1871 – Lindi Gjergj Fishta në Fishtë të Lezhës, frat françeskan, arsimtar, shkrimtar, përkthyes dhe po ashtu kryetar i komisionit për hartimin e alfabetit në Kongresin e Manastirit, anëtar i delegacionit të qeverisë Përmeti në Konferencën e Versajës dhe zëvendëskryetar i legjislativit shqiptar më 1921. Pas dekadës së dytë të shek. XX, Fishta iu imponua kulturës shqiptare jo vetëm si shkrimtar (poet, dramaturg, prozator etj.), por edhe si kritik, historian i letërsisë dhe estet. Për gjysmë shekulli ishte figura mbizotëruese e letërsisë shqipe, kur ishte gjallë u kurorëzua “poet kombëtar”. Pas vitit 1945, kur u vendos regjimi komunist, vepra e Fishtës u ndalua dhe qëndroi e tillë derisa u përmbys diktatura komuniste. Në 25 shkurt 1894 u bë meshtar duke çuar meshën e parë në kishën e Troshanit. Më 1899 u caktua famullitar i përkohshëm në Gomsiqe, nën juridiksionin kishtar të Abatit. Më 1899 qe ndër anëtarët themelues të shoqërisë “Bashkimi”. Më 1902 u emërua sekretar i Komisariatit Gjeneral të Misionit Françeskan në Shkodër dhe po atë vit u bë i pari drejtor shqiptar i Shkollës Françeskane. Porsa mori drejtimin e shkollës, ndërroi gjuhën e mësimdhënies nga italishtja në gjuhën shqipe Më 15 shkurt 1907 me Gjeçovin themeloi të parën bibliotekë shkollore në viset shqiptare. Në nëntor 1908 u tubua Kongresi i Manastirit, ku Fishta përfaqësoi shoqërinë Bashkimi dhe mbajti ligjëratën “Për alfabetin latin”, që i dha udhëzgjidhje marrëveshjes për alfabetin. Me kryengritjen e Mbi Shkodrës më 1911, Argjipeshkvi Serreqi i dërguar nga autoritetet osmane, mori me vete Fishtën dhe Bumçin në Podgoricë për të ndërmjetësuar për paqe mes autoriteteve dhe prijësve të maleve. Me pushtim-administrimin austro-hungarez pas 1916, botoi fletoren Posta e Shqypniës. Më 6 qershor 1921 u zgjodh deputet i prefekturës së Shkodrës. Pas pushtimit italian, më 3 qershor 1939 Fishta emërohet akademik i Italisë. Më 1940, Papa Piu XII e priti atë në një audiencë të gjatë në Selinë e Shenjtë në Vatikan. Më 30 dhjetor 1940 Fishta ndërroi jetë. Në valën e Revolucionit Kulturor, më 20 mars 1967 eshtrat e Fishtës me urdhër të strukturave të shtetit komunist zhvarrosen nga Kisha e Gjuhadolit. Sipas një dëshmie, eshtrat e tij me të sivëllezërve të tjerë u hodhën pas tri ditëve në lumin Drin. Por dëshmi të tjera përcjellin se eshtrat u shpëtuan, u ruajtën dhe u varrosën tinëz sërishmi në varrezat e Rrëmajit në Shkodër. U rivarros më 1996. Në fushën e letrave Fishta lëvroi gjini të ndryshme si poezinë epike ashtu edhe atë lirike, satiriken, dramën, publicistikën edhe përkthimin. Si ndër më përfaqësuesit të poetëve romantikë, shkroi vepra që zhvillojnë tema të poezisë gojore dhe të traditës, duke u mbështetur shumë mbi modelet stilistikore folklorike, duke përfshirë edhe metrikën folklorike. Me rastin e 130 vjetorit të ditëlindjes së tij. Këshilli i Bashkisë se Lezhës e bëri “Qytetar Nderi”. Në këtë mbledhje përkujtimore, një grup intelektualësh kërkuan nga Kryetari i Qarkut dhe Prefekti qe t’i bëhet një propozim Presidencës që t’i akordojë poetit të madh titullin e lartë “Nderi i Kombit” për merita të shquara në shërbim të Kombit Shqiptar.
1892 – Ndërron jetë Abdyl Frashëri në Stamboll, ka qenë deputet shqiptar në Mexhlisin Osman, një nga udhëheqësit kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Kaloi pjesën e parë të jetës në fshatin e lindjes deri në moshën 18-vjeçare. kur u vendos për nevoja pune në Janinë. U shqua si personalitet politik qysh më 1877, sapo u duk se Kriza Lindore po rrezikonte trojet shqiptare. Si kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës që u formua po atë vit, hartoi projektin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë me anën e kryengritjes çlirimtare anti osmane. Në fund të vitit 1877, Abdyl Frashëri u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, që u formua në Stamboll. Si kryetar i tij ai dha një kontribut të rëndësishëm në përpunimin e platformës politike që adoptoi lëvizja kombëtare pas fitores ruse mbi Perandorinë Osmane dhe sidomos pas nënshkrimit të Traktatit të Shën Stefanit. Si një nga autorët kryesorë të platformës politike të Komitetit Qendror të Stambollit, të cilën Abdyl Frashëri e parashtroi publikisht edhe me anën e artikujve që botoi në disa organe të shtypit evropian gjatë pranverës së vitit 1878, ai mori pjesë aktivisht në themelimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pas themelimit të Lidhjes, e cila e adoptoi këtë platformë, Abdyl Frashëri. u shqua si udhëheqës e organizator diplomat dhe aktivist i saj. Abdyl Frashëri, e mbrojti programin e Gjirokastrës në Kuvendin e Dytë të Dibrës ku udhëhoqi si gjithnjë krahun radikal të lëvizjes. Edhe pse programi i autonomisë nuk u pranua nga përfaqësuesit e rrymës së moderuar, ai kaloi në Kosovë dhe aty së bashku me bashkëluftëtarët e vet kosovarë, vuri në jetë vendimet e Gjirokastrës. U bë anëtar i qeverisë së përkohshme që u formua në Prizren në fillim të vitit 1881 dhe dha një kontribut të rëndësishëm në përgatitjet politike dhe ushtarake që u morën për mbrojtjen e autonomisë kundër ekspeditës ushtarake osmane. Pas shtypjes së Lidhjes, më 2 maj 1881 mbërriti në Manastir i përcjellur prej një oficeri të xhandarmërisë dhe shtatë xhandarëve kalorës. Mbasi qe arrestuar duke shkuar nga Dibra në Elbasan tek Mahmud bej Biçakçiu. Prej aty iu dërgua Dervish Pashës në Prizren, i cili e burgosi në kalanë e qytetit ku qëndroi tre vjet që ia rrënoi shëndetin kryekëput. Më tej u internua së bashku me familjen e tij në Balliqeser e në Bandërma të Anadollit për afro dy vjet të tjera. Në fund u amnistua dhe u kthye në Stamboll, ku u emërua përfaqësues i këshillit bashkiak të kryeqytetit.
1944 – Në Filipine, fillon Beteja e Gjirit të Leytes. Kjo betejë detare, konsiderohet të ketë qenë më e madhja e Luftës së Dytë Botërore dhe, përcaktoi fatin e vijimësisë së luftës me Japoninë në teatrin e Paqësorit. Në këtë operacion ushtarak u përfshinë mbi 200 mijë trupa ushtarake tokësore, ajrore, dhe detare. Në këtë beteje forcat ushtarake japoneze (përfshi kamikazet) humbën rreth 13 mijë vetë, ndërsa ato amerikane dhe australiane mbi 3000 trupa. Beteja e Gjirit të Leyte-s kurorëzoi me sukses çlirimin e Filipineve.
1950 – Vdes në moshën 64 vjeçare, komediani, aktori, dhe këngëtari amerikan, Al Jolson. Ai u quajt “Krijuesi më i madh në botë” në kulmin e karrierës së tij. Stili i tij i interpretimit ishte i brishtë dhe ekstrovert. Al Jolson popullarizoi shumë këngë që përfituan nga “qasja e tij e paturpshme sentimentale, melodramatike”. Në vitet 1920, Jolson ishte argëtuesi më i famshëm dhe më i paguari i Amerikës. Disa nga filmat e tij më të sipkatur ishin, Swaneey River, Wonder Bar, Jolson Sings Again, etj.
1955 – Në territorin e Saar-ës midis Francës dhe Gjermanisë, u mbajt ajo që do të njihet edhe si referendum i Saarës. Ky referendum do të përcaktonte, statutit e territorit të pavarur nën kujdesin e një Komisioneri Evropian. Refuzimi i tij nga votuesit u mor si një tregues se ata më shumë do të bashkoheshin me Gjermaninë Perëndimore. Më 27 tetor 1956, Franca dhe Gjermania Perëndimore përfunduan Traktatin e Saar-ës duke vendosur që Saarlandit të lejohet të bashkohet me Gjermaninë Perëndimore.
1966 – Sovjetikët lëshojnë në kozmos, robotin hapësinor Luna 12. Luna 12 u lëshua në drejtim të Hënës nga një platformë rrethuese e Tokës dhe arriti orbitën hënore më 25 tetor 1966. Hapësira hapësinore ishte e pajisur me një sistem televiziv që merrte dhe transmetonte fotografi të sipërfaqes hënore. Fotografitë përmbanin linja skanimi me rezolucion maksimal. Fotografitë e sipërfaqes hënore u kthyen në 27 tetor 1966. Transmetimet në radio nga Luna 12 pushuan më 19 janar 1967, pas 602 orbita hënore dhe 302 transmetime radio.
1972 – Në Luftën e Vietnamit, starton Operacioni Linebacker. Linebacker ishte emri i koduar i një fushate ndërhyrjeje ushtarake të Flotës së Shtatë Ajrore, dhe Flotës Detare të SHBA-së ndaj guerilasve të Viet-kongëve. Ky Operacion do të zgjaste plot 6 muaj, dhe do të përfundonte pa ndonjë sukses. Dhe kjo pasi trupat ushtarake të Vietnamit të Veriut, do të kalonin në kundër-ofensivë drejt kufirit jugor. Gjatë këtyre luftimeve do të shkatërroheshin 145 avionë amerikanë dhe vietnamezo-jugorë, si dhe 63 avionë vietnamezo-veriorë.
1976 – Lind në Vancouver të Kanadasë, aktori, komediani, producenti, dhe skenaristi i famshëm Ryan Reinolds. Reynolds, gjatë karrierës së tij të pas kinematografike 26 vjeçare, do të interpretonte në filmat, Deadpool, Buried, X Men Origins, The Proposal, etj. Ai është nominuar për 42 çmime ndërkombëtare, ku ka arritur të fitojë 12 prej tyre. Sot Ryan Reynolds, cilësohet nga kritikët e artit si një ndër komedianët më të famshëm në Hollywood.
1983 –Dy kamionë me eksplozivë goditën ndërtesat e marinsave amerikanë dhe trupave franceze në Bejrut, të Liban-it duke vrarë 307 persona. Përkatësisht, 241 amerikanë dhe 58 të personelit ushtarak francezë, gjashtë civilë dhe dy paqeruajtës. 128 amerikanë të tjerë u plagosën në shpërthim, nga të cilët 13 më vonë vdiqën nga plagët e marra. Këto sulme u kryen nga organizata terroriste Hezbollah. Bombat e vëna në këto kamionë, sipas specialistëve rezultuan në peshën e 10 tonëve TNT.
1993 – Në Belfast të Irlandës së Veriut, ndodh sulmi terrorist në rrugën Shankill. Bombardimi i Rrugës Shankill u krye nga Ushtria e Republikane Irlandeze (IRA) më 23 tetor 1993 dhe është një nga incidentet më famëkeqe të Troubles në Irlandën Veriore. IRA synoi të vriste udhëheqjen e Shoqatës së Mbrojtjes Ulster (UDA), duke marrë pjesë në një takim në marketin Frizell në rrugën Shankill. Dhjetë njerëz u vranë një nga terroristët e IRA, një anëtar i UDA dhe tetë civilë protestantë, dy prej të cilëve ishin fëmijë. Më shumë se pesëdhjetë njerëz u plagosën.