Nga Ahmet Bushati
Pjesa e gjashtëmbëdhjetë
Memorie.al / Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.
Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindët që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.
Në Gjurmët e një ditari
Shkodra në vitet e para nën komunizëm
Kazazët
Në se ka pasë në Shkodër nji familje që të kishte trashigue të të gjithë meshkujt e saj, virtytet ma të mira prej të parëve të tyne, si nderë, bujari e trimni, e të kishin mbet në të njajtën kohë edhe po aq të sjellshëm e modeste, ajo ka qenë familja Kazazi. Gjithashtu, nëse ka pasë familje që komunizmin ta kishte pague me jetën ose burgosjen e thuajse të të gjithë meshkujve të saj, përsëri ka qenë ajo e Kazazëve.
Muharrem agë Kazazi, nip i Hamz Kazazit të përmendun, e vetë nji prej parive ma në za të Shkodrës, kishte trashigue pesë djem, që të gjithë me tipare të forta fizike, si leshatakë që ishin shumë prej tyne, me vetulla të zeza e të trasha, të zez tue i pasë pasë edhe sytë e flokët, e përgjithësisht edhe me nji za të plotë burrash.
Ma i madhi ndër ta, Haliti, kishte krye shkollë ushtarake e shërbye në ushtri me gradë kapiten. Siç asht folë për të edhe ma sipër, ai qe kapë me tradhti ndërsa po flinte në shtëpinë e nji miku të tij, të vdekun vite ma parë, e dënue mbrapa me vdekje e pushkatue.
Djali i dytë Jupi, tue pasë qenë student universiteti në Beograd, qeveria jugosllave e kishte burgosë për veprimtari patriotike që kishte zhvillue atje. Për të njajtët motive, në nji rast të dytë, e kishte dëbue përfundimisht prej Jugosllavie, tue ba që studimet për ekonomi politike, ai t’i vazhdonte e t’i kryente mandej në Itali.
Mbas formimit të organizatës ‘Balli Kombëtar’, Jup Kazazi do të ishte nji prej veprimtarëve ma të shquem të saj për zonën e Shkodrës e, do të mbante në atë organizatë vendin e “anëtarit të krahinorit”, si edhe atë të të ngarkuemit kryesor për ngritjen e çetave në Veri. Qe dallue në luftën e Reçit, tue pasë pasë pranë vetes, veç tjerëve, edhe të vëllanë, Zenelin, si dhe nji ushtar italian, që me atë rast edhe qe vra.
Zeneli, i treti ndër djem, kishte mbarue shkollë ushtarake në Athinë e, mbrapa atë të Plotësimit në Itali, kurse Saiti, që vinte mbas tij, ishte laurue për Jurisprudencë në Itali. Hamiti, si ma i vogli ndër ta, kishte krye gjimnazin, me shpresë që edhe ai si vëllaznit para tij, mbas luftet, të vazhdonte të naltën.
Pak kohë para se Shkodra të binte ndër duar të komunistëve, të pesë këta vëllazën, vendosën që t’mos u largojshin prej Shqipnijet, por të qëndrojshin këtu, për të nda fatin me të. Kështu i ashtuqueituni “çlirim”, vëllaznit Kazazi do t’i gjente të strehuem ndër shtëpia miqsh e të afërmish e, me “gisht në çark të pushkës”
Kur Llesh Marashi sulmonte Koplikun, edhe Jupi nji gja të tillë mendonte ta realizonte në Postrribë – si mbas tregimit të njeriut të tij, Ahmet Koplikut, në shtëpinë e të cilit ai do t’u strehonte për nji kohë të gjatë – por që në pamundësi për t’u organizue, përkohësisht pat hjekë dorë prej atij projekti. Megjithatë, me qëllim që të ngrinte moralin në popull, ai nji ditë ndërmori nji aksion simbolik, tue sulmue postën e “Mbrojtjes Popullore” te Ura e Mesit, me ç’rast pat çarmatosë pa rezistencë të gjithë efektivin e saj.
Lidhun me këtë ngjarje, kur Jupi t’u ndodhte i mshehun në shtëpi të dajës së tij, Rifat beg Koplikut, do të tregonte: “Na shpejt e shpejt i çarmatosmë të gjithë sa qenë aty, por mue po më bante përshtypje e po m’u dhimbshin ata ushtarë për frikën që kishin prej nesh. Kishin frikë se mos i vritshim, dhe unë, për t’i qetësue, disa herë u përsërita me të butë. Si ushtarë e bij nanash që jeni, me ju nuk kemi asnji punë, prej nesh jeni të lirë”.
Mbas disa ditësh, si rezultat i disa arrestimeve që ishin ba në qytet, si edhe poshtë ndër katunde e sipër në Malsi, disa prej ish bazave ku kishte qenë strehue Jup Kazazi me vëllazën, ishin dekonspirue, gja që Jupin, Zenelin e Hamitin me kambë të ajtuna, i detyroi që për disa ditë të ftohta dimni, të qëndrojshin të mshehun në majën e groposun të nji shkambi të naltë mbi Sumë të Postrribës, ku do të përballojshin ditë e netë të pambarim me shi e bore, e tue mos pasë pasë me vete veç nga nji rrugcak për shoq.
Në njenë ndër ato net të ftohta dimni, Jupi ndigjon nji si krisëm të lehtë e, zgjon menjiherë vëllaznit që kishin kenë në gjumë, dhe me automatik në dorë, hidhet buzë shkambit, ku do të vërente se nji partizan po u ngjiste me ngadalë për faqe të tij, kur edhe do të kuptonte se ai tingull i lehtë, i papërcaktuem e që mezi e kishte përceptue pak ma parë, nuk kishte qenë tjetër, veç i nji pullie të kapotës së partizanit, që u fërkonte ndërsa ai u ngjite për faqe të shkambit.
Fjala njatë, por Jupi nji as dy, e gjuen me automatik në drejtim të partizanit e, vetë lëshohet teposhtë shkambit tue u rrokullisë disa herë, derisa i gjakosun e i dërmuem trupit e gjymtyrësh, do t’u përplaste poshtë për breg të nji prroj. Revolen e ngjeshun fort për brez, vazhdonte ta kishte me vete, kurse automatiku i kishte mbetë rrugës.
Përmbas Jupit, Zeneli e Hamiti kishin arritë që me luftim të çajshin nji herë rrethimin, por pa muejt me shpëtue përfundimisht, sepse Hamiti që s’mundëte me ecë prej kambëve të ajtuna, do t’u kapte i gjallë prej Forcave të Mbrojtjes Popullore, ndërsa Zeneli me tri plagë të marruna në trup, i bashkuem mbas fare pak kohe me Jupin e, i ndihmuem prej tij, kishte muejtë me u largue deri te nji stan, për t’mos mundë ma me vazhdue as edhe nji hap, prej plagëve që kishte marrë.
Nuk do të kishin kohë ma për asgja, veç që dy vëllaznit të ndërrojshin shpejt e shpejt armët, që Jupi të merrte automatikun e Zenelit e, atij t’i jepte revolen e vet, dhe mbasi t’u përqafojshin vëlla me vëlla për të fundit herë, Jupi t’i thonte Zenelit: “Zenel, po ndahna. Nuk besoj t’kenë ndonjë gja të madhe me ty. T’u priftë e mbara, mor vëlla! Lamtumirë”!
Deri në korrik të atij vjeti, Jup Kazazi do të qëndronte në Malsi, i strehuem e i ruejtun deri në fund nga malsorë miq e besnikë të shtëpisë sẽ tij. Jupi prej anës së vet, kaq shumë do ta mbante sekretin e shtëpive ku kishte qenë strehue, sa as dajës së tij, Rifat beg Koplikut, nuk do t’ia kishte besue asnjiherë.
Kishte qenë ditë korriku e vjetit 1945, kur Jup Kazazi i veshun krejt si malsuer, me dy revole në brez e dy bomba ndër xhepa, dhe i futun në mesin e nji grupi të përzimë malsorësh e malsorësh nga të shtëpisë që e kishin strehue deri atë ditë, ishte nisë për Shkodër. Pak pa mbrritë te postblloku në hymje të Shkodrës, e pikërisht te Ura e Maxharrit, për t’mos rrezikue të tjerët, ai ishte nda prej turmës e kalue i vetëm pengesën, tue marrë drejtimin për te shtëpia e dajës së tij, Rifat beg Koplikut, në lagjen “Parrucë”, ku e priste ai vendstrehim i hapun kohë ma parë për Hamitin me kambë të anjtuna, si mbas fjalës që kishin pasë çue Jupi e Zeneli, kur u ndodhshin në Postrribë.
Gjatë kohës së qëndrimit në këtë shtëpi, Jupin do ta vizitojshin kushrijt e tij, Abdulla agë Kazazi me djalin i tij ma të madh, Sabrinë. Disa herë Jupin aty e kishte takue Rasim Gjyrezi, mik i Kazazëve, që motrën e tij Sadije, e kishte pasë për grue Hafiz. Adem Kazazi, i vdekun vite ma parë, në shtëpi të të cilit në atë kohë u ndodhte i strehuem qysh në ditët e para të pushtetit komunist, Saiti, vllau tjetër i Jupit, ende i pashëruem prej plagëve të marruna nji vit ma parë në Prezë, në luftë me komunistët. Disa herë aty Jupin e kishin pasë takue edhe vëllaznit Hafiz Sabri beg Bushati dhe Teufik begu, motrën e të cilëve, kishte për grue Rifat begu.
Ftesës së Muharrem Bajraktarit për të kalue në Greqi nga ana e Maqedonisë, Jupi i ishte përgjegjë negativisht, mbasi rrugën prej Shkodre në Lumë, e kishte gjykue të vështirë e me rreziqe. Sikurse do të tregonte Ahmeti, djali i Rifat beg Koplikut, Jupi me anë të Sabri Kazazit e Rasim Gjyrezit, ishte marrë me pregatitjen e nji kryengritjet që do të fillonte nga Postriba, në të cilën mendonte që në nji ditë të caktueme, të merrshin pjesë gjithë malet e krejt Veriu. Pyetjes, nëse do të ndërhyjshin jugosllavët në nji rast të tillë, Jupi i ishte përgjegje vazhdimisht në mënyrë enigmatike: “Ekziston marrëveshja për mosndërhyrje”!
Ahmeti do të vazhdonte me tregue: “Kur binte fjala për nji kryengritje të mundshme, Jupi që e dinte se nana e ime e kishte djal tezjet Ali Bushatin, – i cili në atë kohë ishte shef policie – do të thonte se; “kurdo që të ndodhi kjo gja, duhet gjetë mënyra si me e shmangë Alinë prej rrezikut”. Kështu pra, vuajtja nuk kishte ba që në shpirtin e butë e fisnik të Jup Kazazit, të hynte ndjenja e urrejtjes.
Tetë ditë mbas kryengritjes së Postrribës dhe pikërisht sapo kishte nisë të feksonte dita e 17 shtatorit 1946, shtëpia e Rifat Koplikut, do t’u gjindëte e rrethueme nga të gjitha anët prej forcave të shumta të Sigurimit, me në krye vetë shefin, Zoi Themeli bashkë me vartësit e tij, si Sirri Çarçanin, Dul Rjollin, Dulaq Lekiqin etj. Pyetjes së oficerëve se ku u ndodhte Jupi, të gjithë familjarët do t’iu përgjigjshin me fjalët: “Nuk e dimë”! “Nuk e dimë”, – do të vazhdonte të përgjigjej nana e Ahmetit edhe kur ata oficerë ta kërcënojshin me vrasjen e të birit, po qe se ajo nuk do të tregonte. Në nji kohë Ahmetin e nxjerrin jashtë shtëpisë dhe mbasi e mbështesin për murin e nji shtëpie, dikund tridhjetë metra larg, do t’i kërkojshin me kambëngulje dhe ai të tregonte vend-ndodhjen e Jupit, gja që Ahmeti nuk do ta bante, as kur t’i zbrazshin djathtas e majtas trupit të tij, të shtime automatiku.
Kur ma në fund vetë ata oficerë, të mirinformuem siç ishin, do të tregojshin me saktësi vendin se ku u ndodhte Jupi, atëhere Ahmeti, i kthyem bashkë me ta në oborr të shtëpisë, do t’i thirrte Jupit me za të naltë: “Jup, t’kanë qitë, ti ban tanden” dhe përnjëherë do t’u ndigjonte thirrja e fuqishme e Jupit prej brenda bodrumit të vogël, mbi qemerin nën shkallë: “Nuk dorëzohem i gjallë ndër duar të komunistëve”, e në vazhdim, nji krisëm revoleje do të tregonte se ai vrau veten. Nuk do të kalonte veç nji javë kur edhe Saiti, Sait Kazazi, ish-kryetar i rinisë së ‘Ballit Kombëtar’ e komandant i batalionit “Besnik Çano”, do t’u rrethonte prej forcave të Sigurimit në shtëpinë e të ndjerit Hafiz Kazazi e, t’u vetë-vriste po si vëllau i tij, vetëm nji javë ma parë, Jupi.
Sikurse kemi tregue ma nalt, Saiti me disa plagë në trup të marruna në luftë me komunistët, kishte qëndrue i strehuem në këtë shtëpi plot njëzetetre muaj rresht. Dr. Bahri Kopliku kishte qenë mjeku që në fshehtësinë ma të madhe e në rrezik për jetën, që disa herë t’ia kishte mjekue ato plagë. Gjatë kohës së qëndrimit të tij në këtë shtëpi, ai si mbas radhës, do t’u ruente prej njenës nga të dy vajzat e rrituna që kishte lanë Hafiz Kazazi, Syrit e Hasit, kurse përjashta në oborr, po si mbas radhës, atë do ta ruejshin Ramadan e Bektesh Kazazi, djelm axhash mes tyne e, që banojshin në nji shtëpi me kulm e oborr të përbashkët.
Syri, si ma e madhja bijë e shtëpisë, bante ndërlidhjen e Jupit me Saitin, kurse Lali, si fëmija ma e vogël, – e cila vinte mbas të vetmit vëlla që kishin, Xhemshitit – disa herë ishte provokue në rrugë të madhe prej do grash e vajzash të panjohuna, që për t’u maskue, qëllimisht kishin pasë veshë çarçafë veshje e disa prej femrave myslimane në atë kohë – e që gjoja tue e ledhatue si e vogël që ishte, do ta pyetshin sa e sa herë: “Po a din ti me diftue, sa vetë jeni në shtëpi? Po emnat si i kanë ata”? Dhe ajo, tue fillue nga e ama e poshtë, do t’ua kujtonte nji për nji emnat e njerëzve të shtëpisë, e natyrisht, pa pasë përmendë atë të njeriut të huej, që s’e kishte pa asnjiherë, si i mshehun që ata kishin.
Në ditën e kryengritjes së 9 shtatorit, Saiti kishte dërgue Syrin te Jupi, me pyetjen: “Ç’të bajmë, a me dalë”? dhe Jupi nga ana e tij i ishte përgjegjë: “Jo Sait, mos luej vendit, kryengritja ka shpërthye para kohe”. Kur nji ditë Saiti të merrte vesht se shtëpia ishte rrethue nga të gjitha anët, ai menjëherë kishte pasë vrapue drejt bodrumit të ndërtuem për të, qysh dy vjet ma parë, bodrum që s’ishte tjetër veç nji boshllëk i hapun brenda murit periferik të shtëpisë e, pikërisht mbi qemerin e njenës prej tri dritareve që kishte ajo odë, dritare që vijshin simetrike me tri të tjera ma të vogla sipër tyne.
Të shumta do t’ishin atë ditë forcat e Sigurimit rrotull shtëpisë, sikurse të shumtë do të ishin edhe oficerët e ushtarët brenda saj, që me gishta ndër kamza të automatikëve e, tue vue para si punë barrikadë nanën me dy bijat e saj të mëdhaja, deri edhe tue i tërheqë për flokësh e kërcënue me vrasje, do të lëvizshin si bisha nëpër shtëpi të huaj, tue u kërkue që t’u tregojshin vendin, se ku u ndodhte i mshehun Sait Kazazi. Saiti nga ana e tij, tue pasë ndigjue me tronditje skenën që po u zhvillonte jashtë gropës së tij në mur, shpejton për me i dhanë fund jetës së tij tridhjetë-vjeçare, tue gjuejtë pa adresë tetë herë me revole dhe plumbin e fundit, ashtu si u shkonte Kazazëve, ta drejtonte në faring të tij.
Zeneli fillimisht do t’u dënonte me tridhjetë vjet burg, kurse Hamiti, mbasi të vuante dymbëdhjetë vjet burg, do të shkonte thuejse gjithë jetën i sëmurë e në internim. Atë ditë që qe vra Jupi, menjiherë qenë arrestue të dy dajat e tij, Rifat e Shyqyri beg Kopliku, si edhe Ahmeti, djali i të parit, atëherë tetëmbëdhjetë vjeç. Kur mbas nji vjeti ata të dilshin në gjyq e me ç’rast Rifat begu t’u dënonte me vdekje, tue u nda prej të vllaut, të birit, Ahmetit, e prej tjerëve, me përmallim, por i lehtësuem në shpirt, do të shprehej: “Shyqyr që më pshtoi djali”.
Mbas vrasjes së Saitit, qe arrestue edhe Sadia, e veja e Hafiz Kazazit e dënue me tre vjet burg. Abdulla agë Kazazi, vëlla ma i vogël i Muharrem Kazazit, ishte arrestue bashkë me djalin e tij ma të madh Sabrinë, qysh në ditën e kryengritjes së Postrribës. Lidhun me Abdulla agën, kur ai ishte në nji prej disa burgjeve që kishte Shkodra në atë kohë, shoku i jonë Xhevat Meta, i ndodhun në nji burg me të, do të tregonte: “Ishin ba disa ditë që Abdulla agën e kishin nxjerrë prej dhomës, e të lidhun ndër pranga, e kishin qitë në korridor e vendosë pranë WC-së, në nji pozicion të atillë që kryet t’i pushonte fare pranë hymjes së saj, e cila, si shumë e pistë që ishte, u qelbtë tepër. Sytë nuk iu dukshin aspak Abdulla agës, me që miza të shumta ia kishin mbulue krejt.
Si i lidhun në hekura e plak që ishte, ai nuk ishte në gjendje për asnji reagim: Kur unë, si mbas radhës dilsha për në WC disa herë pata arrirë që fshehtas rojës, t’ia largojsha ato miza, por ç’e do, sepse ato përsëri…! Mbas nëntëmbëdhjetë muajsh hetimi e torturash, Abdulla agë Kazazin e dënuen me vdekje dhe e pushkatuen. Djali i tij Sabria, do të vuante njëzet vjet burg e vazhdimisht në dhomën e të sëmurëve tuberkulozë. Edhe vëllaznit Ramadan e Osman Kazazi, ishin arrestue në atë kohë. Ramadani po hynte në burg për herë të dytë, sepse pothuejse gjithë vjetin 1945, kishte qenë i burgosun, si ish-pjesëtar i organizatës ‘Balli Kombëtar’ e lirue kah fundi i atij vjeti, si i pafajshëm që qe shpallë.
Të dy këta vëllazën vijshin të gjatë me trup dhe ka mundësi që nji veçori e tillë fizike, të ishte ba shkak, që s’pakut gjatë nja dy demostratave të para mbas pushtimit italian, ata që me krena dilshin mbi të tjerët, t’u arrestojshin ndër ma të parët prej karabinierëve italianë. Ramadani sa herë që merrte pjesë ndër demonstrata, do të dilte në ballë të tyne e, do t’ishte ai që me vargun e njohun; “Eja, mblidhuni këtu, këtu”, të jepte sinjalin për fillimin e tyne.
Ramadan Kazazi si futbollist, kishte qenë pjesëtar i ekipit “Vllaznia”, kurse si atlet, kishte konkurrue me sukses në kërcim së nalti me shkop dhe njihej si nji ndër notarët ma të zot të qytetit. Ishte gjithashtu nji ndër biliardistët ma të shquem në Shkodër. Veç sa ma sipër, ai edhe këndonte e i binte fizarmonikës. Mbi të gjitha ai ishte shumë i guximshëm. Kishte qenë Ramadan Kazazi që si asnji para e mbrapa tij, t’ishte arratisë dy herë prej burgjeve komuniste dhe nji herë tjetër prej nji burgu jugosllav.
Herën e parë ai ishte arratisë prej nji dhome të katit të dytë të nji ndërtese banimi, e kthyeme në burg mbas ngjarjeve të Postrribës, pronë e Ulqinakëve dhe pak metra larg dyqanit të tyne. Në nji natë me stuhi, gjithë bubullima e shi, si edhe me nji erë të fortë që fryente pa pushim, Ramadani mbasi ishte zgjidhë duarsh prej kushërinjve me të cilët kishte qenë lidhë, do t’i zgjonte ata dhe Gjenarin Topallin e burgosun, që ishte në nji dhomë me ta, e t’u thonte: “Unë po iku. Ti Gjenarin, me më falë, nëse prej kësaj gjaje do të keshë ndonji pasojë, kurse këta të dy – tue iu drejtue vëllazënve Bektesh e Bexhet Kazazi – ma kanë me borxh, ç’kado që t’u ndodhë”.
Gjenarini do të vazhdonte me tregue: “Mbasi Ramadani u hodh prej dritares, na mbetëm me zemër të fikun prej frikës se mos po ndigjojshim krismat e automatikut të policit që ruente aty poshtë në oborr, por që si mbas gjasave, për fatin e Ramadanit, prej shiut të madh që vazhdonte të binte, përzie me erë të fortë, e rrfete që ndiqshin njena-tjetrën, ai polici, siç duket, ishte futë nën qemerin e nji dere aty, tue mos pa as ndigjue gja. Edhe rojës së brendshme, që zakonisht herë mbas here do të hapte sportelin për me kontrollue praninë e të burgosunve, nuk i pat ra në sy mungesa e Ramadanit, i cili para se t’u largonte, kishte futë nën jorgan jastëk e plaçka tjera, që të lente përshtypjen se ai ishte aty fjetë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016