Nga Prof. Dr. Alfred Frashëri
Pjesa e tretë
-Pa bukë dhe pa naftë, nuk ka pavarësi dhe përparim të Atdheut!-
Memorie.al / Jeta, veprimtaria dhe ngjarjet gjatë saj, ruhen në kujtesën tonë dhe ri zgjohen ndër vite, për të na kujtuar se si kemi jetuar e punuar, si jemi sjellë në shoqëri e familje, arritjet, gabimet, por mbi të gjitha për njerëzit, shokët e miqtë me të cilët kemi ndarë gëzimet dhe hidhërimet në rrugëtimin tonë të jetës. Në jetën time, puna në kantieret e naftës, zë fill në shtatorin e vitit 1953, kur morra emërimin “Teknik elektrik në Ndërmarrjen e Shpimit, Patos”, firmosur nga ministri Shefqet Peçi, dhe vazhdoi në institucione dhe me detyra të ndryshme të lidhura edhe me kërkimet e naftës, deri në fundin e viteve tetëdhjetë. Tani, që jemi në prag të 100 vjetorit të zbulimit të naftës në Shqipëri, kujtoj me respekt njerëzit që me devotshmëri, entuziazëm, sakrifica punuan në vitet pesëdhjetë në kantierin e naftës në Patos, midis të cilëve punova edhe unë. E ndjeva kërkesë shpirtërore, se duhet treguar për ata dhe punën madhore që bënë. Ky përvjetor, më nxiti memorien dhe më lindi dëshira të marr penën dhe të shkruaj kujtimet e mia, të shpreh ndjenjat, që kam patur dhe kam për ato vite.
Në Grupin e karrotazhit, punonte edhe ekipi i perforimit dhe torpedimit të kolonave të puseve, për të vendosur komunikimin shtresës naftë-mbajtëse me trungun e pusit, që të sigurohej ardhja e naftës nga shtresa në pus. Në vitin 1955, erdhën edhe kampion-marrësit e parë me plasje, që lejonin të merrej kampioni i shkëmbit nga shtresa e shpuar edhe pasi kishte përfunduar shpimi. Ky grup, ne fillimin e viteve pesëdhjetë, e kishte qendrën pranë Parkut të Transportit. Në vitin 1957, u krijua Baza e Karotazhit dhe u ndërtua një godinë e posaçme. Grupin e karotazhit në vitet 1951-1953, e drejtonin dhe ishin operatorë, tekniku Hamdi Bejtja (1951-1954) dhe tekniku sovjetik David A. Bronshtein, (1951-1952), të cilët nisën realizimin e kryerjes së karotazhit në puse. Alfred Frashëri (1953-1956) punoi si operator dhe vazhdoi edhe drejtimin e grupit, pasi Hamdiu shkoi ushtar. Më pas, këtë punë e vazhdoi inxhinieri Agim Luari (1956-1961) dhe teknikë operatorë të tjerë. Metodat e karotazhit për studimin e trungut të pusit, në ato vite ishin të reja.
Hamdiut ja mësoi David Bronshteini, teknologjinë e regjistrimeve gjysëm automatike. Mua m’i mësoi Hamdiu. Në vitet (1955-14 dhjetor-1956) erdhi nga Bakuja, inxhinieri sovjetik, Vladimir Mihajlloviç Pigrov, i cili më mësoi ndërtimin e stacionit automatik të karotazhit dhe së bashku vumë në punë stacionin e ri automatik që sapo kishte ardhur, duke realizuar kalimin e regjistrimit të diagrameve të karotazhit nga teknika gjysëm automatike në atë me stacione automatikë. Dhe kështu mbeti traditë, që operatorët e rinj mësoheshin nga më të vjetrit, me studim individual, në kurse dhe drejtpërsëdrejti në puse, gjatë punës. Krahas tyre, kanë punuar operatorë teknikë të tjerë ndër vite, si: Vasil Nasi (1954-1957), Pertef Nishani (1955- 1959), Vangjel Ndrio (1056-). Në gjysmën e dytë të dhjetëvjeçarit, filluan punën pranë bazës së karotazhit edhe inxhinier Kadri Zalla, inxhinieri interpretator, Hidai Haxhiu (1959-) dhe së bashku me ata, specialistët sovjetikë; Juri Sabçendko dhe Leotjev Gallkin. Erdhën edhe teknikë e mjeshtra të tjerë, që zëvendësonin më të vjetrit, që shkonin për studime apo për të kryer shërbimin ushtarak.
Midis tyre, erdhën teknikët operatorë Luftulla Peza, Kozma Liço, Leonidha Teta, Asim Zeqja, Jani Çati, Kaso Hitaj, disenjatori Eshref Vrioni. Perforimi i puseve ndër vite, kryhej edhe nga teknikët Perlat Hoxha (1954-), Vangjel Ndrio (1956-1959), mjeshtri i karotazhit, Zylal Mahmuti (1952-), mjeshtri i perforimit, Nasi Prifti (1952-), Miti Xhavara, Halit Varfi, Nysret Mane dhe Elmaz Rama. Për remontin e aparaturave, punonte edhe mjeshtri Harilla Marini (1953-), mjeshtëri i perforimit dhe torpedimit, Roko Abazi (1954-). Pjesëtarë të ekipeve, ishin edhe arganisti Josif Prifti (1951-), ndihmës arganisti Vlashi (1953), Nasi Stefa, shofer i arganellos së stacionit të karotazhit (1951-), Hetemi – shoferi i laboratorit të karotazhit (1953-), Sotir Stefa, shofer i stacionit të perforimit (1952-), shoferët Koli Shtërmbari, Ceno Meçe, Hasan Hasa dhe Vangjel Lici. Në vitet gjashtëdhjetë e më pas, kompleksi i metodave të karrotazhit, u plotësua edhe me karotazhin zanor dhe atë radioaktiv të regjistrimit të gama rrezatimit natyror dhe atë neutronik.
Regjistrimi diagramave të karotazhit, bëhej në disa thellësi gjatë shpimit të trungut të pusit, të cilat përcaktoheshin në projekt dhe quheshin karotazhe paraprake, për të ndjekur ecurinë gjeologjike të pusit. Me përfundimin e shpimit, kryhesh karotazhi përfundimtar. Për kryerjen e karotazhit, pusi ndalonte shpimin, pastrohej trungu i tij që aparatet të mund të uleshin lirisht deri në fund, duke qarkulluar solucionin e argjilës për një kohë të caktuar dhe pastaj, ngrihej lart instrumenti i shpimit. Ne duhet të ishim në pus përpara ngritjes së instrumentit dhe të ishim përgatitur, që të fillonim menjëherë regjistrimet e diagramave me t’u nxjerrë instrumenti nga pusi. Dhe kjo kohë, mund të ishte ditën apo natën, në mot të mirë apo me shi, si të rastiste. Natyrisht, për këtë proces shumë të domosdoshëm për studimin gjeologjik të pusit, ndërpritej shpimi. Koha e kryerjes së karotazhit, arrinte deri dy turne pa pushim, në puset e thellë. Për ne të karotazhit, nëpunësit e planit, që punën e tyre e masnin me realizimin e metrave të shpimit të kryera në ditë, këtë ndërprerje e quanin “sabotim” dhe për ekipin e karotazhit, me humor, thoshin në rusisht “karotazhniki sabotazhniki”, arritën në pus.
Vënia e puseve të prodhimit në punë dhe nxjerrja e naftës realizohej nga naftëtarët e Ndërmarrjes së Prodhimit Patos. Ndërmarrja drejtohej nga Kiço Kasapi, kryeinxhinieri Rexhep Reka (1952-1962), kryegjeologia e parë, ishte Veronika Todri (Meko) (1951-shkurt 1953), e cila më pas u bë përgjegjëse e laboratorit, Ziver Meko (1952-1962), kur u kthye nga studimet e larta jashtë shtetit, u emërua kryegjeolog i ndërmarrjes në shkurt 1953, nëndrejtor Nasti Qafzezi. Në proceset e punës në puset, drejtonin inxhinierët e naftës; Thoma Gjikondi (1952-), Pavllo Panajoti, Dilaver Shkurti, Meleq Velaj, teknikët Abedin Xhomo dhe Hysen Uzuni, tekniku Niko Goxhobashi (1951-1981) punonte për mekanikën e puseve të prodhimit në ofiçinë, ndërsa në degët e planit dhe të financës, punonin Eleni Laçka, Merxhane Karafili dhe motra e Margarita Xhepës.
Dega gjeologjike, organizoi shërbimin gjeologjik në të katërt sektorët e ndërmarrjes, duke vendosur pranë tyre kolektorët, bëri për puset dosjet e biografive të strukturës teknike të tyre, vlerësohej dinamika e naftë dhënies së puseve, filloi të bëhesh analiza sistematike e naftës dhe e gazit, kontrolloheshin e ndiqeshin proceset e ecurisë së pusit sipas projektit dhe përgatitjes së tij për shfrytëzim. Organizimi i shërbimit gjeologjik në këtë ndërmarrje, u realizua me punën e palodhur të personelit dhe ndihmën e drejtimin teknik dhe organizativ, të këshilltarit e krye-gjeologut të Kombinatit, A. G. Burdzhanadze, i cili çdo javë zhvillonte kurse kualifikimi me ata, në Kuçovë. Tekniku Patraq Xhaçka, u emërua në Ndërmarrjen e Prodhimit në Kuçovë. Piro Tasellari, u emërua teknik në Ndërmarrjen e Serës në Selenicë.
Të gjithë veprimtarinë tekniko-shkencore dhe organizative të këtyre dy ndërmarrjeve, e drejtonte Drejtoria e Përgjithshme e Kombinatit të Naftës në Kuçovë. Drejtoria kryesohej nga Zenel Hamiti, në vitet e para të dekadës së viteve pesëdhjetë. Nga viti 1955, erdhi Xhaferr Spahiu si Drejtor i Përgjithshëm. Kryeinxhinier ishte Ramiz Xhabia (1952-), me këshilltarët sovjetikë, Tumilloviç, për nxjerrjen e naftës, me ndihmës teknikun Hasan Hamza, Pjotër Andrejeviç Ivanov dhe Gavril Josifov Bobrishov, për shpimin e puseve. Problemet gjeologjike i drejtonte Seksioni Gjeologjik me K/Gjeolog Servet Pasho (1952-) me këshilltarët A.G. Burdzhanadze (1951-1952) dhe Ganifa Askeroviç Mamedbegov (1953-1955), inxhinieri gjeolog Beqir Alia, teknikët Kozma Lino (1951-) dhe Fatri Kadilli (1954-), kurse inxhinieri i naftës, Ender Nexhipi (Arëza) ishte Drejtor i prodhimit (1052). Në Drejtorinë e Kombinatit, sipas profesioneve punonin edhe inxhinier Stilian Pili, Llazar Poreçi- përgjegjës i degës së planit, Pali Birçe, teknik projektues, tekniku gjeodet Nasuf Dizdari, teknikët e naftës; Abedin Xhomo, Dhimitër Paparisto, për sistemin e normave pas transferimit nga Patosi, Hasan Hamza dhe Hysen Uzuni, Muharrem Seseri, Iljaz Gogaj, si edhe disenjatorët, Gjenovefa Kasapi, përgjegjëse dhe Palushi.
Të gjithë këta naftëtarë, i kam njohur personalisht, takoheshim me ta për të punuar dhe zgjidhur detyra të ndryshme në puse. Kam mësuar shumë nga ata, jo vetëm për teknikën e naftës, por edhe për devotshmërinë e këmbënguljen në punë. Prandaj edhe sot, në këtë moshë të thyer, u jam mirënjohës dhe i falënderoj, i kujtoj me respekt. Personeli teknko-inxhierik, madje edhe ai administrativ, nuk ishin komunitete zyre, por të lidhur ngushtë me puset dhe problemet e tyre. Proceset teknike në puse, kryheshin sipas grafikut teknik, ditën edhe natën, në orarin e duhur. Për personelin teknko-inxhinierik, nuk kishte turne, orar të caktuar të fillimit dhe mbarimit të punës, ditën apo natën. Puna fillonte në orën kur nevojitej të bëhej operacioni në pus dhe përfundonte pasi mbaronte puna e operacionit të dhënë, në çdo orë që të ishte. Kështu kryheshin edhe regjistrimet e diafragmave të karotazhit. Perforimi dhe torpedimi në pus, bëheshin vetëm ditën, se ishin punë me shpërthim. Më është ngulur në kujtesën time një ndodhi. Duke kryer regjistrimin e diagramave natën në një pus, pas mesnate hapet dera e makinës së laboratorit dhe futet brenda Drejtori i Përgjithshëm i Kombinatit, Xhaferr Spahiu. Na përshëndeti, dëgjoi raportimin shkurt, për punën që po bënim dhe na uroi punë të mbarë. Ai, desh personalisht të merrte kontakt me naftëtarët, drejt për së drejti në pus, si edhe të njihej me punën në terren.
Nuk mund të mos kujtoj edhe një “modë”, të sjelljes në Patosin e atyre viteve, ku kritikat bëheshin dhe urdhrat jepeshin, duke bërtitur në kupë të qiellit. Mesa duket, këtë e ka kushtëzuar përgjegjësia e madhe, për proceset e ndërlikuara dhe detyrat në puse, të cilat duheshin realizuar në kohë dhe me cilësi, për ndryshe kish pasoja të rënda teknike në pus. Mbaj mend se si një teknik, duke dëgjuar të bërtiturat: “Pse se ke bërë deri tani”?, i tha shefit me cinizëm: “Pse po ulërin, prija ditën e punës, i bërtet gruaja në shtëpi”. Në kantierin e naftës në Patos, ishin edhe Ofiçina Mekanike, Parku i Transportit, Stacioni Elektrik, në të cilin punonin inxhinierët elektrikë Hektor Çaçi (1953-) dhe Besnik Zeraliu (1954-). Nuk mund të kuptohej puna e madhe në puse, pa bazën e transportit, shoferët e të cilës punonin ditë e natë, në verë dhe duke i tërhequr makinat e tyre nëpër baltë deri në gju, me traktor në dimër, për të shkuar dhe furnizuar puset. Janë shumë e shumë shoferë të dalluar, por deri më sot, mbaj mend Rrapi Tiku, që me “Tatrra”-ën e tij, ishte i kudo gjendur në kohën e duhur.
Krahas naftëtarëve, në Patosin e viteve pesëdhjetë, punonin me shumë devotshmëri edhe mjekët Hysni Rusi (-…- 1955), Petraq Papadhopulli (1955-), farmacisti Kolë Lisna, dentistet Elsa nga Shkodra dhe Berta nga Tirana e Zenel Kokomiri, të cilët kujtohen më shumë respekt, për kujdesin e tyre për shëndetin tonë, të gatshëm ditën dhe natën për të kryer sa më mirë detyrën e tyre. Dhe në komunitetin e intelektualëve të atyre viteve në Patos, janë edhe mësuesit Pilo Mici, Areti Mici, Lavdie Bejtja (1952 -), mësuesja Mjatla nga Kavaja (1952-), Gjinovefa Nito (1952 – ), që mësonin dhe edukonin me përkushtim fëmijët e naftëtarëve.
Objektivat që duheshin arritur për pavarësinë e vendit dhe përparimin e tij, për ta shndërruar nga një vend bujqësor i prapambetur, në një vend industrial dhe me bujqësi të përparuar, mundësitë ekonomike, tekniko- shkencore dhe sociale që shteti kishte vënë në dispozicion të industrisë së naftës, krijuan kushtet e organizmit të armatës së naftëtarëve, që me punën dhe veprimtarinë e devotshme dhe të pa lodhshme, me përkushtim dhe këmbëngulje, të kualifikuar e të disiplinuar dhe me sakrifica të mëdha, ata krijuan mundësitë, që pasi u vënë në punë vend-burimet e Kuçovës dhe Patosit, të shkatërruar nga Lufta e Dytë Botërore, të fillojë një punë kantierale kërkimore intensive, për zgjerimin e tyre.
Nga vitet pesëdhjetë, deri në vitet tetëdhjetë, u zbuluan 12 vend-burime të rinj nafte në ranorë dhe gëlqerorë: Marinza, Visoka, Ballshi, Gorisht-Koculi, Cakrani, Kolonjë-Bubullimë, Finiq-Krane, Amonicë, Hekal-Karbunarë, Mollaj, Delvinë, si edhe vend-burimet e gazit, Divkajë, Kryevidhi, Ballaj, Frakulla, Povelçë, Panaja, Currilat në detin Adriatik, etj. Ky zhvillim u arrit edhe nga realizimi i shpimit të qindra puseve të thellë, duke arritur edhe në thellësi deri 6.700 m. U realizua nxjerrja nga nëntoka dhe të përpunoheshin 2.250.000 ton naftë në vitin 1974, si edhe 940 milion m3 gaz, në vitin 1982. Fatkeqësisht, ashtu si edhe e gjithë industria shqiptare, në vitet e tranzicionit, u rrënua edhe industria e naftës dhe e gazit. Nuk ka më institucione shkencore shqiptare të kërkimit të naftës dhe gazit, nuk ka më ndërmarrje të shpim kërkimit, të gjeofizikës, etj. Kompania aksioniste ALBPETROL në vitin 1994 nxori vetëm 45.384 ton nafte, kuse kompanitë e huaja koncesionare 1.322.000 ton, nga vend-burimet ekzistuese. Nëse gjatë një çerek shekulli, naftëtarët shqiptarë zbuluan 16 vend-burime të rinj nafte dhe 7 gazi, gjatë 25 viteve të tranzicionit, kompanitë koncesionare, nuk kanë zbuluar asnjë, megjithëse blloqet e tyre ku kanë punimet, janë shtrirë në zona e rajone perspektive.
Këto kompani nuk kanë konkretizuar as edhe zbulimin e disa viteve më parë, të një vendburimi në zonën e Shpiragut, paçka që edhe këtë zonë e kishin vlerësuar gjeologët shqiptarë që në vitet tetëdhjetë. Madje, siç është thënë, edhe për të arritur strukturën gëlqerore naftë-mbajtëse, për një pus u shpuan pesë trungje, gjë që nuk kishte ndodhur kurrë, asnjëherë në Shqipëri, me puset e shpuar nga naftëtarët shqiptarë. Por ajo çka është më e dhëmshme, është flakja e specialistëve të naftës, që nga punëtorët e pontit të manovrës në puse, deri tek teknikët, inxhinierët dhe shkencëtarët. Më të fortët, më të diturit, më të përgatiturit u detyruan të braktisin vendin dhe sot punojnë në profesionet e tyre, në vende të ndryshme të botës, ata nuk i kemi sot më. Vlerat dhe investimi shqiptar, shfrytëzohet nga të tjerët. Ata që kanë mbetur këtu, nuk i pyet më asnjeri për problemet e naftës, megjithëse u përgatitën dhe punuan gjatë dhjetëra viteve, shteti shqiptar investoi shumë për formimin e tyre profesional. Ata janë vlera të çmuara të ekonomisë dhe kulturës së atdheut. Këtë nuk e bën asnjë vend, që do të përparojë. As kjo armatë e madhe naftëtarësh, as edhe institucionet shkencore, që u ngritën gjatë dhjetëvjeçarëve, me mund, sakrifica dhe me shpenzime të mëdha, nuk ngrihen në një ditë dhe me një urdhër a vendim.
Kjo gjendje solli rënien e prodhimit të naftës, aq sa në vitin 2005, u nxorën vetëm 448.000 tonë naftë. Pas këtij viti, në kuadrin e veprimtarive të kompanive të huaja koncesionare, filloi një rritje graduale e nxjerrjes së naftës, duke arritur në 1.368.000 ton, në vitin 2014. Por, fatkeqësisht, nuk ka asnjë të dhënë, se sa ka përfituar shteti shqiptar nga kjo rritje, ku vajti gjaku i ekonomisë shqiptare. Gjendja aktuale e industrisë së naftës, i shqetëson dhe i bën të vuajnë shpirtërisht naftëtarët, që ende janë këtu, qoftë edhe në moshën e tretë, se për brez pasardhës të ri, nuk bëhet fjalë. Prandaj e gjejmë të udhës, t’i drejtohemi institucioneve shtetërore shqiptare dhe naftëtarëve: Le të kujtojmë 100 vjetorin e zbulimit të naftës në atdheun tonë, le të nderojmë punën vetëmohuese, me sakrifica të mëdha të naftëtarëve, ditën dhe natën, në zhegun e korrikut dhe në acarin e dimrit. Ky kremtim, nuk ka vetëm rëndësinë e nderimit. Ai ka një vlerë jashtëzakonisht të madhe, për të ndërgjegjësuar dhe programuar ç’duhet bërë në të ardhmen, që pasurinë e paçmuar që na ka falur natyra, ta kërkojmë, ta nxjerrim dhe ta vëmë në dobi të ekonomisë së vendit, siç duhet, në nivele teknike dhe sociale të ditëve tona.
Kjo veprimtari do të jetë një premtim frymëzues dhe mobilizues për institucionet shtetërore dhe për brezin e ri. Për këtë veprimtari kombëtare, një projekt program u paraqit institucioneve qendrore dhe lokale shtetërore të Shqipërisë, komunitetit akademik dhe gjithë naftëtarëve, kudo që janë për diskutim dhe miratim. Është herët mund të thotë ndonjë. Jo, nuk është herët, një veprimtari madhore, do shumë kohë dhe mund që të përgatitet si duhet. A mund të heshtim për naftën, për arin e zi? Është në moralin e popullit tonë dhe te armatës së naftëtarëve shqiptarë, sidomos të elitës së saj të moshuar dhe më të re, që këtë jubile, ta organizojë dhe ta festojë sa më mirë, që t’i bëjmë të ditur gjithë botës, se Shqipëria është një vend naftë- mbajtës, se nafta ka qenë “vaji” i kuzhinës tonë ekonomike, se nafta shqiptare, është zbuluar kryesisht nga specialistët dhe shkencëtarët shqiptarë. Në Kongresin e Shoqatës së “Gjeoshkencëtarëve dhe Inxhinierëve të Europës” (EAGE) në Firence të Italisë, në vitin 1991, pasi referova, një gazetar më bëri një pyetje: “Tani që Shqipëria po bëhet vend i hapur dhe do të vinë atje ekspedita nga vendet e përparuara, me siguri do të gjeni më shumë vend-burime nafte e gazi, bakri e kromi etj”? Me bindje të plotë, unë ju përgjigja: “Jo, nuk do të gjejnë vetë gjë, më shumë dhe më shpejt, sesa i kemi gjetur ne. Ekspeditat e tyre, do të drejtohen nga specialist e profesorë të shquar, do të jenë të pajisura me teknikën më të re, por ju ngatërroni një gjë:
Gjeologjia, nuk është si fjala vjen, ndërtimi i një godine a një rruge. Gjeologjia është si gjuha e mëmës. Që të zbulosh një vend-burim, duhet ta njohësh mirë tokën, dheun e vendit, ta kesh shkelur e studiuar për kohë të gjatë strukturat gjeologjike dhe të vlerësosh perspektivën e tyre mineral bartëse. Por që ta njohësh mirë nëntokën, duhet ta duash më shumë se veten, tokën ku ke lindur dhe ku vë kokën, nuk mjafton vetëm teknika. Vend-burimet deri tani, i kanë zbuluar kryesisht shqiptarët”.
Këtë e përsërita edhe në Kongresin e Shoqatës Gjeofizike të Ballkanit, në vitin 2013. Njëzet e pesë vitet e tranzicionit, e kanë vërtetuar këtë mendim plotësisht. Kompanitë e huaja koncesionare, deri më sot nuk kanë zbuluar asnjë vend-burim nafte, gazi, bakri apo kromi, etj. Vetëm kanë shfrytëzuar pasuritë e Shqipërisë, pasuri që i kanë gjetur dhe vënë në punë naftëtarët, gjeologët dhe minatorët shqiptarë. Le të shpresojmë se kjo gjendje do të ndryshojë, duke kuptuar thelbin e çështjes dhe çfarë duhet bërë. Rilindësi i madh Sami Frashri, na mëson se, që shteti të përparojë dhe të jetë i pasur, duhet të shfrytëzojë dhe ruajë pasuritë natyrore minerale, duhet edhe të punojmë dhe të zhvillojmë bujqësinë dhe blegtorinë, si edhe “mjeshtëri në të cilën kanë mësuar vendalinjtë: leshi, liri, pambuku, mëndafshi, hekuri, druri, t’arrihet të punohet sa të mundetë më shumë, që të mos ketë shqiptari aq shumë nevojë, t’i sjellë këto nga jashtë”.
Me këto mësime, ne duhet të kuptojmë mirë se është prodhimi ai që sjell pasurimin e popullit dhe të shtetit, si edhe krijon kushtet edhe për zhvillimin e tregtisë, duke ngritur domosdoshmërinë e zhvillimit të rrugëve automobilistike nacionale dhe lokale, si edhe të hekurudhave, brenda vendit dhe me shtetet fqinjë. Nē librin e tij; “Shqipëria, ç’ka qenē, ç’ēshtē dhe çdo tē jetë” (1899), Sami Frashëri shkroi: “Metalet do të kërkohen nëpër të gjithë’ anët e Shqipërisë e të nxirren kudo të gjenden…! Në kryeqytet të Shqipërisë, përveç shkollave të dyta e të tretat, do të jetë një gjithmësim (Universitet)….një këshillë diturie (akademie) duhet të jetë në kryeqytet….për të shpënë përpara dhe shkronjën, historinë, dhekërkonjënë (gjeologjia), metalet e të tjera punëra të Shqipërisë…”! Pra, për të realizuar zhvillimin e Shqipërisë, Sami Frashëri na mëson të “…krijohet një universitet, i frymëzuar me shkencat aplikative….Fakulteti i inxhinierisë duhet të përfshijë të gjitha specialitetet…Ky institut i lartë, do të krijojë kulturën shqiptare dhe shtatmadhorinë intelektuale të kombit tonë.”
Këtu e njëqind e gjashtëmbëdhjetë vjet të shkuara, duke vlerësuar shfrytëzimin e burimeve të pasurive natyrore, Sami Frashëri ngre edhe problemin dhe jep alarmin se; “…. Sot humbasin e venë kot, si pyjet, metalet e kaqë gjëra të tjera, që po të vështrohen si duhet, mundin të sjellin një begati të madhe”, sikur e ka para-ndjerë ç’po i ndodh shqiptarit këtë çerek shekullin e fundit. Në konkretizim të këtyre mësimeve të Rilindasve, në veprën e tij; “Probleme Shqiptare”(viti 1943, ribotim 2001) Mehdi Frashëri (i amnistuar me rastin e 15 vjetorit të Çlirimit më 1959 me dekret Nr. 3005 nga Kuvendi Popullor dhe sot Qytetar Nderi i Përmetit) shkroi “…Në kohën e arthme të afërt, vajguri i Shqipërisë si në Kuçovë ashtu edhe në Pathos, … formon një burim pasurie kombëtare dhe një objekt të rëndësishëm për të ardhurat e shtetit” dhe se “…në Shqipëri janë shfaqur disa xehe që po të shfrytëzohen me methodha edhe me mënyra të arsyeshme mund të shërbejnë për zhvillimin e ekonomisë dhe të industrisë së vendit, dhe mund t’i sjellin edhe shtetit një të ardhur të mirë. Xehet në fjalë janë: Sera e Selenicës në qarkun e Vlorës; Vajguri i Kuçovës dhe i Patozit në qarkun e Beratit dhe në Mallakastër; Bakri në Pukë dhe në Rubik në qarkun e Shkodrës dhe të Mirditës; Hekuri në luginën e Shkumbinit të lartë, midis Librazhdit e Pogradecit; Kromi në qarkun e sipërpërmendur; Kromi dhe boksidi në qarkun e Kukësit (Prefektura e Kosovës); Qymyr-ligniti në katundet Mbrorje – Drenovë, Krrabën e Tiranës”.
Më tej ai apelon: “…Të gjeturit e karburanteve, si në kohën e paqes ashtu edhe në kohën e luftës, ka marrë një rëndësi aq të madhe sa lot një rol kryesor edhe në politikën e jashtme të shteteve. Për këto arsye karburantet në shumicën e madhe të shteteve kanë qenë sende monopoli. Më nj’anë, për t’i dhënë të ardhura të mjaftueshme arkës së shtetit, më anë tjetër, për ti pasë nën kontroll; në çdo rasë monopolizimi i karburanteve në duart e huaja, është një vetëvrasje, se në rast nevoje shtetit i mungon faktori kryesor i çdo lëvizje” (faqe 110). Programi ekonomik i rilindësve, që u vu i plot nē jetë pas çlirimit tē vendit mē 29 nëntor 1944, kur kërkimi dhe nxjerrja e naftës dhe mineraleve tē tjerë tē dobishëm ishin përparësi, gur themeli i zhvillimit tē qëndrueshmesh tē ekonomisë shqiptare. Ky zhvillim solli që mineralet e shumta që janë gjetur dhe nxirren në Shqipëri, jo vetëm vërtetonin madhështinë e Rilindësve por edhe na vunë detyra me rëndësi. Në kushtet e zhvillimeve aktuale ekonomike dhe sociale botërore në këtë fillim të shekullit të 21-të, ne na duhet të zgjidhim problemin se si duhet të bashkëpunojmë me shtetet e Bashkimit Europian dhe më gjerë, por kurdoherë pa i lënë pasuritë natyrore të atdheut në duart e huaja siç kemi bërë këto 25 vjet, ato të mbeten pasuri e popullit shqiptar dhe burim për ekonominë e vendit.
Këto kujtime dua ti përfundoj duke shkruar për një dukuri, e cila në vetvete është tregues i ndërgjegjesh shoqërore dhe asaj personale. Naftëtarët, që nga punëtori më i thjeshtë e deri tek mjeshtërit, teknikët, inxhinierët, edhe administratorët në përgjithësi u lidhen më naftën për jetë. Shkonin, kryenin shërbimin ushtarak, mësonin në shkollat e larta të inxhinierisë brenda dhe jashtë shtetit, transferoheshin në institucione të ndryshme, por përsëri mbeteshin dhe e quanin veten pjesëtarë të armatës së naftëtarëve. Para nevojës, rëndësisë dhe vlerës së naftës, të cilën njerëzit e ndjejnë deri në shtëpitë e tyre, në familjen e tyre, naftëtarëve nuk u hynin në sy vështirësitë e punës, që nuk ishin vetëm për ata që punonin në puset, por e ndjenin edhe familjet e tyre, gratë dhe fëmijët. Filloi jeta dhe puna e ime në naftë në shtator të vitit 1953 dhe vazhdon deri në ditët e sotme. Në shtatorin e vitit 1956 shkova për studimet e larta në Universitetin e Tiranës. U diplomova në vitin 1961 dhe në shkurtin e atij viti u ktheva përsëri në naftë, në ekipet sizmike, që në atë vit kryenim profilet e para sizmike në Divjakë për zbulimin e gazit.
U transferova për kërkimin gjeofizik të bakrit në Tuç të Pukës dhe në Gjegjan të Kukësit, më pas në Fakultetin e Gjeologjinë dhe të Minierave, por edhe atje fillova të jap mësimet e studimit gjeofizik të puseve të naftës, karotazhit, si edhe kërkimin gjeofizik të vendburimeve të naftës e gazit dhe të mineraleve të dobishme të ngurta, etj. Krahas kësaj, si edhe kolegë të tjerë nga Fakulteti, bashkëpunova me Institutin Gjeologjik të Kërkimeve të Naftës në Fier për përgjithësime dhe projektime të ndryshme, anëtar i Këshillit Shkencor të Institutit (1975-1987), vrojtime në terren, kryesisht në kërkimet në detin Adriatik. Prandaj e pashë të arsyeshëm që këtyre kujtimeve tu bashkëngjisja edhe dy shtojca me numrin e botimeve të naftëtarëve për naftën shqiptare, si edhe bibliografinë time për botimet, studimet, projektet dhe kumtimet gjatë këtyre 60 viteve për naftën. Ashti si për kolegët e tjerë gjeologë e gjeofizikë, kjo ngarkesë e silicit prej nesh shtrihesh deri në familjet tona; krahas saj, si për të gjithë, ndjehesh edhe nevoja për naftën. Na ka mbetur në mendjen një kërkesë e djalit tonë dhjetë vjeçar, Ermalit, që një ditë dimri në vitet tetëdhjetë, kur nuk kish vajguri në dyqan dhe nuk ndiznim sobën me vajguri, ai më thirri nga shpirti i tij: “Mos rri, po ngreu dhe shko e gjej naftë”. Thirrje, që në mendjen dhe zemrat e tyre, e ndjenin të gjithë naftëtarët. Memorie.al