Dashnor Kaloçi
Pjesa e shtatë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore me siglën ‘Tepër sekret’ të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së) ku ndodhen proces-verbalet e takimeve të delegacionit të lartë partiak e shtetëror të Republikës Popullore të Shqipërisë, i kryesuar nga ministri i Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku, me delegacionin e lartë të Republikës Popullore të Kinës, i kryesuar nga kryetari i komisionit ushtarak pranë Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, Je Çen Ji, ku u diskutuan probleme të karakterit ushtarak, si dhe delegacioni i kryesuar nga ministri i Tregtisë, Kiço Ngjela, me delegacionin kinez të kryesuar nga kryetari i Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Kinës, Çu En Lai, ku u diskutuan probleme të karakterit ekonomik, pasi Shqipëria kishte nevoje emergjente për drithëra buke, por qeveria kineze nuk mund t’i ndihmonte dot, pasi si rezultat i thatësirës, ata nuk kishin realizuar dot planet dhe po blinin grurin që francezët e kishin importuar nga amerikanët! Dokumentet e panjohura që publikohen për herë të parë me proces-verbalet e plota të dy takimeve të zhvilluar në Pekin më datën 7 nëntor të vitit 1972, ku nga ana e delegacionit ushtarak shqiptar të kryesuar nga ministri i Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku (ku merrnin pjesë të gjithë drejtorët e drejtorive dhe shefat e llojeve të ndryshme të armëve të ushtrisë shqiptare), u kërkua që qeveria kineze të ndihmonte ushtrinë shqiptare, me armatime të të gjitha llojeve, duke filluar nga: armët e lehta të këmbësorisë (pushkë), artileri kundërajrore, tokësore dhe bregdetare, tanke, mjete të blinduar, anije, silura për flotën luftarake detare, armë kimike, pajisje dhe material xheniere, ndërlidhje, radio-lokacioni, mjete autotransporti, avionë dhe helikopterë, uzina të industrisë mekanike për riparimin e tankeve dhe transportuesve të blinduar, municione luftarake dhe lëndë plasëse, material prapavije etj., pasi sipas ministrit Balluku, ushtria shqiptare ndodhej në një gjendje mjaft të vështirë nga ana e armatimeve, sepse ajo dispononte armatime të Luftës së Dytë Botërore, të cilat i kishin sjellë sovjetikët që në vitet ’50-të.
Fondi: KOMITETI QENDROR I PARTISË SË PUNËS TË SHQIPËRISË
Marrëdhëniet me Partinë Komuniste të Kinës
Përmbajtja: TAKIMI I PARË I DELEGACIONIT USHTARAK TË RPSH (TË KRYESUAR NGA BEQIR BALLUKU) ME SHOKËT KINEZË JEH ÇEN JI, LI TEN SHEN, DHE XAN CAJ ÇIEN, DATË 7 NËNTOR 1972. BËHET FJALË: MBI MIQËSINË E BASHKËPUNIMIN LUFTARAK MIDIS DY PARTIVE, POPUJVE, DHE USHTRIVE TONA. MBI POZICIONIN GJEOGRAFIK TË SHQIPËRISË KU KRYQËZOHEN INTERESAT E PAKTEVE AGRESIONE TË NATO DHE TRAKTATIT TË VARSHAVËS, QËLLIMET SHOVINISTE E ANEKSIONISTE TË SHTETEVE QË NA RRETHOJNË. MBI MASAT E MARRA NGA PPSH, PËR MBROJTJEN E VENDIT DHE PARAQITJEN E DISA KËRKESAVE PËR FORCIMIN E MBROJTJES.
TAKIMI I PARË PLENAR I DELEGACIONIT TONË ME SHOKËT KINEZË, DATË 7.11.1972
Proces-verbali i takimit dhe bisedimeve të delegacionit shqiptar me në krye ministrin e Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku, me kryeministrin kinez, Çu En Lai, në Pekin, më 7 nëntor 1972
Shoku Beqir Balluku: Në fshatra ne kemi shumë popullsi. Ne e frenojmë ardhjen e popullsisë nga fshati për në qytet. Çdo largim nga fshati për nevoja të fuqisë punëtore tek ne, bëhet me shumë kujdes dhe e drejtuar nga komitetet ekzekutive të këshillave popullore të rretheve, duke mbajtur kurdoherë parasysh që të mos dëmtohet bujqësia as në fshat as në male. Pra edhe nëse ne marrim fuqi punëtore nga fshati kjo, bëhet me bilanc dhe regjim të fortë.
Shoku Çu En Lai: Edhe Koreja, e ka marrë këtë masë. Ju ndoshta nuk doni që të dëgjoni vërejtjet tona por ne dëshirojmë t’ju japim eksperiencën tonë.
Shoku Beqir Balluku: Ju lutem shoku Çu En Lai flisni.
Shoku Çu En Lai: Kohët e fundit ne kemi bërë mjaft ndërtime dhe kemi pasur shtesë të fuqisë punëtore me 18 përqind. Kemi shfrytëzuar mjaft krahët e punës, sepse Lin Biao si keqbërës, i ka shfrytëzuar disa shtigje që ka pasur në dorë. Ai, ka kontrolluar gjithë punën e ushtrisë dhe në këtë mënyrë, i ka sjellë shumë dëme industrisë së mbrojtjes ushtarake. Shokët, do t’ju thonë se kanë bërë shumë dëme. Kjo ka ndodhur sepse ai, ka dhënë detyra të ndryshme kontradiktore me njëra tjetrën. P.sh., prodhimin e helikopterëve ne, e kemi filluar që në vitin 1950, ndërsa deri tani akoma nuk e kemi zgjidhur përfundimisht këtë punë. Tani shokët kompetentë si shoku Jeh Çen Ji, por edhe shokë të tjerë të komisionit ushtarak, kanë filluar ta vlerësojnë e ta marrin në dorë seriozisht këtë çështje. Juve, a keni avionë të tipit MIG-19?! Mesa më kujtohet mua, keni më duket. Ju kemi dhënë dhe 12 copë Mig-21. Si e kanë cilësinë?!
Shoku Beqir Balluku: Deri tani, nuk kanë pasur ndonjë defekt.
Shoku Çu En Lai: Janë vënë re, disa defekte tek ata. Ata, janë prodhuar në Shenjan, kurse tani këtë sektor e kemi shpërngulur në Cheng Tu. Pas zbulimit të komplotit të Lin Biaos, janë vënë re shumë të meta, sidomos në punët e ushtrisë, prandaj do të organizojmë një kontroll të përgjithshëm. Përgjithësisht kjo ishte gjendja e vendit tonë. Revolucioni i madh kulturor-proletar, zgjati më shumë nga sa e kishim parashikuar ne. U bënë 7 vjet që nga viti 1966, dhe në këto 7 vite, ne kemi zhvilluar 2 luftëra të ashpra. Lufta e 9, ishte ajo kundër Liu Shao Çisë, ndërsa lufta e 10, ishte kundër komplotit të Lin Biaos. Lin Biao, ishte një komplotist i fshehtë. Ne, kemi rënë në mosmarrëveshje me të, që në Kongresin e 9 të Partisë. Rrezikshmëria e tij ishte se, ai ishte i fshehtë dhe, hiqej sikur ishte zbatuesi i përpiktë i mësimeve të kryetarit Mao. Ndërsa në fakt ai, vepronte kundër tyre. Duke shfrytëzuar postin që kishte në parti ai, grumbulloi shumë njerëz rreth vetes, duke krijuar kështu një fraksion brenda saj.
Shumë shokë të huaj nuk e kanë të qartë se Lin Biao, organizoi komplotin kundër kryetarit Mao, duke qenë se ai me kushtetutë, ishte caktuar si pasardhësi i tij. Shumë pyesin se përse e bëri ai komplotin?! Në radhë të pare, vendin që zinte ai në parti, e kishte fituar me mënyra jo të ndershme. Duke pasur qëllime karrieriste ai, nuk u udhëhoq nga mësimet e partisë. Ai, trembej se mos zbulohej dhe filloi të merrej me komplote, dhe sa më shumë fshihej, aq më tepër thellohej në komplotet e tij. Kështu, në gusht të vitit 1970, ai u zbulua. Në plenumin e gushtit të vitit 1970 që u zhvillua në Lushan ai, mbajti një raport të rremë të cilin, nuk e kishte parë as shoku Kan Shen, as unë, e as shokë të tjerë. Problemin mbi gjenialitetin dhe talentin e kryetarit Mao ai, nuk e shtronte nga pikëpamja dialektike, por nga ajo idealiste. Përse veproi kështu Lin Biao?! Sepse ai mendonte se njerëzit, do t’i shkonin nga pas si të verbër. Për këtë ne, kemi vënë në dijeni Komitetin Qendror të partisë suaj me anë të ambasadorit tonë në Tiranë.
Lin Biao, nuk ishte një marksist-leninist dhe mendimet e tij nuk përputheshin me tonat. Në fillim këtë raport që mbajti ai, e përkrahën një grup shokësh, të cilët nuk ishin këshilluar me shokët e Byrosë Politike. Kryetari Mao deklaroi se Lin Biao, e ushtroi diktaturën e tij për dy ditë e gjysëm, ndërsa ditën e tretë, u rrëzua. Grupi që e mbështeste atë, nxori dhe një buletin me materialet e tij të cilin, me porosi të kryetarit Mao, e hoqëm nga qarkullimi. Në plenum, ne kritikuam rëndë Çen Po Tan, ndërsa Lin Biaon e mbrojtëm, sepse ai në të kaluarën kishte bërë një punë të dobishme për partinë dhe nga ana tjetër, patëm si qëllim që të shikonim nëse pasuesit e tij do ta mbronin atë ose jo. Mirëpo ndodhi e kundërta pasi ata, bënë një kritikë të rreme për t’i shpëtuar ndëshkimit të partisë. Vitin e kaluar kryetari Mao bëri një vizitë në jug, ku midis të tjerash deklaroi se: duhet të jemi për marksizmin dhe jo për revizionizmin, duhet të jemi të çiltër e jo komplotues. Këto fjalë si duket, e trembën atë sepse ai mendoi se u zbulua komploti i tij i fshehtë. Por në fakt kryetari Mao, nuk kishte dijeni për veprimet e tij fraksioniste. Ai, u frikësua shumë dhe deshi të vriste kryetarin Mao me atentat.
Që në plenumin e Lushanit, ka filluar pakënaqësia ndaj tij, kështu që ai iku me avion për në Bashkimin Sovjetik, dhe mbi Mongoli ra e vdiq. Edhe sikur do të kishte arritur në Moskë, nuk do ishte ndonjë rrezikshmëri e madhe pasi atje, është edhe Vang Mingu. Ai, veproi nën rrogoz, duke aktivizuar për këtë qëllim dhe gruan me të birin. Kryetari Mao, kritikonte pikëpamjet dhe vijën e tij por në fakt ai, nuk ishte në dijeni për komplotin e përgatitur kundër tij. Ne, bëmë kontroll në shtëpinë e Lin Biaos, dhe gjetëm materiale që dëshmonin për tradhtinë e tij. Jo vetëm në parti por edhe në ushtri, ai spostoi një sërë kuadrosh me përvojë. Sovjetikët, kur ra avioni në Mongoli, e verifikuan trupin e tij, por me qëllim që të përgënjeshtronin të vërtetën, thanë se ata, ishin njerëz nën moshën 40 vjeç dhe nuk ishte Lin Biao me familjen e tij. Në fakt ata, e njihnin shumë mirë Lin Biaon, pasi ky kishte qenë dy herë për mjekime në Bashkimin Sovjetik.
Ai, i kishte dhëmbët e veshur me flori. Për të sqaruar popullin ne, kemi bërë një punë të madhe. Komploti i tij dështoi sapo u zbulua, si ai i Liri Belishovës. Ne, nuk patëm frikë t’ia themi këtë gjë popullit, sepse ne kemi besim dhe autoritet të madh në popull. Kryetari Mao, ka simpati të madhe në popull. Në saj të punës së madhe të saj, autoriteti i partisë është rritur jo vetëm në Kinë, por edhe jashtë saj. As juve, dhe aq më pak neve nuk e kishim parashikuar futjen e Kinës në OKB. Vjet në korrik u shpall, vizita e Niksonit në Kinë, ndërsa në tetor, përfaqësuesi i tij erdhi këtu. Pas hedhjes poshtë të rezolutës së SHBA në OKB, doli rezoluta e Shqipërisë dhe Algjerisë, që mori 76 vota pro, dhe më tepër se 2/3 e votave ishin pro nesh. Në këtë drejtim duhet t’ju falenderojmë juve, sepse që në fillim ju na keni ndihmuar për vendosjen e të drejtave të ligjshme të Kinës në OKB.
Shoku Beqir Balluku: Jo, kjo u bë në saj të autoritetit të madh që ka Kina, në arenën ndërkombëtare.
Shoku Çu En Lai: Ky, është rezultat i përpjekjeve tuaja, dhe i vendeve të Azisë dhe Afrikës. Natyrisht që dhe ne gjatë këtyre 20 viteve, kemi punuar dhe kemi fituar autoritet, por atje ne u futëm në saj të përkrahjes suaj konsekuente. Në fakt ne donim të futeshim pak më vonë, por meqë fituam, u detyruam të pranonim se atje u ngritën përfaqësues të vendeve të ndryshme që hodhën dhe valle. Ju, patët hall sa të na fusnit në OKB dhe tani, nuk pyesni më për neve (shaka). Futja jonë në OKB, na ngarkoi me një barrë të rëndë sepse popujt e Azisë, Afrikës, e Amerikës Latine, i kanë kthyer sytë nga ne. Po kështu edhe Japonia, u shpejtua që të lidhë marrëdhënie diplomatike me ne. Kështu që numri i vendeve që kanë lidhur marrëdhënie diplomatike me ne, që nga futja jonë në OKB e deri tani, arriti në 20 vende. Tani, na janë shtuar shumë punët e jashtme. Ju na sollët në arenën ndërkombëtare, dhe na hapët shumë punë. Nga 35 vende që ndihmonim, tani u bënë 50. Kemi marrëdhënie diplomatike me 80 vende. Kjo është një gjë e mirë, por edhe një barrë e rëndë. Për situatën, do të bisedojmë një herë tjetër para se të ikni. Tani SHBA, kanë zgjedhjet mesa di unë dhe parashikohet të zgjidhet prapë Niksoni, por me më pak vota. Do të bisedojmë përsëri bashkë. Shoku Jeh Çen Ji, më tha se sot bisedimet vazhduan deri në orën 3 e një çerek pasdite. Nuk ka gjë i thashë unë, dua të takohem që sot me shokun Beqir dhe me shokët e tjerë të delegacionit.
Shoku Beqir Balluku: Ju falenderoj shoku Çu En Lai, për pritjen e ngrohtë dhe të shpejtë që na bëtë. Ne, dje erdhëm në Kinë dhe ju sot na takuat. Kjo, është një shprehje e dashurisë dhe e kujdesit të madh që tregojnë shokët e udhëheqjes së partisë suaj, për partinë tonë e udhëheqjen e saj. Kjo është një shprehje e ndjenjave të pastra, të miqësisë vëllazërore që ekzistojnë midis dy partive tona, midis dy popujve tanë. Miqësia jonë është një gjë e shenjtë, një gjë fisnike. Këtë miqësi, na mëson shoku Enver duhet ta ruajmë si sytë e ballit dhe ta forcojmë vazhdimisht. Ne këtu, folëm si vëllezër për shumë probleme ekonomike, politike, e ushtarake. Ne shoku Cu En Lai bisedën tuaj, do t’ja transmetojmë shokut Enver. Shoku Kiço, do të shkojë më përpara se unë, dhe do t’ja transmetojë më shpejt shokëve. Por dhe ne, do t’ja transmetojmë për së dyti, shokut Enver, e shokëve të tjerë.
Shoku Çu En Lai: Faleminderit.
Shoku Beqir Balluku: Biseda e juaj, e ngrohtë dhe shoqërore, preku një seri çështjesh tona. Ne, dhe juve shoku Çu En Lai, kemi biseduar edhe njëherë tjetër dhe gjithmonë kemi vërejtur se udhëheqja juaj, dhe juve si pjesëtar i saj, çështjet tona i keni parë e i keni zgjidhur me mirëkuptim e frymë miqësore. Juve, jeni në dijeni se në kuadrin e zhvillimit ekonomik e kulturor të vendit, partia jonë, bujqësisë i ka kushtuar dhe po i kushton një vëmendje e kujdes të madh. Bujqësia jonë, ka bërë përparime të mëdha pasi janë bonifikuar toka, është rritur sipërfaqja nën ujë, bëhet një luftë e madhe për sistemimin e tokave, për futjen e agro-teknikës moderne, përdorimin e plehrave kimike, etj. Ne luftojmë për intensifikimin e bujqësisë në fushë, që për njësi toke të marrim rendimente të larta, madje dhe dy prodhime në vit.
Në kodra e male, ne hapim toka të reja dhe luftojmë që fshatin kodrinor e malor ta lulëzojmë. Në kuadrin e kësaj pune të madhe, që po bëjnë masat punonjëse në bujqësi, problemi i prodhimit të drithërave të bukës në vend, përbëjnë detyrën kryesore të partisë, në fshat. Por krahas sukseseve si tek ju, ashtu edhe tek ne, ka dhe të meta. Por, unë dua të theksoj se gjatë këtyre dy viteve, bujqësia jonë është dëmtuar nga fatkeqësitë natyrore, si lagështira e madhe dhe periudha e gjatë e thatësirës. Këto fatkeqësi, në bilancet e prodhimit tonë bujqësor, kanë krijuar defiçite. Tani, jemi në dhjetëditëshin e parë të tetorit dhe tamam në këtë kohë, fshatarësia jonë në bashkëpunim me shkollat dhe ushtrinë, punojnë ditë e natë në fushë për të vjelur boçet e papjekura të pambukut. Nga lagështira, pengohen punimet e vjeshtës, koha e keqe po dëmton misrin, etj. Pra në këto kushte atmosferike, kanë ushtruar këto dy vjet një ndikim negativ në bujqësinë tonë. Ne e dimë se dhe ju keni vështirësi dhe angazhime, por nevojat tona ne jua shtrojmë miqve e shokëve tanë.
Shoku Çu En Lai: Janë 50 e ca vende që kërkojnë ndihmë nga ne, dhe nuk kemi sesi t’i refuzojmë.
Shoku Beqir Balluku: Kjo me të vërtetë, është një barrë për juve, por ama tregon se autoriteti i Kinës, është rritur.
Shoku Çu En Lai: Forcat, nuk i përgjigjen dëshirës. Duhet të vazhdojmë përpjekjet për 8-10 vjet. Por kur them kaq, e kam fjalën vetëm për fillimin, se duhet të bëjmë përpjekje akoma më të mëdha, se jemi vend i madh.
Shoku Beqir Balluku: Një ndihmë të tillë internacionaliste, mund të na e japë vetëm një parti marksiste-leniniste, vetëm një parti që ka në krye Mao Ce Dunin.
Shoku Çu En Lai: Jo vetëm ne, por edhe ju e bëni këtë.
Shoku Beqir Balluku: Edhe ne e bëjmë, por nuk kemi.
Shoku Çu En Lai: Mos më falenderoni, pasi duhet t’ju falenderoj unë juve. Neve do t’ju ndihmojmë që ju të ngrini uzinën metalurgjike, që të siguroni hekurin dhe nikelin, etj. Natyrisht që dhe ne, kemi ca vështirësi se jemi në provë e sipër. Ju keni ngritur dhe 4 kërkesa të tjera. Për këtë, është biseduar me shokun ambasador. Tani për tani, nuk jemi në gjendje t’ju japim përgjigje pozitive për ato kërkesa. Përveç hidrocentralit të Fierzës, ju doni të ndërtoni dhe një tjetër. Tani për tani, nuk jemi në gjendje t’ju përgjigjemi. Keni kërkuar gjithashtu që kapaciteti i uzinës së Ballshit të rritet. Po ashtu, keni bërë kërkesa dhe për TEC-in.
Shoku Beqir Balluku: Shoku Abdyl Këllezi si Kryetar i Komisionit të Planit të Shtetit, me porosi të udhëheqjes, studion në perspektivë, zhvillimin ekonomik të vendit. Ai ka biseduar me shokun Fan I, për metalurgjinë, energjinë elektrike, dhe petro-kiminë. Këto tre sektorë, janë bastione të rëndësishme për zhvillimin e ekonomisë sonë. Rezervat tona industriale në mineralin e hekurit sot janë, 180.000.000 ton. Por me forcimin e kërkimeve gjeologjike ato, mund të rriten në një kohë relativisht të shkurtër në 250.000.000 ton. Kuptohet se shfrytëzimin këtyre rezervave, kërkon në të ardhmen zgjerimin e aftësisë përpunuese të metalurgjisë. Gjithashtu, edhe petro-kimia edhe energjia elektrike, i kanë të gjitha mundësitë dhe kushtet që të zgjerohen. Udhëheqja jonë është duke i studiuar këto probleme me rëndësi të madhe për ekonominë tonë, dhe krahas kërkesave për 5 vjeçarin e ardhshëm, do të bëjë edhe kërkesa për këto objekte. Ne bisedojmë, shoku Çu En Lai, se në të ardhmen këto probleme të rëndësishme për ekonominë tone, do t’i shohim e do t’i zgjidhim së bashku. Ky, ka qenë dhe qëllimi i takimit të shokut Abdyl Këllezi me shokun Fan I.
Shoku Çu En Lai: Ne, do t’i shohim këto probleme dhe sipas mundësisë do t’ju ndihmojmë.
Shoku Beqir Balluku: Faleminderit.
Shoku Çu En Lai: Gjatë këtyre dy viteve, që kemi lidhur marrëdhënie diplomatike me vende të tjera, kemi mësuar shumë gjëra, lidhur me proceset teknologjike. Ne deri tani, kemi qenë të mbyllur dhe jemi munduar që çdo gjë ta prodhojmë vetë. Ndërsa tani, shumë procese teknologjike të avancuara mund t’i marrim të gatshme nga jashtë.
Shoku Beqir Balluku: Na falni. Ju faleminderit për pritjen, e përzemërt që na bëtë. Ne jemi miq të vërtetë.
Shoku Çu En Lai: Ju faleminderit.
Shoku Beqir Balluku: I thashë dhe shokut Jeh Çen Ji, se unë kam pasur rastin që të vij dhe herë të tjera tek ju. Jam futur në mes punëtorëve e fshatarëve, dhe kam parë që partia juaj është e lidhur si mishi me kockën, me popullin tuaj.
Shoku Çu En Lai: Faleminderit shumë, për përkrahjen e partisë suaj dhe të shokut Enver. Dy partitë tona, të udhëhequra nga shoku Enver dhe Kryetari Mao, janë në gjendje t’i bëjnë ballë çdo prove, ashtu siç i përballoi kohët e fundit partia jonë, vijën e Lin Shao Çisë, dhe komplotin e Lin Biaos.
Shoku Kiço Ngjela: Ju faleminderit, që na e zgjidhët këtë problem shumë të madh. Duhet të na kuptoni drejtë, se kemi shumë nevojë dhe nuk kam dashur t’ju shqetësoj.
Shoku Çu En Lai: Problemet e tjera, i zgjidhni me shokët. Ju uroj për 31 vjetorin e Partisë.
Shoku Beqir Balluku: Faleminderit, mirupafshim. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016