1900 – Ndërron jetë Naim Frashëri poet dhe shkrimtar shqiptar, një nga përfaqësuesit më të shquar të Rilindjes Kombëtare dhe figura qendrore e letërsisë së Rilindjes. Për së gjalli u pagëzua “apostull i shqiptarizmës” dhe “bilbil i gjuhës shqipe”. Vepra poetike e Naimit vuri bazat e letërsisë kombëtare dhe luajti rol të rëndësishëm në zgjimin e vetëdijes atdhetare. Naimi i këndoi mallit e dashurisë për atdhe, krenarisë kombëtare dhe të kaluarës së lavdishme të shqiptarëve. Pas vdekjes së prindërve, me në krye vëllain e madh që ishte bërë zot shtëpie, Abdylin, më 1865 familja u shpërngul në Janinë, ku bashkë me vëllanë më të vogël Samiun, mbaroi gjimnazin grek “Zosimea” më 1869. Atje ra në kontakt me idetë e iluminizmit frëng dhe veprat e Rusoit e Volterit. Më 1871 shkoi në Stamboll, ku qëndroi vetëm tetë muaj, sepse dhembja e kraharorit e detyroi të kthehej në Janinë. Në vitet 1874-76 punoi si drejtor dogane në Sarandë. Sëmundja e kraharorit dhe dhembjet në gjunjtë nga reumatizma, e shtrënguan të largohej nga Saranda dhe shkoi për kurim gjashtë muaj në banjat e Badenit në Perandorinë Austro-Hungareze. Më 1878 punoi tetë muaj si drejtor të dhjetash (ashari mydiri) në Berat. Më 1882 u vendos përfundimisht në Stamboll, ku punoi në fillim në detyrën e anëtarit e pastaj të Kryetarit të Komisionit të Inspektimit dhe Kontrollit dhe më vonë, të Kryetarit të Këshillit të Lartë të Arsimit dhe të Zëvendësministrit të Arsimit. Më 14 gusht 1882, nënshkroi lejen për botimin e Gramatikës së Kristoforidhit. Pas arrestimit të Abdylit në Janinë në fund të prillit 1881, nisi të luajë një rol të rëndësishëm në veprimtarinë kombëtare të shqiptarëve të atjeshëm. Mori pjesë në punën e Komitetit qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare dhe të Shoqërisë së të shtypuri shkronja shqip. Mbylli sytë më 20 tetor 1900. Gjuhët e huaja të nxëna nga mësimet te para private dhe më tej përgjatë shkollimt në Janinë bënë që, sipas Robert Elsie, Naimi ishte një shembull parësor i intelektualit osman të shekullit të XIX që ndihej njëlloj i ambientuar si me kulturën Lindore ashtu dhe Perëndimore. Naimi është autor i gjithsej njëzetedy veprave: katër në osmanishte, dy në persishte, dy në greqishte dhe pesëmbëdhjetë në shqipe.
1935 – Përfundon i ashtuquajturi “Marshimi i Gjatë” i trupave komuniste kineze të udhëhequra nga Mao Zedong. Ky marshim u krye në viset veriore të Kinës, dhe kishte si qëllim daljen nga rrethimi të ushtrisë komuniste, ndaj atyre nacionaliste të Çang Kaishek-ut. Ky marshim do të zgjaste 370 ditë dhe, në të do të përshkruheshin në këmbë rreth 10.000 kilometra. Me mijëra komunistë kinezë do të humbnin jetën maleve, si pasojë e urisë, sëmundjeve, dhe të ftohtit.
1944 – Gjenerali i famshëm amerikan Douglas MacArthur, mban premtimin e tij të dhënë para dy viteve se “do të rikthehej si triumfator në Filipine”. Në atë që do të quhet edhe si Beteja e Leyte-s, trupat amerikane të udhëhequra nga vetë MacArthur-i, do të zbarkonin në këtë ishull duke nisur kështu fushatën për çlirimin e tij. Gjatë kësaj beteje, trupat ushtarake amerikane do të kishin 3500 të vdekur dhe 10.000 të plagosur. Ndërsa ato japoneze do të humbnin plot 50.000 vetë, ku shumica e të cilëve do të kryenin vetë-vrasje.
1958 – Lind në Watertown të New York-ut, aktori i famshëm Viggo Mortensen. Gjatë karrierës së tij 35 vjeçare, Mortensen ka interpretuar në mjaft filma të ndryshëm si p.sh, The Lord of the Rings, Eastern Promise, Hidalgo, dhe The Green Book. Gjithashtu ai, do të spikas edhe në fusha të tjera si, letërsi, arte pamore, dhe muzikë. Një na çmimet më të rëndësishme të Mortensen-it gjatë kësaj dekade është padyshim fitorja e Academy Awards (Oscar) me filmin, The Green Book si aktori më i mirë.
1961 – Bashkimi Sovjetik, teston për herë të parë, një raketë balistike kontinentale të quajtur R-13 nga bordi i një nëndetëseje. Zhvillimi i këtij projekti madhor ushtarak do të kryhej nga Sergey Korolev i njohur ndryshe si babai i aero-nautikës ruse, dhe Viktor Makeyev, një inxhinier raketash bërthamore. Nëndetësja që u përdor për të hedhur këtë raketë ishte e modelit Golf. Kjo manovër ushtarake do të bëhej pasi marina amerikane do të zhvillonte një program të ngjashëm raketor në brigjet e Atlantikut.
1968 – Jacqueline Kennedy, e veja e Presidentit të vrarë amerikan John Kennedy, vendos të martohet me biznesmenin e suksesshëm greko-amerikan Aristotle Onassis. Pas martesës, të dy ata u vendosën më banim në një rezidencë luksoze bregdetare. Rezidenca ishte në pronësi të vetë Onassis-it i cili, e kishte ndërtuar enkas për Jacqueline-n në një gji të fshehtë në ishullin Skorpios. Ata, jetuan aty për shumë vite, deri në vdekjen e tij në 1975. Pas vdekjes së Onassis-it, Jacqueline jetoi edhe për disa kohë aty së bashku me vajzën e tij Christina.
1982 – Gjatë një ndeshjeje futbolli për Kupën UEFA midis FC Spartak të Moskës dhe HFC Haarlem-it, do të vdisnin 66 tifozë rusë. Kjo tragjedi do të ndodhte në stadiumin Luzhniki të Moskës, ku me qindra tifozë të të dyja ekipeve do të vërshonin për të parë këtë ndeshje, përtej kapaciteteve të këtij stadium. Përpos të vdekurve do të plagoseshin rreth 65 të tjerë. Kjo tragjedi do të mbahet mënd si një nga më të rëndat në historinë e futbollit europian në përgjithësi, dhe atij rus në veçanti.
2011 – Ekzekutohet me pushkatim në moshën 70 vjeçare diktatori ushtarak i Libisë, Muammar Gaddafi. Gaddafi do të qeveriste në mënyrë autoritariste, shtetin afrikano-verior për 4 vjet. Gjatë sundimit të Gaddafi-t në Libi, do të arrestoheshin, burgoseshin, dhe ekzekutoheshin me mijëra kundërshtarë të tij politikë. Ai njëkohësisht do ta kthente Libinë në një strehë për terroristët islamikë, të cilët shihnin tek Tripoli zyrtarë një mbrojtës të sigurtë. Muammar Gaddafi do të rrëzohej nga pushteti gjatë demonstratave të përgjakshme të cilat degjeneruan në luftë civile. Ai u gjet nga një turmë rebelësh në një kanal uji dhe pasi u linçua publikisht, u vra.