Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të major Preng Jakut me origjinë nga fshati Kepruell i Malësisë së Lezhës, i cili pasi u shkollua në Seminarin Françeskan të qytetit të Shkodrës, në vitin 1916 u dërgua nga austro-hungarezët në Vjenë, ku u diplomua në shkollë ushtarake dhe më pas u kthye në atdhe, me dekret të veçantë u titullua oficer me gradën e togerit. Karriera brilante ushtarake e Preng Jakut, i cili për trimëritë e treguara në disa luftime, në vitin 1921 u emërua komandant i Batalionit Shetitës (Special), që u krijua nga Qeveria Shqiptare e dalë nga Kongresi i Lushnjes, duke i dhënë edhe gradën e majorit, ku në krye të tij ai morri pjesë në shtypjen e disa rebelimeve dhe Kryengritjes së Mirditës, duke mos pranuar t’u bënte lëshime Gjonmarkajve. Historia tragjike e major Jakut, ku pasi shtypi kryengritjet e Gashit dhe Krasniqes që ishin organizuar dhe udhëhiqeshin nga Bajram Curri, ai humbi jetën në rrethana tragjike, duke gjuajtur peshk në fshatin Luzhë të Tropojës, ku kishte qëndruar për një pushim së bashku me efektivin e batalionit që komandonte. Përpjekjet e ministrit të Brendshëm, Ahmet Zogu për t’i shpëtuar jetën duke i dërguar mjekun e tij personal, si dhe jehonën e madhe që pati në shtypin e kohës vdekja e tij.
Ka qenë 27 qershori i vitit 1923, kur shefi i kabinetit të Ministrit të Brendshëm të Qeverisë Shqiptare të asaj kohe, Ahmet Zogu, i dorëzoi shefit të tij një telegram që vinte nga Nënprefektura e Krumës. Ministri porsa mori telegramin, ju mbushën sytë me lot dhe me kokën të mbështetur mbi dy krahët e kryqëzuara në tavolinë, qau si një fëmijë përreth dy orë. Po çfarë kishte ndodhur? Nënprefektura e Krumës, bënte të ditur se në Luzhë të Tropojës, nga plagët e marra në mbrëmjen e 26 qershorit, kishte ndërruar jetë, komandanti i Batalionit Shëtitës, major Preng Jaku.
Kush ishte Preng Jaku?
Ai rridhte nga një familje me emër nga fshati Bulgeri i krahinës së Mirditës, atje ku harta administrative edhe sot ndan rrethin e Lezhëz, me atë të Kurbinit, Mirditës e Matit. I ndihmuar dhe nga daja i tij, që ishte Abati i Mirditës, Preng Doçi, (një ndër themeluesit e parë të mërgatës shqiptare në SHBA-ve diku nga viti 1887-të), Prenga arriti të shkollohet fillimisht në Mirditë, e më pas në shkollën qytetëse të Seminarit Françeskan në Shkodër, ku ai studio për shtatë vite me radhë. Ajo kohë që Prenga studioi pranë atij seminari, përkoi me periudhën kur ushtritë Austro-Hungareze, ishin ulur “këmbëkryq” në Shqipëri dhe mundoheshin të merrnin në dorë frenat e një shteti ku kishte pllakosur një anarshi totale, si rezultat i Luftës së Madhe, siç i quajt në atë kohë dhe më pas, Lufta e Parë Botërore. Ai ishte shumë i dhënë pas ushtrisë dhe armatimeve, saqë rrallë mund të gjejë ndonjë lloj armatimi, që ai nuk dinte ta përdorte, njëlloj si ushtarakët më të përgatitur. Aq problem ishte bërë Prenga për karvanët ushtarake, që kalonin në fshatin e tij, sa që Austro – Hungarezët e dënuan atë duke e izoluar në burgun e Lezhës, nga ku ai mundi të arratiset një ditë, pasi ju hodh rojës në qafë dhe e çarmatosur atë. Pas kësaj ai u rikthye përsëri në fshatin e tij, Bulgër, duke qëndruar i fshehur nga frika se do ta arrestonin përsëri. Duke parë prirjet e tij, Abati i Abacisë së Oroshit, Preng Doçi, që ishte daja i tij, ndërhyri pranë autoriteteve ushtarake të Austro- Hungarisë dhe e dërgoi atë në një kurs ushtarak në Shkodër, që ishte nën kujdesin e detashmentit gjerman në atë qytet. Atë kurs që përgatiste nxënës me qëllim vajtjen e tyre më tej në Akademinë Ushtarake në Gjermani, Prenga e ndoqi për nëntë muaj, duke qenë i mobilizuar si ushtar pranë detashmentit Gjerman. Duke parë rezultatet e tij, detashmenti gjerman e dërgoi atë edhe për nëntë muaj të tjera, në shkollën e oficerëve rezervë në Vjenë si dhe katër muaj në qytetin Graz.
Pas diplomimit në Austri kthehet në atdhe dhe dekretohet ushtarak
Pas përfundimit të shkollës së oficerëve rezervë në Austri, Prenga u kthye në Shqipëri dhe u paraqit pranë Korp-komandës Austro – Hungareze në qytetin e Shkodrës, e cila duke parë rezultatet e diplomës së tij, me një dekret të veçantë, më 4 shkurt 1917, e dekretoi atë si ushtarak, me gradën Aspirant. Pas katër muajsh me dekretin e Arme – Ober, Komanda Austro- Hungareze, më 1 maj të atij viti, e gradoi Nëntoger dhe që nga ajo ditë, Preng Jaku hyri në shërbim të Qeverisë shqiptare. Lidhur me fillimet e karrierës së tij ushtarake dhe gradimet e shpeshta, në kujtimet e tij, midis të tjerash thuhet: “Pasi u ktheva nga Austria me gradën Aspirant u komandova menjëherë në front të Starovës, ku pas katër muajsh u emërova si Fachnrich. Në këtë front, përveç luftimeve dhe përpjekjeve defensive dhe ofensive të përgjithshme, veçanërisht mësymjen tonë ndaj një patrulle nën komandën time, ku kapëm pesë francez rob. Për këtë shërbim, m’u dha dekoracioni ‘Lilberne Fapferkehit medaile I klase’. Më vonë përsëri, me një forcë prej 100 vetash nën komandën time, mësyna një toge franceze në Mokër të Pogradecit dhe qarkova kësollën e togës francezëve dhe pasi ata nuk dorëzoheshin, mbetën 15 vetë të vdekur e dy francez na metën rob. Për këtë shërbim mora 1000 korona si shpërblim dhe u dekorova me ‘Lilberne Kreuz II klase’, por me që ngjau shpejt shkatërrimi i frontit, nuk pata fat ta marr atë. Për luftime të tjera mora dhe ‘Brouzene Fapferkehits medaile d’.
Pas Kongresit të Lushnjes, Komandant i Batalionit Shëtitës
Në mbarimin e Kongresit të Lushnjes, Qeveria Provizore e dalë nga ai Kongres, vendosi krijimin e një Batalioni Shëtitës (special), me qendër në Tiranë, si pjesë përbërëse e Xhandarmërisë, i cili do të kryente të gjitha operacionet ushtarake në të gjitha territoret shqiptare, ku do të kishte rebelime, kryengritje apo anarshira, për mosnjohjen e asaj qeverie të dalë nga kongresi. Komandanti i këtij Batalioni u emëruar Preng Jaku, të cilit i’a dhe me dekret edhe grada e majorit, si një ushtarak përgatitur, pasi përveç studimeve në Austri, ai ishte dalluar edhe në veprimet luftarake në zonën e Pogradecit, kundër francezëve të cilët donin të shpallnin atë dhe Korçën si zona nën juridiksionin e tyre. Ashtu siç dhe pritej, pas Kongresit të Lushnjes, në anarkinë e madhe që kishte pllakosur asokohe Shqipërinë, filluan kryengritjet në krahina të ndryshme, që nuk e njihnin qeverinë e dalë nga Kongresi, ku prijës të ndryshëm e bajraktarë të Veriut, shpallnin krahina autonome për t’i vetëqeverisur ato, etj. Në atë anarshi të madhe, u shqua edhe Esad Pash Toptani, i cili krijoi qeverinë e tij në Durrës, me qëllim që të formonte një principatë nën komandën e tij, me zotërime mes dy lumenjve Mat e Shkumbin. Në këtë situatë të precipitimit të ngjarjeve në atë kohë, Batalioni Special Shëtitës i krijuar me vendim e Qeverisë të dalë nga Kongresi i Lushnjes, nën komandën e major Preng Jakut, ju desh që luftimet e para t’i fillonte kundra forcave Esadiste, që ndodheshin në rrethinat e Tiranës, Durrës, Shijak, Kavajë e Peqin. Lidhur me këto luftime dhe operacionet e shumta që Preng Jaku zhvilloi me Batalionin e tij Shëtitës, në kujtimet e tij ndërmjet të tjerash ai ka shkruar: “Që me datë 4 shkurt 1919, që filluem shërbimin në qeverinë tonë në degën e Xhandarmërisë, jemi përdorë gati për herë për operacione, pa u nda ndonjëherë as me leje, përveçse njëherë gjatë ditës dhe as me ndonjë shkak tjetër, veçanërisht me u përmend janë:
a) Operacioni i Dumresë në një kohë anarshije shumë të rrezikshme.
b) Ndihmat me rrezik të Konferencës së Lushnjes.
c) Luftimet kundra dibranëve që patën ra me zabtue Elbasanin, si fillim të kryengritësve të Esadistëve në Gur të Kuq të Çermenikës, ku mbas një qarkimit që i bamë kryengritësve u vranë katër dibranë të vdekur, dy i zumë rob.
d) Qëndrimi në qarkimin e Esadistëve në Tiranë.
e) Nën komandën e zotit Major Kasem Qafzezi, luftimet për tetë net në Prezë kundër Esadistëve, ku prej komandës tonë u vranë katër gjindarë e tre të plagosun.
f) Prap në komandën e Kolonel Bajram Currit, mësyna kalanë e Prezës, ku ishin forcat Esadiste dhe pasi m’u vranë katër nga kompania jonë, e pesë të plagosun, u mor kalaja për dy orë e gjysëm luftime.
g) Në ofensivën për të zanë kufirin e 1913-ës në Gollobordë të Dibrës, u përpoqëm në luftime tre ditëshe, deri sa pik për pik u zu kufiri i sipërpërmendur.
gj) Në ofensivën e serbëve për të zabtue përsëri viset e Shqypnisë dhe për të mund me shkatërrua shtetin tonë, luftuam dy ditë e dy net, në luftimet defensive kundra serbëve në frontin e Çermenikës dhe të Martaneshit, duke dalë me fitim vazhdova për pesë muaj e gjysëm në front.
Në luftë për të shtruar Mirditën pas kryengritjes së Gjonmarkajve
Nga fillimi i vitit 1921, për shkak të pakënaqësive që patën ndaj qeverisë që nuk u dha atyre poste të larta, Gjonmarkajt nuk e njohën Qeverinë e Kongresit të Lushnjes dhe pas kësaj ata donin të shpallnin krahinën Autonome të Mirditës, nën një principatë të kryesuar prej Gjon Marka Gjonit. Kështu, për të dëshmuar se ata nuk e njihnin atë qeveri, në fshatin Mnelë të Mirditës, mnelakët vranë katër xhandarë, që ishin përfaqësuesit e vetëm të Qeverisë në fuqi, pasi asnjë lloj tjetër administrate nuk funksiononte në ato anë dhe ndikimi i qeverisë nuk ndihej fare. Nisur nga kjo ngjarje, Qeveria urdhëroi Batalionin Shëtitës, nën komandën e major Preng Jakut, që të shkonte menjëherë në Mirditë, për të kryer një operacion për vendosjen e qetësisë e stabilitetit dhe nënshtrimin e të pabindurve, ndaj ligjeve të shtetit. Lidhur me këtë operacion, ndërmjet të tjerash në kujtimet e tij, Preng Jaku dëshmon: “Më datën 12 prill 1921, me rastin e vrasjes së katër xhandarëve nga ana e Mnelagjive, me urdhën të Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë, vajtëm me një fuqi prej 350 vetash dhe qarkuem (rrethuam) Mnelen, Laçin e Hajmelin. Në ato vise s’kishte as administratë as dhe fuqia e Qeverisë nuk kishte influencë dhe për gjobë të vrasjes së katër xhandarëve, ju muarrën atyre viseve një sasi gjëje të gjallë, të cilat me anën e një komisioni i shitëm në Shkodër për 720 napolona arë, të cilat ja dorëzuam Komandës së Përgjithshme të Xhandarmërisë. Pasi ka filluar operacioni i Mirditës, për pesë muaj jemi gjendur pa pushim në përpjekje, por ma me rëndësi për mue u përmendë, janë katër luftimet me rezultate shumë të dobishme të cilat mund t’i quaj “straordinarje” që u fituan me iniciativën tonë.
a) Luftimi me fitim të plotë që u bë kundra një fuqie prej 1300 vetash të Halit Lleshit e Taf Kaziut në Lurë, ku metën 51 komitë të vdekun. Këta komitë ishin nisë prej Dibre për me dalë e me u bashkue me komitat e Mirditës në Orosh dhe po të mos mësyheshin m’at natë prej fuqisë sonë, në nesërmet do të bashkoheshin me fuqitë e komitëve të Mirditës, që po i pritshin në “Bjeshkë të Oroshit”, të cilët edhe këta patën rrethue në Orosh forcat e Kapiten Dervishoviçit. Sa morra këtë lajm, duke lanë fuqinë zyrtare në Reç e në Dardhë e Lurë, kundra komitëve të Halit Lleshit, me vullnetarë prej Lure e Kthelle, ju nisa në ndihmë Kapiten Dervishit, ku pasi në “Bjeshkë të Oroshit” u bashkuam përsëri me tepricën e fuqisë së Operacionit, Nënkolonel Ali Fehmiut (Kosturi). Me luftime nëpër “Bjeshkë”, e çamë e ramë në Orosh, por për fat të keq, Kapiten Dervishi ishte dorzue.
b) Marrja e Kishës së Oroshit dhe qëndrimi për shtatë ditë me mungesë të ushqimit e të municioneve.
c) Marja e Shkallëgjanës herën e dytë nën komandën tonë pasi që u kthyen Dibranët.
d) Marja e Spaçit dhe e Munellës e luftimet e qarkimet në Fan e mbledhja e rekrutimit në Fan, Spaç e Kushnen”.
Në ndihmë të kryengritësve mirditas që udhëhiqeshin nga Gjon Markagjoni, ishte bashkuar dhe kapiten Ndrec Prenga, djali i Bajraktarit të Kthellës, Llesh Marka Prengës. Kapiten Ndreca ishte efektiv i Batalionit Shëtitës nën komandën e Preng Jakut, por ai dezertoi nga Batalioni e u bashkua me Gjonmarkajt. Preng Jaku në krye të Batalionit Shëtitës, arriti të nxjerrë nga rrethimi forcat e Ali Fehmi Kosturit dhe të nënshtrojë forcat kryengritëse të komanduara nga Gjon Markagjoni, i cili me krerët e tjerë të kryengritjes, u detyrua të largohet nga krahina e tij dhe të arratiset për në Serbi. Gjatë operacionit për shtypjen e kësaj kryengritjeje në Mirditë, major Preng Jakut i erdhën dy letra nga kapiten Gjon Markagjoni, i cili i kërkonte atij që t’i lejonte ata dhe disa forca të tyre, që ashtu të armatosur të dilnin nga rrethimi i forcave qeveritare të komanduara prej tij dhe të largoheshin për në Serbi. Për këtë, ata i bënin me dije Prengës në letrat e dërguara, se ata ishin marrë vesh për atë veprim dhe me ministrin Ahmet Zogu, i cili sipas tyre i kishte autorizuar gojarisht, për të shfrytëzuar autoritetin e tij, për të mos ju nxjerrë askush pengesa, për të kaluar të armatosur për në Serbi. Lidhur me këto dy letra të kapiten Gjon Markagjonit, (të cilat ndodhen në dosjen voluminoze të major Preng Jakut, të trashëguar nga pasardhësit e tij), ai i’u përgjigj: “Mbi çështjen e marrëveshjes tuaj me qeverinë, nuk kemi ndonjë dijeni. Ne, pa na ardhë ndonjë urdhën prej Ministrisë Luftës, nuk mund t’ju lajm për me kalue për në Serbi. Në qoftë se do të kemi ndonjë letër kalim (pasaportë), na e çoni ta shohim, se sa vetë doni me kalue dhe me armë apo pa armë…”.
Lidhur me aludimet që Gjon Markagjoni bënte në dy letrat e tij dërguar major Prengës, sesi ai, duke qenë vetë mirditor, vjen për të shtypur kryengritjen e Mirditës, kurse Ahmet Zogu ju bën atyre lëshime, major Prenga, ju përgjigj: “Sa për ardhjen tonë për çarmatimin e Nënprefekturës së Mirditës, nuk është nevoja për me marrë shpjegime ju prej nesh, se për me krye detyrën e atdheut si një komandant modern i Ushtrisë Shqiptare, nuk kam pyet njeri ndonjëherë, as nuk ka ministër, që të na ndalojë për të kryemit e detyrës së një urdhrit të përgjithshëm me vendimin e Këshillës Ministeriale”.
Me shtypjen e kryengritjes së Mirditës, major Preng Jakut i’u shtua fama dhe autoriteti në të gjithë Shqipërinë, si një ushtarak i zoti që në krye të Batalionit të tij kishte arritur që të shtronte shqiptarët e pa bindur në atë kohë kur Shqipëria përjetonte zallamahinë e një anarkie të madhe.
Major Jaku pritet në Tiranë me nderime nga Parlamenti
Pas shtypjes së kryengritjes së Mirditës, major Preng Jaku me Batalionin e tij Shëtitës u kthye në Tiranë si një triumfator. Qeveria e Parlamenti i asaj kohe i organizuan atij një pritje të veçantë, duke i bërë të gjitha nderet e një fitimtari. Me një dekret të veçantë, ‘Batalionit Shëtitës’ i’u akordua një pushim i gjatë, kurse major Preng Jakut, ju dha një shtëpi (vilë) falas nga shteti, për t’u vendosur aty me familjen e tij. Fitorja e major Preng Jakut, mbi kryengritësit mirditorë, vinte mbas shumë operacionesh luftimi që ai kishte bërë në shumë krahina të ndryshme të Shqipërisë, si: Pogradec, Librazhd, Elbasan, Dibër, Dukagjin, Tiranë, Durrës, Shijak, Peqin, etj. Pas shumë operacionesh e luftimesh, Prenga u vendos në shtëpinë e re në Tiranë, duke sjellë aty dhe gruan e tij, Mrikën, pasi fëmijë nuk kishin. Por ato ditë, në malësitë e Gashit e të Krasniqes kishin filluar trazirat kundër Qeverisë, të cilat udhëhiqeshin nga Bajram Curri. Duke parë situatën e krijuar, Qeveria e asaj kohe mendoi të dërgonte për shtypjen e asaj kryengritje, major Shefqet Korçën. Major Korça ndonëse ishte një trim dhe ushtarak i zoti, këtë radhë bëri sikur ishte i sëmurë dhe nuk mund të shkonte. Kjo gjë u pranua dhe nga ministrit i Punëve të Brendshme Ahmet Zogu, i cili i propozoi qeverisë, që në vend të major Korçës, të shkonte përsëri major Preng Jaku me Batalionin e tij.
Kryengritja e Gashit e Krasniqës dhe vrasja aksidentale e major Prengës
Urdhrin për t’u nisur përsëri në operacionet ushtarake për shuarjen e rebelimeve të Gashit e Krasniqës, major Prenga e priti me shumë mërzi, por ai i mësuar që urdhrat e eprorëve të tij të mos i kundërshtonte kurrë, sidomos kur Shqipëria ndodhej në situatë të tilla, vendosi të shkonte. Kështu, në qershor të vitit 1923 së bashku me Batalionin e tij, ai arriti ta shtypte kryengritjen dhe të çarmatoste rebelët në të gjitha ato krahina, duke siguruar kështu qetësinë e atyre viseve dhe sigurimin e kufijve shtetëror. Pas ditë të shumta luftimesh, duke u kthyer me efektivat e batalionit që komandonte, ai vendosi të bënte një pushim në Luzhë të Tropojës, për t’u çlodhur sadopak nga luftimet dhe rruga e gjatë. Major Prenga, bashkë me oficerët e Batalionit, për t’u zbavitur ranë në breg të lumit të Valbonës duke gjuajtur peshk, me disa bomba që ishin gati të skaduara, me fitila të këputura që ndizeshin vetëm me shkrepëse. Duke bërë provë një bombë të tillë së bashku me një kapter, ajo i plasi në duar, pa e hedhur akoma në ujë. Nga shpërthimi i saj, major Prengës i këputi njërin krah dhe i shkaktoj plagë të shumta në trup dhe në fytyrë. Pas kësaj, menjëherë oficerët e tij e dërguan në një shtëpi të fshatit Luzhë, ku atë erdhi dhe e mjekoi me ato mundësi, që kishte një prift katolik i një fshati fqinjë dhe u njoftua gjithashtu edhe Tirana për gjithçka kishte ndodhur. Pas marrjes së lajmit, ministri i Brendshëm, Ahmet Zogu, urdhëroi mjekun e tij personal të nisej menjëherë për në Tropojë, por me gjithë mjekimet e mjekut nga Tirana, plagët erdhën duke u i’u pezmatuar dhe shëndeti i major Preng Jakut, filloi të përkeqësohej së tepërmi dhe ai ndërroi jetë natën e 26 qershorit të vitit 1923. Sipas amanetit që u la para se të mbyllte sytë, dy vëllezërve të tij që mbërritën pas dy tre ditësh në fshatin Luzhë, varrimi i tij u bë në fshatin e tij të lindjes, Kepruell të Mirditës, pas ritualeve mortore tek Kisha e Benediktëve të Hershëm, fare pranë shtëpisë së tij.
Gazeta “Ora e maleve”, për vdekjen e major Jakut
Lajmi i vdekjes aksidentale të major Preng Jakut u përhap menjëherë pothuaj në të gjithë Shqipërinë, nëpërmjet njoftimit që u bë në disa gazeta të asaj kohe, madje thuhet se për atë ngjarje shkroi edhe shtypi i huaj. Lidhur me vdekjen e major Jakut, ndërmjet gazetave të shumta që përcollën atë lajm, “Ora e Maleve” që dilte në qytetin e Shkodrës, prej klerikëve katolikë, midis të tjerash në numrin e saj të datës 1 korrik 1923, shkroi njoftimin zyrtar të qeverisë shqiptare të asaj kohe, ku thuhej: “Major Preng Jaku vdiq. Komanda e Ushtrisë së Kosovës, lajmnon prej Krumet, se major Preng Jaku, qe plagosë vetë t’uj gjujt peshk dhe më 26.6.1923 u nda kjo jetë. Trupi i tij, sipas dëshirës që la me gojë, u përcoll prej një kompanie, duke u nisur prej Luzhës duke u transportua për në Malësi të Lezhës. Qeveria dha urdhër të bahen nderimet ma të nalta, këtij që qe ndër oficerët ma të mirë të Shqipnis. Humbja e tij qahet me lot prej çdo shqiptari” Drejtori i Shtypit, Terenc Toçi. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016