimeve të marra nga gjykata, kur ato nuk janë të drejta, të mohosh pra rolin e partisë dhe të Presidiumit të Kuvendit Popullor, për drejtimin e drejtësisë.
Si duhet t’i kuptojmë kompetencat e Byrosë Politike e të Presidiumit të Kuvendit Popullor? Në rast se Byroja Politike do të marrë një raport mbi gabime në veprimtarinë e Gjykatës së Lartë, ajo s’mund të marrë vendim drejtpërsëdrejti. Çështja duhet të shtrohet në rrugë shtetërore, se jemi shtet dhe bazohemi në ligje.
Në një rast të tillë, Byroja Politike, pasi shqyrton çështjen, ngarkon anëtarët e saj që janë njëkohësisht edhe anëtarë të Presidiumit të Kuvendit Popullor, që kur të venë në mbledhje të Presidiumit, ta ngrenë këtë çështje, pasi të kenë folur më parë me Kryetarin e Presidiumit, që është edhe ai anëtarë i Komitetit Qendror të Partisë, në emër të Byrosë Politike, të shtrojnë çështjen.
Është Presidiumi i Kuvendit Popullor, ai që ka të drejtë të thërrasë Gjykatën e Lartë dhe të kërkojë llogari, për një vendim të padrejtë. Presidiumi ka të drejtë gjithashtu edhe të revokojë ligjin dhe të propozojë të shpërndahet Gjykata e Lartë. Vendimin e merr Kuvendi. Në bazë të frymës së partisë dhe Kushtetutës, të ligjeve të pushtetit popullor, duke përfituar edhe nga eksperienca e Bashkimit Sovjetik dhe mësimet e Leninit, këtyre organeve, ne u kemi dhënë kompetenca, që ato duhet t’i zbatojnë.
Ne kemi caktuar që gjykatat, të jenë të pavarura në vendimet që marrin. Por dihet se Gjykata e Lartë, zgjidhet nga Kuvendi, si dhe organet e tjera të larta. Edhe gjykatat poshtë, nuk i zgjedh ministri i Drejtësisë, por populli. Prandaj s’mund të thuhet se gjykatat janë të pavarura dhe të paprekura nga askush. Asnjë nga ne, nuk është i pavarur nga vija e partisë dhe çështjes së popullit, dhe Kushtetuta këtë çështje, e ka zgjidhur drejt.
Gjykatat poshtë, nuk janë të pavarura. Gjykatësin, kur ta shoh të nevojshme, mund ta thërras sekretari i partisë, apo kryetari i Komitetit Ekzekutiv dhe këto t’i shqyrtojnë atij situatën që ka krijuar në parti e në popull, një vrasje, dhe cili është opinioni i partisë dhe popullit, për këtë çështje. Nuk mund të mendohet që gjykatat, të mos influencohen nga opinioni i partisë dhe i popullit për këtë çështje.
Gjersa gjykatësi pranon zërin e një dëshmitari dhe kjo është e detyrueshme, atëherë ca më tepër, duhet të dëgjohet zëri i gjithë masës dhe aq më tepër i partisë. Mbi bazën e këtij opinioni, gjykatësi duhet të vendosë drejt dhe në mënyrë revolucionare. Mund të qëllojë që një ligj, nuk është i plotë, këtë boshllëk, gjykatësi duhet ta vërtetojë pikërisht me opinionin e partisë dhe të masave. Një gjyqtar, duhet të marrë kurdoherë vendime në përputhje me frymën e partisë dhe të interesave të popullit.
Kur bëhet një vrasje, ne nuk kemi si japim një vendim të drejtë, pa e shqyrtuar çështjen, prandaj pyesim më parë partinë dhe ajo na jep të dhëna dhe mendimin e saj. Edhe Gjykata e Lartë, deri sa ka të drejtë rekursi, nuk mund të privohet për të vajtur poshtë që të kontrollojë, ndihmojë dhe frymëzojë gjykatat, në vijën e partisë. Edhe qeveria, duhet të kontrollojë gjykatat. Kryetari i Këshillit të Ministrave, është anëtar i Byrosë Politike, pra në linjën e partisë.
Është e vërtetë se ne nuk kemi kryer studime në drejtësi, por kemi 25 vjet, që merremi me zbatimin e politikës së drejtë të partisë, bëjmë edhe ligje, prandaj shkolla 25-vjeçare e partisë që kemi bërë ne, nuk mund të krahasohet me 25 universitete juridike. Përsa i përket avokatisë, unë prej kohësh kam qenë i mendimit, që ky funksion të suprimohet. Kë mbron avokati tek ne?! Kundër kujt lufton ai?!
Kundër drejtësisë sonë popullore! Në esencë tek ne, parashikohet që drejtësia popullore të mbrojë fill e për pe interesat e popullit, pa harruar edhe interesat e atij që është i pandehur. Kur është kështu, përse ne të lëmë njëfarë avokati, Suat Asllani ose Koço Dilo, që të dalin dhe të mbrojnë një kriminel, ose vjedhës para gjykatave popullore. Ç’na duhen njerëz të tillë?!
Në Perëndim është ndryshe, avokati atje mbron njerëz që politikisht dhe ekonomikisht, janë të shtypur nga pushteti borgjez. Kushdo e di se partia, i zgjidh çështjet pa avokat, bile probleme shumë më të rëndësishme e delikate, pa i çuar fare njerëzit në gjyq. Atëherë, gjersa në gjykatat tona kemi organizata dhe njerëz partie, të vendosur e revolucionarë, për të zbatuar drejtësinë popullore, përse është e domosdoshme të kemi avokatë?!
Këta, një krimineli që nuk i duhet zbutur faji, përpiqen ta nxjerrin të pafajshëm, pra nuk veprojnë drejt. Kurse po të jetë puna për ta zbutur fajin, atë e zbut gjykata jonë popullore, me frymë partie dhe ndërgjegje të pastër. Atëherë përse t’i dëgjojmë në gjyq, zërat e avokatëve borgjezë, si ato që përmenda?
Në vendet borgjeze, p.sh. në Francë, ligjet janë një pyll i madh. Në radhë të pare, atje është në fuqi kodi i Napoleonit, po në fuqi atje ka akoma shumë ligje të tjera, të hartuara shekuj më parë, nga ato të shek XVI dhe XVII. I pandehuri në Francë, nuk ka si të ketë dijeni për këto ligje, që të jetë në gjendje të mbrohet, të dalë nga ky pyll i dendur, e të shpëtojë nga akuza.
Sa ndryshe është gjendja në vendin tonë. Ne luftojmë së pari, që ligjet të jenë të thjeshta. Për njohjen e tyre pastaj, bëhet punë e propagandë e madhe, që të kuptohet esenca nga të gjithë njerëzit. Tek ne bëhet gjithashtu përpjekje, për ngritjen politike, ideologjike të masave.
Plus gjithë këtyre, nën drejtimin e partisë, i themi edhe gjykatës, që këtë ose atë ligj, ta zbatojë në mënyrë revolucionare, me drejtësi të plotë, në interes të popullit. Gjithë këto gjëra, nuk ekzistojnë në vendet borgjeze, prandaj këto që them, janë të tëra në disfavor të avokatisë. Siç del nga diskutimet, të gjithë janë dakord që Ministria e Drejtësisë të suprimohet, vetëm duhet menduar, çfarë organizmi duhet krijuar pranë Kryeministrisë dhe Kuvendit Popullor”.
Kur Enver Hoxha, urdhëronte gjykatat ushtarake?
Me Vendim nr. 144 të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, datë 06.09.1966, u suprimua Ministria e Drejtësisë dhe kompetencat i kaluan Gjykatës së Lartë. Në këtë mënyrë u finalizua goditja kundër institucionit të drejtësisë dhe mbrojtjes së të drejtave të individit. U vendos kontrolli i plotë i partisë, mbi gjyqësorin dhe liritë dhe të drejtat e njeriut.
Ky proces kishte filluar që me instalimin e Partisë Komuniste në pushtet. Janë të dokumentuara me dhjetëra raste, të ndërhyrjes së partisë dhe vetë diktatorit, mbi gjyqësorin, me urdhra konkretë, për dënime të ashpra ndaj kundërshtarëve të tij, të cilët ishin etiketuar; “armiq të popullit”.
Më 1 tetor 1946, Ministria e Mbrojtjes Kombëtare, me një urdhër që është firmosur nga Enver Hoxha, me cilësinë e Komandantit suprem të fuqive të armatosura, u drejtohet gjykatave ushtarake ku thuhet: “Të gjithë ushtarakët e arrestuar nëpër divizione, të kalojnë menjëherë para gjyqit ushtarak dhe vendimi i dënimit, të njoftohet brenda datës 5 tetor 1946”.
Brenda kësaj date u dënuan qindra ushtarakë të niveleve të ndryshme, me dënime me burgime të gjata dhe me vdekje. Kështu, Gjykata Ushtarake Gjirokastër, njoftonte Ministrinë e Mbrojtjes, se ka dënuar 33 ushtarakë, 8 me vdekje, 24 me burgim dhe 1 shpallet i pafajshëm. Njoftime të tilla, vijnë nga të gjitha gjykatat ushtarake.
Institucioni i avokatisë, thuajse kishte pushuar së ekzistuari!
Institucioni i avokatisë, thuajse kishte pushuar së ekzistuari shumë kohë para kësaj mbledhje të Byrosë Politike. Avokatët e kishin ushtruar profesionin e tyre, nën një presion të paimagjinueshëm, jo vetëm nga pengesa artificiale që nxirreshin nga administrata e burgjeve, hetuesit dhe punonjësit e Degëve të Punëve të Brendshme e Sigurimit, por edhe nga kufizimet ligjore.
Në raportin e Këshillit të Ministrave, më 27.08.1956, “Mbi kriminalitetin dhe veprimtarinë e gjyqësorit”, thuhet se; në gjithë Republikën, ishin afërsisht 140 avokatë, “shumica dërrmonjëse e tyre, janë elementë me kulturë të shkollave borgjeze dhe me mjaft mbeturina nga e kaluara”! (AQSH, F.890 D.64, V.1956, fq. 28).
Me vendim nr. 57 datë 22.04.1967 të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së: “Mbi suprimimin e avokatisë”, u hoq institucioni i avokatisë, me motivin, se; “gjykatat dhe prokuroritë, si organe të popullit e të diktaturës së proletariatit, mbrojnë ligjet e ligjshmërinë socialiste dhe të drejtat e qytetarëve, dhe se avokatia si profesion, në kushtet e vendit tonë, nuk shihet e nevojshme”.
Shumica e avokatëve u dënua, u persekutuan dhe u dërguan në prodhim, në punët më të vështira, ndërkohë që shumica e punonjësve të drejtësisë, ishin të paarsimuar, thjesht militantë. Në një statistikë të muajt dhjetor 1947, mësohet se ndodheshin të burgosur 22 avokatë, 8 gjyqtarë, 4 noterë, krahas kategorive të tjera të nëpunësve, të të gjitha specialiteteve.
Kujtojmë se në vitin 1957, Prokurori i Përgjithshëm ishte me lice (arsim i mesëm i përgjithshëm) dhe z/prokurori me arsim fillor. Në këtë nivel, ishin edhe punonjësit e tjerë të këtyre institucioneve. Indoktrinimi i punonjësve të drejtësisë, synonte përdorimin e tyre, si armë për të mbrojtur sundimin e diktatorit.
Ja se si është shprehur një prokuror, në Konferencën e Prokurorëve, më 06.08.1952: “….ne ndodhemi në një det paligjshmërie dhe se në këtë det, jemi futur të gjithë, po për të dale, duhet të orientohemi nga politika e Partisë, se ajo të jetë kompasi i punës sonë, ne duhet të orientohemi dhe përvetësojmë shkencën dhe eksperiencën sovjetike….”! (A.Q.SH. F. 492. Viti 1952, D.6)
Diskutimin e diktatorit para anëtarëve të Byrosë Politike, nuk ka ndonjë vlerë filozofike apo juridike, por të kujton rolin e monarkut të mesjetës së hershme, që vendoste për gjithçka. Memorie.al