1943 – Në një ndër kampet e shfarosjes më të tmerrshme të Holokaustit, atë të Sobibor-it në Poloni, ndodh revolta e famshme e të internuarve. Të udhëhequr nga Alexander Pechervsky, një ushtarak rus me origjinë hebreje, me qindra të internuar të këtij kampi, burra, gra, pleq, dhe fëmije, shkallmuan portat dhe u arratisën drejt pyjeve. Disa minuta më parë grupi i Pechervsky-t kishte vrarë në fshehtësi 11 oficerë të larë SS si dhe gjatë arratisjes plagosën rëndë komandantin e kampit. Nga 300 të internuar që u arratisën, vetëm 58 prej tyre përfshi dhe Pechervsky-n mund të mbijetojnë deri pas luftës.
1944 – Vdes në Herlingen të Gjermanisë në moshën 52 vjeçare, Marshallai Erwin Rommel. Rommel i njohur ndryshe edhe si Dhelpra e Shkretëtirës, do të ishte një nga ushtarakët më të përgatitur të ushtrisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai do të drejtonte luftimet për pushtimin e Francës, dhe për kundër-sulmin ndaj anglo-amerikanëve në Afrikën e Veriut. Por në vitin 1944 ai u implikua në grushtin e dështuar të shtetit ndaj Hitlerit. Kolegët e tij përpara se ta arrestonin i ofruan dy opsione, e para të vetë-vritej dhe më pas të nderohej si ushtarak madhor, ose të arrestohej dhe të dënohej me pushkatim. Rommel-i, zgjodhi të parën. Sot ai është një ndër të rrallët ushtarakë gjermanë, që nuk mori pjesë në krimet e luftës.
1947 – Piloti ushtarak amerikan Chuck Yeager do të bëhej njeriu i parë në histori që do të kalonte shpejtësinë e zërit. Me anë të avionit të tij Bell-X 1, ai do të ngjitej në lartësinë 14 mijë metra me një shpejtësi prej më shumë se 1600 km në orë. Për këtë eksperiment si dhe për kontributet e tij në betejat e Luftës së Dytë Botërore, Yeager do të dekorohej disa herë me medaljet më të larta të ushtrisë amerikane. Ai do të fitonte gjithashtu trofetë Collier dhe Mackay të cilat iu jepen njerëzve që thyejnë rekorde të mëdha në fushën ajrore.
1962 – Fillon zyrtarisht Kriza e Raketave në Kubë. Gjatë një patrullimi rutinë ajror mbi Karaibe, avioni survejues amerikan U-2, lokalizon dhe fotografon disa instalime raketore sovjetike në xhunglat kubaneze. Kaq do të mjaftonte që në Këshillin e Sigurisë të OKB-së Kennedy dhe Hrushov, do të shkëmbenin akuza dhe polemika të ndërsjellat ndaj njëri-tjetrit. Për afro 15 ditë bota do të mbante frymën, sepse gjendja ishte aq e tensionuar saqë mund të shkaktonte Luftën e III Botërore. Por ajo do të zgjidhej më pas, kur të dy liderët e superfuqive do të takoheshin në Vjenë dhe do të hiqnin instalimet raketore nga Kuba dhe Turqia.
1982 – Presidenti amerikan Ronald Reagan do të fillonte zyrtarisht Luftën ndaj Drogës. Në vitet 70-80 SHBA-ja, do të përfshihej nga një valë e madhe kriminaliteti dhe droge. E përhapur më së shumti nga emigrantët kubanezë dhe nga ata panamezë, substancat narkotike, do të shkaktonin çdo javë vdekjen e mjaft personave përdorues. Në luftën ndaj drogës do të përfshiheshin jo vetëm agjencitë ligj-zbatuese të SHBA-së, por edhe forca të shumta ushtarake. Ajo vazhdon në përpjesëtime më të vogla edhe sot e kësaj dite.
1986 – Ndërron jetë Bilal Xhaferri shkrimtar, botues dhe aktivist shqiptar. U rrit bashkë me të motrën në internim ku kreu shkollimin. Bëri një shkollë njëvjeçare si gjeometër. Më 1967 i botohet vëllimi me poezi “Lirishta e kuqe”. Po atë vit konkurroi me romanin “Krastakraus” në konkursin letrar të mbajtur me rastin e 500 vjetorit të lindjes së Skënderbeut, por nuk fitoi. Ky roman do të botohej në vitin 1993. Më 1968, ai u shpreh në Lidhjen e Shkrimtarëve kundër romanit Dasma të Kadaresë, duke e akuzuar Kadarenë për revizionizëm ndaj doktrinës komuniste, një akuzë kjo shumë e rëndë gjatë regjimit komunist, që mund ta kishte dëmtuar shumë Kadarenë. Po për këtë ai u qortua rëndë nga Fadil Paçrami. Autoritetet komuniste nuk mund të lejonin që një person me “njolla në biografi”, t’u shkaktonte turbullira, sado që mund të ishte komunist i zjarrtë. Iu hoq e drejta e botimit dhe u internua. Pas një mbledhjeje të Lidhjes së Shkrimtarëve me në krye Rita Markon, u kritikua bindshëm dhe u përjashtua. Më 30 gusht 1969 u arratis nga Shqipëria për në Greqi. Më 1970, shkoi në SHBA, në Boston ku deri më 1972 punoi në gazetën “Dielli”. Më 1974 u vendos në Çikago ku themeloi revistën “Krahu i shqiponjës”, botim i Lidhjes Çame të cilën e drejtoi, botoi dhe redaktoi për 39 numra në dy gjuhë, shqip e anglisht. Në vitin 1986 vdes në Çikago.
2012 – Fluturuesi austriak Felix Baumgartner do të jetë i pari person në botë që hidhet nga stratosfera në tokë nëpërmjet rënies së lirë. I ngjitur në lartësinë 39.000 metra ai u hodh nga kapsula e Red Bull-it në drejtim të tokës duke arritur një shpejtësi prej 1400 km në orë. Në metrat e fundit zbritja u krye me parashutë. Ky spektakël u cilësua nga analistët si një ndër më të veçantët, por dhe njëkohësisht edhe më të rrezikshmit në botë.