Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të librit “Kosova, djep i shqiptarizmit” me autor, intelektualin e njohur, Hamit Kokalari, që doli nga shtypi dhe u vu në qarkullim në vitin 1943 dhe që u prit me një interes të jashtëzakonshëm, jo vetëm në qarqet intelektuale të Tiranës, por edhe në të gjitha trevat shqiptare ku ai u shpërnda menjëherë. Kokalari ishte pinjoll i një prej familjeve më të njohura dhe nacionaliste të qytetit të Gjirokastrës, i cili vetëm pak kohë më parë kishte shërbyer si nëpunës i lartë në administratën vendore të Kosovës. Libri në fjalë kishte vetëm 125 faqe dhe përbëhej nga rreth 27 kapituj, ku autori ka përdorur qindra referenca të autorëve shqiptarë, si: Fan Noli, Mit‘hat Frashëri, Dom Luigj Gashi, Zef Fekeçi, Karl Gurakuqi, Xhaferr Belegu, etj., po ashtu edhe të huaj si: Antonio Baldacci, Angelo Pernice, Edit Durham, Milan Shuflai, Justin Godard, Bernard Nevman, etj. Shumë nga kapitujt e studimit të Kokalarit, janë ilustruar me tabela të veçanta, ku paraqiten të dhëna të numrit të popullsisë së trevave shqiptare të okupuara nga sllavët, si dhe harta të ndryshme të botuara nga akademi dhe institute të njohura të Evropës. Libri në fjalë u ribotua në vitin 1961 në Itali nga një grup intelektualësh shqiptarë nacionalistë me parathënie të prof. Abaz Ermenji, ndërsa në Shqipëri ai s’e pa kurrë dritën e botimit, edhe pse autori i shkroi një letër Nexhmije Hoxhës, nga e cila morri përgjigje negative…?! Që nga ajo kohë dhe në vitet që pasuan, me qëllim për të siguruar jetesën, Hamiti u mor me përkthime të ndryshme, pasi ai zotëronte shkëlqyer pesë-gjashtë gjuhë të huaja dhe pas një sëmundjeje të gjatë, ai u nda nga jeta në vitin 1989, ndërsa dy vëllezërit e tij, Muntazi e Vesimi, ishin pushkatuar që në vitin 1944 me urdhër të Enver Hoxhës, kurse e motra, intelektualja e famshme, Musine Kokalari, ndërroi jetë në vitin 1984 në qytetin e Rrëshenit, pas viteve të gjata burgu e internimi.
Në fillim të vitit 1943, kur nuk kishin kaluar më shumë se dy-tre vjet pasi Italia fashiste kishte njohur Shqipërinë etnike, dhe i kishte rikthyer asaj pothuaj të gjitha viset shqiptare, që Kongresi i Berlinit në vitin 1878, si dhe Konferenca e Londrës në 1913-in, i kishin shkëputur padrejtësisht dhe ua kishin dhuruar fqinjëve të saj, në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, doli nga shtypi dhe u vu në qarkullim një libër me titull: “Kosova, djepi i shqiptarizmit”. Autori i këtij libri të famshëm që u prit me interes të jashtëzakonshëm, jo vetëm në qarqet intelektuale të Tiranës, por edhe në të gjitha trevat shqiptare ku ai u shpërnda menjëherë, ishte një intelektual i ri, i quajtur Hamit Kokalari. Ai ishte pinjoll i një prej familjeve më të njohura dhe nacionaliste të qytetit të Gjirokastrës, i cili vetëm pak kohë më parë kishte shërbyer si nëpunës i lartë në administratën vendore të Kosovës. Libri në fjalë kishte vetëm 125 faqe dhe përbëhej nga rreth 27 kapituj, ku autori ka përdorur shumë referenca të autorëve shqiptarë, si: Fan Noli, Mit‘hat Frashëri, Dom Luigj Gashi, Zef Fekeçi, Karl Gurakuqi, Xhaferr Belegu, etj., po ashtu edhe të huaj si: Antonio Baldacci, Angelo Pernice, Edit Durham, Milan Shuflai, Justin Godard, Bernard Nevman, etj. Shumë nga kapitujt e studimit të Kokalarit, janë ilustruar me tabela të veçanta, ku paraqiten të dhëna të numrit të popullsisë së trevave shqiptare të okupuara nga sllavët, si dhe harta të ndryshme të botuara nga akademi dhe institute të njohura të Evropës. Përveç referencave dhe dokumenteve të shumta arkivore, me të cilat është konsultuar, autori i librit në parathënie i ka bërë një falënderim të veçantë për ndihmën e madhe që i pati dhënë, Reuf Ficos, një nga politikanët dhe diplomatët shqiptarë më të njohur të gjysmës së parë të shekullit të kaluar, i cili në vitet e fundit të karrierës, shërbeu si ambasador i Mbretërisë Shqiptare të Zogut, në Beograd. Nga libri i Kokalarit, “Kosova, djepi i shqiptarizmit”, ne kemi përzgjedhur dhe po publikojmë në variantin origjinal, vetëm disa pjesë të tij, duke menduar se hidhet edhe më shumë dritë mbi të vërtetën e shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare, të cilat iu shkëputën padrejtësisht trungut mëmë, në mesin e shekullit XIX dhe në fillimin e dekadës së dytë të shekullit XX.
Kokalari: Edhe dokumentet serbe flasin në favor të Kosovës
Në faqet e para të librit “Kosova, djepi i shqiptarizmit”, autori i tij, Hamit Kokalari, ka bërë një parathënie të shkurtër, ku ka sqaruar me pak fjalë, se pse i hyri atij studimi, dhe në fund të saj, ai i ka drejtuar një falënderim të veçantë, zotit Reuf Fico, (ish-diplomatit dhe politikanit të njohur, që në fundin e karrierës së tij shërbeu si ambasador i Mbretërisë Shqiptare të Zogut në Beograd), për ndihmën e dhënë dhe për dokumentet që ai pati mirësinë t‘i dorëzonte. Në atë parathënien, shkruhet: “Pak njerëz në Shqipëri e njohin Kosovën dhe krahinat e tjera shqiptare të Veriut që traktet ndërkombëtare ua kanë pas falur Malit të Zi dhe Sërbis më 1878 dhe më 1913; mund të thuhet se historia e Kosovës dhe çështjeve etnografike të saj janë në dijeni vetëm të disa specialistëve. Librat mbi këto çështje nuk mungojnë, dhe sidomos në gjuhë të huaja ato formojnë një bibliotekë të pasur dhe provojnë shqiptarësinë e krahinave në fjalë nga çdo pikëpamje. Mjafton të këndosh për këtë qëllim librat e dokumente të botuara në ish-mbretërinë jugosllave. Këto dokumente pranojnë se shumica e popullsisë në Kosovë është shqiptare, sado që përpiqen ta fshehin ose ta pakësojnë sasinë e shqiptarëve vende vende. Por çfarë përfundimi do të jepet vallë në një regjistrim i popullsisë i kryer me paanësi të plotë? Sikur të realizohej do të ishte për ne një dokument shumë i vlefshëm. Me gjithë këtë dokumentet e përgatitura prej serbëve flasin mjaft në favorin t‘onë dhe në këtë botim do të merren si themel sidomos dokumente t‘atilla. Do të jepen si shembull, në formim aneksesh në fund të këtij studimi, një sasi e vogël e vargut të pafundmësh, të botimeve në gjuhë të huaja mbi shqiptarësinë e Kosovës. Por ajo që dihet më pak dhe që meriton të vihet në dukje është historia e Kosovës. Kosova nuk ka qenë vetëm djepi i rilindjes shqiptare, por ka qenë sidomos faktori kryesor i ngjarjeve historike që shkaktuan dhe siguruan krijimin e shtetit shqiptar dhe të lirisë s‘onë kombëtare. Kosova ka qenë një fushë lufte e përhershme ku shqiptarët kanë derdhur gjakun e tyre shekuj me radhë në një luftë të dyfishtë kundër turqve dhe kundër Serbo-Malazezëve. Veçanërisht ngjarjet historike më me rëndësi ato të periudhës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1877-1881), dhe ato të Kryengritjes së Kosovës (1909-1913), që patën si pasojë krijimin e shtetit shqiptar, ishin pothuaj kryekëput vepra të Kosovarëve. Vetëm Shqipëria e mbyllur në kufijtë e 1913-ës, pati fatin e mirë ta gëzojë shpërblimin e therorive që e bënë shqiptarët e Kosovës, të cilët mjerisht, në vend që të fitonin lirinë e merituar, kaluan nga robërija turke në robërinë serbo-malazeze. Me këtë rast e shoh për detyrë të falënderoj të gjithë miqtë që më ndihmuan në përpilimin e këtij botimi, dhe sidomos të shpreh mirënjohjen time të thellë zotit Rauf Fico, për dokumentet që pati mirësinë të më dorëzoj”.
Studimi i Hamit Kokalarit: Konsiderata historike
Ky studim ka për qëllim të kapë, me anën e një përshkrimi historik dhe etnografik të shkurtër, një ide të përgjithshme mbi ato krahina thjesht shqiptare të veriut dhe të veri lindjes që ishin anësuar prej Serbisë dhe Malit të Zi pas luftës Ruso-Turke të vitit 1877 e pas luftës ballkanike dhe që në kohën e sundimit otoman bënin pjesë të Vilajeteve të Shkodrës, të Kosovës dhe të Manastirit. Në lëmën historike propaganda serbe ka arritur mjerisht të bëjë çudira, sepse ka mundur ta paraqesë Kosovën përpara opinionit të përbotshëm sikur të ishte një vend serb. Në këtë puna vepra e propagandistëve sllavë ishte e përkrahur edhe prej ndihmës e bashkëpunimit të plotë të shtypit dhe të literaturës së fuqive të mëdha mbrojtëse të Serbisë. Propaganda shqiptare, me mjetet e saj tepër modeste, nuk ka pasur efektet e dëshirueshme sa që të dispononte argumente më të forta dhe sa do që vetë realiteti fliste në favor të tezës shqiptare. Një nga mjetet e propagandës serbe ka qenë folklori. Serbët kanë ekzaltuar në këngët e tyre popullore luftërat e tyre në Kosovë, por shqiptarët kanë më shumë arsye se ata që të jenë kryelartë për luftërat që kanë bërë kundra Turqve dhe kundër Serbëve po në Kosovë, dhe këto vepra të lavdishme përmenden në këngët tona popullore, të cilat vetë Serbët i kanë mbledhur dhe botuar në Beligrad, në rivistën “Prilozi Proncevanje norodne poezie”.
E vërteta e betejës së Fushë-Kosovës në vitin 1389
Propaganda serbe ka përdorur sidomos betejën e Kosovës (1389), të cilën e ka paraqitur si një mit të pavdekshëm të idealit kombëtar jugosllav dhe si argument për të provuar rivendikimet serbe në Kosovë. Në fakt, beteja e Kosovës të cilën serbët e kanë përmendur së tepërmi duke i bërë të vetat të gjitha theorirat, ndodhi midis turqve dhe një koalicioni të krishterë nën komandën e për të mbretit serb Lazar, i cili ra i vdekur në luftë e sipër. Duhet pra të sqarohet mirë se beteja e Kosovës nuk ka qenë vepër e Serbëve vetëm, por e një koalicioni të krishterë, të përbërë prej: Serbë, Shqiptarë, Bullgarë, Boshnjakë, Dalmatë, Ungarezë. Shqiptarët ishin të komanduar nga Princi Gjergj Kastrioti, gjyshi i heroit t‘onë kombëtar, Skënderbej, por komanda e përgjithshme iu besua mbretit serb Lazar, dhe kjo u bë për shkak se asnjë nga ushtritë e tjera aleate nuk ishin të komanduara nga një mbret dhe sepse ushtria serbe ishte më e madhe në numër. Fuqitë serbe dhe ushtritë aleate që luftuan në fushën e Kosovës u-përpoqën ta ndalojnë invazionin turk me një ekspeditë e cila kishte më shumë karakterin e një kryqëzate për t‘i prerë hovin rrezikut mysliman, se sa të një lufte me karakter kombëtar. Historianët e njohin këtë betejë si një kryqëzatë të re kundra fuqisë otomane që shtohesh dhe kërcënonte botën e krishterë të aksidentit. Sidoqoftë fuqitë shqiptare në këtë betejë sollën një kontribut të dorës së parë: “Më 1389 Gjergji i II Balsha, Theodor II Muzaka, Gjergj Kastrioti, stërgjysh i Skënderbeut, dhe disa princër shqiptarë të tjerë u bashkuan me Kralin Lazër të Serbisë, i cili organizoi një kryqëzatë kundër Sulltanit Muradit I. Ushtria kryqëzore, e përbërë prej Serbësh, Bullgarësh, Boshnjakësh, Shqiptarësh, Vllehësh, Pollakësh, dhe Hungrezësh u përpoq me ushtritë turke në fushën e Kosovës. Në këshillën e luftës që u mbajt nën kryesinë e Kralit Lazar, Gjergj Kastrioti kishte propozuar që t‘i bijën Turqëve natën, por ky proponim nuk u pëlqye nga shkaku se armiqtë mund të shpëtonin nga një disfatë e plotë dhe të iknin më t‘ë errët. I ranë pra ditën dhe u dërmuan plotësisht prej Turqve. Midis të vrarëve ishin Sulltan Muradi I vetë dhe Teodor II Muzaka. (Historia e Skënderbeut, prej Fan S. Nolit, Boston 1921, faqe 37).
Kosova s‘ka qenë kurrë tokë serbe
Vetëm fati dhe rasti i solli Serbët ta zgjedhin Kosovën si fushë lufte, mbasi në realitet Kosova nuk ka qenë kurrë ndonjëherë tokë serbe e vërtet dhe më vonë në rivendikimet e tyre Serbët, para dhe pas luftës ballkanike nuk kanë mundur ta provojnë që krahina e Kosovës dhe krahinat e tjera shqiptare fqinje ishin sllave, dhe as që mund t‘a provonin kur e aneksuan Kosovën, sepse numri i sllavëve ishte aty tepër i vogël. Sa për shprehjen “Stara Serbia”, d.m.th. “Serbia e Vjetër”, që serbët e përdorin zakonisht për ta quajtur kështu Kosovën, duhet theksuar se ajo shprehje nuk ka asnjë bazë historike dhe se Serbët e kanë shpikur vetë nga mezi i shekullit të XIX, për t‘i shërbyer më mirë qëllimeve të tyre ekspansioniste në dëm të Shqipërisë. Këtë taktikë e kanë përdorur edhe Bullgarët në propagandën e tyre me fjalën Maqedhoni, e cila ka mbetur si një shprehje gjeografike që nga kohët e vjetra kurse ata e kanë paraqitur Maqedhoninë si një tokë irredente bullgare pa marrë parasysh ekzistencën e elementëve etnike të tjera. Për shembull Kaçaniku, Presheva, Kumanova, Shkupi, Tetova, Gostivari, Kërçova, Dibra, Struga, Ohrija, paraqiten si pjesë të Maqedhonisë bullgare, kufijtë e së cilës janë shënjuar arbitrarisht dhe pa asnjë karakter etnik e gjeografik. Këtë sistem ka përdorur në jugë edhe propaganda greke me fjalën Epir, e cila në realitet në dokumentet historike dhe letrare të vjetra është sinonim i Shqipërisë, ashtu si fjala epirote tregon çdo gjë që është shqiptare ose ka të bëjë me gjuhën shqipe. Gjuha shqipe tregohesh me fjalët “gjuhë epirote” dhe Skënderbeu njihesh në kohët e kaluara si Princ i Epirit. , kurse propaganda e fortë greke i ka shlyer këto gjurma përpara opinionit të përbotshëm. Para dhe pas luftës ballkanike shumë krahina shqiptare u aneksuan prej Serbis sa që mund të thuhet se një Shqipëri e dytë ekzistonte jashtë kufivet politike të Shqipërisë dhe kishte mbetur nënë sundimin e Serbëve. Të gjitha këto krahina quhen zakonisht në gjuhën shqipe; “Kosovë”, edhe kur bëhet fjalë për krahinat që janë shumë larg nga “Fusha e Kosovës”. Për sa i përket Pejës dhe Jakovës (Gjakovës, shënimi ynë), ajo njihet prej nesh si pjes e Kosovës, kurse emri i vërtetë i saj në shqipe është “Dukagjin”. Të huajt e tregonin me emrin me emrin “Metohi”, meqë rrjedh nga greqishtja dhe do të thotë pronë e kishës. Për të forcuar konsideratat historike, duhet kujtuar se në ngjarjet e zhvilluara në ato krahina shqiptare kanë një rëndësi të veçantë. Para ardhjes së Romanëvet dhe Sllavëvet në Ballkan, vendi ka qenë në dorë të Illirianëvet, stërgjyshër të Shqiptarëve, të cilët u shquan sidomos me mbretërit e tyre në kohën e Teutës, me kryeqytet Shkodrën, dhe me mbretërinë e Dardanis, me kryeqytet Shkupin. Fiset dhe mbretërit Ilirianë treguan një gjallëri të madhe dhe okuponin pjesën më të madhe të Ballkanit perëndimor. Veçanërisht mbretëria e Dardanisë që përfshinte gjithë Kosovën dhe kishte Shkupin si qendër, ka lojtar një rol historik me rendësi.
Sllavët ruajnë karakteristikat e racës Iliriane
Kur Roma i okupoi vendet e ilirianëvet këta i ruajtën traditat dhe racën e tyre, ndërsa invazionet sllave që erdhën më vonë u përpoqën t‘i asimilojnë me çdo mënyrë, duke u ndërruar gjuhën, zakonet dhe fenë, si dhe duke u vënë emra sllavë qyteteve dhe katundeve. Për këtë arsye gjejmë sllavë në Ballkan që e ruajnë edhe sot karakteristikat e racës Iliriane dhe ngjasin më shumë Shqiptarëve se sa Serbëve. Në disa zona, të ndodhura midis Serbisë dhe Kosovës Shqiptare, popullsia nuk mund të dallohet me saktësi nëse është sllave a shqiptare, mbasi ajo flet të dy gjuhët dhe ka tradita e zakone të përziera. Si do ta shohim dhe më poshtë vetë serbët e pranojnë se më shumë bashkëkombas të tyre flasin serbishten edhe sot me aksent shqiptar, gjë që provon origjinën shqiptare të këtyre popullsive, Fiset shqiptare kanë humbur kështu ekzistencën e tyre përpara invazionevet dhe propagandës sllave dhe janë serbizuar. Kështu kemi shembëllën e fiseve shqiptare të Kuçit e të Piperit dhe të Plavës e Gucisë që janë serbizuar von; të atilla shemblla kemi dhe në Novi-Pazar e në Senicë. Gjithashtu disa autorë janë të mendimit që populli malazez ka më shumë afinitet si racë me popullin shqiptar se sa me popullin serb. Njerëz të shquar serbë janë sot krenarë për origjinën e tyre shqiptare dhe i kujtojnë me mburrje emrat e fiseve shqiptare nga të cilat rrjedhin. Në rivendikimet e sllavëve mbi tokat e Shqiptarëve, argumenti kryesor është ay historik. Si Serbët ashtu dhe Bullgarët i bazojnë të drejtat e tyre në ngjarjet e kohëve mesjetare, kur ato popuj invaduan Shqipërinë dhe Greqinë dhe krijuan mbretëritë e tyre që në realitet ishin më shumë perandoria sllave me karakter fetar që përpiqeshin me çdo mënyrë të arrinin në Adriatik. Perandoritë e këtyre popujve sllavë patën të gjitha jetë të shkurtër dhe u detyruan mandej të tërhiqen duke u lënë vendasve të drejtën e vetëqeverimit dhe tokat që ishin përpjekur të kolonizonin. Një shembull të këtillë e patëm edhe në shekullin t‘onë me Jugosllavinë, e cila në realitet ishte një perandori që donte të sundonte popujt të ndryshëm, si Kroatët, Boshnjakët, Malazezët, Hungarezët, Rumunët, Maqedhonasit dhe Shqiptarët. Dëshira e sundimit arriti gjer në pikën sa të fillojë një vepër kolonizimi në shkallë të gjerë në Kosovë, vepër e cila në këtë shekull dhe në mes të Evropës ishte një ndërmarrje kundër çdo parimi njerëzor dhe qytetërimi të sotëm, sidomos po të merren parasysh metodat me të cilat u zbatua. Rivendikimet dhe programet e tyre të kolonizimit Serbët dhe Bullgarët përpiqen t‘i justifikojnë me ekzistencën e ndonjë kishe të mbetur nga kohët e kaluara dhe që kujton sundimin e shkurtër të mbretërve të tyre në Kosovë a në Maqedhoni, pa marrë parasysh se shqiptarët janë popullsi autoktone dhe se më shumë se çdo popull tjetër e kanë vaditur këtë tokë me djersën e tyre dhe me gjakun që kanë derdhur në sa e sa kryengritje që kanë bërë kundra serbëve dhe Turqëve. Nga ana tjetër, për të qenë edhe më objektiv, mund të thuhet se invazionet e ndryshme të Serbëve dhe Bullgarëvet në Ballkanin perëndimor dhe jugor hyjnë në kategorinë e sa e sa invazioneve të tjera që pa Evropa dhe Ballkani në kohën mesjetare me këtë ndryshim se serbët dhe Bullgarët zunë vend në Ballkan për gjithnjë, por kjo nuk mund të lejojë t‘u hanë të drejtën popujve fqinjë dhe aq më pak popujve autoktonë. Pasi turqit pushtuan Ballkanin dhe sundimi i tyre u stabilizua për afro pesë shekuj rresht, Shqiptarët jo vetëm që nuk u asimiluan prej sunduesit të ri, por e forcuan pozitën dhe racën e tyre. Në fillim të pushtimit të Ballkanit, Turqit rezistencën më të fortë e gjetën në popullin shqiptar i cili e vazhdoi luftën afro një shekull, për një kohë më të gjatë, dhe në një mënyrë më të shkëlqyer se sa popujt e tjerë të Ballkanit. Sidomos rezistenca e vazhduar dhe e pathyeshme e Skënderbeut ua mbushi mendjen Turqve se kishin të bënin me një element të shëndoshë, të cilin u përpoqën ta asimilonin vetëm nga pikëpamja fetare dhe ta mbanin të gjallë si racë, në mënyrë që populli shqiptar u bë një shtyllë rezistence kundër rrezikut sllav. Popujt sllavë, sado të mposhtur vazhdonin ekspansionizmin e tyre në dëm të popujve të tjerë fqinj. Sikundër shqiptarët të mos kishin marrë fenë myslimane, do të kishin asimiluar krejt Sllavët; kështu vetëm disa fise u asimiluan kurse shumica shpëtoi. Shqiptarët e Kosovës që ishin si pararoja e racës, zhvilluan kështu një luftë të dyfishtë dhe shekullore kundër sundimit turk që përpiqesh t‘i mposhte sa më shumë dhe kundër infiltracionit dhe veprës së asimilimit që u zhvillonin sllavët me anën e fesë dhe të propagandës. Kundër Turqve që përpiqeshin t‘i mposhtnin edhe më tepër, Shqiptarët ngrinin krye herë pas here, gjë që provohet nga të pesëdhjetë e katër lëvizjet kryengritëse shqiptare që regjistron historia turke, nga të cilat ajo e vitit 1668, që plasi në Mitrovicë, dallohet sidomos sepse muarnë pjesë në të të gjithë Kosovarët. Kjo lëvizje u shtri përtej Shkupit dhe kërcënoj rrugën e Selanikut (Tarih-Eb yl Farruk, faqe 13).
Kongresi i Berlinit që copëtoi Shqipërinë
Prapë në Kosovë ndodhen më vonë ndërmarrjet për ringjalljen e atdheut shqiptar. Fakti historik që e rifilloi rilindjen shqiptare ndodhi në vilajetin e Kosovës, në Prizrend, ku u themelua Lidhja e famshme me emrin Lidhja e Prizrenit (1878). Nga Kosova filluan të zhvillohen degët e kësaj organizate madhështore që si shkëndijë u përhap në shtytjen e ndjenjës kombëtare në të gjitha anët e Shqipërisë. Kosovarët ishin elementët kryesorë të Lidhjes që e vunë në zbatim programin e mbrojtjes së interesave shqiptare duke luftuar kundër Malazezëve, Serbëve dhe Grekëve. Krijimi i Lidhjes u shkaktua nga traktati i Shën Stefanit (1878), i cili u rishikua mandej në Berlin. Krerët shqiptarë të ardhur nga të gjitha anët e Kosovës dhe të Shqipërisë për të marrë pjesë në mbledhjen e Lidhjes në Prizren vendosën: të shpëtojnë sidomos Atdheun nga copëtimi i dekretuar nga Kongresi i Berlinit në favor të kombeve fqinj; së dyti t‘i imponojë Qeverisë otomane autonominë e Shqipërisë brenda kufijve administrativ të katër vilajeteve të Janinës, Manastirit, Shkupit dhe Shkodrës, me Ohrin si kryeqytet, e më në fund ta përgatitin kombin për luftën e fundit, për pavarësinë e tij të plotë. Përveç kësaj Lidhja dërgoi në Kongresin e Berlinit delegatët e saj, por desideratat e tyre u as që u dëgjuan, mbasi në atë mbledhje nuk kish njerëz që të tregonin dëshirë të mirë për të evituar të këqijat që i rezervoheshin Shqipërisë. Kështu që u vendos në atë Kongres copëtimi tokave shqiptare për të kënaqur lakmit serbe, malazeze dhe greke. Por vullneti i Shqiptarëve të armatosur nuk u përkul prej këtij vendimi të padrejtë; për të ruajtur integritetin tokësor shqiptar, Lidhja kundërshtoi me të gjitha fuqitë dhe me rezistencën e saj krenare. Fuqitë shqiptare luftuan burrërisht në Plavë e Gusi dhe i shpëtuan ato krahina nga zgjedha malazeze. Ashtu luftuan dhe në Hot dhe në Grudë si dhe në Ulqin ku Evropa u detyrua të dërgojë një flotë ndërkombëtare për të kërcënuar Shqiptarët dhe nga ana tjetër e shtrëngoi Sulltanin të bëje një ekspeditë për të dënuar kryengritësit shqiptarë që kishin vendosur më mirë të vdisnin se sa të lëshonin një pëllëmbë tokë të vendit të tyre./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016