• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
  • English
Friday, June 6, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Kujtime

“Koloneli s’më qëlloi më, por më ulëriu; ai sahanlëpirësi vulëhumbur, vëllai jot, piktor në drejtorinë e Kufirit, zgjodhi rrugën e turpshme të arratisjes, por mallkimi…”/ Kujtimet e shkrimtarit Sokrat Shyti

“Pas mbledhjes së 81 Partive, ne dolëm te stacioni ‘Kievski Vokzall’, për të përcjellë Enver Hoxhën dhe delegacionin tonë, ku rusët na ndiqnin me keqardhje, kur si të çmendur…”/ Kujtimet e ish-studentit të Moskës
“Pas mbledhjes së 81 Partive, ne dolëm te stacioni ‘Kievski Vokzall’, për të përcjellë Enver Hoxhën dhe delegacionin tonë, ku rusët na ndiqnin me keqardhje, kur si të çmendur…”/ Kujtimet e ish-studentit të Moskës
“S’jam i detyruar të përgjigjem, pasi kur isha anëtar i Komitetit Qendror dhe ministër, unë takohesha …”/ Deponimet e Bedri Spahiut, janar ‘58
“Gjyqi i Bashkim Shehut me gruan e tij, Marjetën u zhvillua në një nga zyrat e burgut dhe kur u lexua kërkesa e saj, për divorcin, Bashkimi tha…”/ Dëshmia e rrallë e Operativit të burgut të Burrelit
“Kur i tregova se më pëlqente letërsia, shitësja e ‘Librit Sovjetik’, më tha; atëhere plotësohet trashëgimia gjenetike tek tre vëllezërit: I madhi, artist i skenës, i dyti – piktor dhe i treti…”/ Kujtimet e ish-të përndjekurit politik
“Kur i tregova se më pëlqente letërsia, shitësja e ‘Librit Sovjetik’, më tha; atëhere plotësohet trashëgimia gjenetike tek tre vëllezërit: I madhi, artist i skenës, i dyti – piktor dhe i treti…”/ Kujtimet e ish-të përndjekurit politik
“Kur i kërkoi burrit, ta çonte tek prindërit, sepse nuk mund të duronte, të flinte me një njeri të përlyem, atij i kërceu tërbimi, e lidhi këmbë e duar pas trarit të ahurit dhe…”/ Kujtimet e ish-të internuarit politik

Nga Sokrat Shyti

Pjesa e shtatëmbëdhjetë

Memorie.al/ Shkrimtari Sokrat Shyti është i “panjohuri i madh” që prej disa vitesh ka shfaqur majën e ajsbergut të krijimtarisë së tij letrare. E them këtë duke u nisur nga ajo sasi e pakët e librave të tij të botuar në këto vitet e fundit dhe kryesisht romanit voluminoz “Nata fantazmë” (Tiranë 2014). Romanet: “PËRTEJ MISTERIT”, “MES TUNDIMIT DHE VORBULLËS”, “GËRRYERJET E MAKTHIT”, “HIJA E TURPIT DHE E VDEKJES”, “KOLONELI KRYEDHJAK”, “SHPRESAT E NËMURA”, “PËSHTJELLIMET E FATIT” I, II, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”, si dhe vepra të tjera, të gjitha romane, me nga 350 – 550 faqe, janë në dorëshkrime që presin të botohen. Ëndrrat dhe vrulli i parë i romancierit të ri, që kthehej nga studimet jashtë shtetit plot energji e dashuri për artin dhe letërsinë, u prenë që herët nga tehu i egër i diktaturës komuniste.

Kush është Sokrat Shyti?

Gjithashtu mund të lexoni

“Sheh Mersinit prej Bicajve të Lumës, çuditi gjithë burgun, pasi i kishte tregu mjekut Elez Troshani, që ai do vdiste mbas një jave dhe në të vërtetë, ai…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

“Dy të burgosun prej Kavajës, si hangrën ca rrush, bistakët, nuk i hodhën aty afër, – siç do të dëshronte ndonji i uritun, por në gropën e W.C. – së, ku nji i dënuar nga Berati…”! / Dëshmia e Ahmet Bushatit, për tmerret e Bedenit

I kthyer nga studimet në Universitetin Shtetëror të Moskës, fill pas ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjete në vitin 1960, Sokrat Shyti, punon në Radio “Diapazon” (që aso kohe gjendej në rrugën e Kavajës), në një redaksi me miqtë e tij gazetarë – Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani – që të dy, mandej, të arrestuar, e më vonë, të pushkatuar nga regjimi komunist. Përveç radios, Sokrati 21 vjeçar, nëse e përfytyrojmë, ka asokohe interesa pasionante letrare. Shkruan romanin e parë “Madam doktoresha” dhe është në prag të botimit, por… ajme! Fill pas arrestimit të miqve, si për ta mbushur kupën, një vëlla i tij piktor, arratiset jashtë shtetit.

Sokratin e arrestojnë në shtator 1963, ndërsa në nëntor të atij viti, e internojnë familjarisht, (me nënën dhe motrën e vogël), në një vend midis Ardenicës dhe Kolonjës së Lushnjës. Për 27 vjet rresht, familja banon në një kasolle lopësh me kallama, pa dritare, ndërsa Sokrati u nënshtrohet punëve të detyruara. Përgjatë 27 viteve, ai është i shtrënguar ligjërisht të paraqitet tre herë në ditë, tek i plotfuqishmi i zonës. Nuk ka të drejtë të lëvizë nga vendi i internimit, është i privuar nga çdo lloj dokumenti, etj. Në këto kushte, mes një kasolleje lopësh, ai lindi dhe rriti fëmijët. Pikërisht nga mbi këtë ngjarje, apo më saktë një histori tejet e gjatë persekutimi, është bazuar ai për të shkruar librin “Mbijetesa në kasollen e lopës”!

          Agron Tufa

                                                               Vijon nga numri i kaluar

PJESË NGA LIBRI, “MBIJETESA NË KASOLLEN E LOPËS”  

– “Natën im vëlla nuk bujti asnjëherë në shtëpi për shkak të ngushtësisë. Ne një kthinë të vetme kemi. Ai fle në studion e tij, në Pazarin e Vjetër. Edhe pse jemi vëllezër, shihemi një herë në kaq kohë, nuk na bie rasti të bisedojmë me njeri -tjetrin…” – shtova unë, njësoj sikur t’i thosha: “Përse duhet të rrëmojmë për diçka që nuk e di”?

Fatmirësisht kjo përgjigje pati njëfarë ndikimi: sikur e zbuti disi mënyrën e të sjellit ndaj meje, nuk e ngriti me dorën grusht të më godiste dhe nuk klithi si i ndërkryer. Por u mjaftua të më urdhëronte me ton të vrazhdë:

– “Meqë je gazetar i aftë, të vjen n’dorësh ta përshkruash rrjedhën e ngjarjes pa ndërlikime e trillime, nuk po rrekemi me pyetje përgjigje që më acarojnë. Ja ku ke mbi tryezë fletë të bardha dhe laps. Shkruaj gjithçka sa di për tët vëlla, pa e mëshiruar aspak, sepse këtij çapaçuli nuk i takon asgjë njerëzore, duke patur parasysh që juve ju bëri naftën, ndërsa ne na vuri damkën.

Në fund domosdo do shprehesh hollësisht përshtypjen tënde e të familjes, për veprën e poshtër të tradhtisë ndaj atdheut. Për sa i përket të ardhmes tuaj, besoj ti e merr me mend: nga ky çast, ka filluar e tatëpjeta e rrëpirës, që nuk dihet sa e gjatë dhe e thellë do jetë…”?! Përcaktimi i fundit më goditi si rrufe e ma ngurtësoi trupin për disa minuta, siç ndodh kur na injektojnë narkozë! Koloneli vazhdoi më tej të tregonte haptazi, sikur po kallëzonte diçka interesante, se nga ky çast rrjedha e jetës time, do shkonte drejt zgripit të detyruar!..

– “Ta kesh të qartë: gjithë ëndrrat e tua do bëhen shkrumb e hi! Do treten në humbëtirën e harresës dëshirat për të qenë shkrimtar me emër!… Atje ku do syrgjynoseni familjarisht, ka vetëm djerrina e bokërima dhe shkretia e mendimit, drejton arsyen e veprimin! Kështu që vetvetiu trurin tënd do ta pështjellojnë dimra të acartë, me ngrica të tmerrshme, si në Polin e Veriut, të cilët do t’i ngurtësojnë projektet e krijimtarisë letrare! Dhe trysnia e skëterrshme e Diktaturës së Proletariatit, do t’i mbajë të ndrydhura, deri sa të kthehen në qymyr”!….

Para se të largohesha nga kthina e “rrënimit”, koloneli më urdhëroi të mos takohem me asnjë person të jashtëm, që nuk i përket familjes time, përfshirë dhe fqinjët.

– “Përndryshe, do ti shtosh telashe të tjera më të rënda vetes!… Përsa u përket vendimeve që do merren për të ardhmen tuaj, do të njoftojmë në kohën e duhur. Këtë e kemi vetë merak… – u tall ai duke u zgërdhirë. – Mos harro asnjë sekondë: kudo të shkosh, hijet tona të ndjekin pas edhe në banjë!… Këtë mbaje vëth në vesh sot e përgjithnjë, deri në firmën e fundit.

Ai, sahanlëpirësi vulëhumbur, zgjodhi për vete rrugën e turpshme të arratisjes, duke e ditur fare mirë që pjesëtarët e familjes, do syrgjynosen ku ha pula gur! Por para se gjithash, shkallmoi të ardhmen tënde! Pandeh sahanlëpirësi se në arrati, do t’i ecë jeta vaj. Mallkimi i atdheut do ta ndjekë pas si fantazmë: kurrë s’ka për të bërë prokopi”!…

– “Mund të largohem”?… – e pyeta me zë të mekur.

– “Shko, por me mënd në kokë. Mbaj parasysh porositë e mia. Nëse dikush të pyet, cili të mori në pyetje tek ‘Selvia’, do përgjigjesh; nuk e di. Sigurisht nuk je kaq mendjelehtë sa të tregosh si të ra të fikët dhe hetuesi të hodhi kovën me ujë në kokë të vish ne vete. Apo si ky u nxeh dhe të goditi me grusht në hundë…”?!

Kur dola në rrugë, më dukej sikur gjithë kalimtarët, më kundronin me vështrime të trazuara: disa më mëshironin, e disa mërmëritnin mendime që kundërshtonin njëri-tjetrin. Sepse në përgjithësi, dihej pak a shumë, ose merrej me mend çfarë ndodhte brenda ngrehinës trekatëshe, tek ‘Selvia’: kur të shoqëruarit dalin të vetmuar prej këtu, janë pa tjetër të shfytyruar, siç ndodhi me mua. Përveç rasteve të tjerë, që i nxjerrin vetë të prangosur, për t’i çuar ne qeli, pasi i kanë torturuar.

Nuk e vija në mëdyshje që kumti i arratisjes së tim vëllai, qe përhapur me shpejtësinë e zërit dhe kudo muhabeti vërtitej rreth familjes tonë. Përveç shprehjes së habisë (si ka mundësi, ta ketë bërë këtë marrëzi, piktori shkurtabiq”?!), pëshpëritej pyetja; në ç’greminë do na degdisin?! Disa ishin të bindur se patjetër duhet të jenë njoftuar drejtoritë e dikastereve të rëndësishme, përfshirë Lidhjen e Shkrimtarëve, që të merren masa paraprake: Të ndalohet botimi i shkrimeve me emrin tim! Të kontrollohen revista “Nëntori”, gazetat “Drita”, “Zëri i Rinisë”

Të hiqen urgjentisht nga qarkullimi, numrat që përmbajnë fragmente nga dorëshkrimet e mia, të cilat ende s’kanë dalë vëllim më vete. Dhe sidomos të shihet me lente zmadhuese, dorëshkrimi i romanit “Madam Doktoresha”, i cili vërtitet prej disa muaj nëpër mjediset e redaksive. Sepse në këtë dorëshkrim, patjetër gjenden mes rreshtave një apo disa mëdyshje të dyshimta, si prova për të më prangosur!

Krejt e natyrshme që pas kësaj goditjeje të llahtarshme, s’mund të kthehesha në pune. Dhe meqë s’kisha asnjë vend tjetër ku të shkoja, përveç shtëpisë, vazhdova ecjen brejtëse në “Rrugën e Kavajës”, nën tundimin e shtysës së keqe, se patjetër hienat janë dyndur t’i skërmitin dhembët nënës së gjorë, e kanë kërcënuar duke i thënë me egërsi se tërbimin e tradhtisë, shkaktuar nga arratisja e djalit të mesëm, do ta derdhin mbi djalin e vogël, nëse kjo nuk tregohet e gatshme t’i ndihmojë, përveç që tërë familjen e saj, do ta syrgjynosin në skërka të shkreta, ku dikur kaçakët ndanin sendet e grabitura!

Por sado ta kenë kërcënuar, kisha besim të plotë tek kuraja dhe guximi i saj, se ajo nuk thyhet nga kanosjet e tyre, kurrsesi nuk i shkon ndërmend t’u kërkojë mëshirë apo t’u thotë; “vini dorën në zemër”! Sepse e di nga e kaluara e hidhur, për dy djemtë e saj më të rritur, si sillen drejtuesit komunistë ndaj të rinjve që nuk përmbushin synimet e tyre satanike: se partiakët dhe pushtetarët e fuqishëm, kafshërohen e tërbohen si bisha, janë gati të na shqyejnë të gjallë kur u preken sadopak interesat dhe privilegjet, bëhen xhinde kur mohohet publikisht postulati i Diktaturës:

“Vetëm në Shqipërinë Popullore Socialiste, është jeta më e lumtur në botë”! Isha i sigurt se, kur e kanë pyetur: “Ku e ke djalin e dyte”? – nëna patjetër i ka kthyer përgjigjen e zgjuar:

– “Këtë duhet të ma thoni ju, pasi ai tek ju gdhihet e ngryset. Kur nuk e dini ju, nga mund ta di unë, sepse këtu duket vetëm një herë në javë, sa për t’u larë e shpëlarë”?!

E qortova veten që po e harxhoja kohën me hamendjet, si e ka përballuar nëna goditjen dyfishe të ikjes tinëzare të djalit të dytë, sidomos pasojat e tmerrshme që do ndjekin pjesëtarët e pafajshëm të familjes. Kur më e rëndësishmja ishte të dija ç’kanë katranosur në kthinën tonë të vetme, dhimbje të tmerrshme i kanë shkaktuar gjatë bastisjes! S’ka gjë më të llahtarshme për një nënë, se sa të poshtërohet e përçmohet, të quhet “nëna e tradhtarit”, kur në të vërtete është grua shumë e nderuar, “nënë” partizani, e cila gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare, e shndërroi strehën në bazë të rëndësishme ilegale për furnizimin e çetave me municione luftarake!…

Vetëm në shtetet me regjime mizorë, shfaqet mosmirënjohja në përmasa të tilla. Mohohet kontributi i shtetarëve në periudhat e kthesave historike, si lufta patriotike kundër pushtuesve të huaj nazistë – fashistë. Fshihen me një të rënë lapsi, sakrificat e familjeve patriote të nderuara, pse një pjesëtar shfaq publikisht me veprimin e ikjes përtej kufirit, një kundërshti të hapur ndaj një ideologjie, e cila faktikisht po na fut gjithnjë e më thellë brenda zhguallit të izolimit, dhe po na ndajnë forcërisht, me ligjet tmerrësisht të egra të Diktaturës së Proletariatit nga përparimi njerëzor!…

Kurrë s’e kisha parë, përfytyruar dhe imagjinuar kthinën tonë në atë gjendje tmerrësisht të llahtarshme, ku çdo pajisje e orendi qe përmbysur, hedhur e shkatërruar, thuajse këtu kishte hyrë e kishte bërë kërdinë një stuhi satanike! Kjo pamje më rrëqethi deri tek rrënjët e flokëve! S’kisha provuar dhimbje kaq drithëruese, si kjo që më ngërtheu, kur pashë nënën ulur në gjunjë mbi qilim, e cila sa ndjeu hapat e mia, ktheu kokën dhe përmes një psherëtime të thellë, lëshoi ankesën më të thekshme:

– “Ç’na bëri vulë-humburi, ç’na bëri”?!

Unë u ula pranë saj, e pushtova me përmallim dhe u mundova të mos ngashërehem, duke u përpjekur që prania ime ta ngushëlloje e t’ia pakësojë dhimbjen e poshtërimit, me shpresë se ndoshta i jap kurajë, për të përballuar gjëmën e skëterrshme.

– “Ti po vjen drejt nga puna, apo?… Jam bërë fare hutaqe. Flas budallallëqe. Ty me siguri të kanë rrahur?! Si nuk i vura re flokët e qullur dhe rrobat e lagura në trup?!… E marr me mend: ty të ka rëne te fikët nga tronditja dhe xhelatët të kanë vërvitur kovën me ujë, për të sjelle në vete. Më pas të kanë rrahur”!

– “Po me ty si u sollën”? – e pyeta unë për të shmangur përgjigjen e hidhur.

– “Derrat një turi kanë. Ujqërit dhe çakejtë njësoj janë kudo. More vesh se ku do na degdisin”?… – shtoi ajo me vështrim të ankthshëm.

– “Kur të syrgjynosin s’ka rëndësi vendi, por nofka që të ngjitet pas. Nga ky çast ne jemi për ta të deklasuar, domethënë krijesa pa identitet, pa asnjë të drejtë qytetarie! Na quajnë; vemje, jashtëqitje të shoqërisë”!…

– “Ja që na e bëri xanxën vulë-humburi”!… – psherëtiu nëna thellë, sa iu fundos gjoksi. – “Si e mendon ti: i iku mendja, që ia mbathi si kaçakët”?!

– “Tregoi se uni i tij, qëndron mbi arsyen dhe dhimbjen”! – iu përgjigja unë.

– “Se ai e dinte më mirë se të tjerët, që familjeve u punojnë qindin, kur dikujt i merr koka erë dhe çan ferrën”!… – shtoi nëna.

– “Veprimi që kreu provon, se ka menduar vetëm për kokën e tij… – ia ktheva unë. – Sepse nuk besoj të jetë kaq i papërgjegjshëm, sa të mohojë ta quajë veten shkaktar të katrahurës dhe se nuk e përfytyron dot ku do katandiset familja këtej e tutje! Por për ne ka vetëm rëndësi fakti: ajo që ndodhi, nuk zhbëhet më. Si thua ti shpesh: qenka e shkruar të vuajmë. Duhet të përgatitemi: na pret një e ardhme tmerrësisht e vështirë! Dorëshkrimet e mia i morën”?.. – pyeta mjaft i tronditur.

– “Drejt e tek biblioteka u vërsulen. Nuk e sheh si i kanë katandisur librat? S’lanë libër pa tundur e shfletuar. Të gjitha shkrimet e tua i futën në një trastë, bashkë me letrat e Gunosë.

– “Nuk i duhen më tët biri, se atje ku do shkoni, s’ka nevoje, as për laps e, as për letër…”, – thanë, duke u zgërdhirë.

– “Atje ku do shkoni, nuk do t’i bjerë ndërmend, as për të shkruajtur e, jo pastaj për miqtë e Moskës…”!

– “Hajde ulu në krevat, se do ftohesh në dysheme”.

“Unë po rivendos librat në rafte dhe më pas po ve pak rregull, për të pakësuar disi pamjen tronditëse të ngjarjes së hidhur. Duhet t’i japim kurajë vetes, duke patur parasysh që na presin befasi të panjohura, të cilat detyrimisht do t’i përballojmë, si e vetmja mënyrë për të mbijetuar…”! – Dhe u ula në krevat të sistemoj me duar të dridhura, bastisjen e skëterrshme.

(Për të humbur mendjen nga ky realitet vrastar, bëra përpjekje dhe e zhvendosa kujtesën në vitet studentore, ditën kur takova për herë të parë, Guno Mukerje, indianin e talentuar dhe të mençur, nipin e Tagores së Madh. Njohja u krye në hyrjen e indianit Bhataçarja, fqinji im, ku isha i ftuar për drekë në një shoqëri intelektualësh, të cilët si diskutim qendror patën letërsinë bashkëkohore. Bashkëbisedimi bëhej në tre gjuhë: indu, anglisht, rusisht.

Më shumë shtjellimi u përqendrua tek romantikët dhe klasikët e shquar të letërsisë ruse, pa prekur fare rrymën e re të letërsisë së realizmit socialist, pas Revolucionit të Tetorit. Profesor Gunos i pëlqeu mendimi im, u qas pranë meje dhe më pyeti rusisht: “pse vazhdon studimet në fakultetin e Kimisë, kur prirja juaj dhe dëshirat anojnë ndjeshëm nga letërsia”?!

Atëherë për mirësjellje i shpjegova në vija të përgjithshme shkurtimisht, si mbërrita deri këtu, duke theksuar se në të ardhmen natyrshëm do t’i përkushtohem letërsisë, përndryshe mbi mua do rëndojë si guri i Sizifit mëkati i pafalshëm, nëse braktis dhe shmang dhuntinë e bekuar të krijimtarisë letrare. Pas kësaj dite, u takuam shpesh për të shqyrtuar në ç’përmasa e rit forma artistike dhe stili një vepër letrare. Mes nesh lindi një miqësi vëllazërore e jashtëzakonshme, që vazhdoi edhe kur u largova nga Moska, pas shkëputjes së marrëdhënieve diplomatike, partiake e shtetërore me Bashkimin Sovjetik.

Por ngjarja më mbresëlënëse me indianin erudite, ishte festimi i 100 vjetorit të lindjes së Tagorës, që u kremtua me madhështi solemne në Balshoj Teatër. Në presidiumin e nderit qenë ulur personalitetet më të shquar indianë në fushën e letrave, Kryetari i Lidhjes se Shkrimtarëve sovjetikë, referuesi i veprës së Tagorës dhe në qendër rrinte miku im, Guno.

Për mua ishte vlerësim përtej imagjinatës të merrja pjesë në këtë jubile madhështor të këtij Njeriu të Madh, me përmasa botërore, të rrija ulur në rreshtin e parë, i caktuar vetëm për personalitete të rëndësisë së veçantë, gjë që natyrshëm me jepte kënaqësi të jashtëzakonshme, e ndërkaq më bënte të skuqesha, duke patur parasysh moshën time shumë të re dhe se isha fare fillestar në fushën e letrave!

Madje më dukej e pamerituar ftesa për të qenë i pranishëm në këtë ceremoni solemne, për me tepër në rreshtin e pare të platesë së “Balshoj Teatër”-it, kur edhe në rreshtin e fundit për mua quhej nder! Por këmbëngulja e mikut tim më detyroi të bindem e, gati më la pa mend, thënia e tij:

“Sytë e mi nuk të shikojnë si djalë njëzetvjeçar dhe fillestar në letërsi. Nuhatja e pagabuar më pëshpërit të kundërtën: se pas disa vjetësh, ti do jesh shkrimtar i shquar, me vizion largpamës! Talenti, besimi, vullneti, këmbëngulja dhe rrokja e këndvështrimit në thellësi të ngjarjeve e dukurive, janë cilësitë parësore më të domosdoshme për të qenë shkrimtar i përmasave të mëdha. Ti këto i ke. Ndaj do bëhesh i tillë, sado vështirësi të dalin përpara”.

Pikërisht në këtë çast të nderë, kur qe shfaqur e tatëpjeta drejt honit të shpërbërjes, doja te isha pranë tij dhe t’i thosha: “Profecia juaj doli e gabuar, profesor Guno! Ky djalë, tek i cili parashikuat pas disa vjet një shkrimtar të shquar, do shtypet si vemje nga thundra e Diktaturës së Proletariatit dhe as do përmendet në të ardhmen”!…

Ndoshta po të thellohesha rreth propozimit të çiltër e dashamirës të dekanes së fakultetit, (e cila ma bëri të qartë pse nuk duhet të kthehem në Shqipëri, pas prishjes së marrëdhënieve ndërshtetërore dhe partiake, mes dy vendeve), dhe të merrja vendimin e duhur, sot do ndodhesha krejtësisht i lirë, nuk do kërcënohesha nga asnjë shpërbërje e ndëshkim, madje as im vëlla s’do guxonte të linte nënën dhe motrën në mes te katër rrugëve e, të merrte arratinë.

Jeta ime paska patur kaq të papritura befasuese, sa as orakujt nuk e parashikuan dot saktësisht të ardhmen! Tani, para këtij realiteti kaq të frikshëm e të dhimbshëm, duhet mbledhur mendja, që gjatë këtyre orëve, kur mund të lëviz lirshëm, (ndonëse nën vëzhgimin e rreptë të hijeve tinëzare), që të kryej ndonjë punë të ngutshme. Po ku të shkoj? Dhe më kryesorja, a më presin?

Nuk e vija në mëdyshje që me siguri duhet të jem person i padëshiruar. Prandaj të gjitha portat dhe dyert, i kanë të mbyllura të dy kanatat për mua. Po sikur të shkoj në Lidhjen e Shkrimtarëve, për të takuar dashamirësin tim, Sekretarin e Përgjithshëm? Apo dhe ky do t’i bëjë bisht takimit, njësoj si të tjerët, sepse nuk mund te vërë në rrezik karrierën vetjake, duke patur parasysh që këtej e tutje, kam xanxën prapa, si dikur çifutët të damkosur me yllin e Davidit?…

Por edhe sikur ta zëmë do të ndodhë e kundërta, takohemi diku, në një vend të fshehte, çfarë do t’i them? Ky me siguri e ka marrë vesh aventurën që katranosi im vëlla dhe pak a shumë e di që mua me familjen, do më degdisin. Nën shtysën e kureshtjes, ndoshta mund të pyes dikë, tek i cili ka besim se ku mund të na çojnë. Më shumë se kaq nuk bënë dot, me gjithë dëshirën e madhe për të më ndihmuar…”!

Në fund, pavarësisht nga brejtjet e këtyre hamendjeve, i thashë vetes; të mos e humbas këtë shans. Të paktën të shihemi sy ndër sy, duke patur parasysh që në të ardhmen, nuk do ketë mundësi të tillë. Dhe shkova. Por as ky synim nuk u përmbush, sepse Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes së Shkrimtarëve nuk ndodhej në Shqipëri, gjendej jashtë shtetit, në përbërjen e një delegacioni. Kështu që ky shans u dogj. Por edhe sikur të kryhej takimi, kryesisht vëmendja ime do ngërthehej rreth fatit të dorëshkrimit të romanit “Madam Doktoresha”, në cilat duar gjendet dhe deri tani çfarë përshtypje mbizotëron?!

Pastaj në fund do t’i drejtoja pyetjen më të rëndësishme: ka mundësi ta shpëtojmë nga asgjësimi?… Patjetër shkrimtari do nuhaste në pyetjen time, çfarë më shqetëson më shumë: jo thjesht mbijetesa klandestine e dorëshkrimit të romanit, sa përpjekjet e cinikëve për ta përbaltur e cilësuar; “vepër pa frymën e realizmit socialist”, marifeti më i rëndomtë për kalemxhinjtë manipulues.

Të nesërmen rreth orës 9 të mëngjesit, gjendesha në qoshen e oborrit të Ministrisë së Brendshme, i njoftuar nga postieri i lagjes. Isha i pështjelluar nga ndjesi të skëterrshme, se diku në dorëshkrimet e mia, kanë gjetur pohime a mendime të dyzuara, (forma më e përdorur për të akuzuar dikë, pasi pas çdo kuptimi të drejtpërdrejt, gjithnjë ndodhet binjaku i figurshëm, të cilin e interpreton sipas një synimi të caktuar, për ta futur në terrin informativ).

Sipas meje, për të mbështetur akuzat e tyre, pa tjetër duhet të kenë sjellë me vete sociologë e psikologë të specializuar, varrmihës të intelektualëve, të cilët kanë si mjete bashkëbisedimi satirën therëse dhe humorin e mprehtë me nuanca popullore. Në të vërtet nuk ndodhi kështu: drejt meje erdhën vetëm dy oficerë të veshur civil, dhe ai me gradë më të ulët mbante në dorë një thes të zi. “Këta, ose duhet të jenë hetues, të ngarkuar të merren me çështjen e familjes time. Ose ndoshta janë ekspert të specializuar, për saktësimin e shkrimit…”- mendova me vete.

– “E di që na ke torturuar gjithë natën me këto dorëshkrimet e tua të padëshirueshme! – lëshoi ankesën oficeri me gradë më të lartë. – As me lente zmadhuese nuk ia dolëm mbanë! Kush dreqin të ka mësuar të shkruash kaq imët dhe me dendësi të jashtëzakonshme rreshtash?! Na dolën jashtë kokërdhokët e syve, nga sforcimi dhe asgjë nuk sosëm! Po ti vetë si i lexon? Jepi një faqe të na e këndojë këtu”! – urdhëroi vartësin e tij.

Ky nxori nga qeska e zezë një fletë të shkruar në të dy faqet, atë që i kapi dora dhe ma zgjati mua. Unë i hodha një sy të shpejtë dhe nisa të lexoj pa pengesa e vështirësi. Memorie.al

                                                       Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Marrëveshja u nënshkrua nga Rexhep Plaku, për Frontin Çlirimtar të Çamërisë, nga Bedri Spahiu, për Partinë Komuniste dhe Aleksis Janaris nga EAM-i, i cili...”/ Refleksionet e publicistit të njohur

Next Post

“Kur doli Mehmeti nga takimi me Enverin, ishte bërë për të ardhur keq, dyll i verdhë në fytyrë dhe i merreshin këmbët rrugës, u mbyll brenda dhe...”/ Dëshmia e rrallë në hetuesi e, truprojës të ish-kryeministrit Shehu

Artikuj të ngjashëm

“Gjon Ljarja, më tregonte për Pjerin Kçirën; ditën e fundit, erdhen te qelia e tij, shefi i Sigurimit, Rasim Dedja dhe Ali Xhunga, të cilët i komunikuen, se lutja për falje jete…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Sheh Mersinit prej Bicajve të Lumës, çuditi gjithë burgun, pasi i kishte tregu mjekut Elez Troshani, që ai do vdiste mbas një jave dhe në të vërtetë, ai…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
“Edhe pse Ollga Schweizer, në ‘44-ën shpëtoi nga pushkatimi gjermanëve 100 burra, komunistët e internuan dhe ia burgosën…”/ Historia tragjike e danezes, që u dashurua me firmëtarin e pavarsisë
Kujtime

“Dy të burgosun prej Kavajës, si hangrën ca rrush, bistakët, nuk i hodhën aty afër, – siç do të dëshronte ndonji i uritun, por në gropën e W.C. – së, ku nji i dënuar nga Berati…”! / Dëshmia e Ahmet Bushatit, për tmerret e Bedenit

May 30, 2025
“Në kampin e Bonos, lufta për nji pikë ujë, si për ekzistencë, do t’u shfaqte në tanë shëmtinë e vet ma ekstrem mes të burgosunve, që u shtyjshin mes tyne për jetë a vdekje…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Në kampin e Bonos, lufta për nji pikë ujë, si për ekzistencë, do t’u shfaqte në tanë shëmtinë e vet ma ekstrem mes të burgosunve, që u shtyjshin mes tyne për jetë a vdekje…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
“Komandant kampi të Bonos, kishim togerin Tasi Marko, vëlla i Rita Markos, që me ne do të sillej mirë, por emni i tij u lidhte me tmerret e kampit të Vloçishtit, ku ai…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik
Kujtime

“Komandant kampi të Bonos, kishim togerin Tasi Marko, vëlla i Rita Markos, që me ne do të sillej mirë, por emni i tij u lidhte me tmerret e kampit të Vloçishtit, ku ai…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik

May 30, 2025
“Letrën e Simes, të cilin unë do të lidhsha ndër vite andrrat ma të bukura për jetën, e lexova në kambë shpejt e shpejt, vjedhtas të gjithëve, dhe me kënaqësinë se…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik
Kujtime

“Letrën e Simes, të cilin unë do të lidhsha ndër vite andrrat ma të bukura për jetën, e lexova në kambë shpejt e shpejt, vjedhtas të gjithëve, dhe me kënaqësinë se…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik

May 30, 2025
“Tragjedia e trimëria e Kazazëve dhe familjeve shkodrane nën terrorin komunist, hakmarrja e heshtur mbi Dedjakupejt, Bushatllijt dhe Çobajt…”/ Historia e rrallë e fisnikëve të humbur të Shkodrës
Kujtime

“Zefi, i rritun jetim, se i ishte djeg shpia bashk me prindit, del partizan te batalioni ‘Perlat Rexhepi’, por ra në burg, ku rrahu një polic dhe kur i dhanë 25 vjet, kërkoi me vdekje, pasi…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
Next Post
“Kur doli Mehmeti nga takimi me Enverin, ishte bërë për të ardhur keq, dyll i verdhë në fytyrë dhe i merreshin këmbët rrugës, u mbyll brenda dhe…”/ Dëshmia e rrallë në hetuesi e, truprojës të ish-kryeministrit Shehu

“Kur doli Mehmeti nga takimi me Enverin, ishte bërë për të ardhur keq, dyll i verdhë në fytyrë dhe i merreshin këmbët rrugës, u mbyll brenda dhe...”/ Dëshmia e rrallë në hetuesi e, truprojës të ish-kryeministrit Shehu

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • English
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
error: Content is protected !!