Nga Dr. Nikoll Loka
Pjesa e pesëmbëdhjet
“PRENGË BIBË DODA, DRITËHIJET E NJË BURRËSHTETASI”
Memorie.al / Libri më i ri “Prengë Bibë Doda, një fenomen në jetën politike shqiptare”, i studiuesit Nikollë Loka, jo vetëm zgjeron fushën e studimeve historike mbi Mirditën, Derën e Gjonmarkajve dhe figurën e Princit mirditor, Prengë Bibë Doda, por është edhe një kontribut, në historiografinë kombëtare. Lënda shumë e pasur arkivore, literatura e shfrytëzuar apo e konsultuar, gojëdhënat etj, e bëjnë këtë libër, një thesar të vërtetë studimor, duke i dhënë shkencës së historisë një monografi shkencore, që pasuron njohuritë tona mbi Mirditën, kapedanët e saj, traditën, historinë etj. Të studiosh një figurë sa të rëndësishme dhe komplekse, siç është figura e Prengë Bibë Dodës, është përgjegjësi e lartë shkencore që, jo çdokush e merr përsipër. Nikollë Loka, ka bërë një punë të madhe hulumtuese dhe trajtim prej studiuesi profesionist, duke na e dhënë portretin e Princit dhe gjeneralit mirditor, me konturet e vërteta. Dr. Loka, i është përmbajtur fund e krye hapësirës dhe kohës, në të cilën janë zhvilluar ngjarjet shumëdimensionale dhe protagonistët e tyre.
MONOGRAFIA “PRENGË BIBË DODA, NJË FENOMEN NË JETËN POLITIKE SHQIPTARE”, NJË STUDIM SHKENCOR ME VLERË QË PASURON FONDIN E STUDIMEVE TONA HISTORIKE
(Nga Mr. Sc. Murat Ajvazi, mars 2017, Zvicër)
Falja e Sulltanit
Pavarësisht këtyre ngjarjeve, marrëdhëniet e Krajl Nikollës dhe Princ Prengë Bibë Dodës, nuk do të ndërpriteshin. Në fillim të dhjetorit të vitit 1912, Prenga e takoi Nikollën, që e pranoi krijimin e Principatës së Mirditës, me kusht që ajo mos të shkonte përtej Lezhës dhe Kallmetit, (285) territore që Mbretëria e vogël malazeze, kërkonte t’i ankesonte. Në të vërtetë, Prenga nuk e kishte ndërmend të mbështetej tek Mali i Zi, i cili sipas tij ishte një shtet i vogël dhe i varfër, por kjo lëvizje e tij, kishte më shumë karakter propagandistik, në kuadër të lojës politike që ai po bënte. Tre vjet më vonë, marrëveshja kthehet përsëri në mosmarrëveshje, pasi malazezët, e arrestojnë Prengë Bibë Dodën. Me 8 qershor të vitit 1915, kur ushtria malazeze hyri në Shkodër, arrestoi dhe internoi në Mal të Zi, patriotët shqiptarë: Prengë Bibë Doda, Aqif Pashë Elbasani, Luigj Gurakuqi, Fejzi Bej Alizoti, etj. Pas pushtimit austro-hungarez të Malit të Zi, me 25 janar 1916, ata u liruan. (286)
Siç shihet, kjo histori e përbashkët midis Nikollës së Malit të Zi dhe Prengës së Mirditës, ka qenë e mbushur me mos mbajtje të premtimeve dhe me hile të ndërsjellta. Nga e gjithë kjo, kuptojmë se ato marrëdhënie, qenë të mbështetura mbi interesa të çastit dhe asnjëherë nuk u krijua një bashkëpunim i vërtetë, për faktin se armiqësitë, ishin të thella dhe mbizotëronin mbi përpjekjet për bashkëpunim. Në këto armiqësi, ndikoi edhe forcimi i vetëdijes kombëtare të mirditasve, të cilët gjithnjë e më shumë, e panë të ardhmen e tyre, në kuadrin e kombit shqiptar.
Në mbrojtje të Hotit dhe Grudës
Dega e Lidhjes së Shkodrës, lëshoi kushtrimin për mbrojtjen e trojeve shqiptare dhe kërkoi pjesëmarrjen e forcave të Mirditës, në luftë. Por mirditasit, atë pjesëmarrje e kushtëzuan fort me rikthimin e autonomisë. Autoritetet osmane, që po e mbështesnin në heshtje Lidhjen, lëvizën në drejtim të plotësimit të atyre kërkesave. Si shenjë e vullnetit të mire, ishte dhe qëndrimi ndaj bajraktarit të Oroshit, që ishte arrestuar në vitin 1879.
Pavarësisht se nuk jepet emri i tij, duket se bëhet fjalë për Nikollë Ndrecën, që përmendet si bajraktar në dokumentet historike të asaj periudhe. Mësohet se arrestimi i tij ishte bërë, pasi nuk u ishte bindur urdhrave të Kapidan Kolës. Nikollën, e kishin shoqëruar njëzet e dy zaptije, për në burgun e Shkodrës. (287)
Në letrën e parë, Said Pasha, i shkruante Valiut Izet Pasha në Shkodër, më 20 dhjetor 1879: “Çështja e kajmekamllëkut të Mirditës, gjendet përpara Këshillit të Ministrave. Vendimi do t’ju komunikohet, pa vonesë. Deri atëherë, jeni të ftuem me e lirue pa vonesë, Bajraktarin e Oroshit që asht arrestue”. (288)
Meqenëse urdhri i tij nuk u zbatua, Kryeveziri, detyrohet të kërkojë zbatimin e urdhrit të tij. Me datën 4 janar të vitit tjetër, përmes një telegrami, Said Pasha, ia kujton edhe një herë Valiut, shqetësimin e tij: “Ju pata telegrafue me datën 20 dhjetor, se çështja e kajmekamllëkut të Mirditës, gjendet përpara Këshillit të Ministrave, etj. Po mësoj se bajraktari i Oroshit, nuk asht lirue, pra ju ftoj për të dytën here, me e ekzekutue urdhrin dhe me e lirue”. (289)
Në mbledhjen përbashkët që bënë në Shkodër, më 1 mars 1880, krerët e Hotit, Grudës, Kelmendit e Kastratit miratuan një peticion drejtuar Fuqive të Mëdha, në të cilin deklaronin se “do të rrëmbenin armët për të mbrojtur trojet e tyre”. Pa marrë parasysh kërkesën, më 18 prill 1880, ambasadorët e Fuqive të Mëdha, miratuan propozimin italian, që njihet me emrin: “Vija e Korti”, për t’i dhënë Malit të Zi, në vend të Plavës e Gucisë, viset e Hotit e të Grudës. Dorëzimi i këtyre viseve, u vendos të bëhej pas 4 ditësh, më 22 prill. Që në mars të atij viti, në një mbledhje të myslimanëve të Shkodrës, u vendos që, për të tërhequr edhe katolikët në luftë, të emërohej si komandant i tyre Prengë Bibë Doda. Ky propozim, u pranua dhe për këtë qëllim filluan bisedimet me Prengën. (290)
Më 5 prill 1880, Konsulli i Francës në Shkodër, i shkruante Ministrit të tij të Jashtëm: “Përsa i përket katolikëve, gjithçka të bën të mendosh, se ata do të jenë për zgjedhjen e Prengë Bibë Dodës. Qeveritari, megjithëse bën takime të shpeshta me krerët kryesorë të Lëvizjes, hiqet sikur nuk ka dijeni mbi çka po ndodh dhe flet gjithmonë, se do të largohet nga Shkodra, për të shkuar në Durrës, pastaj në Mirditë. Të hënën e pashkëve, qeveritari shkoi për vizitë te Prengë Bibë Doda, me të cilin kishte pasuar marrëdhënie shumë të ftohta dhe tek i cili, nuk kishte bërë asnjë vizitë”. (291)
Por Valiu Izet Pasha, nuk luan vetëm në prapaskenë, ai i ftoi të gjithë krerët e Mirditës, që paguheshin nga qeveria, për t’i pyetur nëse mund të mbështetet te ata, në rast nevoje. Në lidhje me këtë përpjekje të Valiut, Konsulli francez, i raporton Ministrit të tij, në Paris: “Një nëpunës i konakut, që është fis i Prengë Bibë Dodës, më tha dy ditë më parë, se shpresonte që Dodë Gega, Kapidan Kola etj., që janë armiq të Prengës, kur të jetë në lojë interesi i përgjithshëm, do të lënë mënjanë armiqësitë dhe do ta shohin Prengën si të parin e tyre. (292)
Prenga, nuk dukej i shqetësuar nga kundërshtarët e tij, pasi ai gjithsesi, siç e treguan dhe ngjarjet e fundit, vazhdonte të kishte ende mbështetje më të madhe se rivalët e tij dhe nuk mendonte se kundërshtarët, ishin në gjendje të ndërmerrnin ndonjë aksion kundra ndikimit të tij. (293)
Përfaqësues të katolikëve të Shkodrës, kishin shkuar tek ai për t’i kërkuar që të vihet në krye të tyre. Prenga, nuk u kishte dhënë përgjigje të menjëhershme, por pritej që vendimi i tij, të ishte në favor të Lidhjes”. (294)
Bisedimet vazhduan edhe për disa të tjera, në mes të krerëve të malësive katolike dhe Prengë Bibë Dodës. Po kështu, u zhvilluan bisedime me rivalët e tij, që të pranonin të viheshin nën urdhrat e Prengës. ”Prengë Bibë Doda, duket mjaft i gatshëm të pranojë kërkesat që i bëhen dhe pritet të largohet nga Shkodra e të shkojë në Malësi, ku sipas njoftimeve që kemi marrë, do të shpallet kryetar i saj. Në qoftë se Kreu i Mirditës, do të pranojë kërkesën e tyre, ka mundësi që edhe malësorët e tjerë, do të ndjekin shembullin e Hotit, Grudës dhe Kelmendit e, ta njohin Prengën, si kryetar të tyre”, (295)- njoftonte Konsulli francez, Ministrinë e tij të Jashtme, në Paris.
Ndërkohë, Ambasadori turk nga Cetina, njofton Stambollin se, autoritetet malazeze, po e ndiqnin me shqetësim situatën dhe kishin akuzuar qeverinë osmane të Vilajetitm për tërheqjen e mirditasve në luftë kundër Malit të Zi. “Më në fund Prengë Bibë Doda, kreu i mirditasve që nuk merrte pjesë në Lëvizjen që shpërtheu në Shqipëri, ishte nisur nga Shkodra, për të shkuar në malet e veta, me qellim të deklaruar për ta ngritur peshë edhe këtë fis, kundra Malit të Zi. Prengë Bib Doda, i mbajtur në Shkodër, nuk mund ta lëshonte këtë vend pa leje të veçantë, të qeveritarit të përgjithshëm të Vilajetit”. (296)
Kapidani shkoi në Mirditë, ku ishte pritur me gëzimin më të madh nga popullata e atjeshme dhe të gjithë burrat që ishin në gjendje të mbanin armë, shprehën dëshirën, të vihen nën urdhrat e tij. Po kështu, të gjithë fshatrat midis Mirditës dhe Shkodrës, prisnin kthimin e këtij kreu të Mirditës, për t’u bashkuar me të, kur të kalonte, për t’u radhitur nën flamurin e tij. (297)
Sipas relacionit të Konsullit austro-hungarez në Shkodër; “ditën e ardhjes së tij në Mirditë, mblodhi pleqtë e fiseve dhe një pjesë të mirditorëve në fushën e Shën Palit në Orosh, u mbajti një fjalim, në të cilin u sqaroi gjendjen e gjërave dhe u kërkoi përfundimisht; pjesëmarrjen dhe mobilizimin në çështjen kombëtare, ku dhe u deklaroi, se ishte zgjedhur kreu i fiseve katolike të Shqipërisë së Veriut. Prenga, u premtoi burrave të mbledhur, se do të merrnin në Shkodër pushkë “Martini” e, të holla dhe se për mjetet e jetesës, ishin marrë masat. Në ditën e 29 prillit, pritej në Shkodër mbërritja e mirditasve dhe e pultjanëve; këta të fundit, mund do t’ishin në një numër më të vogël. (298)
Rreth 1700 mirditorët e pesë bajrakëve të Mirditës, tre të Kthellës dhe një i Lezhës, kishte arritur në orën shtatë të mbrëmjes në Shkodër. Thuajse të gjithë ishin armatosur me armë zjarri me barut, vetëm ushtarët mirditas, si dhe disa komandantë, kishin armë “Martini”. Popullata e krishterë dhe ajo myslimane e qytetit, kishin dalë të gëzuar të shihnin mbërritjen e tyre dhe së paku fillimisht, zotëronte në përgjithësi një entuziazëm. Ushtarët e grumbulluar u strehuan nëpër hane”. (299)
Në ato ditë, u plotësuan strukturat ushtarake të Komiteti i Lidhjes së Prizrenit për Shkodrën, ku komandant, u bë Hodo Beg Sokoli dhe zëvendëskomandant, Prengë Bibë Doda. Pjesëmarrjes së Prengës në komandë, i kushtoi rëndësi shtypi i kohës. Revista ”Leka”, e vitit 1939 boton shkrime të asaj kohe, në lidhje me këtë fakt: “Tash disa ditë, përhapet lajmi se komanda ma e naltë e Lidhjes Shqiptare, i asht lëshue Prengë Bibë Dodës, kreut të mirditasve dhe thuhet po ashtu se, ndër ditët e fundit në Shqipni, janë vu nëpër arka pagesat nga popullsia, jo ma në fitim të qeverisë turke, por në favor të Lidhjes Shqiptare, të cilës do t’i duhet t’i përdorë, për me mbajt në kambë lëvizjen e tashme. Kjo rrethanë do të ishte dhe një provë ma tepër, se fati i Shqipnisë së Veriut, nuk gjendet ma në duert e qeverisë turke, qysh se Komiteti i Lidhjes, disponon të ardhunat e Provincës për qëllimet e Lëvizjes së tashme”. (300)
Ndërsa Sen Katen, i ngarkuar me punë i Francës në Cetinë, informon Frejnises, Ministër i Jashtëm në Paris: “Sipas lajmeve që vijnë nga Shkodra, shqiptarët duket se kanë një forcë prej 10 mijë ushtarësh, që brenda katër orëve, mund të arrijnë në 18 mijë veta. Siç dihet, ata kanë qëllim që të sulmojnë së shpejti malazeztë, në mënyrë që të tërheqin vëmendjen e Europës, për çështjen shqiptare. Të gjitha këto forca, janë nën urdhrat e Hodo Beut dhe të Prengë Bibë Dodës”. (301)
Mobilizimi luftarak, binte ndesh me vendimet e Fuqive të Mëdha, prandaj konsujt e tyre në Shkodër, nuk e mbështesnin qëndresën shqiptare. Konsulli austriak në Shkodër, kishte marr udhëzime nga qeveria e tij, për t’i thënë Prengës, se; ”përfaqësuesit e Austrisë dhe të Francës, kanë folur në favor të autonomisë së fisit të tij, prandaj do ta humbasë përkrahjen e këtyre dy fuqive, në rast se do të bashkohet me qëndresën, që po bëhet kundër vendimeve të Europës. (302)
Traktati i Berlinit, sipas nenit 64 të tij, do të hynte në fuqi pasi të ratifikohej nga Fuqitë e Mëdha, ratifikim që do të përfundonte brenda tri javëve, deri më 3 gusht 1878. Pastaj qeveria e Stambollit, duhej të fillonte bisedimet me Cetinën, për shkëmbimin e territoreve me Beogradin, për përcaktimin në hollësi të vijës përfundimtare të kufirit dhe me Athinën, për caktimin e kufirit të ri turko-grek. (303)
Mali i Zi, priti ratifikimin e marrëveshjes dhe kërkoi me urgjencë zbatimin e vendimeve për aneksimin e territoreve autoktone shqiptare. Në telegramin që Princi i Malit të Zi, i dërgoi Portës, thuhet: “Për mirëqenien e vetë banorëve dhe për t’i larguar të gjitha komplikimet, është e shumë e dëshirueshme që vonesa, mos të tejkalojë datën e caktuar nga Traktati i Berlinit, prandaj është me rëndësi kjo kohë, në mënyrë që të mos i jepte mundësi rritjes së frymës së rezistencës, që me keqardhje, them se ekziston, rezistencë kjo në Guci, në Plavë dhe në Kollashin, pastaj në Shpuzë dhe në Podgoricë, më tepër rezultat i nxitjes nga autoritetet e Shkodrës, sesa nga lëvizja spontane të banorëve të këtyre lokaliteteve”. (304)
Sipas fjalëve të Baronit, Orçi, sekretar i Ministrisë së Jashtme të Austro-Hungarisë, që ia kishte thënë gjatë një takimi të zhvilluar më 23 gusht 1878, H. Eliotit, ambasadorit të Britanisë së Madhe në Vjenë, “konfliktet që po zhvilloheshin ato ditë në afërsi të Podgoricës, tregonin se edhe sikur Porta e Lartë, të jepte urdhër për zbrazjen viseve që i takonin Malit të Zi, ai nuk priste që shqiptarët të bindeshin dhe t’i linin vetëm me një urdhër ato vise. (305)
Lufta e Lidhjes, kishte ngritur në këmbë edhe diplomacinë ndërkombëtare, për të gjetur zgjidhjen e kësaj çështje. Në një telegram të Kirby Green, dërguar Markezit të Salisburit, më 14 tetor, ndër të tjera shkruhet: “Kam nderin të raportoj se, sipas lajmit që erdhi nga Cetina, malazezët kanë pushtuar territorin e Gucisë dhe të Plavës, vende këto të fituara, sipas Traktatit të Berlinit, por besoj sa ata, në të vërtetë kanë përparuar vetëm në disa pozita komanduese mbi Guci, ku janë duke mbledhur forcat, pajisjet dhe municionet e tyre për luftë. Prej Ali Pashës nga Gucia, arritën persona që kërkonin ndihma dhe pohuan se të gjithë vullnetarët, do të armatosen dhe do të furnizohen lirisht me ushqim”. (306)
Sa e përgjakshme ishte lufta kundër Cetinës dhe përkrahësve të saj, dëshmohet prej një telegrami tjetër, të Kirby Green, dërguar Markezit të Salisburit, më 11 dhjetor 1879: “Ndërprerja e të gjitha lidhjeve telegrafike dhe postare e, stuhia që mbizotëroi, me pengoi që t’i raportoj më herët Shkëlqesisë Suaj, mbi një konflikt që shpërtheu në mes të shqiptarëve dhe malazezve, në kaza të Gucisë. Në letrën e dërguar nga myslimanët shqiptarë, bëhet fjalë se dy batalione të malazezve, e kishin kaluar lumin Lim dhe kishin pushtuar fshatin Novshiq (Nokshiq), por banorët e Plavës dhe të fshatit Përnjavor, të ndihmuar nga vullnetarët e anës së Prizrenit, arritën të enjten në mëngjes dhe u vendosën në mes të lumit dhe malazezëve, duke u kacafytur gjoks për gjoks. Pasojat dhe rezultatet e asaj beteje, ishte masakrimi i plotë i forcave malazeze. Niveli i rritur i lumit Lim, i pengoi të dy palët, që të ikin dhe 60 koka të prera, u sollën në Guci në shenjë triumfi”. (307)
Lufta e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për të mbrojtur Plavën dhe Gucinë, kishte arritur të imponohej si një “çështje shqiptare”, në diplomacinë evropiane. Kjo vërehej nga telegrami që ambasadori francez, në Stamboll, Furnie, i dërgon Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Francës, Frejzines, duke theksuar se: “Mos zgjidhja e çështjes së Gucisë, rrezikon paqen e përgjithshme, ndërsa çështja shqiptare është bërë një realitet, që kërkon zgjidhje të ngutshme”. (308)
Cetina nuk arriti ta pushtonte Gucinë dhe Plavën, pavarësisht se Mali i Zi, kishte mbështetjen e Serbisë dhe Rusisë. Në janar të vitit 1880, Porta, i sugjeroi përfaqësuesit italian, kontit Corti, për të ndërmjetësuar rreth çështjes së kufirit, që Lidhja e kundërshtonte me forcën e armëve. Italisë, i’u dha rasti që ndërmjetësuesi i saj, të zvogëlonte ndikimin austriak në veri të Shqipërisë. Përfaqësuesit e shteteve të mëdha, i propozuan një variant të ri Portës, duke lënë të hapur mundësinë, për të bërë lëshime në favor të Cetinës, duke i dhënë Hotin e Grudën, ose Ulqinin. (309)
Më 12 prill, iu bë një propozim tjetër Fuqive të Mëdha, por Lidhja Shqiptare, kishte kundërshtuar në çdo formë, lojën politike që në vend të Gucisë dhe Plavës, t’i jepej Malit të Zi, Hoti dhe Gruda. Sipas diplomatit austro-hungarez, Calice, “megjithëse territori i Grudës dhe Dinoshës s’ka vlerë, shqiptarët e Veriut, s’do ta lejonin dhe Turqia nuk ishte në gjendje të rezistonte kundra tyre, se ata do të mblidhnin një ushtri prej 15-20 mijë burra, për shtypjen e të cilës, Turqisë i duhej një ushtri, tri herë më e fortë”. (310)
Vajtja e Prengë Bibë Dodës në Tuz, u prit me solemnitet dhe nderime të mëdha. Prej frontit të luftës, Hodo Begu dhe Prengë Bibë Doda, me 15 maj, lëshuan një qarkore, ku i bënin thirrje popullsisë që nuk ishte në kufi ma Malin e Zi, të dërgonin kontingjentet e tyre, të luftës. (311)
Gjatë kësaj kohe, “Prengë Bibë Doda, -sipas konsullit anglez në Shkodër, merr fonde nga të krishterët e pasur të Shkodrës, për nevojat e luftëtarëve të tij, ndërsa Kleri Katolik, ka dalë në plan të parë. Të gjithë kongregacionet: jezuitët, françeskanët dhe kleri famullitar vendës, predikojnë bashkimin e shqiptarëve dhe urrejtjen kundër sllavëve”. (312)
Forcat shqiptare ishin vendosur në pozicione të ndryshme përballë malazezëve. Vetë Tuzi, mbrohej nga 1100 mirditas dhe 500 lezhjanë. (313)
Përballë vendosmërisë shqiptare, forcat malazeze nuk guxuan të sulmojnë dhe iu drejtuan Fuqive të Mëdha, ku kërkuan që ta detyronin Portën e Lartë, të zbatonte vendimet e marra. Më 24 dhjetor 1879, drejtuesi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Radoniç, i dërgoi një letër proteste përfaqësuesve të shteteve të akredituar pranë në Cetinë, mbi mosdorëzimin e Gucisë nga ana shqiptarëve. Përfaqësuesi i Cetinës, kërkonte ndihmën e Fuqive të Mëdha, për të arritur objektivat malazeze dhe një dëmshpërblim rreth dy milionë franga. Ndër të tjera, në atë letër proteste, shkruhet: “I deklarohem pra Portës së Lartë që, derisa të zbatohen përfundimisht Traktati dhe derisa ajo të paguajë shpenzimet që jemi duke bërë, qeveria e Mali të Zi, megjithëse ky është një kompensim i vogël, vendos sekuestrimin e të gjitha pasurive të myslimanëve të mërguar në territorin e aneksuar të Malit të Zi, në bazë të Traktatit të Berlinit”. (314)
Pasi, pranuan në parim, të hiqnin dorë nga Protokolli i Stambollit, Fuqitë e Mëdha, miratuan më 15 qershor 1880, propozimin e Anglisë e të Austro-Hungarisë, për t’i dhënë Malit të Zi, në vend të Hotit e të Grudës, qytetin bregdetar të Ulqinit, së bashku me rrethinat e tij.
Kur forcat shqiptare ishin në frontin e luftës, autoritetet osmane, nuk pranuan t’i furnizonin mirditasit me armë të reja, sipas premtimit të dhënë dhe siç bënë me të tjerët. Në shenjë revolte, 200 mirditorë të ndarë në grupe të vogla, pastaj 200 kryengritës nga Puka, bashkë me 50 mirditorë të tjerë, ishin kthyer në shtëpi. Edhe të tjerët, bashkë me shefat e tyre, kishin vendosur të largoheshin nga Tuzi, kështu që Prenga, në rast se do të qëndronte, mund të kishte me vete vetëm 100 mirditorë. Largimet e forcave të Mirditës, u bënë në vijimësi. Për t’i rikthyer në front, Kapidan Gjoni, u përpoq që 300 mirditorët e larguar, me thirrjen e Prengës, t’i kthejë mbrapsht”. (315)
Pavarësisht nga pakënaqësitë ndaj autoriteteve osmane të Vilajetit, Prenga, qëndroi vetë në Tuz, sepse po t’i tërhiqte forcat, do të dyshohej se ishte i lidhur me sllavët. Mandej, ishte i gatshëm t’i sillte përsëri të ikurit, nëse autoritetet, do të mbanin premtimet. Këtë gatishmëri të mirditasve, e kishte vënë re dhe konsulli austro-hungarez: “Me thënë të vërtetën, autoritetet e vendit, qysh prej disa ditësh, nuk janë më aq të qetë. Duket se mirditasit, do të ishin të gatshëm të vraponin përsëri nën flamujt e Lidhjes, po qe se kjo u shpërndanë armët, që deri në këtë orë, u kursyen për dyshime dhe mosbesime”. (316)
Nuk ishte vetëm çështja e armëve, që do të binin në dorën e luftëtarëve që në të ardhmen do t’i përdornin kundër turqve, por edhe shqetësimi i Valiut Izet Pasha, për rritjen e ndikimit të Prengë Bibë Dodës, në të gjithë malësitë katolike. Kjo masë, do t’ia zbehte sado pak autoritetin Prengës, qoftë edhe me çmimin e largimit të mirditasve, nga lufta. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
- Zekeria Cana, Politika e Serbisë kundrejt çështjes shqiptare 1903-1913, Prishtinë 2006, f.252-253
- Lef Nosi, Dokumente historike, botim i Akademisë së Shkencave, Tiranë 2007, f.244-245
- Kahreman Ulqini, Bajraku në organizimin e vjetër shoqëror, f.44
- “Leka” revistë mujore kulturale, Nr.VII-XII, vjeti 1939, numër i veçantë Lidhja e Prizrenit, shtyp «Zonja e Papërlyeme», f.248; Giuseppe (Zef) valentine, Studime albanologjike, ballkanologjike dhe bizantine, vëllimi II, botimet “55”, Tiranë 2010, f. 358-359
- “Leka” revistë mujore kulturale, Nr.VII-XII, vjeti 1939, numër i veçantë Lidhja e Prizrenit, shtyp «Zonja e Papërlyeme», f.248; Giuseppe (Zef) valentine, Studime albanologjike, ballkanologjike dhe bizantine, vëllimi II, botimet “55”, Tiranë 2010, f. 358-359
- Lë Re, Konsull i Francës në Shkodër, Frejsines, Ministër i Punëve të Jashtme në Paris, Shkodër me 28 mars 1880, Shqipëria në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vëllimi I
- Lë Re, Konsull i Francës në Shkodër, Frejsines, Ministër i Punëve të Jashtme në Paris, Shkodër, 8 prill 1880, Shqipëria në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vëllimi I
- Lë Re, Konsull i Francës në Shkodër, Frejsines, Ministër i Punëve të Jashtme në Paris, Shkodër, 9 prill 1880, Ligor Mile, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet franceze, vëll. I-II, Tiranë: 1978-1979
- A.Q.SH, Fondi 143, dosja 1060, fleta, nr. 48-49
- Lë Re, Konsull i Francës në Shkodër, Frejsines, Ministër i Punëve të Jashtme në Paris, Shkodër, 9 prill 1880,
- Lë Re, Konsull i Francës në Shkodër, Frejsines Ministër i Punëve të Jashtme në Paris, Shkodër 21 prill 1880, Shqipëria në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vëllimi II
- Shkelqesis së tij Halid Beut i Derguem i jashtzakonshëm dhe Minister fuqiplot i Turkis në Cetinë. Cetinë, 13/25 prill 1880., shih në “Leka” revistë mujore kulturale, Nr.VII-XII, vjeëti 1939, numër i veçantë Lidhja e Prizrenit, shtyp «Zonja e Papërlyeme», f.274-275
- Për Ministrin e Punve të Jashtme: Petrovitch Njegoschi. Nr. 167, lajmim nga Cetina 28. Prill 1880, shih në “Leka” revistë mujore kulturale, Nr.VII-XII, vjeti 1939, numër i veçantë Lidhja e Prizrenit, shtyp «Zonja e Papërlyeme», f.280-281; Lë Re, Konsull i Francës në Shkodër,Frejsines Ministër i Punëve të Jashtme në Paris, Shkodër 21 prill 1880, Shqipëria në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vëllimi II
- 298. St. A. P. A. VII/38, Nën-Konsulata per. e mbr. Austro-Ungare. Nr. 33 Res, Kavalier de Thoemmel,Cetinë. Tivar, I Maj 1880, shih në “Leka”, revistë mujore kulturale, Nr.VII-XII, vjeëti 1939, numër i veçantë Lidhja e Prizrenit, shtyp «Zonja e Papërlyeme», f.283-284
- A.Q.SH.Tiranë, fondi 143, dosja nr. 1060, fleta nr. 22
- Leka” revistë mujore kulturale, Nr.VII-XII, vjeëti 1939, numër i veçantë Lidhja e Prizrenit, shtyp «Zonja e Papërlyeme», f.274-275
- Sen Katen, i ngarkuar me punë i Francës në Cetinë, Frejnises, Ministër i Jashtëm në Paris, Raguzë 22 maj 1880, Shqipëria në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vëllimi I
- Henri Elliott, ambasadori anglez në Vjenë, Kontit Granville në Londër, telegram Nr.51, datë 7 maj 1880.
- Ilijaz Rexha. Lidhja e Prizreni në Dokumentet Osmane, Arkivi i Kosovës, Prishtinë, 1978, Dokumenti 4, f, 32; Skënder Rizaj Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet angleze, Arkivi i Kosovës, Prishtinë 1978, dokumenti 13, f. 77; dokumenti 14, f, 79.
- Skënder Rizaj. Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet angleze, dokumenti 13, f. 77-78.305. Kristo Frashëri. Lidhja e Prizrenit dhe çështja kombëtare shqiptare në ditët e sotme, Tiranë, 1989, f. 244
- Skënder Rizaj Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet angleze, dok.29, f. 130.
- Skënder Rizaj Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumentet angleze, dok.29, f.130
- Ligor Mile. Shqipëria në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Dok.13, f. 42-45.
- K. Prifti, Xh. Gjëçovi, M. Korkuti, G. Shpuza. Historia e popullit shqiptar II, 2002, Tiranë, Botimet Toena, fq.194-195; Stavro Skëndo. The Albanian National Awakening 1878-1912, Phoenix, Tiranë, 2000, f.67.
- Ambasadori austro-hungarez në Stamboll, Calice letër minsitrit të Jashtëm Haymerle, Bujukdere, 12 tetor 1880, AQSH, FQ.143, viti 1880, D.1042, f.288-291.
- PRO. FO. 881/4268, Relacion i Kirby Greeen, konsulli anglez në Shkodër drejtuar kontit Granville në Londër Nr.107
- PRO.FO.881/47268, Relacion i Kirby Greeen, konsulli anglez në Shkodër drejtuar kontit Granville në Londër, 16 maj 1880
- HHSt-PA-Vj.-1-141-1379, Relacion i Konsullit austro-hungarez në Shkodër Lippih drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme në Vjenë, 15 maj 1880
- Ligor Mile. Lidhja Shiptare e Prizrenit në dokumentet franceze, dok. 26, f.326-331.
- A.Q.SH. Tiranë. Fondi 143, dosja 1060, fleta nr. 61
- St. A. Jt. A. XVII/42. Nënkonsullata per. e mbr. Austro-Ungare. Nr. 94 Rez, zot. Kalorsit de Thoemel, Cetinë. Tivar, 26 shtatuer, shih në “Leka”, revistë mujore kulturale, Nr.VII-XII, vjeti 1939, numër i veçantë Lidhja e Prizrenit, shtyp “Zonja e Papërlyeme”, f.364-365
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016