Nga Sokrat Shyti
Pjesa e gjashtëdhjetë
Memorie.al / Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.
Kush është Sokrat Shyti?
I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio-difuzion (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç Radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.
Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!
Agron Tufa
PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”
Trupmadhi binte menjëherë në sy, jo aq për shtatin e tij të lartë, sa për pamjen e pafajshme, me atë shikim të mëshirshëm, sikur kërkonte lëmoshë e ndihmë të mbushte barkun, pasi vazhdimisht ndjente gërryerje përbrenda! Kur e vërejta në fillim si hante i babëzitur kaq shumë racione, m’u krijua përshtypja se duhet të ketë shiritin në stomak, që ia gëlltit menjëherë ushqimin, ndaj lëngu gastrit s’ka çfarë të tresë!
Ndaj mendimin tim ia shfaqa komandant Aliut, duke i thënë këtij se duhet vizituar pa tjetër, e me këtë rast shkohet në magazinën qendroren të veshmbathjeve, për të gjetur një palë këpucë numër dyzet e pesë, (pasi kurrsesi s’na lejohet të ecë zbathur një ushtar)! Pikërisht në çastin kur pritej nga sekonda në sekondë mbërritja e “Xhip”-it, mungesa e Halimit na jepte mundësi të shpjegonim gjendjen reale të tij, për të përforcuar arsyetimin pse nuk rreshtohet me ushtarët e tjerë.
“Gaz”-i 69 frenoi para fjetores. Komandant Aliu dha komandën gatitu, mori drejtqëndrim dhe me hap të shtrirë shkoi të raportonte. Por shoferi, një djalë i ri me uniformën e ushtarit, hapi derën dhe pa zbritur i tha togerit se kishte ardhur me urdhër të komandantit të FUD-it, të marr me vete gazetarin.
– “Po tani je i bindur tek parashikimi im? – më pëshpëriti toger Aliu. – Komandanti i famshëm interesohet për ty! Më bëhet qejfi”!..
Unë i shtrëngova dorën komandantit, dhe zura vend në ndenjësen përpara me shoferin. “Xhip”-i mori kthesën dhe u nis me shpejtësi.
– “Keni patur rast të takoheni më parë me komandant Qamilin”? – më pyeti pas pak shoferi, kur dolëm në xhadenë e asfaltuar.
– “Kam dëgjuar vetëm për famën dhe emrin e madh”, – iu përgjigja unë.
– “Domosdo i ke dëgjuar emrin dhe famën e këtij komandanti, të cilin e njeh gjithë Shqipëria”! – theksoi shoferi me krenari.
– “Ju patjetër ndjeni kënaqësi të veçantë, që jeni në shërbim të këtij ushtaraku të madh, i cili dje ne luftë vulosi me guxim e trimëri të rrallë akte burrërie”! – shtova unë.
Kur mbërritëm tek Plepat, “Xhip”-i u drejtua në postbllokun e ngrehinave ushtarake, ndërtuar në kohën e pushtimit italian, enkas për komandën bregdetare. Në çastin që ushtari shofer shkoi të njoftonte sekretarin e komandantit, mua më ngërthyen emocionet e pritshmërisë, sepse prapë m’u shfaq pasiguria, ngaqë nuk dija ç’qëndrim do mbante ky ndaj meje.
Ndoshta kjo gjendje shkaktohej ngaqë në ndjeshmërinë time personale, hija e uniformës ushtarake merrte përmasa me shije të hidhur e të rëndë, dhe përshtatja ndaj njerëzve me uniformë në mendësisë time, ndërlikohej e bëhej më e vështirë, në disa raste përtej normales. Nën shtysën e kësaj mendësie, posti ushtarak më dukej më i fuqishëm e më i mistershëm nga ç’ishte realisht. Për shembull, nuk e di pse komandant Qamilin, e përfytyroja më autoritar se kryetarin e Gjykatës së Lartë, apo se sekretarin e parë të Komitetit të Partisë të rrethit Lushnje, me të cilët kisha biseduar!
Gjate kohës si gazetarë në Radio, kisha patur raste të futesha në disa kabinete plot hapësirë të funksionarëve shumë të lartë. Por tek asnjë nga këta nuk pata pështjellime kaq të trazuara, si këtë çast, që qëndroja i drunjëzuar para komandantit famëmadh, ndonëse pak a shumë në vija të përgjithshme shkaku i vizitës time (me aq sa dija), nuk përbente kërcenim të drejtpërdrejtë serioz për mua. Ai më hodhi një shikim të shpejtë nga koka tek këmbët, thuajse sikur të isha top model, dhe më qe ngarkuar detyra të paraqis disa veshje ushtarake para një komisioni.
Pa nxjerrë asnjë fjalë nga goja, ai shtypi butonin e një zile mbi tryezën e tij të punës. Në sekondë u shfaq sekretari me qëndrim të ngrirë.
– “Urgjent të paraqitet te shefi i veshmbathjes”! – urdhëroi me zë të fuqishëm metalik. (Sekretari bëri prapa ktheu, dhe u zhduk)
– “Ti e di po kaq mirë sa unë, që Radio dhe shtypi pasqyrojnë realitetin shumë me shpejtë se çdo gjë tjetër. Sidomos në situata të acaruara populli duhet të qetësohet, për të zhdukur gjurmët e panikut, që ka përhapur propaganda armiqësore e jashtme dhe e brendshme. Rasti e solli të jesh pjesë përbërëse e FUD – it dhe BUD – it. Detyra jote kryesore në çastin që bisedojmë, është të pasqyrosh patosin revolucionar të ushtarëve e oficerëve të Forcave tona të Armatosura Ushtarake Detare.
Ke në dispozicion magnetofon, ‘Xhip’, mikrofon, pajisje të tjera radiofonike. Dua që morali i trupave tona të pasqyrohet në lartësinë, që i takon krenarisë shqiptare! Ne jemi shqiponjat e malit dhe detit! Asnjë luftanije e aeroplanmbajtëse imperialiste dhe revizioniste, s’ka për t’i prekur e cënuar brigjet e Atdheut tonë! Këtë detyrë duhet ta përmbushësh me sukses”!
Trokiti dera. Sekretari njoftoi mbërritjen e shefit të veshmbathjes.
– “Fute brenda”! – kumboi zëri metalik. –
– “E shikon këtë gazetarin ushtarak”? – iu drejtua oficerit që mbante qëndrim gatitu. – Do t’i japësh uniformën më të re të paradës, dhe këpucë fringo të reja prej lëkure, me të gjitha pajisjet e duhura”!
– “Kur do nisem për reportazhet”? – e pyeta komandantin, kur shefi doli.
– “Koha nuk pret. Ja ku e ke planin e punës. Do ta nisësh me Durrësin. Si orientues do kesh shoferin. Paraprakisht janë njoftuar te gjitha pikat, dhe janë marrë masat të presin. Kam besim se do t’ia dalësh mbanë”.
Mua më shoqëroi një ushtar në magazinën e veshmbathjeve. Nënoficeri që shërbente këtu, më vuri përpara pesë kuti me uniforma të palosura, që t’i provoja. Këto ishin prej cohe cilësore, në sasi të pakta, dhe sigurisht përdoren për raste shumë të rralla, kur e kërkon protokolli zyrtar.
– “Uniformën tuaj paloseni dhe vendoseni brenda në kuti, pasi do ta lini këtu me këpucët, që kur të mbaroni shërbimin, të bëni shkëmbimin”, – tha nënoficeri, kur unë zgjodha cila më rri me mirë në trup.
– “Unë mendoj ta marr me vete, duke patur parasysh që gjatë rrugëtimit të përdor uniformën e zakonshme, ndërsa kur incizoj oficerët drejtues, sipas rasteve, filmohet apo dilet në fotografi, vesh uniformën e re. Kutinë me uniformën e re dhe këpucët, do t’i fus në çantën e shpinës. Kam dhe një kërkesë tjetër – shtova unë, kur pranë nesh u qas shefi i veshmbathjes: – Në kompaninë e re, në fshatin Hamallaj, me komandant toger Ali Hana, një ushtar trupmadh ka mbetur zbathur”!
– “Si ka mundësi?!… – pyeti i trembur shefi. – Kaq vite merrem me veshmbathjen e ushtrisë, dhe nuk e kam dëgjuar një mangësi kaq të çuditshme! Sado trupmadh të jetë, këpucët me numër 45 duhet t’i bëjnë. Por meqë paraqitet ky rast i jashtëzakonshëm, them se duhet kontrolluar nga ana mjekësore, mos ka sëmundjen e gjigandizmit, – shfaqi mendimin ai.
– “Pajtohem plotësisht me mendimin tuaj, shoku shef! – ia ktheva unë. – Sepse përveç problemit të madhësisë së këmbës, ky ushtar ka diçka më shqetësuese: as dhjetë racione nuk e ngopin”!
– “Qenka lubi e jo njeri”…- tha shefi mjaft i habitur.
– “Nuk e ngop as një bukë dyzet lek dhe një kazan me supë”! – shtova unë si përforcim.
– “Po qe’ i tillë, duhet të dalë para komisionit mjeko-ligjor të repartit tonë, që të saktësohet nëse është i aftë të kryej shërbimin e detyruar ushtarak”, – theksoi shefi.
– “Vepruat shumë drejtë, shoku gazetar, që e ngritët këtë çështje. Po patët kohë mund të shkojmë bashkë tek kryemjeku”.
– “Ju falënderoj për shqetësimin dhe gatishmërinë tuaj! Por komandant Qamili më urdhëroi të nisem menjëherë. Do t’ju jem mirënjohës ta ndiqni dhe zgjidhni këtë problem mjaft delikat”!.. Dhe pasi vendosa uniformën e re të paketuar, bashkë me kutinë e këpucëve në çantën e shpinës, falënderova edhe një herë shefin e veshmbathjes, që mori përsipër ta kryente këtë detyrë.
U nisëm drejt fshatit Hamallaj, për të parë gjendjen dhe biseduar me oficerët drejtues, ç’gjë të veçante kanë shtuar në planin stërvitor me rastin e gatishmërisë numër një, përveç punës së dendur politike, për të rrënjosur bindjen e plotë tek ushtarët, se Forcat tona të Armatosura, janë te afta të përballojnë e mposhtin me sukses çdo mësymje agresive nga toka, ajri dhe deti.
Ndalova para fjetores tonë për të takuar dhe shpjeguar komandant Aliut detyrën e ngarkuar, si dhe shqetësimin për ushtarin e zbathur, duke e vënë në dijeni se mund të vije njëri nga mjekët e shtabit, ose makina e furnizimit që do sjell ushqime e merr me vete ushtar Halimin, kur të kthehet, për t’i bërë një kontroll mjekësor.
– “Paske bërë punë te madhe që shtrove problemin e ushtar Halimit, se do ta kishim pisk punën… – tha komandanti i kompanisë. – Domethënë për një farë kohe, unë do t’i përballoj krejt i vetëm të gjitha telashet”!… . shtoi ai i dëshpëruar.
– “Pse vetëm? A nuk biseduam rrugës për ushtarin nga Peshkopia, që ka punuar në kuzhinën e Turizmit? Ai ka përvojë: di edhe të gatuajë, edhe të mbajë llogarinë e furnizimit. Ndërsa për sa i përket punës politike, mos e vrit shumë mendjen, mjafton t’iu lexosh shtypin e ditës”.
– “Më shpëtove nga sikleti i madh”! – tha togeri duke më përqafuar.
– “Kryesorja për ty, si komandant, mbetet ana stërvitore dhe mbajtja lart e gatishmërisë. Duhet të kesh parasysh se ne jemi kontingjent rezervë, jo në vijën e parë. Për ne ka rëndësi parësore të jenë të pranishëm të gjithë në rast kontrolli të befasishëm, dhe të dinë zbërthimin e montimin e automatikut. Sidoqoftë, ne do mbajmë lidhje me radio…”!
– “Ku do flesh dhe do ushqehesh”? – u interesua komandant Aliu.
– “Për sa kohe do jem me shërbim në repartet e BUD-it, si vend fjetje do kem një krevat tek Shtëpia e Oficerëve, në ish-vilën e Zogut. Këtu do lë dhe pajisjet. Ndërsa për të ngrënë, me që jam mysafir, u takon oficerëve drejtues të më gostitin…”, – i thash duke qeshur.
Muajt e verës kaluan duke shëtitur përgjatë bregdetit të Adriatikut dhe Jonit, nëpër gjithë pikat e reparteve speciale. I pajisur me autorizim të posaçëm, nga komanda e FUD-it. Kështu që lëvizja fare lirshëm nëpër gjithë këtë territor.
Pas një shkëputje tre vjeçare nga Radio, prej çastit kur u flaka si individ i deklasuar, filloi të shfaqet në qenien time një ripërtëritje mendore e shpirtërore, në sajë të mundësisë për të kryer detyrën e gazetarit me petkun ushtarak, për më tepër në kushte shumë herë më të mira se sa kur isha redaktor i emisionit të Rinisë, pasi udhëtimin e kisha të sigurt, me “Xhip” në dispozicion, dhe për montimin e emisionit, kujdesej një ekip i specializuar.
Emisionet dhe reportazhet shpërndaheshin në gjithë hapësirën e FUD-it e BUD-it, nëpërmjet qendrave të zërit, në orët e përcaktuara nga shefi i shtypit dhe propagandës, kur ushtarët shkonin në mensë për të ngrënë dhe pas punës politike.
Drejtuesit kryesorë të reparteve ushtarake dhanë përshtypje të ngrohta, gjë që rriti ndjeshëm tek unë vrullin e dëshirën për t’iu përkushtuar kësaj detyre, dhe ky përkushtim riktheu dinjitetin e munguar, më hoqi stresin e brendshëm të kurtheve e krahë marrjeve.
U vu re një entuziazëm nxitës pas dëgjimit të emisionit të parë tek ushtarët dhe oficerët, të cilët e mirëpritën dhe u bë pjesë përbërëse e bisedimeve të përditshme, një ngacmim i domosdoshëm, sepse përshkruhej me realizëm dhe vërtetësi, jeta plot gjallëri e dinamizëm, në drejtimin politik e shpirtëror, një shkrirje harmonike mes detyrës dhe ndjenjës, pikërisht ajo që kërkohej në këtë periudhë skajshmërisht të acaruar.
Shumë shpejt mbërritën kërkesa për të shtuar kohën e emisionit. Erdhën gjithashtu propozime që, krahas reportazheve të jepen pjesë të dramatizuara, të interpretuara nga ushtarët e oficerët. Mua m’u bë qejfi nga dërgimi i këtij propozimi interesant, pavarësisht pse më shtohej ngarkesa, dhe e rrita ndjeshëm ritmin e punës.
Fillova të inskenoj kryesisht ngjarje me humor, të cilat i tregonin ushtarët dhe oficerët gjatë bisedave të lira. Pasi i përfundoja së shkruari, i lexoja para tyre, dhe ndaja rolet. Kuptohet, vetë kryeja detyrën e regjisorit. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016