Nga Vasil Qesari
Pjesa e njëmbëdhjetë
Memorie.al/ Përmbysja e ngrehinës së madhe totalitare në Shqipëri do të linte pas, jo vetëm ndryshimin e sistemit, shoqëruar me plot shpresa, mirazhe e klithma lumturie por, fatkeqësisht, edhe mjaft plagë, drama, viktima, pluhur, mllefe e zhgënjime nga më të ndryshmet. Dhjetë vjet e më tepër pas asaj ngjarje, e cila tronditi thellë shoqërinë, duke përmbysur tërësisht shumë kode, rregulla e koncepte të mëparshme, njerëzit vazhdojnë endé t’i bëjnë vetes pyetje të tilla, si: Ç’kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare, gjatë 50 vjetëve të fundit të diktaturës? Si qe e mundur që sistemi arriti të deformonte gjithçka? Përse njerëzit e kishin pranuar atë? Cila qe logjika totalitare e transformimit të shoqërisë e individit? Si qenë konceptuar e funksiononin strukturat e mekanizmave totalitare: propaganda, policia sekrete dhe ushtrimi i ideologjisë së terrorit? Si ndodhi që ndër mbarë vendet komuniste të Lindjes europiane, Shqipëria të cilësohej përjashtim apo rast i veçantë? Pse Enver Hoxha i qëndroi verbërisht, fanatikisht e gjer në fund besnik Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg ku dhuna, frika e spastrimet vazhduan gjer në fund të viteve ’80-të? Pse vendi u izolua çmendurisht, duke i mbyllur njerëzit mes bunkerësh e telash me gjemba? Përse, pra, ndodhën gjithë fenomenet e mësipërme…?! Libri ‘Post-scriptum për diktaturën’, s’pretendon t’u japë përgjigje definitive pyetjeve të mësipërme, apo kompleksitetit të arsyeve që sollën e mbajtën në fuqi pushtetin totalitar në Shqipëri. As edhe të jetë një afresk i plotë, i thellë e i gjithanshëm i jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi. Autori i tij, ndofta, ka meritën që bashkë me shikimin retrospektiv të periudhës totalitare si dhe zellin e një analisti të pasionuar, është përpjekur të kthejë edhe një herë kokën mbrapa, për të dhenë jo vetëm kujtimet e opinionet e tij personale, por dhe për t’i u rikthyer dhe një herë vizionit të asaj epoke me filozofinë e thjeshtë të ruajtjes së Memories e mbështetjes së Apelit për të mos harruar kurrë maksimën e njohur, se…kadavrës vazhdojnë t’i rriten thonjtë e flokët edhe pas vdekjes! Dhjetë vjet e më shumë pas përmbysjes së madhe, libri në fjalë ka vlera aktuale e shpresojmë të vlerësohet nga lexuesi sepse, siç shprehet edhe një studiues shqiptar…e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik është i detyruar të jetë vazhdimisht neuropatik e të përsërisë përvojat e tij të dhembshme…!
Erdh pranvera, por unë nuk e besova…!
… Kolektivi i gazetarëve vlonjat, seancat e punimeve të fjalimit të botuar në një broshurë me shënimin ‘Tepër sekret’ i zhvillonte në repartin e lidhjes së librave, në shtypshkronjën “Pirro P.”. Në to, merrnin pjesë komunistë të shtypshkronjës, korrespondentë të shtypit qendror e redaktorë të gazetës lokale. Mes një atmosfere pothuajse mortore, sekretarja e organizatës lexonte pjesë nga ky fjalim, e pastaj, kërkonte me ngulm që secili prej nesh, të jepte jo vetëm mendime për çdo paragraf të tij, por edhe të analizonte veten e rrethin e tij familjar, për të gjetur e denoncuar shfaqjet e huaja.
Duhej të diskutonim të gjithë me radhë, me detyrim e pa përjashtim, pavarësisht në se kishin apo jo “lakra në kokë”.
Kisha ulur sytë mbi një fletë të bardhë e vizatoja arabeska. Prisja të më vinte radha për të analizuar veten para kolektivit. Të rrëfehesha për mëkatet. Si një mesazh funebër, në veshë, më vinte zëri i sekretares së Partisë, e cila, me ton solemn lexonte: “Muzika, radioja, xhazi, letërsia, danset, droga, prostitucioni janë rreziku më i madh për rininë tonë. Ne nuk do të lejojmë kurrë që ajo të bëhet si rinia e vendeve të degjeneruara kapitaliste e revizioniste. Të flejë nëpër rrugë apo parqe, djem e vajza bashkë, të mbajë flokë të gjatë si gratë, të vari kryqe në qafë, të shkojë nëpër kisha e klube pornografike, të ketë vetura apo dhe avionë personalë”.
Pastaj nisën diskutimet…! Një makiniste e shtypshkronjës sugjeroi se, meqenëse gazetarët bënin pjesë në shtresën e intelektualëve, ata ishin edhe më të predispozuar për të mbartur ndikime borgjezo-revizioniste. Prandaj, duhej që ata të jepnin llogari të parët, e bile gjer në një. Atmosfera u bë edhe më e zymtë e mbytëse. Me kokë ulur, dëgjoja i përhumbur zërin e kryeredaktorit të gazetës lokale, i cili theksonte se: ‘Midis nesh ka kolegë që ndjekin modën e huaj duke mbajtur flokë të gjatë’. Dukej qartë se bëhej aluzion për mua e Madun, (kështu thirrej shkurtimisht shoku im, Jamarbër Marko, i cili, mbas mbarimit të studimeve në Fakultetin e Gazetarisë në Tiranë, qe duke kryer stazhin një vjeçar në gazetën e Vlorës).
Hodha sytë nga Madu. Ai, shikonte i përhumbur, jashtë nga dritarja. Vazhdova me tej vizatimin e arabeskave, duke menduar: Si…? Si thosh Enver Hoxha? Të mos mbajmë flokë të gjata? Po ai… pse t’i mbajë?. Përballë meje, në mur, qëndronte varur një portret i madh i Karl Marksit. Me flokë të gjatë e mjekër të shprishur si komit. E çuditshme…! Përse, atij, themeluesit e atit shpirtëror të komunizmit, i lejohej të mbarte shfaqje të huaja, pra, mjekër e flokë të gjatë?! Pse, pra, ai, i Madhi, nuk guxonte ta sikteriste edhe atë…?! Ndërkohë, Komiteti i Partisë në rreth, kalonte ditë të ethshme pune. Në sektorin politik të Edukimit, i cili qe edhe shtabi i luftës kundër shfaqjeve të huaja, punohej me ritme stakanovistësh e, dritat e zyrave, fikeshin natën vonë. Aty lexoheshin, përpunoheshin e klasifikoheshin, raportet, komunikatat, njoftimet për dijeni si dhe letrat anonime të ardhura nga baza prej militantëve.
Aty, koordinoheshin planet e punës së përbashkët me organizatat e partisë, të frontit demokratik e Sigurimit të Shtetit. Aty, përpiloheshin listat e intelektualëve të dyshimtë, të cilët do të demaskoheshin publikisht në mbledhjet e kolektivave, e pastaj, natyrisht, do të merrnin edhe dënimin e merituar. Të atyre, që do të thirreshin për këshillim në zyrat e sekretarëve të Komitetit të Partisë, pa folur për ata më fat-keqët, emrat e të cilëve do t’i përcilleshin Sigurimit të Shtetit…!
Instruktori i sektorit politik, Janaq Syko, një burrë tepër shtatshkurtër e me zemër të zezë katran, përjetonte kohët e tij më të lumtura. I vockël në trup e në shpirt. Servil me eprorët e violent me vartësit. Sadist e terrorizues i mendimit të lirë. Tiran e hakmarrës ndaj intelektualëve të vërtetë e anti-konformistë, ai jetonte ditët e tij më të lodhshme, por njëkohësisht, edhe më të ëndërruara të karrierës. Më së fundi, lumturisht, atij i kish ardhur rasti i volitshëm e i shumëpritur, për të goditur egërsisht e pa mëshirë, këdo që prej kohësh kish venë në shënjestër. Viktimat e tij do të ishin të shumta. Ndër to, piktori Skënder Kamberi. i cili, në ekspozitat e fundit, kish paraqitur disa tablo që ishin cilësuar ideologjikisht të gabuara.
Poeti i ri Dionist Qirixidhi, që në një vjershë të botuar në Drita, e kish krahasuar veten me një fik deti. Një aktor, që kish venë në skenë dramën e një autori të huaj. Gazetari P.E., që vishej sipas modës e mbante favorite e flokë të gjatë. Kompozitori T.T., që merrte herë pas here pako prej kushërinjve të tij nga Franca. Inxhinieri M.F., i cili mbante korrespodencë të shpeshtë e shkëmbente pulla poste, me një filatelist nga Austria. Arsimtari S.L., që mësonte fshehurazi, gjuhë të huaja. Mjekja
H.S., që mbante funde të shkurtra e lyente qerpikët me rimel…!
Shumë të tillë, të molepsur nga virusi i ndikimeve të huaja borgjezo-revizioniste, u pushuan nga puna e u çuan për riedukim në fshat. Të tjerë, u transferuan në zona të thella apo qarkulluan për riedukim në gjirin e klasës punëtore ku u vunë nenë vëzhgimin dhe kontrollin e organizatave të partisë. Por, fat e fund vërtet tragjik patën ata, të cilët të denoncuar në Sigurim, u arrestuan e më pas, përfunduan burgjeve me dënime të renda. Pas kësaj, frika e pasiguria, paniku e dyshimi, pushtuan këdo. Njerëzit, nxitonin të zhvisheshin sa më shpejt nga çdo gjë që mund të quhej e veçantë e që, rrjedhimisht, mund të cilësohej shfaqje e huaj.
Në berberhane e qytetit, radhët për të shkurtuar flokët e tepërt, u bënë vazhdimisht e me të gjatë. Nuset e reja hoqën stolitë, varëset, byzylykët e unazat. Vajzat nxorën nga gardërobat fustanet e gjatë për të zëvendësuar me to fundet e shkurtra. Gratë bënin kujdes e evitonin të shkonin në punë të lyera me të kuq buzësh. Thjeshtësia proletare në veshje e paraqitjen e jashtme, ishin shpallur virtyti më i madh revolucionar i njeriut të ri…! Përkundrejt asaj situate plot ankth, si për t’u bërë sfidë persekutorëve të liberalizmit, dy njerëz guxonin të mbanin endé flokë të gjatë, favorite e veshje të modës. Njëri quhej L.A., e qe djali i një ish-profesori të njohur në pension, ndërsa tjetri ishte Tol francezi. Në qytet, flitej se L.A., vuante nga skizofrenia e herë pas here, shtrohej për kura në Spitalin Psikiatrik, apo në “çmendinë”, siç e quanin vlonjatët. Me moshë, aty rreth të tetëmbëdhjetave, i hollë e i gjatë, fytyrë të zbehtë prej asketi, vështrim të trishtuar e të përhumbur, L.A., ish ndofta i vetmi person në qytet, i cili as që donte t’i a dinte për fjalimin e Enverit, plenumin e IV-të dhe kërcënimet e operativëve të Sigurimit.
Ai personazh i spikatur, tërhiqte vëmendjen e gjithë botës, teksa shëtiste mospërfillës, nëpër bulevardin Vlorë-Skelë. Me xhaketat e tij shumëngjyrëshe, bel të ngushtë e jaka të gjëra alla-Elvis Presley. Me pantallonat si hinkë, flokë të gjatë mbi supe e favorite me majë, ai u ngjante kantautorëve ekstravagante që këndonin në koncertet e televizionit italian. ( S’di pse, po kisha përshtypjen se ai djalosh mistik me pamjen e tij të jashtme dhe veshjet e ndaluara shihej jo vetëm me kërshëri por dhe me një farë zilie, sidomos nga ca gjimnazistë, të cilët do të pranonin të quheshin qoftë edhe të luajtur nga mendja, thjesht nga dëshira për të veshur një herë të vetme xhaketat e tij me bel apo, për të mbajtur flokët e gjatë beat mbi supe…)
Personazhi tjetër origjinal për ndjekjen e modës, ishte Toli T, i njohur nga të gjithë me nofkën, Tol francezi. Historia e jetës së tij qe tepër e mjegullt. Ai qe shfaqur nëpër rrugët e Vlorës, aty nga mezi i viteve ’60-të duke u bërë tema qendrore e bisedave e duke merituar për shumë kohë, veçanërisht mes të rinjve, titullin e Njeriut të Ditës. I ardhur në rrethana misterioze, direkt nga Parisi, Ville lumiere i Francës, Toli qe gjendur papritmas, mes rrugicave të ngushta e kafeneve të zymta të qytetit provincial bregdetar. Me tipare të prera e shikim zhbirues si të aktorit të kinemasë Alain Delon, kapelë tip borsalino, kostum të zi pas trupit, dorashka lëkure e këpucë llustrafinë, ai kalonte ditët duke pirë cigare Gauloise, ulur në stolat e lulishtes së qytetit, pranë varrit të mermertë të Ismail Qemalit.
Por shpejt, me të mbaruar paratë që kish sjellë nga Franca, Toli mbeti pa një dyshkë e shiti me radhë këmishët, xhaketat, pantallonat e këpucët lustrafinë. Pas kësaj, ai filloi të vishej me rroba shqiptare, gjë e cila ia zbehu plotësisht sharmin e njeriut që kish ardhur nga jashtë. Historia e më vonshme e jetës së Tol francezit qe shumë e dhimbshme. I braktisur, i përbuzur, i uritur e pa sensin minimal të përshtatjes me shoqërinë socialiste, ai degradoi e jetonte me lëmoshë. Pa shtëpi, pa strehë e përkrahje, ai flinte ku ta zinte nata. Në baraka, haure e shtëpi të braktisura gjer sa, më në fund, gjeti prehje e u sistemua në bunkerët e Plazhit të Vjetër. Ndërkohë, edhe pse qysh kur pat ardhur për herë të parë në Vlorë, kish qenë vazhdimisht nenë vëzhgimin e Sigurimit të Shtetit, më vonë ai qe lenë i lirë, me motivacionin “psikopat e me të meta mendore…”!
‘SYRI I KALTËR’ I PARTISË
… Kur sjell ndër mend Tiranën e viteve të mia studenteske, ndër të tjera më shfaqet para sysh edhe ajo rrugë e qetë e plot gjelbërim, e cila niste nga Liceu Artistik “Jordan Misja” e vazhdonte gjer tek Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Me vila të qeta e të pastra, me një varg pemësh të larta, kurorat e të cilave bashkoheshin duke formuar një tunel të gjelbër, ajo frekuentohej sidomos mbrëmjeve nga çifte të rinjsh, gjimnazistë e studentë të dashuruar. Rruga, vilat, bordurat, kangjellat e hekurta, trotuaret e asfalti bëheshin dhe më tërheqës, sidomos në vjeshtë. Atëherë kur, mbi gjithçka, mbizotëronte ngjyra e bakërt e gjetheve të zverdhura, të cilat binin pa pushim e lehtë-lehtë duke mbuluar çdo gjë përreth…!
Ish vërtet një rrugë e bukur dhe tepër e veçantë, e ngjashme me një tjetër në Tiranë që mbante emrin “Marsel Kashen” e që, Ismail Kadare, i kish kushtuar një poezi të frymëzuar. Shpesh herë, kur delja nga Fakulteti i Filologjisë, kisha kënaqësinë të shkoja në qendër të qytetit, jo si zakonisht nga “Rruga e Elbasanit”, por duke kaluar nëpërmjet saj, përbri Liceut Artistik. Këtë e bëja për të vetmen arsye, sepse, sa herë që ecja mbi trotuare, përveç një sentimenti të çuditshëm poetik, ndjeja brenda vetes edhe diçka tjetër të papërcaktueshme. Diçka që më shtynte të mendoja se, ajo rrugë ish krejt ndryshe nga të tjerat. Jo vetëm, një pjesëz e pa ngacmuar e Tiranës së para çlirimit, me vilat e ish-ministrave të Monarkisë së dikurshme, por edhe një parcelë e cila të inspironte ide e mendime të tjera.
Them kështu, sepse, aty nga fundi i asaj rruge ndodhej edhe godina e re e moderne e Radio-Tiranës. E, pak më tej e ngjitur me të, ajo e Televizionit të ardhshëm Shqiptar i cili qe në përfundim e sipër. Them e Televizionit të ardhshëm, sepse ai endé nuk kish filluar nga puna, ndërkohë që njerëzit ishin tepër kureshtarë e të paduruar të dinin se si, qysh e kur do të nisnin transmetimet e tij të para. (Qenë vitet kur, fjala e magjishme televizion, sapo kish nisur të bëhej e njohur e mjaft seduktuese sidomos në radhët e të rinjve e studentëve. Ata, me të drejtë mrekulloheshin dhe e quanin ngjarje të shënuar, rastin e rrallë e të lakmuar kur ndodhte që, në shtëpinë e dikujt të shihnin për herë të parë në jetën e tyre një imazh televiziv).
Ndërkohë, për të përftuar shprehitë e para tekniko-profesionale si edhe për t’u përgatitur për çeljen e televizionit të ri, aty nga fundi i vitit 1968-të, një grup teknikësh e krijuesish nisën nga transmetimet e para eksperimentale. Natyrisht, qysh me fillimin e provave, fjala kish dalë se në Tiranë, dy-tre herë në javë transmetoheshin nga dy orë program televiziv. Por, ata që mund t’i ndiqnin ato, qenë shumë të pakët. Në kryeqytet, aparatet marrës televizivë ishin aq të rrallë sa që antenat mbi çati numëroheshin me gisht e shiheshin me kureshtje, si shpikja më e fundit e shkencës. Sepse atë privilegj e gëzonin vetëm udhëheqja e lartë, ambasadorët, ministrat, diplomatët si edhe ata pak zyrtarë që kishin kontakte me botën e jashtme…!
Një ditë dhjetori, Andon D. student i vitit të fundit në Gjuhë-Letërsi i cili bënte stazhin në Radio-Tirana, më bëri një ftesë e cila, të them të drejtën, më rrëqethi thellë nga emocioni.
“A dëshiron të vish sonte në studion eksperimentale të televizionit? Do të regjistrojmë një emision për filmin e ri kushtuar heroit Adem Reka. Kemi ftuar disa punëtorë nga uzina e porcelanit, krijues letrarë, kineastë… por na duhen edhe dy – tre studentë. Si thua? Do vish…“? – më propozoi ai me delikatesë. Natyrisht që do të shkoja, madje me shumë kënaqësi! As që bëhej fjalë të thosha jo. Përkundrazi. Të kisha shansin të merrja pjesë në një emision televiziv, ajo ishte me të vërtetë një mrekulli…! Po atë mbas dite, siç edhe e lamë, u paraqita në vendin dhe orën e caktuar. Studioja eksperimentale televizive ndodhej në godinën e Radio-Tiranës, në të djathtë të hyrjes së katit të parë, përbri bufe-së e cila u shërbente reporterëve, gazetarëve, teknikëve, gjithë personelit në përgjithësi. Andoni më priste në holl. Regjistrova emrin te polici i shërbimit, dorëzova pasaportën e pastaj u futëm në studio. Nuk di pse, por kur hyra brenda saj, vetja m’u duk sikur ndodhesha në një kabinet radiologjie.
E vogël, e errët, me perde të trasha ngjyrë vishnje, kabllo të shtrira andej-këndej mbi dysheme e me ca pode druri të mëdha gri, pamja e saj në fillim më habiti e pastaj më zhgënjeu krejtësisht. Përfytyroja e isha përgatitur të shihja diçka krejt tjetër. Natyrisht, jo studiot e mëdha e plot dritë të televizionit italian, të cilat kisha pasur fatin t’i shihja disa herë, në shtëpinë e Luljeta K. një shoqe e kursit, vajzë ambasadori. Por, të paktën, diçka më moderne, më të bukur e më mbresëlënëse se sa ajo pamje që kisha para sysh. Nejse. Të ftuarit kishin ardhur e regjistrimi i emisionit për pak do fillonte. U ndezën projektorët e varur në tavanin e ulët. U lëvizën dhe u pozicionuan në vendet e duhura dy kamerat e vetme. U dhanë porositë e fundit nga regjisori e, pastaj, Andon D. i cili drejtonte emisionin, nisi nga pyetjet për përmbajtjen, personazhet e përshtypjet rreth filmit. Ky, pra, qe edhe kontakti im i parë me botën e televizionit. Kontakt, i ndodhur pikërisht në atë sallë të vogël, e cila do të qe edhe studioja e parë e televizionit shqiptar…!
Për ata njerëz që dinin qoftë edhe pak se ç’do të thosh ngritja e një televizioni, (kostoja e aparaturave, e realizimit të programeve, përgatitja profesionale, shpenzimet, mungesa e shumë probleme të tjera), qe diçka krejt e pabesueshme. Ish njëlloj sikur, bie fjala, të vendosej që në Tiranë të ndërtohej një metro. Vërtet, përreth vendit, stacione televizive kishin ngritur prej vitesh Italia, Jugosllavia e Greqia, por ato ishin shtete të pasur e me ekonomi të zhvilluar. Ndërsa Shqipëria e mbante frymën me ndihmat e kreditë e Kinës. Atëherë, si do të bëhej e mundur ngritja dhe mbajtja e një televizioni, tek ne…?!
Me sa dukej, Partia, mbas mëdyshjesh të shumta, kish vendosur që Televizioni Shqiptar të bëhej. (Megalomania dhe realizimi i nismave gjigante, jashtë mundësive reale të një populli, janë ndër tiparet kryesore të ideologjive totalitare). Sipas disa zërave, vendimi qe marrë në një mbledhje të posaçme të Byrosë Politike, mbi bazën e një studimi të bërë nga qeveria. Ndërkohë, për financimin e tij, ishin marrë garancitë e duhura nga bisedimet me një delegacion qeveritar kinez. (Pala kineze, e cila aso kohe, e shihte Shqipërinë edhe si tromplin të propagandës së saj në Europë, kish siguruar se do merrte përsipër financimin e plotë si edhe sigurimin e pajisjeve dhe aparaturave të nevojshme). Gjithsesi, një televizion, me gjithë kreditë dhe financimin e blerjes së pajisjeve teknike jashtë vendit, ishte një investim marramendës. Tepër i kushtueshëm dhe i parakohshëm për Shqipërinë e prapambetur. Për një popull të varfër, i cili nuk arrinte të siguronte dot as bukën e gojës. Që, kish vdekshmërinë më të lartë të foshnjave në Europë e, që vuante për plotësimin e nevojave më elementare të jetesës minimale.
Por, vendimi për ngritjen e televizionit, pavarësisht nga kostoja tepër e lartë, nga udhëheqja ish konsideruar si një domosdoshmëri e kohës. Si mjet modern dhe efikas për intensifikimin e mëtejshëm të propagandës së Partisë. Ai, thuhej se do të plotësonte me një rendiment të hatashëm, punën e mijëra e mijëra instruktorëve, lektorëve, të deleguarve, mbledhjeve, konferencave, udhëzimeve e qarkoreve që shpërndaheshin çdo ditë anë e mbanë vendit. Ai, do të ish një mjet i fuqishëm magjik, figura dhe fjala e të cilit do t’i çonin mesazhet e Partisë në çdo shtëpi, vatër e kënd të shoqërisë shqiptare. E, mbi të gjitha, thellë në qelizat e trurit të çdo individi. Televizioni, pra, do të ish një armë tepër efikase. I drejtuar dhe i kontrolluar rreptësisht nga Partia, ai, në mënyrë sistematike e të studiuar, do të punonte për arritjen e qëllimit final:
Krijimin e një shoqërie absurde, hipnotizimin e mbarë një populli. Kthimin e tij në një turmë amorfe e të bindur somnambulësh. Por, shtysa për një vendim të tillë qe marrë edhe për një arsye tjetër. Brenda pak vitesh, në Shqipëri, prezenca e valëve të televizioneve të huaja qe bërë një realitet i rrezikshëm. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016