“PRENGË BIBË DODA, DRITËHIJET E NJË BURRËSHTETASI”
NIKOLLË LOKA
MONOGRAFIA “PRENGË BIBË DODA, NJË FENOMEN NË JETËN POLITIKE SHQIPTARE”, NJË STUDIM SHKENCOR ME VLERË QË PASURON FONDIN E STUDIMEVE TONA HISTORIKE
Nga Mr. Sc. Murat Ajvazi, mars 2017, Zvicër
Pjesa e parë
Memorie.al / Libri më i ri “Prengë Bibë Doda, një fenomen në jetën politike shqiptare”, i studiuesit Nikollë Loka, jo vetëm zgjeron fushën e studimeve historike mbi Mirditën, Derën e Gjonmarkajve dhe fgurën e Princit mirditor, Prengë Bibë Doda, por është edhe një kontribut, në historiografinë kombëtare. Lënda shumë e pasur arkivore, literatura e shfrytëzuar apo e konsultuar, gojëdhënat etj, e bëjnë këtë libër, një thesar të vërtetë studimor, duke i dhënë shkencës së historisë një monografi shkencore, që pasuron njohuritë tona mbi Mirditën, kapedanët e saj, traditën, historinë etj. Të studiosh një figurë sa të rëndësishme dhe komplekse, siç është figura e Prengë Bibë Dodës, është përgjegjësi e lartë shkencore që, jo çdokush e merr përsipër. Nikollë Loka, ka bërë një punë të madhe hulumtuese dhe trajtim prej studiuesi profesionist, duke na e dhënë portretin e Princit dhe gjeneralit mirditor, me konturet e vërteta. Loka i është përmbajtur fund e krye hapësirës dhe kohës, në të cilën janë zhvilluar ngjarjet shumëdimensionale dhe protagonistët e tyre.
Mirdita, në tërë hapsirën shqiptare, njihet si një krahinë e pa nënshtruar, që ka gjallëruar në vazhdimësi traditën e hershme kombëtare, ka ruajtur me këmbëngulje besimin paraturk dhe çka është shumë e rëndësishme, Kodin e Lekës. Me tërë këto, kjo krahinë mendoj, se ka luajtur rolin e gjeneruesit të qenësisë shqiptare në përgjithësi. Autori Loka, për ta bërë më të qartë figurën e Prengës së Gjonmarkajve, ka sjellë të dhëna të shumta dokumentare dhe të kujtesës popullore për Mirditën në tërësi dhe për derën e Kapidanëve si: Marka Kolë Gjoka, Gjon Marku, Preng Lleshi, Dodë Prenga, Princ e Kapidan Bibë Dodë Pasha, deri te protagonisti i kësaj monografie, Princ Prengë Pasha.
Loka, ka arritur ta pasqyrojë suksesshëm kontributin e Gjonmarkajve të Mirditës, në sukseset e Pashallarëve Bushatas, për nënshtrimin e Malit të Zi, si dhe ndihmën ndaj Ali Pashë Tepelenës; kontributin në mbrojtje të trojeve shqiptare dhe në luftën për pavarësinë e Shqipërisë, në përkrahje të Princ Widit, etj. Në këtë monografi, del se Princi Prengë, më shumë se paraardhësit e tij, merr përsipër rolin e drejtuesit të Lëvizjes Kombëtare dhe ka vizion më të qartë, për shtetin e ardhshëm shqiptar. Kapidan Prenga, mori përsipër shkrirjen e autonomisë mirditore, në kuadër të shtetit të ri shqiptar, një fakt me rëndësi, që tregon pjekuri të lartë politike.
Dihet që Prengë Bibë Doda, ishte një politikan i rritur në mjedisin lindor dhe i formuar me kulturë perëndimore, në një shkollë amerikane, më të mirën që kishte Perandoria Osmane atëherë. Politikanë me peshë dhe diplomatë, vendës e të huaj, e kanë vlerësuar, si një personalitet me ndikim të pakontestueshëm, kulturë të lartë dhe maturi të veçantë. Fakti që ai mbante dekoratat e larta si: “Kordon i Madh i Mexhidies” dhe “Komandant i Osmanies”, nga Perandoria Osmane; “Kordoni i Madh i Urdhërit të Kurorës së Italisë”, nga Mbreti i Italisë, si dhe gradën sulltanore; “Mirymerallëk”, e barabartë me atë të Gjeneralit të Brigadës, tregon qartë, se çfarë rëndësie kishte.
Autori ka shtjelluar në dritën e dokumenteve edhe cilësitë e burrërisë, drejtësisë dhe krenarisë së Prengë Bibë Dodës, virtyte këto, që e ngrejnë lartë shembëlltyrën e tij.
Gjithësesi ky libër, ndonëse përqëndrohet te Prengë Bibë Doda, është edhe një gjeneaologji e mirfilltë e Gjonmarkajve dhe një histori përmbledhëse, treshekullore e Mirditës, në përpjekjet e saj për mbijetesë.
Studiuesi Nikollë Loka, meriton përgëzime për këtë arritje shkencore. Ai në tërësinë e librit, asnjëherë nuk ia ka lejuar vetes, të cënojë të vërtetat historike, duke ia dalë të na jape, jetën e njërit ndër politikanët më të rëndësishëm shqiptar, të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, në situatat tepër komplekse që kaloi vendi ynë. Për mendimin tim, ky libër, është një shembull se si duhet të trajtohen figurat dhe ngjarjet historike.
PRENGË BIBË DODA, NJË FENOMEN NË JETËN POLITIKE SHQIPTARE
Përpjekjet për të ndriçuar rrugën e Mirditës në histori, kanë qenë të shumta dhe i kanë fillesat që në periudhën e Rilindjes Kombëtare. Historia e Mirditës, duke qenë e lidhur pazgjidhshmërisht me Derën e Gjonmarkajve, është errësuar dhe e anatemuar, pa iu nënshtruar një vlerësimi objektiv. Ndërkohë, në periudhën e zhvillimeve demokratike, për Mirditën dhe Gjonmarkajt, është shkruar bardhë ose zi, në varësi të këndvështrimeve të autorëve. Këto qëndrime në pozicione të ngurta, kanë ngurtësuar vështrimin e gjerë të ngjarjeve që kanë ndodhur në lidhje me këtë krahinë. Nga këto pozicione, shihet edhe figura e Prengë Bibë Dodës, njërit ndër personalitetet më të shquara shqiptare, të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX.
Si Gjonmarkaj, Prenga ishte vazhduesi i denjë i linjës së Kapidanëve prijës, që bënë gjithçka, për të ruajtur funksionin e Kreut të Mirditës. Gjonmarkajt, i prinë Mirditës luftarake, që kreun e vet e kërkonte në ballë të luftës. Jo pak nga ata e kishin dhënë jetën ndër luftëra, duke ia përcjellë lavdinë Derës së vet. Dhe Mirdita, duke patur njerëz të tillë luftarakë në krye të vet, nuk u ndal para asnjë rreziku, nëpër fushëbetejat e shumta. Gjonmarkajt, e fituan pushtetin në një moment të caktuar të historisë, siç ndodh në të gjitha rastet, por ata kanë meritën e madhe, që ditën të qëndrojnë aq gjatë, në sundimin e një Krahinë krenare, e cila nuk të pranonte, nëse nuk i përgjigjeshe krenarisë së saj. Si Derë prijëse e lidhur në marrëveshje me Portën e Lartë, krerët Gjonmarkaj, ishin të detyruar ta respektonin marrëveshjen e lidhur me autoritetet osmane. Kjo detyrë, ishte e vështirë, pasi mirditasit si njerëz të lire, ishin të prirur të mos njihnin ligj të huaj, nëpunës të huaj dhe autoritet të huaj. Në Mirditë, pushteti nuk ushtrohej në emër të Sulltanit dhe kajmekamët, nuk ndërroheshin sipas humorit të Valiut të radhës. Në ato vise, kishte vendosur Kanuni se kush do të qeveriste.
Kishte vendosur një herë të vetme për të gjithë kohën, prandaj Kuvendi i Mirditës, nuk përfshihej nga ethe pushteti dhe, kur ndjente ethe të tilla, krerët që mbronin “kushtetutshmërinë” kundërshtonin, sepse në ato male, ishte detyrim që çdo njeri ta dinte radhën e vendit dhe të kuvendit. Për më tepër, në Mirditë, nuk zbatoheshin urdhra administrative, nuk kishte xhandarmëri dhe as ushtri, atje të gjithë njerëzit, ishin juridikisht të barabartë. Mblidheshin burrat e mençur e jepnin zgjidhje dhe, nëse ajo zgjidhje nuk u pëlqente palëve, gjykohej më lart, deri në Derën e Gjomarkut, si instancë e fundit e interpretimit të Kanunit.
Ndërkohë, osmanët nga ana e tyre, kërkonin që edhe këtë Krahinë, ta integronin në sistemin e tyre të qeverisjes. Vetë thelbi i autonomisë së Mirditës, e bën Derën e Gjonmarkut një ndërmjetëse midis mirditasve dhe autoriteteve, prandaj është meritë e kësaj familje, që mundi ta garantojë këtë marrëveshje dhe të ruajë një gjendje paqeje relative, midis Mirditës dhe Portës së Lartë. Krahina të tjera, si Suli i famshëm, që nuk gjetën gjuhën e përbashkët me autoritetet, shkuan deri në zhdukje.
Marrëveshja Mirditë-Gjonamarkaj rezultoi afatgjatë. Krahina do ta respektonte autoritetin e Prijësve në çdo rrethanë, por edhe Gjonmarkajt ishin të detyruar ta ruanin të shenjtë autonominë e Krahinës, pa marrë parasysh sakrificat që kërkoheshin.
Prengë Bibë Doda ishte i ndikuar nga kjo histori e Gjonmarkajve dhe sidomos nga jeta heroike e babait të vet. Me bëmat e tij, karakterin e hekurt dhe një jetë prej heroi, Bibë Doda ka lënë gjurmë te djali i tij.
Thuhet se në kohën e atij luftëtari të rreptë, në Shkodër, jetonin tre pashallarë: dy myslimanë dhe një i krishterë. Askund nuk ishte kështu, sepse Pasha të krishterë nuk kishte. E pra Bibë Doda qe përjashtimi i parë. Si Pasha i krishterë, Biba çmohej dhe nderohej shumë nga të krishterët e Shkodrës, Malësisë, Pukës dhe Zadrimës.
Dega e Bibë Dodës së Gjonmarkajve jetonte në dy vende njëherësh: në Shkodër dhe Orosh. Secila qendër e ndihmonte tjetrën; Oroshi vendi i qëndresës, ndërsa Shkodra vendi i politikës dhe diplomacisë. Në atë mjedis, pranë babait të tij u lind dhe kaloi vitet e para të jetës Prenga. Ndonëse jetonin në Shkodër, kryeqendër Vilajeti, në Pallatin e Bibë Dodës emrat, mbiemrat, gjuha e zakonet ishin të pastra arbërore.
Ishte një rreze drite në atë zymtësinë e Shkodrës që kishte humbur shkëlqimin e dikurshëm në natën e gjatë osmane. Në sarajet e Kreut mirditas jetonte liria, e kushtëzuar si dyqind vjet më parë në formën e vetëqeverisjes tradicionale, apo e pakushtëzuar, si liri që vjen nga sakrificat njerëzore në luftë për vetëqeverisje. Nëse turqit e donin Mirditën aleate, duhet ta pranonin siç ishte, ndërsa nëse ia punonin me të pabesë, atëherë mirditasit dilnin maleve me pushkë në dorë.
Viset e Mirditës kërkonin shumë pak nga autoritetet: të jetonin arbërisht dhe të qeveriseshin nga një i Gjonmarkajve. Në shkëmbim, i jepnin Sulltanit, disa mijë ushtarë që derdheshin fushave të betejave me fiamurin e vet, veshur me rrobat e tyre kombëtare. Kjo ishte liria që në malet e Mirditës nuk u cënua për pesëqind vjet. Kjo liri çuditërisht varej shumë nga një njeri i vetëm. Kishte ndodhur kështu në dy breza: Bibë Doda kishte mbetur djali i vetëm i Dodë Prengës, pasi vëllai i ishte vrarë dhe Prenga ishte djali i vetëm i Bibë Dodës. Turqit ishin entusiazmuar dikur nga lavdia e ushtrive të Mirditës dhe e kishin vlerësuar Kapidanin Bibë, por nga ajo lartësi, ai kishte filluar t’i shqetësonte. Megjithatë për së gjalli askush nuk e mori guximin t’ia lëkundë fronin. Gjithçka ishte përgatitur, që të ndodhte pas vdekjes së tij.
Bibë Doda, u helmua dhe vdiq, kurse të birin, ia morën në Stamboll, gjoja për ta ruajtur nga rreziqet që i kanoseshin dhe për ta arsimuar. Mirdita mbeti kështu jetime, pa kreun e saj tradicional, ndonëse në Orosh, jetonte familja e Kapidanëve, të cilët nderoheshin si Kapidanë, por asnjëri prej tyre, nuk e kishte të drejtën për t’i prirë Krahinës, përderisa Kreu natyror, Prengë Bibë Doda, ishte gjallë. Krahina, sipas Kanunit, i kishte nderuar gjithmonë Kapidanët dhe në të Drejtën Kanunore, ishin përcaktuar qartë detyrimet e popullit, apo të krerëve ndaj Gjonmarkajve. Por edhe Gjonmarkajt, kishin detyrime jo e vetëm ndaj popullit e krerëve, por edhe ndaj të parit të Derës së tyre, që ishte djali i pare, i vëllait të parë. Treva e Mirditës, mbeti e lidhur fort me djalin e Bibë Dodës. Si rezultat i kësaj lidhje, të pashkëputur asnjëherë, ajo ia ruajti fronin e Kreut të Krahinës, për 37 vjet rresht dhe në vendin e tij nuk u ul askush, as nga Kapidanët dhe as nga kajmekamët turq. Prengë Bibë Doda, ishte një figurë kundërthënëse.
Rrallë gjendet një personalitet tjetër, që të mbajë aq shumë dyzime, brenda vetvetes. Princ dhe Pashë, mirditas që s’ka jetuar në Mirditë, njeri i kuvendit dhe i salloneve diplomatike, me dritë dhe hije si atdhetar, i matur në fjalë, por shumë më i matur në veprime.
Për të mos gabuar, Prenga tërhiqej nga zhvillimet, duke u përpjekur të gjente momentin e duhur, për të menduar qëndrimin e tij. Sakrifikoi shumë në jetë dhe për sa jetoi, nxori përfitime nga sakrifica e vet. Ishte i ditur dhe i zgjuar, në një vend ku shumica e njerëzve ishin analfabetë dhe çfarë është më e rëndësishme, ai nuk mund të nëpërkëmbej nga askush. Jeta e Prengës, është një labirinth me shumë zigzake. Për një personaq kompleks, një vlerësim i thjeshtëzuar në bardhë e zi, nuk e jep kurrë dimensionin e vërtetë të personalitetit të tij. Ishte pranë Sulltanit dhe në sallonet diplomatike të Fuqive të Mëdha, i internuar dhe njeri me funksione të larta në shtet, ishte pra thjeshtë një peng i çmuar, që Sulltani mund t’i jepej gjithçka, por hezitonte ta lejonte të kthehej në vendlindje dhe ta njihte si Kreun e Mirditës.
Prengë Bibë Doda, mund ta kishte braktisur vendlindjen dhe në shkëmbim të kësaj, do të merrte grada edhe më të larta dhe funksione më të rëndësishme, në Stamboll. Ai kishte arritur gradën e Gjeneralit dhe komandonte njërën nga dy brigadat shqiptare, prej tri brigadave, që kishte gjithsej Garda Perandorake Osmane. Por ai nuk donte as poste dhe as përfitime, sepse nuk e kishte lirinë e plotë, për të zgjedhur. Funksionet e larta në Oborrin e Sulltanit, dihet se kishin më shumë rëndësi se funksioni i Kreut të Mirditës, që në njëfarë mënyre, varej nga Valiu në Shkodër, por ai kishte lindur për të mbetur Kapidani i Mirditës autonome, si garant i autonomisë së vendit të vet. Prenga, nuk guxonte ta shkëmbente lirinë e Mirditës dhe nuk kishte se si ta fshinte, kujtimin e familjes së tij. Ai nuk mund të tjetërsohej, pasi kostoja që do të paguante në këtë rast familja e tij, do të ishte e lartë. Nuk kishte ndodhur që ndonjë i Gjonmarkajve para tij, ta dorëzonte vetëqeverisjen.
Po a ishte Prenga i lidhur përjetësisht me Mirditën në çfarëdo rrethane? Faktet treguan se; ai kishte në plan ta dorëzonte autonominë e Mirditës, sapo të formohej shteti i pavarur shqiptar. Prenga, donte të merrte përsipër rolin historik të integrimit të Mirditës në strukturat shtetërore shqiptare, mision që u ndërpre me vdekjen e tij dhe prodhoi pasoja afatgjata për Krahinën. Për Mirditën, Prengë Bibë Doda, sakrifikoi gjithçka iu kërkua. Tetëmbëdhjetë vjeç, luftoi kundër turqve; njëzet vjeç, kundër malazezëve; i kaloi 37 vite të jetës në internim; e bënë që të ishte i paaftë, për të lënë pasardhës. Edhe mund ta vrisnin! Çfarë mund t’i bënin tjetër!?
Prengë Bibë Doda, ishte një politikan që i kthente të metat në avantazhe. Kështu, mungesën e njohjes për njerëzit, që vinte nga internimi i gjatë, e kompensonte me luksin e të vëzhguarit të ngjarjeve nga larg, duke mos u përfshirë kurdo në vorbullën e tyre. Ndërsa mungesa e dëshirës, për t’u marrë me gjëra të vogla, e bëri që t’u qëndronte larg tyre, duke lënë si zëvendës të tij në Mirditë’ Marka Gjonin, i cili kishte tagër me i zgjidh problemet në Krahinë, ndërkohë që Prenga vetë, merrej me konsujt dhe autoritetet në Shkodër, apo udhëhiqte punën e qeverisë në Vlorë e Durrës.
Si politikan, Prenga ishte i prirur për dialog dhe nuk parapëlqente të imponohej edhe kur i cënoheshin interesat e tij, duke zgjedhur edhe në mes të së keqes, më të voglën. Atij iu iu desh që, për një kohë, të pajtonte dy qëndrime të kundërta: përpjekjet osmane për dobësimin e autonomisë së Mirditës dhe përpjekjet e mirditasve, për ruajtjen dhe forcimin e autonomisë. Kur ndonjë vendim i autoriteteve nuk i pëlqente, përballë tij, vendoste vullnetin e mirditasve. Dhe kur ndonjë vendim i autoriteteve nuk u pëlqente krerëve mirditas, por ai kishte dhënë pëlqimin për të, vendoste vullnetin e tij në mes, duke kërcënuar deri me dorëheqje. Të gjithë e dinin se çfarë kishte bërë Prengë Bibë Doda për Mirditën, prandaj nuk guxonte kush kollaj, t’ia kthente fjalën.
Princi dhe Pashai me emrin Prengë, ishte mësuar gjatë gjithë jetës të shërbente, por kurrsesi që të përdorej nga askush. Në momente të vështira, ai mori vendime shumë të rëndësishme, në mënyrë të pavarur. E kishte zakon të këshillohej shpesh me diplomatët e huaj, por ndonjëherë, vepronte kundër vullnetit të tyre. Po kështu, dinte të shprehte kundërshtime edhe ndaj qëndrimeve të zyrtarëve të lartë osmanë dhe ndonjëherë e neglizhonte Valiun e Shkodrës, si për t’i treguar se në ato anë, duhej të pyetej edhe ai. Kështu pra, në çdo rast ai përpiqej të krijonte përshtypjen, se ishte i domosdoshëm.
Prengë Bibë Doda, kishte edhe disa përparësi të tjera, të cilat dinte t’i shfrytëzonte. Këto ishin prejardhja e tij familjare, kultura dhe formimi, njohjet e gjëra që kishte dhe mënyra optimiste e shikimit të gjërave.
Po, a ishte Prenga në paqe me vetveten? Në shumë raste, ndoshta dhe jo. Vetë luhatjet dhe kthesat e mëdha që mori dëshmojnë se, ai e shihte qëndrimin e vet në mënyrë kritike dhe përpiqej të bëhej më i pranueshëm. Duket se kishte një synim, që pas shpalljes së pavarësisë së vendit, të fillonte një jetë të re politike, me vizione krejt të tjera, duke shpresuar se do të mbetej i dobishëm për vendin.
Prengë Bibë Doda nuk e kishte thënë ende fjalën e fundit. Misioni i tij mbeti i papërfunduar.
Si personalitet me origjinë katolike, formim turk, e kulturë perëndimore dhe orientale njëherësh, e shihte veten një figurë bashkuese mbarëkombëtare. Prenga ishte patriot. Por patriotizmi i tij, fillonte me Mirditën dhe për shumë kohë, mbaronte me atë krahinë. Më vonë ai e deshi krejt Atdheun. Ndoshta vdiq se kishte filluar ta donte sinqerisht. Duke vepruar kështu, Princ Prengë Bibë Doda (Pasha). jetoi në kohën e vet dhe mbeti atje, viktimë e një kurthi të ulët të politikës së ditës.
Nga Nikollë Loka
MIRDITA NË GOJËDHËNA DHE DOKUMENTE
-Mirdita në gojëdhëna-
Gojëdhënat për prejardhjen e mirditasve, janë të shumta dhe herë-herë kundërthënëse, por në përgjithësi, përkojnë midis tyre. Sipas traditës, lidhja midis Shalës, Shoshit dhe Mirditës, tregohet në mënyra të ndryshme, por që të gjitha, përkojnë midis tyre dhe në thelb tregojnë të njëjtën gjë: lidhjen e këtyre krahinave me njëra-tjetrën. Thuhet se; Mirdita me Shalë e Shosh, me të cilët kanë qenë farefis, janë të ardhur në trojet e sotme, prej viseve të Kosovës dhe u vendosën fillimisht në Zogaj, afër Shirokës, buzë liqenit të Shkodrës. Prej aty janë ndarë dhe secili ka zënë vendin e vet, aty ku gjenden sot. Një traditë tjetër, i nxjerr nga Dukagjini. “Thonë se paskan kenë tre vllazën në Dukagjin dhe para se me u nda prej zjarmit, deshën me nda pasuninë që kishin: një shalë kali e një shoshë. Shalën e mori ma i madhi e atij vendi, ku vu shpinë, i meti emni Shalë; të dytit, i takoi shosha, e atij vendi ku vu shpinë, i meti emni Shosh; i treti s’pat ç’ka me marrë, e u tha dy vllazënve të parë: “Ktu mirë metshi, e mue më qoftë e mira ditë, se po shkoj edhe unë me gjet ndonji vend për veti”1.
Pavarësisht se bëhet fjalë për vllazën, duhet të kenë qenë “tri fise, vllazni të mdhaja deri diku, që kanë ardhë e zatetë në Shalë, Shosh e Mirditë 2.
At’Benardin Palaj, mendon se; “ma së pari u dynd e zuni vend Mirdita në Orosh. Pas disa vjetësh, u dyndën edhe të parët e Shoshit: (Gjol e Pepë Suma, të nipat e Mark Ditës, e zunë vend në kodër të Shën Qurkut, ku gjetën Karmasorin e Drogobatin, që i dyndën me luftë dhe u morën vendin. Së vonshmi edhe Shala 80-vjet mbas Shoshit” 3.
Tradita gojore, mbi ardhjen e mirditasve në trojet e sotme lidhet edhe me Hasin. Thuhet se tre vëllezër, nga ana e Gjakovës, nga Pashtriku, erdhën e zunë vend: në Orosh, Spaç dhe Kuzhnen. Prej këtej, u formuan bajrakët e fisit që përbëjnë bërthamën e Mirditës së sotme 4.
Dom Nikollë Kimza, ka shkruar se: “Mirdita e përbame nga bajrakët Orosh, Spaç, Kuzhnen e ka gojëdhanën se asht e rrjedh prej fisit Marin (o Morinë). Këta tre bajrakë, emnohen gjithmonë bajrakët e fisit. Tre bajrakët e fisit, se rrjedhin prej njaj fisi e kndei, njani-tjetrin e thërrasin vëlla.
Kët vllazni, nuk e kan as vllazni shoqniet, as vllazni politike, as përkundra muhamedanëve, por n’diftim t’nji ftillese e t’nji burimi, vllazni qi rrjedh prej nji gjaku. Kët vllazni, rrfejnë se e kan edhe me Shalë e me Shosh. Prej ksaj vllaznije qi rrfejnë se kanë Oroshi, Spaçi e Kuzhneni, asnji n’tre nuk kanë marrë e dhanë gra, deri n’kohë t’ona se thonë: “Vllau mik, nuk ka si bahet”! Dishiplina fetare, kurr s’i ka ndalue, as tash s’i ndalon tui kenë largue tepër gjaku i vllaznisë, qi kan për mos me u martue me njani-tjetrin, por kurrë as nuk janë gjegjë e as nuk gjegjin” 5. Memorie.al
- AQSH, F.586, D.41, viti 1928, f. 96
- Kolë Shtjefni, Mirdita etnike, Monogrfi, pa shtëpi botuese, Tiranë 1997, f. 12.
- Prelë Milani, Shoshi, Gjeografia, gjenealogjia, historia, shtëpia botuese “Albin” Tiranë, 2011, f. 243
- Mark Tirta, Lëvizje migruese të shqiptarëve, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë 2013, f.174
- Nikollë Kimza, Mbi vjetërsi t’Derës Gjomarkut, Kumona e së Djellës”, Nr.12, viti 1939 f.184
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016