Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon kujtimet e ish ushtarakut të lartë, gjeneral-major Bako Dervishaj, ish-kuadër i lartë në brigadat partizane gjatë Luftës Antifashiste, lidhur me ngjarjet e periudhës shtator-tetor 1943, kur pas kapitullimit të Italisë fashiste, disa mira trupa të armatosura nga ushtarët e oficerët e saj, u bashkuan me partizanët shqiptarë të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të udhëhequr nga Spiro Moisiu dhe Enver Hoxha. Kujtimet e panjohura të general-major Dervishaj, autor i disa librave me studime për periudhën e Luftës Antifashiste, i cili në librin e fundit të tij, me titull “Me italianët”, midis të tjerash ka shkruar: “Sipas kushteve të kapitullimit, Armata IX italiane ishte e detyruar t’u jepte fund operacioneve ushtarake dhe t’ua dorëzonte armët forcave të Rezistencës Shqiptare. Por kryekomandanti italian Renzo Dalmaco nuk pranoi. Ai urdhëroi repartet ushtarake që të dorëzoheshin tek gjermanët. Vetëm 15.000 ushtarë dhe oficerë të Divizionit “Firenze” nuk pranon të binin në dorë të nazistëve. Nga këta, 15. 000 u rreshtuan në radhët e Ushtrisë Shqiptare, duke formuar Batalionin “Antonio Gramshi”.
“Më 8 shtator të vitit 1943, Italia fashiste e Benito Musolinit nënshkroi pa kushte kapitullimin dhe e braktisi aleaten e saj, Gjermaninë naziste të Adolf Hitlerit. Ishte pikërisht ky momenti kur nisi e gjithë ajo odise e gjatë përpjekjesh për të mbijetuar, e atyre mijëra e mijëra ushtarëve dhe oficerëve italianë, që një herë e një kohë përbënin atë që quhej “Ushtria legjendare e Musolinit me 8 milionë bajoneta”. Sipas kushteve të kapitullimit, Armata IX italiane ishte e detyruar t’u jepte fund operacioneve ushtarake dhe t’ua dorëzonte armët forcave të Rezistencës Shqiptare. Por kryekomandanti italian Renzo Dalmaco nuk pranoi. Ai urdhëroi repartet ushtarake që të dorëzoheshin tek gjermanët. Vetëm 15.000 ushtarë dhe oficerë të Divizionit “Firenze” nuk pranon të binin në dorë të nazistëve. Nga këta, 15.000 u rreshtuan në radhët e Ushtrisë Shqiptare, duke formuar Batalionin “Antonio Gramshi”. Kështu shkruan në mes të tjerash në kujtimet e tij, general-major Bako Dervishaj, ish-komandant në disa prej njësive partizane gjatë periudhës së Luftës Antifashiste, i cili ndalet gjatë duke përshkruar edhe historinë e panjohur të ushtarëve italianë që erdhën si pushtues dhe triumfator në Shqipëri, e më pas u larguan të mundur. Nga ngjarjet më interesante që ai dëshmon në kujtimet e tij, janë ato pas të kapitullimit të ushtrisë italiane, ku me qindra ushtarë italianë u bashkuan me partizanët shqiptarë dhe luftuan në radhët e tyre deri mbarimin e Luftës në nëntorin e vitit 1944.
Kujtimet e ish-ushtarakut të lartë, gjeneral-major, Bako Dervishaj
Kapitullimi i Italisë në shtator 1943
Lidhur me ngjarjet e periudhës së kapitullimit të Italisë fashiste, gjatë muajve shtator-tetor 1943, ish-ushtaraku i lartë, gjeneral-major Bako Dervishaj, midis të tjerash shkruan: “Lufta na ndau e ne nuk mundëm të ruanim atë miqësi të krijuan në atë kohë të stuhishme lufte. Ai dhe mjekët e tjerë italianë, pas fitores botërore mbi nazi-fashizmin, u bënë mjekët kryesorë nëpër spitalet e kryeqytetit shqiptar, Tiranës. Dhe mallkoj veten që në ato kohëra luftërash, nuk munda të mbaja një ditar për emrat e gjithë atyre italianëve, që fatin e tyre e ndanë me ne. Krahina e Mesaplikut në ditët e shtatorit e deri më 28 nëntor, përreth tre muaj, mikpriti në gjirin e saj mbi 11.000 ushtarë dhe oficerë italianë të asaj ushtrie të kapitulluar, pa asnjë lloj organizmi civil apo ushtarak. Në atë kohë unë kisha funksionin e komandantit të krahinës dhe isha përgjegjës politik i Këshillit Nacionalçlirimtar të krahinës. Vishja një “uniformë” partizane, që ishte një beretë me një yll të kuq. Isha përgjegjësi i këshillave dhe skuadrave vullnetare të 19 fshatrave. Një organizim i tillë sillte rregull e qetësi në krahinë. Në këtë situate, u ngarkova me detyrë që të kujdesesha për forcat italiane, të dislokuara në qendër të krahinës. Përcaktuam një plan organizativ që mund të përmblidhej në disa pika:
Të sigurohej normaliteti në gjirin e ushtarakëve italianë (11.000 vetë), të cilët ishin të çarmatosur, të demoralizuar dhe të pashpresë. Të ruheshin ata nga ndonjë sulm i mundshëm i gjermanëve apo ballistëve, të cilët në atë kohë lidhën aleancë të hapur me gjermanët. Për këto që do të guxonte të sulmonte apo do të sillej forcërisht me italianët, do të zbatohej ligji i luftës, me vetëm dy nene (neni 1: falje; neni 2: pushkatim). Garantimi i mjeteve të jetesës dhe veshmbathjes për 11.000 vetë. Komanda aleate nëpërmjet misionarëve të saj pranë komandave partizane, iu shpërndau italianëve para e monedha floriri, për blerjen e ushqimeve nga popullsia shqiptare e zonës. Në këto kushte, për të shmangur spekullimet e mundshme, u vendos që: Të vihej në dijeni e gjithë popullata, që kushdo mund të shkonte në kampin italian dhe t’u shiste atyre ushqime apo mjete të tjera, për të cilat ata do të kishin nevojë, sipas çmimeve të fiksuara nga përfaqësuesit partizanë. Gjithkujt që do të spekullonte me çmimet, do t’i sekuestrohej i gjithë malli. Malli i sekuestruar do t’u shpërndahej falas italianëve. U porositën familjet fshatare të zones. që të ndihmonin italianët me sa mundësi të kishin, veçanërisht ata që do të kërkonin punë dhe strehim. Italianëve iu rekomandua, të mos provonin të kërkonin asnjë lloj ndihme nga gjermanët. (Kur një grup prej tyre, midis të cilëve edhe disa oficerë, u orvat të largohej në drejtim të Jugut për të arritur në qytetin port të Sarandës, në afërsi të fshatit Kuç, u ndesh me forcat gjermane, të cilët, pasi i ndanë oficerët nga ushtarët italianë, oficerët i pushkatuan të gjithë. Gjermani u bë kështu armiku i përbashkët).
Pas kësaj përpjekjet për tu inkuadruar në luftën antifashiste qenë të shumta dhe kjo do të ishte tepër e favorshme edhe për ne, duke u nisur nga fakti që ata përbënin një forcë aktive, të cilët nacionalistët shqiptarë apo gjermanët mund ta përdornin kundër nesh. Ishin të shumtë italianët me fizik të fortë dhe politikisht të vendosur, që morën pjesë në luftën tonë, duke pranuan disiplinën dhe rregullat e ushtrisë partizane”, kujton ish-ushtaraku i lartë, gjeneral-major, Bako Dervishaj, lidhur me sistemimin e 11.000 ushtarëve dhe oficerëve italianë, të cilët në ditët e kapitullimit të Italisë fashiste të Benito Musolinit, u dorëzuan pranë njësive partizane të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Enver Hoxhës.
Ditë të vështira
Lidhur me ngjarjet e mëtejshme të ushtarëve dhe oficerëve italianë që ishin instaluar në rrethin e Vlorës, ish-ushtaraku i lartë, Bako Dervishaj kujton: “Rreth 20 shtatorit të vitit 1943, bëra një vizitë në kampin italian përgjatë lumi të Ramicës. Duke shikuar gjithë atë turmë të pafat njerëzish, në mes të pyllit dhe nën hijen e pemëve, nuk arrija të mendoja se kisha të bëja me ish armiqtë tanë, por përpiqesha të gjeja mundësitë si t’i ndihmoja për të dalë nga ajo gjendje ankthi dhe trishtimi. Nuk dija se çfarë të bëja. Ata vetë nuk dinin çfarë të më thonin dhe unë për çfarë t’i ngushëlloja. I dëgjoja tek këndonin disa këngë melankolike italiane dhe në zërin e tyre ndjeja një mallëngjim që më rrëqethte. Më afrohen dy oficerë të rinj (njëri ishte Çelestino, tjetri nuk më kujtohet), të cilët më kërkuan që të futeshin edhe ata në radhët e ushtrisë sonë, por pasi të ishte zgjidhur problemi i sistemimit të shokëve të tyre të Kompanisë së mortajave 82 m/m. Për këtë qëllim, me mirësjelljen që i karakterizonte (dhe që ne shqiptarët aq shumë na kishte bërë përshtypje), më kërkuan t’i jepja mundësinë kompanisë së tyre të largohej nga kampi, për të siguruar më pas sistemimin në fshatrat përreth krahinës së Mesapikut. I’u tregova me gisht një shpellë 10 km. larg nga aty dhe u thashë se të nesërmen, e gjithë kompania mund të nisej për atje. Ua bëra të qartë, se ajo shpellë kishte vetëm një hyrje dhe mjaftonte për të nxënë brenda saj 500 veta. U thashë më pas, që sapo të mbërrinin, mund të vinin e të më kontaktonin me mua, sepse shtëpia ime ndodhej fare pranë, e më pas do të diskutonim për të marrë masat e nevojshme. U ndamë me mirëkuptim. Pasi kompania e mortajave mbërriti në shpellën e Ramicës, dy oficerët më bënë një vizitë në shtëpinë time. Ju ofrova për të ngrënë ato pak gjëra që më ndodheshin në shtëpi, por me moton e shqiptarit: “bukë, kripë e zemër”, dhe i këshillova që kompania e tyre, të dilte çdo ditë në fshat në grupe dhe kështu, dalëngadalë, të sistemoheshin dhe të integroheshin me jetën e përditshme të vendit. Dy mysafirëve të mi, iu dhashë një pushkë dhe i urdhërova ta përdornin pa hezitim kundër kujtdo që do të tentonte të dhunonte “banesën” e tyre. Fatmirësisht, nga ana e popullsisë shqiptare, patëm mirëkuptimin e duhur. Populli shqiptar me intuitën e tij, diti të bënte dallimin midis italianëve të thjeshtë dhe fanatikëve fashistë, që i kishin dërguar për të luftuar në një vend të huaj. Ata djem të rinj italianë u pritën si miq, me shumë bujari dhe ngrohtësi, siç ka qenë gjithmonë tradicionalisht shqiptari. Fshati Smokthinë përbëhej nga pothuajse 500 familje dhe nga ky fshat shkuan për të luftuar me armë në dorën rreth 650 vetë. Kuptohet, në këto familje mbetën vetëm pleqtë dhe fëmijët në moshë shumë të vogël. Këto familje strehuan të paktën nga një italian secila, gjë që u kthye në një normë morale aq e natyrshme, sa që ishte e vështirë të qëndroje jashtë saj. Me kalimin e kohës, italianët njëri pas tjetrit, u lidhën me familjet shqiptare, u bënë zotër shtëpish dhe u sistemuan në punë të ndryshme. Mbaj mend që çdo të diel, e bënë zakon të vizitonin njëri-tjetrin nëpër shtëpitë shqiptare dhe i’u luteshin pleqve, që kishin mbetur nëpër familje, që për shokët e ftuar, të mund të gatuanin polente (harapash), sigurisht me gjalpë e djathë, sipas mundësive në Shqipërinë e asaj kohe. Në shtëpinë time gjetën strehim pesë djem italianë. Në këtë kohë pesë prej nesh (vëllezër e motra) na kishte përfshirë rrjedha e luftës dhe nëna e jonë, e mbetur vetëm në shtëpi me fëmijët më të vegjël, gjeti ngushëllim te ata djem italianë dhe u bë për ta një nënë e dytë. Ajo shpesh herë thoshte se: edhe ata ishin bij nënash dhe se fati dhe politika e keqe i kishte sjell në këto vise të ashpra, për të luftuar kundër një populli që nuk kishte pse të ishte armiku i tyre. Edhe ata djem e konsideronin nënën time si të tyren dhe u bënë për të dhe për partizanët e zones, një ndihmë e madhe. Mbaj mend që, njëri prej tyre hoqi nga spaletat e tij dy yje dhe i’a fali nipit tim, Nevruzit. Nëna më thoshte se ai ishte djalë shumë punëtor. Me një makinë qepëse, që kemi patur në shtëpi, ai qepte këmisha për partizanët, me materialet e parashutave angleze apo gjerdane fishekësh, me copat e çadrave të tyre ushtarake. Gjatë qëndrimit të tyre në krahinën tonë si “emigrantë”, nga ana e italianëve nuk pati asnjë të sëmurë apo të vdekur. Ata, të strehuar e të punësuar nëpër familjet fshatare shqiptare, nuk ishin as punëtorë, as shërbëtorë dhe as refugjatë. Ata ishin thjesht robër të liruar dhe të strehuar për t’u mbrojtur. Bënin punë të përbashkët nëpër familje, jo për të fituar, por për të shtuar prodhimin bujqësor e blegtoral dhe për të jetuar dhe ata vetë. Misionarët anglo-amerikanë, ndërkohë i kishin shkëputur lidhjet me ne: ata as nuk u panë dhe as nuk u dëgjuan më, e për rrjedhojë, na duhej t’ia dilnim vetëm mbanë për të siguruar ushqime dhe veshmbathje. Shumë komandantë të forcave italiane, fillimisht ndihmoheshin nga ushtarët, më pas secili filloi të mendonte për fatin e vet. Edhe unë, komandant Bakoja, ashtu si gjithë partizanët e tjerë, ushqehesha nga populli me bukën e tij të misrit. Në atë kohë të vështirë nuk e kisha të lehtë të bisedoja me italianët dhe t’u afrohesha komandantëve të tyre, sepse nuk ndihesha i aftë të zgjidhja ose të përballoja problemet dhe fatkeqësitë e tyre. Përveçse të lajmëroja popullsinë për qëndrimin korrekt që ata duhej të mbanin ndaj italianëve, nuk mundesha të bëja asgjë materialisht për ta, për të lehtësuar sadopak dhimbjen e tyre. Ditët kalonin dhe rezervat e tyre ushqimore bëheshin gjithnjë e më të pakta. Në një nga ditët kur zakonisht inspektoja kampin e italianëve, një oficer m’u afrua dhe më kërkoi me shumë kortezi, lejen për të therur për komandën e tyre një mushkë, që ta përdornin si ushqim. U preka thellësisht nga kërkesa e atij oficeri dhe lejen sigurisht që ia dhashë. Në ato çaste nisa të mendoja më seriozisht për të gjetur rrugë apo mënyra që t’i ndihmoja ata të dilnin nga ajo situatë. Kështu, pas disa ndërhyrjeve të mia pranë një brigadë partizane, munda më në fund të siguroja një sasi jo fort të paktë misri për italianët e dislokuar në fushën e Mesaplikut. Njëkohësisht u takova me Qeriba Derrin, një shoqja ime, që ishte pronare e një mulliri, së bashku me të shoqin, të cilën e porosita ta bluante me përparësi misrin që do të çonin atje ushtarët italianë. Ajo jo vetëm që i ndihmonte në këtë drejtim, por edhe ulej e bisedonte gjatë me ta për hallet e tyre. Pak kohë më vonë, pasi ajo dhe i kunati u pushkatuan nga gjermanët (i shoqi, ish komandant i qarkut të Vlorës u plagos), mulliri mbeti pa zot, por për të u kujdes një italian i quajtur Giovanni (shqiptarët për lehtësi e thërrisnin Sulo).
Kompania e III
- Komandant kompanie Toger Giuseppe Ferari
- Komisar kompanie Toger Spaoli Gilberto
- N/ Komandant kompanie N/Toger Agostino Rafani
Inkuadrimi i italianëve në Luftë
Në fillim të tetorit të vitit 1943, si çdo ditë, Çelestino erdhi në shtëpinë time dhe më informoi se tashmë të gjithë italianët ishin sistemuar dhe ndërkohë më kërkoi të hynte në radhët e ushtrisë shqiptare. E ndjeva vetes shumë të lumtur, duke menduar që ndihma ime modeste, kishte ndikuar për t’iu ngritur atyre sadopak moralin. Ndërsa motra ime, Rakibeja, u solli diçka për të ngrënë (Rakibeja më pas u vra nga gjermanët në moshën 17 vjeçare), unë përgatita një leje kalimi të hapur, me qëllim që ata të mos hasnin në pengesa, derisa të takonin repartin e parë partizan. Tek më përshëndeti, Çelestino më dhuroi një dylbi, të cilën e mbajta deri në përfundim të luftës. Në ato momente bëra diçka që rrallë herë e kisha bërë më parë në jetën time: i’u luta Zotit për shpëtimin e tyre…! Ishte dimri i vitit 1943-1944. Bashkë me dimrin egërsohej edhe lufta midis forcave të rezistencës Shqiptare dhe pushtuesve nazistë. Por, ndërsa gjermanët ishin të armatosur deri në dhëmbë, të veshur e të mbathur, partizanët mundoheshin ta përballonin të ftohtin e madh të uritur, të reckosur e të zbathur. Dhe pikërisht në ditët e ftohta të marsit të vitit 1944, aleatët gjetën mënyrën të na ndihmonin me armatime dhe veshmbathje. Në atë kohë sapo isha emëruar komandant i batalionit III të Brigadës V-të Sulmuese. Batalionin e gjeta në afërsi të fshatit Sevaster. Urdhërova shokët të shpërndanin ndihmat. Shpërndarja do të organizohej sipas nevojave të secilit, d.m.th. ndokush do të merrte një palë pantallona, dikush tjetër një xhaketë, e ndokush tjetër një palë këpucë kështu me radhë. Kur mora vesh për Çelestinon dhe mikun e tij që prej 6 muajsh kisha humbur çdo lidhje me ta, urdhërova shokët e mi partizanë t’u jepnin atyre një uniformë të kompletuar, duke filluar që nga bustina e deri tek këpucët. Ideja që ata përballonin dimrin e egër përkrah partizanëve shqiptarë dhe me një “karrierë” shumë të pasur me operacione antinaziste, më impresiononte. Urdhri im iu bëri përshtypje miqve të mi (që nga ajo kohë fillova t’i konsideroja të tillë). Pak më pas të dy erdhën e u paraqitën dhe më pyetën nëse ndoshta mund të ishte bërë ndonjë gabim në shpërndarjen preferenciale të veshjeve dhe nëse unë kisha dijeni. Mbasi i sigurova se nuk kishte asnjë keqkuptim dhe se shokët partizanë nuk kishin asnjë kundërshtim, pashë sesa u lumturuan. Dhe ishte një lumturi thuajse-thuajse, fëminore që unë nuk kam mundur ta harroj dhe nuk do ta harroj. Kuptova se ata ndjeheshin mirë midis nesh. Më kujtohet lufta e Macukullit, nga data 9-25 korrik, të vitit 1944. Ishte një luftë e vështirë. Aty na u vranë dy partizanë (njëri prej të cilëve ishte Sesto Tatare nga Farli) dhe u plagosën rëndë 7 partizanë (në mes të cilëve Acorso Pietro nga Arezzo). Në varrimin e dy të vrarëve, u mblodh i gjithë batalioni. Nuk u fol shumë gjatë, por dhimbja e të gjithë shokëve ishte e madhe. Në batalionin tonë deri atëhere nuk qe vrarë ndonjë italian. Na vinte shumë keq që një italian u vra në dhe të huaj. Më pas nxituam për të lëvizur të plagosurit. Ndryshuam drejtimin e lëvizjes drejt fshatit Lis, për t’i çuar në spitalin partizan. Acorsoja i plagosur, mbahej në një vig dhe shokët që e lëviznin ndërroheshin me radhë njëri pas tjetrit. Mesa më kujtohet, ai ishte plagosur në kraharor. Kur hapi sytë na shikonte sikur të më kërkonte diçka. Përpiqesha ta mbaja me kurajë, por edhe të nxitoja lëvizjen. Shokët i rrinin pranë dhe kujdeseshin për të dhe të plagosurit e tjerë. Solidariteti dhe sakrificat e partizanëve në momente të vështira ishin të jashtëzakonshme dhe të papërshkrueshme. Parrulla “Një për të gjithë dhe të gjithë për një”, ishte më tepër se një normë humane, më tepër se një normë shoqërore dhe vëllazërore, ishte një ligj absolut ekzistence, që mund ta kuptojnë vetëm ata që e kanë përjetuar luftën partizane. Partizanët italianë u bënë pjesë e këtij solidariteti. Më datën 23 gusht të vitit 1944, ndodheshim në Peshkopi të rrethit të Dibrës, në malin e Korabit dhe pikërisht në një nga majat e tij, Inoske, në një lartësi prej 2165 m. Përballë kishim forcat gjermane, që kishin dy ditë në mbrojtje. Siç u duk, të dyja palët kishim planifikuar sulmin kundër njëri tjetrit. Natën më në mbrëmje, rreth orës 21.00, me tre batalione të Brigadës së V-të u hodhëm në sulm dhe shpërthyem mbrojtjen gjermane. Ata nuk arritën të organizoheshin dot në luftim dhe filluan menjëherë tërheqjen. Pas kësaj humbjeje, gjermanët shpejtuan tërheqjen dhe qe pikërisht ky garnizon i pari që u tërhoq nga Ballkani. Ndërsa ndiqja luftimet nga një pikë vrojtimi së bashku me komisarin Reiz Malile, vura re që aty pranë, jo shumë larg pozicionit të mortajave, ndodhej Çelestono. Iu afrova dhe i dhashë dylbitë (që dikur kishin qenë të tijat), për të shikuar edhe ai. Pasi mbaroi e pyeta sesi shikohej me to. Ai m’u përgjigj që: dylbitë tashmë e kishin gjetur të zotin dhe më pas shtoi duke qeshur: “Dhurata i ka shërbyer aleancës antifashiste”. Ndërkohë komisari Malile që më shoqëronte, e pyeti “Je ti anëtar i kësaj aleance”? Çelestinoja i’u përgjigj menjëherë: “Natyrisht”, pastaj shtoi: “Më vjen keq që Italia e pret shpëtimin nga aleanca anglo-amerikane, ndërsa Shqipëria, e vogël, po i del vetë për zot fatit të saj. Nga mesi i shtatorit, mora urdhër të lija batalionin e III-të në Kukës dhe të kthehesha në fshatin Shkallë të Tiranës. Tashmë ishte krijuar Korparmata e I-rë dhe unë mora emërimin si shef Informativ i Korparmatës së I-rë. U ndava me shokët e mi të batalionit dhe me partizanët italianë, të cilët nuk do t’i shikoja më nga ajo ditë. Batalionin i’a dorëzova Hysen Çinos. Bashkë me amanetin tim, ishin dhe porositë për Çelestinon dhe partizanët e tjerë italianë. Kur mbërrita në shtabin e Korparmatës, mësova me shumë hidhërim se komandanti i batalionit, Hysen Çino (sot “Hero i Popullit”) ishte vrarë vetëm dy ditë mbas largimit tim. Kur erdha në Tiranë, edhe pse me detyrë tjetër, përpiqesha të merrja informacion për batalionin tim në përgjithësi dhe për partizanët italianë në veçanti. Luftës po i vinte fundi dhe ndërkohë angazhimi i italianëve në Luftën Nacionalçlirimtare bëhej gjithnjë dhe më i organizuar. Pas çlirimit të Tiranës, u gëzova shumë kur mora informacion për krijimin e Batalionit të VI-të. Më 24 nëntor 1944, në Fushë-Kosovë (Lipian) u mblodh Brigada e V-të Sulmuese dhe me të gjithë partizanët italianë të kësaj brigade, u krijua batalioni i VI-të, që përbëhej nga tre kompani me rreth 180-200 partizanë.
Udhëheqja e batalionit ishte:
- Komandant batalioni Kapiten Ernesto Çelestino
- Komisar batalioni Kapitel Giorgio Ghia
- Zv/Komandant batalioni Kapiten Bruno Regno
- Zv/ Komisar politik Toger Izedin Bimo
Kompania e I
- Komandant kompanie Toger Franchini Fasco
- Komisar kompanie Toger Agevati Xhino
- N/ Komandant kompanie N/Toger Chinoti Natale
Kompania e II
- Komandant kompanie Toger Gatto Renato
- Komisar kompanie Toger Fuxheli Axhelino
- N/ Komandant kompanie N/Toger Aversaj Sidoro
Ky batalion kishte të drejtë të mbante flamurin italian me yllin me 5 cepa, i cili në atë kohë kishte marrë vlerën e një simboli që bashkonte të 5 kontinentet në aleancën e luftës antifashiste. Drejtuesit e tij u graduan sipas rregullave të Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare. Kështu, ky batalion me në krye Çelestinon, përreth 6-7 muaj mori pjesë aktive në luftën kundër nazi-fashizmit në Kosovë e më thellë, deri në Vishegrad të Jugosllavisë. Me mbarimin e misionit ushtarak, batalioni VI-të u inkuadrua në regjimentin “Antonio Gramshi” dhe më pas u riorganizua për t’u kthyer në Shqipëri të armatosur, nga ku, pas grumbullimit të tyre në qytetin port të Durrësit, të gjithë i nisën për në Bari të Italisë. (Siç mësova pak më vonë, i grumbulluan në Taranto, ku dhe i çarmatosën dhe i lanë të lirë të ktheheshin në familjet e tyre. Kujtoj që kaluam shumë çaste gëzimi dhe dhimbjesh së bashku; u endëm për një kohë shumë të gjatë nëpër atë kalvar marshimesh dhe luftrash për liri e pavarësi, herë të ngrënë e herë jo, por nuk kam parë kurrë kundër tyre as më të voglën shenjë proteste nga ana e shokëve të mi shqiptarë. Krijova për ta një respekt të tillë, që ma imponoi sjellja e tyre e vendosur për të luftuar për një ideal, i cili nuk kishte të bënte me ata vetë, por që ata ndjeheshin të përfshirë dhe që rrugës së nisur së bashku me ne t’i shkonin deri në fund, për të luftuar ato metastaza të kancerit gjerman, që po shpërndaheshin nëpër Europë e Azi. Siç e thashë, këta djem njohën: Vlorën, Gjirokastrën, Përmetin, Tiranën, Burrelin, Dibrën, Kukësin dhe depërtuan thellë edhe në trupin dhe shpirtin e popullit Shqiptar. Këta djem u admiruan për guximin dhe vetëmohimin që treguan në luftën përkrah luftëtarëve partizanë dhe koha e vepra e tyre iu dha dhe titullin e merituar “Luftëtarë të lirisë”. Kujtoj këtu thënien e Tercilio Cardinale-s, Komandant i Batalionit “Antonio Gramshi”, i cili shprehet në ditarin e tij: “Partizanët shqiptarë bënë çmos që të shprehnin miqësinë e tyre ndaj nesh dhe na përfshinë si vëllezër në luftën kundër nazi-fashizmit”. Batalioni im, ku bënte pjesë Çelestino-ja dhe italianët e tjerë bënë rreth 700 ditë luftë. Ai përshkroi një itinerar Jug-Veri deri në Jugosllavi dhe në marshimet e gjata në luftëra përshkroi 2900 km rrugë. Ky batalion i dha luftës 262 dëshmorë nga një efektiv prej 2400 vetë, duke përfshirë kompletimin e herëpashershëm me forca vullnetare. Ne i shtrënguam duart njëri-tjetrit. Ajo rrugë e lavdishme 700 ditë na bashkoi dhe na bashkon. Ato ditë lidhen me aksionet dhe betejat, me sulmet dhe kundra sulmet, ato lidhen me gjakun e të rënëve, të atyre bijve e bijave shqiptarë e italianë që falën jetën për t’i shërbyer një ideali sublim: çlirimit të Shqipërisë nga thonjtë e okupacionit nazi-fashist. Eshtë e drejta ime dhe e bashkohësve të mi, të kujtojmë me krenari dhe nostalgji ato ideale që kalojnë përtej një nacionalizmi të ngushtë, deri në kufirin e një ideali të fuqishëm sa që edhe në ditët e sotme (për të qenë realistë) nuk po përjetohet më. Sot kuptoj padrejtësitë e politikës reaksionare të pasluftës që çarmatosi Çelestinon dhe shokët e tij të porsa mbërritur në Itali dhe padrejtësitë e politikës shqiptare që më detyruan të humb çdo kontakt dhe lidhje me shokët e mi të luftës. Idealet tona të luftës Nacionalçlirimtare nuk harrohen. Ato janë skalitur në këngët popullore shqiptare, në faqet e epopesë së lavdishme të historisë, të asaj historie luftërash e përpjekjesh të vazhdueshme e të përbashkëta me popullin italian, që fillon që në 1460-ën me aleancën e madhe të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeut dhe mbretit italian, Alfonso Di Napoli, të cilëve historia e Shqipërisë dhe Italisë, iu atribuon fitoren mbi ushtrinë pushtuese turke, fitore që shpëtoi Italinë dhe Europën mbarë nga thonjtë e Perandorisë së egër Otomane. Aleanca midis të dy vendeve lindi natyrshëm dhe do të mbetet e tillë, prandaj historia përsëritet. U përsërit në vitin 1943 me aleancën italo-shqiptare, e mishëruar kjo në batalionin “Antonio Gramshi”. Jemi ballëlartë në histori dhe zotër të mbrojtjes së traditave patriotike, prandaj gjithmonë do të krenohemi dhe kurrë nuk do të gjykohemi. Miqësia jonë u lidh në luftë dhe për “çudi” u harrua në paqe. Miqësinë e krijuar në llogoret e luftës së përbashkët, por të lënë mënjanë nga rrethanat, duhet ta bëjmë të ringjallet, në atë mënyrë që t’u shërbejë brezave në Europën e re. Do t’ia vlejë që stërnipërit tanë, kur të vijë koha ta tregojnë historinë “Na ishte një herë…” dhe jo të tregojnë përralla, por të tregojnë një të vërtetë të madhe. Ne qëndruam antifashistë, dhe si të tillë kemi të drejtën morale të quhemi atdhetarë, humanë, mbrojtës të demokracisë e të idealeve më moderne, më njerëzore e më fisnike që nuk u shpikën as dje, as sot, por që ne kemi të drejtë të krenohemi. Jam 82 vjeç dhe në gjendje të mirë fizike, gjeneral në pension. Më mban gjallë shpresa se një ditë do të mund t’i shoh përsëri, të dëgjoj zërin e shokëve të mi apo të marr qoftë edhe një letër nga ata bashkëluftëtarë me të cilët ndamë idealin më të bukur të rinisë sonë, ideale me të cilat na lidhi lufta e përbashkët dhe që nuk mund të na ndajë paqja. Këto radhë që shkrova, janë vetëm kujtimet e mia modeste. Në arkivin e shtetit shqiptar dhe të shtetit Italian, me siguri që ka shumë dokumente e fakte të cilat flasin për ato ngjarje të stuhishme. Shpresoj që shumë nga shokët e mi të jenë gjallë në Shqipëri apo Itali. Ç’duhet të bëjmë? Edhe sa kohë do të kemi për të bërë diçka”, përfundon kujtimet e tij ish-ushtaraku i lartë, general-major, Bako Dervishaj me origjinë nga Vlorë, duke kujtuar periudhën e Luftës Antifashiste, ku atij i’u ngarkua detyra për të kujdesuar për ushtarët dhe oficerët italianë, të cilët pas kapitullimit të Italisë fashiste të Benito Musolinit, u dorëzuan pranë Ushtrisë Nacionalçlrimtare të Enver Hoxhës, duke pranuar të luftonin përkrah tyre kundër ushtrisë gjermane që ishte në Shqipëri, ku shumë prej tyre dhanë edhe jetën duke u vrarë në disa prej betejave të zhvilluara kundër forcave gjermane që po tërhiqeshin nga Shqipëria. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016