Nga Eugjen Merlika
Pjesa e parë
– DHUNA DHE DINJITETI –
(Duke lexuar romanin “Këneta e vdekjes” të Makensen Bungos)
“Njëri do të përdorte dhunën për të shpërbërë njeriun, ndërsa tjetri do të përdorte durimin për të ruajtur personalitetin. Ishin përballë dy forca të kundërta: dhuna dhe dinjiteti”.
Në këto fjali, që vijnë në përfundim të arsyetimit mbi një ngjarje që shënon një nga pikat kulmore të romanit “Këneta e vdekjes”, të autorit Makensen Bungo, mund të përmblidhet i gjithë kuptimi i tij. Shkurtimisht është shprehur një koncept tepër i gjerë, që kalon shumë caqet e veprës e bëhet sinonim i thelbit të një periudhe historike, të cilën autori i librit dhe brezi i tij e jetuan në gjithë intensitetin e saj. Romani pasqyron jetën e përditshme në një kamp pune të detyruar, në vitet e para të vendosjes së regjimit komunist, në Shqipërinë e pas luftës së dytë botërore.
Ngjarjet zhvillohen në Vloçisht, ndofta më famëkeqi i kampeve të punës, më mizori, më i eturi për gjak e jetë njerëzish. I vendosur diku, në buzë të kënetës së Maliqit, përballë fshatit me të njëjtin emër, për disa muaj u kthye në një përbindësh të llahtarshëm që çdo ditë, bluante trupat dhe shpirtrat e banorëve fatkeq të tij. Një nga përfaqësuesit më të përkryer të terrorit të kuq shqiptar ishte krejtësisht i shkëputur nga takimet me botën që e rrethonte, ishte një ishull torturash, dhimbjesh e vdekjeje.
Autori i veprës, atëherë djalosh idealist, i dënuar nga gjyqi komunist si “armik i popullit” dhe i dërguar së bashku me shokët e tij ‘normalistë’ në kampin e shfarosjes, na paraqet me një vërtetësi rrëqethëse mjediset, ngjarjet, personazhet që lëvizin në atë mikrobotë të errët e që shkruajnë në kujtesën e tyre “historinë” e saj. Mbas më shumë se katër dhjetëvjeçarësh ato bëma dalin nga kafazi i blinduar i kujtesës e derdhen në letër, nëpërmjet një pende që i ka vënë vetes një qëllim të shenjtë: të dëshmojë tragjeditë e një kampi shfarosjeje, një “gulagu” në stil të njohur bolshevik, të nderojë kujtimin e atyre dhjetëra të rënëve në të, të mbushë një zbrazëtirë në njohjen e së vërtetës historike, të masakruar për gjysëm qindvjete.
Në këto synime fisnike duket se udhëhiqet nga mësimet e princit të Danimarkës, kur ai shprehet se: “qëllimi i artit në të gjitha kohët ka qenë t’i tregojë fytyrën e vet virtytit, pikturën e vet poshtërsisë…”! “Këneta e vdekjes” është një roman i shkurtër, një vepër arti në gjininë e saj të re në moshë. Është pjellë e dhjetë viteve të fundit, kur shembja e sistemit diktatorial komunist solli domosdoshmërinë e paraqitjes së tij në dritën e vërtetë.
Letërsia zyrtare e profesioniste, që kishte qenë zëdhënëse e tij, nuk u tregua e gatshme t’i paraprijë këtij procesi. U desh që viktimat e terrorit, që arritën të mbijetojnë mbas kalvarit të gjatë të ndëshkimit proletar, të marrin pendët e t’i venë në shërbim të kujtesës së drobitur nga pesha e viteve dhe vuajtjet fizike e shpirtërore.
Kështu lindi një rrymë e re, një farë neorealizmi i vonë, që kishte si objektiv fotografimin e një realiteti tashmë të tejkaluar nga ngjarjet, por të pranishëm në të gjitha qelizat e jetës së vendit dhe të banorëve të tij. Kështu panë dritën “Burgjet e mija”, “Rrno për me tregue”, “Shpella e vrasjes”, “Këneta e vdekjes”, “Rrugët e ferrit”, e plot libra të tjerë që u bënë si fenerë ndriçues të skutave të errëta të së vërtetës së një regjimi, që e bazoi qenien e tij mbi mashtrimin, padijen e krimin.
Mendoj se në këtë pikëpamje romani i zotit Makensen Bungo, meriton një vëmendje të veçantë për objektivitetin që e karakterizon. Lexuesi ka përshtypjen se shikon një film dokumentar, të xhiruar prej së largu nga një person i tretë, vëzhgues i paanshëm i ngjarjeve që “rrëqethin erën”. Episodet e romanit ndjekin njëri tjetrin në një harmoni të plotë, personazhet lëvizin natyrshëm në përputhje me historinë e tyre, bindjet, formimin moral.
Autori hyn në thellësi të ngjarjeve e psikologjisë së tyre, i shmanget retorikës së tepërt, por mundohet të kalojë nën rrezet e gjykimit gjithçka vrojton. Ai është i vetëdijshëm se është i pranishëm në një skenë tragjedish pa fund të shkaktuara nga një regjim mizor, se në këtë skenë zhvillohet në vazhdimësi lufta e përjetshme ndërmjet së mirës e së keqes.
Në qendër të romanit është historia e pesë të rinjve, shokë shkolle në ‘Normale’-n e Elbasanit, pjesëtarë të një organizate jo komuniste me emrin “Shqipëria e lirë”, të arrestuar e të dënuar me pesë, katër, e dy vjet burg. Janë të gjithë me ide liberale, në kundërshtim me ideologjinë e regjimit në fuqi, ëndërrojnë një Atdhe të lirë, një popull të përparuar, të bashkuar e të begatë në kufijtë e tij natyrorë. I kanë qëndruar dhunës së hetuesisë e kurtheve të saj. Gjykata ka dënuar me vdekje një nga pjesëtarët e grupit dhe me burgim të përjetshëm, një tjetër.
Pesë të tjerët caktohen në kampin e Vloçishtit, për të punuar në tharjen e kënetës së Maliqit, që do të trumbetohej më vonë si një “dhuratë” e vyer e Partisë, për popullin e Korçës. Ajo kënetë, që do të gëlltiste në llurbën e saj lulen e rinisë intelektuale të vendit, do të mbetej e “pavdekshme”, në sajë të një romani, që do t’ju servirte shqiptarëve për një kohë të gjatë një nga mashtrimet e zakonshme të regjimit.
Sopoti, Vullneti, Ahmeti, Hasani dhe Sala, vijnë në kënetë nga burgu i Elbasanit e aty gjejnë të tjerë të dënuar nga vende të tjera si Tirana, Korça etj. Kanë në anën e tyre vrullin e rinisë, forcën e karakterit, vetëdijen e gjendjes, ngrohtësinë e çiltërsinë e shoqërisë mes njëri tjetrit, besimin në drejtësinë e idealit dhe në të ardhmen e popullit të tyre.
Gjejnë një mjedis mbytës, në të cilin çdo ditë ju duhet të përballohen me punën e rëndë, ushqimin krejtësisht të pamjaftueshëm, kushtet higjenike shkatërruese, shqetësimet për familjet me të cilat kanë humbur çdo lidhje e mbi të gjitha me mizorinë e pashembullt të personelit të kampit. Para të burgosurve ngrihet si një mal misioni i qëndresës. Është një luftë e pabarabartë mes një grushti banditësh që trupëzojnë krimin e kthyer në institucion dhe njëmijë e pesëqind burrave të ndryshëm nga mosha, formimi, niveli, por të ngjashëm nga fatkeqësia, idealet e karakteri.
Komandant Tasi, togeri, kapter Zeneli, rreshter Hitoja, tetar Aliu, polic Skënderi, janë në garë të vazhdueshme me njëri tjetrin, kush shpik torturën më të dhimbshme për t’a provuar mbi banorët e detyruar të kampit. Ata përfaqësojnë majën e diamantit të “pushtetit të popullit”, partizanët që dolën maleve për “lirinë” e Atdheut. Janë ushtarët më besnikë të revolucionit që, do t’i sillte Shqipërisë barazinë, mirëqenien e përparimin. Në të vërtetë janë kampionë të mizorisë, të mungesës së çdo parimi njerëzor, të padijes.
Janë automatë të dhunës më të egër, lloje bishash me fytyra njerëzish, xhelatë për të cilët jeta e njeriut nuk ka as vlerën e një pike uji. Janë ata e të ngjashmit e tyre, me verbërinë e sadizmin që ju shkon për shtat, garancia e sistemit, shtylla kryesore mbi të cilën mbështetet ai. Janë ata ose shokët e tyre “heronjtë e heshtur”, për të cilët një letërsi e tërë shkroi një mori veprash, duke i lartësuar deri në madhështi…!
Për ta të burgosurit nuk janë njerëz, nuk janë shqiptarë, nuk janë vëllezër të një gjaku e të një gjuhe, por armiq “jashtëtokësorë”, që kërcënojnë “qytetërimin” e tyre. Për ta dhe ata që i mësojnë ata quhen derra të ndyrë, reaksionarë të poshtër, qelbësira, dhelpra plaka, qenë, kriminelë, vrasës, ndyrësira, caristë.
Si mbas komandantit të kampit, që ishte një gjysëm analfabet me dy klasë shkollë, vëllai i një udhëheqësi të lartë të Partisë: “…që të gjithë janë armiq populli. Këta na burgosën, këta na torturuan, na dogjën, na vranë. Njëzet e tetë mijë dëshmorët këta i kanë vrarë. Këta e dogjën dhe e bënë shkrumb e hi Shqipërinë. Këta do t’i paguajnë krimet e tyre. Këtu do t’a lenë lëkurën këta reaksionarë…”!
Duke patur këto bindje, këta udhëzime, këtë urrejtje, vetëkuptohet se çfarë trajtimi i është bërë të dënuarve. Episodet e torturave të përshkruara në libër janë të shumta, zbulojnë një egërsi të pashoqe. Rrahjet me shkop, zhytjet në llucë, mbytjet, dënimet pa bukë, fyerjet, vrasjet janë bërë praktikë e përditshme. Torturat janë në përpjesëtim me karakterin e të burgosurve, me personalitetin e tyre, me vendosmërinë për të mos u përkulur. Në këtë drejtim “shpikjet” e policëve në plotfuqinë e tyre, pasurojnë rezervën e madhe të torturave “Prodhim Shqipërie”.
Kështu përshkruhet pështyrja nga ana e gjithë të dënuarve të njërit prej tyre, më parë të rrahur e të masakruar nga policët, zhytja në baltë deri në grykë e tregtarëve korçarë, detyrimi peqinasve për të ngrënë bishtat e cigareve e për të rrahur njëri tjetrin, rrahja për vdekje deri në çastin e fundit të një babai në sytë e të birit, lënia në diell lakuriq mbasi ishte zhytur në llurbën e trashë e, deri tek mbajtja varur e njeriut në një shtyllë për gjashtë ditë e netë me radhë. Duket se strumbullari i këtij mjedisi të zi është kapter Zeneli, për të cilin autori shkruan: “Gëzimi i atij përbindëshi ishin torturat dhe lumturia për të ishin vuajtjet që u shkaktonte njerëzve. Ai nuk e kuptonte jetën pa dhunë dhe nuk ndiente qetësi, po të mos kishte torturuar, të paktën një njeri në ditë”!
Në qendër të kampit ishte një barakë që mbante emrin “Bibliotekë”, ishte vendi i tmerrit ku kapter Zeneli dhe kolegët e tij, “edukonin” nëpërmjet hurit, të burgosurit. Emërtimi është maska që fsheh të vërtetën, si “riedukimi” që mbulon shfarosjen. Këto janë aftësitë dhe meritat e një sistemi që, nëpërmjet fasadës së propagandës, ka bërë përkrahës dhe ithtarë në të gjithë botën. Ka prej tyre që ende sot nuk dinë apo nuk duan të pranojnë se ç’fshihej mbas asaj fasade.
“Këneta e vdekjes”, është një pjesë e vogël e atij realiteti që qe diktatura e proletariatit në Shqipëri, një nga më të errëtat e tij. Autori është i vetëdijshëm për të por ka meritën të mos bjerë në prehrin e dëshpërimit. Mesazhi i romanit është optimist, jeta vazhdon dhe nëse forcat e së keqes e të vdekjes duket se kanë epërsinë. Njerëzit nuk arrijnë të zvetënohen shpirtërisht, siç dëshiron diktatura.
Ata vuajnë, pësojnë tortura, në ndonjë rast edhe thyhen, në ndonjë tjetër, me një dinjitet të admirueshëm arrijnë deri në vetëflijim, por në përgjithësi qëndrojnë. Është kjo qëndresë filli i padukshëm që përshkon gjithë veprën, siç ka përshkuar jetët e shumë shqiptarëve në këtë gjysëm qindvjete provash të jashtëzakonshme. Është kjo qëndresë që autorin e bën të jetë krenar për shokët e vuajtjeve e për popullin e tij, sepse populli nuk mund të njëjtësohet me një grup kriminelësh që, koha i solli mbi krye dhe as me veglat e verbëta të tyre.
Qëndresa ndaj dhunës ishte shumëplanëshe. Ajo fillonte me sytë e përlotur të nënave, grave e bijave që shikonin nga larg bijtë, burrat, baballarët, vëllezërit që, të lidhur me zinxhirë, niseshin për rrugë të largëta. Gruaja shqiptare qe, në këtë provë madhore, heroina e vërtetë e kohës e meriton një piedestal të lartë. Ajo, femra shqiptare, e nëpërkëmbur nga një mendësi prapanike e trashëguar nga pesë qindvjetori osman, tregoi se qe forca e vërtetë jetësore e kësaj shoqërie. Qe ajo që mori përsipër barrën e familjeve pa meshkuj, të rritjes së fëmijëve pa baballarë, të rrugëve me trasta në dorë për t’i çuar pakë shpresë e pak ushqim të hequr nga goja e fëmijëve, të afërmve të dënuar anekënd Shqipërisë.
Qe ajo që i qëndroi trysnive nga më të ndryshmet, në të cilat e vinte një sistem që kishte si synim prishjen morale e gjymtimin fizik të asaj pjese të popullsisë që nuk mund të bëhej e kuqe. Qenë gra shqiptare ato që pësuan burgjet e internimet pa fund, të filluara në lulen e moshës e të përfunduara në pleqëri. Ato përballuan punën e rëndë e privacionet pa mbarim në emër të një koncepti nderi e dinjiteti, që prindër të një tjetër kohe ua kishin futur në gjak.
Atyre që njëjtësojnë dukuri të sotme të mbrapshta të një pakice shqiptarësh me popullin tonë, duhet t’u tregojmë me zë të lartë se cila është në të vërtetë gruaja shqiptare, çfarë provash kaloi ajo në të “uruarin komunizëm”. Ja vlen të kujtojmë bashkë me autorin:
“Ç’kanë pësuar këto nëna!
Nuk harrohet llahtaria e tyre, kur u sollën rrobat e djemve nga birucat, të llangosura me gjak! Nuk krahasohet dëshpërimi i tyre, kur mësuan se sa u dënuan djemtë e tyre të pafajshëm! U demaskuan në lagje. I shanë, i përbuzën, i lanë pa punë, i internuan. I përqafuan djemtë vetëm në ëndërrime. U harruan edhe zërin djemve të tyre. Nga vuajtjet u thinjën para kohe; nga tmerret u rrudhën në moshë të re. Çdo thinjë një vuajtje; çdo rrudhë një tmerr. Në çastet e fundit, në agoni, këtyre nënave u mbetën sytë nga dera, duke vështruar se mos vinin djemtë, për t’i parë për herë të fundit. Por ata ishin larg, shumë larg: në Spaç, në Burrel, në Bulqizë, në Ballsh”!
Qëndresa na shpaloset në roman jo vetëm nëpërmjet durimit të torturave të përditshme, të urisë, morrave, fyerjeve, shkopinjve, lodhjes, por dhe të mbrojtjes së botës së brendshme e përbërësve të saj, të respektit ndaj vetes, ndaj shokut, ndaj kujtimeve, ndaj familjarëve, ndaj vlerave të vërteta që i japin kuptimin fjalës “njeri”. Kështu si qirinj në errësirën e batakut të mizorisë ndriçojnë, dashuria e Sopotit për vajzën mësuese, amaneti i Daut Burmës “U thuaj djemve të mi se, nuk i kam turpëruar asnjëherë…, që për mua të mos e mbajnë kokën poshtë”, mbarimi i At Josifit, misionar i fjalës së Krishtit që, deri në frymën e fundit ngjallte shpresën në shembjen e regjimit, solidariteti mes njeri tjetrit, ndarja e racionit të bukës apo çajit me shokët e dënuar, ndërgjegjja e vrarë e Salës, dorëzimi fshehtas i pakos shokut, etj.
Qëndresa ndaj së keqes nuk është cilësi vetëm e të dënuarve. Për autorin bota është komplekse e ky vizion e bën të dalë nga skemat manikeiste të të parit të realitetit bardh e zi dhe i jep forcë e vërtetësi mesazhit të romanit. Një nga figurat më të goditura e më tërheqëse, ndaj të cilit ja vlen të ndalemi, është ajo e gjeometrit. Është një djalë rreth tridhjet vjeç, që ka qenë partizan e që është bir dëshmori. Është i ngarkuar të drejtojë teknikisht punimet e Vloçishtit. Dikur i ka besuar idesë se komunizmi do të shërojë plagët e njerëzimit e do të sjellë përparimin e Shqipërisë. Idealizmi i tij hyn në krizë kur sheh dhe kupton të vërtetën. Socializmi i tij me “fytyrë njerëzore” thërrmohet nën shkopinjtë e policëve mbi trupat e të dënuarve.
Sinqeriteti i natyrës së tij nuk mund të pranojë kompromisin e detyrueshëm të të bërit shurdh e qorr. “ Ne luftojmë që të gjithë shqiptarët të jetojnë në paqe si vëllezër” i tingëllojnë ende në veshë fjalët e komisarit kur ishte partizan. Por para syve të tij tetar Aliu i kishte futur thonjtë në fyt një plaku të burgosur, derisa e le të vdekur përtokë gjithë qejf se tashmë kishte “një armik më pak”. Në një rast tjetër arrin t’i ndalojë dorën policit që kërkon të godasë përsëri Sokolin e shtrirë për tokë pa ndjenja nga rrahja.
Dyshimi për ndershmërinë e motiveve të luftës, i le vendin shkëputjes mendore e ideale prej tyre dhe mjedisit që i ka kultivuar e në të cilin është dhe familja e tij. “ Gjeometrit ju kujtuan Vullneti që e pështynë, Sopoti që e torturuan, Ahmeti që e futën në llurbë. Psherëtiu thellë. Në fytyrën e tij u duk një keqardhje e madhe. Tha ngadalë: pse për këto luftuam ne?” (Thonë se të njëjtën shprehje e pati thënë një ish gjeneral e luftëtar i Spanjës, në plenumin e famshëm të Tiranës më 1956, duke treguar fustanin e Nexhmije Hoxhës që ishte ulur pranë tij.)! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016