Dashnor Kaloçi
Pjesa e parë
Memorie.al publikon kujtimet e ish ushtarakut të lartë, gjeneral-major Bako Dervishaj, ish-kuadër i lartë në brigadat partizane gjatë Luftës Antifashiste, lidhur me ngjarjet e periudhës shtator-tetor 1943, kur pas kapitullimit të Italisë fashiste, disa mira trupa të armatosura nga ushtarët e oficerët e saj, u bashkuan me partizanët shqiptarë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të udhëhequr nga Spiro Moisiu dhe Enver Hoxha. Kujtimet e panjohura të gjeneral-major Dervishaj, autor i disa librave me studime për periudhën e Luftës Antifashiste, i cili në librin e fundit të tij, me titull “Me italianët”, midis të tjerash ka shkruar: “Sipas kushteve të kapitullimit, Armata IX italiane ishte e detyruar t’u jepte fund operacioneve ushtarake dhe t’ua dorëzonte armët forcave të Rezistencës Shqiptare. Por kryekomandanti italian Renzo Dalmaco nuk pranoi. Ai urdhëroi repartet ushtarake që të dorëzoheshin tek gjermanët. Vetëm 15.000 ushtarë dhe oficerë të Divizionit “Firenze” nuk pranon të binin në dorë të nazistëve. Nga këta, 15. 000 u rreshtuan në radhët e Ushtrisë Shqiptare, duke formuar Batalionin “Antonio Gramshi”.
Kapitullimi i Italisë në shtator 1943
Lidhur me ngjarjet e periudhës së kapitullimit të Italisë fashiste, gjatë muajve shtator-tetor 1943, ish-ushtaraku i lartë, gjeneral-major Bako Dervishaj, midis të tjerash shkruan: “Ndërsa vendosej fati i ushtarëve italianë në Shqipëri, armata XI dhe armata XXII e ushtrisë gjermane të ardhura nga territori grek, nxituan të merrnin qytetet dhe portet e Shqipërisë. Në të njëjtën kohë forcat italiane mblidheshin nëpër garnizone pa patur ndonjë objektiv final, ose, më saktë, ishin në dilemë: të bashkoheshin me gjermanët apo të bëheshin aleatë me forcat e Rezistencës Shqiptare, apo ndonjë organizatë tjetër politike shqiptare. Përpjekjet qenë të ndryshme. Meqenëse Divizioni “Perugia” nuk i pranoi kushtet që rridhnin nga kapitullimi për të dorëzuar armët, nacionalistet e organizatës “Balli Kombëtar” të komanduara nga Hysni Lepenica, i ushtruan presion me armë këtij divizioni. Përpjekja e tyre për çarmatosjen e divizionit (siç e thashë më sipër), dështoi në mënyrë tragjike.
Komanda italiane vendosi të vetëmbrohej dhe dha urdhrin “zjarr”. Në hyrje të garnizonit mbetën të vrarë brenda disa minutave të 33 ballistët, që u përpoqën të sulmonin, së bashku me kryetarin e tyre. Në këtë situatë, komanda italiane vendosi të hynte në tratativa me komandën partizane, kjo e fundit e përfaqësuar nga një grup me në krye kryetarin e Partisë Komuniste për Gjirokastrën, Bedri Spahiun. Nga kjo marrëveshje u arrit në këtë kompromis: Ushtria italiane nuk do të çarmatosej menjëherë, por në momentin e imbarkimit të saj për në Itali. Para largimit nga territori shqiptar, ushtria italiane do të dorëzonte të gjitha armët e municionet dhe do të hipte në anijet aleate që do të niseshin nga Saranda në drejtim të Italisë. Forcat partizane do të garantonin lëvizjen e lirë e pa pengesë të kolonës italiane deri në portën e Sarandës.
Forcat partizane morën përsipër shoqërimin në krahë dhe në ballë të ushtrisë italiane, me qëllim që të mbroheshin këta të fundit nga ndonjë sulm i mundshëm i gjermanëve apo nacionalistëve shqiptarë, që mund të kërkonin të hakmerreshin për ata 33 të vrarë në përpjekje për të marrë garnizonin italian të Grehohit (Gjirokastër), pjesë e divizionit “Perugia”. Siç ndodhi më pas, akt-marrëveshja u respektua deri në momentin e fundit. Divizioni “Perugia” mbërriti në Sarandë, dorëzoi të gjithë armatimin dhe kur po përgatitej për t’u imbarkuar, ai u gjet nën zjarrin e befasishëm të ushtrisë gjermane, të dislokuar në ishullin e Korfuzit. Forcat gjermane asgjësuan dhe mbytën anijen e ardhur për marrjen e ushtarëve italianë, kështu që tentativa e italianëve për imbarkim dështoi në mënyrë fatale. Të ndodhur në këtë situatë të pashpresë, të uritur dhe mbi të gjitha të demoralizuar, italianët u tërhoqën me shpejtësi për në brendësi të territorit shqiptar duke u drejtuar për në Vlorë, me qëllim që të sistemoheshin si të mundnin nëpër krahinë.
Gjithmonë të shoqëruar dhe të mbrojtur nga krahët dhe nga partizanët e zonës, ata morën drejtimin Kuç-Lumi Shushicë në krahinën e Mesaplikut, dhe u vendosën përgjatë lumit të Smokthinës (Ramicë) në një fushë të gjerë, mbuluar nga pemët dhe me ujë të mjaftueshëm për nevojat e tyre. Gjatë kthimit të tyre, në të njëjtën kohë, në zonën e Mesaplikut, paralelisht u ndërmor një aksion tjetër luftarak që u quajt “Lufta e Drashovicës”, kujtonte gjenerali Dervishaj, lidhur me periudhën e kapitullimit të Italisë fashiste, ku forcat gjermane nuk lejuan largimin e ushtrisë italiane nga Shqipëria, duke e bombarduar dhe mbytur vaporin që erdhi për t’i marrë ata në Sarandë.
Italianët në luftën e Drashovicës
Po si rrodhën më pas ngjarjet me ushtarët italianë që mbetën në Shqipëri? Lidhur me këtë, në kujtimet e tij gjeneral Dervishaj shkruan: “Forcat gjermane të ardhura nga Greqia, u futën me shpejtësi në Shqipëri drejt Jugut të saj. Me një pjesë të forcave ata ndërhynë dhe bllokuan menjëherë garnizonin ushtarak të italianëve në zonën e Drashovicës. Në këtë garnizon gjendej një bazë materiale luftarake e fuqishme: depo veshmbathjeje, një spital ushtarak, bashkë me një farmaci, rreth 1200 mushka artilerie dhe një sasi e madhe deposh municioni të armatës italiane, të vendosura në fushat Drashovicë-Mavrovë. Më 14 shtator 1943 në këtë garnizon mbërriti edhe një autokolonë tjetër gjermane, e ardhur nga Jugu i Shqipërisë, e cila pruri me vete 6000 robër italianë (të Divizionit “Perugia”), të mbledhur nga Përmeti e Tepelena si dhe 100 robër jugosllavë.
Komanda partizane, pasi analizoi situatën, përgatiti një plan operativ, ku qëllimi ishte të thyhej miti i ushtrisë gjermane, e cila deri në atë kohë nuk kishte gjetur ndonjë rezistencë serioze në Shqipëri, si dhe të liroheshin robërit italianë, të cilët kurrsesi nuk duhet të ktheheshin në një kontingjent aktiv për ushtrinë gjermane. Gjermanët ishin të armatosur mirë, por në një terren fare të panjohur dhe të papërgatitur për një sulm të befasishëm. Në datën 14 shtator, forcat partizane dhe forcat territoriale vullnetare, me tetë batalione mikse dhe një bateri 75/13, e drejtuar nga oficerë italianë në bashkëpunim me specialistë shqiptarë dhe nën drejtimin e komandantit partizan të artilerisë, Ferid Hados, u vunë në gatishmëri përqark luginës ku ishin dislokuar forcat gjermane. Natën në orën 02.00 të datës 15 shtator, filloi sulmi i befasishëm. Goditja me artileri e depove të municioneve, të cilat shpërthyen njëra pas tjetrës si dhe sulmi nga të dy anët, krijoi një çoroditje dhe panik brenda ushtrisë gjermane, e cila nuk mundi të organizohej dot.
Brenda 4-5 orësh forcat partizane shpërthyen tërësisht mbrojtjen gjermane dhe të dyja palët dolën në vijën e takimit buzë lumit, duke ndarë në njërën anë robërit italianë e duke e lënë të lirë nga ana tjetër forcat gjermane që përpiqeshin të largoheshin nga rrezja e zjarrit. Luftimet për ndjekjen e gjermanëve, pa i lënë ata të riorganizoheshin, zgjatën 22 ditë. Ata u shtynë në rrethinat e Vlorës, ku organizuan pozicione të reja mbrojtjeje, megjithatë data 15 shtator 1943 shënoi asgjësimin e divizionit gjerman në luftën e Drashovicës, luftë ku për herë të parë, përkrah partizanëve, morën pjesë edhe italianë artiljerë, të parët që u bashkuan me Frontin Antifashist Nacionalçlirimtar. Pas asgjësimit të garnizonit gjerman të Drashovicës, u morën spitali ushtarak dhe farmacia, të gjitha këto të paprekura.
U morën edhe të 1200 mushkat e artilerisë të cilat, duke mos qenë në gjendje të mbaheshin nga forcat e armatosura shqiptare, u lanë të lira për t’u marrë nga kushdo që do të kishte nevojë për to. Italianët e liruar nga kampi gjerman morën rrugën në drejtim të Mesaplikut, për të arritur në lumin e Smokthinës, ku do të bashkoheshin me forcat e tjera të kthyera nga Saranda mbas përpjekjes së dështuar për të ikur në Itali. Gjatë luftës së Drashovicës, u liruan ndërmjet të tjerëve edhe 13 mjekë italianë. Gjatë konfrontimit me armë, në këtë luftë mbeten 11 partizanë të vrarë dhe 40 të tjerë të plagosur shumë rëndë, ndërmjet të cilëve edhe udhëheqësi i operacionit në luftën e Drashovicës, shoku Hysni Kapo si dhe xhaxhai im, Mevlan Dervishaj, komandant i një batalioni miks partizan. Të dy morën plagë shumë të rënda.
Xhaxhai im u plagos rëndë në mushkëri por megjithatë shpëtoi dhe jetën ia dedikon atyre 13 mjekëve që për ditë e net të tëra i qëndruan te koka derisa ai e mori veten plotësisht. Më pas këta mjekë italianë shërbyen në spitalet fushore partizane dhe qëndruan aty derisa përfundoi lufta. Më kujtohet njëherë që një mjek italian, pasi iu dha në përdorim një kasetë me mjete kirurgjikale, më pyeti nëse do të ishte e mundur që pasi të mbaronte lufta këtë kasetë ta bënte të tijën. Më bëri tepër përshtypje kjo kërkesë dhe nga ana ime e sigurova se dëshira e tij do të realizohej por më parë i urova të dilte shëndoshë e mirë nga lufta dhe të kujdesej për veten”, kujtonte gjenerali Bako Dervishaj, lidhur me dorëzimin e ushtarëve italiane pranë formacioneve partizane shqiptare dhe luftën e përbashkët kundra forcave gjermane që erdhën në atë kohë në Shqipëri nga territori grek.
Inkuadrimi i italianëve në Luftë përkrah forcave partizane
Lidhur me inkuadrimin e ushtarëve italianë në luftë përkrah partizanëve shqiptarë, midis të tjerash, gjeneral Dervishaj shkruan: “Në fillim të tetorit të vitit 1943, si çdo ditë Çelestino erdhi në shtëpinë time dhe më informoi se tashmë të gjithë italianët ishin sistemuar dhe ndërkohë më kërkoi të hynte në radhët e ushtrisë shqiptare. E ndjeva vetes shumë të lumtur, duke menduar që ndihma ime modeste kishte ndikuar për t’iu ngritur atyre sadopak moralin. Ndërsa motra ime Rakibeja u solli diçka për të ngrënë (Rakibeja më pas u vra nga gjermanët në moshën 17 vjeçare), unë përgatita një leje kalimi të hapur, me qëllim që ata të mos hasnin në pengesa, derisa të takonin repartin e parë partizan. Tek më përshëndeti, Çelestino më dhuroi një dylbi, të cilën e mbajta deri në përfundim të luftës.
Në ato momente bëra diçka që rrallë herë e kisha bërë më parë në jetën time: iu luta Zotit për shpëtimin e tyre…Ishte dimri i vitit 1943-1944. Bashkë me dimrin egërsohej edhe lufta midis forcave të rezistencës Shqiptare dhe pushtuesve nazistë. Por, ndërsa gjermanët ishin të armatosur deri në dhëmbë, të veshur e të mbathur, partizanët mundoheshin ta përballonin të ftohtin e madh të uritur, të rreckosur e të zbathur. Dhe pikërisht në ditët e ftohta të marsit të vitit 1944, aleatët gjetën mënyrën të na ndihmonin me armatime dhe veshmbathje. Në atë kohë sapo isha emëruar komandant i batalionit III të brigadës V sulmuese. Batalionin e gjeta në afërsi të fshatit Sevaster. Urdhërova shokët të shpërndanin ndihmat. Shpërndarja do të organizohej sipas nevojave të secilit, d.m.th. ndokush do të merrte një palë pantallona, dikush tjetër një xhaketë e ndokush tjetër një palë këpucë kështu me radhë.
Kur mora vesh për Çelestinon dhe mikun e tij që prej 6 muajsh kisha humbur çdo lidhje me ta, urdhërova shokët e mi partizanë t’u jepnin atyre një uniformë të plotë duke filluar që nga bustina e deri tek këpucët. Ideja që ata përballonin dimrin e egër përkrah partizanëve shqiptarë dhe me një “karrierë” shumë të pasur me operacione anti-naziste, më impresiononte. Urdhri im iu bëri përshtypje miqve të mi (që nga ajo kohë fillova t’i konsideroja të tillë). Pak më pas të dy erdhën e u paraqitën dhe më pyetën nëse ndoshta mund të ishte bërë ndonjë gabim në shpërndarjen preferenciale të veshjeve e nëse unë kisha dijeni. Mbasi i sigurova se nuk kishte asnjë keqkuptim dhe se shokët partizanë nuk kishin asnjë kundërshtim, pashë sesa u lumturuan.
Dhe ishte një lumturi thuajse-thuajse fëmijërore që unë nuk kam mundur ta harroj dhe nuk do ta harroj. Kuptova se ata ndjeheshin mirë midis nesh. Më kujtohet lufta e Macukullit nga data 9-25 korrik, të vitit 1944. Ishte një luftë e vështirë. Aty na u vranë dy partizanë (njëri prej të cilëve ishte Sesto Tatare nga Farli) dhe u plagosën rëndë 7 partizanë (në mes të cilëve Acorso Pietro nga Arezzo). Në varrimin e dy të vrarëve u mblodh i gjithë batalioni. Nuk u fol shumë gjatë, por dhimbja e të gjithë shokëve ishte e madhe. Në batalionin tonë deri atëhere nuk qe vrarë ndonjë italian. Na vinte shumë keq që një italian u vra në dhe të huaj. Më pas nxituam për të lëvizur të plagosurit. Ndryshuam drejtimin e lëvizjes drejt fshatit Lis për t’i çuar në spitalin partizan. Acorsoja i plagosur mbahej në një vig dhe shokët që e lëviznin ndërroheshin me radhë njëri pas tjetrit.
Mesa më kujtohet, ai ishte plagosur në kraharor. Kur hapi sytë na shikonte sikur të më kërkonte diçka. Përpiqesha ta mbaja me kurajë, por edhe të nxitoja lëvizjen. Shokët i rrinin pranë dhe kujdeseshin për të dhe të plagosurit e tjerë. Solidariteti dhe sakrificat e partizanëve në momente të vështira ishin të jashtëzakonshme dhe të papërshkrueshme. Parulla “Një për të gjithë dhe të gjithë për një”, ishte më tepër se një normë humane, më tepër se një normë shoqërore dhe vëllazërore, ishte një ligj absolut ekzistence, që mund ta kuptojnë vetëm ata që e kanë përjetuar luftën partizane. Partizanët italianë u bënë pjesë e këtij solidariteti. Më datën 23 gusht të vitit 1944 ndodheshim në Peshkopi të rrethit të Dibrës, në malin e Korabit dhe pikërisht në një nga majat e tij, Inoske, në një lartësi prej 2165 m… Përballë kishim forcat gjermane, që kishin dy ditë në mbrojtje. Siç u duk, të dyja palët kishim planifikuar sulmin kundër njëri tjetrit.
Natën më në mbrëmje, rreth orës 21.00, me tre batalione të Brigadës së V-të u hodhëm në sulm dhe shpërthyem mbrojtjen gjermane. Ata nuk arritën të organizoheshin dot në luftim dhe filluan menjëherë tërheqjen. Pas kësaj humbjeje gjermanët shpejtuan tërheqjen dhe qe pikërisht ky garnizon i pari që u tërhoq nga Ballkani. Ndërsa ndiqja luftimet nga një pikë vrojtimi së bashku me komisarin Reiz Malile, vura re që aty pranë, jo shumë larg pozicionit të mortajave, ndodhej Çelestono. Iu afrova dhe i dhashë dylbitë (që dikur kishin qenë të tijat) për të shikuar edhe ai. Pasi mbaroi e pyeta sesi shikohej me to. Ai m’u përgjigj që dylbitë tashmë e kishin gjetur të zotin dhe më pas shtoi duke qeshur: ”Dhurata i ka shërbyer aleancës antifashiste”. Ndërkohë komisari Malile, që më shoqëronte e pyeti “Je ti anëtar i kësaj aleance?” Çelestinoja iu përgjigj menjëherë: ”Natyrisht”, pastaj shtoi: “Më vjen keq që Italia e pret shpëtimin nga aleanca anglo-amerikane, ndërsa Shqipëria, e vogël, po i del vetë për zot fatit të saj”!
Nga mesi i shtatorit mora urdhër të lija batalionin e III në Kukës dhe të kthehesha në fshatin Shkallë të Tiranës. Tashmë ishte krijuar korparmata e I-rë dhe unë mora emërimin si shef informativ i korparmatës së I. U ndava me shokët e mi të batalionit dhe me partizanët italianë, të cilët nuk do t’i shikoja më nga ajo ditë. Batalionin ia dorëzova Hysen Çinos. Bashkë me amanetin tim ishin dhe porositë për Çelestinon dhe partizanët e tjerë italianë. Kur mbërrita në shtabin e korparmatës mësova me shumë hidhërim se komandanti i batalionit Hysen Çino (sot “Hero i Popullit”) ishte vrarë vetëm dy ditë mbas largimit tim. Kur erdha në Tiranë, edhe pse me detyrë tjetër, përpiqesha të merrja informacion për batalionin tim në përgjithësi dhe për partizanët italianë në veçanti. Luftës po i vinte fundi dhe ndërkohë angazhimi i italianëve në Luftën Nacionalçlirimtare bëhej gjithnjë dhe më i organizuar.
Pas çlirimit të Tiranës u gëzova shumë kur mora informacion për krijimin e Batalionit të VI. Më 24 Nëntor 1944 në Fushë-Kosovë (Lipian) u mblodh brigada e V sulmuese dhe me të gjithë partizanët italianë të kësaj brigade u krijua batalioni i VI, që përbëhej nga tre kompani me rreth 180-200 partizanë”, përfundon kujtimet e tij, ish-ushtaraku i lartë Bako Dervishaj, për ushtarët italianë që gjatë viteve të Luftës 1943-’44, luftuan përkrah partizanëve shqiptarë.
Udhëheqja e Batalionit “Antonio Gramshi”
- Komandant batalioni Kapiten Ernesto Çelestino
- Komisar batalioni Kapitel Giorgio Ghia
- Z/Komandant batalioni Kapiten Bruno Regno
- Z/ Komisar politik Toger Izedin Bimo
Kompania e I
- Komandant kompanie Toger Franchini Fasco
- Komisar kompanie Toger Agevati Xhino
- N/ Komandant kompanie N/Toger Chinoti Natale
Kompania e II
- Komandant kompanie Toger Gatto Renato
- Komisar kompanie Toger Fuxheli Axhelino
- N/ Komandant kompanie N/Toger Aversaj Sidoro
Bako Dervishaj, ish-truproja në Pallatin e Mbretit Viktor Emanuel i III-të në Itali, që u bë gjeneral i Enver Hoxhës
Bako Dervishaj u lind në 6 janar të vitit 1918 në fshatin Ramicë të të rrethit të Vlorës, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Babai i tij, Hazbi Dervishaj, në verën e vitit 1920-të, së bashku me disa nga burrat e tjerë të asaj familje, mori pjesë me armë në dorë në Luftën e Vlorës. Pas mbarimit të shkollës fillore në fshatin e tij të lindjes, Bako shkoi në qytetin e Vlorës, ku për katër vjet me radhë ndoqi studimet në Shkollën Tregtare, i cila në atë kohë ishte një nga më të preferuarat për fëmijët e familjeve të njohura, jo vetëm të krahinës së Vlorës. Pas mbarimit të asaj shkolle, në vitin 1937, Bako u thirr për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, ku e gjeti dhe shtatë prilli i vitit 1939. Në shtatorin e atij viti, duke qenë efektiv i regjimentit “Lupo Di Toskana”, ai u transferua në Romë në regjimentin “Granatiere di Sardegna”, pranë batalionit “GUARDIA REALE ALABANESE”, (Roja Mbretërore Shqiptare), me gradën nënoficer (Caporale Maggiore) Në atë batalion që kryente shërbimin e rojës pranë Pallatit të Mbretit Viktor Emanueli i III-të, Bako shërbeu deri në vitin 1942 dhe në atë kohë ai u kthye në Shqipëri. Që në ditët e para sapo u kthye në vendlindjen e tij, Bako u angazhua me Lëvizjen Antifashiste dhe u emërua si komandant i forcave partizane të asaj krahine dhe përgjegjës politik i Këshillit Nacionalçlirimtar. Me krijimin e Brigadës së V-të Sulmuese në Qarkun e Vlorës, ai u inkuadrua në atë formacion partizan, ku iu ngarkua detyra e komandantit të batalionit të pestë dhe të tretë të asaj njësie. Mbarimi i Luftës e gjeti Bako Dervishajn ne detyrën e Shefit të Informacionit të Korparmatës së Parë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të komanduar nga Spiro Moisiu dhe Enver Hoxha. Pas mbarimit të Luftës, ai shërbeu në detyrën e Shefit të Seksionit të Mbrojtjes së Popullit në rrethet e Tiranës, Durrësit, Elbasanit dhe Dibrës. Më pas ai u emërua në detyrën e Komandantit të Brigadës së 15-të Sulmuese të Sarandës dhe në periudhën e prishjes me Jugosllavinë, ai u caktua si komandant i Regjimentit të Kufirit, për mbrojtjen e kufijve veriorë që përfshinte zonën nga Liqeni i Prespës e deri në Lumin e Bunës. Në vitin 1949, ai u dërgua për studime në Bashkimin Sovjetik dhe në vitin 1952 mbaroi me rezultate të larta Akademinë Ushtarake “Frunze”. Pas përfundimit të asaj akademie, ai u kthye në Shqipëri dhe u emërua me detyrën e Shefit të Shtabit në Divizionin e Korçës dhe Komandantit të Korpusit të Tretë. Më pas ai shërbeu si komandant i Brigadës së XVI-të në Elbasan, i Brigadës së parë në Tiranë dhe i Brigadës së Këmbësorisë në Shkodër. Në vitin 1963, Bako Dervishajt iu dha grada e lartë e gjeneral-majorit dhe në vitin 1972 atë e transferuan nga Korça në Tiranë, duke e ngarkuar me detyrën e Inspektorit të Përgjithshëm të Ushtrisë, në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore. Në atë detyrë ai qëndroi vetëm katër vjet, pasi në vitin 1975, kur u godit e ashtruquajtura ‘kasta e ushtarakëve të lartë’, me në krye Beqir Ballukun, ai u nxor në lirim. Që nga ajo kohë, Bako iu kushtua studimeve mbi Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe ka arritur të botojë shtatë libra voluminozë, ku përshkruhen ngjarje të asaj periudhe. Ato libra kanë ngjallur interes të madh edhe jashtë vendit dhe ai ka marrë disa letra nga studiues dhe ish-ushtarakë italianë që gjatë viteve të Luftës, kanë qenë në Shqipëri në radhët e ushtrisë italiane të Musolinit. Libri i fundit që ka botuar Bako Dervishaj, titullohet “Me italianët” dhe aty ai ka përshkruar luftën e ushtarëve italianë në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare të udhëhequr nga Spiro Moisiu dhe Enver Hoxha, pjesë nga i cili po botojmë në këtë shkrim. /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016