Nga Agim Musta
Pjesa e tretë
Memorie.al / Në përvjetorin e katërt të ikjes nga jeta të historianit, studiuesit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur Agim Musta, (24 Korrik 2019), ish – i burgosur politik, vajzat e tij Elizabeta dhe Suela, i dhanë të drejtën e ekskluzivitetin për botim, medias online Memorie.al, të një prej botimeve më të spikatura të autorit, siç është ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’. Kjo vepër, mban të dhëna, dëshmi, fakte, statistika dhe argumente të shumta e të panjohura për publikun e gjerë, mbi krimet dhe terrorin komunist në Shqipëri, veçanërisht ndaj intelektualëve, në periudhën 1945-1991. Botimi për herët të parë të pjesëve të këtij libri, është dhe realizimi i një prej amaneteve të historianit Agim Musta, i cili, që nga fillimi i vitit 1991 e deri sa ndërroi jetë, për afro tre dekada u angazhua me të gjitha fuqitë e tij, duke punuar për ngritjen e kujtesës kolektive, përmes botimeve me libra dhe publikimeve në shtypin e përditshëm. E gjithë ajo punë voluminoze e z. Agim Musta, e konkretizuar në disa libra, është një kontribut me vlera të mëdha, për zbardhjen e krimeve të regjimit komunistë të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia. Një pjesë e mirë e botimeve të z. Agim Musta, është e përkthyer dhe në anglisht. Duke falenderuar dy vajzat e të ndjerit Musta, që zgjodhën Memorie.al, për të përkujtuar babanë e tyre, nga sot po fillojmë publikimin pjesë pjesë, të ‘Libri i zi i Komunizmit Shqiptar’.
-Burgjet e shtetit komunist shqiptar-
(1945-1991)
C) Kampet me punë të detyruar në bujqësi dhe për hapjen e tarracave
Me thellimin e luftës së klasave, me goditjet që bëheshin ndaj elementëve që shpalleshin armiq, me “zbulimin e grupeve armiqësore”, në të gjitha fushat e veprimtarisë jetësore që bëhej në Shqipëri nga Partia-shtet edhe numri i të burgosurve rritej nga viti në vit. Ishte ky një nga shkaqet e ngritjes së kampeve (burgje) me punë të detyruar në bujqësi, e sidomos për hapjen e tarracave, apo kryerjen e punëve tē ndryshme në këtë front. Dhe të tilla kampe u ngritën në disa vende sikurse:
- Kampi i Torovicës. Ky kamp u ndërtua në fushën e Torovicës, që ndodhet në të majtë të rrugës në fermën, që administrohej nga Ministria e Punëve të Brendshme. Në këtë kamp u grumbulluan rreth 500 të burgosur politike dhe ordinerë, shumica dërrmuese e të cilëve, ishin të moshave 14-18 vjeç. U fol se kampi i Torovicës, do të bëhej model, si kamp “edukimi”, por në fakt u bë kampi më famëkeq, për sfilitjen e adoleshentëve në punë të rënda bujqësore, me një orar ditor 10-11 orë punë.
Të rinj, që s’plotësonin normën ditore, rriheshin barbarisht dhe lidheshin nëpër shtylla në pikën e diellit. Nga puna rraskapitëse, ushqimi i dobët dhe torturat, shumë adoleshentë u sëmurën dhe disa prej tyre humbën jetën. Mjaft të tjerë u shtruan në spitalet psikiatrike dhe mbetën të çmendur përjetë. Kampit të adoleshentëve të Torovicës, i mungonte një ambient higjienik. Aty u shfaqën dhe dukuritë e imoralitetit, sikurse ishte pederastia. Ky kamp ka ekzistuar për më shumë se dy dhjetëvjeçarë, në vitet 1969-1991.
- Kampi i Zejmenit. Kampi i Zejmenit u ndërtua 8 km. në jug të qytetit të Lezhës, në katundin Zejmen. Në këtë kamp u grumbulluan rreth 700 të burgosur politikë dhe ordinerë në moshë mbi 60 vjeç, tē rraskapitur nga puna shumëvjeçare dhe me sëmundje të pashërueshme. Ky kamp u quajt “Kampi para vdekjes”. Shumë të sëmurë, për të cilët nuk tregohej asnjë kujdes mjekësor, humbën jetën në këtë kamp. Të burgosurit, që ishin në një gjendje jo shumë të rëndë shëndetësore, nxirreshin në punë bujqësore, për të kompensuar shpenzimet e bashkëvuajtësve të tyre të sëmurë. Ky kamp ka ekzistuar deri në vitin 1991.
- Kampi i Valiasit. Ky është kampi i parë që u hap me të burgosurit politikë qysh në vitin 1945, 12 km. në perëndim të Tiranës. Të burgosurit ishin sistemuar në disa baraka të vjetra, të ish-ushtrisë dhe punonin për sistemin e tokave tē fermës bujqësore të Kamzës. Kampi kishte një efektiv prej 400 vetash.
Të burgosurit punonin nga 12 orë në ditë, për hapje kanalesh dhe për sistemimin e fushës së Kamzës. Ata ushqeheshin me 600 gram bukë misri dhe iu jepnin vetëm nga 1 gavetë ujë të pijshëm në ditë. Ata që s’plotësonin normën e punës, iu nënshtroheshin torturave dhe rriheshin barbarisht. Kampi-burg u mbyll në vitin 1946 dhe u shndërrua në kamp internimi politik.
- Kampi i Belshit. Ky kamp u ngrit në afërsi të katundit të Belshit (Elbasan) në vitin 1957. Në këtë kamp kish të burgosur politikë dhe ordinerë të moshave 14-18 vjeç. Efektivi i kampit ishte rreth 300 veta dhe shumica e të burgosurve ishin me dënime të vogla dhe me prejardhje nga familjet komuniste. Të dënuarit punonin me bujqësi, por trajtimi i tyre ishte më i butë se në kampet e tjera. Ky kamp pati një jetëgjatësi prej 7 vjetësh. Kur punimet e planifikuara mbaruan, të rinjtë e këtij kampi, i shpërndarë në kampet e tjera me punë të detyruar.
- Kampi i Borshit. Ky kamp u ngrit në katundin Borsh të Sarandës në vitin 1966, me të burgosur politikë. Në këtë kamp u grumbulluan 1000 të burgosur politikë dhe më vonë dhe ordinerë. Me të burgosurit do të bëheshin tarracimet e maleve të Bregdetit, nga Himara në Sarandë, me një gjatësi 60 km., punohej në një terren malor, gjithë gurë dhe shkurre. Temperaturat gjatë verës në diell ishin përvëluese dhe të thaheshin buzët për një pikë ujë.
Ushqimi ishte shumë i dobët, po kush ishte i shkathët e kompensonte atë me mish breshkash dhe iriqësh, në qoftë se mundej t’i fuste fshehurazi brenda në kamp. Shumë të dënuar, vdiqën nga rraskapitja dhe sëmundjet si: pianisti Rikard Riçi, mjeku Vojo Bilbilja, Sami Dangellia e të tjerë.
Ky kamp u shpërthye nga trimi Haxhi Sula, (me origjinë nga Tirana), i cili mbasi i rrëmbeu rojës mitralozin nga dora, mundi të largohej me një makinë disa kilometra. U kap i plagosur rëndë dhe u ri dënua me 25 vjet burgim. Më 1981, kampi i Borshit u shpërngul më në jug, në afërsi të katundit Shënvasi.
- Kampi i Shënvasisë ose i “Përparimit“. Më 1981, kampi i të burgosurve të Borshit, mbasi i kishte mbaruar tarracimet e maleve të bregdetit deri në afërsi të katundit, Lukovë, u shpërngul në një grykë mali midis katundeve Shënvasi dhe Hundecovë dhe u quajt kampi i Përparimit. Të burgosurit e këtij kampi kishin për detyrë të përfundonin tarracimet deri në Qafë Gjashtë, 2 km në lindje të qytetit të Sarandës. Efektivi i kampit kishte arritur deri në 1300 të burgosur. Puna ishte dhe më e vështirë, se në kampin e Borshit.
Të burgosurit të rraskapitur nga puna shumëvjeçare, nuk kishin më fuqi të punonin dhe të realizonin normat e kërkuara nga komanda e kampit. Organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, menduan se; duke shtuar dhunën dhe torturat, të burgosurit do të bënin çmos për të realizuar normat e kërkuara. Gardianët ju drejtoheshin fatkeqëve me fjalët; “Ose planin, ose xhanin”! (shpirtin). Të dënuarit i godisnin pa mëshirë, i lidhnin nëpër shtylla, derisa humbnin ndjenjat, ose kalonin në depresione nervore.
Ka pasur dhe raste vdekjeje nga torturat. Duke i quajtur tarracimet e bregdetit, si arritje të Partisë–Shtet, Enver Hoxha krenohej me këto “Perla të Shqipërisë Socialiste”. Edhe ndonjë delegacion i huaj, që vizitonte atëherë Shqipërinë, dërgohej për të parë tarracat e bregdetit, por gjithnjë duke i fshehur me kujdes të burgosurit. Kështu ministri grek i bujqësisë, që i vizitoi këto plantacione në 1985, i quajti ato; “Mrekullia Shqiptare”, por kurrë nuk u fol për punën skllavëruese, që bënin të burgosurit atje.
Në vitin 1991, kur Kristina Von Kohl nga Danimarka, anëtare e Komitetit të Helsinkit, vizitoi kampin e të burgosurve me punë të detyruar të Përparimit, deklaroi: “Kampet naziste të punës në Dakau dhe Mauthausen, kanë qenë shumë më të mira se ky kamp që pamë sot këtu”. Komentet janë të tepërta. Ky kamp u mbyll në 4 korrik 1991.
Ç. Kampet me punë të detyruar të ndërtimit
Qysh në vitet e para të vendosjes së diktaturës komuniste, të burgosurit politike dhe ordinerë, u përdorën për ndërtimin e objekteve social-kulturore dhe të apartamenteve të banimit. Më poshtë po i renditim sipas rendit kronologjik, kampet me punë të detyruar të ndërtimit
- Kampi i Stadiumit “Qemal Stafa”. Gjatë vitit 1945, rreth 300 të burgosur nxirreshin nga burgjet e Tiranës dhe të shoqëruar me roje të armatosur gjer në dhëmbë, dërgoheshin për të punuar në stadiumin “Qemal Stafa”, të cilin italianët e kishin lënë të papërfunduar. Dita e punës ishte 10-12 orë. Ata që s’kryenin normën, rriheshin dhe izoloheshin nëpër qelira. Puna në këtë kamp, vazhdoi deri në muajin prill të vitit 1946.
- Kampi nr.4 i Tiranës. Ky kamp kishte 600 të burgosur politikë, të cilët kanë punuar gjatë viteve 1952-1955 për ndërtimin e pallateve të Bllokut “Agimi” në Tiranë. Të dëshpëruar nga dhuna dhe puna e rëndë e me orar të zgjatur, që përdorej në këtë kamp, një grup të burgosurish u përpoqën të arratiseshin, duke hapur një tunel. Të spiunuar nga një provokator, arrestohen 20 veta dhe me një hetuesi dhe gjyq të përshpejtuar, 4 veta dënohen me vdekje dhe ekzekutohen.
Ata ishin: Abdulla Bajrami, Mark Zefi, Isuf Velçani dhe Zyhdi Mancaku. Ekzekutimi i tyre u bë në oborrin e Burgut të Vjetër të Tiranës, nga krye hetuesi i Republikës, gjeneral Nevzat Haznedari, duke ua çarë kafkat me levë hekuri. Të tjerët u dënuan me burgime të rënda. Mbas kësaj ngjarjeje, të gjithë të burgosurit e kampit iu nënshtruan një terrori masiv.
- Kampi i Stadiumit “Dinamo”. Gjatë periudhës kohore 1955-1959, në këtë kamp punonin rreth 700 të burgosur politikë dhe ordinerë. Çdo ditë punohej me orar të zgjatur dhe me tre turne. Në këtë kamp janë vrarë dy të burgosur që tentuan të arratisen dhe një shofer i lirë, Main Mezini, që kaloi 2 metra vijën e ndaluar. Nga puna e rëndë dhe torturat, ka pasur edhe tri vetëvrasje. Shumë të burgosur u sëmurën, një pjesë vdiqën dhe të tjerë mbetën invalidë përjetë.
- Kampi i Sanatoriumit. Në këtë kamp, 2 km. në lindje të Tiranës, kanë punuar 350 të burgosur politikë për ngritjen e Sanatoriumit më të madh të Shqipërisë. Punimet filluan në vitin 1960 dhe mbaruan në fillim të vitit 1963. Një i burgosur humbi jetën për mungesë të sigurimit teknik dhe një tjetër bëri vetëvrasje, duke u hedhur në telat e rrethimit, ku e sharruan plumbat e ushtarëve roje të atij kampi.
- Kampi i Bllokut “Puna”. Ky kamp u ndërtua në të majtë të rrugës “Myslym Shyri”, Tiranë dhe kishte një efektiv prej 400 të burgosurish politikë. Gjatë periudhës 1960-1963, të burgosurit e këtij kampi, ndërtuan Bllokun “Puna”, me 500 apartamente banimi. Nga mungesa e sigurisë teknike, gjatë punës ka pasur shumë aksidente, 3 prej të cilave përfunduan me vdekje.
- Kampi i Kompleksit Sportiv “Dinamo”. Ky kamp u ngrit në afërsi të liqenit artificial të Tiranës. Këtu kanë punuar 400 të burgosur politikë, për një periudhe dhjetëvjeçare (1977 -1987). Përveç Kompleksit Sportiv “Dinamo”, të burgosurit e këtij kampi, ndërtuan edhe 300 apartamente banimi, për efektivin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
- Kampi i Urës së Bonës. Ky kamp u ndërtua në afërsi të Peqinit në vitin 1950, me 700 të burgosur politikë dhe ordinerë. Të burgosurit e këtij kampi, ndërtuan disa km. trase të hekurudhës Peqin-Elbasan dhe shumë ura të vogla të kësaj hekurudhe. Në fund të vitit 1950, ky kamp u shpërngul në afërsi të katundit Bishqem (Elbasan).
- Kampi i Bishqemit. Kampi i Bishqemit u ndërtua 15 km. në perëndim të qytetit të Elbasanit me një efektiv prej 900 të burgosurish. Detyra e këtij kampi, ishte hapja e tunelit hekurudhor të Bishqemit, me gjatësi 400 metra. Me mjete primitive, pa asnjë sigurim teknik, të burgosurit e rraskapitur duhet të hapnin tunelin më të madh të Shqipërisë. Nga shembjet në tunel, 27 veta gjetën vdekjen dhe shumë të tjerë mbetën të sakatuar përjetë. Punohej me tri ndërresa. Nga ky kamp, ka pasur edhe tentativa arratisjeje, disa prej të cilave përfunduan në vrasjen e të burgosurve.
Shënim: Në shumicën e rretheve të Shqipërisë, pranë Degëve të Punëve të Brendshme, mbaheshin nga 20-30 të burgosur, specialistë të ndërtimit, që iu kishte mbetur të vuanin akoma deri në një vit burgim. Këta përdoreshin për të ndërtuar apartamente banimi për efektivat e Sigurimit të Shtetit dhe të Policisë së rretheve.
D) Kampet me punë të detyruar për ndërtimin e veprave industriale
Gjatë periudhës 1961-1975, me ndihmën e Kinës maoiste, që mendonte ta bënte Shqipërinë komuniste, “Fanar ndriçues në Evropë”, u ndërtuan një sërë veprash, industriale. Edhe për ndërtimin e tyre u shfrytëzua puna e të burgosurve politikë. Për këtë qëllim, u ndërtuan një numër i madh kampesh-burgje, ku të dënuarit punonin pareshtur me tre turne. Këto kampe po i rreshtojmë sipas rendit kronologjik, kur filluan punimet në to.
- Kampi i Kombinatit Ushqimor Tiranë. Ky kamp u ndërtua 2 km. në jugperëndim të Tiranës, me një efektiv 400 të burgosur politikë. Punimet për ndërtimin e “Kombinatit Ushqimor” vazhduan për tre vjet, 1959-1962. Gjatë kësaj kohe u ndërtua Fabrika e Bukës, Fabrika e Birrës dhe disa fabrika të tjera, si ajo e Makaronave, e Reçelrave, Konservimit të Fruta-zarzavateve, që të gjitha së bashku përbënin “Kombinatin Ushqimor”.
- Kampi i Kombinatit të Mishit dhe Qumështit Tiranë. Ky kamp, me një efektiv 300 të burgosur politikë, gjatë periudhës 1960-1963, ka ndërtuar në periferinë veriore të Tiranës, Kombinatin e Mishit dhe të Qumështit. Në këtë kamp, është punuar intensivisht me tri ndërresa.
- Kampi i Rubikut. Ky kamp u ndërtua në afërsi të Rubikut, buzë lumit Fan. Objekti i punës së këtij kampi, me një efektiv prej 400 vetash, ishte ndërtimi i Uzinës së Shkrirjes së Bakrit. Punimet i drejtonin inxhinierët kinezë. Komandanti i kampit, ishte kolonel Bajram Korvarfa, analfabet, tepër brutal dhe i alkoolizuar, që i torturonte të burgosurit me duart e tij.
Në këtë kamp, u punua intensivisht me tre turne. Punimet nisën në vitin 1963 dhe mbaruan në vitin 1965. Nga kjo uzinë, kur filloi shkrirja e bakrit, nxirrej dhe 1 kg. ar i pastër në ditë. Nga kampi i Rubikut, u bënë dhe përpjekje për arratisje. I riu Demir Shkoza, që iku nga ky kamp, u kap në afërsi të rrethit të Dibrës, u dënua me vdekje dhe u ekzekutua.
- Kampi i Laçit (Kurbin). Në këtë kamp, kanë punuar rreth 700 të burgosur gjatë viteve 1963-1967, për ndërtimin e Uzinës së Plehrave Fosfatike dhe të Uzinës së Acidit Sulfurik. Në fillim, të burgosurit kanë ndërtuar apartamente banimi në qytetin e Laçit. Në vitin 1964, filloi puna për ndërtimin e uzinës. Në këtë kamp, për mungesë sigurimi teknik, kanë gjetur vdekjen tetë të burgosur dhe tre të tjerë, Naum Kondakçiu, Mark Cufi dhe Eqrem Zako, u vranë, pasi u përpoqën të arratiseshin.
Komandant i atij kampi ishte kolonel Hazbi Lamçe me origjinë nga Mallakastra, që njihej si njeri i afërt i Mehmet Shehut, kurse komisar, ishte Nesti Ballta, me origjinë nga Korça. Punimet i drejtonin specialistët kinezë, që silleshin shumë korrektë me të burgosurit. Në Laç, ka pasur dhe raste vetëvrasjeje, si ai i të riut dibran Qerim Çaushi. Disa të tjerë u aksidentuan rëndë dhe mbetën të gjymtuar përjetë, si Eqrem Çapaj, nga Dukati i Vlorës.
- Kampi i Fushë-Krujës. Ky kamp u ndërtua 6 km. në veri-lindje të qytezës së Fushë-Krujës. Këtu u grumbulluan rreth 700 të burgosur politikë dhe ordinerë, për të ndërtuar një fabrikë çimentoje. Punohej me tre turne dhe fabrika filloi prodhimin në fillim të vitit 1967. Në kampin e Fushë-Krujës, gjysma e racionit të bukës u zëvendësua me patate, që në shumicën e rasteve, ishin të prishura. Kushtet higjienike në këtë kamp, ishin shumë të rënda, kapanonet të ngushta e të vjetra dhe uji ishte “luks”.
Komisari i kampit, Besnik Çomo, shquhej për ligësitë e tij, për t’ua bërë jetën sa më të padurueshme të dënuarve. Në qershor të vitit 1966, nga të burgosurit e këtij kampi, u bë më përpjekje për arratisje. Të dënuarit: Maksut Xhumaka (Babashi) dhe Ylli Tabaku, mbasi shpërthyen portën kryesore të kampit me një kamion të rrëmbyer, mundën të largohen disa qindra metra, por u kapën dhe u rrahën barbarisht në mes të kampit, derisa humbën ndjenjat. Gjykata i dënoi me 5 vjet burgim shtesë.
- Kampi i Fabrikes së Çimentos Elbasan. Ky kamp, ishte vendosur 3 km. në veri-perëndim të qytetit të Elbasanit, në vendin e quajtur “Gropa e Tezes”. Këtu gjatë viteve 1967-1968, punuan 1000 të burgosur politikë, për ndërtimin e fabrikës së çimentos, në kushte tepër të vështira fjetjeje. Në një sipërfaqe 400 m.2, flinin 1000 të dënuar. Komandanti i kampit, ishte Hysen Kapllanaj, (me origjinë nga Mallkastra), njeri rigoroz në zbatimin e rregullores i cili mundohej të shmangte përballjen me të burgosurit. E kundërta e tij, ishte komisari politik, Niko Kolitari, që të burgosurit i kishin vënë nofkën “Zgërbonja”.
Tek ai njeri, shpirti, mendja dhe pamja e tij, buronin vetëm ligësi. Në këtë kamp, bëri vetëvrasje djaloshi 20-vjeçar, Mit’hat Allushi dhe ish-mësuesi Reshat Ago; kurse Ali Maliqi (me origjinë nga Peshkopia), u vra nga dora e fshehtë e Sigurimit tē Shtetit, në prag të lirimit, pasi kishte vuajtur 23 vjet burgim.
Në këtë kamp nga kushtet e vështira higjienike dhe ushqimit shumë të keq, u sëmurën shumë të dënuar. Pati dhe vdekje nga mosinteresimi i duhur për mjekim. I tillë është rasti i Myzafer Demroçit, 30-vjeçar, që u çua në spital në momentin e fundit të jetës. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016