Nga UVIL ZAJMI
Pjesa e dytë
Memorie.al / Në Shqipërinë sportive gjatë periudhës së komunizmit, gjithmonë është folur për sfidat derbi, në veçanti ato të elitës futbollistike, “Partizan” – “Tirana” e “Dinamo”, dhe shumë pak për përballjet derbi të kategorive inferiore, kryesisht të Kategorisë së Dytë. Me një klientelë skuadrash permanente, që nuk ngjiteshin, as binin, ishte ngjarje e madhe për një qytet të vogël, kur ngrihej në të Parën dhe e bujshme deri e frikshme, rënia për një “Big” në të Dytën. Me pak komente, informacion në radio e gazetë, pasi për transmetime televizive, as që bëhej fjalë, emri i tyre dëgjohej vetëm kur luanin në turet e para të Kupës së Shqipërisë, ose kur ndodhte diçka josportive, krijohej zhurmë e, autoritetet shtetërore kthenin vëmendjen te ky nivel.
Derbi ndër-qytetar me histori të vjetër, “Butrinti” –“Bistrica”, ndonëse ndahen në pak kilometra, gjithmonë në Kategorinë e Dytë, kanë prodhuar tradicionalisht ndeshje “zjarri”, tejet të tensionuara, si në aspektin sportiv, edhe politiko-social. Një botë futbolli krejt tjetër brenda, por edhe jashtë realitet të futbollit kombëtar. Kush i ka parë ato ndeshje, i ka jetuar, njeh atë rivalitet, e di mirë se çfarë ka qenë ajo përballje.
Lavdim Beqiri, i njohur nga të gjithë si “Pupe”, personazhi mitik i këtyre sfidave, ish-lojtar, trajner, drejtues në Delvinë, na rrëfen se çfarë nuk janë thënë për këto takime.
Z. Pupe, a ishte “Butrinti”- “Bistrica” një përballje historike?
Ajo ndeshje pritej me interesim e mllef të madh dhe asnjëherë nuk kishte paqe. Ishin ndeshje ku merrte pjesë i gjithë qyteti, spektatorë të shumtë, burra, gra dhe gjithë familja. Vinin mbi tre mijë vetë dhe skuadrat ishin nën presion. Nuk ka munguar edhe agresiviteti fizik, në fushë e jashtë saj, ndërmjet lojtarëve dhe tifozëve. Beteja fillonte në fushë, transmetohej në tribunat përreth, me të arrestuar, të gjakosur, para, gjatë dhe pas ndeshjes.
Pse ky raport dhe kjo ashpërsi kaq e madhe?
Bistrica është fjalë e huazuar, sllave “Bistro”, i shpejtë, si rrjedha e hidrocentralit, një emër që e mbanin edhe ekipe lindore. Delvinjotët pretendojnë se kanë civilizim më të hershëm dhe futboll, sipas tyre, në Shqipëri është luajtur për herë të parë në Delvinë, kur në fillim të viteve 1900, në Sarandë zbriti Flota Angleze, të cilët zhvilluan një lojë në Delvinë, duke improvizuar një fushë dhe pas takimit i lanë aty topat.
Në Delvinë bëhej pazari i gjithë zonës dhe deri më 1958-ën, vit pas të cilit e gjitha administrata e shpërngul për në Sarandë, që ka qenë nën Prefekturën e Delvinës. E kundërta, me sarandjotët që e konsiderojnë të rëndësishëm qytetin e tyre bregdetar e portual, të preferuar nga shqiptarët e qeveritarët. Në Delvinë rrallë ndodhte që “Butrinti” të merrte rezultate pozitive, por e kundërta me Bistricën, që pati marrë më shumë pikë në Sarandë.
Rezultatet ishin të thella, apo jo…?
Në Delvinë deri para ‘80-ës, takimet luheshin te fusha e Shkollës Bujqësore, me përmasa 70 x 40 m., pa asnjë kriter. Kanë qenë ndeshje që kanë prodhuar gola, si ajo në Sarandë, në fillim të viteve ’70-të, kur rezultati ishte 4-3 për Bistricën, arbitri mbaroi lojën para kohe dhe ndërsa lojtarët ishin në dhomat zhveshjes, te disa baraka dërrase.
Ai i rikthehu në fushë dhe në ato pak minuta, në një kundërsulm, Sulari, (një ushtar lushnjar te “Bistrica”), shënoi një gol, duke vrapuar i vetëm nga mesfusha. Dhe pasi takimi që u mbyll 5-3, u fol; “nuk doni 4, ne ju bëjmë 5…”! Të nesërmen, delvinjotët që punonin në Sarandë përshëndesnin me pëllëmbën lart e gishtat e hapur, duke shprehur fitoren dhe pesë golat e shënuar.
A ishin situata të vështira për rendin dhe arbitrat?
Takimet janë zhvilluar në fusha me terrene aspak komode, me situata jo të lehta për t’u administruar nga forcat e rendit sepse, janë edhe të njohur e të afërm me njëri-tjetrin. Edhe për arbitrat në Delvinë, kishte presion të madh dhe ndeshja shoqërohej me shprehjen e njohur vendëse: “Arbitër, arbitër, mbaj drejtësi se ke grua dhe fëmijë…”! Për çdo vendim të tyre kishte protesta, kundërshtime, kartonë të kuq, shoqëruar me dhunë verbale e fizike ndaj tij.
Edhe në miqësoret si ajo para kampionatit më 1982, në mos gaboj, në Sarandë, kur pasi barazoi Delvina, në fushë u hodhën tifozët, pati zënkë masive, arrestime. Delvinjotëve nuk iu dhanë autobusë dhe një pjesë e tyre, është kthyer në këmbë. Nga ajo ndeshje, deri në vitin 1990, nuk është luajtur asnjë miqësore. Ndodhte kështu ndonjëherë edhe me skuadrat e tjera kur luanin në Delvinë, dikur me Himarën, një takim që kujtohet për grindjen e madhe që shpërtheu në fushë.
Thuhet se beteja vazhdonte edhe në male, fusha, tribuna, madje deri në Muzinë, apo jo?
Kur ndeshja zhvillohej në Sarandë, marshimi i një grupi apo tifozëve që njihen si “Trojanë”, të cilët e shoqërojnë skuadrën kudo, ishte i rrallë, pasi zbrisnin në qytet, jo vetëm nga rruga automobilistike, por edhe malet e kodrat. Në Sarandë, delvinjotët ishin gjithmonë më shumë se 500 vetë, duke përfshirë edhe banorët e fshatrave përreth.
Ata ishin tifozë të “Bistricës” që zaptonin tribunën qendrore, pasi zbrisnin shpejt në qytet dhe shkonin herët në stadium, ndërsa vendësit qëndronin në sektorin përballë nga parku. Saranda luante me ngjyrën blu si deti, ndërsa Delvina me të verdhë, nga ku doli edhe “e verdhë ngjyrë xhelozie, Delvinës ç’i paska hije”.
Në Delvinë, sarandjotët nuk vinin. Kur fushat ishin të dënuara, takimi zhvillohej në Gjirokastër. Por, “hakmarrja delvinjote”, shfaqej në kthim, me kërcënimin se; “ju presim në Muzinë”, pasi edhe atë Qafë e konsiderojnë të tyren.
Si trajtoheshin lojtarët, a kishte diferencime?
Nga viti 1957 deri në 1993, skuadrat vareshin, njëra Komiteti Ekzekutiv dhe tjetra nga një Komitet Partie, por edhe nga një Klub, pasi Butrinti kishte në varësi edhe Bistricën. Fondet, pagesat e lojtarëve, dhe ato pak privilegje, siç ishin materialet sportive, uniformat e Trikotazhit të Korçës, këpucët dhe topat e Mjeteve Mësimore “Hamid Shijaku” të Tiranës, të planifikuara nga FSHF-ja, i merrte skuadra e qytetit, ndërsa për Bistricën, ishin të kufizuara.
A kishte shkëmbime lojtarësh?
Është përdorur një strategji e veçantë me transferime të detyruara. Futbollistët e talentuar apo, nga ata që nuk gjenin hapësirë. i jepnin në Sarandë, duke i detyruar të luanin me “Butrintin”. Nga këto Klube kanë dalë lojtarë të mirë, si Hado, delvinjoti që luajti me “Partizanin”. Asnjëherë “shkëmbime” arbitrash, edhe pse ata kishin një kolegjium me Q. Martikon, A. Prodën, S. Qukun dhe ne kishim kolegjiumin me J. Koçin, B. Meçon e K. Imerin. Asnjëherë të kenë drejtuar takimet e njëra-tjetrës.
Thuhet se Sarandë-Delvinë, ishte një derbi edhe i personaliteteve të njohura të zonës. A është kështu?
Dua të kujtoj Vangjel Çakulin e Margarit Çakallin, trajnerin Alfred Bido. Ata kanë kontribut të madh. Por, ju e keni fjalën për Filip Habibin, një njeri me histori nga pas, që shkonte të enjten në Tiranë, në rastet kur në Delvinë ishte ndeshje e vështirë dhe në Federatën e Futbollit, pasi i tregonin se kush ishte arbitër, shkonte në qytetin e tij, sepse kjo ishte “detyra” e tij.
Po Komitetet e Partive a bëheshin ndërmjetëse?
Historikisht kanë qenë dhe mbeten sfida të ashpra. Luheshin në një fushë sportive të rrethuar me tela, që zor se përballonte një tifozëri të ndezur si ajo në Delvinë. Nga fillimi i javës, në vigjilje dhe pas përfundimit të saj, shpesh janë implikuar edhe drejtuesit partiakë, për të ulur gjakrat.
Ose ndodhte që kur skuadrat kishin interesa, si në raste për t’i shpëtuar rënies nga kategoria, ndërhynte Komiteti i Partisë, por kompromisi ishte i vështirë, ose thuajse i pamundur. Në Delvinë s’bëhej fjalë, që në të kundërtën, u hapnin rrugë kundërshtarëve për inat të njëri-tjetrit.
Kujtoni ndonjë rast?
Ishte një ndeshje në Delvinë dhe arbitër u caktua Arsen Hoxha nga kolegjumi i Fierit. Nga Komiteti i Partisë i thonë se Bistrica është mirë në renditje dhe pikët i duhen më shumë “Butrintit”. Shënon “Bistrica” një gol të rregullt dhe ai e anuloi. Pak më vonë akordoi një gol për “Butrintin” që ngjalli reagim nga lojtarë e tifozët.
“Ju keni rënë dakord që të fitojë Saranda”, – u tha Arseni delvinjotëve, por ata protestuan, e kundërshtuan dhe takimi u mbyll në barazim 1-1. Arsenin e kanë përcjellë më makinën e Sekretarit të Parë, shoqëruar me polici dhe pas saj deri në fund të karrierës, ai nuk erdhi e arbitroi më në Delvinë.
Kënga e famshme për “Bistricën”
Ishte kënga legjendë e Apostol Iljazit. Edhe ky fakt mbetet unik. Ndonëse pak ose aspak, një Klub i elitës ka këngën e tij, por kjo për kategoritë inferior, as që mendohej në atë kohë. Por këtu bën përjashtim “Butrinti”, që e ka një të tillë, kur në vitin 2004, Apostol Iljazi, delvinjoti i njohur i muzikës, krijoi këngën me një tekst special, madje kushtuar kryesisht derbit të famshëm:
“Në stadium përmbi Sarandë, u arrestuan tre trojanë/ I pari, i pari qe Veziri, që nuk e tremb as zinxhiri/ I dyti, i dyti qe Sulo Buzaçi, që nuk e tremb as kërbaçi / I treti, i treti qe Dhiogjeni, që tundi Sarandën nga themeli / ‘Bistrica’, ‘Bistrica’, tungjatjeta, tunde shtylla, çave rrjeta / Vraponi, ju vraponi, në stadium pa urrejtje të shkoni dhe Pipikun të shikoni / ‘Bistrica’, ‘Bistrica’, përjetë do fitojë, se ‘Bistrica’ është kampion…”! Memorie.al