Dr. Enriketa Pandelejmoni (Papa)
Pjesa e tretë
-Gjergj Kokoshi dhe kontributi i tij politik, në një atmosferë atipike politike në Shqipërinë e pasluftës-
Memorie.al / Në këtë punim, do të trajtohet figura e Gjergj Kokoshit, në kuadër të kontributit të tij politik, në vitin e parë të pas Luftës së Dytë Botërore, duke u bazuar në burime kryesisht arkivore, nga Arkivi Qendror i Shtetit dhe nga Arkivi i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit. Synimi është realizimi i një studimi, duke u bazuar në burimet arkivore dhe në analizën diskursive në hedhjen dritë mbi një nga figurat më interesante dhe më pak të zbardhura në vitin e parë të konsolidimit të pushtetit nga Partia Komuniste, siç është Gjergj Kokoshi.
Ka rëndësi këtu të përmendet që ca muaj më parë në Durrës disa njerëz i bënë qeverisë një telegram, me anën e të cilit kërkonin mëshirë, për ca persona që u dënuan me vdekje nga gjyqi lokal. Për këtë ata u arrestuan menjëherë, u nxorën në gjyq dhe u dënuan me burgim, pasi me qëndrimin e tyre, kishin shkuar kundër vendimit gjyqësor, i cili konsiderohet si shprehje më e lartë e vullnetit të popullit! Aktiviteti i Mbrojtjes së Popullit dhe mënyra me të cilën u zhvillua drejtësia, kanë krijuar një atmosferë frike dhe terrori, në të gjithë vendin. Natyrisht, kjo gjë e ka shtuar më tepër numrin e të pakënaqurve, por frika dhe vetëm frika, i ka ndaluar ata të organizohen në një opozitë.
Po të mos dish këtë gjë të nëndheshme, është e pamundur të marrësh vesh, pse populli do të shkojë në votime më 2 dhjetor, si mund të bëhej ndryshe, kurse Shqipëria ndodhej për 13 muaj, nën diktaturën më të tmerrshme, që ka parë historia e saj. Shko në katunde dhe bisedo me popullin fshehtësish dhe atëherë do të konstatosh, se një presion është ushtruar në favor të listës unike. të Frontit Nacionalçlirimtar.
(h). Shqipëria nuk ka pasur kurrë një ushtri kaq të madhe sa kjo e tanishmja; numri i saj është dyfishuar qysh prej çlirimit të vendit dhe tani përbëhet prej rreth 60.000. Mbajtja e një ushtrie kaq të madhe, i kushtohet kryesisht faktit se autoritetet kanë frikë, që numri i vazhduar i të pakënaqurve, mund të përbëjë rrezik për regjimin. Kjo masë politike, ka pasur një efekt katastrofal, jo vetëm për financat tona, që përmbledhin më tepër së gjysmën e buxhetit për ushtrinë, po gjithashtu edhe për bujqësinë dhe blegtorinë, në të cilat ndihet seriozisht mungesa e krahut të punës.
(i) Në administratat tona gjenden gati katër herë më shumë funksionarë se përpara. Kjo i përgjigjet faktit se qeveria mund t’iu gjejë punë të gjithë punonjësve besnikë pa marrë parasysh kapacitetin e tyre. Me gjithë atë, për të pasur një administratë të kënaqshme, ata janë të detyruar të mbajnë disa nga teknikët më të mirë dhe, në fakt, janë këta që bëjnë gjithë punën. Por kjo situatë ka krijuar njëfarë kaosi dhe, për këtë, kjo është arsyeja që nëpër krahina punët zgjaten tepër.
(j). Ligji i bujqësisë, është nga reformat më me rëndësi, për të cilën regjimi fryhet së lëvduari. Kjo është bërë dhe aplikuar në mënyrë ekstreme: 1. Toka, që u është lënë pronarëve të mëparshëm (15 hektarë), është e pamjaftueshme t’u sigurojë atyre jetën, megjithëse kanë mjaft tokë për të gjithë. 2. Ligji bujqësor, kështu siç ekziston, është vetëm e vetëm një konfiskim, pasi e tërë toka është shpronësuar, duke mos u shpërblyer aspak.
(k). Qeveria e ka humbur besimin e tregtarëve për shkak të masave që kanë ndër degët e ndryshme të aktivitetit ekonomik. Iniciativa private është zhdukur pothuajse krejtësisht.
(I) Për sa i përket politikës së jashtme, qeveria e tanishme i qëndron besnike aksit Beograd-Moskë. Parulla “Enver-Tito” është bërë e zakonshme.
- Kush jemi ne?
Është nevoja të theksojmë, që ne nuk jemi armiqtë e komunizmit. Edhe sikur të mos ekzistonte komunizmi, do të qe e dobishme ta krijonim, si një fuqi shtytëse drejt përparimit social. Por, nga ana tjetër, ne jemi kundërshtarët e tij politikë, derisa ai shkel liritë politike dhe ngre një qeveri despotike, në vend të asaj demokratike.
- A është e mundur demokracia në Shqipëri?
Është e parakohshme të flitet në Shqipëri, për një demokraci të tipit perëndimor. Po, nga ana tjetër, kjo nuk do të thotë se është nevoja, për një qeveri totalitare në vendin tonë. Ne besojmë se një demokraci relative, me të paktën 2 parti, është plotësisht e mundshme në Shqipëri. Kjo gjë, do t’i jepte rast shumicës së popullit, të cilët nuk janë komunistë, të bashkohen me një organizatë, me anën e së cilës të jenë në gjendje, të shprehin idetë politike.
- Cili është programi ynë?
(a). Politika e brendshme
Vendosja e menjëhershme e lirisë së plotë politike. Liri e fesë, liri e shtypit, liri e personave dhe mbrojtja përpara ligjit dhe përpara gjyqit, me gjykatës të zgjedhur.
(b). Politika e jashtme
Pjesëmarrja në të gjitha kombet e bashkuara, në themelimin e një rregulli internacionalist, të bazuar mbi principin e sigurimit kolektiv. Mbajtja e marrëdhënieve miqësore, me të gjithë aleatët tanë të mëdhenj dhe me të gjithë fqinjët tanë. Ne do të përpiqemi me të gjitha forcat tona, për të dhënë kontributin tonë për një të ardhme paqësore dhe më të mirë në Ballkan dhe të sigurojmë integritetin tonë tokësor, konform shpirtit dhe Kartës së Atlantikut.
(c). Politika sociale
Përmirësimi material dhe moral, i kushteve të jetës së klasës punëtore. Pjesëmarrja e plotë e punëtorëve dhe e fshatarëve, në jetën politike. Lënia e lirë e organizatave të punëtorëve dhe pjesëmarrja e tyre, në vendosjen e kushteve të punës. Demokratizimi i institucioneve. Rivendosja e identitetit familjar.
(d). Politika ekonomike
Respektimi i plotë i pasurive private, brenda kufijve të funksioneve shoqërore. Kontrolli i shtetit mbi industritë vitale dhe inkurajimi i iniciativës dhe i ndërmarrjeve private.
(e) Reforma agrare
Ngritja e shtëpive moderne për fshatarësinë dhe krijimi i kooperativave bujqësore.
- Dëshira jonë e zjarrtë
Duke konsideruar që misioni juaj në Shqipëri është i shenjtë, pasi e keni për detyrë t’i thoni botës, situatën e vërtetë të vendit tonë, shpresojmë se do të konstatoni që në situatën e tanishme, të flasësh për zgjedhje të lira, do të thotë të errësosh të vërtetën. Me këtë frymë, ne shpresojmë që ju do të bëheni interpret, jo vetëm i opozitës, por pothuaj i dëshirës së gjithë kombit, për shtyrjen e zgjedhjeve, në mënyrë që t’i jepet rast popullit, të shprehë lirisht vullnetin e tij dhe në këtë mënyrë të ngrejë një qeveri demokratike përfaqësuese.
Do të shihni një numër të madh realizimesh, që do t’ju tregohen për llogari të qeverisë të tanishme. Ne nuk e vëmë në dyshim vullnetin e mirë të qeverisë, por, në të njëjtën kohë, e quajmë të nevojshme të nënvizojmë, që shumica e këtyre realizimeve, kanë ekzistuar përpara nëntorit të 1944-ës. Për sa u përket urave dhe punimeve të tjera të këtij lloji, çdo shqiptar e di mirë, që këto janë ndërtuar prej shoqërive italiane, nën mbikëqyrjen shqiptare, me materiale të sjella nga Italia”.
Përveç memorandumit, në takimet e bëra nga grupet e “Bashkimit Demokratik”, secili paraqiti programet respektive. Musine Kokalari u paraqiti atë të ‘Social-demokratëve’, të cilët përfaqësonte dhe Sami Çeribari, atë të ‘Grupit të Rezistencës’ ku, ndër të tjera, kishte si qëllim të krijonte lidhje me të arratisurit politikë jashtë Shqipërisë, me njerëzit brenda, për të organizuar një kryengritje kundër regjimit komunist.
Si kryetar i këtij grupi, hartoi një thirrje për të arratisurit jashtë dhe ato nëpër qytetet kryesore, ku u bënte me dije formimin e ‘Komitetit Nacional’ që ftonte të gjithë kundërshtarët e regjimit, t’i bashkoheshin në përpjekjen e tyre. Madje, Sami Çeribari i bëri me dije grupit, se ishte menduar që para zgjedhjeve, më datë 28 nëntor, me rastin e Festës së Pavarësisë, të organizohej edhe një demonstratë dhe të kërkohej shtyrja e zgjedhjeve. Prandaj dhe ishte përgatitur, edhe një thirrje për popullin:
28 nëntor 1945
Vllazër shqiptarë!
Sot në këtë ditë të shenjtë, ka ardh koha që të gjithë të bashkohemi dhe t’iu heqim maskën armiqve të kombit, që na kanë pushtue votrat tona dhe po na çojnë në greminë.
Partia Komuniste, që është sot në fuqi me terror, siç e dini të gjithë, nuk është gjë tjetër, përveç nji vegël e verbër e Imperializmit sllav. Kjo parti, që mbretëron sot në Shqipëri, sikundër e shiti Kosovën, ka me ja dorëzue Titos, shumë shpejt dhe krejt Shqipnin.
Na përket ne popullit dhe patriotëve të vërtetë, që e dashurojnë këtë vend me sinqeritet të duhur, që ta shpëtojmë Atdheun nga kjo fatkeqësi e madhe, që ka qenë sot.
Me qenë se këtu po trumbetohet se gjoja ka shumë liri, fjalë propagande, ju njoftojmë që të gjithë së bashku, të drejtohemi në misionet Aleate dhe të kërkojmë prej tyre ndërhymjen, për shtyrjen e zgjedhjeve, për me i tregue botës mbarë, se këtu ka një Opozitë të fortë, që është në gjendje të përmbledhë rreth saj shumicën dërmuese të popullit shqiptar dhe ka formue për këtë qëllim; Koalicionin e partive me tendenca demokratike (‘Partia Monarkiste’, ‘Social-Demokrate’ dhe ajo e ‘Rezistencës’).
Demonstrata nuk u mbajt prej frikës së survejimit dhe u hodhën vetëm trakte kundër pushtetit. Të gjitha iu dërguan misioneve britanike dhe amerikane, por asnjë prej tyre nuk ndërhyri pranë qeverisë shqiptare, për të shtyrë zgjedhjet. Zhgënjimi dhe hidhërimi i mosndërhyrjes së tyre, duket edhe në fjalët e Musine Kokalarit, rrëfyer në fshehtësi tek i nipi i saj, më 1972, kur shprehet: “Aleatët nuk i ndërhynë qeverisë dhe heshtën mbi një çështje e cila, logjikisht, rezultoi më pas si e pashmangshme, për dënimin e firmosësve. Një nga një firmëtarët u arrestuan, me akuzën për rrëzim të qeverisë. Pasojat për të gjithë këta njerëz, janë thjeshtësisht të imagjinueshme”.
Heshtja e përfaqësuesve britanikë dhe amerikanë, të cilët tashmë ishin në dijeni të ekzistencës së opozitës dhe përpjekjes për të dalë në zgjedhje, ishte fatale për “Bashkimin Demokratik”, që ndërkohë ishte edhe i survejuar nga strukturat e Seksionit të Mbrojtjes Popullore (Sigurimi Shtetit), i cili kishte katër informatorë dhe bashkëpunëtorë, brenda opozitës. Goditja ishte e afërt. Që në dhjetëditëshin e parë të vitit 1946, filluan arrestimet e para (10-23 janar). Fillimisht u arrestuan; Sami Çeribari, Qenan Dibra, Gjergj Kokoshi, Musine Kokalari dhe Shaban Balla, që ishin drejtuesit kryesorë, si dhe pjesëtarë të tjerë, gjithsej 37 persona.
Gjyqi ndaj 37 anëtarëve të “Bashkimit Demokrat” filloi në Tiranë më 17 qershor 1946. në Kinema “Nacional” (më pas Kinema “17 Nëntori”), në prani të një populli “të zgjedhur” dhe gazetarëve vendas. Gjyqi që zgjati 15 ditë, u transmetua edhe në Radio-Tirana, si formë presioni dhe si një mjet propagandistik i pushtetit popullor, që ta dëgjonin njerëzit në çdo skaj të Shqipërisë. Grupi u gjykua nga Gjykata e Lartë Ushtarake, e kryesuar nga major Frederik Nosi, Kapitenët e Parë; Veledin Zeneli e Nexhat Hyseni, ndërsa akuza u mbrojt nga prokurori ushtarak, Kapiteni i Parë, Nevzat Haznedari.
Të gjithë akuzoheshin se; ishin mbledhur disa herë me qëllim që, në bashkëpunim me kriminelët e luftës të arratisur brenda e jashtë vendit dhe me reaksionin e jashtëm, të aktivizoheshin për të rrëzuar me dhunë pushtetin popullor, për të shkaktuar një ndërhyrje të imperialistëve të jashtëm, që për pasojë të kishte një vetëvrasje, do të bënin atentate kundër udhëheqësve të pushtetit popullor dhe ishin të lidhur ngushtë edhe me reaksionin e grupit të Klerit Katolik, “Bashkimi Shqiptar”.
Të lidhur me gjithë këto grupe e individë reaksionarë, këto rrethe kundërshtare, në fillim me propagandën kundër masave të gjera dhe reformave shoqërore, filluan të veprojnë në grupe të vogla klandestine, për të krijuar më vonë komitete e nën-komitete, të cilat u lidhën dhe bashkërisht me grupet fashiste terroriste të Shkodrës, formuan një komitet qendror të përkohshëm, të ashtuquajtur; “Komiteti Nacional”.
Programi i tyre kryesisht synonte të rrëzonte pushtetin popullor, me violencë dhe me terror, përmes atentateve, aksioneve të ndryshme me kriminelët e arratisur, goditje deposh ushtarake dhe grabitje armësh e municionesh, sulme me armë nga kriminelët e arratisur jashtë.
Në aktakuzën e prokurorit të çështjes, kundër Kokoshit, Nevzat Haznedari e akuzonte atë që, “në bashkëpunim me Suat Asllanin, Qenan Dibrën, Sami Çeribarin dhe elementë të tjerë të ‘Ballit’, ‘Legalitetit’ e të tjerë, kishte udhëzuar dhe frymëzuar në mënyrën e veprimit, për të tërhequr sa më shumë elementë dhe iu kishte treguar mënyrën e organizimit të grupeve, për t’u lidhur me njëri-tjetrin, si grupin e ‘Rezistencës’, ‘Monarkistëve’ e të tjerë, të lidheshin edhe me të arratisurit, të ashtuquajtur kriminelë të luftës, brenda e jashtë Shqipërisë. I kishte mësuar të përpilonin nota për misionin e huaj dhe me anë e tyre të kërkonin ndërhyrjen dhe ndihmën e tyre.
Ka shfrytëzuar vendin, emrin dhe kredinë që i kishte dhënë Fronti, duke e përdorur për të sabotuar e për të përmbysur pushtetin. Gjithë aktiviteti dhe propaganda e tij, ka qenë për të përmbysur me forcë pushtetin popullor, në lidhje me të sipërpërmendurit e, me reaksionin grek e ndërkombëtar. Prandaj prokurori kërkonte dënimin e tij, nga Gjykata e Lartë Ushtarake.
Kokoshi gjatë gjyqit, mbajti edhe një fjalë në mbrojtje të vetes, e cila mungon në aktet gjyqësore, por pranonte se; “qeveria komuniste, nuk përfaqësonte vullnetin e popullit. Ajo po ia falte gjithë pasurinë Jugosllavisë”, ndaj ai i ishte bashkuar grupit të opozitës. I vënë para një fakti të qartë, të një gjyqi politik e farsë në akuza, në fund edhe ai si të tjerët, (Sami Çeribari e Musine Kokalari), vendos të mos flasë më. Thjesht kërkoi të dinte, se; “çka ishte në kundërshtim me ligjet shtetërore në fuqi?”
Në përfundim të Gjyqit të “Bashkimit Demokrat”, më 2 korrik 1946, u dhanë dënimet për 37 personat e gjykuar, prej të cilëve 8 u pushkatuan dhe të tjerët u dënuan me dënime, nga 30, deri në 2 vjet. Ndërsa informatorët e Sigurimit, u dënuan minimalisht, ose u liruan si të pafajshëm.
Përfundime
Gjergj Kokoshi, ishte një ndër ideatorët kryesorë të koalicionit opozitar “Bashkimi Demokrat”, që përfshinte bashkimin e tre përfaqësuesve të tri rrymave politike në Shqipërinë e pas Luftës së Dytë Botërore, ‘Monarkistëve’, ‘Social-demokratëve’ dhe atyre të ashtuquajtur ‘Grupi i rezistencës’, përfaqësues kryesisht të pronarëve të mëdhenj, të arratisurve politikë e intelektualëve antikomunistë. Kokoshi, që kishte një veprimtari politike në Frontin Antifashist Nacional-Çlirimtar, u ftua të merrte pjesë në “Bashkimin Demokratik”, dhe ta kryesonte atë, pasi njihej si një intelektual, politikan me përvojë dhe popullor ndër njerëz.
Ky pragmatizëm në zgjedhjen e tij në krye të opozitës, vinte edhe ngase përfaqësonte të pakënaqurit brenda Frontit dhe ishte në dijeni të politikave shtetërore të kohës, por njihej edhe si një njeri i afërt, me misionin britanik në Shqipëri. Ndaj pakënaqësia e tij dhe vullneti për të marrë pjesë në aktivitet politik dhe të sakrifikonte veten, pavarësisht se shëndeti i tij ishte i prekur nga TBC, ishin arsye të qenësishme, në vënien e tij në krye të opozitës. Po ashtu emrin e tij, nuk e kundërshtuan as britanikët, madje këta edhe e kërkuan Kokoshin, në krye të opozitës.
“Bashkimi Demokratik”, nuk arriti të dilte në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, si parti opozitare, për shkak edhe të vonesës së miratimit të këtij koalicioni rrymash politike, prej misioneve aleate, të cilat, megjithëse ishin në dijeni të çdo hapi dhe iniciative politike të grupit, si vënia e kontakteve me të arratisurit politikë jashtë Shqipërisë, Muharem Bajraktari, Fiqiri Dine e Shefqet Vërlaci, apo me ata që fshiheshin brenda, si Alush Leshanaku, nuk e mbështetën këtë parti.
Mungesa e kësaj mbështetjeje ishte fatale, pasi, pavarësisht mosarritjes së mbledhjes së 75 firmave të domosdoshme, për të dalë si subjekt politik, ndërhyrja e aleatëve pranë qeverisë shqiptare, për të shtyrë zgjedhjet, si dhe dekonspirimi i “Bashkimit Demokratik”, nga brenda, bënë që edhe kjo nismë politike, për vendosjen e një demokracie liberale në Shqipërinë e post-1945-ës, të dështonte.
“Bashkimi Demokratik”, u zbulua dhe të gjithë ideatorët dhe organizatorët e tij, nëpër qytetet kryesore të vendit, u arrestuan dhe u dënuan me dënime kapitale dhe me burgim të rëndë. Goditja e “Bashkimit Demokratik”, vinte në një klimë tepër të nderë politike, ku në harkun kohor të një viti, ishin vënë para gjyqeve speciale dhe popullore dhe ishin dënuar me dhjetëra njerëz, të cilët kërkonin një Shqipëri, jo të orientuar drejt Lindjes Komuniste.
Në fakt, fati i Shqipërisë ishte vendosur si konsekuencë edhe e vendimeve Jaltës, por më 1945, kur ende nuk ishin zhvilluar zgjedhjet e lira dhe kur njohja ndërkombëtare e Shqipërisë, kondicionohej nga këto zgjedhje, goditja e grupimeve politike jo komuniste në Shqipëri, u dhanë knock out-in atyre, që shpresonin ende për vendosjen e një shteti demokratik-liberal. Gjergj Kokoshi, u dënua me 30 vjet burg dhe humbjen e të drejtave qytetare dhe politike, si dhe konfiskimin e pasurisë. Dënimi 30-vjeçar i tij, do të mbaronte më 23 janar 1976, por ai ndërroi jetë në burgun e Burrelit, në vitin 1961. Memorie.al