Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e dymbëdhjetë
Memorie.al / Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
Autori
SHKËLQIM ABAZI
R E P S I
(Kampi i punës së detyruar)
Memuaristikë
Pak hapa më tej, një person i kërrusur diçka nxirre nga një torbë, meqë drita ishte e dobët, s’e njoha kush qe, por si dallova mbi thes etiketën e bardhë me emrin Tomor Balliu, iu drejtova: “Është i imi ai thesi! Mbase e ke marrë gabimisht”?
“Ç’kërkon tinë, bre, çe re, yti është ky? Ky është thesi i Tomorit”! – ma ktheu ai, me habinë e atij, që kërkojnë t’i hyjnë në pjesë. Depoxhiu ndodhej pak metra larg, kur dëgjoi dialogun, ndërhyri: “Ore, kokëlopë, ç’do ti me thesin e tjetrit, ky ha bukë me Tomorin. Hajd, thyej qafën, shporru, o hajdut i dreqit”!
“Jo, bre, po m’i ka lenë vet ay mua”! – dhe me dy qeska beze në dorë, që s’e dija ç’përmbanin brenda, u nis të delte jashtë.
“Ku i çon ato”? – iu shkreva dhe zgjata dorën ta kapja, po ai më shtyu pa kthyer kokën doli shpejt. E ndoqa, e arrita te shkallët që ngjiteshin në pallat, i kapa qeskat po ai i shtrëngonte. Nga forca e tërheqjes, njëra u shqye dhe kokrrat e bardha të fasuleve, u zbrazën mbi çimento, duke kërcyer si zaje. Dy të njohur të mite, që atë çast zbrisnin shkallët, e panë skenën dhe më erdhën në ndihmë. Njëri e kapi hajdutin për fyti, kurse tjetri, i zhvati qesen nga grushti i shtrënguar.
“Ç’ke vjedh kështu, o Ferit Lopa! Hajn i çelbun”! – dhe i dha një grusht të fuqishëm në stomak. I godituri, u kruspullos nga dhimbjet. Unë falenderova ata që m’u gjendën dhe me qesen e pa grisur, u ktheva në depo, të merrja ato që më duheshin.
“Është hajdut ordiner, s’e kuptoj pse e kanë prurë te ne, xhanëm”! – m’u ankua, si të më kërkonte ndjese, depoxhiu. – “M’u bënë kaq vjet në burg, po si ky palaço s’më kanë zënë loçkat! Jo, or vëlla, edhe kur s’kemi patur gjë prej gjëje të shtinim në gojë, s’ka pasur vjedhje te ne! Na tashti, të bien për politikë edhe hajdutët e xhepave dhe na kanë futur sherrin në vatër. Nuk i ruhesh dot këtij soj rodi, është si hije, bre, të hyn atje ku s’e pret e, të del atje ku s’e pandeh!
Pa, po, t’iu është futur edhe kapanoneve njimë, që të shumtët janë shtruar në karantinë. S’mbahet ky, bre Çim vëllai, është si urith, futet këtejza, e të del andejza! Mjerë ne mjeranët, ç’po na punojnë komunistët nashti! Duan të na diskreditojnë me këta tipa edepsëzësh Këta janë shembull negativ dhe për të rinjtë, bre, i mësojnë me vese! Hall i madh, na ka zënë, o djalë”! – përfundoi depoxhiu xhanan.
Mora ato që më duheshin dhe u riktheva te zjarri, ku për hir të së vërtetës, kur e mbarova supën, ishte bërë e pakonsumueshme, aq më tepër për të sëmurë. Vetëm me supë s’ngjasonte, sepse mbasi e lashë në zjarr më shumë se sa duhej, me demek të ziente më mirë, tenxherja ish përzhitur dhe supa ishte zhuzhitur, ish shndërruar në një llapa skrromë, me aromë të padurueshme. Por të sëmurët donin të hanin. Pashë ç’pashë, gjeta Bajramin dhe i dhashë nga e para harxhet e duhura, pastaj mendova të shtrihesha në shtrat se s’ndihesha mirë.
U ndava me Bajramin dhe u nisa për në dhomë. Prej disa muajsh, ne që punonin në galeri, na kishin sistemuar në dhomat e pallatit trekatësh, të ndërtuar posaçërisht për ne. Të dënuarit e tjerë, d.m.th. punëtorët e sipërfaqes dhe gjashtëqindçit, vazhdonin të flinin në kapanonet e vjetra prej pupuliti. Në dhoma, na kishin sërosur nga tridhjetë veta, me shtrete të drunjtë dykatësh. Ishim ngushtë, po në dimër të paktën, ndiheshim më ngrohtë. Në periudhën e gripit, dhomat pothuaj u boshatisën, ngaqë pjesa më e madhe ishin në karantinë dhe të tjerët që s’ishin të sëmurë, shkonin në punë me turne.
Me rregullore, ushqimet dhe veshmbathjet s’lejohej t’i mbaje nëpër dhoma, po në depo të veçanta. Por të dënuarit e shkelnin, i fshihnim ato poshtë jastëkut, që të kishin sa më pranë për të njomur gojën. Edhe duhanxhinjtë, ndiznin ndonjë cigare, gjasme fshehurazi, ndërsa trastat me duhan apo paketat e cigareve, i mbanin ashiqare. Për këtë kategori, bëhej tolerim edhe më i madh, ndonëse i pashkruar në rregulloret e brendshme. Kjo syqorrësi, praktikohej prej kohësh dhe për rutinë vazhdonte ende edhe atë kohë. Sipas duhanxhinjve, ekzistonte edhe një arsye tjetër më niadhore, me demek tymi dhe aroma e duhanit shfarosnin në një farë mase, parazitët që gëlonin me shumicë në kapanonet e kampit. Kjo shërbente si alibi, edhe për syqorrësinë e policëve.
Në hyrje të derës, sa s’u plasa me një njeri që dilte turravrap prej dhomës. Ai diçka fshihte nën peliçe. Nga shpejtësia i ranë përdhe ca paketa cigare. Por ai s’qëndroi të merrte, po rendi tutje korridorit. Kjo sjellje më ngjalli dyshimin se duhej të ish ndonjë vjedhës. E ajgëtova me kujdes. Kur mori teposhtë rampën e ndriçuar të shkallëve e njoha, ishte Ferit Lopa. Para një ore isha grindur me të, për thesin e ushqimeve. Në atë çast m’u kujtuan fjalët e depoxhiu plak, për vjedhjet nëpër dhoma e iu sula pas. Disa të dënuar që baresin në sheshin para pallatit, kur panë Feritin që zbriste me nxit shkallët, i prenë rrugën; ky fragment kohe më shërbeu që ta arrija. Ai ishte me trup goxha më të madh se unë dhe më i fuqishëm fizikisht, por meqë kisha të drejtën në anën time, njëkohësisht gëzoja edhe simpatinë e bashkëvuajtësve, guxova dhe e qëllova me grusht nën hundën e shtypur.
I shpërtheu gjaku nga të dyja flegrat, po trastën s’e shqiti nga sqetulla. Ata që ndoqën këtë skenë, u çuditën: “ç’të më kishte gjetur vallë?” të gjithë më njihnin për të qetë, askush s’më mbante për sherrxhi. Fillimisht u shtangën, po kur panë Feritin që diç shtrëngonte poshtë peliçes dhe mua që e godita së dyti, kuptuan se diçka e veçantë duhej të kish ngjarë. “Ç’të gjeti”? – më pyetën njëri. “Po vidhte në dhomën tonë, këto që fsheh, atje i mori”! – ua ktheva. Por se ç’kish vjedhur saktësisht dhe se kujt i përkisnin ato, s’dija ç’të thosha. “Edhe para një ore, e kapa në depon e ushqimeve, duke vjedhur në thesin e Balliut”! – u tregova dhe në tentativë për t’i hequr trastën nga duart, e sulmova sërish.
Në këto e sipër, ishin afruar edhe të tjerë që formuan një rreth, në qendër të të cilit ngecëm unë dhe Feriti. Ai i përngjiste atë çast, një dhelpre të kapur jangllëç në kotecin e pulave. Sakaq një dibran trupmadh, u shkëput nga rrethi dhe me dorën si panxhë, e zuri për fyti. Duke e shtrënguar me sa forcë kishte, desh ja nxori kokërdhokët sa grushti. Vjedhësi, bash si dhelpra dinake, që lë prenë mbasi ka rënë në lak, hapi krahët dhe e çoi trastën përtokë. Rrëmuja i tërhoqi vëmendjen rojes së brendshëm, i cili u afrua dhe sa pa të gjakosurin, nxori bilbilin e nisi t’i frynte me tërsëllëm. Me t’u dhënë alarmi edhe dy policë të tjerë, u gjendën aty, sa hap e mbyll sytë.
Kureshtarët u shpërndan, secili në punën e vet, mbetëm aty tre policet, unë me trastën në dorë, Ferit Lopa, Sakip Kaloshi, dibrani gjigant që më erdhi në ndihmë dhe tre katër të tjerë. Polic Prenga, nga më të egrit e atyre viteve, nxori prangat dhe m’u drejtua mua. Pa pyetur se si qëndronte e vërteta dhe se kush qe fajtori më lidhi. Me gjithë tentativën e shokëve që panë ngjarjen, për t’a shpjeguar isha pa faj, u gjenda i prangosur dhe pas dhjetë minutash në birucat e kampit, në temperaturë minus pesëmbëdhjetë gradë. Mbas dy orësh kur prisja sqarime, problemi u komplikua edhe më keq, në vend fa hante fajtori, më dënuan me dhjetë ditë izolim, për rrahje dhe dëmtim personi me dashje. Doja s’doja, e pësova. Për shkak të Feritit m’u desh të masja periferinë e qelisë, për dhjetë ditë e dhjetë netë.
Bashkë me mua, në birucë përfundoi edhe Sakipi, po me të njëjtin motiv. M’u dhimbs, e ndëshkuan padrejtësisht, vetëm pse më doli krah dhe po ndihesha fajtor. Na shtinë në qeli të ndryshme. Sapo na mbyllën dyert, i kërkova ndjesë: “Më fal Sakip, më vjen keq që për shkakun tim përfundove edhe ti në qeli”! “Mos, or burrë, s’më shtine ti këtu”! – ma preu ai. “Natyrisht, por unë u bëra shkak! “Jo, or mik, ai plehra, e meritonte një mësim të mirë! Atij hajnit duhet me ja thye brinjët”! Sakipi i mirë e i dashur me të gjithë, kishte qenë një kampion absolut në mundjen e lirë, madje flitej se s’kish pasur fare rival, në peshën e vet.
Në çdo shtet tjetër, do kish qenë krenaria kombëtare në sporte, do ishte bërë i pasur, por në Shqipërinë komuniste të Enver Hoxhës, nuk vlerësohej individi, sado të shquhej mbi të tjerët, nëse s’ishe edhe politikisht i pranueshëm. Këtë kriter, Sakipi s’e plotësonte, ishte Kalosh dhe si i tillë, forcën duhej t’a vinte në shërbim të popullit dhe ku më mirë se në galeritë e piritit në Spaç, mund ta shfrytëzonin. Por Sakipi, sa ish i fuqishëm fizikisht, aq i brishtë ishte; nën atë pamje kaba, strehohej një shpirt i butë, deri në përulësi! Kur e njoha më mirë, habitesha me atë gjigant; prekej më shpejtë se një fëmijë.
Sa herë merrte letra nga familja, veçohej mënjanë të tjerëve, zinte ndonjë skutë dhe lexonte letrën në vetmi. Pak muaj mbas episodit të sherrit me Feritin, e gjeta në një cep, mbështetur pas trungut të akacies, duke lexuar letrën që kishte marrë atë ditë. Kur iu qasa, vura re se ishte përlotur, kujtova mos kish marrë ndonjë haber të keq, ndaj e pyeta: “Sakip, ç’të ka ndodhur, mos ke probleme në familje”? “Jo, Çim, shyqyr Zotit i kam mirë, por…, – heshti pak dhe me dorën e madhe fshiu sytë e përlotur. – Malli për të afërmit është gërryes, or mik”! “Gëzohem që i ke mirë, të gjithëve na bën vaki”! – i thashë për t’ia lehtësuar sadopak ndjenjën e dobësisë. “Me kalimin e kohës do kaloj! Je ri në burg, do mësohesh”!
Kaluan dy ditë dhe dy net të ftohta. Kush ka qenë i ndëshkuar në birucat e kampit, e di shumë mirë çdo të thotë: të jesh në izolim. Birucat e Spaçit, ishin projektuar në formë të tillë, që dimrit të futej i ftohti deri në ashtë dhe beharit, sa s’të asfiksonte i nxehti i padurueshëm. Atëkohë ishin katër gjithsej, më vonë do shtoheshin edhe të tjera. Ato ishin me soletë betoni, rreth dy metër e njëzetë të larta, dy metër e gjysëm të gjata dhe një metër e njëzetë të gjera. Dyert e hekurta, mbylleshin nga jashtë me lloz dhe me dry, po nuk ishin të puthitura, nga të gjitha anët; “loz era për zog të qejfit”, i pëlqente të ironizonte miku im, Shyqyri Gruda. Pozicioni i vendit ku ishin instaluar, si pika më e lartë e kampit, i ekspozonte dimrit në erën e acartë dhe verës në afshin mbytës.
Që ta shihje veten në dhomat e izolimit, si i quanin komanda birucat, s’ishte nevoja të bëje ndonjë heroizëm të mirëfilltë; si për shembull të tentoje të çaje portën e të arratiseshe apo të kapërceje rrethimin disa fish të telave me gjemba; në këso raste, të priste plumbi pa paralajmërim; as të grindeshe me policët apo, të mos iu bindeshe urdhrave. Jo, ishte fare e thjeshtë: mjaftonte t’i tekej dikujt nga policët, për të ndëshkuar; të të kapte me cigare ndezur në kapanon edhe pse atë çast vetë ai, mund të ishte me cigare në buzë; të dilje qoftë edhe një minutë me vonesë në apel; të shikoje vëngër përgjegjësin e zyrës teknike, ose brigadierin apo ndonjë nga zagarët e tyre, nga ata që i konsideronin të rehabilituar; të mos realizoje normën, gjë që ndodhte shpesh; pra, për njëmijë e një arsye nga më banalet, mund të përfundoje në dhomat e izolimit, nga një, deri në tridhjetë ditë. Kjo varej nga personi që ndëshkohej dhe nga humori i personelit të shërbimit.
Pra, izolimi mbetej një burg brenda burgut. Ato dy ditë nga dy që qemë fillimisht, u bëmë dymbëdhjetë, tre veta për çdo birucë. Shkaqet, siç e përmenda më lartë, ishin ordinere. Meqë gripi kishte zaptuar kampin, me insistim të komandës, mjeku i burgosur tregohej dorështrënguar në raport mjekësorë dhe të parët që e paguanin haraçin, ishin të rinjtë. Nga dymbëdhjetë që gjendeshim aty, njëmbëdhjetë ishin të moshës, nga njëzet deri në njëzeteshtatë vjeç, vetëm Sakipi ishte pak më i madh, kështu që përfitoi nga kjo dhe e nxuarën nga biruca. Në qelinë ku më kishin ndryrë mua, prunë edhe dy miqtë e mi, Shuaip Seitin nga Shkodra dhe Jorgo Papën nga Alikua e Sarandës. Ta kisha kërkuar me qiri, shoqëri më gazmore s’do kisha gjetur.
Tashmë orët kalonin më shpejt. Më kërkonin t’iu recitoja poezi frëngjisht dhe italisht, si dhe përkthimet e tyre në shqip, të bëra nga mjeshtrit e përkthimit në burgje, Kudret Kokoshi, Zef Jushi, etj., por edhe nga amatorë, si unë e, disa të rinj që ishim në hapat e parë. Kur shterte repertori im, dëgjonim me ëndje këngët e bukura shkodrane, të kënduara nga Shuaipi dhe të shoqëruar nga ne, edhe pse jo me art, pastaj ia merrte Jorgua këngëve në gjuhën greke. Jorgua ish vërtet këngëtar i lindur. I interpretonte plotë pasion këngët e anë së vet, saqë edhe pse s’iu kuptoja përmbajtjen, tingëllimat e bukura greqisht dhe vija melodike e përvajshme, të rrëmbenin dhe të çonin në një botë tjetër, larg telave me gjemba.
Kështu, me këtë shoqëri, durohej më lehtë i ftohti dhe tortura e izolimit. Mbas-ditën e ditës së tretë, hapën derën e birucës sonë dhe shtynë brenda me grushta dhe shkelma, një person të lidhur. I prangosuri, mes rënkimesh, ra mbi këmbët tona. Sapo u përplas në çimento, dera u mbyll menjëherë, ndërsa ne u përkulëm mbi të t’i vini në ndihmë me sa mundnim. Sigurisht s’mund ti hiqnim hekurat, sepse ato ishin të kyçura, por mund t’i lehtësonim dhimbjet, duke i fërkuar gishtat dhe shputat e duarve. Drita e dobët që lëshonte llamba e vendosur brenda një kafazi hekuri fiksuar mbi derë, s’na ofronte shikim të qartë, s’e pamë cili qe personi i lidhur. Shuaipi që ishte më pranë kokës së të lidhurit, papritmas e pështyti në fytyrë: “Ptuhh, rufjan”!
U shtanga. S’prisja të shihja një veprim të tillë, sidomos në atë izolim, dilema ime u zhduk brenda disa sekondash, kur dëgjova Shuaipin të shante në dialekt: “Eh, mor zog kurvet, hajn i çelbun, nji’tash të kan shti k’tu, me na spiunue”! – dhe u mat ta qëllonte. I zura krahun. “Mos Shuaip, ç’bën, ky është i lidhur”! – ndërhyra. “Aman, mos më shtini, bre, jam në besën tuaj tashi”! – njoha zërin e Ferit Lopës. “Më l’shoni, ta mbys krejt kët çelbësinë, kët zog thiut, çë ka çelb tan kampin me hajnina”! – shfreu Shuaipi. “Lëre! – përsëdyta. “Çudi, me ty, o Çim, pse je kaq zemërgjan, or burr, a e din se për kët lajn, je këtu njitash”!
“E di unë, ç’do ky malaga, na muti…, – ndërhyri Jorgua ca shqip ca greqisht. – Po lëre tora, o Saip, se ja nasqerisim kur të dalim”! “Qetësohuni miqtë e mi! S’besoj se është koha dhe vendi i duhur, për t’u hakmarrë me këtë tip. E di pse më futën këtu, por s’e kuptoj pse futën edhe këtë! Ma ha mendja, e kanë prurë qëllimisht, të më provokoj mua, prandaj ju lutem, ruani gjakftohtësinë! Sidoqoftë, do kemi kohë boll, për t’u sqaruar me Feritin dhe mendoj t’ja nisim, sapo t’i heqin hekurat”! përfundova unë ligjëratën përdëllimtare.
Feriti më kish ngulur një palë sy me një shikim të çuditshëm, të ngjashëm me vështrimin e një kafshe, që lutej të mos e keqtrajtonin. Ishte hera e parë në jetën time, që hasja në një palë sy të tillë; sytë e një kafshe të tromaksur, që pret t’a therin. Ata dy sy, sikur përgjëroheshin! U ndjeva mirë për ndërhyrjen, kisha ndërprerë vazhdimin e linçimit, mbi një shtazë të nënshtruar e të papërgjegjshme. Madje, u përpoqa ta ktheja në shaka. Më bëri përshtypje fjala “malaga” që shqiptoi Jorgua në inat e sipër. Nuk kuptoja greqisht, po s’donte shumë mënd të hamendësoje, se duhej të ishte një fjalë fyese por, që unë për gallatë, e lidha me verën e mirënjohur spanjolle, që prodhohet në Malaga, nga ka marrë emrin ky produkt cilësor:
“Nuk më thuaj, Jorgo, kaq inat e paske marrë Feritin, sa dashke ta dehësh me verë aq të shtrenjtë, si ‘malaga’ spanjolle”?! – e ngacmova unë! “Po, ç’verë t’i japësh këtij mavrije, ore, aftos do zeher! Farmaq, thuaj më mirë”! – tha Jorgua duke qeshur, pastaj shtoi: – “Malaka në greqisht është fjalë mjaft ofenduese, që pak a shumë u korrespondon fyerjen shqip, i poshtër, maskara, qelbësirë, zuzar, i pa nderë, etjera, sa të duash! E more vesh tani, se ç’i kam dhënë? Farmaqin, farmaqin do ky mavri”! – e ribylli Jorgua shpjegimin linguistik. Me gjithë këto debate, u përpoqëm t’ia shpihnim sadopak duart e lidhura Ferit mavrisë, deri sa erdhën policët dhe i hoqën hekurat. Atë natë e lamë të qetësohej, biles i dhamë edhe një pjesë nga ushqimi ynë i pakët, sepse ai nuk ish në forcë.
Të nesërmen mbasi kryem nevojat në banjo dhe u largua polici i shërbimit, ia nisëm muhabetit me të. Feriti ishte një tip paksa i çuditshëm, e urrente komunizmin, sipas mënyrës së tij. Ai kishte pikëpamje mjaft origjinale në këtë drejtim. Kur e pyeta se përse ishte kundër dhe si kishte përfunduar në burg, kur s’kishte asnjë arsye politike, ai me të folmen hundor, më mbajti një leksion të gjatë, natyrisht me fjalorin më banal e, më të varfërin që kisha dëgjuar, i cili s’përmbush asnjë kriter etik, për t’u shkruar në këto kujtime, por sidoqoftë do ta konspektoj me fjalët e mia. Por para se të kalojmë këtu, do desha të përshkruaj në vija të trasha, paraqitjen fizike të këtij tipi të përçudnuar.
Feriti në pamje të parë, të jepte përshtypjen e një qenieje prehistorike, të një specieje në zhdukje; një tip niedentali, rudiment i mbetur trashëgim nga e shkuara, për të dëshmuar teorinë darviniane të evolucionit. Ai ishte rondokop, me gjatësi mesatare, pothuaj pa qafë, dukej sikur koka i ish ngjitur direkt mbi shpatulla. I kërrusur paksa lehtë përpara, të jepte përshtypjen e një majmuni gjigant, që përfaqësonte etapat e para të shkëputjes me botën shtazore. Gjymtyrët e sipërm, i kishte më të gjatë e më të zhvilluar, pothuajse i arrinin poshtë gjunjëve dhe përfundonin me një palë panxha, të ngjashme me shimpanzenë; ndërsa këmbët i kishte te shkurtra, në raport me trupin. Kur ecte, kokën e mbante të varur, të dukej se kjo masë mishtore e qepur mbi ato shpatulla, do këputej në çast dhe do të binte para këmbëve.
Kishte fytyrë shumë të çrregullt, sikur një skulptori amator t’i ish tekur të tallej duke vërtitur toptha plasteline njërin tjetrin; dy faqe buçkane, po jo të ngjashme, gjithmonë njëra do ishte më e fryrë se tjetra, sa të mendoje se ishte ënjtur nga dhimbjet e ndonjë dhëmballe të infektuar. Hunda si një domate e shtrydhur, me dy flegra e gjëra mbi buzët pa formë, të përforconte idenë se shihje fotokopjen e turirit të një orangutangu. Kjo fytyrë e sheshtë, përfundonte me ballin e kërcyer në pjesën e vetullave dhe zgjatej drejt flokëve me një pjerrësi të tillë, që të sillte ndër mënd, po figurën e majmunit. Diku nga mesi i kësaj mase mishtore, shfaqeshin dy vrima të çara, ku dy sfera të vogla gri, lëvrinin më shpejtësinë e shqarthit, pra, edhe sytë e tij, i ngjasonin bebeve ndriçuese të një kafshe grabitqare e dinake.
Ndoshta këto veçanti fizike, ishin arsyet kryesore që ndikonin në karakterin kleptoman të këtij personi. Sa i shkathët ishte në veprimet fizike, aq i ngathët ishte në aktivitetin intelektual, truri i tij i përthithte me vonesë sinjalet, ndaj edhe reagimet psikomotore, i kishte të vonuara. Gjithçka te ky individ, ishte përqendruar te instinktet, i kryente veprimet thjesht si nevoja fiziologjike. Kjo ish një nga arsyet që ky person vinte në veprim gjithë shqisat e tij, për të plotësuar nevojat imediate, por këto, në formën më të shpejtë dhe më të volitshme. Ky tip vidhte instinktivisht, gënjente instinktivisht, kryente nevojat | fiziologjike po instinktivisht. Duke jetuar në grupe të ndryshëm shoqërore, kishte përfituar disa reflekse shtesë, të kushtëzuara nga komuniteti me të cilin i kish rënë rasti të bashkëjetonte. Ishte dembel i lindur, s’i pëlqente të sforcohej për të siguruar të mirat materiale.
Në fëmijëri nuk i kishte pëlqyer shkolla, ndaj katërmbëdhjetë vjeç e kishte braktisur pa mbaruar as filloren. Mbas kësaj moshe, e rregulluan të punonte në një nga minierat e shumta të rrethit të tij, po edhe kjo s’i pëlqeu. S’arriti të përshtatej në punë, kështu që qysh në atë moshë, nevoja i për të siguruar ushqimin, e bëri t’u kthehej instiktive. Nisi të vidhte, kapej nga policia, pasi këshillohej e falnin dhe e rikthenin në minierë. Aty e fillonte nga e para, me të njëjtën mënyrë; vjedhje. Kur mbushi gjashtëmbëdhjetë vjeç, e dënuan dhe mandej, dil e vidh, e dënohu, vazhdoi deri sa përveç dënimit ordiner, i futën edhe një nen politik dhe përfundoi te ne, në kampin e Spaçit, tashmë politikan. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016