Nga Prof. Dr. Bardhyl Çipi
Pjesa e dytë
PROVA SHKENCORE TË VDEKJEVE MBRESËLËNËSE
(Persona publikë, viktima të diktaturës, ngjarje të tjera)
Memorie.al / Bardhyl Çipi, një nga specialistët më me përvojë në vendin tonë në fushën e Mjekësisë Ligjore dhe Bioetikës, mësimdhënies së tyre dhe përgatitjes së ekspertëve të rinj mjeko-ligjorë. Disa nga pacientët e tijë, janë: viktima që u vranë në kufi për të shpëtuar nga diktatura komuniste, por i ndihmuar nga qeni i tij besnik, për zbulimin e kufomës së tij të fshehur, gruaja e internuar që vrau veten nga dëshpërimi, qytetarët e Kosovës të vrarë nga serbët, sepse kërkonin të jetonin të lirë, për të mos u poshtëruar dhe torturuar prej tyre, banorët që kanë jetuar 1500 vjet më parë në Shqipëri, profesori i universitetit të Tiranës i grabitur dhe i vrarë, etj. Një libër mbi vdekjen dhe provat shkencore për zbulimin e llojeve të ndryshme të saj: vrasje, vetëvrasje, të stimuluara dhe të detyruara nga regjimi komunist, vrasje dhe genocide ndaj Shqiptarëve nga fqinjët e tyre, kufoma të freskëta apo të dekompozuara dhe të skeletizuara. Dokumentet e vdekjeve të personave të shquar; Kenedit, Linkolnit, Napolonit, Leninit, Trockit, etj., dhe ngjarje të tjera të vdekjeve të njerëzve të zakonshëm. Njohuri mbi ndryshimet që ndodhin pas vdekjes dhe ekzaminimit të kufomave në botë dhe në vëndin tonë, nga pikpamja historike, etike, mjekoligjore, juridike. Disa nga librat e tij të fundit janë; “Manuali i Mjekësisë Ligjore” (2015), “Bioethics in Albania nowadays” (2016), “Tranzicioni shqiptar në lupën e mjekësisë ligjore” (2018), “Mjekësia Ligjore Kriminalistika” (2020).
- Sekreti mjekësor në përgjithësi dhe ai pas vdekjes së pacientit dhe i personave publikë
Ruajtja e sekretit është një çështje shumë e rëndësishme për respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, që parashikohet edhe në Kushtetutë, sipas të cilës garantohet mosndërhyrja jashtë ligjit në jetën private të njeriut (neni 35) (Elezi, 2002).
Në Kodin Penal Shqiptar janë paraqitur disa nene që dënojnë përhapjen e sekreteve vetjake (neni 122) ndërhyrjen e padrejtë në jetën private (neni 121), pengimin ose shkeljen e fshehtësisë së korrespondencës (neni 123) etj. (K.Penal i Republikës së Shqipërisë, 1995).
Ky parim është shumë i rëndësishëm edhe në mjekësi, i parashikuar edhe në Kodin e Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore të Shqipërisë. Aq më tepër sot, që rreziku i shkeljes së tij është bërë më i madh nga zhvillimi i mediave elektronike, kompjuterëve, fakseve, mesazheve zanore etj.
Në këto kushte, ka filluar që në shumë vende të përpunohet një legjislacion i ri mjekësor, për këto çështje.
Por fusha e sekretit mjekësor pas vdekjes, nuk është e njohur aq sa duhet. Aspektet e ndryshme të tij është e rëndësishme të njihen edhe në vendin tonë, sepse kohët e fundit ka pasur te ne mjaft botime, të shoqëruara me diskutime dhe kritika sidomos në lidhje me sëmundjet dhe vdekjet e disa personave publikë.
Njohuri të përgjithshme mbi sekretin mjekësor
A është e lejueshme të botohet gjithçka mbi studimet mjekësore që kryhen në trupin e njeriut? A mund të shpallen të gjitha të dhënat mjekësore mbi sëmundjet dhe shkakun e vdekjes nga ana e mjekëve? A duhen bërë përpjekje për zbulimin pas vdekjes e të dhënave mbi trupin e njeriut, si pasoja të veprimeve kriminale apo dyshimeve të kryerjes së tyre?
A ka mundësi që zbatimi i parimeve të etikës mjekësore: konfidencialitetit, konsentit, respektit të trupit të njeriut pas vdekjes, të kushtëzohen nga periudha kohore që ka kaluar? (Charlier, 2014).
Kohët e fundit këto pyetje kanë filluar të bëhen edhe në vendin tonë, sidomos në lidhje me të dhënat mjekësore dhe vdekjen e personave publikë të regjimit të mëparshëm, si p.sh. të Enver Hoxhës, Mehmet Shehut, Nako Spirut etj.,apo atyre të persekutuar dhe të vrarë në atë periudhë.
Për t’i kuptuar ato, duhet analizuar në fillim parimi i rëndësishëm i konfidencialitetit mjekësor, i cili nga një detyrim moral u transformua në një detyrim ligjor dhe në fund si një nga të drejtat fondamentale të njeriut (B. Çipi, 2015).
Sipas këtij parimi, në mbrojtje të interesave të pacientit, informatat që doktori merr prej tij gjatë ushtrimit të praktikës së tij mjekësore, nuk duhet t’ja u tregojë personave të tjerë, ose t’i përhapë ato. Në mungesë të garancisë që sekreti i tij do të ruhet nga mjeku, pacienti mund të mbajë të fshehur të dhëna të rëndësishme që mund të ndikojnë negativisht në mjekimin e tij, apo të personave të tjerë (B. Çipi, 2005).
Në fakt, koncepti i sekretit mjekësor, në shumë vende, sidomos ato perëndimore, ka një lidhje të ngushtë me atë të privilegjit të marrëdhënies mjek-pacient, një koncept ky më i ngushtë se konfidencialiteti mbi të drejtat e pacientit. Sipas tij, mjeku kurues, të dhënat që merr nga pacienti, nuk duhet t’ja zbulojë një pale tjetër dhe nuk duhet t’i përdorë kundër pacientit në gjykatë apo procese të tjera juridike (Robitcher, 1968; De Witt, 1959) .
Kohët e fundit çështjeve të sekretit mjekësor po u kushtohet një vëmendje gjithnjë e më e madhe, në lidhje me aspektet e tyre etike dhe juridike. Zhvillimi i madh i mediave elektronike, arritjet në fushat e gjenetikës mjekësore kanë ndryshuar kuptimin e transmetimit tradicional të informacionit mjekësor.
Përdorimi i telefonave celularë dhe aparaturave të sotme elektronike: kompjuterëve, fakseve etj.kanë krijuar mundësinë që të ndodhin shkelje të paqëllimshme të sekretit mjekësor. Mesazhet zanore të dërguara në mënyrë elektronike mund të dëgjohen edhe nga persona të tjerë përveç pacientëve.
Po kështu kompjuterizimi i të dhënave mjekësore, që ka shumë avantazhe, rrezikon në shkeljen e konfidencialitetit të tyre (Berg, 2001).
Për këtë në shumë vende është përpunuar një legjislacion i ri mjekësor për mbrojtjen e konfidencialitetit në rrethana të ndryshme (Guidance and adivece, confidentiality and disclosing information after death, 2021).
Sekreti mjekësor pas vdekjes
Sekreti mjekësor pas vdekjes së pacientit dhe ai për personat publikë përbën një fushë të veçantë, jo shumë të studiuar.
Në këtë studim janë analizuar nga literatura e huaj disa nga aspektet kryesore të kësaj çështjeje që kanë të bëjnë me konceptin e ruajtjes apo mos ruajtjes të sekretit mjekësor pas vdekjes, argumentet filozofike dhe etike të këtyre qëndrimeve, rrethanave në të cilat ky sekret nuk ruhet, ndikimin e kohës që ka kaluar nga vdekja, kush do ta ketë të drejtën për ta ruajtur ose jo sekretin mjekësor pas vdekjes etj.
Ruajtja e konfidencialitetit mjekësor pas vdekjes, është e domosdoshme për të mbrojtur individin, qoftë për jetën private apo pozitën e tij shoqërore, për shkak të dëmit kryesisht moral që mund t’i shkaktohet pacientit, në rast se këto të dhëna mjekësore do të zbuloheshin (Berg, 2001).
Shqetësimet e sotme mbi konfidencialitetin kanë të bëjnë kryesisht me çështjen kur mjeku zbulon një sëmundje veneriane (seksualisht të transmetueshme), ose që personi ka qenë i alkoolizuar ose të dhëna të tjera që mund të jenë përbuzëse për publikun, apo nëse zbulimi është kryer për t’u mbrojtur nga një veprim shpifës i pacientit.
Po kështu grupet e gjakut në vetvete mund të mos jenë informata që duhen mbajtur sekret, por në rastet e çështjeve të përcaktimit të atësisë së bashku me ato të ADN-së, ato mund të jenë shumë të rëndësishme.
P.sh. në rastet e identifikimit të kufomave të masakrës së Srebrenicës, të kryer nga serbët në Bosnjë, nëpërmjet të ekzaminimit krahasues të të dhënave të ADN-së me ato të prindërve të tyre të gjallë, rezultoi që në disa raste babai i një viktime nuk ishte babai i vërtetë biologjik. Ky konstatim ishte e domosdoshme që të mbahej sekret për të shmangur konflikte të rënda familjare të mëvonshme.
Ose në rastet e personave të prekur nga HIV/AIDS, kjo sëmundje duhet mbajtur sekret edhe pas vdekjes së tyre (Berg, 2001).
Mos ruajtja e konfidencialitetit mjekësor pas vdekjes, mund të ndodhë për shkak se mjekët nuk i kanë bërë ndonjë premtim pacientit të tyre për t’i ruajtur të dhënat mjekësore pas vdekjes së tij.
Në të vërtetë, pavarësisht se kjo parashikohet në kodet etike, pak mjekë e kanë shfaqur detyrimin për ruajtjen e konfidencialitetit të pacientëve të veçantë, dhe akoma më pak për sekretin mjekësor pas vdekjes.
Sipas literaturës mjekësore të huaj, mbrojtja e konfidencialitetit mjekësor pas vdekjes është në vartësi të interesave që ka pasur i ndjeri para vdekjes, për ta ruajtur atë.
Pra, nëse mos ruajtja e konfidencialitetit mjekësor post mortem do të jetë në favor të personit të vdekur, kjo mund të mos kundërshtohet (Berg, 2001). Pikëpamjet filozofike në lidhje me interesat pas vdekjes së personit (Berg, 2001).
Interesi i njeriut të vdekur është që t’i ruhen informacionet, në qoftë se shpallja e tyre pas vdekjes do ta dëmtonte atë, p.sh. nga mos mbajtja e premtimit për ruajtjen e sekretit mjekësor që mund të prekë kujtimin e njeriut kur ka qenë gjallë, apo nga shpifjet që mund t’i shkaktojnë atij një dëm moral.
Në të vërtetë njeriu i vdekur, ndërgjegjja e të cilit është zhdukur, nuk ka pse të ketë interesa. Por, ai kur ka qenë gjallë ka pasur interesa që duhet të vazhdojnë të ruhen edhe pas vdekjes së tij.
Edhe të afërmit e të vdekurit kanë interesa, që përcaktohen nga fakti se i vdekuri jeton në memorien e tyre. Kështu dëmtimi i memories së të vdekurit nga mos ruajtja e të fshehtës mjekësore prej mjekëve, do të dëmtojë interesat e njerëzve të gjallë për të ruajtur në mendjet e tyre virtytet e personit të vdekur.
Mund të ndodhë që për një njeri që gjatë jetës së tij ka qenë shumë korrekt, nxjerrja e të dhënave mjekësore konfidenciale, të ndryshojë opinionin e gjithë të njohurve të tij që ata të kuptojnë tani, që ai ka qenë një njeri me të meta, i shtirë.
Nga pikëpamja filozofike dhe etike, ka dy qëndrime ndaj ruajtjes së konfidencialietit pas vdekjes (Berg, 2001):
-qëndrimi i parë, sipas të cilit, ruajtja e konfidencialitetit pas vdekjes duhet të jetë shumë më e fuqishme, të ketë një karakter absolut, në krahasim me sekretin mjekësor para vdekjes. Kjo, sepse personi që ka vdekur, tani nuk ka më mundësi që ta miratojë këtë mos ruajtje të konfidencialitetit, ose të mbrojë reputacionin apo identitetin e tij.
-qëndrimi i dytë, sipas të cilit, interesi i personit të vdekur për të ruajtur konfidencialitetin e tij do të jetë më i vogël se ai, kur ky person ka qenë gjallë. Kjo, për arsyen se personi që ka vdekur nuk mund të dëmtohet, në kuptimin që ai nuk e ndjen më dhimbjen, lumturinë ose emocione të tjera.
Ndërsa te personi i gjallë, mos ruajtja e konfidencialitetit, p.sh. atij mjekësor do ta dëmtojë dhe do ta bëjë të vuajë nga ky veprim, për pasojat nga kjo mospërfillje për dëshirat e tij.
Disa situata të tjera të mos-ruajtjes të konfidencialiteti mjekësor pas vdekjes (Guidance and advice etc, 2021):
-rastet e denoncimeve për ndjekjen mjekësore të personit para vdekjes,
-në rastet e kundërshtimit të testamenteve,
-kur kërkohen dokumentet mjekësore të shoqërive të sigurimeve, nga ana e të afërmve, të nevojshme këto për përfitime financiare, që përcaktohen nga shkaku mjekësor i vdekjes të njeriut të tyre që ka qenë i siguruar në këto shoqëri,
-nevoja e të afërmve për t’u njohur me diagnozat e sëmundjeve të trashëguara të personit të vdekur, me qëllim që ata të marrin masa mjekësore për parandalimin e tyre,
-interesi i studimit të ecurisë dhe shpërndarjes të sëmundjeve të ndryshme (mos-ruajta e konfidencialitetit është vetëm për studiuesin dhe jo për personat e tjerë),
-interesi i publikimit p.sh. për ngjarje me vdekje të shumta nga sëmundje të veçanta, ose kur personi i vdekur është një person publik,
-rastet e informatave mjekësore që kërkohen nga media, bibliografët për interesa të përgjithshme, për zbulimin e ngjarjeve kriminale etj.
Ndikimi i kohës që ka kaluar nga vdekja në ruajtjen ose jo të sekretit mjekësor (Berg, 2001; Charlier, 2014).
Me kalimin e kohës, kujtimi për të vdekurin, që ruhet në mendjen e një të gjalli fillon dhe dobësohet.
Po kështu edhe interesi i anëtarëve të familjes së të vdekurit, me kalimin e viteve, do të vijë duke u ulur.
Me këtë rast, nuk duhet harruar që kujtesa e njerëzve që e kanë njohur të vdekurin është shumë më e rëndësishme se ajo që ka mbetur në gjeneratat e më-pasme.
Pra mbrojtja e konfidencialitetit mjekësor pas vdekjes do të pakësohet me kalimin e kohës, deri në zhdukjen e plotë të saj.
Në literaturën e huaj, ka një pikëpamje, sipas të cilës, nuk duhet ruajtur më konfidencialiteti, kur ka kaluar një kohë që i korrespondon një ose dy gjeneratave pas vdekjes së personit.
Në legjislacionin francez kjo kohë ka qenë 150 vjet; më pas është pakësuar në 120 vjet dhe është tendenca që kjo kohë të pakësohet edhe më shumë.
Por theksohet që edhe me kalimin e kohës së nevojshme, kjo nuk do të thotë që informacioni të bëhet publik (Charlier, 2014).
Kjo vështirësi për ta ruajtur ose jo këtë sekret mund të ndodhë edhe për shkak se mjekët e këtij rasti mund të kenë vdekur me kalimin e kohës, apo se dokumentet mjekësore të këtij rasti janë asgjësuar.
Në praktikë ndeshen raste të studimit nga ana jonë të aspekteve mjekësore apo mjekoligjore të kufomave apo mbetjeve skeletike të mëparshme. Ato nuk kanë qenë “pacientë”, sipas kuptimit të mirëfilltë të këtij termi.
Në legjislacionin mjekësor në përgjithësi, ruajtja e sekretit mjekësor si për së gjalli ashtu dhe pas vdekjes i takon zakonisht mjekut kurues të pacientit.
Pra, në këto raste, këta do të konsiderohen si “persona të vdekur”, pa jetë, por që dhe ato duhet të respektohen (Charlier, 2014).
Prandaj, në botimet ekzaminimeve të këtyre rasteve, duhet të ruhet të paktën anonimati i tyre (Charlier, 2014).
Kush e ka detyrimin për ta ruajtur ose jo sekretin mjekësor pas vdekjes
Ky detyrim i takon në radhë të parë mjekut kurues të pacientit që ka vdekur; por ky mund të jetë edhe për mjekun që ka kryer autopsinë e personit të vdekur, apo personelit tjetër mjekësor (Berg, 2001).
Kërkesa për mos-ruajtjen e sekretit mjekësor mund të bëhet nga të afërmit e personit që ka vdekur, apo nga vetë personi para se ai të vdiste.
Zbulimi i sekretit mjekësor mund të kryhet edhe nga mjeku në rrethanat e përmendura më parë, si p.sh në rastet e informatave mjekësore që kërkohen nga media, bibliografët për interesa të përgjithshme, sqarimin e ngjarjeve kriminale etj.
Raste nga literatura
Në vitin 1965, miku dhe mjeku personal i Çurҁillit, Lordi Moran (Charles McMoran Wilson) botoi menjëherë pas vdekjes së Çurҁillit, librin:“The struggle for survival 1940 – 1965”, një biografi e jetës së Çurҁillit, në bazë të ditareve që Morani kishte mbajtur gjatë gjithë periudhës nga viti 1940 deri në vitin 1965 të vdekjes së Çurҁillit (Robitscher, 1968).
Libri mbështetej në ditaret e Moranit gjatë gjithë kësaj kohe dhe përmbante dy lloje argumentesh (Robitscher, 1968):
-ngjarjet e radhitura në mënyrë kronologjike për ato që Çurҁilli kishte bërë dhe shprehur në takimet e tij me Ruzveltin dhe Stalinin, vërejtjet e tij mbi luftën, kundërshtarët e tij në Parlament etj. Kjo, sepse Lordi Moran, si mjeku personal i Çurҁillit, kishte qenë i pranishëm në të gjitha këto konfidenca, jo në rolin e mjekut, por në atë të mikut të besuar.
-argumentet mbi gjendjen shëndetësore të Çurҁillit, të cilat po të bëheshin publike që në gjallje të tij, ai nuk do të shpresonte që të vazhdonte detyrën e tij edhe dy vjet të tjera si kryeministër.
Botimi i këtij libri, u shoqërua me kritika të rrepta në shtypin britanik të asaj kohe (Robitscher, 1968).
Sipas tyre: Doktor Morani duhet të kishte heshtur për aq sa kishte parë.
Në revistën e njohur Lancet, me rastin e daljes së këtij libri theksohej se; “Besimi i publikut në profesionin e mjekësisë rrjedh kryesisht nga bindja se ajo që ndodh midis pacientit dhe mjekut nuk duhet të përhapet” dhe se; “Në qoftë se konfidencialiteti ruhet për së gjalli, ai duhet të respektohet dyfish për të vdekurin”.
“Duke shkruar publikisht për gjendjen shëndetësore të një personi të identifikueshëm, Lordi Moran ka krijuar një precedent, i cili nuk duhet bërë përsëri”.
Ndërsa te Shoqata e njohur britanike mjekësore (British Medical Association), në takimin e saj vjetor pas këtij botimi, organi i saj përfaqësues, i përbërë nga 560 anëtarë, mori vendimin, me vetëm tri vota kundër, në të cilin nuk përmendej Lordi Moran, ku theksohej: “Vdekja e një pacienti nuk e çliron mjekun nga detyrimi për ruajtjen e sekretit”.
Pavarësisht nga këto qëndrime kundërshtuese për këtë libër, në diskutimet dhe shtypin e kohës u dhanë edhe shumë mendime dhe argumente në favor të të tij (Robitscher, 1968).
Sipas tyre, “dëshmitë e Lordit Moran janë shumë të çmuara, sepse nëpërmjet tyre janë zbuluar aspektet e munguara të jetës së Çurҁillit, në radhë të parë, nëpërmjet bërjes publike të dëshmive mjekësore”.
“Një figurë si Çurҁillit nuk mund të ketë asnjë privaci. Ai i përket të gjithë botës, i gjallë apo i vdekur dhe gjithçka që ka të bëjë me të, sidomos problemet shëndetësore, kanë një interes universal”(Robitscher, 1968).
“Ne jetojmë në një kohë, kur figurat publike, të gjallë apo të vdekur, bëhen subjekte të biografëve, sekretarëve, asistentëve, apo familjarëve. Kur të gjithë lejohen të shkruajnë për këto raste, atëherë, përse mjekëve u ndalohet kjo gjë”? (Robitscher, 1968). Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016