Nga Sofika Prifti Cara
Pjesa e pesëmbëdhjetë
Të falësh…!
– Fisi i vjetër Kavajas – CARA
Memorie.al, publikon disa pjesë nga libri ‘Të falësh’, me autore znj. Sofika Prifti (Cara), botim i Institutit për Studimin e Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në Tiranë, në të cilin autorja ka përshkruar me hollësi dhe kompetencë profesionale, historinë e një prej fiseve më të njohura, jo vetëm në qytetin e Kavajës, por edhe më gjerë, fisit Cara, nga i cili dolën jo vetëm atdhetarë e patriot të shquar që dhanë kontributin e tyre në dobi të çështjes kombëtare dhe lirinë e Shqipërisë, por edhe intelektualë të njohur, të diplomuar në Perëndim, të cilët më pas u kthyen në atdhe, duke dhënë kontributin e tyre në disa fusha të shkencës dhe jetës. Por edhe pse pinjollët e fisit Cara, ata ia kushtuan jetën e tyre çështjes kombëtare, pas ardhjes së komunistëve në pushtet në fundin e vitit 1944, ata do të përndiqeshin, burgoseshin dhe internoheshin, e lufta e egër e klasave, do t’i ndiqte ata deri në vitin 1990, kur dhe nisi shembja e regjimit komunist.
EDHE NJË HERË PËR XHEVDETIN
Xhevdeti ishte një njeri shumë i mirë, i mençur, fjala nuk i binte asnjëherë përdhe, e kishte prej natyre zgjuarsinë. Gjithmonë i avashët, ai i kishte fjalët të matura e ato, i zinin vend gjithnjë. Ne të dy lexonim shumë! Pasi u arrestuan dy vëllezërit, ai sikur u fut në një kafaz prej hekuri. Deri në vdekje, ai mbajti amanetin e vëllait, për fëmijët. Askujt nuk i fliste dhe askush nuk i fliste, as ai kishte frikë nga njerëzit dhe as ata, nga ai. Ai ishte fotograf i mirë, kishte në shtëpi dhe laboratorin, për të bërë filmat. Në vitet 1965-‘67, kur u ndaluan me ligj punët private, Xhevdetin e çuan në Levan të Fierit me punë, si fotograf.
Në vitin 1967, kur u themelua dhe u zhvillua me ashpërsi e ashtuquajtura “lufta e klasave”, Xhevdetin e hoqën nga puna. Pasi e lanë ca kohë pa punë, atë e çuan punëtor ngarkim-shkarkimi në Ndërmarrjen Ushqimore, për ngarkimin e fuçijave të vajit, (ku preu gishtat.) Xhevdeti ishte njeri i çuditshëm: shkonte e vinte nga puna, pa e kthyer kokën kurrë, as majtas, as djathtas, prapa, jo se jo, por vetëm përpara, si “kalë karroce”! Shumë provokime i bëheshin në punë, nga njerëz që paguheshin nga Dega e Brendshme (900- 1200 lekë të vjetra në muaj-rrogë për spiunllëqet!!). Ata ishin të detyruar, sepse i hiqnin nga puna, rrogat mujore ishin të vogla, (3500-4800 lekë të vjetra) e ato nuk dilnin as për të ushqyer fëmijët me bukë thatë! Puna ishte me normë, por norma e parealizueshme!
Anëtarët e partisë, herë pas here merrnin iniciativa dhe i ngrinin normat shumë, njerëzit s’i realizonin dot. Brigada e Xhevdetit, në ngarkim-shkarkim, merrte 900-1500 lekë të vjetra në 15-ditësh!! Mërzitej shumë, se bënin punë hamalli e, lodheshin, por edhe shokët e tij, aq merrnin. Veçse kishte një ndryshim: ata mermin fshehurazi, çfarë t’u dilte përpara, shishe vaji, margarinë, biskota, etj., që kishte në atë ndërmarrje. Kurse Xhevdeti, nuk e bënte kurrë atë veprim. Me Xhevdetin, rrita dy fëmijët, djalin 4-vjeçar dhe vajzën e sapolindur. Fëmijët në fillim, nuk e dinin kush ishte babai i tyre. Kur shkonim në burg, tek Bardhi, djali thoshte: “Do të vij dhe unë tek shoku i xhaxhit, se ai më jep biskota”! Vërtet Bardhi, kur i shkonim në burg, u jepte fëmijëve biskota, nga ato pakot e vogla 10-lekëshe!
Vetëm kur u rritën ca, ata e mësuan, kush ua jepte biskotat, sepse atje nuk të jepte njeri, asnjë dhuratë të vogël! Xhevdeti u sëmur në maj të viti 1994 dhe ne e çuam në spital, në Tiranë. Atje mjekët e vizituan dhe e shtruan për operim nga stomaku. Ishte shumë anemik, siç e kam thënë diku më sipër. Në Fier e kishin kuruar për zemër, prandaj u habit e u frikësua shumë, kur i thanë për operim, në stomak. Një burrë i mbesës sime, erdhi për ta parë dhe ia mbushi mendjen, e prezantoi me një mjek, që kishte mbaruar studimet në Francë. E kishte mik. Xhevdeti pranoi ta operonin. Natën në spital rrinte Shpëtimi, kurse unë rrija ditën, e bënim me radhë. Shpëtimin e donim shumë dhe ai na donte. Kur filloi të lëvizë, nuk e hoqi nga goja Vangun dhe më thoshte: “Vangut i jam shumë borxhli, amanet e ke, po nuk munda unë, do t’ia shpërblesh ti, sepse shpëtova nga dhimbjet e forta”!
Xhevdeti u operua nga stomaku, sëmundje që iu krijua nga stresi, nga vuajtjet shpirtërore, nga frika, se nga çasti në çast, do ta arrestonin si vëllezërit e tij dhe nga mangësitë në të ngrënët. Kur doli nga spitali, më tha i gëzuar: “Tashti shpëtova! Bëftë hajër ai Vangu, që ma mbushi mendjen, se kisha një lëmsh të madh, që nuk më linte të haja asnjë gjë”! Bardhi e unë i thamë: “Shyqyr që shpëtove, o Xhevdet! Për shpëtimin tënd, do të bëjmë një drekë, ti thirr sa të duash”! Xhevdeti tha: “Mirë e paskeni menduar”! Për Irmën, nuk patëm mundësi të bënim asnjë gjë. E martuam pa bërë gjë e, kjo më ka mbetur si gozhdë në zemër, sepse e rrita vetë. (Kur Irma u bë me dy vajza, Xhevdeti njohu vetëm Xhuljanën, të dytën, Rovenën, nuk arriti dot).
Xhevdeti vazhdoi: “Unë dua që me një gur, të vras dy zogj: të martojmë Benin dhe shpëtimin tim! Nuk do të harrojmë Vangun dhe doktorin. Kjo është dreka e parë që do të shtrojmë. Ky është urdhër, se e kam rritur vetë; e di që s’kemi, por do të marrim më të afërmit”! Dreka e Xhevdetit dhe dasma e Benit, ishte dasëm sa për të thënë! Xhevdeti s’e mendonte kurrë, që e kishte vdekjen prapa veshit! Pas pesë muajve, ne prisnim të lindte fëmija i parë e Benit. Xhevdeti, edhe pse ishte i sëmurë, thoshte: “Po qe djalë, do të jetë imi, do ta rris e, do ta edukoj vetë”! Por nuk ia arriti fatkeqi, sepse vdiq shpejt, më 21 shkurt 1995, kurse djali, lindi më 15 maj 1995.
KOLEKTIV I MIRË
Nuk jam e qetë pa i shkruar me respekt disa rreshta për kolektivin e Ndërmarrjes Ushqimore Fier. Xhevdeti në këtë ndërmarrje, punoi 26 vjet, por kishte 6 vjet, që ishte larguar. E falenderoj këtë kolektiv, që nuk e kishte harruar kunatin tim; ata erdhën e i dhanë shumë zemër, kur ai ishte i sëmurë. Erdhën sepse e kishin marrë vesh, operimin e Xhevdetit, sepse e donin atë. Ishin 15 vetë. Në mes tyre, ishte dhe një shoqe e një shok, për të cilët do të shkruaj më poshtë. Ata erdhën për ta parë shokun e tyre të punës e, për t’i thënë atij ato fjalë, që nuk kishin pasur mundësi t’ia thonin për 26 vjet punë. Më e lezetshmja ishte, kur inxhinieri i fabrikës i tha:
“Xhevdet, të shkuara, vëlla, shyqyr që je bërë mirë, por më lër të të them diçka tjetër…”! “Fol”, i tha Xhevdeti dhe inxhinieri vijoi: “Si punëtor i mirë e i dalluar që ke qenë, ne si kolektiv, kurrë nuk kemi guxuar të ta thoshim këtë e, ta kemi mohuar për aq e aq vite me radhë. Sot po ta themi dhe duhej të të kishim sjellë shumë nga veprat e shokut Enver…! (që u jepeshin në ato vite të dalluarve në punë si stimul!!) Do të vijmë prapë e, do t’i sjellim, se edhe ato të kërkojnë ty, o Xhevdet”! Xhevdeti qeshi me shakanë e shokut e i tha:
“Ju keni ardhë se ju kishte marrë malli për mua e, unë ju falenderoj shumë, apo për të më sëmurur prapë?! Aman, mos ma zini më me gojë emrin e atij! Atje isha, në Tiranë, kur e tërhoqëm zvarrë përmendoren e tij”. Të qeshurat shpërthyen sikur qenë komanduar me sustë, shakatë qenë të shumta e, nga më të ndryshmet. Kjo vinte sepse tashmë njerëzve (jemi në vitin 1995!) u kishte dalë frika dhe u qe çelur goja, për ta mallkuar me gjithë zemër, atë sistem të keq, që askush nuk e deshi. Edhe unë, u mbusha me një gëzim të paparë ndonjëherë, kur pashë Xhevdetin të qeshte aq shumë. Me kolektivin, siç e përmenda më lart, kishte ardhur, pa e ftuar kolektivi, edhe një shoqe, (për shokun do të shkruaj më pas.) Po i ndaj veç këta të dy dhe, kur u fol për Xhevdetin, si punëtor i dalluar, shoqja u ngrit e para, e rroku prapë në qafë Xhevdetin e i tha:
“Xhevdet! Këta nuk donin të më merrnin që të vija këtu, por unë zura vend në makinë dhe nuk zbrita. Unë jam shumë fajtore ndaj teje, por vendosa të vija, se më vriste ndërgjegjja. E di që më urren shumë dhe ke të drejtë të më urresh, se ta kam bërë borxh shumë! Të lutem, më fal! Ishin njerëzit e atij regjimi, që na detyronin të bënim keq…! Disa herë të kam spiunuar, jo se ti e meritoje, as unë nuk doja, por isha e detyruar, gjë që nuk ishte e drejtë. Ti mbushje thasët me bërsi, unë i lidhja, asnjëherë s’e hapje gojën të flisje, sikur ishe memec. Nuk ta them sepse jam në shtëpinë tënde, por e kam thënë edhe me të tjerë, më ka vrarë shumë ndërgjegjja. Të betohem me zemër, prandaj erdha. Mos i gjeça pesë fëmijët në shtëpi, të flas këtu me zemër, ke qenë më i miri me të vërtetë, je njeriu më i shkëlqyer që kam njohur”! Në këtë kohë dikush nga shokët i tha asaj: “Ah! Po i keqi kush është? Në mes nesh është”?! – “Ishte operativi i mallkuar i Sigurimit”, – u përgjigj me turp gruaja e penduar. “Ai s’më linte rehat mua. Thuaj kështu e, thuaj ashtu. Unë i ankohesha: ‘Po çfarë të them unë’?! Ai nuk e hap gojën fare. ‘Do pendohesh, do të të heqim nga puna’!-më kërcënonte ai. Unë frikësohesha, sepse kisha pesë fëmijë, dy vjehrri e vjehrra, dy ne, burrë e grua, bëheshim nëntë gojë për bukë. Më fal! Më fal”!
Lotët i shkonin asaj gruaje, si pikat e shiut, por tashmë gjithçka i përkiste të kaluarës. Kurse Xhevdeti, si u mendua pak, me atë maturinë e tij tipike, i tha: “Po ta them dhe unë drejtpërdrejt: kur të pashë që më hyre në derë, dhëmbi i parë ma mbajti fjalën, sepse të parët tanë, thonin: ‘Kur vjen hasmi në shtëpi, e mirëpret, kur e përcjell, i thuaj mos të të shkelë më në derë’! Kur vija në punë, më dhembnin sytë që të shikoja, doja që orët të fluturonin, si zogjtë në qiell, doja që orët të ishin sa më të shkurtra. S’të kam folur kurrë, mjafton që e ke kuptuar ç’do të thotë t’i biesh në qafë një njeriu, që jeta e vrau aq shumë. Meqë je penduar dhe e ke kuptuar gabimin, po të them që të kam falur”! Ajo e rroku prap në qafë, me sy të përlotur. “Mirë, ja, Xhevdeti të fali, – i foli një shok me shaka, – por si do t’ia bësh ti me Operativin, që i nxore sekretet dhe që erdhe të takosh armikun?! Nuk e di ti që, po nxore sekretin, dënohesh me ligj”? Të qeshurat e sinqerta mbushën dhomën dhe gjatë bisedave, u bënë shumë shaka. Një shok tjetër, që dikur kishte qenë komunist, nisi e tha:
“Ia kam treguar Xhevdetit, qysh atëherë kur më bënë kandidat partie, që nuk firmosa kundër tij, kur e nxorën në gjyqin e lagjes. Më vinte shumë keq, sepse ky nuk e hapte gojën fare, të vriste me bukë, jo me gurë, siç thotë populli. Gjithë jetën do më kishte rënduar e keqja, ja si erdhi koha, do të isha poshtëruar, se do gënjeja për atë që do firmosja. U mërzita aq shumë, sa një ditë ua hodha teserën e partisë, para kohe, prandaj si dënim, ata më çuan në ngarkim-shkarkim me Xhevdetin dhe s’u ndamë më nga njëri-tjetri”. “Po mos ke ndërruar mendje, më thuaj!- e ngacmoi Xhevdeti. – Unë këtu jam”!
“Jo, jo, se nuk kam ndërruar mendje; vërtet humba vendin e punës, por fitova një mik dhe një lehtësim të madh në shpirt”. Shokut të dytë, që e cilësova me atë shoqen, një fytyrë i vinte e një i ikte. I skuqur si hekuri që rrihet në kudhër, ai u ngrit në këmbë, me gotën e rakisë në dorë, sikur donte të ngrinte dolli, duart i dridheshin nga sikleti dhe ndërgjegjja e vriste, kur tha: “Ti di të falësh, or njeri! Të lutem, më fal edhe mua! Të gjithë e dinim kush ishe ti! Kam qenë pak llafazan atëhere, edhe mendjelehtë. Kur ndodhte ndonjë avari në punë, unë thosha që e ka bërë “armiku”, Xhevdeti, ndonëse ti, s’kishe lidhje me atë që ndodhte. Por ashtu na urdhëronin, që, kur të flisje ndonjë gjë gabim, ne t’i interpretonim ato me kuptim politik, që të të dënonin. Vetëm një gjë s’e harroj kurrë: ti e linje punën i fundit e, kur shikoje që bëheshin kontrolle në trup tek porta, na thoje: ‘Kujdes, se po bëjnë kontroll në trup’!
Atëhere punëtorët i zbraznin nga trupi ato që kishin fshehur, për t’i marrë në shtëpi dhe dilnin serbes-serbes, se nuk kishin frikë nga ti, nga që e dinin ç’njeri i mirë ishe. Vetëm ti nuk preke gjë me dorë dhe asnjëherë, nuk të kontrolloi njeri, si ne. Punëtorët flisnin me njëri tjetrin: more, ‘Po çfarë njeriu është ky’!? Ne e kishim humbur burrërinë, por ai sistem na poshtëroi fare, na bëri hajdutë, na fëlliqi e, na bëri si gjella pa kripë. Si thua, do ta tokësh gotën me mua, spiunin tënd, që ta kuptoj se më ke falur? Me turp kam ardhur këtu, por të fola me zemër të hapur në sy të shokëve…”?! Gota me raki, i pikonte pika-pika, nga dora që i dridhej shumë. Xhevdeti e zuri nga krahu miqësisht, nga që e kishte afër dhe me urtësinë e tij karakteristike i tha:
“Një fjalë e urtë thotë: Koka që kërkon falje, nuk pritet kurrë! Kur të pashë edhe ty tek dera, nuk më erdhi mirë, por po më bëhet qejfi, që e kuptove se çfarë sistemi ishte ai, që ti i shërbeve dhe ku të çonte. Vetëm një gjë, gota e rakisë, që po të derdhet nga dridhjet e dorës, mos thuaj më, që po ma derdh armiku! I kam falur të gjithë ata që e kuptuan çfarë zullumesh kanë bërë, pra edhe ty të fala”! Ngriti gotën, e toku me “spiunin” e tij e u përqafuan si fëmijët. “Ti hajde sa herë të duash, – i tha Xhevdeti. – Unë përjetova dhe e përballova atë kohë të keqe, ato vuajtje, ndonëse ju s’më linit rehat. Tashti u kyç e liga. Qofshin të shkuara e të harruara”! Ja, ky ishte shpirti tolerant i kunatit tim. Shakatë pasonin njëra-tjetrën e një shok e ngacmoi prapë, ish-spiunin:
“Mirë, ti vetë e the, që Xhevdeti na thoshte; të kemi kujdes nga kontrolli, prandaj tashti ne do të denoncojmë Xhevdetin dhe ty tek Operativi! Sepse Xhevdeti, të ka mbrojtur si hajdut, që vidhje pasurinë e popullit, prandaj fabrika jonë, dilte defiçit, s’e realizonte planin! Kurse ti shpifje për Xhevdetin…”?!
“Unë nuk isha i vetmi, u justifikua keqbërësi. – Ne ishim një kope, çfarë të bënim, nuk na dilte rroga! Tashti, po deshët, ikni e ia thoni operativit, se në Greqi e keni, atje e ka mbajtur frymën! Por si ti s’e bëja unë, o Hasan, (ishte ai që e ngacmoi,) përse nuk po flet për veten? Ore, tashti që më ka falur Xhevdeti, do flasim lirshëm e do qeshim. Hasan, do ta tregosh ti, apo unë…”?! “Pse, çfarë ka bërë Hasani”?- pyeti një tjetër. “Thuaje, tregoje ti, se ia ke marrë dorën thashethemeve”! – foli Hasani si me turp. – Ne erdhëm këtu për Xhevdetin, kurrë s’e kishim menduar, çfarë rruge do të merrnin bisedat tona, por po kënaqemi. Besoj se ta kemi hequr pak mërzitjen e dhimbjen, o Xhevdet”?
“Shyqyr që na ikën ato kohëra, ju më kënaqët”, – u shpreh Xhevdeti. Ai që përmendi emrin e Hasanit e, mori fjalën edhe një herë: “Meqë Hasani ma la mua, po e them edhe këtë e pastaj ikim. Ky Hasani, që thoni ju, kur nuk arrinte të vidhte dot gjë brenda ndërmarrjes, shikonte andej-këndej me frikën në zemër, pastaj këpuste një tufë bar, në oborrin e ndërmarrjes dhe e fuste në xhepa, që të mos shkonte bosh në shtëpi! Na qe bërë ves, mos dilnim nga ndërmarrja pa rrëmbyer diçka. E kisha parë disa herë, që mblidhte bar e një ditë i thashë: O Hasan, pse shikon andej-këndej e pastaj këput barin dhe e fut në xhepa?! Ai bar është, nuk të thotë gjë njeri, mbush një çantë e merre! Ti je në pallat, nuk ke as qengj e as lepur, apo do mbushësh ndonjë dyshek me bar”?!
Një tjetër e ngacmoi: “Apo ke blerë ndonjë kërriç gomari dhe e ke lënë në tarracë, kështu po përgatit mullarin e barit, që ta kesh për dimër”! Kurse një tjetër i tha: “Kujdes, Hasan, se mos të bjerë kërriçi nga tarraca e, vret njerëz atje poshtë, se dënohesh”! Të gjithë qeshnin duke bërë shaka me Hasanin e, ky qeshi më fort, pastaj tha: “Ajo kohë kaloi e mos na ardhtë më! E, ç’t’ju them, po qe mësuar, nuk rri pushuar! Edhe unë, kur nuk rrëmbeja ndonjë gjë për shtëpinë, e merrja barin, për t’i mbyllur gojën gruas. Kishte raste që nuk merrja bar, por, sa hyja në shtëpi, gruaja më thoshte: Has! Çfarë na solle sot? Prap nuk solle gjë?- Unë i thoja: – Ja, solla bar, do të hamë bar! -Atëhere ajo më sulej me fjalë; ‘ti s’je i zoti si shokët’, ‘je budalla’, etj., dhe e hidhte barin jashtë”.
Kolektivi ndenji në shtëpinë tonë 3-4 orë e unë u mundova t’i nderoja sa më mirë. Shumë folëm e qeshëm, Xhevdetit i kishte ardhë çehrja e fytyrës. Kur ikën shokët, i gëzuar ai më tha: “Sofi, jam shumë i gëzuar, që nuk më paskan harruar fare atje në ndërmarrje. Me ato histori që u kujtuan këtu, u shkrimë së qeshuri. Tashti më erdhi oreksi, dua të ha”. Ai hante shumë pak. Ishte i gëzuar! Shokët i premtuan se do të vinin përsëri.
ARDHJA E AMBASADORIT AMERIKAN
Sapo erdhi në pushtet Partia Demokratike, Bardhi me shokët e tij, krijuan degën e Shoqatës së ish-të Përndjekurve dhe Burgosurve Politikë. Bardhin e zgjodhën njëzëri, kryetar të Shoqatës së ish të Përndjekurve Politikë dhe gjithashtu të të Drejtave të Njeriut. Një ditë, në ato fillime, i ftuar, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, erdhi tek një teqe bektashiane në lagjen “Sharrë”. Do bëhej inaugurimi i kësaj teqeje të re. Ishte i ftuar atje edhe Bardhi. Aty ai u takua me ambasadorin dhe biseduan pak. Bardhi, si kryetar me dy funksione në atë kohë, i bëri një ftesë ambasadorit dhe ai e pranoi me shumë kënaqësi. Dhe ai e mbajti fjalën, atë ditë që tha, erdhi në Kavajë.
Ambasadori i SHBA-së, z. Uilliam Ed Uir Rayerson, kishte marrë me vete bashkëshorten e tij dhe shoqëruesin. Ne morëm si përkthyes një mik të mirë të shtëpisë, mjekun e njohur kardiolog, Petrit Teferiçin, vjehrri i të cilit, nga Fieri, kishte qenë 15-vjet në burg me Bardhin, por nuk arriti të dilte, sepse vdiq në burg. Ishte një zotëri, që shokët i kishte të rrallë ky fatkeq, Petro Rondo quhej e, ishte farmacist shumë i zoti. Ambasadori kishte përkthyesin e vet, por ai dinte shumë mirë edhe vetë të fliste shqip. Përkthyesi ynë, Petrit Teferiçi, ishte martuar me vajzën e Petros, me Anën, një njeri e mësuese e shkëlqyer, aq sa edhe sot që banon në Tiranë, në Kavajë, nuk e heqin nga goja. Të dy kishin formuar një çift të veçantë, njerëz të respektuar. Nga Tirana erdhi kryetari i Shoqatës Mbarëkombëtare të ish-të Përndjekurve politikë, z. Osman Kazazi.
Të gjithë këtu e dinë që populli i Kavajës, e priti në mënyrë të shkëlqyer e me duartrokitje, ambasadorin Rayerson. Për nder të tij e, të respektit për shtetin amerikan, populli i vuri emrin sheshit të Kavajës “Sheshi Amerika”. Bardhi e ftoi mikun e largët, dashamirës të shqiptarëve, për drekë në shtëpi dhe ai e pranoi me kënaqësi. Në mitingun që u bë tek sheshi, morën pjesë të gjithë drejtuesit e Kavajës. Si mbaroi mitingu, erdhëm në shtëpi që ishte tek kati i katërt. Jo vetëm shtëpia, shkallët, por edhe sheshi poshtë pallatit, ishte mbushur plot me njerëz. Të gjithëve iu duk si një çudi, si një ëndërr e pabesueshme, që një ambasador amerikan, erdhi për drekë në një shtëpi të thjeshtë, tek një familje, që sapo ishte çliruar nga vargonjtë e “luftës së klasave”. Një gjë e tillë, nuk kishte ndodhur kurrë në kohën e Enverit. Biseduam përzemërsisht dhe bëmë një fotografi.
Hëngrëm drekë dhe vazhduam bisedat e thjeshta e miqësore për atë kohë. Ambasadori s’kishte nevojë për përkthyes, e dinte mirë shqipen. Bardhi i kërkoi të bënte diçka për Kavajën, si djepi i demokracisë. Gjatë bisedës, u tha që Kavaja ndezi e para në Shqipëri shkëndinë e luftës, kundër regjimit të kuq. Kavaja qe e para që vrau frikën. Ajo drekë e thjeshtë, me biseda të ngrohta, zgjati shumë dhe orët kaluan pa u kuptuar fare. Bardhi i tregoi ambasadorit, historinë e familjes e të babait të tij, që jetonte në Australi, dhe që dëshironte të shkonte atje. Edhe z. Osman Kazazi, i foli mikut për babanë e Bardhit, shumë mirë dhe që kishin qenë bashkë, në partinë e “Ballit Kombëtar”. Në një çast ambasadori amerikan, i tha Bardhit: “Po të duash, me gjithë familjen, ju çoj në Amerikë”!
Ambasadori shprehu kënaqësi të madhe për mikpritjen tonë, por e paharruar qe për të, edhe mikpritja e popullit të Kavajës. Ai na dha numrin e telefonit e, i tha Bardhit që, pasi të mendohej për të vizituar Amerikën, t’i telefononte. Kur doli poshtë pallatit, për të ikur në Tiranë, ai mbeti i befasuar nga njerëzit e shumtë që ishin jashtë, që e përcollën me brohoritje e duartrokitje dhe me fjalë të mira, për Amerikën. Xhevdeti nuk dinte çfarë të thoshte, po fluturonte nga gëzimi, për të vizituar Amerikën. Por nuk shkuam dot, sepse donim të shkonim në Australi, tek babai. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016