Nga Fritz Radovani
Pjesa e parë
DERI KUR N’SHËRBIM T’ANMIKUT?! PËRGJEGJET KOL MIRAKAJ
LETËR E HAPËT, Z. ABAZ ERMENIT
Nju Jork – Qershor 1967
Memorie.al / “…Besoj se shprehi ndjesitë e mbarë Popullit Shqiptar, se po të jetë që fqinjët tone, e kuptojnë nevojën e bashkëjetesës paqësore e bashkëpunimin leal të fqinjësisë së mirë, tue na kthye të Drejtat që na përkasin, Populli Shqiptar, dishron miqësi të sinqertë edhe me Grekët dhe me Sllavët e Ballkanit.”
Kolë Mirakaj (1967)
M’a beso z. Abaz Ermeni (dhe ju ndjeksat e tij) se bash po më dhemb zemra, që më shtërnguet t’u ap këtë përgjegje botnisht, pse e dij që polemikat, nuk i sjellin asnji dobi çashtjes së dhimbëshme e të vështirë, që fati i randë na ka ngarkue të gjithë atyne që e quejnë veten antikomunista e atdhedashës.
Megjithëse në ketë letër të hapët, më duhet me dokumentue çështje të përgjithshme të zhvillimit historik të ngjarjeve e veprimeve (sado shkurtimisht), përgjegjësinë e këtij dokumenti, e ngarkoj mbi veten time, meqë nuk jam këshillue me askend, përpos ndërgjegjes sime.
U mbushën 22 vjet, në ketë mërgim të zi, e nuk u mbushet mendjet se mosbashkimi i grupeve antikomuniste, sulmet kundër forcash të shndoshta kombëtare e, sabotimet kundër atyne që dojshin e dijshin me veprue për shpëtim t’Atdheut, kjenë faktori kryesor, që e sollën komunizmin në fuqi, e jo forca e tyne vetë. Të njajtin veprim që batë në Shqipni, po bani tash e 22 vjet edhe në mërgim, pa mujtë të merrni asnji mësim, nga e kaluemja.
Vazhdoni akoma edhe sot mbas 22 vjetësh, që popullin Shqiptar e ka mbulue zija, përpiqeni me denigrue forcat kombëtare antikomuniste, tue sulmue vazhdimisht ‘Bllokun Kombëtar Indipendent’ dhe udhëheqësat e tij, e jo vetëm Bllokun po këdo që nuk i asht shtrue vullnetit tuej egoist.
Njizetedy vjet, kemi heshtë, para trillimeve e edhe fyemjesh Personale, që keni hjedhë kundra nesh paburrnisht, jo pse na ka mungue guximi ose argumentat, por vetëm për hir të çështjes kombëtare; për të lanë shtegun hapët për bashkim, të të gjitha forcavet antikomuniste, tue përfshi edhe juve; për bashkim të shpirtnave të Shqiptarëve, pse jemi të vetdijshëm se edhe po të zhduket regjimi komunist, për nji shkak ose nji tjetër, ka me na u dashtë të përballojmë rreziqet që mund t’i kërcnohen Atdheut, nga ndokush tjetër e, sidomos Greqia, që ç’prej 1913-tës e këndej, nuk hjekë dorë nga pretendimet grabitqare mbi Korçën e Gjinokastrën.
E qé, edhe ndjesitë e mija n’atë çeshtje: E dini mirëfillit se; komunizmi më ka tha loçkën e zemrës; më ka mbytë në gjak e rroposë, gjithçka asht e kandëshme për jetën e njeriut. Megjithëkëtë, po të jetë që Greqia o kushdo tjetër, sulmon Shqipninë, për të grabitë Tokë shqiptare, unë edhe me Enver Hoxhën kishem me i’u vu në dispozicion, kështu në moshë pleqnijet e i gjymtuem si jam, në mbrojtje t’integritetit toksor t’Atdheut, si ushtar i thjeshtë e pa asnji konditë. E pra, jam edhe i dënuem me vdekje, nga ai regjim.
Tash 22 vjet edhe ma parë, na kemi kërkue bashkëpunim e vllaznim; ju përherë keni predikue mëninë e keni veprue për shkatrrim të forcave kombëtare. Këtë e dokumenton edhe shtypi i të dy palëve. Kjo mënyrë veprimi e jueja dishmon, se ju dashtë o padashtë, jeni tue i shërbye anmikut të përbashkët Komunizmit e anmiqëve të tjerë të Kombit Shqiptar.
Kur tham ju, nuk të drejtohem vetëm ty z. Abaz Ermeni, po njisoj edhe udhëheqësve të tjerë të Partisë Agrare Internacionale, që edhe Ty, si të ndjemit Mit-hat Frashërin, duen të mbajnë rob të vullnetit të tyne, të çapërdisun, me lajka për qëllimet e tyne t’errta. Unë e dij që Ti, je antikomunist e, nuk t’a mohoj as ndjenjën patriotike, as guximin trimnor, po kishem me të këshillue, të shikosh mirë çka ké për rreth e qark. Rueju, mos të bini viktimë, siç ra i ndjemi Mit’hat Beu!
Sa me paknaqësi e mora vendimin, me u përgjegjë njiherë e përgjithnji, e din ndërgjegja e ime, por mbasi edhe tash mbas 22 vjet tragjedije të Vendit tonë, po vazhdoni rrugën e shpartallimit të forcave kombëtare, me trillime e gënjeshtra që synojnë të fallsifikojnë historinë, ka ardhë koha që mërgata antikomuniste dhe opinioni i përgjithshëm shqiptar, mos të mbeten përherë t’ue ndigjue vetëm zanin shtremnues të fakteve, po të ndigjojnë edhe zanin e fakteve, zanin e së vertetës.
Për të kjartësue gjithshka, nuk mjafton nji shkrim i kufizuem si kjo letër, po duhet nji libër, i cili asht i përgatitun tash 16 vjet (i ruejtun ndër tri kopje në vende të ndryshme) e që auktori nuk ka dashtë ta botojë akoma, për të mos u ba pengim, për bashkërendim të forcave kombëtare, në nji llogore të vetme antikomuniste, me që e vërteta e dokumentueme, mund të dilte e hidhun për ndokënd, e ndoshta ndonjë Idhull, mund të rroposet përdhé.
Siç e shifni z. Abaz Ermeni, jam tuej u përpjekë të mbaj stil shkrimi si u ka hije njerzëve të qytetnuem e si lypë burrnija shqiptare me u sjellë ndaj kundershtarit, që luftohet, po njiherit nderohet, e jo me fjalë banale, siç e ka zakon ana e juej.
Erdha në Shtetet e Bashkueme t’Amerikës, mbas 22 vjet mërgim për me fitue bukën me djersën time, pse nuk ma lejonte ndërgjegja, t’u bije në qafë dashamirëve e atyne, që më besojnë t’u hjekë kafshatën e bukës së fëmijëve. Natyrisht, me mundësitë e mija të vogla, me u përpjekë edhe me dhanë kontributin tim modest, për çështjen kombëtare, për të cilën nuk kam kursye asnji therori, që nga rinia, gati fëmijë.
Që se erdha këtu, kam folë vetëm fjalën e moderacionit, fjalën e Vllaznimit, që synon t’arrihet në vllaznim e bashkëpunim të Shqiptarëve antikomunistë, të Shqiptarëve të vërtetë atdhedashtësa.
Këtë kanë ndigjue nga unë, miq e kundërshtarë, pse pa bashkim, nuk mund të bahet forcë as morale as materiale, e pa forcë nuk mund të kryejmë misionin e randë, që fati i randë e zhvillimi historik, na kanë ngarkue.
Njizetedy vjet mërgim, para se të vijshe këtu, jetova si munda n’Itali, tue fillue ndër kampe për refugjatë, mandej ndër komunitete fetare, për sevap, e mandej me djersën time, kur mujta të gjejë ndonjë punë çfarëdo.
Mbasi kaluen gati tre muej mbas ardhjes time këtu e, nuk ndigjova se morët ndonji qëndrim ekstremist kundra Bllokut Kombëtar Indipendent, as kundra meje personalisht o ndokujt tjetër t’anës s’onë, dhe vizitat miqësore që më banë disa ‘agrarista’ jo të rendit të dytë dhe hallet vllaznore e kombëtare që dertuem, mendova se edhe Partia Agrare, tashma paska arrijtë, në kuptim të nevojës së bashkëpunimit kombëtar me tjerat grupe politike antikomuniste, e kjo më gëzoi mjaft, po edhe na ishim prap gati të harrojmë shpifjet e fyemjet personale e, t’u shtrijshim dorën vllaznisht edhe juve. Paskem pasë qenë gabue.
Po ka do kohë që Celula (a si e queni?) e juej këtu në New York, ka fillue një fushatë t’egër, me anë të radios kundra B.K.I. e kryesisht, kundra Prof. Dr. Ernest Koliqit e meje. Ku e keni hallin dhe synimin?
Nëqoftëse mendoni se me kët mënyrë, i bani sylesha bashkëatdhetarët tuej, t’u besojnë se t’ue denigrue patriotë që patriotizmin e kanë dishmue, me therorina eprore e jo me fjalë demagogjike, kështu i shërbehet çashtjes kombëtare e, kështu luftohet bolshevizmi, dinje se i nençmoni teper Shqiptarët dhe i fyeni randë, madje ma tepër se askënd, vetë ndjekësat tuej.
Po të mendoni se me sisteme të tilla, ia doli Enver Hoxha, prandej me të tilla sisteme, do t’ua delni edhe ju, aq ma keq. Nji pjesë e Shqiptarëve u gënjyen njiherë, nga premtime që isollën mjerimin, po nuk gënjehen ma. Kushdo që t’i paraqitet popullit me të atilla sisteme e, me mëni kundra vllaznish të gjakut, nuk fiton gja tjetër, veçse përbuzje. Eh, lum bashkëatdhetari! Keni kalue çdo kufi.
Janë ndigjue disa herë agraristat tuej, tue thanë njerzëve se; po nuk jé me Ballin Agrar, nuk jé Shqiptar! Deri në kët cak, i keni fanatizue naivët?! Në kët ekstremizëm, nuk ka arrijtë as Komunizmi! Komunizmi, kundërshtarët i ka quejtë reaksionarë, anmiq të popullit e tradhëtarë; por cilësinë Shqiptare, nuk ua ka mohue.
E ju, proklamoheni demokratë antikomunistë, po në anën tjetër, vepra e juej pothuej se e shkapërcen sistemin komunist, n’ekstremizëm e fatkeqësisht, dashtë e pa dashtë, jeni tue i shërbye anmikut të përbashkët, martirizuesit të popullit Shqiptar, komunizmit, e njiherit anmiqëve të tjerë të Shqipnisë.
Ti z. Abaz Ermeni dhe ju të tjerët udhëheqësa të Partisë Agrare, e dini mirëfillit se; demokracia e ka burimin té toleranca e respektimi i mendimeve të ndryshme. Në bazë të këtij mendimi, askush prej nesh, nuk ka të drejtë me gjykue o nënçmue tjetrin, por vetëm me ba kritikën korrekte, ndërtuese. Kjo e drejtë i përket vetëm Popullit Shqiptar, kur të vehet në gjendje të shprehet lirisht dhe Historisë, mbasi të kenë kalue në jetë tjetër protagonistat e ngjarjeve.
Ekstremizma e stilit të sistemit Bolshevik, që u thotë komunistavet (Lenin-i) “Hudhnje Genjeshtren” në qarkullim kundra kundërshtarëve; përsëritnje dy herë, dhjetë herë, njimijë herë, pse dikur ka per t’ia truellue trutë edhe atij që e din se asht gënjeshtër, gati me e besue edhe ai, si të vertetë. Ky sistem, u ka shti në rrugë të gabueme.
Të krijoni çfardo lloj gënjeshtrash jo vetëm kundra nesh të B.K.I. po kundra kujtdo që nuk i shtrohet kryengurtësisë s’uej. Kët vërteton qëndrimi që keni marrë edhe kundra patriotësh të Ndritëshem, si: Nuredin Vlora, Ali Klisura, Koço Muka, etj., udhëheqësa të Ballit Kombëtar, që mbasi nuk munden t’ua mbushin menden ju, të hiqnit dorë nga rruga rrënimçare, ata nuk ecën ma në rrugën tuej.
Derisa u ndatë prej Tyne, e mburreshit me naltësinë morale, politike e patriotike, të Atyne Veteranëve dhe jam i sigurtë, se njilloj do ta kishit denigrue edhe të ndjemin Mit’hat Frashëri, po t’mos ia kishit dalë me miklimet t’ueja, t’i terratisni mendjen e t’i tharbëtoni zemrën.
Sot që Mit’hat Frashëri ka kalue në Jeten e Amshueme, unë përulem para kujtimit të Tij e, si biri i nji familje që ka lanë emën të lumnueshem në historinë kombëtare, e si Ai vetë, që ishte atdhedashës i pa zhigla, i Cili, po për At emen që mbante, ndofta ka qenë (e patën kujtue), personaliteti ma i përshtatshëm i kësaj mërgate, që në bashkëpunim me të tjera mendje të ndrituna, do të kishte mundë me bashkue, me vllaznue e udhëheqë përsëmbarit kët mërgatë.
Na të B.K.I.-së, ua kemi ofrue ketë mundësi e vetveten në dispozicionin e Tij; pa kushte, mjaftonte që Ai t’ishte Babë i paanëshem. E Ai e çmonte dhe e pranonte këte inisiativë, por mbas takimit me rrethin e Tij, e zmbraptë…!
Dy herësh e ka thirrë historia në pikëpjekje, Mit’hat Beun:
- Në Shqipni mbas dorëzimit t’Italisë, me bashkue të gjithë Shqiptarët, në luftë kundër komunizmit, me ia shporrë qafet kët kolonë të pestë të sllavizmit, Kombit, për të muejtë me sigurue për kohën që pritej, mbrojtjen e Atdheut në përgjithësi, gja që edhe unë personalisht, ia pata sugjerue e ofrue në Gusht të 1944-ës. Nji vepër e tillë, do ta kishte shpëtue Shqipninë, pa ra ndër kthetrat e tiranisë komuniste, e ndoshta, edhe Kosovën.
- Gjatë viteve 1946-’49, kur i kërkojshim të marri Flamurin e Bashkimit, e t’na printe!
Ndër të dy herët, ju ekstremistët që dominojshit vullnetin e Tij, e ndaluet pa i dalë në pikëpjekje Historisë! Historia vazhdoi rrugën e vet, e né Shqiptarëve, na la mbrapa në fatin që gjindemi sot. Ky asht shkaku që mërgata Shqiptare gjindet sot në kët gjendje!
E ndofta, ky asht edhe shkaku që ç’prej 1948, kur komunizmi i Shqipnisë, i prishun me Jugosllavi e akoma jo i forcuem nga Rusia, ishte ndër grahma të fundit, po dhe na kishim nji rezistencë t’armatosun ndër Malet e Veriut, mirë të organizueme dhe që kishte penetrue në Ushtri, e deri në Polici, për kryengritje të përgjithëshme, që po t’i kishim dhanë na të mërguemit pak shpirt e ndihmë, ka fort gjasë që, ç’atëherë, komunizmi në Shqipni, do t’ishte përmbysë.
E ju akoma sot, vazhdoni të mburreni për çka i keni ba Bashkimit të Shqiptarëve e, vrasjes morale të Mit-hat Frashërit! (Shih fletoren “Flamuri”, 28 Shkurt 1966, nr. 148-151, kolona e gjashtë).
Jeni turrë kundër Mbretit Zog, simbol i sovranitetit të Shqipnisë, tue i ngarkue çfardo të keqje, pa i njohë asnji meritë. E pra, asgja tjetër mos me dashtë me i njohë Atij Mbreti të Shqiptarëve, në jetën e Tij politike, që prej Kongresit të Lushnjes e deri në vdekje, e mandej si kryetar shteti, njerëzit e ndërgjegjshëm (ndjekësa o kundërshtarë), ashtu edhe historia: Ia njohin që kje Ai, që mundi të krijojë nji Shtet Shqiptar, me administratë të mbrendëshme politike e diplomaci të jashtme, të njoftun nga gjithë bota dhe rendin publik me qetësi shembullore.
Jeni turrë kundër Ernest Koliqit, me mënyra zhburrnore e banale, çka nji nxanës i dikurshëm i Tij, si ju, z. Abaz Ermeni, nuk duhej kurrë ta kishte lejue, pse nuk e pranon as burrnia shqiptare, as moraliteti i njerëzve të qytetnuem. Të tjerë ish-nxanësa të Tij, e jo ma ultë me kulturë se z. Yte, dhe me ndjenja patriotike të flakta (si Isuf Luzaj), akoma sot e thërrasin Mjeshër.
Ky shkrimtar i kalibrit të madh, që në moshën e rinisë me novelat, artikujt e romanet e Tij, asht përpjekë vazhdimisht me vue në dukje (pah), virtytet e nalta të Fisit Shqiptar, tue predikue ruejtjen e tyne e, shortimin e të mirave të kulturës modern, mbi cungun e atyne virtyteve e zakoneve të mira, pa të cilat Shqiptari, nuk do t’ishte mâ Shqiptar.
Na nderon edhe sot me personalitetin e Tij të naltë, që i sjell kultura e shqueme edhe para botës së huej dhe prodhon gjithnji e mire, sa askush tjetër për kulturën e letërsisë shqiptare. Asgja tjetër mos të kishte ba Ernest Koliqi, për çeshtjen kombëtare, mjafton me e vue në rend të parë të patriotëve, vepra e Tij arsimore në përgjithësi e në veçanti, në tokat e çlirueme në Prillin Fatbardhë, të vitit 1941.
Mbas bashkimit të Kosovës dhe të tjerave vise Shqiptare me Atdheun, vinte në rend të parë, çeshtja e arsimit ndër ato vende ku nën mbretninë e Karagjorgjeviqëve, nuk ishte lejue as ma e ulta shkollë Shqipe. Qeveria e Romës, kërkonte me kambëngulje që të ndiqej shembulli i Italisë, kur kjo kishte aneksue Alto-Adixhe (Sud Tirol), pa u kujtue se mes dy rasteve, nuk kishte analogji me që Sud Tirolasit, ishin Austriakë të gjuhës gjermane, ndërsa Kosova e të tjera krahina të lirueme, ishin të gjuhës dhe të gjakut Shqiptar.
I deleguemi i qeverisë italiane, ekspert i Ministrisë s’Arsimit t’ Italisë, kërkonte që të fillohej të vihej Gjuha Shqipe ndër ato shkolla, nga nji klasë në vit, tue fillue nga e para fillore e nga e para gjimnaz, kështu, vetëm në krye të tetë vjetëve, mund të shqiptarizoheshin të gjitha klasët.
Qeveria e kryesueme nga Shefqet Vërlaci, e kundërshtonte projektin e Romës, por Ai që i dha grushtin kje Ernest Koliqi, që nuk pranoi asnji kompromis, e si përgjegjës i Arsimit, i paraqiti Mëkambësit të Mbretit dorëheqjen si protestim. Jacomoni, ndeshet nga nji anë me urdhnat e Romës dhe nga tjetra anë me qendrimin pakompromis të Koliqit, të cilit ia refuzon dorëheqjen në formë konfidenciale, tue e autorizue Koliqin me gjetë zgjidhjen e pabujshme.
Zgjidhjen e gjet Ernesti, tue e ba faktin e kryem. Mblodhi 250 arsimtarë (ndër të cilët ishit edhe disa nga ju agraristët e mavonshëm), i dërgoi në Tokat e Lirueme, gjoja me mbledhë folklor, por me urdhën taksativ: Me përgatitë hapjen e shkollave në Gjuhën Shqipe, për të gjitha klasët, që prej së parës fillore, deri tek e teta gjimnaz, për Shtatorin e atij viti, dhe ashtu u bâ.
Fondet e nevojshme, i kjenë dhanë në tjetër formë nga Mëkambësi i Mbretit dhe nga kryeministri Verlaci. Ishte guximi dhe mendja e hollë e Ernest Koliqit, që realizoi kët vepër të madhe kombëtare, që nuk u zhduk, as nuk mund të zhduket mâ. Kët e dini mirë edhe ju agraristët, po nuk e thoni, kujtoni se errësohet dielli me shoshë.
Dobija e letërsisë dhe e kulturës kombëtare, u këshillon të gjithë intelektualëve, të mblidhen rreth këtij kroni ditunije, e të punoni sëbashkut, për kulturë e letërsi Shqiptare. Leni hujet (inatet), e ambicjet e, vinju punës së mbarë. Me kohë, me mundim e inteligjencë edhe ju mund të baheni kroje të dobishme, gjigante si Ai!
Sot Kosovari, nuk mendon si e mendonte shumica me u bashkue me Shqipninë, se atje do të gjente një Turki të vogël, po e ndiejnë se hyjnë në gjiun e Nanës, në gjiun e Atdheut. Kjo shqiptarizëm e flaktë, që asht ringjallë ndër Shqiptarët e robnuem, asht meritë e shkollës Shqipe, e në kët meritë, vendin e parë e xen Prof. Dr. Ernest Koliqi.
E çka nuk keni lanë pa thane, kundër Mustafa Krujës, kundër asaj mendje të ndritun e, zemre të përvlueme nga atdhedashunia e cila, e shtërngoi të kalonte në mërgim ma shumë se 40 vjet ma të mirat e moshës së Tij, e së fundit në kët mërgim, po mos të kishin kenë puna e së motres së Tij dhe bujaria e Mbretit Zog, do të kishte mbetë me vdekë urijet.
E pra, dihet se Mustafa Kruja, të kishte mendue për veten e Tij, ka pasë mundësina me e sigurue jetesën dhe ekonominë në shkallën ma të kënaqëshme, por Ai, nuk pat mendue kurrë për vete, po për Shqipninë, t’i shërbente me çdo therori.
Çka keni thanë e, çka keni për të thanë kundër meje? – Se jam fashist, se paskam ardhë këtu me organizue grupin fashist. A e kam mohue ndonjiherë të kaluemen time? – As që kam ndërmend t’a mohoj në çfardo rrethane. E pohova edhe kur kjeshë arrestue në Brescia, nga policia italiane, në Maji të 1945-ës, atë kohë kur më vrau nji “fashist” edhe pa proces, që t’i quhej “meritë”, e pohova edhe para oficerit amerikan, që ishte i ngarkuem me kontrollue veprimet e policisë dhe pata provën se ata që ishin burra, respektoheshin!
Ai porsa i tregova arsyenat kombëtare, urdhnoi kuestorin të më lironte menjiherë, dhe prej atij çasti më deklaroi nën protekcionin e Armatës së V-të; ndërsa do t’ashtuquejtun bashkëpuntorë t’Aleatëve, ishin të ndrymë me i’a dorzue Enver Hoxhës, po të mos ndryshojshin rrethanat; pse nuk kishin dijtë të mbanin përherë nji rrugë qëndrimi.
Fjala fashist sot, asht krejt pa krypë e, kot mendohet se damton kush kënd, me at fjalë! Fashizmi ka kenë nji fenomen historik i kohës së tij e, që mbas mendimit tim, nuk duhet të kthehet mâ. Kët e përfitoi nji ish-socialist që quhej Benito Mussolini, për të shpëtue Atdheun e Tij, pa ra ndër kthetrat e anarkisë e të tiranisë bolshevike e që me kët lëvizje, e me ndihmën që i dha nacionalizmit spanjol, shpëtoi Europën!
Ishte nji fenomen i lindun nga nevojat e kohës. Në Shqipni, nuk ka pasë as fashizëm e as antifashizëm në kuptimin e fjalës; ka pasë vetëm korrente të ndryshme mendimesh, që të gjitha synonin me i shërbye Atdheut.
Na, nën hijen e fashizmit përpiqeshim të ruejmë e të forcojmë nacionalizmin shqiptar, dhe me atë veprimtari e lealitet nxorëm mjaft koncesione në dobi të çeshtjes kombëtare, dhe patme vu bazat për Shqipninë Etnike e sovrane për t’ardhmen. Tham se nuk ka pasë fashizëm e antifashizëm në Shqipni, pse fashizmi tek na nuk erdhi as si lëvizje kulturore – propagandistike – politike, as me lëvizje armësh si n’Itali e ngjetiu. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016