(Shënime mbi librin “Valët dhe malet” të Sazan Golikut)
Memorie.al/ Pandeli Koçi, me emrin letrar Sazan Goliku, është një profil i njohur në peizazhin letrar shqiptar që nga vitet ’70 të shekullit që shkoi. Redaktor i poezisë në ndërmarrjen botuese “Naim Frashëri”, përzgjedhësi i parë i kolanës së gjerë të poezisë me autorë nga Kosova, kolanë që ishte një nga befasitë më të mëdha kulturore në vitet ’80, poet, prozator, kritik letrar, autor prodhimtar i letërsisë për fëmijë, ai ende vazhdon të jetë aktiv në jetën e sotme letrare të kryeqytetit.
Emocioni të mbërthen kur, së fundi, po lexojmë prej tij librin “Valët dhe malet” , botim i Emal, Tiranë 2021. Është një libër me poezi të zgjedhura, libri i jetës së tij si poet, zgjedhja më përfaqësuese e librave të tij me poezi, një botim që përkon edhe me përvjetorin e tetëdhjetë të autorit.
Punë e mirë kjo kur një shkrimtar ia arrin ditës t’i mbledhë në një libër pemët më të larta të mendjes së tij, ato më të fortat dhe më të pjekurat, lulet më të arrira të kopështit tij. Libri kësisoj përbën një monument letrar të ngritur sërë-sërë, të selitur dhe të lartuar vit pas vit nga duart e atij që e shkroi. Dhe ja, na e solli!
Sipas Umberto Ecos, leximi i një libri na zgjat jetën, na bën pjesë të pavdekësisë. Libri nëpërmjet retrospektivës na zhyt në histori, në kujtesë.
Për mua leximi i librit të një miku, të një kolegu përbën një kënaqësi të shumëfishtë. Bashkë me librin lexojmë jetën e autorit. Lexojmë cili ka qenë ai, cili është sot. Po njëherësh lexojmë dhe veten, jetët tona, kohën tonë të shkuar, të distiluar në vargje, në ritme, në rima, kohë e përthyer poetikisht, mbase kronikë shpirtërore e një brezi që e filluan jetën krijuese në vitet 70 të shekullit që shkoi.
Poezia e librit vjen si refleks i ngjarjeve shoqërore e personale të një kohe prej më se gjysmëshekullore. Si gjithmonë në poezi fshihen, mjegullohen pamjet konkrete të kohëve, por jo fryma: në vargje vjen e troket koha , zëri i avullt, jehona e pa vdekur e atyre stinëve, e ngjarjeve, e viteve. Kaq e vërtet është kjo lidhje e tërthortë me kohën, sa kur po lexoja librin, i bëra një sms Pandeli Koçit. E pyesja për dikë që dikur ishte pjesë e jetës së tij : ku ndodhet ai njeri, rron apo nuk rron, si është?
Kjo që libri më kujton ngjarje, vende, njerëz të gjallë e jo të gjallë, më shtyn të mendoj se lënda e këtij libri është e ngritur mbi një biografi. Mbi jetë të jetuara. Mbi dëshmi. Kur e lexojmë, pjesë të fshehura apo të harruara të jetës sonë të shkuar papritmas zgjohen poshtë shkronjave, fjalëve, vargjeve… hireve, hijeve apo detajeve të prekshme të një situate tashmë poetike.
Por do të gabonim po të mendonim se libri “Valët dhe malet” është i çmuar vetëm për rrethin e miqve të autorit. Vlerat estetike të dëshmuara, aq sa janë, ardhur në poezitë më të arrira të librit, janë si një grusht me drithë që Sazan Goliku ia sjell poezisë nga arat, nga rrënjët e tij. Veç këtyre arritjeve cilësore, në tërësinë e vet libri mbart dhe lëndë letrare të pasur që e bëjnë atë me vlera historiko-kulturore.
Libri është përzgjedhur, strukturuar dhe pajisur me parathënie nga sociologu, poeti Zyhdi Dervishi. Ndarja në cikle poetike sipas tematikës, thyerja e tyre nëpërmjet futjes së herëpashershme të tercinave i japin unicitetit të librit hapësirën, rrjedhën dhe thellësinë. Për mendimin tim do të ishte me vend që në këtë libër të përfshiheshin dhe disa nga prozat poetike më në shenjë të autorit. Ato proza që janë në nivelin, në shijen autentike dhe në diversitetin e pasur të poezisë së këtij libri. Shumë nga të quajturat “rrëfenja”, proza të shkurtra, të autorit Sazan Goliku vijnë deri te nivelevet më të mira poetike .
Dikur në rini Pandeli Koçi më ka lexuar një poezi të cilën nuk e botoi kurrë. Nga ajo poezi më ka mbetur në mendje kjo strofë: “Erdh ajo nga Gjermania/ vajzë bjonde sybojëqielli/ m’i ngatërroi ëndrrat e mia / vajzë bjonde sybojëqielli”.
Ishin vitet 70. Për të majtën ndërkombëtare të atëhershme deheroizmi, pacifizmi ishin ide të modës. Parrullat e tyre ishin: Ta harrojmë luftën. T’i kthejmë shpatat në plugje. Vajza gjermane e kësaj poezie, bijë e një ushtari dikur nazist dashurohet me shqiptarin që atin ia kishin vrarë nazistët. Të duhemi thoshte gjermania, bjondina me sybojëqielli, jo ati im, “atin tënd ta vrau Hitleri”. Këto ide në Shqipëri të çonin në thikë e në pikë. Rrezik t’i shqiptoje, jo më t’i shkruaje.
Jo për fabulën, as për idetë, këtë kujtim e sjell për asektin formal, për atë sesi duhet të shkruhej poezia. Në vitet ’60 në mendimin letrar shqiptar kishte një diskutim: të zgjedhim vargun e lirë, apo vargëzimin klasik, si duhet të shkruhej poezia?
Në poezinë më sipër theksi vihej te muzikaliteti, te kadencat, rimat, ritmet, përsëritjet, pra, te poezia nga jashtë e bukur, poezia e formës së bukur, e fjalës së bukur.
Si e shkroi poezinë Sazan Goliku?
Në këtë libër ai ka dëshmuar profesionalizëm në zotërimin e shumëllojshëm të teknikave poetike, qofshin ato klasike apo moderne. Në libër gjen larmi të strofave, të rimave, të poetikave. Poeti i njeh mjetet për organizimin gjuhësor të poezisë në përputhje me zhanrin, me temën.
Libri gjithashtu dëshmon se përmbi zgjedhjet formale estetizante dhe përtej tyre, arritjet më të mira të penës së Sazan Golikut janë në poezinë e vargut të lirë.
Sazan Goliku shpesh ia arrin që ta mobilizojë gjuhën shqipe, mjetet, thesaret fine e të zgjedhura të saj, në mprehtësitë dhe në tendosjet më të fundme. Kjo është vërtet punë poeti. Kjo veçori vërehet në arritjet e tij më të mira poetike, edhe në epigramet/ tercinat e tij, që sot i quajnë hajke. Hajku është poezi e mistikës budiste, poezi larg nga ndjeshmëria e akullt, e ngjethët e modernizmit të shekullit të njëzetë. Epigramet e Sazan Golikut priren nga ironia, nga skepticizmi sarkastik, nga densiteti gjuhësor, sintetizimi, nga mençuria e qëruar, me ndriçimin therës të çelikut të bisturisë kirurgjikale. Këto poezi trivargëshe mua nuk më çojnë në Japoninë e samurajve, por në terrenet e epigrameve cinike volteriane, apo te epigrami i klasicizmit helenik.
Poezi që përbëjnë disa nga kulmet e këtij botimi.
Pra, Sazan Goliku më së shumti dhe me më sukses ka zgjedhur të shprehet me gjuhën e ashpër, jo me atë jashtësisht, formalisht të bukur. Dhe pse ai i njeh, i ushtron të dy teknikat poetike në këtë libër.
Libri hapet më një cikël mbi kundërthëniet brenda njeriut. Sazan Goliku në bindje është progresist, skeptik, afetar, por në tekste vërehet një gjuhë disi mistike, një fjalor poetik me fjalët lutje, psalme, mallkim, urim, shpirt…. Në ndonjë rast, “Ankthi”, poezia mbart një koncepsion biblik të tipit pluhuri është fundi i gjithë epsheve, lakmive, tepërimeve materialiste…
Por njeriu i ftohtë, skeptiku Sazan Goliku, ai që u druhet sentimenteve, na vjen dhe me një cikël të “Brishtësive intime”, ku u referohet dhe me emra konkretë familjarëve të vet. Veçohen si të arrira nga ky cikël poezia për nënën, për Liljanën.
Më tej vijnë poezi për personalitete historike, vijnë dhe portrete të shkrimtarëve të shquar si ato për Naimin, Fishtën, Nolin, Ali Asllanin, Kadarenë, apo portrete të Ali Tepelenës, të Adem Jasharit etj poezi që dëshmojnë angazhimet kulturore apo atdhetare të tij.
Libri mbyllet me një cikël për shekullin XXI. Janë poezi mbi dilemat e përhershme të pazgjidhshme para njeriut, mbi pyetjet për dramacitetin e rrethanave të panjohura që na përballen, pikëpyetjet e përhershme, por jo edhe zgjidhjet, pyetjet që i shtron për shqyrtim para lexuesit sot e mot e përherë letërsia, poezia.
Më në fund, nga ky libër mësojmë se poezia është biografi, mbartje e jetës në gjuhë, është rrahje e mendimit në njohjen/mosnjohjen e vetes dhe të botës, rrahje e mendimit në ndeshjen me pyetjet e mëdha në detin e jetës dhe të qenies. Kuptojmë që poezia është përkushtim i ngulët, punë e përsëritur e pandërprerë në ditë, në muaj, në mote. Poezia është mjeshtëri, zotërim i mjeteve shprehëse të lashta dhe të reja, organizim dhe mobilizim i gjuhës në emër të mesazheve dhe në gjurmimin dhe në kërkimin e përhershëm të formës poetike.
Poezi mbi valët, mbi malet…