1892 – Astronomi amerikan Edward Emerson Barnard do të bëhej personi i parë në historinë e njerëzimit që do të fotografonte nga afër një kometë. E quajtur ndryshe edhe si Barnard 3 kjo kometë, pas lokalizimit të saj nëpërmjet aparatit fotografik, u konsideruar e humbur. Por në vitin 2008 shkencëtari Andrea Boattini e ri-lokalizoi këtë kometë nga observatori i malit Lemmon. Kjo do të ishte një ndër të rrallat kometa të fotografuara deri atëherë nga dora e njeriut.
1923 – Ankaraja do të shpallet kryeqyteti i Republikës së Turqisë. Pas më shumë se 6 shekujsh të qenurit kryeqytet i Perandorisë Bizantine dhe më pas asaj Otomane, Stambolli do të pushonte së qeni i tillë. Me dekret të posaçëm parlamentar, udhëheqësi Mustafa Qemal Ataturk, vendosi shpalljen e Ankarasë në Anadollin verior si kryeqendër të Turqisë së re. Një tjetër arsye e heqjes së Stambollit si kryeqytet ishte komunikimi ujor që ai kishte me gadishullin pasi mund të pushtohej lehtësisht nga ushtritë e huaja.
1931- Lind në Menkulas të Rrethit të Devollit afër Korçës Dritëro Agolli, ishte poet, prozator, publicist dhe politikan shqiptar. Që nga viti 1973 ai ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, vazhdoi gjimnazin e Gjirokastrës, një shkollë me mjaft traditë. Ai vazhdoi studimet e tij në Fakultetin e Arteve në Shën Petersburg. Ka punuar shumë kohë gazetar në gazetën e përditshme “Zëri i popullit”, dhe për shumë vjet ka qenë Kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë. Për tridhjetë vjet me radhë Dritëro Agolli u zgjodh deputet. Krijimtaria e tij letrare është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj. Është fitues i disa çmimeve dhe i nderimeve të tjera. Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në Perëndim e në Lindje. Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet’60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes. Në veprën e Agollit e pa veten si protagonist bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe fusharaku. Agolli i bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore. Vepra letrare e Dritëro Agollit krijoi traditën e re të letërsisë shqiptare.
1943 – Qeveria e re italiane e e drejtuar nga Marshalli Pietro Badoglio, do ti shpallte luftë Gjermanisë naziste duke u bashkuar kështu përfundimisht me shtetet aleate. Pas armëpushimit të firmosur në Shtator të 1943, trupat italiane do të evakuoheshin nga të gjitha territoret e pushtuara prej saj në Europë dhe Afrikë, duke iu bashkuar aleatëve anglo-amerikanë. Për pasojë trupat naziste të Wermacht-it fillojnë pushtimin e Italisë nga veriu.
1944 – Trupat e Ushtrisë së Kuqe sovjetike, ndërmarrin ofensivën mbi kryeqytetin e Letonisë Riga. Gjatë kësaj ofensive, sovjetikët të udhëhequr nga Marshallët Bagramyan, Yeremenko, dhe Maslenikov, do të çlironin qytetin nga pushtuesit nazistë të drejtuar nga Gjenerali Schoerner. Si pasojë të dyja palët do të kishin me qindra të vdekur dhe të plagosur. Kjo do të ishte një nga ofensivat më të rëndësishme të rusëve në Rajonin Balltik.
1967 – Lind në Limonar, atleti dhe rekordmeni i famshëm kubanez Javier Sotomayor. Ai do të spikaste në disiplinën e kërcimit për së larti në Lojrat Olimpike të Barcelonës 1992, dhe Sidney 2000. Sotomayor do të vendoste rekordin e tij Salamanca të Spanjës në vitin 1988 duke kërcyer në lartësinë 2 m e 43 cm. Të njëjtin rekord ai do ta përsëriste 1 vit më vonë në Budapest, duke u bërë kështu kampioni i pa-diskutueshëm botëror në këtë sport.
1972 – Avioni i linjës ajrore Uruguayan Air Force Flight 571, që transportonte ekipin e rugby-së Uruguajit për një ndeshje në Santiago të Kilit u përplas në majat e Andeve. Nga kjo përplasje 17 vetë nga 45 që ishin në bord, do të humbnin jetën. Pjesa tjetër prej 28 vetash do të qëndronte e izoluar në majat e akullta të Andeve për 72 orë. Gjendja ishte aq e keqe saqë disa prej tyre nga mungesa e ushqimit, arritën deri në kanibalizëm. Pas 72 orësh do të mbeteshin gjallë vetëm 16 prej tyre të cilët u shpëtuan.
2010 – Në minierën e Copiapo-s në Kili, gjatë një aksidenti teknik do të mbesnin të bllokuar në galeri 33 minatorë të saj. Operacioni për kërkimin dhe shpëtimin e tyre do të ishte një nga më të ndërlikuarit në historinë e këtij vendi. Ata do të mbesnin të bllokuar në thellësinë mbi 650 m për 69 ditë e natë. Përfundimisht ata do të nxirreshin shëndoshë e mirë në 13 Tetor. Ky operacion do ti kushtonte qeverisë kiliane 2 milionë dollar.
2016 – Shuhet në moshën moshën 90 vjeçare në Milano, nobelisti i famshëm italian Dario Fo. Në veprat e Fo-së do të shihen qartë kritikat ndaj sistemit të korrupsionit, vrasjeve, politikës, racizmit, dhe teologjikë katolike. Disa nga veprat e tij më të spikatura janë, Comical mystery, The Rape, The Tale of a Tiger, The Open Couple, etj. Në vitin 1997 ai do të fitonte Çmimin Nobel në Letërsi. Në 2010 ai u bë një ndër ideatorët e lëvizjes politike Five Stars.