Nga Ahmet Bushati
Pjesa e tridhjetegjashtë
Memorie.al / Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postrribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.
Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindit që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.
Në Gjurmët e një ditari
Nji avion qe kalon natën mbi qiellin e qytetit, bashkë me shpresën e lirisë, me zgjon në shpirt shumë gëzim e mall. Edhe atë natë, sikurse edhe gjatë netëve të kalueme, unë po shtyjsha me durim e shpirt ndër dhambë orët e mija të pambarim, në pritje të nja saj vdekje të afërt, e cila ende s’po vinte e s’po vinte.
Mund të kishin kalue ndoshta dy javë që isha i varun, kur krejt papritmas, jehona e nji avioni nëpër qiellin e qytetit tim me drejtim liqenin, më zgjoi prej gjendjes time të përhumbun e bani që unë, nga çudia e emocioni, me zemër të fikun e mall të veçantë, t’u vejsha në përgjim të asaj jehone, e cila sa ma shumë që u largonte avioni, aq ma shumë ajo shkonte tue u dobësue e tue marrë edhe nota melankolie, derisa ma në fund, diku larg, t’u shuente e t’u treste nëpër natë, tue pasë lanë në shpirtin tim ato mbresa që nji të burgosuni pranë vdekjes, i tingëllojnë si thirrje në prag të fitores, të atilla që në rastin tim, sikur po më thojshin se: “Tirania komuniste numëron orët e saj të fundit”, ose “Mirupafshim së shpejti në liri”! etj. etj., që aq shumë te mbushin me nji entuziazëm vërtetë heroik.
Vetëm për instinkt unë po besojsha se ndryshimet politike në vendin tonë po u lidhshin me Jugosllavinë, edhe pse pa ditë gja për prishjen që kishte ndodhe mes dy vendeve, gja që unë do ta mësojsha mbasi të kishin kalue edhe disa muej të tjerë. Sidoqoftë, ekzistojshin disa të dhëna indirekte që të bashin me besue se diçka kishte fillue me lëvizë: Ali Xhunga, jo më kot më kishte paralajmue se “do të na therrshin ndër biruca, para se të vijshin në Shqipni anglo-amerikanët tonë”.
Po u bajshin gjithashtu disa ditë që për çdo mëngjes, si dhe pasdrekeve, t’u ndigjojshin krisma automatikesh diku andej kah Zalli i Kirit e se edhe unë ndonji dite, tue shkue “në pyetje”, kisha pasë rast të shikojsha ushtarakë e civilë me automatikë ndër duer, që dukej se shkojshin për stërvitje. Veç sa ma sipër, po ndër ato ditë, ishin ba arrestime të shumta, aq sa birucat deri athere me nga nji të burgosun brenda, ishin shtue edhe me nga nji, dy e edhe tre të tjerë ma shumë. Edhe për gjatë korridorit e në sheshin e vogël para W.C.-ve, do të shikojsha të burgosun të rij, që të lidhun duaresh e këmbësh me zinxhirë, të qendrojshin galiç të mbluem me batanije, që t’mos u dallojshin prej nesh kur të shkojshim në pyetje a W.C., e që gjithashtu edhe ata t’mos na shikojshin ne.
Nën trajtën e do breshkave të mëdha, ata nga frika e policit që ishte aty me automatik në dorë, nuk bëheshin aspak të gjallë. Megjithatë, nji mëngjes unë munda të dalloj studentin Mikel Muzhani, kur ai tue lëvize nji cep të batanijes me të cilën ishte mbulue, zbuloi paksa fytyrën, me ç’rast mue do të më bante përshtypje madhësia e syut të tij te hapun fort, që shprehte tmerr e kureshtje, si dhe dëshira e tij për të më dhanë të njohun. Të gjitha këto forcojshin dyshimin se mund të kishte nji situatë në prag të ndryshimit.
Jam i detyruem të pohoj edhe nji herë, se për pa pasë qenë vetë i burgosun, nuk mund të kuptosh shumë nga ata “momente” të veçante psikologjikë, që në situata të caktueme, krijohen brenda botës së nji të burgosuni, pra kur si të thuesh, në prag të vdekjes, të zgjohen cilësi njerëzore të jashtëzakonshme. Kalimin e nji avioni natën mbi qytetin e Shkodrës, me drejtim Jugosllavinë, unë si i burgosun e në gjendjen që isha, mezi ç’do të pritsha që avionin ta merrsha për “të huaj” e “klandestin”, e jehonën e tij, si nji “mesazh” për nji popull nën diktaturë.
Mund të them se në ato momente tepër të veçantë për nji jetë njeriu, unë kam provue nji gjendje të atillë shpirtërore e nji nevojë për ta shprehë me fjalët ma të jashtëzakonshme, që kurrsesi nuk mund të vijnë në kohë të zakonshme. Sidoqoftë, si dëshirë të vetme e të fundit, do të kisha, që me atë rast të mundsha me përshëndetë nxehtësisht e me fjalët ma të bukura të lamtumirës, familjen, shokët e mbarë qytetin, që më dukej se po numëronte ditët e fundit nën tiraninë komuniste. Kemi pasë rast të lexojmë se me sa dinjitet e stoicizëm e kanë sfidue vdekjen njerëz të nderit e të idealit dhe se rastet kur para vdekjes t’ishin lejue që ata të shkruajshin letra, kanë rezultue disa herë që artistikisht të kenë qenë proza të vërteta letrare e kjo, për hir të nji gjendjet shumë të naltësueme morale e shpirtnore, për cilësi të jashtëzakonshme që në ato momente të fundit t’u kenë frymëzue qëndresa e akti i flijimit.
Si vdiq e si e shkroi letrën e fundit ish-e përkëdhelura e tekanjozja Maria Antoneta? Ku i gjet ajo gjithë ato forca morale e ç’e bani që para gijotinës edhe letra e saj t’ ishte si nga stili, ashtu edhe nga përmbajtja, pikërisht ashtu siç e kishte dishrue më kot për shumë vite me radhë, nana e saj me kërkesa të mëdha morale e kulture, aristokratja dhe eruditja, Maria Tereza? Të rinjtë antifashistë franceze, ç’i bani që të shkruejshin letra aq të mrekullueshme, e pikërisht n’ momentet e fundit të jetëve të tyne të reja? Po edhe Shqipnia, sidomos gjatë luftës së fundit, a nuk ka realizue modele heroizmi nga ana e bijve të saj, si p.sh., rasti i nji Manush Alimani e i sa të tjerëve dhe letrat e tyne, kur ka kenë e mundun të shkruheshin, a nuk kanë shprehe disa herë në mënyre konçize, nji bukuri poetike te shpirtit të tyne?
Po gjate komunizmit, kur qenë mbytë ndër tortura e vra me qinda e qinda të rij idealiste e trima, ç’do të shkruajshin ata para vdekjes, po qe se edhe diktatura komuniste, si diktaturat e tjera, me atë rast, t’u kishte lejue nji copë letër e nji laps? (çfarë letrash do të shkruejshin në nji rast të tillë Qemal Draçini e Ndue Pali, Muzafer Pipa e Ndoc Jakova me shokë?
N’ato çaste malli e gëzimi, përfytyrime mbas përfytyrimesh më kalojshin me shpejtësi para mendjes, e cila po më fluturonte te njerëzit e pikilluem të familjes time e të disa prej shokëve ende të paçliruem prej frikës se mos i nxirrsha unë. Tue mos marrë parasysh dhimbje dhe asgja, unë mblodha të gjitha forcat e mbetuna, dhe i varun siç isha, u shtrëngova t’u kacavirsha deri nalt në dritare, tej së cilës u shtrinte në errësirë horizonti i padukshëm i qytetit tim, nëpër qiellin e të cilit, sa kishte kalue nji avion i huaj, që në nji fare mënyre, kishte pasë lanë përmbrapa grishjen për t’u çue.
Kështu unë, tue u kapë fort për litar me duer të lidhuna e të dërmueme ndër pulse, munda me u ngjitë deri afër dritares, por kur po dojsha me vue njenin gju mbi pragun e saj në trajtë skarpate, forcat më lëshuen e unë rashë poshtë me nji copë litari ndër duer që ridhshin gjak. Sido që kisha mjaft dhimbje, unë si edhe herët e tjera, fjeta aty ku pata ra, për t’u varë prap mbas disa orësh, kur t’u merrte vesh prej gardianit të burgut se unë e kisha këputë përsëri litarin. Do t’u varsha, por jo ma ndër pulse, që tashma ishin shndërrua në mish të gjallë, po ndër shpatulla, nen sqetulla.
Rexhep aga sikur po bisedonte me mue përmes do litarëve të shpejtë. Duhet të kishte kalue muaji që unë isha i varun, pra duhet të ishte fillim shtatori, me që edhe netët ishin ba të ftofta, aq sa unë po mërdhijsha çdo mbas mesnate e sidomos para mëngjesit, me qenë se edhe në shtat vazhdojsha t’mos kisha tjetër veç nji këmishë të hollë pa pulla e nji palë brekë, me të cilët pata pasë vazhdimisht probleme, mbasi që ato nuk më qëndrojshin për bel, edhe pse rreth tij disa herë polici do të më rrotullonte nji spangë që t’mos më bijshin.
Mbas tre-katër ditësh litari edhe nën sqetulla filloi të më priste si brisk e plagët e freskëta të me digjshin si zjarr. Plagë të tjera m’ishin hapë në trup, sepse Ali Xhunga kohët e fundit, dy herë më kishte tërhjekë nalt e shtrue në dru. Gjendja e ime ishte ajo që ishte e, në njenën ndër ato net m’qe mbushë mendja se i shoqi i nji kushrine të parë të nanës time e, pikërisht Rexhep Llazani, nji zotni Shkodret, – babë i disa djelmëve që vijshin prej luftet e, që prej regjimit gëzojshin përkrahje e poste, por që burgosjen time s’e kishin aprovue – ky Rexhep aga pra, falë vokacionit të tij fetar-si mbas meje-, kishte ba të mundun që ai t’u lidhte me mue me anë të disa fijeve që unë po i merrsha për të “shejta”, e që fshehtas Sigurimit, kishte munde t’i zgjaste deri brenda në birucën time. Unë pata shtangë prej asaj të papritune, por për t’u çuditë, -për gjendjen e thellë aluçinative që kisha- nuk po u çuditsha.
Kishte pasë kalue mesnata kur si mbas meje ai, që t’mos u ndigjonte prej njerëzve të Sigurimit, po më thirrte disa herë me radhë për emën e si nën za: “Ahmet, Ahmet, Ahmet”! E folmja e tij e kujdesshme e gati si pa za, mbërrinte te unë si e artikulueme shurdhtas. Mbasi unë i qeshë përgjegjë me shumë mirësjellje e mirënjohje thirrjes së tij, ai më tregoi se u ndodhte i meshehun në rrugë, diku përballë ndërtesës së Sigurimit. Qëllimi i ardhjes së tij aty, kishte qenë që unë t’mos vazhdojsha ma me vuajte, që tẽ hiqsha dorë prej rezistencës, si nji rrugë e gabueme që ishte e që si mbas tij, prej ditës në ditë, po më çonte drejt vdekjes!
Për rreth nja dy orë Rexhep aga “dha e muer” me mue, tue m’u lute si fëmijës, që të bajsha “proçes”, ndërkohë që unë, tue mos i nda sytë asnjëherë prej sportelit, se mos vinte polici e u rrezikonte Rexhep aga, me nji za të lehtë që t’mos u ndigjonte në korridor ose jashtë, iu përgjigjesha me shumë respekt për mundimin që kishte marrë, e t’ i thojsha: “Nuk mundem Rexhep aga, nuk mundem”! “Faleminderës Rexhep aga, por nuk kam ç’ka me ba”, “Më fal Rexhep aga, por unë…”! etj.
Me që plagët nën sqetulla me digjshin shumë, unë nuk zejsha vend tue lëvizë pa pushim e si gjithmonë, tue mos ditë sa dhimbjen ia shtojsha vetes me atë rast. Litari, si dhe herët e tjera, për pasojë të lëvizjeve të mia të vazhdueshme, shkonte tue u ngrënë prej fërkimit të tij për prag të dritares e, do të vinte përsëri edhe ai çast, kur ai t’u këputëte, e pikërisht në momentin kur Rexhep aga, sa po u ndante prej meje.
Si mbas meje, litari, si dhuratë hyjnore për Rexhep agën fetar, po ishte njajo copë litari që unë e mbajsha ndër duer e pa qenë kujtue gjatë disa orëve se ai ishte litari me të cilin më kishin pasë varë. Kisha mbetë me dy copat e tij ndër duer e s’dijsha çka me ba. Isha në merak për Rexhep agën. As me u ulë, nuk u ulsha, ndonëse kisha aq shume nevojë për t’u shtrie, Rexhep aga nuk a donte rrezikue. U ndjejsha mjaft i demoralizuem për fatin e tij. Ku t’i më-shifsha ata litarë, si dhurate e Zotit që kishin qenë për Rexhep agën?
Me ta nder duer, dikur u ula poshtë njenës qoshe muri, e për t’i mëshehë, i vendosa mbas shpindet time. Sado që isha i dekun për gjumë, prej frikës se mos të m’u shifshin, nuk u shtrina as me fjet si herët e tjera. Kaq i randë do të ishte helmimi i trunit tim, sa që edhe pse kaluen orët e fundit të natës e po dilte edhe drita, unë gjithji do të vazhdojsha me qëndrue i gozhduem në vend, me litarë gjoja të maskuem prej trupit tim.
I pari që erdhi aty, qe rreshter Mënyri, i cili kur më pa, buzëqeshi e mandej foli: “A prap e paske këpute litarin a”?! Nuk u fut brenda në biruce, por kur unë t’i thosha se; “litart janë të tjetër kujt, e jo të juajt”, ai do të buzëqeshte edhe nji herë tjetër, e si duket, tue pasë kuptue gjendjen time, do t’u largonte pa folë ma. Mbas Mënyrit aty erdhi kapter Myslymi, që edhe ky me mue u sillte mirë. Mbasi që edhe ky muer të njajten përgjigjie prej meje lidhun me litarin, por pa e pasë kuptue si Mënyri gjendjen time, më foli tue tunde kryet: “Hajde, hajde Ahmet, a fillove edhe ti a”?!
Nji rast për të qeshun!
Dy ndër policët që shërbejshin në atë burg, kishin të njajtin emën, “njani”, ndër të cilët, ai me moshë ma të madhe, ndonëse mjaft serioz, ishte i mirë, që u kufizonte brenda detyrës së tij si roje që ishte, kurse Qaniu tjetër, i ri në moshe, biond e me nji za të trashë nga pak, a shumë i mirë që kishte qenë, do të ndryshonte për të keq, porsa nga polic i thjeshtë, t’u gradonte tetar e që në përgjegjësi të zavendsonte përkohësisht Ismail Lulon, që kishte shkue me shërbim në Kukës. Këtij Qaniut i qe rrite mendja menjëherë, sa për gjanë ma të vogël, pat fillue me i rrahë të burgosunit me rrypin e tij të belit e, tue bërtitë si kafshë.
Ishte rregull që në kohën kur do t’u nxirrshin të burgosunit për nevojë, polici i shërbimit të linte përkohësisht vendin e tij të rojës në korridor, e me automatik në dorë, të dilte përjashta, tue zane vend te hymja e pa portë e oborrit të vogël përballë W. C.-ve, ndërkohë që gjatë asaj kohe, Qaniu në korridor, si mbas radhës, do të nxirrte e fuste ndër biruca të burgosunit. Siç dihet, mue më nxirrshin të fundit, si i pamundun që isha.
Rregullisht, kur hapshin derën e birucës time, dalja e të burgosurve në W.C. edhe për atë radhë, do t’u konsideronte e mbyllun: polici prej jashtë kthente në vendin a tij e bashkë me përgjegjësin e burgut, Ismail Lulon, pritshin kthimin tim, që do t’ ishte gjithmonë i vonuem. Unë dilsha dy herë, jo se kisha nevojë si te burgosunit e tjerë, por për t’u çlirue për pak kohë prej varjes. Ecsha i kërrusun e tue u mbajt për mur.
Qaniu, si i ri në detyrën e përgjegjësit të burgut, në fillim do të më nxirrte edhe mue si mbas radhës, dhe jo si Ismail Lulo të fundit, kështu që nji mëngjes, ndërsa po ecsha tue u mbajte për mur, me zu syni nji shportë të vogël me rrush kokërrzi dhe etiketën me emnin tim të varun në te. Ishin frutet që familja, bashkë me gjellët e përditshme, m’i dërgonte, të cilat prej shumë kohë po ushqejshin policët e “Shurdhën”, e asnjëherë mue.
Kisha vdekë për nji pike ujë, e tue përfitue nga mungesa e rojës aty në korridor, unë u përkula me mundim mbi shportë, tue zhytë me shpejtësi të dy duarët brenda saj, por pa muajte me nxjerrë as edhe nji kokërr rrushi përjashta, sepse siç dihet tashma, duart e mia, prej shumë ditësh, nuk u mblidhshin dhe as mbajshin gja. Ndonjë ditë mbrapa, ndërsa po dilsha për në W.C., aty në cep të burgut përjashta, pashë kazanin e vogël plot me ujë e safën e madhe mbi të. Si gjithnjë i vdekun për ujë, vendosa që në kthim, si pune aksioni, të pijsha patjetër nji safë me ujë edhe në sy të policit, po qe se ai deri athere nuk do të ishte futë brenda.
Kështu që në kthim, në momentin kur u ndodha pranë kazanit me ujë, shikova për nji çast policin përballë dhe u përkula me të shpejte tue futë gishtat tregues të dy duarëve brenda refanës së safës, të cilën e mbusha me ujë e fillova me e pi “hurtha-hurtha”, ndërkohë që polici me automatik të drejtuem kah unë, prej frikës së Qaniut, më kërcënonte tue bërtite fort, si për nji gja të madhe që kishte ndodhe; “Hidhe, hidhe të them, hidhe se do të vras, hidhe”! – gërthiste polici i shkretë e fjala njatë, por ndërkaq kishte mbërrij me vrap i skandalizuem tetar Qaniu, që me shkopin e nji fshese që pat gjetë aty pranë kazanit, nisi të me binte kresë, ndërkohë që unë, pavarësisht dhimbjeve mbi krye, nuk do ta hiqsha safën prej duerëve pa ia pasë thithë edhe pikën e fundit të saj.
Vetëm kur e thava krejt atë safe me ujë e mbasi që edhe e përplasa për tokë, me të dy duarët e ngrijtuna nalt, tentova t’ ia kapsha shkopin Qaniut, dhe për nji çast arrita të vendos të dy duerët mbi të, por që ato, pavarësisht zemërimit që kisha, përsëri s’po kapshin e mbajshin gja. Qaniu nga ana e tij, i frikësuen prej ndonji sulmi tim, u largue nja dy metër prej meje dhe sa herë që unë me lëvizje gjuni bajsha sikur po e mësyjsha, – ndonëse mezi qëndrojsha në kambë – aq herë Qaniu u largonte.
Ishte vërtetë për të qeshë! Polici tjetër, që ketë gja në fillim e pat marrë si shumë seriozisht, tashti i vendosun mbas shpindes së Qaniut, nuk muejti me u durue pa qeshe. Unë u ktheva në birucë me etje të shueme nji herë pernjiherë, por me dhimbje të forta në krye. Për çudi tetar Qaniu atë ditë e mbrapa, nuk do t’u merrte për asnji gja me mue. Gjatë muejit të shtatorit unë isha shndrrue thjeshtë në nji masë mishi të prishun, që u qelbte siç qelbet nji coftinë. Ismail Lulo, që dy herë në ditë u merrte me zgjidhje-lidhjen e litarit, por aq kohë sa do të zgjatshin ato veprime të tij brenda birucës time, do të rrinte tue pështy për tokë.
E kështu do të ndodhte sa herë që nji polic të më hapte qoftë edhe për nji çast sportelin. Tue fillue nga kjo kohë, dy policë do të më futshin krahët e, ndonjëherë edhe do të më mbartshin si fëmijën, sa herë që të më thirrte Ali Xhunga, e rrugës për te ai, ata do të ecshin në ma të shumtën e kohës me krena anash e tue peshtye herëpashershme për toke. Sa herë që të më nxirrshin për nevojë, nuk do te ecsha ma tue u mbajt për mur si ma parë, por kamba-duer, pra, me gjuj e duer për tokë.
Gjimojsha lehte dite-nate, si nevoje që kisha, njisoj si për frymëmarrje. Ma së shumti do t’u zbardhsha pa brekë ne trup, sepse prej dhimbjeve, – siç kemi tregue edhe ma nalt – unë levizsha shume, kështu që brekët, sa prej dobësimit, aq edhe prej lëvizjeve që bajsha, me rreshqitshin prej asaj spangoje me të cilën nji nate ma pare te m’ i kishte lidhe polici. Kishte ndodhë që Ismail Lulo, ose ndonji zavendes i tij, edhe pse me shihnin pa gja në trup në kohën e daljes për në W.C., do të më thojshin: “Dil siç je”, ndërkohë që unë, ndonëse përgjithësisht dilsha vetëm sa për të shpëtue për pak kohë prej varjes- në shenj kërcënimi, do t’iu përgjigjesha: “Po s’më veshët brekë, ose po s’më mbuluet me ndonji gja, këtu do t’jua baj”!
Në kësi rastesh, do të më jepshin ndonji çarçaf të bardhë dysheku dhe unë, i mbështjelle si “dervish”, dhe me duer e gjuj për tokë, do të shkojsha e t’u kthejsha prej W.C.–së, ma ngadalë se breshka. Aq sa isha i vendosun të durojsha çdo torturë deri në vdekje e, proçes t’mos bajsha, po aq i vendosun do te ishte edhe Ali Xhunga, në torturimin tim, përderisa unë t’mos kisha ba proçes. Unë dhe Ali Xhunga, si “skajet e nji litari”, në poezinë “Murgesha” të Migjenit. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016