Nga DASHNOR KALOÇI
Pjesa e tretë
Memorie.al / Ashtu si të gjitha luftërat, kudo dhe kurdo që kanë ndodhur ato, edhe ajo që njihet tashmë si “Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare” në vitet 1939-1944, ka edhe anën e saj të errët. Që nga ajo periudhë kohë e më pas, por kryesisht pas viteve ’90-të me shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit së tij Rami Alia, ka pasur shumë dëshmi, si dhe kanë dalë me qindra dokumente arkivore që hedhin dritë mbi shumë ngjarje të panjohura, ku pjesa më e madhe e tyre përbën atë që konsiderohet tashmë nga shumë studiues e historianë, si anët e errëta të “Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”! Si p.sh. vrasja e disa prej emrave më të spikatur, personalitete të njohur të Lëvizjes Antifashiste si; Qemal Stafa, Vojo Kushi, Ali Demi, Raqi Qirinxhi, Ramiz Aranitasi, Jorgo Plaku, Mustafa Gjinishi, Fejzo Gjomema, etj., ku pjesa më e madhe e tyre ishin komunistë që mbajnë titullin e lartë “Hero i Popullit”, për të cilat ka shumë kontestime për mënyrën dhe rrethanat në të cilat ata u vranë, apo u zhdukën pa gjurmë. Siç është rasti i “Dëshmorit të Atdheut”, Raqi Qirinxhi, nga qyteti i Korçës, ish-intendent partizan i Shtabit Operativ të Qarkut, që në çastin e zhdukjes, kishte me vete financat (floririn) e njësisë partizane ku bënte pjesë.
Ndërsa vrasja e Qirinxhiut mbetet e mbuluar ende me mister, pothuaj për pjesën më të madhe të emrave të sipërcituar apo dhe për shumë e shumë të tjerë, ka akuza dhe dëshmitë me emra dhe fakte konkrete, si dhe dokumente arkivore të zbuluara pas viteve ’90-të, që hedhin hije dyshimi mbi vrasjet e tyre, si; “larje hesapesh”, “grabitje”, “hakmarrje personale”, “luftë për pushtet” e, deri për “histori rozë”, apo dhe shkaqe të tjera banale nga më të ndryshmet. Një nga këto vrasje, për të cilat është folur pas viteve ’90-të, është dhe ajo e Sulo Tragjasit me origjinë nga Vlora, (“Dëshmor i Atdheut”), i cili u vra nga Kasem Trebeshina, ish-pjesëtar i njësitit gueril të rrethit të Fierit e, më pas partizan me funksione në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare (zv. komisar i Brigadës së XII-të Sulmuese), i cili pas mbarimit të Luftës, pasi shërbeu disa vjet në radhët e Sigurimit të Shtetit me gradën e Kapitenit, shkoi më studime në Bashkimin Sovjetik dhe pas kthimit në atdhe, punoi për një kohë të gjatë si aktor në Tetarin Popullor dhe më pas si shkrimtar në profesion të lirë, deri sa u arrestua dhe u dënua me burg, në vitin 1954 dhe u lirua në 1955.
Pas lirimit nga burgu, ai u internua për vite me radhë, duke vuajtur shumë fshatrave të largët, deri sa u arrestua përsëri në vitin 1979 dhe u dënua me 8 vjet burg për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”. Vrasjen e Sulo Tragjasit, shkrimtari i njohur Kasem Trebeshina e ka pranuar vetë, madje e ka trajtuar me detaje në disa nga librat e botuar pas viteve ’90-të, duke dhënë versionin e tij për atë vrasje, që thuhet se e vuajti shumë, madje me një tronditje të rëndë shpirtërore, deri në fund të jetës së tij.
Ndërsa të gjitha këto sa më sipër tashmë janë mjaft të njohura, në këtë shkrim po publikojmë disa dokumente arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit (të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme), ku ndodhen disa dëshmitë të personave nga rrethi i Fierit, ish-pjesëtarë dhe veteranë të Luftës Antifashiste, të dhëna për hetuesit e Sigurimit të Shtetit, në vitet 1982-1983, ku flitet jo vetëm për vrasjen e bërë nga Kasem Trebeshina, por edhe për shumë vrasje dhe atentate të tjera të bërë në rrethin e Fierit në vitet 1942-1944, ku gjithnjë sipas dokumente në fjalë, si urdhërues i tyre, del se ka qenë Myzafer Trebeshina, drejtues politik i atij rrethi në atë kohë, ndërsa pas mbarimit të Luftës e, deri në fillimin e viteve ’80-të, si Sekretar i Parë i Komitetit të Partisë dhe kryetar Komiteti Ekzekutiv në disa rrethe.
Këto dëshmitë të marra asokohe (1982-1983), kur Kasem Trebeshina ndodhej i arrestuar në qelitë e Hetuesisë së Sigurimit të Shtetit (Burgu 313) në Tiranë, kurse i vëllai Myzafer Trebeshin, në funksionin e Kryetarit të Frontit Demokratik të rrethit të Fierit, përbëjnë një nga tre proceset e vetme hetimore që regjimi komunist i Enver Hoxhës, hapi për ngjarje të periudhës së Luftës, pas asaj të vrasjes së Qemal Stafës dhe Këshilltarëve të Hekalit. Dosje të cilat u mbyllën me vetëm shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës e pasardhësit të tij Ramiz Alia, pa ndonjë rezultat konkret.
Periudha kohore kur zhvillohet procesi hetimor për zbardhjen e vrasjes së “Dëshmorit të Atdheut”, Sulo Tragjasi, është ajo pas ngjarjes së “vetëvrasjes” së kryeministrit Mehmet Shehu dhe akuza ndaj Trebeshinës, apo më saktë hapja e asaj dosje pikërisht në atë kohë, hedh hije dyshimi se ajo bëhet edhe për shkak se ai (Kasemi), ishte kushëri i parë me Fiqret Sanxhaktari Shehun, bashkëshortes së kryeministrit të vdekur, e cila në atë kohë gjithashtu ndodhej e arrestuar në qelitë e hetuesisë (Burgut 313), bashkë me dy djemtë e saj, Skënderin dhe Bashkimin. Ku si për ironi të fatit, si pjesë e Grupit të Hetuesisë së Tiranës ku njëkohësisht zhvillohej dhe procesi hetimor i Kasem Trebeshinës, ishte dhe nipi i tij, Fatos Trebeshina, djali i Myzaferit.
Por edhe ky version, parqet përsëri dyshime, pasi arrestimi i Kasem Trebeshinës, ishte bërë që në vitin 1989, kur kryeministri Mehmet Shehu ishte në kulmin e pushtetit. Ndërsa lidhur me këto etj. rreth kësaj çështje, ka vend për shumë hulumtime dhe analiza, në këtë shkrim po botojmë dokumentet arkivore në fjalë, (ku siç theksuam edhe në krye të këtij shkrimi, hedhin dritë mbi disa nga anët më të errëta të “Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare), të cilat publikohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse, nga Memorie.al
DOKUMENTI ARKIVOR ME DEKLARATËN E SOTIR SPIRO ZAKA NGA QYTETI I FIERIT, DHËNË HETUESIT TË SIGURIMIT TË SHTETIT SOTIR ZAKA, LIDHR ME RRETHANAT E VRASJES SË DËSHMORIT SULO TRAGJASI, NGA ANA E KASEM TREBESHINËS NË NËNTOR 1943
Në Fier më 9.1.1983
INFORMACION
Unë, Sotir Zaka, i biri i Spiros dhe i Diellës, datëlindja 1913, lindur në fshatin Sheqishtë, banues në lagjen “Kongresi i Përmetit” në Fier, anëtar partie, pensionist, informoj organet e Sigurimit të Shtetit, si më poshtë:
Gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare, qysh mbas themelimit të Partisë, e deri në çlirimin e vendit, kam marrë pjesë me Lëvizjen. Aktivitetin e luftës e kam pasur në qytetin e Fierit dhe në zonën e Dukasit. Kam marrë pjesë gjatë luftës me njësitet guerile të qytetit dhe të kësaj zone dhe me grupet edukative.
Më kujtohet se gjatë luftë e deri në çlirimin e vendit, me urdhër të partisë, janë vrarë me atentat këtë persona: Beu i Libohovës (Xhevat Libohova), Nexhip Vrenozi. Janë bërë aksione kundër Tefik Cfirit, Hajdar e Kadri Cakranit, Abaz Omarit dhe të tjerëve.
Lidhur me dëshmorin Sulo Tragjasi (Dukati), kam për të thënë këto gjëra: Sulo Xhelili (Tragjasi), ka marrë pjesë në njësitin gueril (të ndjekjes) për kapjen e Faslli Toskës, me përgjegjës Gjon Banushin.
Pjesëtarë ishin Xoxi Andoni (vdekur), Naun Kaçaku (dëshmorë), Josif Pogaçe, e të tjerë që nuk i mbaj mënd. Në atë kohë Sulo njihej me pseudonimin Xhaxhaj.
Mbaj mënd se ka qenë muaji tetor-nëntor 1943. Një ditë pasdite, kam qenë në fshatin Sheqishtë-Frashër. Aty kam gjetur njësitin e zbulimit të grupit të tretë, të zonës së parë operative Mallakastër, të komanduar nga Shefqet Fetiu (Hekali).
Në përbërje të këtij grupi, ishte dhe Sulo Xhelili. Ky njësit, pasi pushoi, do të nisej për në Mallakastër. Përpara shtëpisë së Lame Tolës, të ulur në një trung, kam gjetur Myzafer Trebeshinën dhe Sulo Xhelilin, të cilët grindeshin me njëri-tjetrin.
Unë pashë që Sulo ishte i nevrikosur dhe i tha Myzaferit disa fjalë fyese, duke i thënë se të kam dhj… ty, të kam dhj…. Partinë, se unë nuk jam skllavi tënd, do shkoj atje ku dua.
Unë ndërhyra dhe i thashë se; çfarë bën more Sulo?! Ky më tha se kështu e duan këta. Të nesërmen, mbasi u ktheva nga Belina, më takon Loni Çuka dhe më thotë se Sulo Tragjasin e vrau Kasem Trebeshina.
Unë isha duke i shoqëruar së bashku me Luto Sadikun. Kasemi e qëlloi nga pas me pushkë dhe më tha se Sulon e vramë se është tradhtar. Dhe e varrosëm në atë vend.
Përsa i përket nëse ka qenë edhe Luto Sadiku prezent, kur Kasem Trebeshina vrau Sulo Xhelilin, unë kështu mbaj mënd se tha Loni Çuko. Ndoshta mund të ketë qenë dhe ndonjë person tjetër.
Mbas disa ditësh të vrasjes së Sulo Xhelilit, kam takuar Naun Kaçakun, i cili më tha se Sulo Xhelilin e vranë me vendim të Partisë. Në mbledhjen ku mor vendim njësiti, ishte dhe Myzafer Trebeshina.
Ato ditë, mbas vrasjes së Sulos, unë kam takuar dhe biseduar me Luto Sadikun, pensionist në Tiranë (është nga Klosi-Hekal), Gramzo Zaloshnjen dhe Tajar Asllanin, të cilët më kanë thënë se neve morëm vendim në celulën e Partisë të njësitit për të vrarë Sulo Xhelilin, se donte të arratisej, të dezertonte.
Kur është cilësuar dëshmor Sulo Tragjasi, Luto Sadiku me Tajar Asllanin (banues në Lagjen “11 Janari”, më thanë se neve lëshuam deklaratë për Sulon që kishim marrë vendim të nxituar për vrasjen e tij dhe mbi këtë bazë si u cilësua dëshmor.
Për problemet e ngritura në këtë deklaratë, mbaj përgjegjësi. Memorie.al
DEKLARUESI
Sotir Zaka
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016














