• Rreth Nesh
  • Kontakt
  • Albanian
Friday, June 6, 2025
Memorie.al
No Result
View All Result
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
No Result
View All Result
Memorie.al
No Result
View All Result
Home Kujtime

“Këtu jemi, s’kem ku vemi, brenda qerthullit burg, do vërtitemi të tërë, ku kanë me na çu, ma zi se në ferr’ – ia ktheu Havzi Nela, Astrit Delvinës…”! / Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit të Spaçit

“Policët që na sollën në Reps, i’ hipën auto-burgut dhe na përshëndetën në mënyrën më të kobshme; Zi e ma zi, mos e qitçit ma kryet dhe lënçit ashta e lëkurë, njitu…”/ Dëshmitë e rralla të ish-të dënuarit politik
“Kur Pal Zefi, tha; ‘a ka mbet ndonjë shqiptar gjallë, që të mbrojë nderin e shqiptarit’, Pavllo Popa dhe Paulin Vata…”/ Refleksionet e gazetarit, në përvjetorin e Revoltës së Spaçit
“Me uniformën e burgut, me vija bardhë e blu, më gjeti gjyshja kur më erdhi në Spaç më 1979-ën, e cila bashkë me nënën dhe vëllanë që dridheshin nga të ftohët, klithi…”/ Kujtimet e ish-të dënuarit politik
“Kosta R., nga Bistrica, që pretendonte se po bënte një studim shkencor për krimbat, i bëri letër Kryesisë së Kuvendit Popullor, që t’i shtynin datën e lirimit edhe ca vite…”/ Historia e pabesueshme në kampin e Repsit
Si u dorëzuan Prokurori dhe Hetuesi para Havzi Nelës
“Tragjedia e tmerrshme që u ndodhi në Berat familjes së Teme Sejkos, ish- Kundëradmiralit të Flotës, siç ma tregoi i biri në Spaç, pasi ai…”/ Rrëfimi i Kaso Hoxhës nga SHBA-ës
“Në birucat e Repsit, më erdhi komandanti i kampit, Gjeto Gjini, babai i të cilit, kishte torturuar priftin e famullisë së tij dhe mbasi e kish copëtuar trupin, ja kishte…”/ Historia e tmerrshme e ndodhur në Mirditë
“Një metode frëngjisht, i ngjita portretin e Marksit, fjalorit, foton me ngjyra të Mao Ce Dunit, kurse M. Babameto, e maskoi Dostojevskin, nën mustaqet e Stalinit…”/ Dëshmia e ish-të burgosurit të Spaçit

Nga Shkëlqim Abazi

Pjesa e tridhjete katërt

                                                                          S P A Ç I

                                                                     Varri i të gjallëve

Gjithashtu mund të lexoni

“Sheh Mersinit prej Bicajve të Lumës, çuditi gjithë burgun, pasi i kishte tregu mjekut Elez Troshani, që ai do vdiste mbas një jave dhe në të vërtetë, ai…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

“Dy të burgosun prej Kavajës, si hangrën ca rrush, bistakët, nuk i hodhën aty afër, – siç do të dëshronte ndonji i uritun, por në gropën e W.C. – së, ku nji i dënuar nga Berati…”! / Dëshmia e Ahmet Bushatit, për tmerret e Bedenit

Tiranë, 2018

                                                       (Kujtime të miat dhe të të tjerëve)

Memorie.al / Tash në pleqëri, ndjej detyrim të rrëfej të vërtetën time, ashtu siç e jetova. Të flas për burrat modestë, që s’u mburrën ndonjëherë me bëmat e tyre dhe për të tjerët që regjimi u mbylli gojën e, i groposi në skërkat pa emra. Në asnjë rast s’marr përsipër, të uzurpoj monopolin e së vërtetës apo, të pretendoj dafinat për një ngjarje, ku qeshë i pranishëm rastësor, ndonëse u rreka me shpirt të ndihja sadopak miqtë e mi, që më shmangën me takt dhe me dashamirësi: “Byrazer, hap sytë… mos u përzje… se edhe dy muaj e pak të kanë mbetur”! Merak që m’u qep si hajmali, nga mëngjesi i datës 21, 22 dhe 23, maj 1974, madje më ndoqi edhe muajt në vijim, gjersa më liruan. Sidoqoftë, gjithë ç’ pashë dhe dëgjova ato tri ditë, s’do doja t’i merrja në varr.

                                                            Vijon nga numri i kaluar

“Pushoni, ‘re”! Vazhdoi tellall!

2 – “Lista e atyre që dalin në sipërfaqe, sipas sektorëve.

Në repartin mekanik: Milto Feshti, Fiqiri Muho, Refat Hamiti, Taqo …, X…, Sotir…, Janaq…., Y., Qenan Jaho, Gaqo Tellalli. U mbyll edhe kjo”.

Ca ishin specialistë të pazëvendësueshëm, të tjerët spiunë që i çonin “sa m’u gjet Kola n’punë”, siç pëlqente të shprehej miku im Shyqyri Gruda.

“Në planin e pjerrët: A.., E…, V…, D…, Q…, Z…, K…, P…, L…, Y…,”, etj.

Edhe këtu gjytyrym, të sëmurë, sakatë dhe prapë ndonjë spiun.

“Në mirëmbajtje: P…,.., G…, H…, Q…, C…, A…, F…, Y…”, etj.

E njëjta përbërje.

Zhurmë.

“Do pushoni ju, ’re”?!

“Më dogji urina”!

“Baje n’brek”!

“Plasa, më ra të fikët”!

“Ala s’ke ngordhë, a”!

“Vdiqa nën diell, o nëne koka”!

“Deksh n’vend”!

“O Zot, mbarova”!

“Hë de, ç’pret”!

“Ujë, ujë”!

“Pshurru dhe pije”!

“Pushoni, ’re”! – sërish Malo tellalli.

“Në zonën e parë. Brigada e parë: 1, 2, 3, 6, 12, 24, 53, 65”.

“Brigada e dytë: 1, 2, 3, 13, 17, 45, 55, 65”.

“Brigada e tretë: 3, 5, Riza Kamenica, 13, 43, 65. Rezervë 1, 4, 9, nga tre për 1 brigadë”.

“Fitove, bre Zake, nga e dyta në të parën”!

“Ia hodhe, kapedan”! – ishte Esati i ulur pranë meje.

“Doja t’i merrja me radhë, po paskam bërë pas”! – u ankua Zakja.

“E-hu, dashke të kalokërke ti sharrok, me sa ha pyka, kërçepi i shkozës, aq gramë ke, zotërote”! – e cyti Xhelal beu.

“Edhe pesëmbëdhjetë vjet do bësh para, po ç’t’i bëj unë, që më paskan lënë fare”! – ia shkrepi Tomor Allajbeu.

“Nuk thuaj shyqyr, mot del më i pjekur”! – ia priti Xhelali.

“I  pjekur apo i djegur”?

“Në mos piqesh, pirdhesh! Urra-a-a”! – “Marroku” u hodh përpjetë.

“Pushoni, ‘re”!

“Vazhdo Malo”!

“3. – Në zonën e tretë. Brigada e parë 49. Brig…e dytë 49. Brig.. .e tretë 2, 9,…, Bejo Kalaj,..49 dhe 6 rezervë”.

“Ma gëzofsh Bejo, vate drejt e në të tretën, ja pordhe Esatit”!

“Esati është djalë, do më kaloj e, do më lërë, se e ka jetën përpara”!

“Doli gjë emri im”? – më pyeti Qani Çollaku.

“Jo, Qani”!

“Po imi, mo”? – ishte Mihal Cerja.

“Me këtë gjurulldi, s’po dëgjoj timin, jo tëndin”! – ia ktheva.

“Ty të kanë lënë, se ke vërsë ushtrie, bre”! – shpotiti Zakja.

“Tallu Zake, të erdhi në shteg”!

“Më erdhi për besë”!

“Të të rroj Nevzatka, mo”! – e thumboi Xhelal beu.

“Ejvallah, i ndafsha hallvën me lugën e madhe, jarabi”!

“Ti Xhelolo, ku e ke vendin”?

“Ku do Partia”!

“Të pyeta për zonën, o derdimen”?

“Në brigadën internacionale të orizoreve kineze”! – u tall Esati.

“Shokun Xhelal, e keni përherë gati”! – shtoi shkrimtari.

“Xhelali i sat ë…dhe i…z po lëre-lëre, fare! Po ti ku do mbytesh, or qyq”? – ia ktheu Xhelali.

“Me tanë të tjerët, o Xhelal bej”! – e mbrojti Havzi Nela.

“U-ah kush flet?! Ky që s’di as veten ku është”!

“Këtu jemi, s’kem ku vemi, brenda qerthullit burg, do vërtitemi të tërë”! – ia ktheu Havziu. – “Mos e vra mendjen doktor, ku kanë me na çu ma zi se në ferr…, veç në na degdisshin në përtej ferr”! – iu kthye Astrit Delvinës krye anuar, me një buzagaz të hidhët.

“Pse hiqeni të diturit e dynjasë, kur s’dini gjë fare”! – s’di nga mbiu i ziu Ramadan Lipja.

“Ç’farë duhet të mësojmë prej hirësisë suaj”? – u interesua Luan Koka.

“Këtë herë, me porosi të Komitetit Qendror të Partisë Punës Shqipërisë dhe personalisht të shokut Enver, që i ka xhan jevgjit, të bardhët do t’i rrasin në vrimat e piritit, të nxihen një çiçkë, ce mbetën duke na sharë zhapën”! – u tall Ramadani.

“Shyqyr o Dan-t-e, doli një jevg i zgjuar së fundi”! – shpotiti Luani.

“Pse o Kok-ë-ë, kot më bënë politikan mua”! – ia ktheu reston Dania.

“Do pushoni ju”?

“Dëgjoni, ’re”! – ulëriu zëçjerrë Malua.

“Boll na trallise kokën Smail, e morëm vesh ku jemi”! – ia priti Esati.

“Ku mund t’jesh ti, o lap”! – e cyti Zef Ndoi.

“Në vrimat e sterruara të Mirditës tënde”! – ia ktheu Esati.

Mirditori u trus, po s’u dha: “Sa shkapërcyen Matin, lebrit me poture t’zeza, na nxinë Mirditën dhe krejt Shqypninë! Ha-ha-a-a”! – dhe kroi qafën si të largonte një insekt të bezdisshëm.

“Jepi, Malo”!

“Dëgjoni, ‘re milet! Zonën e dytë, e lamë për në fund, si më të rëndësishmen. Vini veshin njimë”!

“Në sulm, kapedan”! – e nxiti Esati.

“Në zonën e dytë”.

“4. – Në brigadën e parë: 1, 3, 15, Qani Çollaku, 60”.

“Edhe ty Qani”!?

“Pse ç’jam unë”?

“Je vëlla ‘Heroi’, bre”! – bëri të habiturin Zakja.

“Ua-ah, ku pyesin për heronj këta, mo t’u mbylltë e mendjes”!

“Kanë mbledhur sa t’i gërryesh me qyrek, pa të tjerëve s’iu gjen as kockat”! – ndërhyri Xhelali.

“Do pushoni ju”! – ulëriu tellalli.

“Jepi, Malo”!

“Në brig…e dytë: 2, 7, 14,… Shkëlqim Abazi,… 39, 49, 60”.

“E hëngre, biro”! – Zakja hoqi thellë.

“Edhe ata që rropaten atje, bij nënash janë, o Riza bej Kamenica”! – u rreka ta ngushëlloja.

“Para, Malo”!

“Dëgjoni,’ re”!

“Vari torbën, u mbyll meseleja”! – “Marroku” s’po gjente derman.

“Në brig…e tretë: 1, 3, 7,… Esat Kalaj,… 15, 60. Rezerva 12”.

“Të lumtë bre Esat, për besimin që ka Partia në aftësitë e tua! Nashtithi të futën ndë furrik, që mos të humbin kockat”! – Xhelali fërkoi mustaqet me djallëzi.

“Më mirë eshtra-ndryrë në furrikun tënd, se oturak floriri në haletë e botës, o Xhelal bej! Sidoqoftë, më mbetet t’i falënderoj në emrin e të privilegjuarve, që iu besuan vrimat e piritit, nisur me kryetarin e Zyrës Teknike, shokun Medi Noku”, – shpërtheu Esati pompoz.

“Pa dashamirësinë dhe disponibilitetin e tij, do ta ngrysnim burgun, në letargji totale, do humbnim orientimin, te vijimësia e idealeve të ndritura të Partisë, për meritë të tij, komanda na ka në qendër të vëmendjes. Gjithashtu falënderim meritojnë gjithë shokët spiunë, sepse kanë kontribuar me vlerësime pozitive në adresën tonë.

Por nderimi më maksimal shkon për të shtrenjtin Fejzi Liçaj, që gjeti shenja të qarta rehabilitimi, me dashamirësinë atërore të detektivit dhe me atributet e operativit të repartit 303, përpiqet të na ingranojë edhe ne, në gjirin e ngrohtë të… Sigurimit të Shtetit.

Sidoqoftë, lavdërimin kulmor sa maja e Everestit, e meriton komandanti i kampit, shoku Çelo, për konsideratën pacak që rezervon për ne. Kupton ti! Natyrisht pa lenë në harresë, edhe përkrahjen e pakursyer të komisarit “babaxhan”, shokut Shahin, që duke miratuar pjesëmarrjen tonë, në këtë zonë të rëndësisë së veçantë, gati na blatoi faljen”.

“Do t’ia kujtojmë këtë nder edhe pas vdekjes”.

“Amin, Esat”!

“Dhe në fund, po jo e fundit, në emër të aspirantëve të zonës së dytë, dua t’iu shpreh falënderimet më të nxehta se… vrimat e piritit, mësuesve të ndritur marksistë-leninistë, pas vdekjes, Partive motra dhe simotra, kudo në glob, grupeve komuniste shpërndarë në të pesë kontinentet, që mundësuan lidhjen e kontratave për eksportin e piritit dhe acidit sulfurik.

Veçanërisht do t’i shprehja mirënjohjen modeste Partisë së lavdishme shokut Enver, që na rrofshin sa … brekët e shokut Xhelal”!

“Xhelali i sat ë…, po lëre-o-lëre, fare”! – ia ndërpreu tiradën lavdëruese.

“E, ’re, do pushoni ju apo”?!

Mbylle, Malo!

“5 – Ky urdhër, hyn në fuqi (nesër në mëngjes), më 22. 05. 1971. Kartelisti i repartit.

Jovan (firma.

Komandanti i repartit 303, Çelo Arrëza (dora vetë) Mori fund.

Mirë u pjekshim, pas një, dy, ose tri muajsh”! – kartelisti ktheu shpinën dhe mori terma shkallët.

“Harrove ‘Tartarinin’, bre kartelist”! – thirri “Marroku” me sa i nxori fyti.

“Lëne ‘Tartin’, asht i vocërr’ s’e ka mbush ala motin! Po shiqjoni micën bre, se na qitën sytë minjtë”! – Shtjefën Lacuku, bëri teposhtë nga banjat.

“O Tef, meqë të la pendët Vasi, ushqe shpirrën, se ta shpërblen për besë, do të spiunoj sa herë të pjerdhësh…”! – shpotiti edhe Xhelal beu.

“Hë, Malo”!

“Shpërndahuni, ’re”! – tellalli u turr çezmave se i qe tharë fyti.

“Ik mo, pirdhu”! – edhe “Marroku”, mori teposhtë.

“Vrap në hale nashti, o Xhelal bej”!

“S’kam ç’derdh o Zake, ç’pata e bëra te shtylla”!

“Po nashtithi”!

“Do shkoj të ndërroj brekët”!

“Në i gjetsh”!

“S’gjeta të miat, huaj të komandantit”!

“Po në qofshin të shqyera”? – u zgërdhi, hi-hi- hi dhe shtoi: – “Mbetsh me shëndet”!

“Shëndet plaç”!

Edhe Zakja u largua me ngut. Mbeta vetëm.

Bëra për nga banjat… po anekset e nevojtoreve, ishin të zëna dhe radha zgjaste tej dhjetë metër. Duhej pritur nja një sahat…!

Prite prit…!

Ç’kuptim ka pritja në burg?

Hiç, kot fare! Vend ku nocioni pritje, e humb kuptimin dhe përkthehet në të kundërtin e vet. Të prisje do të thoshte: të shtyje kohën!

Mbarova në banjë dhe hyra në fjetore. O Zot, qysh në derë më bllokoi aroma e kashtës së kalbur dhe pluhuri toksik. Më erdhën zorrët në grykë, gjithkah bërllok dhe rrëmujë! Jatakë, jorganë, batanije, nënkresa, pantallona e xhupa peliçe, brekë e këmisha, fletë gazete e reviste, pece të strëngura, pluhur qumështi, nakatosur me krodhe buke dhe kashtë e byk, si në pazarin e gabit. Nën një opingë, dilte gjysma e portretit të Volterit.

“O bo-bo librat…”, iu drejtova shtratit me duart në kokë, por u qetësova, kur gjeta stilografin në folenë ku e kisha strehuar, poshtë jatakut dhe nën kartoserë librat. Shyqyr, më kish shpëtuar katandia!

“I’a hodhëm edhe këtë herë, të dashurit e mi”!

“Shpëtuam o Zot, po të na kishin shtënë në dorë do na linçonin ligsht!” – u gjegjën njëzëri poetët e lashtë dhe të rinj, që fshehur nën dheun e zi, mëtonin të putheshin me diellin.

“Xhelatët u treguan syleshë edhe këtë here”!

“Sa frikë, o Perëndi e Madhe”!

“Lebeti! Tmerr…!”

U shkreha mbi bykun e jatakut.

“Do qetësohem, gjersa të thërresë tellalli për drekë”!

“E dreq, ç’e hëngra zonën e dytë! Ishalla do Zoti shpëtoj, pa çyrykllëk”! Dhe humba nën shkumën e trazuar të ëndrrave…!

O Zot, intermexo pa fund! (Edhe titanët vdiskan!)

Prej muajsh i bija numrit 0682600585, që dispononte miku im Namik Zeneli, por s’ma hapnin.

“Do ketë ndërruar numër! Kjo dreq mode, na bëri me nga dhjetë telefona, në duar e në xhepa, madje dhe kalamajve një telefon ua varin në qafë, një tjetër në çantën e shpinës dhe drejt e në çerdhe. Bile edhe druvarët, kanë nga dy, një në trastën e bukës, tjetrin në kocen e samarit.

Të gjithë rendin pas ofertave çmendurake, të kompanive mashtruese, gjej oferta, ndërro numra; lexo fletushka e, shto numra, edhe kompanitë, gënje e gënje, me ulje tarifash dhe me shërbime të reja telefonie e interneti gjoja, falas; seç’ kanë shpikur ca hile me grupe e me miq të x-s apo, y-on kompanie dhe hyxhym, kush të përfitojë më parë; na u bënë fletushkat me buzëkuqe, si traktet qëmoti, hap derën gjen tri fije, një poshtë mbi çimento, një varur te rrezja dhe tjetrën mbi numrin e portës”!

“Jetojmë moshën dixhitale dhe kohët modeme, zotëri”! – duan të mbrohen modernistët.

Mbase! Ndoshta edhe mikun tim e ka pllakosur sindroma e modemitetit! Hajt të presim sa t’i kalojë!

“Padyshim do i bjerë vetë, kur ta marrë malli!” – i dhashë karar dhe prita. “Prit e prit, sa m’u dogj xhani…”!

Bëj një pauzë njëjavore, bjeri ziles, hiç! Rri dy e, bjeri sërish, heshtje! Shkoj një muaj e shkuan dy, s’përgjigjej kush! Pastaj gjashtë muaj, zilja xhërr e, asnjë shenjë robi! Më gërreu meraku, por e mbajta veten me gajret:

“Kushedi ku ndodhet! Mbase në perëndim, te ndonjë nip apo mbesë emigrante! Apo ka çarë Atlantikun dhe ka përfunduar te imperialistët amerikanë, se helbete atje e ka strofkën, ish ‘agjenti’”?!

“Pse ore, kot i dënon Partia armiqtë?! Jo-o, e di mirë ‘Xhaxhi’, ku vë dorë”!

Më jehuan në vesh fjalët e aktivistit të lagjes, kur më tregonte me gisht në vitet tetëdhjetë. Po vazhdoj me logjikën e “veteranit” siamez, të lagjes sime, bashkëfshatarit të Namikut.

Një ditë behari, te lapidari i Qafës së Murrizit, “veterani” i laraskave, u mburrej nja dy-treqind nxënësve të shkollës tetëvjeçare të fshatit, duke hedhur profka, për gjoja “beteja heroike” dhe “luftëra imagjinare”, kundër armiqve pushtues e tradhtarëve të vendit.

Pasi ngriti në qiell rolin udhëheqës të shokut Enver, që s’i kishte shkelur ndonjëherë ato nahije, përmendi sakrificat e panumërta të dëshmorëve “pa emër”, që dhanë gjakun në lule të rinisë, mandej drejtoi gishtin mbi armiqtë e Partisë, që iu dhembnin sytë, nga marshimi triumfal i Shqipërisë Socialiste, drejt progresit të pandalshëm dhe shtoi:

“Nuk shkoi dëm gjaku i derdhur si valët e Jonit, sot Shqipëria Socialiste, marshon e sigurt drejt Socializmit dhe Komunizmit final. Por kjo iu vret sytë armiqve të Partisë dhe të popullit, që s’duan t’i shohin përparimet dhe qahen ditën, me ëndrrat që shohin natën e, vjellin vrer si nepërkë shullëri, kundër Partisë dhe shokut Enver. Po ne do t’ua presim gjuhën gjer në rrëzë”!

Pasi troi dhe kërcënoi gjithë imperialist-revizionistët e globit, u rikthye sërish në tokë:

“Shihni armikun e rrezikshëm, Namik Zeneli, në fshatin tënë! Sillet si manar dhe hiqet i dashur, por prapa butësisë, fshihet ujku, pas dorës sakate, thika që do të na ngulë pas shpine. Pse ore, kot e dënoi Partia! Jo-o, dinte ku vinte dorë xhaxhi Enver”! – bëri një pauzë, mbushi mushkëritë astmatike me oksigjen dhe vijoi: – “Djema, ishte terrorist, demek do t’i bënte atentat Krushovit, por synonte Enverin!

‘Ku dinte nga këto gjëra ai, fundja një copë bari dhish ish’, na e mbrojnë ca zarbo, armiq të pushtetit popullor. Po s’e hamë ne atë kokërr ulliri! Sepse ja tek i kemi çobanët tanë, mund jenë bërë komunistë të devotshëm, edhe ‘Heronj të Punës Socialiste’ janë bërë, edhe deputetë në Kuvendin Popullor, edhe anëtarë të Byrosë Politike, të Komitetit Qendror të. P.P.SH.-së, por ama ngelen barinj, me kërrabën dhe dhitë”!

“Mbase mësojnë t’i bien cyles e dyjares, po sa për shkollë dhe për politikë, ah-ha, tekun nxënë”!

“Kush më thotë nga ju kolopuçë u kam rixha, u kanë zënë sytë ndonjë çoban, të mësoj gjuhë të huaja, shkencë, arte, letërsi, muzikë, politikë, ekonomi e, ku e di unë tjetër? Jo, s’gjen! Po ai nga i mësoi të tëra, hajt merre vesh nashti”!

“Ishte agjent nga të rrezikshmit fare, për ideal”! Memorie.al

                                                       Vijon numrin e ardhshëm

Copyright©“Memorie.al”

Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016

ShareTweetPinSendShareSend
Previous Post

“Në librin ‘Nana Kosovë', nuk kam sulmue serbët dhe s’jam urëdhërue prej Mid’hat Frashërit, mbasi me ‘Ballin Kombëtar’...”/ Historia e panjohur e profesorit të famshëm, i diplomuar në Stamboll

Next Post

“Në Burrel, babait i shkonin në katër të mëngjesit në qeli dhe i thoshin; ‘çohu se të ka ardhur urdhri për t’u pushkatuar’, duke e detyruar të hapte gropën, varrin e tij...”/ Dëshmia e trishtë e Qazim Kokoshit

Artikuj të ngjashëm

“Gjon Ljarja, më tregonte për Pjerin Kçirën; ditën e fundit, erdhen te qelia e tij, shefi i Sigurimit, Rasim Dedja dhe Ali Xhunga, të cilët i komunikuen, se lutja për falje jete…”! / Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Sheh Mersinit prej Bicajve të Lumës, çuditi gjithë burgun, pasi i kishte tregu mjekut Elez Troshani, që ai do vdiste mbas një jave dhe në të vërtetë, ai…”/ Dëshmia e rrallë e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
“Edhe pse Ollga Schweizer, në ‘44-ën shpëtoi nga pushkatimi gjermanëve 100 burra, komunistët e internuan dhe ia burgosën…”/ Historia tragjike e danezes, që u dashurua me firmëtarin e pavarsisë
Kujtime

“Dy të burgosun prej Kavajës, si hangrën ca rrush, bistakët, nuk i hodhën aty afër, – siç do të dëshronte ndonji i uritun, por në gropën e W.C. – së, ku nji i dënuar nga Berati…”! / Dëshmia e Ahmet Bushatit, për tmerret e Bedenit

May 30, 2025
“Në kampin e Bonos, lufta për nji pikë ujë, si për ekzistencë, do t’u shfaqte në tanë shëmtinë e vet ma ekstrem mes të burgosunve, që u shtyjshin mes tyne për jetë a vdekje…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit
Kujtime

“Në kampin e Bonos, lufta për nji pikë ujë, si për ekzistencë, do t’u shfaqte në tanë shëmtinë e vet ma ekstrem mes të burgosunve, që u shtyjshin mes tyne për jetë a vdekje…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
“Komandant kampi të Bonos, kishim togerin Tasi Marko, vëlla i Rita Markos, që me ne do të sillej mirë, por emni i tij u lidhte me tmerret e kampit të Vloçishtit, ku ai…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik
Kujtime

“Komandant kampi të Bonos, kishim togerin Tasi Marko, vëlla i Rita Markos, që me ne do të sillej mirë, por emni i tij u lidhte me tmerret e kampit të Vloçishtit, ku ai…”/ Kujtimet e ish-të burgosurit politik

May 30, 2025
“Letrën e Simes, të cilin unë do të lidhsha ndër vite andrrat ma të bukura për jetën, e lexova në kambë shpejt e shpejt, vjedhtas të gjithëve, dhe me kënaqësinë se…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik
Kujtime

“Letrën e Simes, të cilin unë do të lidhsha ndër vite andrrat ma të bukura për jetën, e lexova në kambë shpejt e shpejt, vjedhtas të gjithëve, dhe me kënaqësinë se…”/ Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit politik

May 30, 2025
“Tragjedia e trimëria e Kazazëve dhe familjeve shkodrane nën terrorin komunist, hakmarrja e heshtur mbi Dedjakupejt, Bushatllijt dhe Çobajt…”/ Historia e rrallë e fisnikëve të humbur të Shkodrës
Kujtime

“Zefi, i rritun jetim, se i ishte djeg shpia bashk me prindit, del partizan te batalioni ‘Perlat Rexhepi’, por ra në burg, ku rrahu një polic dhe kur i dhanë 25 vjet, kërkoi me vdekje, pasi…”/ Kujtimet e Ahmet Bushatit

May 30, 2025
Next Post
“Në Burrel, babait i shkonin në katër të mëngjesit në qeli dhe i thoshin; ‘çohu se të ka ardhur urdhri për t’u pushkatuar’, duke e detyruar të hapte gropën, varrin e tij…”/ Dëshmia e trishtë e Qazim Kokoshit

“Në Burrel, babait i shkonin në katër të mëngjesit në qeli dhe i thoshin; ‘çohu se të ka ardhur urdhri për t’u pushkatuar’, duke e detyruar të hapte gropën, varrin e tij...”/ Dëshmia e trishtë e Qazim Kokoshit

“Historia është versioni i ngjarjeve të kaluara për të cilat njerëzit kanë vendosur të bien dakord”
Napoleon Bonaparti

Publikimi ose shpërndarja e përmbajtjes së artikujve nga burime të tjera është e ndaluar reptësisht pa pëlqimin paraprak me shkrim nga Portali MEMORIE. Për të marrë dhe publikuar materialet e Portalit MEMORIE, dërgoni kërkesën tuaj tek [email protected]
NIPT: L92013011M

Na ndiqni

  • Rreth Nesh
  • Privacy

© Memorie.al 2024 • Ndalohet riprodhimi i paautorizuar i përmbajtjes së kësaj faqeje.

No Result
View All Result
  • Albanian
  • Faqja Kryesore
  • Dossier
  • Intervista
  • Personazh
  • Dokumentar
  • Galeria e Fotove
  • Art & Kulture
  • Sport
  • Kujtime
  • Të Ndryshme
error: Content is protected !!