Nga Shkëlqim Abazi
Pjesa e tridhjetë
Memorie.al / Kam lindur më 23. 12. 1951, në muajin e zi, të kohës së zisë, nën regjimin më të zi komunist. Më 23 shtator të vitit 1968, krye-hetuesi sadist, Llambi Gegeni, hetuesi xhahil Shyqyri Çoku dhe prokurori mizor, Thoma Tutulani, më sakatuan në Degën e Punëve të Brendshme në Shkodër, më çanë kokën, më qorruan njërin sy, më shurdhuan njërin vesh, mbasi më thyen disa brinjë, gjysmat e dhëmballëve dhe gishtin e madh të dorës së majtë, më 23 tetor 1968, më çuan në gjykatë, ku mjerani Faik Minarolli, më dha një dhjetëshe burg politik. Pasi më prenë gjysmën e dënimit, sepse isha ende minoren, gjashtëmbëdhjetëvjeçar, më 23 nëntor 1968, më shpunë në kampin politik të Repsit dhe prej atje, më 23 shtator 1970, në kampin e Spaçit, ku më 23 maj të vitit 1973, në revoltën e të dënuarve politikë, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me pushkatim, katër martirë; Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko.
Më 23 qershor 2013, humbi zgjedhjet Partia Demokratike, proces më se normal në demokracinë që mëtojmë. Por më 23 tetor 2013, Drejtori i Përgjithshëm i Qeverisë rilindase, dërgoi urdhrin Nr. 2203, datë 23.10.2013, për; Lirimin nga detyra të një punonjësi policie. Pra Providenca Hyjnore, u pleks me Providencën rilindase neokomuniste dhe, pikërisht më 23 më zëvendësuan, as më pak e as më shumë, po me ish-operativin e Sigurimit të Burgut të Burrelit. Ku do kishte më domethënëse se kaq?! Ish-i burgosuri politik, zëvendësohet nga ish-persekutori!
Autori
SHKËLQIM ABAZI
R E P S I
(Kampi i punës së detyruar)
Memuaristikë
Këshillat e mjekut s’pinë ujë, kështu ai mbeti sërish aty ku qe. “Akrepi” i kish taksur një muaj birucë. Në ikje, Dilua i mbushi një pagure ujë dhe ia la pas derës, por polici e pa dhe iu turr ndihmësmjekut. – “Ç’je tuj ba, or tëj, apo don ene ti m’e gdhi me kët”?! – Ujë është! – u mbrojt Dilua. – Ja solla se do t’i duhet për të pirë ilaçet! – “Ah, duhet m’i dhan ene barna, këtij horri”! – u shkreh polici. – “Po! – ndërhyri mjeku. – Nëse ky s’pi këto ilaçe, rrezikon shumë”. Ndërhyrja e mjekut e bindi si duket akrepin që tërhoqi derën, i vuri drynin dhe u larguan. Kostën e lanë të pamundur në qeli.
S’ka veprim më kriminal, se sa të vrasësh shpirtin e një artisti! Zogun e ndryrë në kafaz, s’e josh aspak bukuria e kuvlisë, ai me shpresë hedh vështrimin mbi ferrat plotë gjemba, ku mbase edhe mund të gjakosë flatrat, po shijon lirinë! Kosta rënkonte nga shtërzimet intestine, po më shumë e torturonte zemra. Kish lindur për të qenë i lirë, robëria s’ishte kostum për masën e tij. Ditët në vazhdim mundimet iu shtuan edhe më; tashmë vuante nga vapa për ujë, stomaku i gërryente për bukë, mendimi i roitej për liri! Me padurim priste orën kur sillnin ushqimin, merrte atë që i jepnin, e kullufiste aty për aty pa i hedhur sytë dhe prapë s’ndiente të ngopur. Uria ia kish kthyer stomakun, në një zgafellë të pangishme.
Mandej niste tortura e etjes. Ndonëse e shuante dy herë në ditë, por vapa dhe soleta bënin të vetën. Kur e nxirnim në nevojtore, i drejtohej çezmës, fuste lëfytin në gojë dhe thithte e thithte, deri në harresë. Kur ndiente të asfiksohej dhe t’i fryhej barku tej mase, e lëshonte lëfytin, po djersa i shkonte çurkë dhe sërish ndjente etje. E përsëriste këtë veprim dy-tri herë e kur kujtohet të mbushte paguren, e shtynin në qeli, i mbyllnin derën dhe e linin pas saj, në pritje të dymbëdhjetë orëshit tjetër. Ai niste e bërtiste me sa kish në kokë; nëse qëllonte ndonjë polic shpirtmirë, kthehej, ia hapte dhe e lejonte të mbushte ujë, kur rastisnin ata striktët, pagurja do mbetej thatë, deri në darkë apo mëngjes, sipas vaktit.
Kosta i inatosur se kish mbetur pa pikë ujë, e shukte paguren pas murit, si t’ia kishte ajo fajin. Kështu, pagurja e flakur në nerva e sipër, rrokullisej në ndonjë cep të errët të qelisë, gjithë ditën mbetej pa tapë. Marria e tij sa vinte e agravonte, ndonëse ishte i padëmshëm për të tjerët, dëmin e pakthyeshëm ia shkaktoi vetes. lu ngulit ideja, se ish i destinuar të sakrifikohej si mesia i shkencës. Ndërkaq studimi mbi larvat dhe krimbat me bisht po merrte formë dhe vet Kosta shpresonte se një ditë, do t’i paraqitej shansi ta shpaloste kumtesën shkencore në simpoziume të rëndësishëm ndërkombëtarë.
Mirëpo për ta përfunduar studimin e tij, do i duheshin disa vite, ndërkaq dënimi po mbyllej para afatit të parashikuar nga ai për të mbaruar eksperimentin. Kështu një ditë të bukur, iu drejtua me kërkesë Kryesisë së Kuvendit Popullor, t’i shtynin datën e lirimit edhe ca vite më pas, duke iu parashtruar si arsye themelore, kushtet e papërshtatshme në një tjetër ambient.
“Nëse do kini mirësinë ta shqyrtoni me dashamirësi kërkesën, do merrni falënderimet e mia, po edhe të gjithë botës akademike, madje edhe të organizmave më prestigjioze të shkencës botërore.” e përfundonte lutjen ai. Këtë informacionin ma ka dhënë Apostol Thana, minoritar nga fshatrat e Dropullit të Poshtëm, mik imi dhe i Kostës, që e kishte lexuar vetë kërkesë-promemorien. Aq thellë u zhyt qyqari Kostë në labirintet e marrisë së vet, sa s’arrinte të kuptonte, se pjesa më e madhe talleshin, ndërsa atyre që iu dhimbsej vërtetë, përpiqeshin në mënyrë të butë, pa i shkaktuar drama shpirtërore, t’i rikthenin kthjelltësinë e arsyes.
Me kalimin e kohës në lojë u futën edhe policët. Ata, sa herë e nisnin për kurime në pavijonin shtatëmbëdhjetë, i improvizonin skena qesharake, gjoja se një institucion i huaj shkencor, interesohej për studimin e tij dhe gjasme kishin nisur apostafat një ekip të posaçëm, të takohej me të. Në këto raste Kosta fluturonte në qiellin e shtatë, po njëkohësisht impenjohej totalisht për të dalë “faqebardhë” para të huajve.
Në një rast të tillë, sipas asaj që më tregonte njëzet vjet më pas, miku im Apostoli, donin ta nisnin në spital, po ai si gjithmonë kundërshtonte, argumentin se s’ishte i sëmurë. Policët edhe me dhunë mund t’i vinin hekurat dhe merrte fund, por meqë Kosta nuk demonstronte asnjë shenjë agresiviteti dhe ishte fare e lehtë ta bindje për takime të natyrës shkencore, atëherë i përgatitën rrengun. Ai mbushi trastat me materialet e përgatitura dhe gjithë qejf i hipi auto-burgut dhe u nis drejt Tiranës.
Kur mbërriti në spitalin e burgut, një pedagog psikiatrie, që si temë studimi kish llojin e sëmundjes nga e cila vuante Kosta, organizoi një grup studentësh të fakultetit të mjekësisë dhe të nesërmen, improvizuan takimin e famshëm të shkencëtarit Kostë, me specialistët e huaj, që të “mahnitur” nga zbulimet e tij, kinse kishin marrë rrugën e largët të Shqipërisë, nga disa shtete të huaja. Kosta, që gjithçka e mori për reale, nën breshërinë e duartrokitjeve, mbajti kumtesën më pasionante që mund të ketë referuan ndonjë nobelist, ndërkohë edhe profesori pati rastin më ekzemplar, t’u demonstronte në praktikë fiksacionet delirante, studentëve të tij.
Në vitin l991, gjendesha refugjat ekonomik në Greqi. Si i paligjshëm, i fshihesha policisë nëpër pyje dhe kallama. Një ditë në ferrën ku kisha rezidencën, hasa një burrë me kazmë dhe me një thes krahëve, që sipas rrëfimit të tij, bridhte përrenjve për të mbledhur bimë mjekësore. Ai më pandehu për vandali dhe me një greqishte të pastër, më kërkoi t’i tregoja ku kish ndonjë burim uji, për të pirë. Me greqishten time gjysmake, i rrëfeva përruan. Kur ma ktheu shqip, doli se ishim të dy patriotë.
U ulëm poshtë, piu ujë dhe ja krisëm muhabetit. Mora vesh se ishte mjek, por pamja e vajtueshme s’e rrëfente. Kokëmadh, flokë pa qethur e pakrehur, ndoshta qysh kur ish larguar nga vendlindja, mjekra pa rruar dhe mjaft i pistë, tamam gogolesh. Në paraqitje, s’të jepte përshtypjen e njeriut normal dhe për më tepër mjek. Kur e pyeta si të quajnë dhe nga je, m’u përgjigj:
“Jam nga jugu, po rri në Tiranë. Më quajnë Arqile Boti…, dikur kam qenë i martuar dhe kam një vajzë”. Ky emër, më kujtoi një mjek të dëgjuar që përflitej si profesionist i zoti, po paksa me probleme mendore. Të paktën pamja e tij, këtë bindje më përforcoi. Në çastin që shihja me vëmendje këtë njeri të çorientuar, s’di pse më erdhi ndërmend Kosta R…! Ngjasimi mes tyre, ishte si te një identikit. Llafe e muhabet, fjala mbërriti te përplasjet në brigjet e panjohura të jetës dhe hallakatjet në dallgët e kohës. Pastaj, folëm për mënyrat se si përjetohen të njëjtat probleme në individualitete të ndryshëm.
Çuditërisht ishte i qartë në mendime, me elokuencë të shkëlqyer, me arsye të shëndoshë. Më qartësoj qysh në krye se jeta është dhuratë personale, dhe si e tillë, askush s’ka të drejtë të ndërhyjë në pjesën e tjetrit. E mora këtë, një mënyrë vetëmbrojtje, që po i bënte personit të vet për pamjen e çrregullt dhe si një farë korace për thashethemnajën e përhapur, mbi shëndetin e tij mendor. Po jo, isha gabuar. Ai ishte i ditur, mjaftë inteligjent, paksa më tepër llafazan se ç’duhet, por aspak egoist.
– “Në këtë jetë s’ka kurrë siguri, asnjëherë s’i dihet ç’të sjell e nesërmja! – e nisi fjalën ai. – “Mbas studimeve m’i vranë ëndërrta, kam bërë jetë të mbyllur. Nuk them i burgosur. Jo, or jo, s’kam qenë në burg! Por më keq se në burg! S’kam qenë as i internuar, jo, po më keq se në internim! I përndjekur pyjeve të Bizës. E ç’pret nga një qenie, kur i privon lirinë?! Mos shpreso të shohësh të veshurin e të kollarisurin nëpër stane, or mik! Kujt do t’i kollariset bariu? Dhenve apo qenve? Pra, i flaka kostumet dhe kollaret dhe vesha opingat e shallvaret! Ngushëllimin për humbjen e madhe, e gjeja te shërbimi që u ofroja pacientëve dhe te librat.
Bridhja pyll më pyll e shpat më shpat si eremitët; kërkoja bimë mjekësore, studioja vetitë e rralla shëruese. Besoj, e ke të qartë sa vuanim për ilaçe aso-herë. Mbështetja në forcat e veta, pushtoi edhe mjekësinë, paranoja e ksenofobisë, s’la shteg të hapur! Kështu edhe unë gjeta strehë në pyje, mes këtyre bimëve. Që të jem realist, atje ku më degdisën, bimë kishte plotë dhe kohë kisha me bollëk. Se, ku do shkoje, or vëlla? Veç male dhe pyje kish! Dhe e ndava, rri që rri, bëj një hajmali; e gjeta si një mënyrë për të shtytur kohën! Edhe vetë mësoja, edhe njerëzve iu gjendesha!
Në qytet vija rrallë e për mall, se edhe po të doja, me ç’farë do udhëtoje? Pastaj më pëlqeu ambienti atje, banorët e asaj zone ishin të drejtë e të ndershëm, për më tepër më mbanin si ujët e pakët. Kur zbrisja në qytet, furnizohesha me ato që i mendoja si më të domosdoshme, sidomos merrja libra dhe veçanërisht, literaturë shkencoro-profesionale. Atë kohë, e solli rasti të njihem me një ish të burgosur politik, që vuante nga ç’rregullime mendore. Gjatë periudhës së burgut, ai ish marrë me studime shkencore, të paktën kështu pretendonte. Në pamje të parë s’të linte përshtypjen e një të sëmuri psikik. Ishte shumë i sjellshëm, i edukuar, i kulturuar. Kur bisedoje më të, ndiheshe si të kishe zbuluar thesarin, në sëndukun e pashtershëm të ideve.
Ishte shumë i ditur. Natyrisht, jo të gjitha mendimet e tij ishin të rëndësishme, kishte edhe budallallëqe me okë, që s’i ngrinte asnjë kandar, por studimet për bimët dhe vetitë e tyre të panjohura mjekësore, më vlejtën tepër në zanatin tim. Ai shkruante për botën që nga zanafilla, e niste me amebat, peshqit, shpezët, bimët dhe deri te njeriu. Fliste për të mirat e jetës natyrale, se si mund të ushqehesh shëndetshëm, si mund të përfitosh sa më tepër nga dhuratat e natyrës, etj. Nuk isha dakord me shumë nga përfundimet didaktike të tij, sepse bije fjala, si mund të ushqehet njeriu me krimba haleje dhe me….”?! “Kosta R…”?! – kërceva unë, duke ia prerë befasisht fjalën. “Ua-a-h”?! – atij ju pre gjuha.
Mbeti gojëhapur, me mjekrën kërcyer si mykë spate dhe heshti. Për ca çaste më kqyri ngultas, sikur më peshoi me sytë ekspresivë, pastaj tha: – “Edhe ti e paske njohur atë”? – “Po, kemi qenë bashkë! Por çuditem me ty, si e paske njohur”! – “Nëpërmjet një mikut tim mjek, nga fshati i tij. Kosta më solli një thes shkresurinash me studime të tijat, përkthyer në disa gjuhë. Nuk ishte aq i rrjedhur sa e keni menduar ju, ai njeri ishte vërtetë me fiksime, po inteligjent. Në kushte të tjera mund të qe bërë dikushi. Studimet e tij, më kanë vlejtur edhe pse s’i mbylli asnjëherë…”!
Natyrisht ky studim s’u mbyll ndonjëherë, sepse s’kish si të mbyllej, ngaqë zanafillën e kishte te marria. Po edhe tregimtari, po më dukej i të njëjtit kallëp. “Ç’farë ngjashmërie, mes këtyre dy fateve”! mendova atëherë, siç mendoj ende. Mjeranin Kostë, e gjetën një mëngjes të mbytur në Bistricën e tij të dashur, ku qe larë për herë të parë…, po edhe të fundit në jetë. Asnjë kronikë apo nekrologji s’u shkrua për të. Edhe sot në ato anë, përmendet si një i marrë pozitiv, i parrezikshëm, që shkatërroi vetveten, për t’i shërbyer gjithë botës. Kështu u mbyll një jetë artisti, me ëndrra të shumta, të shprishura në qelitë e Repsit.
Normale të ndihesha keq, kur prej një mikut tim nga Alikoja, mësova fundin e tij. Po më ligësh, kur ai m’u kanos: – “Po, për ëndrrat e Kostës, cili do përgjigjet? Apo edhe aspiratat si gjithë të tjerat, i mbyllën në qelitë e Repsit, duke ia faturuar Enverit…”!? Gjithë atë natë fjeta një gjumë të rëndë, top, siç i thonë. Pa llogaritur momentet kur Dom Marku duhej të kthehej në krahun tjetër, se i thernin eshtrat nga reumatizma apo, kur ngrihej të derdhte ujët e hollë në paguren pranë derës, ai vuante nga prostatet, me dashje pa dashje do zgjohesha edhe unë, pjesën tjetër s’e kuptova si fluturoi aq shpejt.
Kur krisën llozet, Domi më tundi për këmbësh, që të mos më lëndonte supin. – “Çohu, se ka ardh… agu”! – mbase desh të thoshte polici, por u përmbajt. – “Asht bukur fort me e prit, në këtë vend”! Palosi batanijet e sipërme dhe priti të çohesha unë, të paloste edhe atë që e kishim përdorur si shtrojë. – “Ala s’asht çue, aj?! Or tëj, mos don nji kov uji siprit, me t’dal xhumi”?! Kërcënimi i policit më bëri esëll. Brofja shpejt. Edhe uji më duhej tani!
Seç m’u kujtua dita e mëparshme, me teshat qull dhe qimja m’u ngrit përpjetë. Dom Marku dorëzoi edhe batanijen e fundit. (Dua të theksoj se ai shquhej për veprime të shpejta dhe koncize, që të shpëtonin nga ndëshkimi brenda ndëshkimit, gjë që falë eksperiencës dhe qëndrimit me të, shpejt do ta përvetësoja edhe unë). Mbasi mbaruam shërbimet personale, në nevojtore dhe te çezma, polici mbylli prapë derën dhe u largua. Tani fillonte maratona.
Një torturë e stërzgjatur dymbëdhjetë orëshe, e pakapshme nga asnjë imagjinatë njerëzore. Me këmbë, duhej të matje qelinë tej e ndanë dhe rreth e qark, në xhiron kilometrike ditore; që sipas teorisë eksentrike të Ismet Boletinit, të cilën do ma shpjegonte më vonë, kur do t’i kisha kapërcyer mbi 1000-2000 kilometra linear rrugë nëpër qeli; këtë e quante: “shëtitje virtuale mbi meridianët dhe paralelet e globit, të qarkuar me tela gjembaçë”.
Mëngjesi qe i acartë. Tashmë, pa batanije të thante era që fute; vrullshëm nga anët e shqyera të llamarinës dhe të hynte cërrma në palcë Shpejtova çapat të nxehesha, nga goja më dilnin vrunduj resh avulli, shenjë se na priste një ditë e akullt. Nën dritën e pakët mëngjesore, tentova disa herë të deshifroja letrën që mbaja në xhep, po dita s’kish feksur ende. Netët pafund dimërore, që në atë luginë të brymtë të Mirditës, s’mbaronin para orës shtatë, s’ta mundësonin këtë. Ndaj, m’u desh të prisja.
Kur zbardhi, e nxora sërish, nën dritë tashmë shquaja shkrimin mikroskopik, po s’po mundja t’i shkoqitja dot germat, jo më për shkak të shikimit të munguar, po sepse ishte shkruajtur me laps të zbehtë dhe mjaftë imët. Gjithsesi nxorra kuptimin e asaj që më shkruanin. Përmbajtja ishte pak a shumë kjo: “Djalë i dashur, ndihemi krenarë për ty! Me gjestin tënd, na riktheve edhe njëherë në moshën e rinisë! Kur mësuam si kish rrjedhur ngjarja dhe reagimin tënd, u mrekulluam! Të lumtë, mbrojte nderin tënd por edhe dinjitetin tonë!
Bir, qelia është e pangjërueshme, vështirësitë e saj i kemi provuar vetë, frytet e saj të hidhur na kanë shkaktuar trauma pafund! Ndaj s’të parapërgatitëm, se s’na i thoshte zemra që të ta ndillnim atë! Natyrshëm, duhej të kishim treguar për gërbulën e ligë, që shkatërron kurmet njerëzore. Ndihemi fajtorë, po dëshira që të mos përfundoje atje, na bëri të heshtim. Na fal!
Gjithsesi ne besojmë verbërisht te aftësitë e tua përshtatëse, shpresojmë që me forcën e karakterit, ta kapërcesh me dinjitet këtë provë. Burrat s’mposhten nga dhimbja dhe ti je burrë, tashmë! Siç porosit një miku ynë i përbashkët: “për m’u ba profesor, duhet me i provu t’tana”, tash të erdhi dita, ta tregosh me vepra. Dhe ne e dimë, ti mund t’ia dalësh”!
Më poshtë kishte një Poste-scriptum: “Me anë të N.K., po të dërgojmë diçka për të veshur dhe pak duhan. Në mundshim do të çojmë sërish. Aty do gjesh edhe të tjerë, sido që në birucë përfundojnë burrat më të mirë, ka edhe përjashtime. Hap sytë! Mëso nga ata, po e gjykove se ja vlejnë, në të kundërt vazhdo rrugën tënde. Ke aty Dom Markun, bëj shumë të fala nga ne! Po qëlluat bashkë, aq më mirë! Me besim te forca dhe ndershmëria jote, të urojmë lirim sa më parë, por kujdes ta kapërcesh provën për së mbari”! Të presin: PLEQTË E TU.
U mallëngjeva shumë! Ish më se normale, të ngashërehesha. I përlotur, i’u ktheva disa herë nga fillimi që të deshifroja edhe ato pak fjalë, që s’i shquaja mirë. Por në vend të gërmave, më faniteshin fytyrat dhe në vesh më gumëzhinte jehona e zërave të atyre robëve të dashur. E kapa mesazhin e letrës. Si gjithmonë, ata më miklonin me retorikën më fine, më inkurajonin të përballoja represionin. Duke iu referuar besimit në aftësitë e mia, më preknin në sedër, etj.
Kjo mënyrë veprimi, ishte mbështetja më e vlefshme, për të cilën ndjeja nevojë ato çaste. Në trurin tim të hallakatur, u ngritën shumë hipoteza, po më e thekura qe: “Ç’të jenë këta njerëz vallë? Edhe këtu në gojën e ujkut, nën kthetrat e vdekjes, gjekan forca të sakrifikojnë?” S’isha i aftë të gjeja një përgjigje të saktë, po as e shtrydha trurin sepse mendja ime djaloshare s’futej dot atyre caqeve.
Ndaj e lashë në mes retorikën e nisur në rradaken time dhe i lexova letrën dom Markut. Ai e dëgjoi me vëmendje, por s’foli. Në fund i shpëtoi nga buzët një psherëtimë e thellë, të cilën e pasoi me shenjën e kryqit, që bëri shpejt e shpejt, si recitoj edhe një Ave Maria, m’u kthye: – “Cilët janë këta”?
U përgjigja me pandehma. Në fakt, s’njihja as shkrimin dhe s’qeshë në gjendje të përcaktoja tamam, autorin e letrës. Po ç’rëndësi kishte dora që kishte hedhur në letër këto fjalë, zemrat i njihja! I tregova për ditën e parë në kamp, (më saktë natën), se një mbrëmje nisi saga ime.
I fola për xha Esherefin, dibranin ironik e shpotitës, që më nxiste të mësoja për t’u vetëshpallur profesor burgu; për Vaskën, priftin ortodoks, që me qetësi olimpike, më nxiste drejt dijes dhe arsimit; për Sulon, beratasin tim të dashur, që më bëhej krah edhe kur s’kisha të drejtë; për xha Dautin, labin e rreptë që besën për tim gjysh, të vdekur para tridhjet e kusur vitesh, e barazonte me nderimin karshi meje.
I fola për vëllezërit Riza dhe Muharrem Dyli dhe për mbrojtjen që më garantuan, si të isha burrë shteti; për Hafëz Sabri Koçin dhe Patër Zefin, fetarët që më ushqyen shpirtin; për Meleq Hasën dhe Qazim Vulën; për doktor Çitozin dhe Dilon, infermierin e kudo gjindshëm dhe dinakëritë e tija pozitive; për Eminin topall dhe për gjithë ata që m’u gjendën pranë ato dy muaj.
Dhe do vazhdoja akoma por prifti ndërhyri: – “Paske ra në shoqni t’mirë, or djalë, kënke fatlum! Jo t’tan e kan kët fat! Tan kta, jan burrat ma t’respektuem, ndaj duhet me iu fal atyne, si babës tat! Ata janë fort t’moshuem, e kët çast ndihen ma zi se un e se ti! Duhet m’i pështue nga ky hall q’i ka xan”! – “Halli na ka zënë neve, o Dom xhani, mua, ty e, këta dy matanë”! – e ndërpreva unë, duke shënjuar me gisht përtej murit ndarës.
– “Ne po heqim të zitë e ullirit, këtu në këtë akullimë, o prift! Ata vërtet janë në hall, se janë në burg prej kohësh, të veçuar nga familja dhe fëmijët, por ne këtu jemi më zi, sepse jemi edhe në burg, po edhe në burgun e burgut. Hë pra, a s’më thuaj tani, cili është më në hall”!?
– “Po, mbase ke të drejtë! Por, as ti, as unë s’jena prindër, për me ndi dhimbën e prindit! A e kupton, or djalë! Po, ti je i ri, për m’e i kuptu përnjëmend! Vet jam prift dhe e dij fort mirë, ç’ka don me than prind i plagosun! S’asht e lehtë m’e pa f’min n’dit t’pikës, e mos me mujt me iu gjind pran! E pra, ata jan prindën, e prindi ban gjithça! Asht gadi me dhan nga vetja, me pështu f’min e tij!
A e ke pa at’ trumcakun e vocër, si i ngrefoset hutit e gjeraqinës, me pështue t’vegjlit e vet n’fole? E pra, nji trumçak asht, sa nji grimë asht, po ndjenja prindnore me i dal zot f’mis, e ban David! Ene ata burra t’vjetën, njikshtu ndihen. Ndaj duhet me i pështue! E pështimi i tyne, asht e mira jote! Pra, duhet m’u rujt, jo vetëm për veti, po ma tepri për ta”! – e mbylli prifti. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016