1928 – Në Florida të SHBA-së, ndodh një nga uraganet më shkatërrimtar në historinë e këtij vendi. I quajtur nga sinoptikanët edhe si Uragani Okeechobee, kjo stuhi përgjatë 15 ditëve do të merrte jetën e mbi 2500 vetëve, si dhe do të plagoste rreth 5000 të tjerë. Era do të frynte me shpejtësi 260 km në orë dhe si pasojë do të shkatërronte me mijëra shtëpi dhe automjete përgjatë gadishullit të Florida-s.
1940 – Gjatë zhvillimi të Betejës së Britanisë ndërmjet forcave ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar dhe atyre të Gjermanisë naziste, Adolph Hitler-i, lançon Operacionin Luani i Detit. Ky operacion ushtarak kishte si qëllim, gjunjëzimin për një kohë të shkurtër të Anglisë dhe gjithë Britanisë së Madhe nga bombardimet ajrore dhe detare, për ti hapur rrugë pushtimit tokësor. Ky operacion dështoi si pasojë e rezistencës ushtarake britanike.
1961 – Dënohet me vdekje dhe ekzekutohet me varje në moshën 62 vjeçare, Kryeministri i Turqisë, Adnan Menderes. Menderes, do ta udhëhiqte shtetin turk për një dekadë derisa, trupat ushtarake të kryesuara nga Gjenerali Cemal Gursel, në 27 Maj të 1960 do ta rrëzonin nga pushteti nëpërmjet një grushti shteti. Menderes do të ekzekutohej në ishullin e Imrali-së në Detin Marmara së bashku me Ministrin e Jashtëm Fatin Rustu Zorlu dhe atë të Financave Hasan Polatkan.
1968 – Lind në Bellcaire d’ Emporda, futbollisti dhe trajneri i famshëm spanjoll Tito Vilanova. Vilanova gjatë karrierës së tij si futbollist do të debutonte me ekipet e Barcelona B, Celta Vigo-s, Elche-s etj. Ndërsa si trajner ai do të shërbente si asistenti kryesor dhe më pas si drejtuesi i klubit të famshëm të Barcelonës, të cilën e shpalli kampion në La Liga dhe në Kupën Miguel Munoz në vitin 2013. Ai do të vdiste një vit më pas nga një sëmundje e pashërueshme.
1980 – Në kryeqytetin paraguaian Asuncion, vritet nga një atentat i organizuar në formë prite, diktatori i Nikaragua-s Anastasio Somoza Debayle. Debayle, e kishte qeverisur me dorë të hekurt shtetin e varfër dhe të paqëndrueshëm të Nikaragua-s për 12 vjet. Dinastia e Somoza-ve prej kohësh ishte bërë e papëlqyeshme në këtë vend për shkak se kriminaliteti, represioni shtetëror, dhe korrupsioni kishin marrë përmasa galopante. Ai u vra nga një komando sandiniste (rebelë komunistë) nëpërmjet Operacionit të koduar Reptile.
1988 – Hapen në Seoul të Koresë së Jugut, Lojërat e 24 Olimpike. Në këto lojëra, do të paraqiteshin 160 shtete të botës në 35 disiplina sportive. Në tabelën e nderit do të udhëhiqnin për medalje ekipet e Bashkimit Sovjetik, Gjermanisë Lindore, të pasuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërsa mascot-i zyrtar i këtij eventi ishte Hodori, tigri i Gadishullit Korean.
1991 – Shtetet e Koresë së Jugut, Koresë së Veriut, Estonisë, Letonisë, Lituanisë, Ishujve Marshall, dhe Mikronezisë, anëtarësohen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Pas shkrirjes së Bashkimit Sovjetik, si dhe pas një klime relativisht paqësore të marrëdhënieve diplomatike Seoul-Pyongyang, OKB-ja vendosi anëtarësimin e këtyre shteteve, për të shtuar akoma dhe më shumë aspektin e sigurisë në këto rajone të botës.